Fritz Radovani: Besë-lidhja e Malësisë... apo Lufta Nac-Çl?
| E Enjte, 27.09.2012, 06:02 PM |

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

KUSH  KISHTE  MA  SHUMË  VLERË  PER  LIRINË  E  ATDHEUN,

“BESË–LIDHJA  E  MALËSISË...”  APO  “LUFTA  NAC.–ÇL.” ?

Nga Fritz RADOVANI

Kur “historianët” do të shkruejnë të vërtetën, që Rinia Shqiptare me e mësue “até”?!

Sa do të më pelqente sikur “prof. dr. e akademikët” me e dijtë këte emen, kush ishte kjo “Besë – Lidhja e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, kush e krijoi dhe pse u krijue, apo cili ishte qellimi i Saj Atdhetar?! Nuk dij a e kanë lexue ndonjëherë Programin e Saj!!

Prej vitit 1941 krahinat Veri – Perëndimore të Shkodres, tue fillue prej Ulqinit, Tivarit, Hotit dhe Grudës, ishin të lira nga jugosllavët dhe malazezët, mbas sa luftave per Lirinë e Tyne, dhe shpejt ishte e lirë edhe Kosova e Maqedonia, deri poshtë ku kishin hy forcat gjermane, që kërkonin shkëputjen e Trojeve Shqiptare nga zgjedha sllave. Menjëherë ndër ato krahina u hapen 120 shkollat shqipe me 250 mësues nga ministri Ernest Koliqi dhe qeverisjet lokale të tyne ishin nga Shqiptarët, të cilët filluen edhe organizimin e policisë dhe administrimin e vendit.

Kur ushtria naziste filloi terheqjen nga Ballkani me humbjen e luftës, ndihej nevoja e organizimit ushtarak ndër ato krahina për me mujtë me sigurue “Lirinë” e Tyne, e cila jo vetem do të rrezikohej, por pritej edhe përdhosja e Tyne nga forcat komuniste jugosllave të Titos, i cili kërkonte edhe njëherë aneksimin e tyne në vathen e vjetër sllave, por këte herë i ndihmuem nga forcat ushtarake sovjetike dhe nga komunistët shqiptarë, që ndihmoheshin materialisht nga forcat ushtarake të Aleatëve. Nga fundi i vitit 1943 forcat nacionaliste shqiptare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” dhe Indipendentët, luftoheshin haptas nga forcat komuniste “partizane” të drejtueme prej agjentëve jugosllavë, që kryesoheshin gjoja nga Enver Hoxha, që tashti kishte shpalosë haptas flamurin e tradhëtisë, me luften civile në Shqipninë e Jugut...dhe pritej që Shqipnia Europjane t’ ishte tansisht nën pushtimin bolshevik komunist të Titos. Me këte vepër tradhëtije pajtohej edhe blloku i Aleatëve, nen parullen e “Konfederatës Jugosllave”; i cili ndihmonte me të gjitha mjetet financiare dhe materiale “nacional – çlirimtarët” e bllokut komunist të Stalinit.

Me daten 23 Shtator 1943, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, të mbledhun per me shpëtue Atdheun nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë edhe me Krenët e vendit, të gjithë bashkë, formuene “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, e cila kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar...2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…dhe një Program të plotë, që perputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë dhe të zhvillimit e përparimit të Tyne me kahun e pikpamjet Europjane – Perëndimore.

Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem per nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i mandejshem i Saj.

Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe) , Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri...i cili “premton po nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).

Të parët që iu përgjegjen Lidhjes ishin grupi i ushtarakëve ndër shpellat e Shllakut, që kryesohej nga kapiten Gjergj Vata (Cukali), Martin Sheldija, Zef Agostini, Kolë Ashiku, Zef Jakoviq, Loro Vata dhe ma vonë, organizatori i Rinisë Katolike Shkodrane, Ndoc Jakova.

U gjet perkrahja e grupit ushtarak të shpellave të Dukagjinit, ku ishin oficerat Gjon Destanisha, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Zef Kol Prela etj.

Në Postribë ishte Jup Kazazi, Abdullah e Nuh Kazazi, që mbeshteteshin tek Parija aty.

Pa kalue as pak muej në perkrahje të “Besë – Lidhjes së Veriut” vihet edhe Puka me të ushtarakët e njohun e trima, Mirakajt, Mirdita me major Markun dhe Lleshin e Zi Markagjoni...

Me kenë se Gjelosh Luli ishte edhe mik i At Mati Prennushit, provinçialit Françeskan të Shqipnisë, i cili kishte lëshue një urdhen të premë mbas vrasjes së At Lekë Lulit, kur bashkpunoi me Legalitetin dhe u vra tradhëtisht, Ai urdhnoi që “asnjë Klerik Katolik nuk duhet të perzihet në politikë”, në këte “Besë – Lidhje të Veriut” nuk u angazhue asnjë nga Klerikët e këtyne zonave. Por edhe pse Kleri Katolik nuk u perzi fare, Ai u godit ma keq se kushdo, tue fillue nga data 25 Mars 1945 që u pushkatue Don Ndre Zadeja dhe mbas tij, me rradhë dijetarë e Atdhetarë për 47 vjet rresht panderpremje deri tek Don Lazer Sheldija në vitin 1988, që u vra nga sigurimi komunist i yni në Amerikë, vetëm se ishte Bir besnik i Atyne trojeve të Besë – Lidhjes së Veriut.

Kur forcat komuniste të Mehmet Shehut e Koçi Xoxës, e sa e sa “gjeneralëve” halabakë, sulmuen mbas shpine Atdhetarin Prekë Cali, bashkë me forcat jugosllave që kishin pushtue Gruden, me “Besë – Lidhjen e Veriut” u bashkuen edhe çetat e Shqipnisë së mesme me Alush Lushanakun, Mark Zef Palin dhe Gjon Mark Ndojin, të cilët ruenin lidhjet e veta me “Çeten e Hekurt” të Sul Selimes në rrethinat e Tiranës. Rezistenca antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuen kurrë me komunizmin gjakatar.

Në Shkoder asht i pari në Europë Mark Çuni, që formon organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me anen e së ciles kerkoi pluralizmin politik dhe zgjedhje demokratike. Askush nuk mund të harrojë qëndresën heroike shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij Maria (Zojzi), të Ludovik Saraçit, të Pashuk e Palë Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj., po gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve të qendresës heroike Shqiptarin Gjelosh Lulin e Hotit dhe të Maleve të Veriut, që nuk e bân kurrmâ Nana.

Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi do të merrte malet, mbasi u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, dhe mbasi puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!” - dhe e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste! Pothuej të gjithë Emnat e Atyne Burrave që kam përmendë ma siper janë vra e zhdukë edhe trupat e tyne, kush pa krye, kush pa kambë, kush pa sy e kush pa krahë, perfundimisht gati të gjithë janë “pa Varr”!

Po monument per Këta Atdhetarë, viktima të komunizmit a ka sot kund!?..

– Jo, “monumentet” janë per vrasësit e tyne, per kriminelët e dekoruem atëherë e sot!

“Monumentet” janë e do të jenë per “nacional – çlirimtarët” tradhëtarë e kolaboracionistë me bolshevikët sllavo – komunistë të Jugosllavisë së Titos, Rusisë terroriste staliniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit...shfarosës e barbar, me etiketen e “Revolucionit”...të cilëve u kanë sherbye dhe vazhdojnë me u sherbye me perkushtim, se i lidhë të gjithë bashkë “ideali antiatdhetar”...

Po “ideali i antarëve të parë të partisë komuniste” cili ishte?

– Sot, dimë vetëm një fakt, se pothuej të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur, torturë, vrasje dhe tradhëti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.”(Dosja 1623). Torturuesit dhe kriminelët Haxhi Lleshi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori,  Muço Saliu, Siri Çarçani, Mestan Ujaniku, Nesti Kopali, etj., tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha për operacionin e Veriut, ku pasonin ushtarakët Sheuqet Peçi, Gjin Marku, Rahman Perllaku, Ramiz Alia etj. “...që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e  dyshimtë dhe Parinë e vendit....” Ata partizanë që u vranë në Luften Nacional – Çlirimtare, të gjithë pa perjashtim, vrritën per një “ideal”, per “idealin” komunist: “Bijtë e Stalinit jemi né, rroftë Stalini i math, babai ynë!”...

E dij se e kanë të veshtirë me arsyetue me trunin e tyne marksist-leninist të mykun nga “historia e PPSh” dhe parimet komuniste “prof. dr. e akademikët” e Tiranës anadollake, por duhet të tregojnë haptas se cilat ishin programet e tradhëtisë prej 8 nandorit 1941, të komunistëve të Tiranës, Permetit, Beratit, e deri tek Ramiz Alia, në 1991, në sherbim të komunizmit gjakatar?Në 1991 Ramiz Alia thotë: “Edhe gjak do bëjmë..!”, ja “ideali” i kriminelit të 1943...!E verteta historike asht vetem një: Komunistët anadollakë të Shqipnisë për me sigurue një kolltuk, até të Enver Hoxhës, shiten Atdheun, shiten Trojet Shqiptare, vranë e masakruen të gjithë Atdhetarët dhe inteligjencen Europjano Perëndimore, kthyen një Popull në bujkrob per me punue per terroristët e tradhëtarët, vodhen e vorfnuen vendin dhe pushtetin ua dorzuen veglave të tyne besnike, per me ua sigurue edhe mbasardhësëve pushtetin e perjetshëm...antiatdhetar!Mundohen “disa” me gjetë krraba me varë “programet” e Mukjes apo te Bujanit tash nga pleqnia...e aty nga fundi kujtojnë se u ka ardhë prap koha edhe “këtyne” me u thirrë “pashallarë” ...dhe askush nuk thotë të verteten historike! Mashtrojnë dhe gënjejnë edhe pse janë në gryken e vorrit...E nuk kujtohen se mbi rrasen e “mermerit” të tyne Populli Shqiptar, ka me i daltue se:“Këtu asht edhe një tradhëtar i Shqipnisë Europjane të Gjergj Kastriotit!”.

Melbourne, 2012.

 

_________

 

Këngë për Gjelosh Lulin:

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: