Vangjush Saro: Revansh, ç’keqardhje!
| E Diel, 07.10.2012, 04:47 PM |

Revansh, ç’keqardhje!

Nga Vangjush SARO

Me keqardhje mund të konstatojmë se në vija të përgjithshme, ato çka ishin ëndërruar në fillim të viteve ‘90, nuk janë më objektiv i qeverive shqiptare. Për më keq, prej disa kohësh, revanshi i disa klaneve, në qeveri dhe jashtë saj, po merr përpara krejt vendin, vlerat, trashëgiminë, të djeshmen dhe të sotmen. Disa prej institucioneve të pavarura, janë të tilla vetëm në letër. Korrupsioni dhe abuzimet nuk gjejnë vendin. Veçmas, në vlerësimin e së shkuarës, madje jo vetëm për ato 45 vjet komunizëm ekstrem, ka një zbrazje pa fund paragjykimesh dhe haresash tronditëse. Për të shkuarën, bashkë me historinë dhe artin e saj, ka një interes mbiestetik, pothuaj (si dikur) klasor, për të rrumbullakosur një zero të madhe dhe aq. Për fat të keq, më “të shquarit” (apo më të shqyerit?) në këtë luftë, janë ca ish-komunistë, si dhe një numër fanatikësh mediokër, ndërkohë që disa emra vuajtësish të vërtetë pikërisht për shkak të përballjes fatale, nuk kanë demonstruar kaq shumë zell për ta rihapur këtë “luftë”. Balzaku thotë diku: “Ata e përbuznin shekullin dhe kjo iu jepte të drejtën të mos e njihnin atë”.

Duke e ditur se ndokush mund të kapet me autorin e këtyre radhëve për motive “patriotike”, po themi paraprakisht se ta duash vendin tënd, cilidoqoftë ai, të jesh krenar për atë se nga vjen, kjo nuk do të thotë që t’iu hapësh rrugë vetëm lëvdatave e kujtimeve më të bukura dhe të bëhesh rob i frymës delirante. Të vështrosh se çfarë nuk ka shkuar mirë, përse janë krijuar vuajtje të padëshiruara, si mund të bëhet më e lehtë dhe më dinjitoze jeta në vendin tënd, kjo është gjetja. Çështja shtrohet të mos na rrëmbejë urrejtja apo euforia, të vështrojmë veten dhe vendin, vlerat dhe fatet, me mendje të qetë e duke parë si janë zhvilluar e kanë ecur realisht vendet e tjera.

E vërteta është se në Shqipëri, aktualisht, shumë gjëra po vështrohen shtrembër dhe për interesa të pandershme. Hedhja e baltës mbi gjithçka të së shkuarës, pa kurrfarë dallimesh a vlerësimesh, njëlloj prolektkulti (Zot na ruaj!), është shprehje e varfërisë dhe e prapambetjes. Mbase sot, fanatikëve iu duhet thënë se hidrocentralet, minierat, armët dhe çdo gjë tjetër që e shfrytëzojnë ende dhe (sipas oreksit) e shesin për një çap bukë, nuk i prodhoi e ndërtoi Byroja Politike; ato i kanë ndërtuar shqiptarët, në vijën e parë të burgosurit politikë, me djersë dhe me gjak. Shqiptarët i kanë bërë, mes shumë vështirësish, edhe historinë, letërsinë, gjuhën letrare, filmat, gjithçka që fanatikët duan ta marrin përpara, a thua jemi në vitin zero. Nuk kemi ndërmend të mbrojmë asgjë të errët të së shkuarës, ekspertët le të merren gjerësisht dhe siç duhet me historinë, letërsinë, gjuhën, kinemanë, diskutime e ndryshime bëhen në çdo kohë; por revanshi s’ka asgjë të përbashkët me këto zhvillime të natyrshme. Revanshi bie erë interesash klanore.

Në mediat shqiptare, thuhej para ca kohësh, në mungesë të një përkujtimi sado të thjeshtë të 60 vjetorit të ish-Kinostudio “Shqipëria e re” (më pas “Albafilm): “...asnjë aktivitet nuk u organizua për të vlerësuar punën dhjetravjeçare të Kinostudios.” Me të drejtë mund të pyesim: Ç’punë kanë institucionet e sotme me atë çka prodhoi ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, (më pas “Albafilm”), në një kohë kur vendi ishte i deklaruar (nga pikëpamja e rendit) si një diktaturë (e proletariatit); fjalë boshe, se në të vërtetë Shqipëria ishte një prej shteteve të shumta që fati iu blatoi regjimin komunist, paçka se ky i fundit, në Shqipëri u zbatua në mënyrën më fanatike…Në cilin shtet kalojnë gjërat kështu pa u zënë goje fare, vetëm e vetëm se ca fanatikë nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre?

Na duket e drejtë gjithashtu të pyesim se ç’punë i prishin “demokracisë” filma si “Kapedani” (Fehmi Hoshafi-Muharrem Fejzo-Skënder Plasari),  “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (Vladimir Prifti-Teodor Laço), “Apasionata” dhe “Duaje emrin tënd” (Ibrahim Muçaj-Kristaq Mitro-Nexhati Tafa-Nasi Lera), “Në shtëpinë tonë” (Dhimitër Anagnosti-Kiço Blushi), “Çifti i lumtur” (Piro Milkani), “Hije që mbeten pas” (Esat Musliu-Diana Çuli), “Vdekja e burrit” (Lisenko Malaj-Anastas Kondo-Roland Gjoza), “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “Jeta në duart e tjetrit” (Albert Xholi), etj.! Kërkojmë ndjesë që nuk përmendëm edhe filma e autorë të tjerë, ngase thjesht propozuam disa tituj pa ideologji, pa Parti, pa Enver, gjë që nuk na jep të drejtë të pasgjykojmë asnjë krijim, sado i angazhuar të ketë qenë. Koha vetë e zbraz atje ku duhet.

Kujtojmë se revansh ka edhe në temën e ndalimit të “zakoneve prapanike” (siç u quajtën në atë kohë). Po cili është kuptimi i gjithë kësaj? Jo, zakonet prapanike...dakord, por ngase i luftoi rendi i mëparshëm, hajde të themi që...nuk janë zakone prapanike. Me të drejtë, është goditur mbyllja e institucioneve fetare dhe përndjekja e përfaqësuseve të tyre. Me shumë të drejtë. Ç’lidhje ka kjo me një fejesë që në djep? Dhe me një plumb...po aty? Atëherë dhe sot. Pse i ngatërrojmë gjërat, në këtë afrim të 100-vjetorit të shtetit shqiptar ca më shumë? Pse nuk vlerësohet ndalimi i gjakmarrjes në ato vite, ashtu si ato ishin, ndërkohë që shteti i sotëm nuk e zë me gojë fare, aq sa duket sikur ka frikë nga një pjesë e elektoratit, që mund t’i thotë: “Ç’kini me Kanunin?” Por ata janë shkelësit më të parë të Kanunit, monument ligjor e kulturor i një kohe që kishte nevojë aq shumë për të.

Nuk është e drejtë të bëjmë luftë me çdo gjë që përpara syve tanë ka kaluar, ndonjëherë e kemi kundërshtuar, më së shumti kemi heshtur. Kujtojmë: U përpoq rendi i vjetër të diskretitonte kohën e Ahmet Zogut dhe atë vetë, përmes lloj-lloj falsifikimesh; dhe ia doli përkohësisht. Enver Hoxha dhe klanet rreth tij, përfshi baballarët e atyre që janë sot ministra, bën të pamundurën ta paraqisnin atë periudhë krejt të zezë. Por e vërteta mënon, veç nuk harron. Sot është e qartë për këdo se ajo periudhë ka pasur problemet e veta, sikundër edhe vlera të padiskutueshme, (duke filluar nga pranimi i parlamentarizmit, etj.). E ndërkaq, ku shkuan punët e profesorëve të Komunizmit kundër Ahmet Zogut?

Edhe një term, mbase edhe më delikat. Përpjekjet për të cënuar bazat e gjuhës standarde, siç jam shprehur edhe në një shkrim tjetër, gjithashtu janë pjesë e një doktrine që mban erë revansh. Ndërkohë, kemi mbrojtur lirinë e mundësisë së shprehjes dhe pasurimit të gjuhës, përmes rivlerësimit të gegnishtes, kemi shprehur mendimin se nuk kemi të drejtë ta cënojmë (përveçse ta pasurojmë) një gjuhë letrare të konsoliduar prej kaq kohe, për të bërë lojëra dialektore. Gjithkush mund të ngrihet sot dhe të kërkojë që e folmja e krahinës nga ai vjen, të bëhet gjuha standarde. Individë me dhe pa shkollë, me dhe pa kulturë, kanë marrë penën a më mirë sopatën në dorë dhe duan të na mbushin mendjen se “iu ka ardhur e keqja” nga ajo që e konsiderojmë gjuhë standarde. Fort mirë. Hajde të merremi me ë-të, që dikur Faik Konica i krahasonte me mender mizash, për të bërë një çorbë që s’do t’i shijojë dikur askujt. E di që mund të çalojë kjo pranëvënie, por po e bëj, duke shpresuar të ndihë sadopak temën. Unë, bie fjala, do të propozoja që në këto ndryshime “të rivihet në vend” e drejta e të folmes së Devollit. Duke ju treguar një anekdotë të thjeshtë, shpresoj të kuptohet se megjithëse kjo e folme është pjesë e toskërishtes, nuk ka asnjë lidhje me gjuhën standarde: Zaçja po ngëthehej pe ushtrie. Ne kroi i fshatit, një na gratë e pvet: “Ardhe, o Zaçe?” “Ardhç, moj Pembe, ardhç; shpëtova pe kësaj ushtrie ce dgjon apo jo?” Mund të them se në këtë rrëfim të thjeshtë, një në dy-tre fjalë a përdorime, janë shumë larg gjuhës standarde. Më në fund, çfarë ka këtu për të mbetur hatëri (më falni për termin)?

Në një sërë mjegullimesh që i vijnë përqark vendit, përveçse njëlloj revanshi, kemi të bëjmë edhe me mungesën e seriozitetit të shtetit dhe të institucioneve. Lexuesit të nderuar mbase i vjen ndërmend përkujtimi i Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, kur në ekran (gabimisht) u shfaqën episode dasme...Por ne mund të sjellim një sërë shembuj që tregojnë sa pak seriozitet ka shoqëruar gjithnjë shtetin shqiptar, qeveritë shqiptare, në konsolidimin e vlerave dhe të trashëgimisë së gjithanshme. Shkoni në Kavajë dhe gjeni një shenjë të aktorit të madh evropian me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu; gjeni në Shkodër shenja të Gjergj Fishtës, Migjenit dhe Prenk Jakovës, etj. Gjeni në Korçë një shenjë të Mihal Gramenos, Vangjush Mios, Tefta Tashko Koços, etj.

Gazeta “Telegraf”, një nga mediat më të kujdesshme dhe të ekuilibruara në Shqipëri, krahas shumë përkujtimeve e rivlerësimeve të tjera, botoi përpara ca kohësh një shkrim për inxhinierin dhe karikaturistin e njohur Enriko Veizi. Sidomos për brezat më të rinj, të sjellësh nga kohërat e “tjera” të vërtetën dhe të mos kesh frikë nga ajo, është shumë e rëndësishme. Edhe në rastin që u përmend më lart, nga njëra anë kemi faktin që ai inxhinier, si shumë intelektualë a njerëz të thjeshtë e familje fisnike, u përndoq nga rendi komunist; nga ana tjetër, ngrihet figura e intelektualit të përvujtur e, sidomos, një karikaturisti emrin dhe stilin e të cilit, për dhjetra vite, e mbajtën kaq libra me tregime humoristike, faqet dhe kopertinat e “Hostenit” dhe revista të tjera të kohës. Në revistën e nderuar “Zemra Shqiptare” (mjaft e njohur sidomos në diasporë) botohen heraherës analiza dhe përvoja historike e shoqërore të cilat mbartin elemente të panjohur, që brezat do të dinë t’i lexojnë si duhet. Mediat serioze mund ta ndalin revanshin, kur ai bëhet rrezik për një komb. Diskutimi i kulturuar dhe duke vështruar e besuar më së pari nga ekspertët, është një gjë krejt tjetër nga revanshi.

I themi këto sepse aktualisht (do të donim shumë të gabonim) ne po përballemi me një përvojë të tërë të keqe harrese e çvlerësimi, të trashëguar dhe të sajuar edhe së fundmi në emër interesave dhe mediokritetit të atij (dhe klanit të atij) që ka pushtetin sot për sot. Revanshi ka marrë udhë kudo ndër shqiptarë. Vëmë re se shkruhet me shumë urrejtje, jo thjesht ndaj një periudhe të caktuar e ndaj figurave tashmë të vëna në shenjestër nga historia, por edhe kur replikat duhej të ishin profesionale dhe në përputhje me vlerat më të mira të qytetarisë që aspirojmë. Unë mund të pranoj, bie fjala, që në disa replika, shkrimtari i njohur Rexhep Qose e ka mbiluajtur mërinë e vet për ndonjë koleg apo ka tejkaluar në ndonjë rast masën e kritikës (edhe për qeverinë shqiptare). Megjithatë, mënyra se si përgjigjen disa shtetarë e disa shkrues gjaknxehtë, nuk është e pranueshme. Edhe përdorimi i epiteteve dhe tonet pejorative, e kanë një kufi.

Më në fund, pse u dashka të kemi kaq shumë kaos ndër vedi? Me keqardhje, mund të themi se klanet që janë në qeverisje e jashtë saj, dhe që kanë autorësinë e tyre në cënimin e vlerave demokratike (veçmas në dhjetë vitet e fundit), nxisin mjegull artificialisht. E ndërkaq, ato (ka disa kohë) po tallen me gjëra shumë të rëndësishme: me zgjedhjet dhe me votën e qytetarëve shqiptarë; ato e bënë skeç statusin e vendit kandidat për në BE; ato po marrin ç’të mundin nga pasuria e këtij vendi; ato i kanë lënë një pjesë të pronarëve të ngrohen në diell, në kundështim me ç’kemi thënë në fillim të viteve ‘90 për shenjtërinë e pronës dhe për krimet monstruoze të komunizmit; ato pushojnë nga puna këtë të mundin, kur s’di t’ua bëjë me sy dhe punësojnë kë të mundin, sidomos ata që “ua bëjnë me sy” apo kur paguajnë disa mijëra euro; këto na tregojnë një vend të prapambetur dhe të zënë në paragjykime. Edhe për këtë, sheshimi i vlerave dhe helmimi i gjithçkje që ka të bëjë me të shkuarën, shërben.

Janë gjithë klanet e përmendura më lart, që po e fryjnë e po e fryjnë 100-vjetorin e shtetit shqiptar, që mirë se të na vijë dhe ta festojmë me dinjitet, por jo sërish vetëm duke pasur përkrahjen e vetëm një të tretës apo edhe gjysmës së shqiptarëve (si njëherë e një kohë). Nuk duhet harruar se si pompoheshin përvjetorët dikur në komunizëm, ndërkohë që një pjesë e madhe e popullsisë nuk i ndjente ato, por s’kishte ç’të bënte dhe, ndërkaq, shumica po shkonin drejt varfërimit gjithnjë e më të madh, në një izolim dhe mendjemadhësi(!) të paparë ndonjëherë në Evropë. Pyesim për së dyti: Përse nuk u përkujtua qoftë edhe në mënyrë modeste 60-vjetori i Kinostudios? Kjo është në një linjë me shkatërrimin e saj, sikundër ka detaje të tjera që flasin për një paloshtet (sot e dikur), si mbulimi i Durrësit antik, rënimi i kalave e ndërtesave historike, mungesa e përmendoreve të Gjergj Fishtës, Ahmet Zogut, etj., por pse jo edhe zhdukja e veturave me të cilat janë pritur Hrushovi, Çu En Lai apo, në një plan tjetër, mungesa e karrocës së Ismail Qemalit, etj.

Me të drejtë, lexuesi mund të pyesë: Revansh. Po përse? Në emër të kujt? Në muajt e parë të pluralizmit, një nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje në atë kohë, deklaronte diçka të tillë, pak a shumë të drejtë: “Jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Sa shpejt do të harroheshin këto fjalë. Sa herë është kërkuar të hapen dosjet...Jo klanet! (Që të manipulohej me to. Dhe të fshiheshin “bashkëfajtorët”.) Sot, madje gjatë gjithë tranzicionit, krejt si në filmin “Vdekja e kalit” (Sajmir Kumbaro-Nexhati Tafa), na janë ngritur komunistët dhe na mbajnë leksione kundër komunizmit dhe për demokracinë; dhe ata “udhëheqin” demokracinë, bëjnë zero gjithë sa ka të bëjë me të shkuarën, shtyjnë tutje pronarët dhe të përndjekurit (prej tyre) në emër të “demokracisë”. Klanet dhe fanatikët që bëjnë pjesë në to, nuk po e kuptojnë se po përsëriten gjëra që shqiptarët dikur i përbuznin; nuk është e drejtë të qëndrohet në vend për ca interesa që dikur mund të jenë objekt i drejtësisë. Kur edhe ajo të jetë jashtë klaneve...



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: