Safet Hyseni: Kadri Mani idealist që i mbeti besnik Shqipërisë Etnike
| E Shtune, 13.10.2012, 08:28 PM |

Kadri Mani idealist që i mbeti besnik Shqipërisë Etnike

Shkruan: Safet Hyseni

Disa thonë se vdiq Kadri Mani! Unë se them dot, për këtë s’kam guxim as që ta përmendi, dhe nuk ka kush të më bind se Ai vdiq! Atdhetari nuk vdes kurrë! Ai nuk ka vdekur, as kombëtarisht dhe as fetarisht (asnga ana e çdo religjioni që ta marrësh). Në çdo religjion thuhet se “ndërrojë jetë” që do të thotë se ai nuk ka vdekur, por kjo nga çdo aspekt është absolute dhe unë nuk e kam ndërmend të them më tepër, sa i përket anës fetare. Nga ana kombëtare vepra e të ndjerit Kadri Mani (që tani fizikisht nuk është në mesin tonë) kërkon studim të gjithanshëm, është shumë dimensionale, si nga aspekti i sakrificës ilegale (veprimtarisë kombëtare ilegale), asaj shkencore, publicistike dhe mendimi i tij filozofik. Kadri Mani në shumë sfera të jetës ka lënë gjurmë të pashlyera, ka bërë aq sa ka mundur për familjen, më shumë për rrethin, dhe gjithçka për kombin. Për veprën që na ka lënë pas, për punën që ka bërë, për mendimin e tij progresiv dhe për dimensionin kombëtar ka të thuhet shumë, ka çka thuhet dhe kam shpresë se miqtë ë tij, idealist e Shqipërisë Etnike, e Djathta Shqiptare madje nacionalistët e vërtetë të kombit patjetër që do e thonë se e kanë pas në ballë, të papërkulur, kanë ecur bashkë me Kadri Manin dhe janë krenuar kur kanë qëndruar afër tij, kanë bashkëjetuar, bashkëvepruar e mbi të gjitha kanë sakrifikuar shumë. Të gjithë që e kanë njohur, dhe që e njohin sakrificën shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, të gjithë ata që din dhe duan kanë çka të na thonë, dhe do ishte mirë që këtë ta bëjnë, por duke filluar nga ata që e kanë njohur, nga ata që kanë bashkëpunuar, nga të afërmit dhe ata që kanë bashkëjetuar, nga të betuarit që kanë bashkëvepruar, padashje apo me dashje nga ata që kanë bashkëvuajt dhe në fund ata që e mbështetin dhe e mbështesin idenë e tij, por jo vetëm të tij, ata që e mbështesin Programin e Lidhjes së Prizrenit, se ai nuk donte program tjetër (Shqipërinë Etnike). I pari që e morri guximin është banori i burgut Asllan Dibrani, që një kohë dhunshëm si shumë të tjerë ka bashkëvujat në burgun e Nishit. Askush tjetër nuk mund të sjellë pasqyrën e burgut, por vetëm një bashkëvuajtës, askush tjetër nuk mund të flas për veprën e tij më mirë se një bashkëveprimtar, askush tjetër nuk mund të flasë për mendimin e tij se sa një krijues që krijoj bashkë me te, askush tjetër nuk mund të flasë për guximin, trimërinë se sa një sakrifikues që eci bashkë me Kadri Manin. Vepra dhe veprimtaria e tij kap sferën më të madhe ku duhet t’i përkushtohet studiuesi shqiptar. I ndjeri dhe i pavdekshmi Kadri Mani është simboli i pathyeshëm, është simboli i qëndresës që eci në kohë dhe radhiti vepra atdhetare në çdo vend që ia dha mundësia, në çdo skaj të atdheut të tij. Veprimtarët shqiptar nuk dallonin shumë në ide gjatë shtypjes dhe persekutimit në ish sistemit jugosllav dhe në sipërfaqe dukej se që të gjithë janë të majtë apo i takojnë ideologjisë majtiste. Po të gjykosh drejtë dhe të futesh në studime më të thella, dhe po të thirresh pak edhe në kohën që thuhet kinse demokratike shihet dhe vërehet se një pjesë bukur e madhe vetëm deklarativisht i kanë takuar kësaj rryme. Kjo është vërejtur edhe në veprimtarin e shumë ish të burgosurve politik si në Kosovë por edhe më gjerë, por padyshim që fitimtar kanë dal shumica, d.m.th vija majtiste pasi që kanë pasur mbështetjen më të madhe në ish sistemet të cilët e kishin krijuar njeriun e vet. Rryma e djathtë ajo nacionaliste ku defilonin pjesa më e vogël, bile ata edhe nuk guxonin që ta thonë hapur dhe kur këtë e bënin ishin më shumë të persekutuar dhe apriori të demaskuar edhe nga vetë ilegalët apo veprimtarët shqiptar, andaj ata mbetën edhe më të persekutuar edhe në sistemin tjetër kinse demokratik. Rrymës së djathtë i ka takuar veprimtari Kadri Mani si dhe shumë të tjerë si Metush Krasniqi por që kanë mbetur ende të pastudiuar për të njërën apo arsyen tjetër. Veprimtarët që i takonin kësaj rryme por që nuk shpreheshin hapur ngase kukonin mbështetjen e shtetit amë mund t’i hasni dhe gjeni si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, por edhe sot nacionalistin e vërtetë është vështirë ta takosh në pozicione vendosëse  e aq më pak udhëheqëse. Këtë kategori jo që nuk e duan vetë shqiptarët, por ka shumë rryma, shumë shërbime shtetesh të ndryshme, që merren më llojin e tillë që në Evropë shqiptarët të udhëtojnë të ndarë. Dallimi është shumë i lehtë të bëhet në mes këtyre dy rrymave, por për ta dëshmuar është shumë i vështirë. Të majtët në vend të kombëtares kanë dredhin, në vend të drejtësisë kanë dhelpërinë, janë këto vese që u trashëguan nga ish sistemi apo më mirë thënë nga ideologjia komuniste sllave. Kadri Mani nuk e deshi as dredhin dhe as dhelpërinë andaj mbeti idealisti më i madh i krijimit të Shqipërisë Etnike të cilën Shqipëri e gdhendi me veprimtarin e vetë, dhe ai këtë përherë e mendonte se do bëhet, por do bëhet atëherë kur e djathta shqiptare do ngadhënjejë në gjithë hapësirën e hartës të Shqipërisë Etnike. Për të zbërthyer veprimtarin, idenë dhe punën atdhetare të Kadri Manit ka shumë pena, duke nis nga ajo e Zeqir Lushajt i cili i pari na e dha lajmin e ndërrimit jetë të veprimtarit të palodhur e më pas edhe të tjerët që shkruan më pas, por do ishte më mirë që çdo njëri t’i përkushtohej sferës ku më së shumti është i denjë për të dhënë të vërtetën apo afërsisht të vërtetën. Këtë e meriton Kadri Mani, por duke zbërthyer veprën e tij më së shumti do i kontribuonim të ardhmes sonë shqiptare.

 

Cikël poezish nga burgu;

 

Burgu

 

Muret e lagështa errësirë  e pafund

Më ndjek nëpër hapa jete me trishtim.

Një copë rini atje iku mbeti

E pranguar me hije tmerri sipër mureve të trasha.

E gozhduar dashuri kujtimin mbante gjallë

Shpesh nata zbriste lirin aty pranë

Dhe bëhej zog në vegimin ëndërrimtar.

Tej muresh dita  rriste gjelbërimin.

Brenda frëngjive të ftohtë akull e terr

Bridhte  egërsi, lumturi e vrarë, tmerr.

 

Nata pëlcet nga tortura (kushtuar Kadri Manit)

 

Në rrjetë përgjimesh bëhet dasma ime

Hingëllin fati në tela me gjemba

Më vyshku puthjet. Nga sytë e kuq të egër

Rrethuar, të çmendur mendjesh,

Gishtat me thonj të përgjakur.

Minutat enden me tesha vdekje.

Më kërkon mendimet nëpër libra,

Frikohem të rri bashkë me to.

Dashuria zverdhet nga sekretet.

Nata pëlcet nga tortura. Marshojnë rënkimet,

Me kërbaçin e hijeve në krah korbash

Përbindëshi mund të më gëlltisë, ka oreks për gjak të ri.

S’i kam besuar zotërat dhe s’di të lutem

Dridhem në heshtje! Një zë i trisht më vjen (thërret)

Nga thellësi e shpirtit. S’kam forcë t’i përgjigjem

Mbreti i dhunës mban frenat.

 

Në çeli

 

S’është shtëpi kjo!

As kthinë, as hale

Jo, jo, as lojë!

Është natë e gjatë

Ulërimë e gjëmshme

Egërsi, tmerr

Vrasje jete

Bluarje ëndrrash

Thikë  që kullon.

***

Ankthi i trisht më merr

Më përkund dyshemesë me lagështi.

Përtej frëngjive hëna.

Një rreze zbehtësi vdekje,

Në kujtesën time një ëndërr thyhet.

Një puthje buzësh e akullt,

Ëndrrën dhe shpresën e ngrin.

Një zë i lehtë pëshpëritës,

Vjen përtej frëngjive.

Zvarritem nëpër mur,

Prek veten që s’e njoh.

 

Dimri tallet me mua

 

Dimri tallet me mua.

Leckat e grisura  krahëve,

Si përbindësha më janë ngjitur

Në supet e mija si gur varresh.

Gardianët në shtatë rradh sy skuqur,

Janë xhemati i kortezhit që ngjall vdekjen

Brenda telave me gjemba,

Arkivoli im loz me mua.

Mbi shpatulla mbaj akuzën

Armik i p….

O zot! Ç’heroizëm iu duket

Të vrasinë dëshira, jetë.

Torturohem deri sa loz me varrin

Në terr ulërinë bisha

Unë s’jam banor i vetëm qelie,

Jam vetëm aktor prej shprese.

S’e kuptoi ç’më duhen këto pranga,

A mund të lidhet ëndrra pse loz me hënën.

 

Rebelimi i lugës

 

Sot jam rebeluar e dashur.

Nesër po të gdhi do protestoj,

S’do e marr pjatën nga polici

Do e hudhi edhe lugën

Më duket si kaci varresh. S’di a beson,

Se dita e fsheh sekretin e natës

E nata është si ai arkivol. Motër ka vdekjen.

Por unë të kam dashur,

Edhe para ditës sekrete. Do tët dua,

Edhe pas natës arkivol.

 

Dialogë me vrasës

 

Ju erdhët që andej

U sulët në livadhin e blertë

Kullosnit si kopeja

Blegërima juaj aq shumë na preku

Ua shtruam tryezën me gjëra të pjekura

Ju erdhët nga shkretëtirat

Pat ara, livadhe, kopshte

Pat dallgët e Detit Jon

Shqiptarisht  u pritëm

Ulërimës suaj i ofruam miqësin

Një ditë do ta hani kokën

  egërsinë e frutit tuaj.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: