Elvi Sidheri: Shqiptarët, hebrenjtë dhe njëçikë ''Wikipedia''!
| E Shtune, 22.09.2012, 01:30 PM |

Shqiptarët,  hebrenjtë dhe njëçikë “WIKIPEDIA” !

Nga Elvi Sidheri

Çfarë është dhe paraqet Wikipedia, këtë gjë mendoj se kushdo që “lundron” nëpër internet, e di!

Pra, bëhet fjalë për një tip enciklopedie dixhitale të lirë kryesisht, e cila është e aksesueshme nga shumëkush dhe që si e tillë, është më e arritshme dhe e frekuentueshme nga një publik tejet i gjerë botëror.

Dhe në një audiencë sigurisht më të madhe planetare, padyshim që edhe neve shqiptarët kemi dritarezën tonë të vogël, me anë të së cilës hyjmë në botën e pafund të rrjetit global.

Interneti në rajonet e shtetet ku banojnë njerëzit me kombësi shqiptare, është tejet i përhapur.

Edhe në Shqipëri, ku deri para ca vitesh, aksesi në këtë rrjet ishte deri diku i kufizuar për shkak të mospërhapjes së tij, tashmë numri i përdoruesve është rritur ndjeshëm.

Shqipëria ndërkohë nga ana e saj, është një vend me popullsi relativisht jo të madhe dhe që në këtë mënyrë qëndron në nivelin e fqinjëve të saj për nga numri i banorëve.

Rrjedhimisht edhe rrjetet e mëdhenj të internetit, tip Google apo Yahoo etj, me neve merren dukshëm më pak se me popuj të tjerë më të spikatur për bëmat e tyre historike dhe po ashtu edhe më influencues nëpër shekujt ku ka kaluar njerëzimi.

Pra nuk do shumë mend të kuptohet, që në “site-t” e rrjetit të përgjithshëm global, për neve shqiptarët, nuk është se gjen lehtë të dhëna, po aq sa ç’do të gjesh për amerikanët, italianët, kinezët, grekët e tashëm dhe të lashtë, egjiptianët, romakët e dikurshëm etj.

Këtë gjë nuk mund t’a pretendojmë!

Do të ishte shumë, që për një popull 3 milionësh në shtetin e vet nacional dhe nja 8 milionësh në rastin më të mirë të shpërndarjes rajonale dhe botërore të gjakut tonë etnik, që për ne pra, të flitej dhe shkruhej, më tepër se ç’bëhet tashmë në internet.

Ne shqiptarët, jo vetëm në vetvete, por edhe në syrin dhe botëkuptimin e shumë të huajve, qoftë edhe tejet dashamirës kundrejt nesh, neve sidoqoftë jemi një mister i vërtetë!

Njerëz me përcaktim të vështirë rajonal, tipologjik, historik, kulturor, fetar, politik, gjuhësor etj!

Bota, Europa, Perëndimi, të gjithë preferojnë gjërat që shpjegohen lehtë dhe të cilat nuk ua mundojnë tepër trurin .

Kurse për të shpjeguar shqiptarët, duhen netë të gjata dimri, apo ditë të tëra siç bënin dikur murgjërit e katolikë nëpër manastiret anembanë Europës në Kohët e Errëta, kur me një durim legjendar, rrinin mes territ dhe dritëzës së qirinjve tymues, duke përkthyer e rishkruar me duart e tyre, kryeveprat e antikitetit të cilat atëherë, për shkak të injorancës post-romake që kishte pllakosur Europën, rrezikonin të zhdukeshin njëherë e përgjithmonë.

Prandaj, ata studiues që janë marrë me shqiptarët, qofshin këta të huaj, si etërit e tezës indoeuropiane të shqipes, pra gjermanët Franz Bopp e Gustav Meyer, apo austriaku Norbert Jokl, danezi Holger Pedersen, Milan Shuflaj apo Aleksandër Stipçeviç, Robert D’Angely, Mathieu Aref, Aristidh Kola etj, të gjithë këta njerëz meritojnë një vend të veçantë dhe të nderuar në shtatoren e madhe, hijerëndë të “shqiptarizmës”!

Por sido që të jetë, koha e sotme, të paktën në syrin e pastërvitur kulturalisht dhe shkencërisht, pra në atë të një të riu çfarëdo, ajo nuk vë re më ato që shkruhen në libra, por pikërisht atë çfarë gjehet dhe lëvrohet me shumicë në internet.

Libri, tashmë është një objekt gati kulti, i cili na shërben të gjithëve për t’u prezantuar me dijen nëpër bankat e shkollës, por me kalimin e kohës, edhe nxënësi apo studenti më i zellshëm, vëmendjen e tij e sposton drejt kompjuterit, celularit “touch screen” apo NoteBook-ut të vet.

Kështu që, larg hapësirave specifike shkencore, aty ku debatojnë dhe e hedhin fjalën “të rëndë”, akademikët, studiuesit e shkencëtarët e ndryshëm, lufta e re e vërtetë nacionaliste, gjuhësore dhe pse jo edhe politike, ajo bëhet gati ekskluzivisht në hapësirën virtuale të rrjetit global.

Në internet lajmet vërshojnë dhe publikohen më lehtë dhe shpejtë.

Aty edhe komentet vijnë gati menjëherë.

Në internet kontaktet janë më të menjëhershme dhe efekti i një lajmi, zbulimi apo pretendimi të shfaqur aty, është më i fortë dhe i dukshëm e i prekshëm nga një masë shumë më e madhe audience shumëkombëshe dhe me një variacion të theksuar moshe, shkollimi, edukate, origjine e kulture të përgjithshme.

Prandaj edhe faqe si Wikipedia, të cilës kurrësesi nuk kam ndërmend t’i bëj sadopak publicitet falas, sidoqoftë kjo është arsyeja pse kjo faqe ka kaq shumë sukses.

Gjë kjo që ndodh, sepse jo vetëm rrjetet sociale, cicërimat e Twitter-it, apo fytyrat dhe historitë e FaceBook-ut, mailet e Yahoo-së, qëmtimi i lirë pas kurioziteteve në motorin e kërkimit të Google-s etj, por edhe faqe më specifike dhe të mbushura me njohuri të ndryshme, si pikërisht Wikipedia pra, edhe ato kanë frekuentuesit dhe lexuesit e tyre të shumtë.

Miliona njerëz të apasionuar apo të shtyrë thjesht nga nevoja për të ditur diçka si edhe nga kureshtja, vizitojnë orë e minutë këtë faqe.

Miliona të tjerë, meqë faqja në fjalë është siç edhe e përcakton vetveten “një enciklopedi e lirë”, ata pra kontribuojnë me dijenitë e tyre historike, artistike e gjeografike, politike, kulturore, në pasurimin e mëtejshëm të informacioneve që kjo faqe ofron për publikun e gjerë botëror shumëgjuhësh.

Pra ku qëndron sipas meje dhe jo vetëm, sekreti i Wikipedias?

Për cilën arsye në botë, neve si shqiptarë dhe si banorë të këtij planeti, do të na interesonte që të ishim kontribues në evoluimin për të mirë (kundrejt nesh ) të kësaj faqeje?

Sepse e di, që të shumtë janë ata që do m’a bënin këtë pyetje deri diku legjitime!

Fundja e di edhe unë, që ne shqiptarët kemi gjëra më të vlefshme për të bërë, se të merremi me ndonjë copë enciklopedi interneti!

E kush po e çan kokën se çfarë thuhet aty për ne?!

Neve si popull jemi tejet të zënë duke vrarë njëri-tjetrin më keq se në 97-ën apo në ndonjë luftë prej vërteti !

Kemi plot 500 e ca vjet, në mos më tepër, që vazhdojmë me një përpikmëri që edhe zvicerianët do na e kishin zili për nga korrektësia në zbatimin e saj, kemi kaq kohë pra, që i marrim gjakun njëri-tjetrit, aq shumë sa edhe parashikimet më vizionare dhe optimiste të Lekë Dukagjinit kanunhartues dora vetë, nuk do i kishin imagjinuar dot!

Jemi gjeografikisht dhe historikisht në mes të asaj që me të vërtetë është quajtur Europë, por nga zhvillimi kombëtar dhe mendor, shpesh tregojmë të dhëna frikësuese lidhur më përkatësinë tonë europiane apo aziatike!

Ja pra, kemi shumë çfarë të bëjmë dhe mendojmë, sa të na shkojë mendja t’i biem në qafë trurit, syve dhe intelektit tonë dhe si pasojë të hyjmë “në linjë” në internet dhe të shohim se ç’pillet, fryhet e fyhet ndaj nesh nëpër faqet e tij.

Mirë more njerëz, more shqiptarë, bashkëkombas të dashur.

Po mirë që para 100 e ca vitesh, kur serbët na shfarosnin, digjnin e piqnin, nxirrnin me bajoneta fëmijët nga barqet e nënave shqiptare e rrafshonin fshatrat tona...mirë që atëherë, për shkak të shtypjes osmane, jo më që nuk kishim mundur të bënim ndonjë libër për neve, atë që jemi dhe historinë tonë, por as kishim shkruar dot gjuhën tonë shqipe!

Kur helenët gatuanin me gjakun tonë, ”megali idean” e tyre, ata shfrytëzonin Homerin, Platonin dhe kulturën e tyre të lashtë, më pas greqishten antike e përdornin për t’i hedhur hi syve Europës dhe kështu me ato gërma helene që të kujtojnë demokracinë dhe paqen e Athinës së dikurshme, ata shkruanin dhe më pas zbatonin spastrimin etnik dhe asimilimin ndaj shqiptarëve.

Në të tillë mënyrë janë sjellë të gjithë fqinjët tanë me ne.

Sllavët, për shkaqe të ditura, kanë pasur shkrim e këndim të gjuhës së tyre, që para nja 11 shekujsh.

Grekët këtë gjë e kanë prej disa mijëvjeçarësh.

Prandaj në Ballkan, historia është shkruar kryesisht sipas vullnetit dhe tekave të helenëve dhe sllavëve të ndryshëm që neve na rrethojnë.

Por sot ore popull, ç’kataklizmë na pengon ne, që në atë lidhje interneti të cilën edhe shtresa e mesme, e disponon në shtëpi, aty të futemi dhe veçse të flirtojmë virtualisht me partnerë/e të panjohur e që të humbim orët nëpër faqe porno, a “site” të tjera pa vlera të veçanta, në të kundërt të këtyre gjërave, të kalojmë ca kohë duke kqyrur atë që shkruhet e thuhet për ne dhe eventualisht duke e dhënë kontributin tonë, aty ku mund t’a japim?

Dikur meqë ra fjala, kam pas dëgjuar komentin e dikujt, lidhur me një lloj ngjashmërie mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

Mes të tjerave, thuhej se si edhe ata, neve shqiptarët rrethohemi nga popuj dhe vende armiq.

Neve nga sllavë e grekë e ata nga shumë arabë.

Neve disa milionë, ata po aq.

Ne të rrethuar nga 10 milionë grekë, 7 milionë e ca bullgarë, 1 milionë e ca sllavë Maqedonie, 7-8 milionë serbë, ca qindmijë malësorë sllavë të Malit të Zi e miliona boshnjakë.

Më tej, për fat jo në kufi direkt me ne, sepse ashtu do ishin komplikuar edhe më tepër punët, aty janë edhe mbi 75 milionë turq të ndërsyer si qen të tërbuar, me një qeveri dhe inteligjencë komanduese, që synojnë pa asnjë ekuivok rikthimin në ish-territoret e perandorisë së tyre, ku një pjesë të mirë e përbëjnë tokat shqiptare.

Hebrenjtë dhe shteti i tyre, rrethohen në kuptimin e vërtetë të fjalës, nga mbi njëqind milionë arabë ndërkohë.

Të hyj tani e të shpjegoj arsyet e armiqësisë arabo-izraelite, s’ka ndonjë lidhje me këtë shkrim.

Për mua, ajo tokë u përket të dyja palëve dhe pikë!

Është toka e shenjtë së pari e hebrenjve, toka e tyre e premtuar, të cilën Perëndia, atij populli shumë të zgjuar dhe punëtor, ia premtoi dhe për këtë arsye u dha edhe 10 Urdhëresat në malin Sinai, nëpërmjet Moisiut.

Pas hebrenjve, ajo është toka e shenjtë e të krishterëve, sepse biri i Zotit, Jezusi, pa hyrë në diskutime teologjike, për të cilat s’jam specialist, edhe ai pra ishte hebre për nga familja tokësore dhe gjuha që fliste.

Më pas ajo tokë është e shenjtë edhe për myslimanët dhe Xhamia Al Aqsa, me ç’di unë është një nga vendet e tyre kryesore për nga rëndësia.

Gjithë ky figurim, bëhet më real dhe i gjallë, në Jeruzalemin madhështor, prekës dhe gjithmonë frymëzues, ku në një zonë shumë të ngushtë, ndodhen Muri i Vajit i hebrenjve, me rrënojat e Tempullit të Dytë të Jeruzalemit, i quajtur në hebraisht HaKotel HaMa’aravi, Xhamia Al Aqsa megjithë rëndësinë që ajo ka për myslimanët dhe aty afër është edhe Kisha e Varrit të Shenjtë e cila ndodhet pikërisht në vendin ku janë gjendur kodra e kryqëzimit e Jezusit, varri i tij dhe vendi ku ai u ringjall.

Me pak fjalë për t’a vazhduar këtë dalje të vogël nga tema, ajo tokë është e të treja feve, sepse të njëjtën origjinë ato kanë.

Por ai vend është domosdo kryesisht i hebrenjve, nga libri i shenjtë i të cilëve marrin fill edhe fetë e krishtera dhe myslimane si dhe nga fiset e shkretëtirës së të cilëve, rrjedhin hebrenjtë, myslimanët arabë dhe po ashtu edhe të krishterët e parë, që nga gjaku ishin veçse hebrenj.

Por duke u kapur përsëri me temën tonë, sidoqoftë, ka ndër të tjera një ndryshim themelor mes situatës sonë shqiptare “nën rrethim” dhe asaj të hebrenjve me arabët.

Pa nënvlerësuar aspak vlerat civilizuese dhe kulturën e popujve arabë përreth Izraelit, sërish nuk do mohuar që disniveli kulturor dhe zhvillimor mes hebrenjve dhe shtetit izraelit me fqinjët arabë, shpesh analfabetë dhe të mbyllur në botën e tyre të ngushtë, ai pra është i jashtëzakonshëm.

Kështu që edhe propaganda arabe anti-izraelite, sado e ashpër dhe e formuar që të jetë, ajo prapë përveçse në veshët e antisemitëve arabë apo perëndimorë, si edhe të fondamentalistëve të ndryshëm fetarë e deri tak antiglobalistët, anarkistët e BlackBlock-ët antikapitalistë (ata që dogjën Seattle-in e Genoa-n në 1999-ën dhe 2001-shin), jashtë kësaj audience pra, propaganda araba antihebreje, nuk ngjit tjetërkund.

Kurse ajo që bëjnë fqinjët tanë me libra, shkolla.botime, konferenca specifike, filma, përralla e së fundi me mundësitë e pakufizuara që u ofron interneti, ajo pra është një fushatë në të cilën, do thënë e vërteta, që ne shqiptarët, jemi që në fillim, praktikisht të humbur.

Sepse nuk i dilet dot, me mijëra faqe interneti, sepse për to po flas tani, ku ndaj nesh dhe qënies tonë, villen poshtërsitë më të padëgjuara, a thua ti të ishim ende para 100 e ca vitesh, kur shtet akoma s’kishim e kur për shqiptarët, askush s’dinte shumë gjëra konkretisht.

Nga ana tjetër, ngjashmëritë mes nesh dhe hebrenjve, si për habi janë vërtetë më të shumta se ç’do mund të mendohej!

Nga më ra mua kjo mendje?-Do thoshte dikush.

Kryesisht kjo gjë më rivjen rregullisht në tru, sa herë përballem me përbaltjen, urrejtjen, përçmimin e përbuzjen që has ndaj nacionalitetit tim kudo.

Pa dallim nëse jam në Perëndim, Lindje të Europës apo Ballkan e ndokund tjetër.

Ka një lloj ideje të parafiksuar armiqësore ndaj shqiptarit, e cila na vë neve gati njëtrajtësisht në të njëjtin nivel me hebrenjtë, për nga mosdashja që në forma të ndryshme na rrethon.

Si dihet, hebrenjtë nga të krishterët për  rreth 2000 vjet, u akuzuan si vrasësit e Jezusit, sepse ata e goditën, poshtëruan e lanë në kryq të vdiste, ndërsa kur Ponc Pilati u kërkoi dikë për të shpëtuar, ata zgjodhën një hajdut ordiner, e jo atë, të birin e Zotit.

Mënjanë këtu, që një mendje normale, do e dinte që biri i Zotit u vu në kryq nga Romakët e po nga ata u dënua dhe u vra!

Ishin po këta Romakët që kishin lënë mbretin Herod të qeveriste në mënyrë autonome Judenë apo Palestinën për disa vjet dhe që më pas u desh të përballeshin ashpër me disa kryengritje të shtypura të hebrenjve gjatë dhe pas të cilave nisën edhe emigrimet e mëdha të diasporës së këtij populli.

Pati atëherë 3 revolta hebreje ndaj romakëve, që nisën me atë të vitit 66 pas Krishtit dhe që u mbyllën në vitin 135.

Gjatë kësaj kohe, romakët shkatërruan Tempullin e Jeruzalemit dhe në fund rrafshuan edhe vetë qytetin e shenjtë duke e zëvendësuar atë më një koloni romake.

Pra europianët që më pas përqafuan fenë e re të krishterë, që kishte lindur pas martirizmit të Jezusit dhe të pasuesve të tij, ata ishin nëpërmjet shpatave romake, edhe arsyeja e kryqëzimit të Krishtit dhe më pas edhe e shtypjes e përzënies së hebrenjve nga toka e tyre.

Por faji, i cili rëndom mbetet jetim, edhe në këtë rast iu vesh të pafajshmëve, që ishin hebrenjtë në këtë rast...dhe ata e mbajnë akoma këtë mëkat të pavërtetë mbi shpatulla.

Pasojat ishin gati 2000 vjet rrugëtime në një udhë pa krye.

Ndërkohë që hebrenjtë të njohur për inteligjencën e tyre të rrallë si dhe për “afrimitetin” e tyre me financat dhe burimet monetare, ata e shfrytëzuan për mijëvjeçarë këtë aftësi të tyren por njëkohësisht edhe këtë dhuratë të Zotit, e paguan me një xhelozi e urrejtje të shtuar ndaj tyre, që kulmoi me Holokaustin dhe 6 milionë hebrenj në krematorët e Aushvicit, Birkenaut etj.

Pas 1945-ës dhe fundit të çmendurisë naziste të Rajhut të Tretë imagjinar, i cili në vend që të vazhdonte në përjetësi siç thoshte truri haluçinant i Führer-it Hitler, s’zgjati as 12 vjet, atëherë hebrenjtë europianë që dolën gjallë nga ajo valë shfarosëse që kanosi në themele ekzistencën e tyre, ata me mbështetjen amerikane, u nisën edhe njëherë si bijtë e Moisiut kohë më parë, drejt tokës së premtuar të Izraelit.

Aty ndërtuan nga e para një vend për ta dhe fëmijët e tyre, e bënë shkretëtirën të lulëzuar dhe në një territor më të vogël se Shqipëria e sotme (rreth 20.000 km katror), ngritën një shtet modern, të pasur dhe të fortë.

Vend që u rezistoi disa sulmeve grabitqare dhe me qëllime shkatërruese nga fqinjët e tij arabë, të cilët të bashkuar e sulmuan Izraelin disa herë, në 1948-ën, në 1956-ën, në Luftën e Gjashtë Ditëve në 1967-ën dhe në fund në Luftën e Yom Kippur-it në vitin 1974.

Të gjitha këto luftëra u shkaktuan nga arabët të cilët që në fillim nuk e pranuan në asnjë mënyrë ekzistencën e një shteti për hebrenjtë në tokën e tyre.

Ndarja e parë e Palestinës, që do të lihej pas nga Mandati Britanik që kishte qeverisur Tokën e Shenjtë pas largimit të osmanëve nga viti 1920-ë e deri në 1948-ën, dhe që do të shoqërohej me krijimin e shteti të ri të Izraelit, në të vërtetë ishte shumë më e favorshme për palestinezët, territorialisht se ç’është sot për shembull territori që kontrollohet në Bregun Perëndimor nga Autoriteti Kombëtar Palestinez dhe në Rripin e Gazës nga Hamas-i.

Por arabët as që e kishin në mendje t’a pranonin atë zgjidhje që u jepte mundësi të dy popujve të jetonin në një tokë që fondamentalisht ishte e të dyja palëve me plotë të drejtë...dhe prandaj çdo vend arab, nga Egjipti, Siria, Jordania e deri tek Iraku e Libani, sulmuan ushtarakisht shtetin e porsaformuar dhe aty u zmbrapsën para forcës së papritur të treguar nga milicitë kokëforta hebreje “Haganah” e “Palmach”, të cilat më pas u bënë bërthama e ushtrisë izraelite që akoma sot, përbën pikën e forcës së shtetit hebre para kërcënimit arab e jo vetëm.

Pra arsye përse hebrenjtë të jenë aq shumë nën shtytjen negative të smirës dhe pakënaqësisë së përgjithshme të të tjerëve, edhe ka !

Janë të zgjuar, inteligjentë në nivele superiore, shpesh janë të pasur, mjafton të shihen shkencëtarët, matematicienët, mjekët e shkrimtarët me origjinë hebreje dhe gjërat sqarohen pa shumë përpjekje vetëvetiu.

Por ata, si pasojë e emigrimit 2 mijëvjeçarësh, ishin detyruar që duke u gjendur përherë në tokë të huaj, gjithmonë t’a linin veten nën mëshirën e dikujt, të ishin të abuzueshëm verbalisht dhe fizikisht dhe në fund të përfundonin siç me ta ndodhi jo vetëm në vitet e Holokaustit nazist, por edhe më parë si në Spanjë me hebrenjtë sefarditë që u përzunë me dhunë nga mbretërit katolikë të atij vendi.

Në këtë mes, ajo që gjithmonë më ka vënë jo vetëm mua në mendime, është se përse neve shqiptarët, për nga dashakeqësia e të tjerëve kundrejt nesh, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në nivelin e hebrenjve, kurse për nga vuajtja shumëshekullore, mund të krahasohemi, veçse me hebrenjtë e sipërpërmendur, edhe me armenët.

Ashtu si edhe me hebrenjtë, shtetet tona të para nacionale, pra mbretëritë iliire, epirase dhe dardane, ishin sulmuar dhe mundur ushtarakisht, pikërisht nga romakët.

Pra embrioni i parë i shtetësisë tonë kombëtare, këtu e 2100 e ca vite më parë, kishte marrë fund me ardhjen e romakëve dhe legjioneve të tyre.

Dhe si hebrenjtë, edhe neve na u deshën rreth 2000 vjet që të bëjmë sërish një shtet të vërtetë të tonin.

Marrëdhënia jonë me romakët më pas, ishte e ndryshme nga ajo e hebrenjve me ta.

Roma në Iliri solli rrugë, kulturë, ujësjellësa modernë, libra, shkolla, shkrimin e saj latin, artin e stilin e saj të pakrahasueshëm të jetesës.

Ilirët në Romë u bënë qytetarë të lirë, por ashtu si hebrenjtë shpesh e ngritën kokën, si gjatë Revoltës së Madhe Ilire (Bellum Batonianum), e cila zgjati nga viti 6 deri në vitin 9 pas Krishtit dhe ku u ngritën fiset ilire të Desidiatëve dhe Breukëve, me në krye dy Batot (Bato panoni dhe Bato dalmati).

Kjo kryengritje i shkundi fort themelet e romakëve aq sa burimet e kohës e përmendin atë si konfliktin më të madh të Romës nga koha e Luftrave Punike me Kartagjenën.

Ilirët e bashkuar nga shumë fise, atëherë arritën në deri 200.000 mijë kryengritës dhe mezi u shtypën nga një ushtri romake që të dhënat e kohës e tregojnë si “jashtëzakonisht të madhe”, pra me mbi 120.000 ushtarë, me 15 legjione, 70 regjimente ndihmëse, një kavaleri prej 8 mijë vetash, 10 mijë veteranë, shumë vullnetarë dhe mbështetjen e kavalerisë së mbretit trakas Rhoimetalkes, i cili ishte aleat i romakëve, plus një flote që ndihmonte transportet e logjistikës dhe armatimeve e ushtarëve si dhe patrullonte brigjet ilire.

Më pas, fatet tona dhe të hebrenjve u ndërthurën shpesh, pasi hebrenjtë e emigruar në Europë pas shkatërrimit të Judesë nga romakët, erdhën edhe në trojet ilire e arbërore.

Në shekullin e XII-të ka të dhëna për prezencë hebrenjsh kudo në qytetet e mëdha arbërore, në Durrës, Berat, Elbasan e Vlorë si dhe në qytetet e Kosovës.

Këta hebrej ishin në përgjithësi pasardhës së sefarditëve iberikë të ikur me dhunë prej aty në fundshekullin e XV-të.

Në vitin 1520-ë në Vlorë, regjistroheshin jo pak, por 609 familje hebreje!

Marrëdhëniet tona më pas u forcuan përjetësisht me mbrojtjen heroike dhe të pashoqe që shteti, autoritetet dhe populli shqiptar, pa dallim feje e zone, u bëri hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, kur asnjë hebre në territorin e shtetit shqiptar, nuk u dorëzua apo ra në duart e nazistëve.

Edhe albanologu i madh Norbert Jokl kërkoi nënshtetësinë shqiptare, ndërsa konsullata shqiptare në Berlinin nazist, jepte akoma viza për hebrenjtë edhe në vitin 1938-ë, kohë kur asnjë vend tjetër europian nuk e bënte më këtë gjë.

Joklit iu akordua menjëherë nënshtetësia, por kjo nuk mjaftoi pasi ky njeri me aq vlera për Albanologjinë dhe popullin tonë, përfundoi sidoqoftë në kampet e shfarosjes naziste.

Ndërkohë në Shqipërinë enveriste-marksiste-leniniste, e cila Izraelin e pati njohur në 1948-ën, por po aq edhe këtë shtet, sipas filozofisë komuniste anti-imperialiste, e quante “kobure të Amerikës”, aty shkruante e përkthente me dedikim e punë të palodhur, përkthyesi më i madh i letrave shqipe i shtatëdhjetë viteve të fundit, kush tjetër veç hebreut me nënë shqiptare Robert Shvarc !

Njeriu nga dora e të cilit u shqipëruan kryeveprat botërore të Lion Fojhtvangerit, Erih Maria Remarkut e Hajnrih Hajnes, Bertold Brehtit etj.

Me përkthimet dhe shqipërimet e tij të kulluara, ne u njohëm me personazhet e atyre librave, jetuam brenda ëndërrave të tyre, vuajtëm me ta e gëzuam për çdo arritje të tyren.

Lexuam në një shqipe si rrallë të bukur, të ëmbël e të pasur me fjalë që shpesh as vetë, ne shqiptarë të lindur, nuk i njihnim siç i dinte ai hebre shqiptar, i dhënë marrëzisht pas gjuhës sonë “të mirë, të ëmbël e të dlirë” !

Kështu nga dora e tij shqipëruese, u njohëm me “Çifuten e Toledos”, me “Harkun e Triumfit, me “Tre shokët”, me “Obeliskun e zi”, me “Arturo Ui-në” e me “Fransisko Goja-n”.

Por miqësia jonë historike me hebrenjtë, për të thënë të drejtën, sidoqoftë rëndon më tepër nga ana jonë si shqiptarë, pasi jemi ne që padyshim kemi bërë më tepër për hebrenjtë se sa ata për ne, gjatë gjithë historisë së gjatë të të dy popujve tanë.

Por nderi bëhet dhe nuk kërkohet shpërblim për të !

Sidoqoftë, kjo lidhje mes dy popujve, nuk justifikon ngjashmërinë për nga trajtimi, që ne dhe hebrenjtë marrim nga bota rreth nesh.

Për më tepër, neve shqiptarët, nuk jemi të pasur si hebrenjtë, nuk kemi prapa lobet e tyre shumë të fuqishme, nuk xhirojmë në duart tona shkencën, mjekësinë dhe financat e planetit !

Por ashtu si hebrenjtë e persekutuar ngahera, si armenët etj, edhe ne jemi një popull shumë i vjetër.

Krimi jonë në sytë e botës ndoshta, është se neve prej disa mijëra vjetësh, kemi bërë “gabimin e pafalshëm”, që të jetojmë në të njëjtën copë toke si paraardhësit tanë më të largët ilirë e ndoshta edhe pellazgë.

“Mëkati tjetër kapital” i yni, është natyrisht, ai që neve, flasim ende afërsisht të njëjtën gjuhë si edhe ilirët, stërgjyshërit tanë, që banonin këto troje dy mijëvjeçarë më parë !

Jo më turqit, as helenët e sllavët që i kemi përreth e janë “zyrtarisht” armiqtë tanë 100%, por pse jo edhe Europa e më gjerë, nuk para i ka shumë përzemër popujt e vegjël e të vjetër, që nuk janë nënshtruar e asimiluar me kalimin e pamëshirshëm të shekujve përmbi ta.

Këtu ne bëhemi si irlandezët, uellsianët, baskët e pakkush tjetër !

Popuj të vegjël, të cilët sidomos baskët, megjithë valët e historisë shumë-mijëvjeçare, nuk janë përfshirë me përdhunë apo jo, në një popull më të madh dhe gjuhën e kulturën e tij.

Kështu baskët akoma edhe pse prej dymijë vitesh nën peshën e dikur latinishtes e tani spanjishtes, sërish ata ende përdorin gjuhën, emrat e traditat e tyre aspak latine e spanjolle.

Kjo normalisht për pjesën tjetër të vendit ku ata banojnë, i bën baskët të veçantë, por të jesh i veçantë, në një botë ku “e veçanta” bëhet e rrezikshme, më e vërtetë, më fisnike, më e lashtë se e përgjithshmja e njëtrajtshme dhe uniforme, kjo gjë pra do të thotë të jesh pre e zilisë, i dyshuar dhe shpesh edhe i përçmuar e i sulmuar.

Irlandezët kanë qenë prej kësaj arsyeje të rrezikuar.

Prej gjuhës së tyre keltike që ende flitej në Irlandë me shumicë deri para 200 vitesh dhe prej dallimit mes tyre dhe anglezëve ardhacakë saksonë gjermanikë dhe normanë skandinavo-francezë që pushtuan dhunshëm vendin e tyre të bukur e të lirë.

Iralanda në shekullin e XVIII-të llogaritet të ketë pasur rreth 8 milionë banorë dhe pas Krizës së Madhe të Urisë në vitet 1845-ë-1849-ë, 1 milionë irlandezë vdiqën nga uria dhe 1 milionë e gjysëm të tjerë u detyruan të emigrojnë në Amerikë kryesisht.

Sot Republika e Irlandës ka 4 milionë e 500 mijë banorë.

Pra pas 2 shekujsh, 3 milionë e gjysëm më pak !

Irlandezët të pushtuar nga britanikët, nga një perandori e kulturuar, e cila njihet botërisht të ketë përhapur anembanë botës në posedimet e saj, qytetërimin dhe ligjet anglo-saksone që bota ende admiron dhe zbaton me ëndje, sidoqoftë pra, irlandezët rrezikuan shfarosjen sepse nuk e ulën kokën para pushtuesve anglezë dhe nuk harruan kurrë se ishin vendas në tokën e tyre.

Këtë gjë as anglezët e askush që është i ardhur, nuk ia fal vendasit !

Turqit në gadishullin e Azisë së Vogël, këtë gjë nuk ua falën armenëve punëtorë, të cilët aty ishin vendas, e që bashkëjetuan për shekuj të tërë me shtypjen osmane, derisa turqit vendosën një ditë, që nga ajo tokë duhet të shfarosnin gjithëkënd që ishte vërtetë “vendas”, pra që aty banonte përpara tyre !

Kështu nisi “Genocidi Armen”.

Kështu kanë nisur dhe vazhdojnë edhe shumë genocide të tjera.

Kështu është kryer genocid i gjithëanshëm prej 1500 vjetësh mbi ne shqiptarët, na kanë rënë e vërshuar përsipër sllavët e gjithëllojshëm, e më pas të dobësuar siç ishim nga përballja me ta, na janë hedhur në fyt turqit e helenët, grekët që u çuan nga ishujt e tyre egjeas dhe nisën të ngjiten lart e më lart, thellë në territor arbëror, derisa arritën kufinjtë e sotëm mes shtetit tonë dhe atij grek.

Pra, ne nuk jemi të ngjashëm me hebrenjtë për nga lidhja e tyre me Zotin, gjenialiteti i tyre i lindur apo librat e tyre të shenjtë, por ngjajmë me ata, për nga veçantia jonë, e të qënit vendas në tokën tonë, e të folurit të së njëjtës gjuhë prej mijëra vitesh dhe për nga trashëgimia e pandërprerë e riteve dhe traditave tona të lashta.

Hebrenjtë megjithë emigrimin e stërzgjatur, ishin dhe mbeteshin, vendas të Tokës së Shenjtë, të cilën atyre ua kishte premtuar askush tjetër veç vetë Perëndisë !

Kjo e bënte një hebre çfarëdo të Gjermanisë, Francës apo Rusisë, që ai të shihej minimalisht vëngër nga sytë e injorantëve të shumtë, që fenë tonë të krishterë, e shihnin me sytë e tyre të verbuar nga idiotësia dhe padituria, që i bënin ata të besonin se këta bashkëqytetarë të tyre hebrenj, ishin vrasës të birit të Zotit, e jo në të vërtetë “Popull i Zotit” !

Pra në njëfarë mënyre, shumëkujt në anën e krishterë të botës, hebrenjtë i kanë mbetur për shumë kohë “halë në sy”, pikërisht për këtë veçanti prej “populli të zgjedhur”, banorë me të drejtë hyjnore të Tokës së Shenjtë.

Dhe kjo tek shumëkush shkaktonte dhe shkakton ende pështjellim, xhelozi e në fund urrejtje të mirëfilltë  vrasëse !

Në përmasa po aq vrastare dhe rrënuese, e kemi pësuar edhe neve si shqiptarë, si vendas në trojet tona, si popull i lashtë, si njerëz që nuk flasin një gjuhë të huaj të adoptuar me dhunë apo jo nga pushtuesi.

Prezenca jonë në këtë tokë tonën, i bën pa asnjë hije dyshimi, të ndihen të huaj në këtë rajon sllavët përreth dhe po ashtu i bën të ndihen më pak të lashtë dhe më të pakulturuar grekët, të cilët  e dinë mirë se shumë prej krekosjeve të tyre i kanë të vjedhura nga e shkuara jonë historike.

Por duke shkuar më tej se kaq, një nga arsyet pse në Perëndim, ka aq përçmim e mospranim ndaj shqiptarëve, është se thellë-thellë, edhe atyre nuk u bie për mirë, ekzistenca e një populli të vjetër, që jeton ende në tokën e tij.

Kështu në një Europë, pasojë e dyndjeve të shumta barbare, gjermane e sllave, pak popuj modernë janë vërtetë vendas në tokën ku banojnë !

Francezët e kanë origjinën e shtetit të tyre tek Frankët gjermanikë që më pas latinizuan të folurën e tyre dhe të cilët iu mbivendosën me dhunë galëve vendas, të cilët më parë ishin pushtuar e latinizuar nga romakët.

Spanjollët e gjejnë nisjen e shtetit të tyre, tek Visigotët skandinavë më tej të kristianizuar dhe latinizuar në gjuhë, të cilët pushtuan gadishullin Iberik, bashkë me Vandalët gjermanikë e Suevët...dhe aty sunduan mbi iberët dhe romakët latinë.

Kështu pak a shumë ka ndodhur edhe me Italinë, ku kemi njolla të forta, Longobardësh gjermanë e Ostrogotësh e Normanësh skandinavë si dhe Biznatinësh, Arbëreshësh e Arabësh.

Anglia është një “melting pot”, përzjerje Saksonësh, Anglësh gjermanikë e Normanësh francezo-skandinavë.

Popujt e vërtetë vendas në ato vende, keltët apo iberët, ose janë zhdukur, vrarë e shfarosur, ose deri vonë janë përballur me shtypjen e përbuzjen e të ardhurve uzurpatorë.

Prandaj baskët në Spanjë deri vonë janë përpjekur për liritë e tyre, prandaj Irlanda kishte trazira deri në 1998-ën, prandaj ndoshta Skocia ndahet nga Anglia pas ca kohësh, prandaj në Uellsin keltik të anglizuar gjuhësisht, prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre keltishten në shkolla, sadoqë vetë nuk njohin asnjë fjalë të asaj gjuhe të paraardhësve të tyre.

Ky fat i bashkon popujt e vegjël si ne, hebrenjtë, irlandezët, baskët, uellsianët, vendet balltike etj.

Por veçantia jonë shqiptare, bëhet shumë e madhe, kur dihet që ne banojmë në një fraksion toke, që korrespondon plotësisht me një territor ku banonin edhe stërgjyshërit tanë ilirë e arbër.

Dhe si plus kundrejt disa popujve të tjerë autoktonë në Europë, neve ende flasim gjuhën tonë.

Kurse baskët në gati 60%, gjuhë të parë kanë spanjishten, irlandezët vetëm 10% kanë gjuhë të parë keltishten e lashtë dhe në Uells ky numër është edhe më i vogël.

Në Francë, një gjurmë autoktone kelte-gale.mbetet vetëm në rajonin e Bretanjës, ku vendasit akoma ruajnë të folurën kelte, por janë thellësisht frëngjisht-folës sidoqoftë.

Edhe vetë hebrenjtë e Europës, para krijimit të Izraelit, ishin totalisht të asmiluar gjuhësisht, sipas vendit ku jetonin, dhe kjo bëri që shumë prej tyre, duke u ndjerë më francezë se francezët, apo më gjermanë se gjermanët, të mos e prisnin atë që u ndodhi gjatë Holokaustit !

Meqë u rikthyem tek hebrenjtë, po gjej një pikëtakim tjetër mes nesh dhe tyre:

-Lidhjen e tyre me librat e shenjtë dhe me 3 fetë e mëdha monoteiste, deri në njëfarë pike, e posedojmë jo pak edhe ne !

Dhe këtë e bëjmë jo vetëm falë provave të krishtërimit të herët mes paraardhësve tanë ilirë, të shenjtëve ilirë, të martirëve të krishterë ilirë etj, por , mbi të gjitha për shkak të prezencës shumë të fuqishme historike të Perandorit ilir Kostandini i Madh.

Sepse ishte ky njeri që së pari dhe mbi të gjitha, ligjëroi këtë fe dhe ndali persekutimet ndaj besimtarëve të krishterë.

Ishte ai që nën vizionin e kryqit të shenjtë dhe të emrit të Krishtit që i ishte shfaqur në ëndërr një natë para betejës vendimtare të Urës Milvio në vitin 312-ë, kundër rivalit të tij për fronin Maxentius-it, ngriti në këmbë kishën dhe institucionet e krishtera siç edhe sot i njohim.

Ishte ai që thirri koncilet e krishtera, si atë të Nikesë të vitit 325-ë, i cili është edhe i pari Koncil i Krishterë i historisë.

Këto koncile si edhe jetën e kishës, ai e drejtonte vetë.

Aty me insistimin e tij, jeta fetare, shumë këndvështrime dhe rregulla që ekzistojnë edhe sot në ditët tona në fenë e krishterë, morën jetë.

Nën shtysën e tij, u vendos që për të afruar popullin me fenë e krishterë, të vendosej që dita e Diellit dhe Zotit Mitra, pra 25 dhjetori, të bëhej edhe dita e Krishtlindjeve !

Kështu statujat pagane të zotit Diell, u shtuan edhe me shenjën e “Kryqit”.

Më pas në vitin 321 pas Krishtit, u vendos java me 7 ditë siç e kemi edhe sot dhe më pas u dekretua e Diela si ditë pushimi, ose si “Dies Solis”, pra Dita e Diellit, ashtu si i themi ne shqiptarët akoma edhe sot, siç e quante edhe perandori ynë ilir Kostandin, pra thjesht “E dielë” !

Ishte Kostandini dhe e ëma e tij e shenjtë për të gjitha kishat e krishtera, Shën Elena, të cilët ndërtuan në vendin e kryqëzimit dhe varrimit e ringjalljes së Krishtit, edhe Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem.

E sa e sa më tepër mund të thuhet për këtë figurë të gjithëanshme, e cila e nderon krishtërimin të cilit i dha formë dhe jetë ligjore, Europën të cilës nëpërmjet fesë së re unitare dhe spostimit të Perandorisë në Kostandinopojë, i dha vazhdimësi të kulturës romake dhe në fund ai na jep prestigj ne shqiptarëve, sepse na ka lënë krenarinë që me këtë njeri ndajmë sikur asgjë tjetër, jo pak, por të njëjtin “Gjak” !

Tani për t’a mbyllur, po dal sërish tek pjesa e tretë e titullit.

Dhe këtu nuk do zgjatem shumë !

Gjithçka ne shkruajmë, flasim apo lexojmë nëpër gazetat, librat, forumet mediatike, adresat apo faqet shqiptare në internet, këto janë gjëra me rëndësi, por ato sidoqoftë veç bashkëbisedimit dhe shkëmbimit të ideve tona si shqiptarë mes njëri-tjetrit, nuk shkojnë më tej.

Kurse nëpër forume ndërkombëtare të lira, si Wikipedia ose sa e sa faqe të tjera që i dedikohen historisë ose arkeologjisë etj, aty fqinjët tanë por jo vetëm ata, gjejnë rregullisht rastin të botojnë çfarë të duan, pa gjetur asnjë rezistencë nga ana jonë.

Një TURP i vërtetë është ndërkohë, versioni shqip i Wikipedias.

Kjo ndodh sepse Wikipedia është siç thashë, një enciklopedi e lirë, ku gati secili mund të kontribuojë me njohuritë e tij dhe po ashtu edhe dëshirën e mirë për t’a bërë këtë gjë !

Kështu për mendimin tim, mes popujve europianë, me aq sa kam parë, faqet shqip të Wikipedias janë në absolut më të varfërat në informacione.

Ato janë edhe më të dobëtat në cilësinë e shkrimeve dhe janë të mbushura përgjithësisht me përkthime të vakëta të “google translate” me gjëra të cekëta sa për të kaluar rradhën dhe kështu veç se janë gjithë gabime fëminore gramatikore, këto faqe s’kanë asnjë vlerë tjetër fare.

Të paktën, do ftoja këtu ata që ia kanë ngenë kësaj pune pa shpërblim “financiar”, por sigurisht moral, që në mos të kontribuojnë me dijenitë e tyre ose të historianëve shqiptarë e të huaj në faqet e Wikipedias që merren me Shqipërinë, Kosovën e shqiptarët, ata të paktën të marrin mundimin e të kopjojnë fjalë më fjalë atë që thotë Akademia jonë e Shkencave apo librat tanë të historisë !

Kjo do ishte shumë më mirë se ato bastardime fjalësh pa kuptim që mbushin faqet shqipe të kësaj enciklopedie të madhe “online”.

Lëre pastaj që vetë Wikipedia, e rënë në duar të shumë antishqiptarëve dhe duke parë edhe mosveprimin kronik të shqiptarëve në faqet e saja, kur i bie të flitet për neve, gjithmonë dukshëm i lë më tepër vend teorive dyshuese e armiqësore ndaj nesh, se atyre me këndëvshtrim më realist dhe pro-shqiptar.

Një rast më ra në sy vetë, kur këto ditë po shikoja përciptazi se ç’thuhej në shqip tek kjo enciklopedi, për ilirët.

Faqja për këtë temë, e cila për habi.ndryshe nga shumë faqe të tjera shqipe të Wikipedias, ishte shumë e plotë dhe normale, ndërkohë ishte hapur me një sërë “hakërrimesh” nga vetë bordi i enciklopedisë.

“Ky artikull nuk është i saktë se nuk ka asnjë referim”-“Ky artikull duhet përmirësuar”-“Ky artikull bie në kundërshtim me rregulloren e Wikipedias” !

Thashë me vete:”Zot i modh, ça kan shkrujt kta kshu re”?-Se më erdhën idetë pakontrollueshëm në dialektin tim tiranas për shkak të pështjellimit prej asaj që pritej të lexoja.

Por ajo që më poshtë lexova, ishte një përmbledhje të dhënash, datash, personazhesh, emrash, fisesh e mbretërishë, luftërash e qytetesh ilire.

Sigurisht, këto të dhëna dhe fakte, nuk do ishte bërë keq të ishin mbështetur me citime, autorë, historianë e gjeografë antikë.

Historia jonë këta i njeh dhe ka të tillë me shumicë.

Por unë dhe shumë të tjerë që kemi lexuar edhe versionin anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht etj, të faqeve të kësaj enciklopedie që flasin mbi  shqiptarët, e dimë mirë që edhe aty ka mungesë të theksuar citimesh, por kjo gjë  sërish nuk e pengon Wikipedian që t’i lejojë ato faqe të mbushura me të pavërteta për shqiptarët.

Faqe plot me dokrra për Vorio Epirin që zënë më shumë vend se sa vetë të dhënat për shtetin shqiptar, me shpifje për Betejën e Fushë Kosovës, që kanë më shumë jehonë Wikipediase se gjithë të vrarët shqiptarë të Luftës së Kosovës në 1999-ën.

Pra për mendimin tim edhe Wikipedia vetë, ka pjesën e saj të fajit në këtë mes.

Por pjesa tjetër është totalisht e jona si shqiptarë !

Jemi ne që së pari, në këtë luftë rrjeti global, që do jetë fushëbeteja e madhe e të ardhmes së afërt, nevojitet të mprehim shpatat e intelektit tonë dhe t’i hyjmë mbushjes me të vërtetat tona, si fillim të versionit shqip të kësaj enciklopedie dhe më pas të bëjmë atë që bëjnë edhe grekët e sllavët, t’iu sulemi faqeve të tjera të Wikipedias, që janë pa mbrojtje, pra ku mund të kontribuohet nga burime të lira.

Bëj fjalë për faqet në gjuhë të huaja, të cilat flasin për shqiptarët ose për çështje të cilat neve na interesojnë ose ku mund të shtojmë edhe këndvështrimin tonë ose qëndrime të favorshme ndaj nesh, të cilët janë bërë nga historianë ose dijetarë të ndryshëm.

Shqiptarë që dijnë anglisht, frëngjisht, spanjisht e italisht ka mjaft.

Historianë, gjeografë, gjuhëtarë e arkeologë shqiptarë e të huaj që kanë folur mirë e kanë të treguar të vërtetën për ne, edhe të tillë ka dhe ka pasur sa të duash.

Mjafton që neve t’i vihemi kësaj pune e të publikojmë faktet e dhëna prej tyre dhe mendimin e tyre për neve si shqiptarë dhe trojet tona.

Unë vetë kur kam hasur gënjeshtra ose mashtrime të tilla, pa shumë problem kam arritur t’i zëvendësoj me disa fakte reale.

Kam bindjen që edhe të tjerë shqiptarë e kanë bërë këtë gjë.

Kushdo tjetër që do vendosë të impenjohet në këtë drejtim, do të jetë i mirëpritur edhe ai ose ajo !

Mos kini turp o njerëz, hyni në Wikipedia dhe provojeni, do të shikoni se kështu edhe ju mund të kontribuoni pak për vendin dhe gjakun tuaj shqiptar.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: