Entela Binjaku: Në ditën e parë të shkollës...
| E Diel, 09.09.2012, 08:05 PM |

Në ditën e  parë të shkollës...

Nga Entela Binjaku

Më 10 shtator pritet të nisë mësimi në shkollat e arsimit parauniversitar në vendin tonë. Shoqëria në përgjithësi, me institucionet përkatëse, ka një ndjeshmëri të lartë ndaj kësaj dite gjë e cila reflektohet kryesisht tek përgatitjet intensive që bëhen deri në çastin e fundit për pajisjen e fëmijëve me bazën e nevojshme materiale. Përgatitja psikologjike për këtë ditë është ende një koncept pak i njohur, por edhe kur njihet,mbetet larg aplikimit në praktikë.

Vëmendja ndaj procesit të arsimimit duhet të jetë e madhe, sepse siç pohonte Safet Butka, që më 1922, në punimin me titull  “Kemi nevojë për mësues”,  “shkollat janë kondita më e parë e përparimit të kombit dhe “në qoftë se duam të kujdesemi për organizim dhe reforma, duhet të fillojmë me arsimin”. Rijetësimi i këtij shqetësimi që ngre kjo figurë e mendimit shqip, do t’i vinte në ndihmë të gjithë shoqërisë.

Në tërësinë e kujtimeve të secilit prej nesh, gjendet  padyshim edhe dita e parë e shkollës. Mësuesja e parë, shkolla e parë, mbresat e asaj dite zënë një vend të sigurtë në kujtesën individuale. Edhe pse nga pikëpamja kalendarike kjo është një nga ditët e jetës, shkalla e lartë e intensitetit emocional që e përshkon, e bën të marrë një rëndësi të madhe. Për të më ardhur në ndihmë të këtij shkrimi pyeta një fëmijë, Vilmën, sesi e kishte përjetuar ditën e parë të shkollës.

Paraprakisht kisha mësuar se tre ditët e para të shkollës kishin qenë një dramë e vërtetë: shkolla nuk ishte ashtu si e priste, as si e kishte imagjinuar. Klasa nuk ishte aq e bukur!

Por, kur ju luta të ma përshkruante, mora të shkruara këto fjalë prej saj: “Vjet isha për herë të parë në shkollë. Në fillim mora librat, mua më pëlqyen shumë se kishin shumë ngjyra. Para ditës së parë të shkollës kisha shumë emocione. Doja të dija si ishte shkolla, shoqët dhe mësuesja. U futa në oborr. U habita sepse shumicën nuk e njihja. Shkova tek rreshti, takova mësuesen. M’u duk e mirë. U futëm në klasë. Kisha emocione por kurrë nuk i tregova. Besoj se dhe të tjerët kanë qenë kështu si unë”. Siç shihet, të shprehura me shkrim, emocionet negative mugojnë.

Për shumë prej fëmijëve që shkojnë për herë të parë në shkollë, kjo është një ditë e mbushur me gëzim, por për të tjerë është një “torturë” e vërtetë.  Kontakti me shkollën, takimi me mësuesen dhe shokët e ardhshëm të klasës mund të krijojnë një situatë shumë të ngarkuar dhe stresi të vërtetë; emocionet mund të jenë të atilla sa të krijojnë një gjendje shumë të vështirë psikologjike.

Nga ana tjetër kjo ditë merr një rëndësi të madhe jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit për të cilët kjo ditë nënkupton se “fëmija u rrit”.

Megjithatë, pavarësisht përjetimit të veçantë emocional, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët, dita e parë e shkollës shënon mbi të gjitha fillimin e një etape të re në jetën e fëmijës. Duke filluar nga kjo ditë, ai mëson dhe përfton dije dhe aftësi, dita ditës, që e përgatisin atë për jetën si i rritur. Njihet sa e rëndësishme është familja në formimin e personalitetit, por pjesa më e madhe e ideve, e opinioneve dhe e bindjeve të një të njeriu, zhvillohen në shkollë, pikërisht përmes njohjeve të këndvështrimeve të ndryshme, që lidhen mes tyre. Shkolla është një agjent formues dhe edukues, që luan një rol shumë të rëndësishëm shoqërizues  për individët në moshën e rritjes. E ndodhur midis familjes nga njëra anë dhe shoqërisë nga ana tjetër, ajo përgatit fëmijën për rolin e tij si i rritur i ardhshëm. Sigurisht, shkolla nuk përfaqëson vetëm një institucion që zhvillon detyrën e të mësuarit të aftësive dhe të dijeve, por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi, e cila edukon vlera të caktuara dhe rregulla të bashkëjetesës civile në komunitet. Impakti  që ka shkolla në jetën e fëmijës ndjehet edhe në mënyrën e sjelljes së tij. Nëse në shtëpi fëmija është i llastuar, ndjehet i sigurtë, e duan të gjithë, është në qendër të vëmendjes, të gjithë janë të përkushtuar pas tij, në shkollë i duhet tw veprojw pwr t’ja dalë i vetëm, të krijojë shoqëri  të re, të përpiqet të gëzojë edhe pëlqimin e mësueses.

Zhvillimi i aftësive shoqërizuese përpara se fëmija të shkojë në shkollë, është thelbësor për ecurinë e mëtejshme të tij. Por  që dita e parë e shkollës të jetë një përvojë sa më e këndshme, me sa më pak stres, kjo varet edhe nga prindërit. Për këtë do të ishte e udhës sidomos për fëmijët e klasës së parë që prindërit t’i njihnin me shkollën që gjatë ditëve të pushimit, duke i çuar në shkollë, duke i familjarizuar me rrugën, madje duke e njohur edhe me vetë mësuesen.

Fëmija përfshihet në një raport afatgjatë me shkollën dhe me studimin, por nëse ai do ta fillonte këtë rrugëtim me një përjetim pozitiv, atëherë për kryerjen e tij, koha e kaluar në shkollë do të jetë më e pëlqyeshme dhe më eficiente. Procesi i shkollimit i cili nis me këtë ditë, është një proces i gjatë edhe për transformimet psikologjike që ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijës.

Përmes procesit të shkollimit, shoqëria garanton një nivel të caktuar solidariteti dhe njësimi shoqëror, duke transmetuar ndjenjën e përkatësisë dhe të besnikërisë tek e njëjta kulturë dhe tek i njëjti grup. Përveç kësaj, përmes procesit edukativ, shkolla  u mëson fëmijëve se si t´u binden rregullave të lëna pas dore nga mësimet prindërore, i aftëson në identifikimin e roleve që lidhen me autoritetin (mësuesi, drejtori), me përpikërinë (orari i mësimeve, testimet, dorëzimi i detyrave etj.), me vetëvlerësimin (vlerësimi i vetes me të njëjtat kritere që aplikohen tek të tjerët), me respektin ndaj të tjerëve etj.

Parë nën një këndvështrim sociologjik, vlerat e shkollës janë stimuj për forcën e brendshme të individëve dhe për intelektin e tyre. Normat që e udhëheqin janë frekuentimi dhe aktivitetet brenda tij, pozicionet dhe rolet në këtë institucion janë ato të mësuesit, nxënësit, drejtuesit etj., kurse grupet janë ato të nxënësve, të mësuesve etj.

Shumë shpesh raportet midis fëmijëve, që ndërtohen brenda shkollës mbeten të rëndësishme përgjatë të gjithë jetës, veçanërisht në rastet kur lëvizshmëria është e paktë dhe individët ruajnë të njëjtin grup miqsh përgjithmonë. Përvojat e fëmijëve në shkollë shoqëria duhet t’i shohë si ndërthurje të modeleve të solidaritetit dhe të konkurencës sepse dhe marrëdhëniet që ata krijojnë, por edhe vetë efekti i shoqërizimit mbi ta  zhvillohet midis dy poleve: atij të solidaritetit dhe të konkurrencës.

Që në ditën e parë të shkollës, të inkurajuara nga shoqëria, solidariteti dhe individualiteti mes fëmijëve që përforcon atë që i bashkon dhe atë që i bën të barabartë, dhe që synon t´i dallojë ata ndërmjet tyre, do ta bënte vijueshmërinë në shkollë më të pëlqyeshme dhe më mbresëlënëse.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: