Avzi Mustafa: Pasqyrimi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në gazetën ''Politika'' të Beogradit
| E Diel, 07.10.2012, 04:44 PM |

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

PASQYRIMI I SHPALLJËS SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NË GAZETËN “POLITIKA” TË BEOGRADIT

Të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa - Niçe

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Në fund të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX Perandoria Osmane ndodhej në krizën e saj më të madhe deri atëherë, sepse sistemi i vjetruar feudal nuk ishte në gjendje t’u përballonte forcave të reja që ishin krijuar në arenën ndërkombëtare, si dhe hovit të madh të popujve të shtypur për çlirim kombëtar, që e kishin shtyrë atë në gjendje të një dekadence politike dhe në tkurrje tokësore

Edhe pse shihej qartë se Perandoria ishte kthyer me kokë nga Bosfori e Anadolli, ndërsa bishti i kishte ngelur në Ballkan dhe ky bisht ishte bërë mozaik kombesh, ajo ende nuk bindej se duhej të largohej, bile edhe duke lëshuar shumëçka që nuk ishte në favor të Perandorisë. Prandaj ajo dëshironte të bënte reforma të ndryshme, por gjithçka ishte e kotë – derisa një dite do të largohej përfundimisht nga Ballkani.

Fillimi i shekullit XX për shumë popuj hapi një kapitull të ri. Sidomos për popujt e Ballkanit. Në fakt të gjithë popujt e Ballkanit kërkonin shtete nacionale të pavarura. Por, ndonëse të gjithë jetuan gati pesë shekuj në kushte të barabarta historike, procesi i emancipimit të tyre nuk ndodhi në të njëjtën kohë. Te popujt e Ballkanit autonomia ose pavarësia te disa popuj ndodhi më parë e diku më vonë. Kështu ndodhi edhe me popullin shqiptar, ku ndikuan shumë faktorë objektivë, subjektivë, politikë, gjeografikë e ndërkombëtarë. Kur bëhej fjalë për shqiptarët e Shqipërinë nën sundimin turk, siç thuhet me gjuhën e diplomacisë, këtu Perandoria “u shthur” dhe kjo ndikoi që Shqipëria të shkëputet nga Perandoria Osmane më vonë seç bënë grekët, serbet, rumunët, bullgarët e, malazezët. Megjithëkëtë në këtë kumtesë nuk e kam ndërmend të ndalem në shpjegimin e faktorëve të kësaj, sepse nuk është interesi im për t’i analizuar ato, por këtu kam pikësynim që ta pasqyroi politikën agresive, të pakuptimtë, djallëzore, manovruese, fyese e intrigante serbe, të shprehur nëpërmjet gazetës proqeveritare serbe “Politika” të Beogradit.

Kjo ishte gazetë ditore që dilte çdo ditë dhe shpërndahej gati në tërë Ballkani dhe në Rusinë cariste. Ajo ishte edhe zëdhënëse e politikës serbe dhe bënte një punë të organizuar, sidomos në dëm të çështje shqiptare. Në këtë gazetë shkruanin disa forca të specializuara të makinerisë propaganduese serbe me qëllime të caktuara. Së pari, për ta bindur popullin e vet dhe, së dyti, opinioni e gjerë sllav etj. Në këtë gazetë janë pasqyruar tema mbi çështjen shqiptare me karakter politik e propagandistik, që para së gjithash ishin qëllimkëqija e nënçmuese, kjo pikërisht në kohën kur po bëheshin planet për copëtimin e tokave shqiptare dhe po pengohej pavarësia e Shqipërisë, ndonëse kjo ishte bërë çështje e ditës në tavolinën diplomatike të Fuqive të Mëdha.

Shtypi dhe format e tjera propaganduese të Serbisë nuk lanë mjete pa përdor me të vetmin qëllim që ta zhvlerësonin luftën e drejtë të popullit shqiptar dhe të bëjnë deskriditimin e tij para opinionit ndërkombëtar. Një prej mjeteve propagandistike, që u vu në krye të kësaj propagande, ishte edhe gazeta ultranacionaliste serbe “Politika” e Beogradit.

Kjo gazetë, që dilte çdo ditë me katër faqe dhe ishte e përkrahur nga politika e interesit qeveritar serb dhe rus, kuptohet se nuk kishte asgjë objektive, të drejtë e të paanshme. Në të vazhdimisht lexohet një politikë shoviniste, nënçmuese, fyese, manovruese, shpifëse e ekspansioniste e monarkive fqinje: serbo-malaziase-greke dhe bullgare për copëtimin e tokave shqiptare.

Atëbotë me tërheqjen e Perandorisë, forcat e ushtrive aleate të monarkive ballkanike, gjoja në emër të dëbimit të ushtrisë turke, vritnin e masakronin mbi popullin e pambrojtur shqiptar. Ishte koha kur shtetet ballkanike me turr bënin plane se kush do të gllabërojnë sa më shumë tokë shqiptare, sepse tek ata mbretëronte mendimi se tokat shqiptare janë pa zot dhe pronë “e askujt”. Prandaj nuk zgjidhnin as mjete e as metoda – ushtria serbe hynte nga disa drejtime dhe bënte kërdi, masakrime të paparaparë. Sipas gazetave të Evropës, mësojmë se “ushtria serbe aty ku kishte kaluar, e sidomos në tokat shqiptare, si në Kosovë, Dibër, Lumë, Lezhë, Krujë, kishte vrarë më tepër se 25.000 shqiptarë (burra, gra e fëmijë)”.

Vrasja dhe masakrimi i shqiptarëve ishte e programuar zyrtarisht nga Beogradi. Prej atje deklarohej “që të vrasin, të dëbojnë dhe të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Madje, i udhëzonin që t’i likuidojnë edhe me mjete të ftohta për të mos harxhuar municione. Ndërkaq para opinionit të vet dhe të huaj deklaronin se luftojnë për ta larguar Perandorinë Turke, e jo kundër popullatës e cila nuk është sllave, pra shtireshin se luftojnë për “çlirimin” e tyre nga otomanët.

Gazeta “Politika” më 6 nëntor të vitit 1912 në tekstin me titull “Kral u Sokplju” shkruan se “Serbia nuk bën luftë për të zaptuar territore, por që bashkëqytetareve të ish-Perandorisë Turke t’u sigurojë jetë të mirë dhe t’u krijojë kushte për zhvillim të qetë e të rregullt”. Çfarë marrëzie e çfarë mashtrimi i paparë! Për atë se çfarë jete u siguroi ajo shqiptarëve, mjafton vetëm mendimi i Leo Frojndlih, i cili shkruan “E sëmura e Ballkanit u largua, por la hienat që të na gjakosin dhe të na bënin atë që nuk mundi e sëmura ta bëjë me shekuj të tërë”.

Kur kryengritjet shqiptare kishim marre hovin më të madh dhe çështja tani i kalonte kufijtë ballkanikë dhe marrte përmasa më të gjera evropiane, atëherë Fuqitë e Mëdha, sidomos Austro-Hungaria, ishin të interesuara që lufta midis shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane të ndalet, mirëpo shqiptarët, të vetëdijshëm se mund të mbaheshin si peng para Fuqive të Mëdha, kërkuan autonomi.

Gazeta në fjalë për herë të parë çështjen e pavarësisë të Shqipërisë e trajton publikisht në artikullin “Albanija” (“Shqipëria”), ku reagon në mënyrën më të keqe duke fyer shqiptarët se çështja e Shqipërisë është artificiale dhe se dikush dëshiron që të bëjë ngatërresa në Ballkan. Këtë e mbështet duke thënë se Shqipëria “asnjëherë nuk ka qenë shtet i pavarur” dhe “se ideja për shtet shqiptar vjen nga Austria në bazë të disa kushteve speciale”. Kjo ide, siç merret vesh, po i bënte pengesë Serbisë që ajo të dalë në det. Një ditë pas këtij artikulli gazeta boton një artikull tjetër me titull “Austria dhe Ballkani” (“Austria dhe Ballkani”), ku përsëri e potencon çështjen e Shqipërisë, se “atyre nuk duhet t’u jepet shtet, sepse tani ata do të jenë edhe me të lirë për të bërë zullume”. Me pastaj vazhdon të thotë se ata (shqiptarët – A.M.) kanë vrarë të krishterët dhe se tani mbrojtja e tyre duhet të jetë nga “ushtritë e krishtera, sepse vetëm në këtë mënyre ata do të mësohen në rend e punë”.

Meqë Austria e mbështet këtë kërkese dhe qëndrim të shqiptarëve, atëherë gazeta në fjalë më 2 nëntor 1912 në krye të gazetës jep titullin “Austrija i Albanija” (Austria dhe Shqipëria), ku ndër të tjera artikullshkruesi shkruan: “Austria ka tentativë që popullit shqiptar në mënyre artificiale t’ia plotësoj dëshirën për autonomi”. Në vazhdim të këtij artikulli artikullshkruesi nuk ngurron që të manipulojë dhe t’i paraqes shqiptarët si njerëz “të shitur”, me pretendimin se ata marrin para nga Austria. Ja si shkruan kjo gazetë: “......duke dhënë para dhe duke premtuar mbrojtje, ata mundohen që ta përfitojnë parinë shqiptare dhe t’i përdorin për qëllimet e tyre kur do ta kërkojë nevoja”. Serbia nuk mund të përmbahet dhe në artikullin “Sukob dva interesa” (“Konflikti i dy interesave”) se “gjoja, ashtu siç shkruajnë gazetat austriake, për shkak të Shqipërisë të vihet deri në luftë”.

Serbët e kishin drejtuar luftën e tyre mediatike në dy drejtime: për ta bindur popullin e vet se Serbia po hyn në “Stara Serbia”, gjegjësisht në Kosovë, Maqedoni dhe në pjesë të Shqipërisë dhe, drejtimi i dytë synuar, se “pa dalja në det ajo (Serbia – A.M.) nuk mund të ekzistojë”. Shqiptarët e Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit i quan “Arnauti”, kurse ata të një pjesë më të vogël të Shqipërisë i quan “Albanci” ose “Arbanasi”.

Serbët si popull janë të prirë që të fyejnë, të mashtrojnë e të inskenojnë situata pa fije turpi. Ata përdorin intrigën si një mjet të sprovuar, gjë që gjatë historisë ka përmbysur perandori. Në këtë gazetë nacionaliste serbe gjejmë plot shkrime mashtruese e lajthitëse për “fitore mbi fitore” të serbëve mbi Arnautllëkun. Në të njëjtin artikull deklarojnë se puna e Shqipërisë ka marrë fund: “Ushtria serbe si fitimtare ka hyrë në tokat e Shqipërisë dhe para shqiptarëve ka parashtruar një pyetje: a e duan ende anarkinë apo zbatimin e rendit, të paqes dhe të lirisë që ua sjell Serbia?”. Sipas tyre, “ushtria serbe në Shqipëri nuk hasi në rezistencë.... dhe se në mesin e parisë shqiptare nuk ka as të manipuluar, e as të paguar...., madje se askush nuk shpreh dëshirë për autonomi shqiptare”.

Kjo propagandë e paskrupullt kishte të vetmin qëllim që t’i stimulojë thashethemet si mjet për ta fuqizuar gënjeshtrën dhe mashtrimin për të çorientuar e formuar kështu opinione te populli i vet dhe te të ndërkombëtarët.

Dëshira e madhe dhe këmbëngulja e Serbisë për dalje në Detin Adriatik përmes tokave shqiptare përshkruhet në një numër të madh shkrimesh, ku evidentohen negociata, pazare, fyerje, si dhe informacione për qëndrimet e Fuqive të Mëdha, të Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Rusisë, që dëshmojnë për lojërat e ndryshme që bëheshin në kurriz të tokave shqiptare

Në shkrimet që botonte gazeta “Politika” gjejmë gënjeshtra pa fund lidhur me shqiptarët, siç i quanin ata – arnautët. Ashtu siç thotë Marenglen Verli në një intervistë se rreth dokumenteve mbi Pavarësisë së Shqipërisë, aty kishte edhe “piruete shpesh tepër groteske”, si p. sh. në artikullin e kësaj gazete me titull “Kroz Arnautlluk” (Nëpër Shqipëri), në të cilin jepet një raport se “Shqiptarët (arnautët) janë të lumtur me hyrjen serbe në Shqipëri”, madje mundohen të trillojnë se gjoja shqiptarët u japin gazetarëve deklarata edhe si kjo: “Ne (shqiptarët) jua kemi prishur kishat, kurse ju na i ndërtoni minaret e xhamive”. Me tej aty vazhdohet se “sikur të mos këtë ndikime prej anash dhe të manipuluar, nuk do të kishim asnjë pengesë. Tani në Arautllëk është gjithçka qetë dhe ushtria jonë pa asnjë rrezik do ta realizojë qëllimin e fundit – Detin Adriatik”.

Po ashtu që të humbet morali te popullata dhe te luftërat që bënin shqiptarët për ta mbrojtur tokën e vet, kjo gazeta propagandën e saj e drejton kah diskreditimi i udhëheqësve shqiptarë se gjoja ato dëshirojnë t’i ruajnë pozitat që i kanë gëzuar ata gjatë Perandorisë. Në një shkrim thuhet se “Në Bizaj (Bicaj) është arrestuar Isa Buletini, ndërsa në Has e gjetiu shqiptarët po i dorëzojnë vetë armët dhe po binden nga manipulimet e disa udhëheqësve” që gjoja nuk ia duan të mirën popullit të vet dhe aty citon fjalët e një farë majori Stankoviq: “Vetëm me një kërkesë të thënë në gjuhën shqipe arnautët i kanë dorëzuar armët”.

Kjo gazetë jep edhe shkrime të huazuara nga gazetat evropiane, si p.sh. artikulli “Socialistët në Shqipëri”, që ishte marrë nga gazeta gjermane “Zëri i popullit”, e cila jep informatën se Austro-Hungaria i jep mbështetje autonomisë së Shqipërisë. Gazeta shkruan se “Arnautët (shqiptarët) janë komb më vete, të ndryshëm nga serbët dhe turqit”. Gazeta “Politika”, krahas shkrimit të huazuar, jep edhe komentin e vet të redaksisë, duke thënë: “Në qoftë se ky popull ngel nën patronazhin e Austrisë, do të mbetet fuçi baruti, fitili i së cilës vjen nga Vjena dhe çdoherë mund të ndizet dhe ta çojë Ballkanin në ajër”. Sipas tyre, “ndarja e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Greqisë është vendimi më i drejtë; serbët dhe grekët nuk do të ketë ndonjë politikë nënshtrimi ndaj arnautëve, por ata (shqiptarët) rrinë në kafene për një gotë raki dhe për një cigare dhe pastaj përcaktohen për Habzburgët”.

Po ashtu gazeta jep edhe artikullin e një gazete franceze “Le Nouvellist d’ Alsace Korraine” me titull “Kombi bandit” (“Banditska nacija”), në të cilin gazeta “Politika” jep mendimin e vet në lidhje me një prononcim që ka shprehur Bertold-i kur ka kërkuar autonomi për Shqipërinë me arsyetimin se “ekziston kombi shqiptar dhe se kjo duhet të respektohet me çdo kusht”. Kjo kërkesë me vend për shqiptarët nuk i shkonte Serbisë për shtati, andaj ajo me mllefin më të madh dhe me një gjuhë primitive i jep përgjigje ambasadorit austriak: “Ky njeri duket se ëndërron. Komb shqiptar nuk ka, ka vetëm hajdutë”. Pastaj vazhdon me komentin e saj duke thëne se “nuk ka ditë që raportet e konsujve evropianë të mos shkruajnë (gjoja – A.M.) për veprat e këqija të arnautëve, të cilat thonë se ata kanë therë gra, ndërsa fëmijëve ua presin veshët, hundët dhe organet seksuale, madje edhe kokën dhe për këtë vjen deri te mos marrëveshja me Serbinë. Ndërkaq neve (serbëve – A.M.), që nuk jemi të egër e as hajdutë, nuk na japin as autonominë më të vogël (këtu e ka për autonominë serbe mbi shqiptarët – A.M.)”.

Kjo gazetë shkruan jo me bojë, por me helm për t’i fyer shqiptarët. Politika serbe i kishte dy qëllime: shtrembërimin e fakteve dhe intensifikimin e ndikimit mbi ngjarjet. Prandaj ajo përdori metodat dhe format më perfide që i kishte si projekt për përhapjen e të pavërtetave dhe të frikës. Ata nëpërmjet shtypit, si një prej formave të propagandës, kishte për qëllim zhvlerësimin e luftërave që i bënte populli shqiptar. Gazeta theksonte se shqiptarët nuk janë të aftë për qeverisje me shtetin. Këtë çmenduri të turpshme gazeta e prezanton në artikullin “Autonomia Albanije” (Autonomia e Shqipërisë). Këtu së pari gazeta e komenton shtypin austriak mbi çështjen e Shqipërisë. Pastaj ndalet dhe e komenton atë që e shkruajnë për shqiptarët, sidomos për të drejtat e tyre, për interesin nacional, për virtytet e tyre të mira. Gazeta në fjalë thotë se “Austria dëshiron t’i plotësojë dëshirat e veta dhe të krijojë Shqipërinë, që kështu të bëjë një paralizim të aleancës ballkanike dhe “Shqipërinë e bën të jetë një avangardë austriake për daljen e Austrisë në Detin Egje dhe në Selanik”, ndërsa mandej flet për shqiptarët se “në bazë të lidhjeve të fshehta Austria dëshiron të krijojë nga bandat plaçkiste një shtet të lirë që mund ta sulmojë Serbinë”.

Mllefin më të madh dhe me një ton fyes e përçmues, duke vjellë helm e vrer, gazeta e shpreh në artikullin “Ç’është Shqipëria “(Šta je Albanija?”). Kur Austro-Hungaria i paraqet kërkesat e veta, duke u mbështetur në parimin e Evropës “Ballkani i popujve të Ballkanit”, gazeta shkruan: “Sa për sy është e mirë, por për Serbinë është një grusht i rëndë”.

Kur flet për bashkimin etnik të shqiptarëve, thotë se “është vetëm një mit”, ndërsa më tej vazhdon: “Ata (shqiptarët – A.M.) kanë qenë të ndryshueshëm, kanë qene pagan, ortodoks të krishterë, myslimanë e katolikë. Fjalori i tyre pjesërisht është serb. Udhëheqësit e tyre i quajnë vojvodë. Ata nuk kanë të njëjtin mendim rreth shkronjave. Disa janë për shkronjat turke, disa për shkronjat greke e të tretit për shkronjat latine. Është e kotë që të bisedohet për komb për atë popullsi, kur në ato vende ka të krishterë e mysliman, elemente që janë krejt të ndryshme. Kjo jep të drejtë që historianët të heqin dorë nga kombi shqiptar”. Pastaj citohet zoti Rene Pinom, i cili thotë se: “vetëm para 5 vjetësh te shqiptarët mund të gjendet gjurma të vetëdijes nacionale. Ata nuk përmbajnë popull. Tre fe, nuk kanë gjuhë të përbashkët, shumë dialekte, njerëzit janë plotësisht analfabetë, jetojnë jetë të egër barinjsh, gjuetarëve dhe kaçakësh”.

Marrëzia politike serbe është e pafund. Ata si duket harrojnë se ndjenja e kombësisë te shqiptarët me shekuj ishte ngulitur thellë në vetëdijen e tyre historike. Gjithkund ku flitej arbërishtja në vendet e Arbrit, me Balshajt e Topiajt, Buajt e Kastriotët, të gjithë këta i bashkonte gjuha, toka amtare, historia dhe lashtësia e origjinës, që ishin elementet kryesore të vetëdijes së plotë të përcaktimit si popull.

Gazeta vazhdon me komentet e saj në drejtim të Austrisë, që ajo të mos angazhohet për komb të shqiptarëve, me këtë rast duke thënë se “atë që e quajnë Shqipëri, në mesjetë ishte djepi i shtetit serb.” Pastaj theksojnë se Shkodra ishte froni i parë serb; të gjitha monumentet në këtë rajon janë me prejardhje serbe, vepra të mbretëreshës së krajlit Baldivinit, e cila quhej “mbretëresha e Serbisë, Dioklicianit, Shqipërisë, Hercegovinës e Dalmacisë”. Pastaj e përmendin mbretin Dushan, i cili në kodeksin e tij flet për “pasardhësit shqiptarë se ata kanë prejardhje nga dinastitë serbe”. Nga ana tjetër, “Shqipëri mund ta quajmë vetëm pjesën sporadike dhe të shpërndarë që është me arnautë rreth Epirit, për të cilën mund të thuhet se ishte shqiptare, por lugina e Vardarit, e Bistricës, Shkupit e Manastiri e tëra është ‘Stara Serbija’.”

Dhe, gjithë kjo edhe përkundër faktit se shqiptarët të gjithë popujve të Ballkanit në shumë luftëra, ku armiku ishte i përbashkët, ua kanë shtirë dorën, madje edhe pse të pushtuar, shqiptarët asnjëherë nuk e humbën njësinë kombëtare shqiptare, të cilën sipas Eqrem Çabejt, e gjejmë: “në jetën dhe kulturën shpirtërore e materiale, në lëmin e banimit e në veshje, ku zotëron ngjyra e bardhë”.

Këtë racë të lashtësisë evropiane, siç thotë i madhi De Radë, edhe Fuqitë e Mëdha e lanë që katandiset në një gjendje që të bëhet skandal i qytetërimit evropian.

Serbia, Mali i Zi, Greqia Bullgaria dhe Italia dita-ditës po e pushtonin, masakronin dhe dëbonin popullin shqiptar nga vatrat e tij shekullore, ndërsa para ndërkombëtarëve deklaronin se këtë e bëjnë vetëm e vetëm për ta mbrojtur jetën e njerëzve dhe pasurinë. Por, për serbët kjo nuk mjaftonte: ata kërkonin detin dhe këtë e shprehnin haptazi. Në rubrikën e gazetës “Çka flitet” (“Sta se govori”) thonë: “Nuk dimë se me cilën gjuhë ta bindim Evropën për të drejtat tona për Serbinë e Vjetër”. Megjithatë ata nuk mund ta fshihnin qëllimin e tyre parësor – daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Ata thonë se është një çështje jetike që “Serbia këtë çështje duhet ta zgjidhë pa marrë parasysh se cili është çmimi”.

Gazete shkruante edhe artikuj nga historia e popullit serb, për të treguar kështu “fakte historike dhe etnografike” karshi pretendimeve të tokave shqiptare. Megjithëse nuk kishte asnjë argument, pos atij të forcës, madje jo vetëm Serbia, por edhe katër aleatët e tjerë ballkanikë.

Gazeta “Politika” ndjek çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët, qoftë e shkruar ose thënë. Ajo i shënon dhe mundohet të kundërpërgjigjet, si p.sh. në artikullin me titull “Ludosti Austrije” (“Çmenduritë e Austrisë”) ku shkruan se “Austria duke i përkrah të drejtat e Shqipërisë për autonomi, po bënë një marri të madhe; megjithëse marritë e Austrisë nuk kanë të ndalur, marria më e madhe është ajo e njëfarë baroni Dunkvan. Ky baron kërkon lidhje gjaku në mes të austriakëve dhe shqiptarëve në të kaluarën. Ja si e dëshmon këtë lidhje. Princesha shqiptare Angjelina Topiana pas rënies së shtetit shqiptar shkon në Itali dhe atje krijon një familje. Po ashtu Marija Terezija, mbretëresha e Hungarisë, ishte martuar në Lorena me vojvodën Fransua, që ishte njëri nga pasardhësit që ishte në lidhje gjaku me princin Lorano dhe kështu kishte lidnur dinastia e sotme, duke qenë në lidhje gjaku me Marija Terezinë që quhej Hazburg – fron. Kjo është “afërsia” dhe arsyeja se pse Austria angazhohet për autonominë e Shqipërisë”. Politika për këtë thotë se deri ku do të shkojnë austro-hungarezët me këto marrëzi: “Pse kemi bërë luftëra, pse kemi humbur njerëz, pse kemi harxhuar miliona para dhe kjo e drejtë e nxjerrë nga arkivi habit me parimin: Alii gerant, tu felix, Austria nube!” (Të tjerët bëjnë luftë, ti i gëzuar, Austria mjegull!)”.

Kur çështja e Shqipërisë po diskutohej në kancelaritë e diplomacive të huaja, gazeta “Politika” në ballë të faqes jep tekstin me titull “Kombi i ri” (“Nova nacija”), ku me në një tonë fyes e përçmues i përshkruan shqiptarët me një mllef te të frustruar: “Çfarë kombi?.... Ata paraqesin një grup egërsirash dhe fisesh të ndara.... Është e pamundur të mendosh se ata janë “komb”, sepse nuk posedojnë asnjë aftësi të lindur kreative, ata nuk manifestojnë titullin e popullit as nëpërmjet religjionit, poezisë, oratorisë, e as në rudimentin e civilizimit... Ata janë në shkallën e egërsirës”. Megjithëse mbetet e hapur dilema se kush janë egërsira: ata që e mbrojnë vatanin apo ata që zaptojnë, vrasin e plaçkitin një popull të pafajshëm?! Këtu nuk ka koment.

Më pastaj artikullshkruesi pyet: “Çka duan ata? Ata (shqiptarët – A.M.) nuk janë gjendje dhe të aftë, madje për detyra normale administrative aty as që mund të flitet.... Ata udhëheqin me instinkte që manifestohet në shprehitë e këtij populli”. Te shqiptarët thuhet në këtë gazetë se mungon refleksioni dhe të menduarit. Për ta justifikuar këtë ata marrin një frazë të shkëputur të Hani duke trumbetuar se ata “japin dhe harrojnë, pranojnë dhe harrojnë, janë të gëzuar kur pranojnë dhe të gëzuar kur japin – njësoj si fëmijët”. Ndërrimi i fesë tek ata (shqiptarët sipas kësaj gazete – A.M.) është përditshmëri dhe “si të gjithë barbarët, edhe shqiptarët (arnautët) kalojnë nga të qeshurit me lot pa ndonjë fazë të ndërmjetme, gjë që flet për mungesën e pendimit te ky popull – thotë Hani”. Autori i artikullit gjithashtu mundohet të nxjerrë në pah edhe disa veçori etnopsikologjike të shqiptarëve, të cilët janë njohur prej të huajve gjithmonë si cilësi tipike shqiptare, që këtë popull e kanë bërë si komb para botës. Siç dihet, Ami Boue thotë mes tjerash: “Në qoftë se shqiptari ka cilësitë fizike të zviceraneve dhe të tirolasve, në qoftë se ai është si dhe ata një ecës i palodhshëm në këmbë, i cili me pushkë majë supit, ngjitet e zbret posi dhia majat e maleve, janë bashkuar tek ai edhe gjallëria e shkathtësia jugore me hollësi dhe prani të jashtëzakonshme të mendjes. Ata janë popull i përgjigjeve të shpejta e therëse par exellence. Krenaria natyrore e shqiptarit shprehet në më të voglat fjalë të tija, në gjeste, në ecjen e tij të lehtë, madje mund të themi teatrale. Kuraja është e lindur për shqiptarin... Jeta në rreziqe është aq e fortë dhe elementi i tyre si në fatkeqësitë e si në luftë nuk peshon aspak për ata”. Ja si shkruan gazeta në fjalë për këto cilësi të shqiptarëve: “Impulsiv janë në temperament dhe nuk e kanë atë qëndrim të maleve të Zvicrës, Tirolit, Norvegjisë dhe Pijamontit, po si të gjithë barbarët”.

Gazeta “Politika” me vëmendje e ndjek diplomacinë evropiane, sidomos pas nënshkrimit të aleancës serbo-bullgare, ku Austria shfaqi kundërshtim të madh, andaj më 21 nëntor të vitit 1912 në artikullin me titull “Konflikti serbo-austriak” (“Srpsko-Austriski sukob”) për here të parë e pranon se problemi shqiptar është një problem i rëndë. Meqenëse Evropa kërkonte zbatimin e parimit të nacionalitetit dhe shfaqi një pikëpamje legjitime ndaj kryengritjeve shqiptare në këtë periudhë, u desh që edhe Serbia ta pranojë kombin shqiptar para të huajve. Këtë shkrim së pari e gjejmë në gazetën “Le courier Evropien”, kurse “Politika” e boton në gjuhën serbe. Në artikull Serbia shprehet “se është në gjendje t’i sigurojë kërkesat që ata i kërkonin nga turqit” dhe me një tonë butësie e me fjalë dhelpërie shprehet: “Sidoqoftë, shqiptarët janë një popull trim dhe inteligjent, andaj nëse ata okupohen nga serbet, duhet t’u lejojmë lirinë, gjuhën, fenë dhe kombin”. Por, paradoksi i tyre nuk ka skaj. Ata në vazhdim përsëri thonë se autonominë mund ta fitojnë edhe pa shtet sovran shqiptar. Shqiptarët – shkruan gazeta – janë e kuptojnë se nuk kanë burime materiale për jetë dhe shprehi pune, por edhe bashkim religjioz.  Duket kështu se politikanët serb dëshirojnë ta mjegullojnë botën me çështjen e religjionit te shqiptarët. Si shihet, ata harrojnë se çështja e fesë, si një nga specifikat e vetëdijes kombëtare, ishte ajo që rilindësit e kishin hedhur përmes parullës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me kohë kishte zënë vend ne vetëdijen e shqiptarëve dhe as që mund që ta bëhej çështje në pazarin historik.

Çështja shqiptare ishte bërë çështje “e nxehtë” nga Fuqitë Mëdha. Serbët nuk ngurruan të kërkojnë ndihmë edhe nga Rusia, duke pohuar se çështjen e Ballkanit do ta rregullojë Rusia. Ata publikojnë një telegram të lëshuar nga Pretovgradi, ku thuhet se “Rusia do ta përkrahë Serbinë, nëse ajo del në det”.. Ky telegram ishte pretekst që Serbia të shpejtojë që sa më parë të hyjë në Durrës, sepse – siç shkruan kjo gazetë sipas burimeve sekrete – renegati Ismail bej Qemal me 4 vetë prej Rumanisë ka shkuar në drejtim të Austrisë dhe së shpejti do të shpallë pavarësinë për shqiptarët. Sipas kësaj gazete në artikullin me titull “Rrethi i Durrësit” (“Drački okrug”) serbët janë të gatshëm me pushkë t’i presin”, por siç dihet ideatorët e kësaj çështje morën drejtimin drejt Vlorës. Kështu dashtë e pa dashtë më 24 nëntor( sipas kalendarit të vjetër, gjegjësisht më 6 dhjetor sipas kalendarit të ri) në faqen tre të kësaj gazete do të shkruajnë artikullin “Qeveria e Shqipërisë” (“Albanska vllada”) Ata do të citojnë një telegram sipas agjencisë “Stefani” se në “Vlorë do të formohet qeveria e përkohshme dhe për kryetar dhe ministër të punëve të jashtme do të jetë Ismail Kemal-bej, nënkryetar dhe ministër pa portfel Baçijori, për ushtrinë Mehmet pasha, për ministrinë e Brendshme Mufit bej, për Financa Abdi bej, për Drejtësi Pjetro Poga, për Arsim Gurakushi (për Gurakuqin), për Ndërtimtari Hujdhal bej, për Postë-Telegraf Lefuozi (Lef Nasi), për Bujqësi dhe për Tregti Pandelicali. Po ashtu, shkruan kjo gazetë, është formuar edhe senati prej 18 anëtarësh nën udhëheqjen e Zenel beut nga Peja dhe me komandat të ushtrisë Isa Buletinac-in (Buletinin) dhe Riza beun nga Gjakova, të cilin e ka zgjedhur këshilli i bashkisë. Qeveria ka edhe nga 2 katolikë, 8 ortodoksë dhe 5 myslimanë që kanë ndikim të madh në gjithë shqipërinë”.

Pas këtij shkrimi gazeta në fjalë pendën e helmit e drejton në diskreditimin e shqiptarëve, që kështu para botës të dëshmojë se “kush janë arnautët”. Ajo në disa vazhdime do ta botojë mini-fejtonin me titull: “Egërsira” ( “Zverovi”), ku do mundohet të trillojë e të japë fotografi në të cilat do të dëshirojë t’i paraqesë shqiptarët si mizorë, brutalë e të pamëshirshëm, si njerëz që s’kuptojnë asgjë, sepse janë në një shkallë të ultë të civilizimit.

Më pastaj gazeta u qaset edhe disa personaliteteve të shquara kombëtare. Të parin e merr në gojë Isa Buletinin, se gjoja këtij i kanë bërë një vizite disa intelektualë serb në kullat e tij dhe ai e ka ndërruar mendimin dhe është dëshpëruar, madje se gjoja ai ka thënë se “do të ishte mirë që shqiptarët të jenë me serbet”. Pastaj përmendet Riza beu e shumë e shumë të tjerë. Gazeta flet edhe për kufijtë e Shqipërisë, për të krishterët nën sundimin e Shqipërisë etj.

Ç’është më e keqja, barbaritë e mizoritë që i bën ushtria serbe pa fije turpi ua përshkruan shqiptarëve – edhe pse ngjarjet në Ballkan vëzhgoheshin edhe nga të huajt. Ja çka shkruan i dërguari i “Daily Telegraph”, i cili mizoritë makabre të ushtrisë serbe i përshkruan kështu: “Oficerët serbë, të dehur me fitoren e tyre, deklaronin se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë”.

Sidoqoftë, më fund u krijua një Shqipëri (Londineze), që u bë një gurë vatre ku shqiptarët e ndarë nëpër banovina sllave e greke do t’i varin shpresat për një bashkim kombëtar. E, sa i përket propagandës serbo-sllave, qoftë në aspektin diplomatik ose në aspektin mediatik, ata janë të prirë për gënjeshtra e mashtrime, të cilat as edhe serbet vet që i sajonin më pas nuk u besonin.

Si përfundim do t’i citoj vetëm fjalët e kryenacionalistit serb Dobrica Qosiqit, i cili thotë: “Gënjeshtra është forma e patriotizmit tonë (serb) dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, inventive”.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: