Flet Artisti i Merituar, Lazër Filipi
| E Premte, 05.10.2012, 05:49 PM |

Ja dramat e mia për 100-vjetorin e Pavarësisë

Nga Albert ZHOLI

Megjithëse mbi 90 vjeç, ai përsëri është aktiv. Për herë të parë është ngjitur në skenë para gati 70 vjetëve, në vitin 1943 Lazër Filipi i ka dhënë artdashësve shqiptarë një galeri të tërë prej 80 e ca rolesh që e kanë bërë atë të dashur për publikun. Këtu mund të veçojmë rolin e Leninit në dramën “Orët e Kremlinit” e N. Pogodin, rol për të cilin ai është vlerësuar në nëntor të vitit 1957 me Çmimin e I-rë të Republikës. Rolin e xha Shazos në dramën “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit), rolin e Klarkut tek “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, rolin e babait të Ofelisë në dramën “Hamleti” të Shekspirit etj. Në vitin 1977 del në pension, por impenjimi i tij vazhdon ende.

Çfarë po përgatit Kompania Teatrore Tirana, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë?

Kompania Teatrore “Tirana”, e cila  ka dhënë disa pjesë të mëparshme  si dramat “Ali Pashë Tepelena”  “Fati i një refugjati”,  “Napoleon Bonaparti”, “Kush e solli Doruntinën” ( i Kadaresë i shfaqur në Peruxhia Itali dhe Izmir të Turqisë)  etj, po përgatitet seriozisht për këtë event, për drama cilësore, megjithëse jemi paksa vonë.

Përse jeni vonë?

Jemi vonë pasi ne kemi pritur  të dalin rezultatet e konkursit të dramës shqipe, i cili ishte planifikuar që fillimi të ishte për në mars të këtij viti ku u paraqitën 27 pjesë të shkruara dhe në prill do të jepeshin rezultatet e konkursit. Por në prill nuk u zhvillua ky konkurs nga MTKRS, pasi u shty për në fund të gushtit. Pra ishte në mars zhvillimi i konkursit, i cili u shty jo pak, por katër muaj. Nuk e di pse ndodhi kjo shtyrje, ndoshta për arsye teknike nga komisioni, po jemi  vonuar dhe ne si kompani teatrore për të paraqitur kërkesat tona pranë Teatrit Kombëtar dhe po ashtu në MTKRS.

Çfarë drame do të vëjë në skenë kompania juaj teatrore?

Ne do të vëmë në skenë dy drama. Drama e parë është “Lulja në murin e avllisë”.

Cili është subjekti i kësaj drame?

Është një dramë  lirike, e cila fillon në Shkodër. Është dramë që vjen  duke u gërshetuar  dhe shkojmë deri në mbi Shkodër  ku është bërë përgatitja e Kryengritjes së vitit 1911 me Dedë Gjon Lulin në krye dhe me patriotë të tjerë. Në këtë dramë del që patriotët shqiptarë i kërkuan Malit të Zi , Mbretit të tij që  refugjatët e Malësisë së Shkodrës të dëbuar  ose ata që donin mos të binin në duar të osmanlinjve ta kishin shpinën të sigurt. Pra Mali i Zi të bëhej mburojë dhe jo t’i priste në besë këta njerëz që do t’i largonte lufta. Pra shpina të ishte e ngrohtë . Për të kërkuar këtë ndihmë ka shkuar një ndër personazhet kryesore të dramës,  i fejuari i vajzës që ka rol të rëndësishëm në dramë . Në këtë dramë del që Mali i Zi dhe mbreti i saj e mbajti fjalën dhe shumë refugjatë të asaj kohe nuk patën probleme për t’u strehuar në Malin e Zi për tu shpëtuar osmanlinjve. Drama  në fillim ka pjesë lirike shumë të bukura. Në të jepet një familje shkodrane me një shtëpi që ka një avlli  e cila ka një shtëpi tjetër ngjitur me një hyrje në krah. Në atë shtëpi ka ardhur një familje e re. Në të nesërmen në shtëpinë në krah dëgjohet të këndohet një këngë. Ishte një zë femre. Djaloshi shkodran e dëgjon këngën  dhe i hip në kokë ta shoqërojë këtë këngë. Pra nga një anë këndohet nga ana tjetër shoqërohet me kitarë në mënyrë krejt të natyrshme pa u njohur pa biseduar. Vajza filloi të ndejë rrobat në oborr duke kënduar, pa ditur se kush ishte në oborrin tjetër kush e shoqëronte, pasi në mes ishte avllia. Më në fund djali  vendos ti prezantohet vajzës dhe të njihet nëpërmjet avllisë që të mësojë kush është kjo vajzë. Atëherë ai merr një shkallë, dhe hipën në të duke e parë vajzën në oborr. I thotë që jam shkodran, ndërsa ajo i thotë që kam ardhur nga Malësia e Shkodrës  për t’i shpëtuar turkut. Në këtë kohë del babai i djalit, i cili i thotë të birit: Ç’po bën aty lart mbi shkallë biri im, apo do të thyesh qafën në avlli? Djali i thotë: Babë na ka mbi një lule në murin e avllisë. Këtu del dhe titulli i dramës. Mos e prek se thahet i thotë babai. Jo, jo, do e ujis i thotë djali. As mos e ujit, sepse kalbet, i thotë babai. Dhe ky është takimi i parë midis familjeve. Djali i kërkoi familjarisht dorën vajzës, por vajza i thotë jam e fejuar që në djep, paçka se të fejuarin e kam parë vetëm njëherë. Këtu fillon drama…

Po drama e dytë?

E dyta do të jetë “Ikona e të gjitha kohërave, Nëna jonë Terezë”.

Kjo është drama që keni vënë para katër vjetësh në skenë?

Jo. Kjo është një dramë e re ku Nënë Tereza nuk është vetëm në Indi, por Nënë Tereza është edhe në gjithë Azinë, është në Evropë, është në Amerikë, edhe në Vatikan, por mbi të gjitha vjen edhe  në atdheun e saj, vjen në aeroportin e Rinasit, i cili më vonë do të marrë emrin e saj. Nënë Tereza  shoqëron Papa Gjon Palin e Dytë në Shkodër për të inauguruar  një shtëpi bamirëse. Nënë Tereza ka pritur edhe Mbretëreshën Geraldina, sepse ajo nënën e ka pas amerikane dhe babanë hungarez dhe kur merr vesh që Nënë Tereza ka qenë me punët e saja në Amerikë kërkon ta takojë.

Pra dy drama, dy subjekte krejt të kundërta. Kush janë autorët e këtyre dy dramave?

Autori i të dyja dramave jam unë. Është një punë e imja disa vjeçare. Kanë subjekte krejt të ndryshme, por që kanë karakter thellësisht kombëtar, që i përshtaten temave me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Si do të zgjidhen aktorët?

Aktorët do të zgjidhen sipas dëshirave. Pra unë kam bërë një plan timin si Kryetar i Kompanisë Teatrore Tirana, por kjo s’do të thotë që nuk do të bëj dhe zëvendësime të mundshme me aktorë të tjerë që do të dëshirojnë të luajnë. Ne jemi të hapur me komunitetin e aktorëve për çdo kërkesë të tyre. Unë njëkohësisht pres bashkëpunim edhe me regjisorë të tjerë megjithëse kam menduar që të jem vetë si regjisor. Pra kjo ditë hap siparin e aktivitetit tonë, ku ne kërkojmë bashkëpunim me gjithë komunitetin e aktorëve, regjisorëve, me Teatrin Kombëtar dhe me MTKRS.

Nuk duket si mënyrë krejt tjetër ky lloj organizimi?

Po. Për mua është deri në një farë mënyre si një konkurs i veçantë. Pra ne do të presim kërkesa të ndryshme nga komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve, do shikojmë prurjet dhe do bëjmë seleksionimin. Këtu nuk ka kufizime, nuk ka përcaktime fiks, por do të fitojë më i miri, ai që ka dhe jep më shumë. 

Ku do të vihen në skenë këto dy drama?

Në do të vëmë në skenë dy drama. Drama e parë si fillim do të vihet në skenë në Tiranë në Teatrin Kombëtar dhe më pas në veri të Shkodrës  ku janë dhe ngjarjet e Kryengritjes së vitit 1911. Pra kryengritja e Malësisë së Shkodrës. Më vonë do të jepet në Vlorë por dhe në qytete të tjera, Njëkohësisht ne kemi planifikuar ta japim edhe në podiume të hapura edhe në qyteza. Do të jetë si një marshim nga jugu në veri duke mos njohur vendqëndrime stabël. Ndërsa drama “Nënë Tereza” do të jepet edhe në  Festivalin e dramës shqipe që do të zhvillohet në nëntor në Teatrin Kombëtar ku dramat më të mira pas konkursit do të shkojnë në Vlorë.

A do të mundeni ti realizoni deri në nëntor dy drama si kompani teatrore?

Po. I kemi marrë të gjitha masat. Do punojmë natë ditë për të realizuar objektivin. Ne para një viti  kemi punuar deri diku për një vepër por dhe kemi eksperienca që për një kohë të shkurtër kemi arritur të vëmë në skenë vepra të mira. Në marrim përsipër që para 28 nëntorit të dy këto drama ti bëjmë prezent përpara spektatorit.

Kush do t’i financojë këto drama?

Ne sot i bëmë prezent, dhe qysh sot do të bashkëpunojmë me komunitetit e biznesit sikundër thamë edhe me MTKRS. Besoj se ka njerëz patriotë nga ky komunitet që do të na ndihmojë.

Po  vetë përveçse regjisor do të luani ndonjë rol?

Po do të luajë në dramën e Nënë Terezës rolin e Padre Krahinorit, kundërshtari më i tmerrshëm i Nënë Terezës që e quan Nënë Terezën kundër kishës, normave të saj, për bamirësitë e saj, për nismën që ka marrë ajo, dhe pastaj kur e njeh nga afër se çfarë po bën ai, bëhet mbrojtësi më i madh i saj, më i flakti. Ky është një ndër rolet kryesorë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: