Fritz Radovani: ''Arratisja'' e mbetun ''Tentativë''
| E Diel, 02.09.2012, 12:30 PM |

“ARRATISJA”  E  MBETUN  “TENTATIVË”…

Në 45 vjetorin e “Revolucionit Kultural”…

Nga Fritz RADOVANI

Jam shumë i sigurtë se mbas pak vitesh ngjarjet që kemi jetue para 45 vjetësh në periudhen e “Revolucionit ideologjik dhe kultural” të vitit 1967, jo vetem nuk ka me i besue njeri dhe as me i kujtue si ditët ma të zezat apo të mnershmet në jeten e atyne njerzëve që kanë pasë rrezikun me u perfshi në Gjenocidin e PPSh, kunder popullsisë katolike, por dhe kanë me u quejtë fantazi “artistike” e atyne që kanë shkrue ose tregojnë çka kanë kalue ata vetë…ndër ata vite aq të vështira të jetes së “lumtur” që solli Partia.

Mbas “prishjes” me sovjetikë, në vitin 1961 – 62, Shqipnia komuniste nuk pranoi me ba ndryshimet që ua kërkoi kampi socialist, i quejtun nga Enver Hoxha “revizionist”, mbasi ata rrezikonin kolltukët e udhëheqësve të PPSh e mund të sillnin edhe ndryshime, gja me të cilen nuk pajtoheshin çifligarët e shtetit shqiptar, që tashma Shqipnia ishte ba një çiflik i tyne...ku mbi 2 miljon shqiptarë punonin vetem me mbushë xhepat e tyne.

Fushata kunder Fesë dhe Klerit Katolik në veçanti arritën në kulmin e tyne në atë vit kur u shpall nga E. Hoxha “Fjalimi Programatik” i 6 Shkurtit 1967. Byroja Politike e KQ të PPSh filloi zbatimin e projekteve disavjeçare të mbetuna në sirtarët e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, prandej edhe “Revolucionin” do t’a drejtonte vetë udhëheqja e PPSh, pra çdo vendim do të buronte nga Byroja Politike dhe do të kontrollohej në bazë nga antarët e saj, bie fjala, në Shkoder erdhi vetë Ramiz Alia për këtë qellim.

Mbas “demaskimit” ndër mbledhje lagjesh dhe arrestimit të Don Mark Hasit, At Pjeter Mëshkallës, At Gegë Lumës e At Gjergj Vatës, me të cilët u veprue me bujo tue grumbullue plehun e gjithë Shkodres ndër ata mbledhje, dhe tue zbulue haptas fëtyren e vet anadollake kunder Fesë Katolike, e cila “ishte bërë pengesë për ndertimin socialist” në Shqipni, Buroja Politike si duket filloi me kuptue se Populli nuk asht i knaqun me këte formë që po veprohej, kështu, jo ma me mbledhje e ceremoni në Institutin Pedagogjik të Shkodres, filloi me ba arrestime klerikësh ndër lagje, fshatra e kooperativa bujqësore...

Tue kalue krejt rasisht në Gjuhadol, me që filloi me rrigue pak shi, u ndaluem me mikun tim Sander Troshani nën ballkonin e shtëpisë së Daberdakut, perballë Kishës së Motrave Stigmatine, që filloi të thirrej klubi “Rinia”, ku zhvilloheshin edhe gjyqet kunder Klerikëve Katolikë, që “vazhdonin veprimtarinë e tyre armiqësore kundër pushtetit”!..

Edhe pse shiu randohej, shiheshin disa “fytyra” të njohuna agjentash të sigurimit të shtetit në lëvizje andej nga klubi, ku nuk vonoi me ardhë edhe një kamjon i vogel me disa policë, që zbriten, e mbas tyne dhe dy Burra të pranguem, që i sollën aty për me u ba gjyqin. Ishin Don Nikollë Mazrreku dhe At Zef Pllumbi, të cilët i njihnim prej shumë vitesh... Edhe na provuem me u afrue aty. Një polic na ftoi me hy, por me u ngjitë nalt ku ishte pa u prishë vendi i korit të kishës, mbasi poshtë ishin vendet e rezervueme per “të ftuarit”...qё iu shikeshin duert nga duertrokitjet e vazhdueshme...

U ngjitëm. Ishte hera e parë që hyja në sallen ku zhvillohej një gjyq politik. Per pak minuta unë nuk e kisha pa veten, por ma vonë më pat shpjegue Sandri, sesi më kishte vrejtë ndryshimin e ftyrës dhe njëfarë shqetsimi të pakuptueshem nga ana ime.

Filloi gjyqi i dy klerikëve “armiqë të popullit”, që jo vetem kishin “propaganduar” kunder pushtetit popullor, “Revolucionit kultural” dhe ndalimit të Fesë nga “vetë” Populli Shqiptar, por edhe mbasi nuk kishin gjetë “vrimë ku të futnin koken e tyre, kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi...të dy bashkë...”.

Ajo që më ka mbetë e pashlyeme në kujtesen time, asht gjakftohtësia e Atyne dy Burrave kur çoheshin me folë, tue mos iu ba pershtypje fare thanja dhe persëritja disa herë nga prokurori Faik Minarolli dhe kryetari i gjyqit Nuri Resmja, se “neni me të cilin ju akuzoheni per tradhëti të naltë... përfshinë edhe dënimin me vdekje.”

Asnjeni as tjetri nuk ndryshonin as zanin, as ftyren, kur çdo fjalë që thonin Ata të dy ishte pa asnjë dyshim e peshueme dhe e mendueme mirë, po edhe e shfaqun me guxim e pa pikë frike nga vendimi që mund t’ju jepej, “me pushkatim”. Nënza, mbasi s’ kishim njeri pranë, u solla e i thashë Sandrit: “Më duket se kujtojnë se janë tue predikue!!”

Erdhi një moment që Don Nikollit, sa njeni sa tjetri, filluen me i pré fjalën... Ishte fjala per letren që i ka shkrue Kordinjanos me pseudonimin Nik Barcolla, kur ai kishte fye Popullin Shqiptar, por nuk ishte mjaftue me kaq, por edhe kishte shkrue kunder një figure tjeter, Bismarkut të Gjermanisë, kur i pat thanë një delegacionit nga Shkodra: “Ju Katolikët Shqiptarë, sa rrini e vueni nen sunduesit otoman, që keni mbi krye në Shqipni, pse nuk ktheheni edhe ju Muslimanë e me shpetue nga persekutimi i tyne?”... Don Nikolli kishte ba një studim të plotë, ku jo vetem tallej me idenë e Bismarkut, po në perputhje me idenë e tij, tashti Don Nikolli vinte pikpamjet e “Revolucionit kultural”, që po na detyron “ose me u ba Musliman, mbasi me ta ju nuk po keni probleme, se nuk keni as arrestue dhe as demaskue asnjë Hoxhë, por tue na dhunue kësisoji si po veproni me né Katolikët, na nuk kemi rrugë tjeter, vetem me ikë dhe me ua lëshue Shqipninë ju!”

Prokurori mendoj se e zuni Don Nikollin “mat” dhe filloi me vrritë per arratisjen.

Don Nikolli me dashje “harron” rrezikun e jetes nga neni i arratisjes dhe fillon me i shpjegue se “çka quhet arratisje në Shqipni, dhe çka quhet tentativë në kodin penal?”

“Dy të rijë shumë të lumtun, mbasi kanë realizue edhe qellimin e dashnisë së tyne dhe janë fejue, kanë dalë një të diele mbrame me ba xhiron e parë në Fushen e Çelës...

Të gjithë çka janë n’ atë pjacë sjellin koken me shikue çiftin e ri të lidhun bashkë krahperkrah, që u duket se gjithë bota asht e tyne. Harrojnë me pershndetë të njohunit, se rrinë tue shikue sytë e njenitjetrit, kah endè nuk i besojnë realizimit të andrres së tyne...

Ndigjohet zhurma e një aeroplani që po fluturon shumë nalt...

I fejuemi pyet vajzen: A do të pelqente me pasë me hypë në aeroplan dhe me pa Shkodren si duket tash naten nga nalt? – Ah sa e knaqun do t’ishe me ngja kjo gja! - Iu pergjegjë vajza tue mbështetë kryet per krahun e djalit që nuk ngihej tue shikue...

Një agjent i juej, i denoncon dy të rijtë në sigurim persa ka ndigjue.

Ju ata dy të rijë qё “fantazojnё” i dënoni nga 25 vjet burg për tentativë arratisje...

Ky asht kodi penal me të cilin do të na dënoni edhe né!..”

Don Nikollë Mazrreku, ka ba 37 vjet burg e interrnim...

U mbyll ajo seancë e nuk kam shkue kurrëma me hy nder salla gjyqi...


Melbourne, 2012.

(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: