Zeqir Lushaj: Livadhi i Gjergjit
| E Hene, 22.10.2012, 05:25 PM |

Një propozim, në kuadrin e 100 vjetorit

LIVADHI I GJERGJIT

-Për dijeni, kryebashkiakut të Tiranës, zotit Lulzim Basha-

(Por, …edhe Ndokujt-Tjetër, që ka më shumë fuqi e merita për at’ vend!)

Nga: Zeqir Lushaj

-Si një bir i këtij vendi, lindur në Tropojë dhe qytetar i Tiranës që nga viti 1974, sot, përkatësisht edhe shtetas amerikan, (amerikan prej Grije!), besoj se nuk i kaloj kompetencat e njeriut të lirë, pa kurrfarë funksioni mbi globin tokësor veç qënies “ I LIRË”, nëse e bëj një këtë propozim publik:

-Në këtë 100 vjetor e tutje, qendra e Tiranës, sheshi Skenderbej i derisotëm, të marrë zyrtarisht emrin: - Livadhi i Gjergjit!-

Prej shumë e shumë kohësh, si qytetar i atij vendi dhe i dashuruar jo pak mbas Tiranës, kam ndjekur me shumë kuriozitet diskutimet, debatet, planet, stërplanet, prishjet, ndreqjet, tjetërsimet, improvizimet, euforitë e qefmbetjet rreth të ardhshmes se sheshit tonë më të madh kombëtar, me emrin Sheshi “Skenderbej”, ose, siç e quajmë në gjuhën e përditëshme, Qendra e Tiranës. Nuk dua të jap mendime “mbas pilafit”, për asgjë të shkuar rreth kësaj çeshtje.

…Jemi në vitin 2012, në vitin e 100-vjetorit të mvetësisë tonë kombëtare nga Perandoria Osmane e kohës…Eshtë muaji gusht dhe jam me leje te zakonshme. Më kish marrë shumë malli të shkeli në tokën e Tiranës, të thithi ajrin e saj, të rikujtoj rininë time të dikurshme, per mua, gjithsesi e mrekullueshme dhe e papersëritshme, ashtu si vet jeta, si për çdo njeri tjetër. Ndaj, nga Kafe “Flora”, në fillim të rrugës së Durrësit, mesepërmes Qendrës, në mes pallatit të Kulturës dhe Sahatit, perpara ushtarit të Panjohur e deri tek shkolla e Baletit në lagjen time “Ali Demi” , bashkë me gruan time Sabrien, e kaluam me kembë, duke parë e duke bisedue, si dikurë e njëmoti…! Kjo pjesë e Tiranës, me gjithë ndryshimet jo të vogla, ende e ruan intimitetin e viteve të rinisë kur unë e kam njohur e shijuar si një malësor i fshatrave të Tropojës, (jo i persekutuar, por i vlerësuar dhe  i zbritur në asfalt, me punë e me shtëpi, në breg të Lanës, në zemër të  kryeqytetit). At’herë, kjo nuk ishte pak. Sot, në kohën e “pushtimeve demokratike”, kjo që thash unë në këto rrjeshta më lart, është qesharake, pa asnjë vlerë. (Bile rrezik të më kthehet në akuzë: = nostalgjik i monizmit!!).

Që të mos e hupi fillin e qëllimit të këtij shënimi të vogël, por me një ide ndoshta të madhe, po dua të jua them shpejt se, gjëja që më pëlqeu më shumë, ishte fakti që ish-Qendra, tani ngjante me një livadh të këndëshëm, të bleruar aq mirë. Më frymëzoi deri në indet më të holla të shpirtit tim delikat, gati të qelqtë.

Ndoshta mu duk kështu nga ndjesit e mia ende fshatare për livadhet; ndoshta, nga që ishte shumë vapë e sikur gjelberimi e thyente pak atë; ndoshta se vija nga Nju Xhersi gjithë blerim në Amerikë; ndoshta e ndoshta, e ka shumë ndoshte. Mua, në fund të fundit mu duk i bukur e në vend të vet ai Livadh edhe sepse, në mes të tij kalëronte Gjergj Kastrioti, i quajturi nga turqit, Skënder-Be!

Heroi mbi kalë…, kali në hap e sipër mbi livadh…, e bënte përfytyrimin tim diçka si legjendar, krejt realitet.Të paktën, kështu e përjetova unë, në ato momente që e pashë sëpari. E them pa droje, se ndoshta ishte malli e nostalgjia e vendit tim, por unë u sugjestionova, u ndijove e u perceptova i tëri në këtë që po ju them ju lexues të nderuar të revistës tonë simpatike Zemrashqiptare dhe autoriteteve perkatëse të Tiranës, siç e ndjeva, si i thonë fjalës, në loçkë të zemrës:

-Si një bir i këtij vendi, lindur në Tropojë dhe qytetar i Tiranës që nga viti 1974, sot, përkatësisht edhe shtetas amerikan, (amerikan prej Grije!), besoj se nuk i kaloj kompetencat e njeriut të lirë, pa kurrfarë funksioni mbi globin tokësor veç qënies   “ I LIRË”, nëse e bëj një propozim publik:

-Në këtë 100 vjetor e tutje, qendra e Tiranës, sheshi Skenderbej i derisotëm, të marrë zyrtarisht emrin: - Livadhi i Gjergjit!-

…Livadhi i Gjergjit!

Sa hijshëm do t’i shkonte ky emër. Është emër përfaqësues fshat e qytet; puro shqipëtar etnik. Është gjithë-kombëtar; Gegë e Toskë. Është Kosovë e Çamëri. Është Shqipëri Etnike e Diasporë.

Është Bashkimi ynë historik, i pashmangshëm. Është emërtim perfaqësues i gjithëkohshëm, që nga pellozgo-ilirit, mesjeta, rilindja, dhe e sotmja drejtë Bashkimit Europian. Ësht pak Lindje e më shumë Perendim, gjë që them se, as Qose as Kadare nuk do e kundërshtojnë.

Apo nuk po na vjen edhe Shpata, (nderi i Kryetrimit dhe i të gjithë shqiptarëve), simboli i 25 fitoreve legjendare mbi Perendorinë më të madhe të kohës, atë Osmane, që jo rastësisht , nga vet Qeveria e Madhe, per mrritjen e saj triumfale, mbas 5-shekujsh arrati e kurbet, është caktuar Dita e Çlirimit të Tiranës, 17 Nëntori. Le të ketë kushtuar kthimi i saj edhe sa rruga e Kombit! Asnjë shqiptar nuk thotë: - pse?

…Mbetem me shpresë se propozimi  im qytetar, drejtuar opinionit e per dijeni edhe  Ju, i nderuar zoti Basha, (por, …edhe Ndokujt-Tjetër, që ka më shumë fuqi e merita për at’  vend!), do të merret në konsideratë.

Pamvarësisht miratimit tuaj ose Jo, unë, kështu do ta thërras at’ shesh tërë jetën, dhe kështu do ua lë amanet ta quajnë e thërrasin edhe njerëzit e mi e ata që ende më duan e më dëgjojnë. (Dhe, them se, nuk janë krejt – pak!).

-------------------------

NJË VOTË +

…Bile, një Votë e sigurova ende pa e mbaruar së shtypuri këtë shkrim për në revistë dhe sigurisht një kopje në E-mailin e Bashkisë, afer Livadhit të Gjergjit.

Fotoja që shihni më poshtë, sapo hyri në kompjuterin tim dhe më vjen nga mbesa ime e dashur 14 vjeçare Noemi, nga Lozana e Ch. Ajo më shkruan:

-Gjyshi im i dashur! Sapo u ktheva nga pushimet dymujore të verës në plazhin e Shëngjinit, fillova shkollen, dhe, siç e din edhe ti, një ditë në javë shkoj në kurs të kalorësisë. I bëra disa foto dhe këtë që po të dërgoj sot, e shoqeroj me një pyetje për gjyshin tim:

-A ngjasoj pak në këtë foto edhe si një stërmbesë e Gjergj Kastriotit?

 

…!

As më kishte shkuar mendja të botoj ndonjë foto bashkë me këtë të Sejdi Berishës per shkrimin tim të sotëm, për këtë propozim që ndoshta ka dhe fatin “të përzgjidhet”, si i vlefshëm. Nuk më kishte shkuar mendja, por kjo foto e Noemit, hyri  “me zort për botim”, hyri si një Votë +, e para në mbeshtetje të mendimit tim.

Faleminderit Noemi!


NJ, USA, e hënë, më 22 Tetor 2012

(Vota: 70 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: