Safet Hyseni: Mësuesi Mahmut Dumani themelues i shkollës shqipe në Kërçovë
| E Shtune, 22.09.2012, 10:03 AM |

Mësuesi Mahmut Dumani themelues i shkollës shqipe në Kërçovë

Nga Safet Hyseni

Qeverisja vendore me shumicë shqiptare pasi Mbretëria Jugosllave bije nën sundimin Italian në Kërçovë zgjidhet në qershor të vitit 1941. Menjëherë pas zgjedhjes bëhen edhe analizat e punës për të ardhmen. Nga analizat që ishin bërë nga ana e kryetarit z. Ahmet Haxhi Sadiku është kërkuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë që menjëherë të fillojnë përgatitjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Kërkesat e kryetarit të Kërçovës,  ministri Ernest Koliqi si dhe Ministria e arsimit që e udhëhiqte ai, i ka marr me tepër seriozitet dhe menjëherë për në Kërçovë nis kuadër të nevojshëm ndër të cilët vjen edhe mësuesi i ri Mahmut Dumani. Ai me shumë seriozitet e pranon detyrën prej mësuesi dhe në vitin shkollor  1941/42 do t’i përgjigjet apelit të Ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe do të shkojë atje ku më së shumti ka nevojë të mësohet dhe shkruhet shqip. Mësuesi ishte shumë i ri, ai posa kishte përfunduar me sukses Normalen e Elbasanit. Në vitin 1942 kishte vetëm 20 vjet, por dëshirë të madhe për punë dhe sukses. Ai shpesh thoshte: “aty ku punohet suksesi nuk mungon” (R.B.). Ai bashkë me shumë mësues të tjerë do marrin udhën për në Kërçovë ku i priste një punë shumë e madhe, hapja e shkollave shqipe.

Jo vetëm Kërçova por në mbarë viset  ku kishte sunduar këmba sllave nuk kishte lejuar që të mësohet gjuha dhe alfabeti shqip. Mahmut Dumani mësuesi i ardhshëm i shumë gjeneratave,  do të kujdeset për punën edukativo arsimore në fshatin Kastriot (Sërbicë) të Kërçovës. Kërçova i ofrojë kushte dhe siguri veprimi, me dashurinë më të madhe për guximin që ky mësues kishte marr duke  ndezur e mbajt gjallë shpresat e së ardhmes. Motoja e tij ishte se; “dituria është si orteku i borës, duke e rrotulluar shtohet”, andaj mësuesi me durimin dhe diturin që kishte marr gjatë jetës së tij me mjeshtrin më të madhe veproj dhe mblodhi rreth vetes fëmijë e të rritur, gra e burra për tua mësuar alfabetin e gjuhës shqipe.

Mësuesi ishte trim dhe ai këtë do ta dëshmojë jo vetëm me arsim por edhe me punën e tij atdhetare menjëherë pas lufte kur tokat shqiptare u copëtuan sërish.  Trimëri do të thotë të përballosh të gjitha problemet jetësore, qofshin ato materiale apo shpirtërore. Ai që përballon problemet që i dalin gjatë punës me mençuri dhe dinjitet, përfiton cilësinë e trimit të vërtetë. Kështu vepronte ai, në situata të ndryshme që paraqiteshin në jetë dhe gjatë punës. Trimëria nuk tregohet vetëm në luftë. Ajo në të shumtën e rasteve, shihet më shumë në veprimet e përditshme dhe veçanërisht, kur njeriu ndeshet me probleme apo fatkeqësi të ndryshme, siç ndeshej popullata shqiptare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore nga murtaja e kuqe. Nëse njeriu, këto raste i përballon me dinjitet, siç i përballonte edhe M. Dumani  atëherë ai është trim.

Mësues Dumani gjen fuqi dhe guxim për të mbet i njëjtë në çdo kohë dhe situatë, i pathyeshëm në besim, me një fytyrë dhe një rrugë. Me veprën e vet  mësuesi i dëshmoj fjalët e tij se “pranvera lulëzon natyrën, libri fisnikëron njeriun. Pranvera është fillimi i frytit dhe tregon se sa fruta do të jap një pemë, edhe shkolla tregon se sa vepra do të jap një gjeneratë. Njeriut të shkolluar kurrë nuk i mungon guximi dhe ideja në situata të ndryshme”, thoshte ai përpara nxënësve të vet (B.RR).    Duke ditë thënien se “një popull i ditur nuk e duron robërinë” Mahmut Dumani iu përkushtua me të gjitha forcat shkollës dhe arsimit. Për një kohë shumë të shkurtër ai u bë simbol dashurie dhe idol i shumë nxënësve se si do të duhej të dukej një mësues i së ardhmes. Z. Dumani me punën  e tij dëshmoj se ishte një personalitet me cilësi të larta njerëzore, me një karakter të fort dhe me një edukatë të pasur  familjare. Ky mësues arsimin do ta marr si një nga detyrat më të rëndësishme të kohës dhe do të përhap idenë se; “e vetmja shpresë për të gjet rrugën e vërtetë një popull është dituria”.

Me punën e tij ai do të lejë gjurmë të pashlyera jo vetëm në historinë e arsimit kërçovarë por edhe në historiografinë shqiptare në rrethin ku veprojë dhe punojë. Ai gjatë një muaji në shkollë ka punuar jo më pak se 216 orë mësim me çka edhe vlerësohet suksesi i tij.   Mahmut Dumani në Kastriot (Sërbicë) qëndron deri në vitin 1944, kur Kërçova ripushtohej nga forcat slavo-partizane, apo më mirë thënë kur atyre ua lanë në dorë partizanët shqiptar. Pas sajë ai u anatemua si nacionalist dhe përfundoi edhe ne çelit e burgut famëkeq të “Kalasë së Shkupit” si një nga udhëheqësit e NDSH-së. Deshi fati që mësuesi i ri të mbetet gjallë dhe pas mbajtjes së burgut, të largohet për në vendlindjen e ti.

Mahmut Dumani si atdhetar

Mahmut Dumani me ripushtimin e tokave shqiptare nuk kalon në Shqipëri por vazhdon veprimtarin e tij aty ku kishte mësuar nxënësit e tij, por tani në një forum tjetër. Duke parë masakrat që po bëjnë sllavo-partizanët komunist mbi popullatën shqiptare mësuesi tërhiqet në rrethin e Shkupit për të ndihmuar aq sa mundet dhe sa i lejojnë kushtet. Edhe pse ai e dinte se rreziku është shumë i madh vendos që të mbledh të rinj intelektual dhe të veprojnë atje ku edhe është suksesi më i madh dhe më afatgjatë. Në Shkup, Dumani do të mundohet dhe do bëhet sërish nismëtar i hapjes së shumë shkollave shqipe ku ai ishte i bindur se vetëm në këtë mënyrë ruhet bërthama dhe rrënja e shqiptarisë. “Edhe pse i dëshpëruar nga rrjedhat politike dhe ushtarake, nuk do të rrijë duarkryq, përkundrazi, bashkërisht me disa bashkëmendimtarë të tij si: Azem Marana, Hasan Bilalli, Jonuz Balla, Spiro Theodosi, Jetish Vishi etj., me tërë potencialin e tij fizik dhe mendor, do të përqendrohet në propagandimin e shkollës shqipe, si kusht themelor për ruajtjen e vlerave kombëtare.”

Mahmut Dumani tani do të ndryshojë metodën e veprimit dhe këtë me këmbëngulje do ta kërkojë edhe nga të tjerët. Ai tani më kur e sheh se tokat shqiptare, sërish u ricopëtuan edhe në copa më të vogla se më përpara kyçet në radhët komuniste për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet dhe të jetë sa më afër popullatës e cila ishte nën mëshirën e të pamëshirshmëve. Me kyçje në radhët komuniste ai shpjegonte se duhet përbrenda të bëhet luftë që të hapim shkollat shqipe, të zhvillojmë kulturën tonë, të marrim hisen e buxhetit dhe të fitojmë dinjitetin e humbur. Ai me një rast përpara bashkëmendimtarëve të tij do të thotë: “Kosova dhe trojet tjera shqiptare duhet t’i takojnë Shqipërisë. Pushteti jugosllav, po bënë përpjekje që Shqipërinë t’ia bashkoj  Jugosllavisë si njësi e shtatë federale. Për ne kjo është e papranueshme për arsye se me bashkimin e  Shqipërisë, Jugosllavisë, do të shtohet rreziku i asimilimit total shqiptarë. Në këtë situatë serbët do të bëjnë investime nëpër qendrat shqiptare, dhe gradualisht do të fillojë depërtimi i kulturës së tyre tek shqiptarët. Që ti kundërvihemi kësaj situate, është e domosdoshme, të punohet me popullatën shqiptare për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Këtë mund ta bëjmë nëse në mënyrë të drejtpërdrejtë i drejtohemi asaj që t’i shkollojë fëmijët. Jam i bindur se suksesi nuk do të mungojë nëse paraqitja e jonë është në frymën nacionale”.

Me ndihmën dhe aktivitetin e Mahmud Dumanit u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe që nga Shkupi e deri në Strugë. Z. Dumani ishte referent i shkollës shqipe dhe bënte shumë punë dhe aktivitet si në hapjen, propagandimin dhe përgatitjen e kuadrit mësimdhënës. Përveç që ishte kyçur në të gjitha sferat e jetës ku e vlerësonte se duhet që të jetë dhe të ndikojë për të mirën e shqiptarëve ai punonte dhe punë të tjera ilegale dhe ishte në përgatitjen e një kryengritje mbarë shqiptare për bashkimin e tokave të copëtuara. Ishte truri dhe themeluesi i NDSH-së bashkë me një grup intelektualësh shqiptarë. Ai jo vetëm që do të jetë mësuesi më i mirë, më i frytshëm, por do të jetë edhe njeriu që i jep kulturës shqiptare frymë në një kohë kur të tjerët përqafojnë kulturën kozmopolite atë te bashkim-vëllazërimit. Ai do të formojë edhe Komisionin e kulturës shqiptare ku do të ballafaqohet edhe me Llazar Mojsovin anëtarin e Byrosë politike të PKM. Aktiviteti patriotik i Mahmut Dumanit do të hetohet nga organet e hetuesisë dhe ai do të burgoset në moshën 24 vjeçare më 22.07.1946 dhe do të dënohet 4 vjet burg të rëndë. Atij do ti ngarkohet akuza se ka vepruar kundër R. P.  të Maqedonisë dhe sistemit të sajë socialist si dhe kundër R. P.  të Shqipërisë dhe rrënimit të sistemit të sajë. Është një fjalë e urtë e cila thotë: “Bukuria e mendjes qëndron tek gjuha, bukuria e gjuhës qëndron tek fjala e mirë” e mësuesi i ri këtë më së miri e dëshmojë gjatë themelimit të NDSH-së ku ai ishte ndoshta ideologu dhe frymëzuesi më i madhe i këtij subjekti që lindi në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Me mendimin e tij të pjekur dhe me fjalën e tij të ëmbël ai rreth vetes tubojë intelektualët më të mirë të kombit. Me punën e tij të shkurtër gjatë qëndrimit të tij disa vjeçare në trevat shqiptare të okupuara nga sllavët bëri aq shumë që rrallë kush mund të matet. Mësuesi i ri hapi shkolla që nga Shkupi e deri në Strugë, krijoj kuadër e rekrutojë nxënës, luftojë me penë e me programe, dëshmojë se është figurë atdhetare e progresive. Ishte një ndër më të armatosurit me dije e dituri, me urtësi e mençuri. Vepra e mësuesit dha fruta që do të ëmbëlsojnë popullin në çdo hap dhe në çdo kohë. Heshtja e tij gjatë procedurës hetimore dhe në gjyq ishte një dëshmi se si vepron një atdhetar. Pas mbajtjes së dënimit ai kthehet në Shqipëri ku nga sistemi komunist internohet në fshatrat malore të Elbasanit, ishte ky dënimi më i rëndë që dëshmonte për bashkëpunimin e udhëheqësive të larta të dy shteteve fqinjë kur ishte në pyetje shqiptari atdhetar. Mësuesi i shkollës “Gjergj Fishta” të fshatit Kastriot (Sërbicë) në Elbasan zbret më 1980 dhe në një moshë tani të thyer vdesë në vitin 1995, vepra e të cilit do të jetojë aq sa do të jetojnë edhe shkronjat shqipe që ka radhitur në ditarin e tij prej mësuesi.

Të dhënat janë marrë nga veteran të arsimit në Kërcovë si Etem Selimi, Ramazan Bajrami, Selim Adili, Baftijar Rrushaj dhe nga librat:

“Fytyrat me eminente të NDSH-së” i autorit Qerim Lita.

“Arsimi dhe shkolla shqipe në Kërçovë”, Safet Hyseni



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: