Sabile Basha: Organizimi i rezistencës në Kosovë dhe Lufta e Qelisë në Siqevë (13 shtator 1945)
| E Merkure, 19.09.2012, 06:17 PM |

Organizimi i rezistencës në Kosovë dhe Lufta e Qelisë në Siqevë (13 shtator 1945)

Nga Dr. Sabile Keçmezi- Basha

sabile_basha@hotmail.com

Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945, dhe pas ngritjes së kufirit ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e Kosovës dhe e trojeve tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbeten të pazgjidhura. Në Kuvendin e Prizrenit, (8-10 korrik 1945), Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945, çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur. Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime, dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit shumicë, ato, jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën kërkesa e vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan apo i përkrahën ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u persekutuan.

Aneksimi i Kosovës në Serbin Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist, dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen  e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit  të ri-okupimit  në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe, dhe më të pranuar në kohë e hapësirë.

Duke e parë tradhtinë e madhe  që ndodhi në Kuvendin e Prizrenit, forcat atdhetare shqiptare u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin  e forcave demokratike në vendet perëndimore. Atdhetarët shqiptarë duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre.

Veç dihej se, Pushteti i Administrimit Ushtarake në Kosovë u vendos (8 shkurt 1945), në kohën  kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën  që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë, nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që i kishin vënë organet më të larta jugosllave si:

1. Administrimi ushtarak synonte  t’u mohonte  shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,

2. T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës.

3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet  shpërthimin  e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,

4. Të thyente revoltën e popullsisë shqiptare që kishin filluar në anë të ndryshme të Kosovës.

5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare, që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe

6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.

Dhe, duke ecur gjurmëve të nacionalismëz shqiptar, mbledhja e Bujanit, përcaktoi si synim madhor bashkimin e trojeve shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem. Edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saja. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes  së popullit shqiptarë për luftën e sakrificën që bënë. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullin shqiptare.

Në këtë periudhë, dhe nën këtë trysni të vazhdueshme,  lindën dhe vepruan forcat atdhetare, që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale, artikuluan qëllimet e kërkesat e veta supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë.

Në këto momente kritike të historisë, atdhetarët shqiptarë ende zotëronin një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta  po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.

Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944, lindi ideja që në Kosovë, dhe në të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi të formohen organizatat dhe grupet më të vogla të rezistencës shqiptare. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste  siç ishin:  “LNDSH”, me ne krye Hajdar Plenejën, “Besa Kombëtare” (me prof. Ymer Berishën), “Organizata nr. 2” (Ajet Gërgurin), dhe “Këshilli i të Dymbëdhjetëve”, me atdhetarin e shquar në krye Ukë Sadikun) e disa të tjera më pak të njohura.

Gjatë kësaj kohe, u shtrua nevoja  e ngutshme  dhe, e domosdoshme që krerët e lëvizjes  të vepronin në ilegalitet të thellë. Kjo do të thoshte që duhej të bëhej një organizim tjetër, të cilën e impononte rrjedha e ngjarjeve, nga ai i mëparshmi. Gjatë kësaj periudhe, u formuan, vepruan dhe njëherë u zbuluan shumë patriot të shquar. Shumë veta u pushkatuan dhe shumë të tjerë u dënuan me shumë vite burgu. Kështu  me 15-16 gusht të vitit 1945, Adem Gllavica si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës mori qëndrim që t’i ftojë krerët e rezistencës shqiptare, dhe përfaqësuesit e të gjitha organizatave  të NDSH-së. Tubimi u mbajt në Kopilaçë, me 15-16 gusht, vend ndërmjet Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit. Në këtë takim kishin ardhur krerët kryesor të forcave nacionaliste si: Hysen Terpeza, Adem Gllavica, Ibrahim Haki- Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi, Dinë Hoxha, Qazim Llugaxhiu, Sylë Hotla etj. Po ashtu në këtë tubim merrnin pjesë edhe shumë anëtar të LNDSH-së si: Qemal Ali Skenderi, Mexhid Haki –Zyberi, Xhemail Bllaca etj, që përfaqësonin KQ të NDSH-së  në Shkup.

Në këto rrethana momenti historike shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha grupeve ilegale, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse  ishte caktua vendi (fshati Dobërdol) dhe data e mbajtjes (muaji gusht).

Prof. Ymer Berisha në bisedë me Ukë Sadikun, situatën politike në atë anë e vlerësuan si të mirë. Andaj sipas Branisllav Bozhoviqit, të shkruar në librin “Surova vremena na Kosovu Metohiju”, Beograd 1991, f. 539, thuhej se Kuvendi i Dobërdolit u mbajt me 24 gusht 1945. Unë, si studiuese e kësaj çështjeje mbështes këtë të dhënë ngase në hetuesi ka dëshmuar për këtë datë edhe vetë Ukë Sadiku. Me këtë datë kishte filluar tubimi i madh i ilegales shqiptare, në malet e Martin Pjetrit të fshatit Dobërdol. Në të morën pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit nga Rozhaja dhe Pazari Ri, gjithsej 158 veta. Në mënyrë solemne Kuvendin e kishte hapur Ukë Sadiku, Ai i kishte përshëndet të pranishmit dhe kishte prezantuar Prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues të organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike fletë vet profesori. Kuvendi kishte zgjatë dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte shkodrania trime Marie Shllaku. Në mes tjerash në këtë kuvend u mor edhe vendimi që të formohej organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare” e cila do të udhëhiqej nga kryesia e përbërë prej 12 vetave. Supozohej se ishte hera e dytë që formohej kjo organizatë, por me pak ndryshime. Kuvendi kishte zgjedhur Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berishën ishte caktuar udhëheqës i sektorit politik.

Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte garanci se grupet do të veprojnë: unanimisht si mbas direktivave të udhëheqjes qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve  ushtarakë edhe udhëheqësit politik. Meqenëse Kosova e Dukagjini u ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politik për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”

Pas përfundimit të punës së kuvendit, grupet ishin largua njëra pas tjetrës, pa pasur as më të voglin problem. Të gjithë delegatët e kuvendit ishin shpërndarë me përshtypjet më të mira duke pasur posaçërisht një admirim dhe një simpati të madhe ndaj prof. Ymer Berishës dhe Ukë Sadikut.

Për pjesëmarrjen në Kuvendin e Dobërdolit, për strehimin e pjesëmarrësve dhe për përkrahjen e lëvizjes për çlirim kombëtar dhe për një Shqipëri Etnike, udhëheqësit e këtij Kuvendi si dhe shumë veprimtarë të kësaj ane, më vonë u dënuan me burg shumëvjeçar, iu plaçkitën dhe iu dogjën shtëpitë, u malltretuan familjet dhe u bënë akte gjenocidale ndaj tyre. Represion shtazarak përjetoi sidomos familja e Dan Pjetrit, në tokën e të cilit ishte mbajt Kuvendi. Në këtë familje 6 muaj ishte strehua edhe heroina shkodrane- Marie Shllaku.

Pas përfundimit të kuvendit delegatët ishin shpërndarë në drejtime të ndryshme. OZNA, me ndihmën e disa personave kishte grumbullua të dhënat për grupet ilegale, kahet e shkuarjes së tyre, për njerëzit më aktiv etj. Më 9 shtator 1945, organet e OZN-ës në bashkëpunim me ushtrinë jugosllave sulmojnë pjesën më vitale të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë dhe në Drenicë.

Lufta e Qelisë kishte ndodhur me 12 shtator 1945, në mes të luftëtarëve të Çetës së Ukë Sadikut, të cilëve iu printe i vëllai Shaban Sadiku dhe Brigadës III Bokele të Kotorrit nga Mali i Zi. Sipas një dëshmitari që i kishte shpëtuar kësaj masakre sllavo-çetnike, Ali Metës[1], ai thekson se: Luftimet zgjatën tërë ditën deri në orën 21 të mbrëmjes kur filloi të binte një rrebesh shiu, i cili e pamundësoi vazhdimin e luftimeve. Aty atë ditë, nga çeta e Ukë Sadikut u vranë 32 luftëtar, të cilët i printe baci Shaban, ndërsa për partizanët të vrarë dhe të plagosur nuk kemi njohuri. Dëshmitarët e mëvonshëm thonë se edhe nga ta janë vrarë afro 200 e më dhjeta të tjerë janë plagosur...”. Sipas Jetish Kadishanit, i cili e ka hulumtuar terrenin për të vrarët e Qelisë, ai arrin që të identifikojë 21 shqiptarë të vrarë si: 1. Mujë Ahmeti, 2. Isuf Bajrami, 3. Smajl Hajdari, 4. Sadik Lutani, 5. Fetë Ukella, 6. Hasan Miftar Abazi, 7. Adem Zenun Shala-Çitaku, 8. Rexhep Ismaili-Kapterr Rexhepi, 9. Tafil Murati, 10. Met Dini, 11. Ramë Murati, 12. Selim Sokoli, 13. Pjetër Tomë Berisha, 14. Zefë Sokoli, 15. Mark Sokoli, 16. Bajram Coli, 17. Xhemë Hoti, 18. Musli Hoti, 19. Isa Hoti, 20. Brahim Rogani, 21. Halit Rogani. Ndërsa 11 të tjerëve nuk iu dihen emrat dhe veç këtyre kishte shumë të plagosur që i mbijetuan luftës së Qelisë. Duhet përmendur se kësaj masakre i shpëtoi edhe Marie Shllaku,  për tu ekzekutuar më vonë, me 24 nëntor 1946, në Prizrenin e bukur.

Për të gjitha këto që ndodhnin në Kosovë ishin të njoftuar Mithat Frashëri dhe Muharrem Bajraktari. Ishte krejt e natyrshme, që në fillim të shtatorit  1945, nga këta të vijë një kërkesë për kalimin e forcave të rezistencës për në Greqi. Për këtë ekziston edhe një e dhënë tjetër e cila dëshmon se Ukë Sadiku me luftëtarët e vet më të ngushtë, po në këtë kohë kishte pas një takim me Muharrem Bajraktarin, ku shtruar kishte biseduar për largimin e tyre nga Kosova. Kuptohet, këtë planë nuk e kishte pranua Ukë Sadiku, por ishte pajtuar se lidhur me të do të merren mendimet edhe të krerëve të tjerë në Kuvendin e Mirditës, të 10-11 shtatorit 1945. Ndaj kësaj kërkese, reaguan  shumë personalitete të nacionalizmës, por ndaj saj reagoi edhe KQ i NDSH-së në Shkup.

Krerët e ilegales dhe të lëvizjes së rezistencës shqiptare, pas kërkesës së Muharrem Bajraktarit dhe Mithat Frashërit, para vetës kishin dy alternativa:

Alternativa e parë ishte : të rrinë në Kosovë, të zhvillojnë një lloj lufte, që do të ndryshonte nga ajo që ishte zhvilluar deri më atëherë, e që pas situatës së nderë, që ishte krijuar në vend, mund të pasonte me viktima të mëdha, si në luftëtar po ashtu edhe në popullatën shqiptare, ngase në mënyrë intensive  filloi të bëhej ndjekja dhe arrestimi  i jatakëve  të ilegalëve dhe i të gjithë atyre, që strehonin  dhe ndihmonin luftëtarët e lirisë.

Alternativa e dytë ishte: që për krerët e lëvizjes ishte edhe më e afërt dhe më e pranueshme, largimi jashtë vendit si një shans e mirë, për të shpëtuar luftëtarët dhe, për të kursyer popullatën nga maltretimet e OZNA-së dhe të UDB-es. Ishte vendos, të përkrahet alternativa e dytë, mërgimi i luftëtarëve jashtë atdheut, që më vonë të hynin në shërbim të planeve  globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Ndërsa, çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara jugosllave do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit të dy vendeve fqinje, të Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Edhe pse shumë grupe (Batalioni i Parë dhe i Dytë i UPDSH-së) e kishin lëshuar Kosovën, konsolidimi i ri u bë shumë shpejt dhe, në Kosovë vepronin më tepër se 55 grupe ilegale si dhe organizatat patriotike- politike.

Më vonë, pasuan burgosjet, arrestimet dhe operacionet e vazhdueshme të reparteve jugosllave për gjëja “spastrimin e vendit nga mbeturinat e reaksionit” siç i quanin ata forcat nacionaliste.

Ish- Jugosllavia dhe Serbia, mendonin se vetëm me pranga, me burgje, e me dhunë do të arrinin  të mbanin një popull të tërë të robëruar dhe në kolonizim të përjetshëm. Ata pandehnin  se me arrestime e me dënime drakonike e me  burgime do ta gjunjëzojnë  një popull të tërë. Do ta detyrojë atë që të heqë dorë nga aspiratat e tyre shekullore, për bashkim kombëtar.

Megjithatë, qëllimet dhe aspiratat e forcave nacionaliste vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes së përgjithshme qytetëruese properëndimore, e qëndresës për çlirim të përgjithshëm kombëtar, të mbështetur në traditat e çmueshme të lëvizjes çlirimtare, themelet e së cilës u vunë që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( 1878 ), për të vazhduar edhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, gjatë Luftës së Parë Botërore e deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e në vazhdimësi deri më vitin 1999.

Ky edhe ishte qëllimi suprem i gjithë forcave nacionaliste shqiptare. E këtë amanet të përcjellë brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate, ia doli ta kurorëzoi me sukses bija më e devotshme e këtij populli, e dalë nga gjiri i saj i përflakur – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 



[1] Jetish Kadishani, Lufta e Qelisë së Siçevës dhe Komandant Shaban Sadiku, Prishtinë 2005, 33



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: