Drita Lushi: Vals me të bardha
| E Enjte, 13.09.2012, 07:55 PM |

VALS ME TË BARDHA

(Kushtuar babait tim të mrekullueshëm)

Nga Drita Lushi

Kisha ngelur aq e hutuar në mes të rrugës, sa vetëm një makinë, që kaloi aty pranë me shpejtësi, më solli në vete.  Shoferi, pas një borie të forte, diçka shau nëpër dhëmbë, duke nxjerrë kokën nga dritarja e makinës.

Nuk e dëgjova çfarë tha. As që më nteresonin fjalët e tij, le të kishte sharë; mjaftoi ajo zhurmë e egër, nevrike, e zërit që më kumboi në veshë me forcë e më trembi. Atëherë u kujtova se duhej  të kaloja  në anën tjetër të xhadesë  e të merrja një të tatëpjetë me kthesa  të forta.

Isha kthyer në një copë dru të ftohtë, si në një kallkan janari. Letra që mbaja në dorë ishte zhubravitur plotësisht. Pa vetedije, e kisha mbështjellë shuk. As më interesonte më ajo letër pas fjalëve që më kishte thënë doktori kur e takova në rrugë.

- Etleva, – m’u drejtua doktori - nuk ka kuptim ta gënjeni veten e as të tjerët kot.   Një gjë e tillë duhet pranuar pa ushqyer iluzione. Unë ju njoh familjarisht, ndaj dua të flas qartë me ty. Kjo diagnozë nuk ka shërim.

- Doktor, po sikur ta shihni dhe njëherë? Çdo gjë mund të ndodhë. Sa gabime janë bërë e bëhen nëpër laboratore?

Ai më vështroi në heshtje pa reaguar.

- Po sikur të përsërisim prap analizat?- u mundova të kapesha qoftë dhe pas një fije shprese të vetme, pas një gabimi të mundshëm të laboratorit, por vetëm të vërtetën jo, ate nuk arrija ta pranoja.

- Vendos në duhet t’u thuash të vërtetën edhe të tjerëve, apo jo. Bëj si ta shohësh të arsyeshme. Po patët nevojë për mua, më thuaj.

Më dha dorën dhe u largua.

Unë e kisha të qartë atë diagnozë, po gjithmonë njeriu e ka të vështirë të pranojë të vërtetën, sidomos kur ajo nuk i pelqen, aq më shumë kur është e dhimbëshme dhe kur në të përfshihet një pjestar i familjes. Prandaj edhe kisha shkuar të takoja doktorin R, me të cilin njiheshim familjarisht. Rastisi që e takova në rrugë, teksa shkoja në spital dhe…

Nuk di si kisha arritur në shtëpi. Nuk mbaja mend me  ke isha këmbyer. Nuk mbaja mend gjë prej gjëje.

Veç kur pashë motrat e mia më të vogla, u kujtova që kisha arritur në shtëpi.

Alda, motra e dytë, sapo kishte vajtur  në gjimnaz, por kishte një pjekuri të parakohëshme krahasuar me moshatarët e saj. Ndërsa Alketa ndiqte klasën e shtatë. “Do të dal pak”  – u kisha thënë, - do të dal të takoj doktorin për analizat e babit”.

Ato po më shikonin sikur të kishin para ndonjë qenje të rrallë dhe të frikëshme. Kushedi si isha bërë në fytyrë.

Pa u kujtuar sa ishte ora, i pyeta veç për të thyer heshjen dhe vështrimet e tyre të trembura:

- Mami s’ka ardhur akoma?

- As babi?- vazhdova të pyes pa pritur të merrja përgjigjen e pyetjes së parë.

- Ora është njëmbëdhjetë e gjysëm - tha si me frikë Alketa. - Eshtë heret - vazhdoi ajo.

Ato me kishin futur në mes dhe po më shihin të frikësuara. Duhej t’u thoja diçka, aq më tepër që  ato e dinin se kisha dalë enkas  të takoja doktorin.

- Çfarë të tha doktori? – m’u drejtua me gjysëm zëri Alda, sikur të kishte frikë nga përgjigja që do të merrte.

Në të mijëtën e sekondës mblodha veten dhe u kujtova se çfarë sekreti mbaja në vete.

“Zot, më ndihmo”! – i fola vetes.

U mundova t’i jepja fytyrës një të qeshur të lehtë dhe u thashë, duke iu drejtuar më shumë Alketes, sesa Aldës që më kishte pyetur:

- Mirë. Jo keq ... Kuptohet që babi duhet të shkojë disa herë në spital, mund të rrijë ca dit, po në përgjithësi mirë.

- Na fute tmerrin  kur të pamë me atë fytyrë të zverdhur kur erdhe!- Uf, çfarë lehtësimi! - vazhdoi Alda.

Alketa u ngrit dhe erdhi më përqafoi. Unë e putha fort në faqe duke u munduar të mbaja një gulsh lotësh, që po më rrëmbushnin sytë.

- A mund të na thuash, çfarë pate, tani?- vazhdoi përsëri Alda - pse ishe zverdhur ashtu?

“Zot, më ndihmo!” – u luta përsëri me vete. Më duhej të shpikja një gënjeshtër tjetër.

- …Po ja, – vazhdova - kur po kthehesha, takova një prind të një nxënësi, që më akuzoi se ia kisha lënë pa të drejtë në klasë djalin e tij.

- Për kaq?!- vazhdoi Alda mosbesuse. - Mos ke ndonjë problem tjetër? Je grindur me Altinin?

Altini ishte i fejuari im qysh prej një viti. Ishim njohur gjatë studimeve në Tiranë dhe motrat e mia e donin si një vëlla të madh, ndoshta edhe pse  ne nuk kishim vëlla. Babin e kishim pasur si vëlla dhe si shok tërë këta vite. Dhe ai na llastonte aq shumë, sa ne mezi prisnim që të kthehej nga puna. Ne ziheshim me njëra tjetrën se kush e kush ta përqafonte më parë.

Mami shpesh na thonte me të qeshur: - Po për mua,  ka pjesë?

E ne atëherë qeshnim me të madhe.

Kur Altini u bë pjesë e familjes sonë, të gjithë e pranuan me kënaqësi, sepse ai  ishte shume i thjeshtë dhe me shumë humor.

Motrat e mia, kur grindesha ndonjëherë me Altinin, gjithmonë ma hidhinin fajin mua e  i dilnin krah atij.

- Mos u mërzit Altin, se kjo aq e ka, pesë minuta, se helbete, kur ke lindur e para nga fëmijët, kujton se e gjithë bota sillet rreth saj – i dilte në krah Alda.

- Jo jo, asgjë nuk kam me Altinin, po thjeshtë ai prindi më foli me një ton, që më tronditi pak.

- Ti je budallaqe! - vazhdoi Alda dhe, për të parën herë pas kaq kohe, mori frymë e lehtësuar.- Për këto gjëra mërzitesh ti, moj gocë? Ti punën tënde do bësh, kur e meritojnë, edhe do t’i lësh në klasë. As mos e vrit mendjen - vazhdoi dhe u ngrit e hapi frigoriferin dhe më dha një  coca- cola të ftohtë.

- Pije, – m’u drjtua ajo - se je bërë qull në djersë. Ishte shumë vapë jashtë?

- Si korrik, -  iu përgjigja unë - ka kohën për vapë.

Për herë të parë isha pothuaj e gëzuar, që kisha mundur të ndërronim temën e bisedës.

Alketa ndërkohë kishte hapur televizorin e po shihte një emision muzikor për të rinj, që  sapo kish nisur të shfaqej.

Pasi kalova në dhomën time, u shtriva dhe fillova të sistemoja mendimet.

Në mend më vajti Altini. Duhej ta thërrisja patjeter. Duhej të bisedoja  me të, t’i thoja të paktën atij të vërtetën. Nuk mund ta mbaja këte peshë e  vetme.

Dola dhe vajta në postë pa u thënë gjë motrave përse po dilja. Jashtë ishte shumë vapë dhe rrugët ishin pothuaj bosh.

Në postë, gruaja e receptorit mezi më foli, dhe gjithë përtesë formoi numrin që i thashë. E shikoja si pjestare të tronditjes sime e që ma shtonte bezdinë me atë fytyrën gjithë djersë e kremin që i kullonte,  në mes të korrikut. Nuk kisha dashur të telefonoja nga shtëpija, se aty ishin motrat.

Fola me Altinin dhe i thashë, pa i dhënë asnjë spjegim, se duhej të vinte sa më parë. Gruaja, që rrinte gjithë përtesë mbështetur me gjithë peshën mbi banak, i kishte ngritur veshet pipëz për të dëgjuar ndonjë fjalë më shumë.

***

Kur pashë mamin të hynte në derë, më zuri përsëri ankthi i pararadites.

E veshur me të zeza nga vdekja e gjyshes, ajo m’u duk më e mplakur.

Ndjeva një dhimbje si kurrë më parë. I kisha thënë që do dilja unë për analizat e babit. Tashmë isha vajzë e rritur dhe i dija përgjegjësitë e mia.  Isha në moshën kur  e kuptoja mirë se çfarë do të thonte prind.

- O ma! - i doli përpara Alketa - Babit i kanë dalë mirë analizat, kështu i tha doktori Evës.

Ashtu të përqafuara, mami hodhi një vështrim pyetës, dhe unë i qesha instinkvisht dhe pohova me kokë.

- Po po, mami, - vazhdova - nuk është ndonjë problem i madh. Disa mjekime dhe pak kujdes nga ne. Babit do t’i kalojë kjo gjendje.

As vete nuk e kupoja nga më erdhi  ai ton i vendosur ndërsa i flisja mamit.

Tashmë unë kisha krijuar një të vërtetë të re krahas së vërtetës së hidhur, që nuk doja ta ndaja me të tjerët.

Kur erdhi babi, u ulem të hanim drekë duke folur normalisht.

Pas dreke të gjithë shkonim në dhomat tona për të pushuar pak në ato ditë të gjata e të nxehta korriku. Edhe mami shkoi të shtrihej, sepse ajo edhe punën e kishte të lodhëshme. Në guzhinë ngelem vetëm unë dhe babi.

Më dukej sikur babi e ndjente që unë fshihja diçka.

- Më bëj një kafe – tha ai.

U ngrita, i bëra një kafe turke, siç e pinte im atë, dhe bëra edhe një për vete. Zakonisht në atë orë unë nuk pija kurrë kafe. Ndërkohë ai kishte ndezur duhanin, që e pinte qysh fëmijë.

U ula përballë tij dhe mora një cigare nga paketa e tij. Ishte hera e parë që vija cigare në gojë.

Vështrimet tona u takuan me frikë.

- Ti, cigare!?- më pyeti butë im atë.

- Ndodh - i thashë pa e shikuar.

Ai heshti. Heshti gjatë.

- Çfarë kam? – pyeti ai pastaj e mua m’u duk sikur u shemb një anë muri.

“Zot më ndihmo!” - i thashë vetes për të tretën herë atë ditë.

Me babin ishim kuptuar gjithëmonë me vështrime. Kishim folur përherë aq hapur, sa s’mund t’i mbanim asnjë të fshehtë njëri-tjetrit.

- Babi, - fillova unë dhe atë çast nuk di pse ndjeva sikur supet m’u kërrusën e isha bërë papritë njëqindvjeçe.

Ai nuk  i ngriti sytë as për t’më parë përmes tymit të duhanit, që kishte krijuar një perde gri mes nesh.

- Analizat nuk kanë dalë mirë. Duhet të bësh ca mjekime. Duhet të të …

- Mos u mundo t’i zbukurosh gjërat - foli ai butë, me qetësinë më të madhe, ashtu siç isha mësuar ta dëgjoja gjithë jetën.

Unë e di çfarë kam. Të gjithë lindim dhe vdesim, dikush më parë, dikush më pas.

Rëndësi ka që po lë tre yje  siç jeni ju.

Fiku cigaren ende të papërfunduar dhe  u ngrit të shkonte në dhomë. U kthye dhe njëherë dhe tha :

- Besoj, vetëm unë dhe ti, kështu?

Tunda kokën në shenjë pohimi, se fjalët më kishin ngecur në grykë e lotët  më rrëshqisnin faqeve.

Altini mbërriti të nesërmën në mëngjes…

U lehtesova kur sëmundjen e babit ia thashë edhe Altinit.

Dasmën e lamë në tetor.

Babi gjatë kësaj kohe kishte marrë disa mjekime dhe mbahej mirë.

Ishte tetor. Muaji i dasmës time

Gjithë familja gëzonte. Mami me këtë rast hoqi dhe të zezat.

Unë mora dy fustane të mrekullushëm. Njërin ma bëri dhuratë Altini, tjetrin babi.

Erdhi dita…

Babi hapi dasmën. Zëri i dridhej nga emocioni. Ishte gëzimi i parë në familje.

Unë dhe ai e dinim se për të do t’ishte i pari dhe i fundit.

Dy lot më rrodhën paqtë. Të gjithë i morën si lot mallëngjimi, a gëzimi, që  u dalin nuseve në ditën e dasmës. Veç babi m’i kuptonte ata lotë.

E veshur si një princeshë me të bardha në ditën time të madhe, ndjehesha jo si të gjitha nuset e tjera.

Filloi muzika. Babi u ngrit. Erdhi drejt meje me hap të vendosur. Zgjati dorën dhe, duke qeshur, më tha: “A mund të kem nderin të vallezoj me ju, zonjushë”?

U ngrita. U zumë dorë për dorë. Unë dhe im atë.

E veshur me te bardha , nisem të kërcenim së bashku valsin e hapjes.

Ka qenë kërcimi më i bukur që kam bërë në jetën time.

Shikonim njëri tjetrin të heshtur .... Të heshtur ......

Vetëm duartrokitjet e të ftuarëve na kujtonin se ishim në një gëzim.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: