Marjan Sebaj-Sopi: Krishterimi ndër Shqiptarë
| E Enjte, 06.09.2012, 06:39 PM |

KRISHTERIMI NDËR SHQIPTARË

“Shqiptarët të parët në Ballkan dhe Europë, të cilët e përqafuan krishterimin, madje që nga themelimi i tij.”

Nga Marjan Sebaj-SOPI

Ilirët, të cilët ishin paraardhësit tanë, kishin fatin e madh e të papërsëritshëm, që të ishin ndër popujt e parë në Ballkan dhe Europë, të cilët e përqafuan krishterimin, madje që nga themelimi i tij. Mbi këtë të vërtetë historike  dhe biblike, na dëshmojnë burime të shumta; Biblike (krhs.Tit 3,12; Rom. 15, 19; 1Sel. 1, 8 etj) pastaj burimet historike. Këto të fundit, në përpikëri pëlqehen me burimet biblike, siç mund të përmendet shembulli me burimet e shkrimtarit pagan Plinit të Ri (111-113), të cilat na flasin pikërisht për këtë. Përveç këtyre, kemi edhe burimet e shkrimtarit të atëhershëm të krishterë Tertulianit (200-206) e ngjashëm.

Një nga dëshmitë e mëdha, se në këto hapësira, krishterimi ishte prezent qysh në shekujt e parë, janë edhe martirizimet që kanë ndodhur në territorin e Dardanisë (Kosovës së sotme). Si shembull të rëndësishëm, nga shumë marterizimeve sjellim këtu, martirizimin e Shën Florit dhe Laurit te Ulpiana (vend afër Prishtinës), të cilët u martirizuan gjatë sundimit të Licitit (shek.III). Pastaj, një nga dëshmitë e mëdha të pranimit të krishterimit në hapësirën e Ballkanit tonë, janë edhe burimet  e shkruara Kishtare. Në vitin 325 në Nike e dimë se është mbajtur Konçili i madh Kishtar me prezencë të 318 etërve konçiliar kishtar, në mesin e të cilëve ishte edhe “Dacus Dardaniae” (Dakusi metropolit i Kosovës) kështu u nënshkrua në aktet përfundimtare konçiliare. (Shih: Dr.Gaspër Gjini, “Ipeshkvnia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, Ks- Drita, fq. 21-24).

Kështu që, mund të themi me një siguri të plotë se, Ilirët e pranuan krishterimin, (nën rreziqe e martirizimeve të mëdha) qysh në tre shekujt e parë dhe atë nga vet apostujt. Në realitet, kjo ndodhi pikërisht nga Shën Pali dhe nxënësit e tij, dhe atë vullnetarisht dhe me vetdëshirë, madje edhe pse ishin të vetëdijshëm për faktin se për këtë do të jenë të përndjekur, martirizuar, dhe të vrarë nga sundimtarët romak.

Mirëpo, edhe përkundër faktit se me Ediktin e Milanos të vitit 313 u dha liria fetare, që kushdo mund të shpall dhe të besoj lirshëm e haptazi fenë (besimin) e vet, prapëseprapë duket që ky vendim për popujt e këtyre viseve nuk pati asnjë efekt pozitiv, sepse martirizimi, përndjekjet, vrasjet për shkak të emrit të Jezu Krishtit, edhe për një kohë të gjatë vazhduan, madje, për fat të keq këto u përsëritën dhe vazhduan thuajse deri në ditët e sotme.

Pas periudhës së lavdishme (por të shkurtër) të rritjes, lulëzimit e zhvillimit të krishterimit në mesin e Ilirëve, si dhe mes popujve fqinjë tjerë, do të pasojë dyndja e popujve barbar: Ugar, Avar e të tjerë, si dhe në veçanti ardhja e popujve sllav. Këto dyndje prishën balancet dhe ishte një goditje e rënd për Ilirët, mirëpo më tepër ishte goditje e rënd në rrafshinë kulturor, ekonomik, shoqëror, gjuhësor se sa goditje sa i përket anës fetare. (Vep.cit. G.Gjini fq. 72-78).

Dhe pas gjithë këtyre zhvillimeve të hovshme e dramatike, atëherë kur menduam se u stabilizuam pak a shumë, dhe se i erdhi fundi gjithë të këqijave dhe punët do të nisen e drejtohen në të mirë për këtë popull, vijnë tundimet dhe sprovat e reja që do të kenë një ndikim negativ në historinë shqiptare në përgjithësi.

a/ Si u islamizua populli shqiptar

Në fillim të shekullit XIII dhe XIV Turqit (më vonë Perandoria Osmane) ishin të fortë e fuqishëm, sikundër në rrafshin ekonomik po ashtu edhe në atë ushtarak. Mirëpo, me këtë ju zgjeruan pretendimet dhe aspiratat për të marshuar në drejtim të Europës. Në këtë drejtim, ata u vërsulën me sulme të cilat ishin të shpeshta dhe të mëdha. Ky ishte një kërcënim i madh, jo vetëm për Shqiptarët, por edhe për gjithë Europën e krishterë të kohës.

Pikturë murale në Kishën e “Shna Ndout”-Binçë /Martirët e Karadakut 1846-1848/

Këtë kërcënim të madh nacional dhe fetar natyrisht se e hetuan edhe Shqiptarët, kështu që aq sa ditën dhe mundën u organizuan për t’i rezistuar pushtimit turk. Meritë të madhe, për këtë organizim, në mbrojtje të identitetit fetar e kombëtar, ka heroi ynë Gjegj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468). Ky, me një sukses të madh, me një trimëri të paparë dhe urtësi të madhe arriti t’i bashkoi gjithë shqiptarët. Dhe kështu, përgjatë 24 viteve do të jetë mbrojtës i Shqiptareve dhe i mbarë Evropës nga Turqia. Si rezultat i kësaj lufte të paepur dhe gjigante, me plotë të drejtë Papa Piu II e quajti “Mbrojtës i fesë”.

Mirëpo, pas vdekjes së tij, ushtria shqiptare pësoi një rënie dhe dukshëm u dobësua. Ishin këto vite të tmerrshme, kur filloi edhe terrori i paparë mbi popullatën shqiptare. Fillojnë rrënimet e Kishave dhe objekteve tjera fetare, pëson populli, ndërkohë që këtij terrori nuk i shpëtoi as Kisha dhe as kleri i saj. Vriten ipeshkvinjt, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, me mijëra e mijëra persekutohen e dëbohen jashtë atdheut (si shembull kemi arbëreshët, të cilët sot i kemi në Italinë Jugore, pastaj një koloni e madhe në Rumani, Ukrainë e gjetiu).

Lidhje me këto persekutime apo edhe gjenocid (atëherë nuk njihej kjo shprehje) shpeshherë u lajmërua edhe Selia e Shenjtë. Me një rast, Imzot Pjetër Mazreku, ipeshkëv i Barit, kështu lajmëron Selinë e Shenjtë mbi gjendjen e këtij populli të mjerë nën pushtimin e sundimit turk. Ai mes tjerash, shkruante kështu; “Populli shqiptarë është një ndër popujt më të mjerë dhe të harruar (lënë), të braktisur”, dhe më tutje shpjegon arsyen: “i përndjekur nga Turqit, dhe shizmatikët (domethënë ortodoksët në të shumtën nga Serbët dhe Grekët).

Pikturë murale në Kishën e “Shna Ndout”-Binçë /Martirët e Karadakut 1846-1848/ 

Edhe përkundër situatës së rëndë dhe kohës së vështirë, që të mos ndodhtee rrënimi (apo edhe zhdukja) plotë e identitetit fetar e kombëtar të popullit shqiptar, doemos duhet falënderuar, pikërisht klerin katolik shqiptar, i cili me jetë, fjalë, shembull (nganjëherë kur e kërkonte nevoja e domosdoshme edhe armë) mbrojtën fenë, gjuhën, traditën, kulturën, me një fjalë mbrojtën popullin shqiptar nga rrënimi i plotë nga perandoria osmane. Ta përkujtojmë si shembull të vetëm Pjetër Bogdanin, Lekë Bogdanin, Mosn. Nikollë Kazazin dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët flijuan jetën e tyre për popull. Lidhje me kalimin e popullit shqiptar nga krishterimi në islam rol të madh pati pikërisht ai terror i pashembullt i ushtruar ndaj tij, pra vrasjet, persekutimet, pastaj dënimet e mëdha e të rënda, si dhe tatimet e marramendëse të larta, ku shqiptarët ishin të detyruar t’iu paguajnë Turqve (perandorisë osmane), pastaj kishte kufizime të ndryshme, si dhe haraçi në gjak, etj, etj... Mirëpo, përveç këtyre elemente të përmendura, edhe një ndër shkaqet tjera të kalimit të shqiptarëve në islam, ishte numri i vogël i meshtarëve, domethënë mungesa e tyre. Kështu që populli mbeti sikur delet pa barinj, pra në mëshirën e pamëshirë të gojës së ujqve. “Populli shqiptar u mbrojt siç diti dhe mundi, mirëpo pranë dominimit shumëshekullor turk shumica me dhunë e përqafuan (pranuan) islamizimin, mirëpo fatbardhësisht askurrë nuk u shkëputën tërësisht nga kultura, tradita dhe krishterimi i lashtë dhe i përbashkët Iliro-shqiptar, pra nuk u shkëput nga kultura dhe civilizimi evropian. (Shih; Dr. Lush Gjegji, “Bogoslovska smotra, viti 53. nr. 1-2 Zg. 1993)

b/ Gjendja e shqiptarëve në mes dy luftërave botërore!

Vuajtjet e shqiptarëve, përgjatë historisë nuk kishin të ndalur. Lirisht themi se edhe shekulli i kaluar, pra shekulli XX për gjithë neve shqiptarët ishte një shekull i komplikuar, me plotë vuajtje, dhimbje dhe i mundimshëm, me shumë periudha të kobshëm. Të cekim këtu vetëm disa fakte: shpërngulja periodike e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore, shpërngulja e më shumë se 500 mijë veta. Atëbotë dhunshëm nga ipeshkvnia përndjekjet ipeshkvi Lazër Mjeda (1922)/. Gjatë kësaj periudhe, mbyllen gjitha shkollat në gjuhën shqipe, haptazi e botërisht përndjekjet Kisha katolike, vriten tinëzisht fretërit Atë Shtjefen Gjeçovi-Kryeziu dhe Atë Luigj Palaj (1913). Ndërkaq Ipeshkëv do të emërohet slloveni Ivan Gnjidovec (1924) e më vonë një kroat nga Bosnjë e Hercegovina, me emrin Smiljan Franjo Çekada (1940). Gjitha këto fakte, flasin dhe dëshmojnë mbi diskriminimin, dhunën sistematike mbi popullin shqiptar në Jugosllavinë e vjetër (Vep.cit. Dr.G.Gjini: fq. 193-195; 200-203).

Edhe pas luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët në përgjithësi ishte gjendje e vështirë dhe rrezikshme, me liri të kufizuar dhe me pamundësi për t’u zhvilluar të lirë. Komunizmi ateist sulmon fenë dhe në veçanti Kishën katolike dhe klerin e saj. Kështu, prapë vuajtja e jonë ishte e dyfishtë: si katolik dhe si shqiptar. Gati se të gjithë meshtarët tanë (Don Pjetër Berisha, Don Dedë Ramaj, etj) kalojnë dhe e provojnë Kalvarin e burgjeve, keqtrajtimeve dhe sulmeve të pamëshirshme të regjimit komunist. Kur filloji komunizmi jugosllav të jetë me kohë gjithë e më i “butë” sa i përket lirive fetare, me këtë edhe Ipeshkvnin Shkup-Prizren gradualisht përmirësohej dhe zhvillohej gjithnjë e më shumë.

c/ Gjendja e sotme fetare ndër shqiptar!

Populli shqiptar, siç e cekëm edhe më lartë, historikisht trashëgoi dy fe: Krishterimin dhe Myslimanizmin. Krishterimi, po ashtu ndahet në dy Kisha: në atë Katolike dhe Ortodokse, ndërsa  Myslimanizmi (shiit dhe sunit) ndahet gjithashtu  në: myslimanizëm dhe bektashizëm.

Është fakt se populli shqiptar është i ndarë në dy fe, mirëpo fatbardhësisht jo edhe i përçarë. Këtë e dëshmojnë historia e jonë shumëshekullore, por edhe më tepër e dëshmon e sotmja dhe do ta dëshmoi edhe e ardhmja. Pasi që e dimë se si u përhapë islamizmi ndër shqiptar, domethënë, kryesisht përmes ushtrisë, e cila kishte karakter e qëllime pushtuese, ushtarako-ekonomike, politike. Në këtë mënyrë, e shfrytëzonte fenë si vegël për të sunduar, e shtypur apo diçka të ngjashme. Në këtë mënyrë dhe “feja e tillë nuk ka zënë vend dhe nuk ka depërtua thellë” deri në zemrat e njerëzve. Pikërisht edhe për këtë, në popull gjithnjë ka ekzistuar dhe ende edhe sot “Ndër shqiptar ekziston vetëdija e përkatësisë së përbashkët kombëtare (nacionale) shqiptare, si dhe fesë së përbashkët të krishtere me shekuj, si dhe vetëdija e pranimit se më parë, dikur të gjithë ishim të krishterë, apo siç dëgjojmë sot nga shumë vëllezër tanë mysliman, “Feja e jonë e moçme” (Shih; Dr.Lush Gjergji, Cattolici e musulmani nel Kosovo, u:L altra Europa, XVI, 42/236/, III-IV; 1991 fq. 149-151).

Atëherë duke shikuar dhe kuptuar këtë fakt, nuk është edhe për tu habitur që vëllezërit tanë të konfesionit mysliman me krenari e mburrje e pranojnë ipeshkvin e Ipeshkisë së Kosovës si ipeshkëv të vetin (tyre) dhe po ashtu meshtarët dhe rregulltarët e rregulltaret. Për këta shërbyes të Zotit, ata me kënaqësi thonë: “Ipeshkvi jonë”, “prifti jonë”, apo “motrat tona”, e shprehje të ngjashme.

(Libri; “Migrimi plagë shumëshekullore”,  Marjan Sebaj-Sopi,  Prishtinë 2012)



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: