Besim Muhadri: Vendi i Mehmet Cenës në fushën e pleqnarisë dhe të mendësisë popullore shqiptare
| E Hene, 20.08.2012, 04:00 PM |

Letërsi popullore: Studim

VENDI I MEHMET CENËS NË FUSHËN E PLEQNARISË DHE TË MENDËSISË POPULLORE SHQIPTARE

NGA DR. BESIM MUHADRI

Mehmet Cena u lind në Demjan të Hasit më 1908 dhe po në këtë vend ai vdiq në vitin 1984. U rrit në një mjedis familjar ku tirrej mendimi i hollë e fjala e mençur matej në kandarin burrërisë. Shumë shpejt arrin që të përvetësojë njohuritë që i ofronte oda dhe nga ndejat e shumta, nga bisedat që zhvilloheshin aty, ai arrin të përvetësojë jo vetëm njohuritë, por edhe oratorinë. Shumë shpejt ra në sy mprehtësia e tij për të mbajtur mend, për të interpretuar dhe për të gjykuar drejt. Thonë se kur dëgjonte një bisedë, një histori, etj., ishte në gjendje që me të parën ta regjistronte në memorien e tij dhe kurrë të mos e harronte. Përveç kësaj ai ishte edhe një humorist i përsosur.

Mehmet Cena në mes Xhemajl Abrisë dhe Dervish Goxhulit

Mehmet Cena një pjesë të mirë të jetës së tij e kaloi duke u marrë ndarje pleqnie e pajtim gjaqesh. Pas vete la një veprimtari të mirë edhe në fushën e frazeologjisë popullore dhe të anekdotave, shumica prej të cilave ishin të vetat, por kishte edhe nga ato që i interpretonte dhe ju jepte ngjyrën e realitetit kohor e hapsinor. Pra bëntë përshtatjen e tyre, në mënyrë që t’i bënte sa më të afërta, sa më të kuptueshme dhe sa më të kapshme për mjedisin. Duke parë gjithë opusin e veprimtarisë së tij, qoftë atë të mbetur në formë kujtimesh nga bashkëkohësit, qoftë atë të shkruar përmes folkloristëve të dëshmuar e të pasionuar siç ishte Anton Çetta, shtrohet pyetja se cili është vendi i Mehmet Cenës në fushën e pleqnarisë dhe të mendësisë popullore shqiptare? Pas shumë elaborimesh, dilemash dhe pyetjesh, përgjigjja të shpie te konstatimi se Mehmet Cena përveç shumë elementeve dhe përqasimeve e pikave përbashkuese që ka me plaqnarë e njerëz të tjerë të mençur të kohës së tij dhe para tij, megjithatë përafrimet më të dukshme i ka me Xhemjal Abrinë dhe me Dervish Goxhulin.

Po cilat janë karakteristikat e përbashkëta në mes Mehmet Cenës dhe këtyre dy personaliteteve të mendësisë popullore shqiptare?

T’i shohim.

Mehmet Cena dhe Xhemajl Abria

Pleqnari dhe mendtari i Kosovës, Xhemajl Abria vdiq në vitin 1908, mu në kohën kur lindi Mehmet Cena, ndërkaq humoristi, këngëtari dhe mendimtari, Dervish Goxhuli ishte pothujase bashkëkohës i Mehmet Cenës. Që të tre ishin njerëz që kontribuan në aspekte të ndryshme për të mirën e popullit të tyre, qoftë duke i arkëtuar, qoftë duke i pajtuar, qoftë duke i këshilluar. Përderisa Xhemajli dhe Dervishi ishin nga rajoni i Drenicës, Mehmet Cenai shte nga një skaj tjetër i Kosovës, nga Hasi. Që në të dy këto rajone ka pasur burra të mençur e të ndershëm, të cilët dijen e tyre e shkrinë në të mirë të kombit e të vendit të tyre. Ka pasur burra që janë shquar për virtyte të larta njerëzore e kombëtare, kështu që në saje të të gjitha këtyre kontributeve ata sot kujtohen me pietet të lartë dhe kanë mbetur në kujtesën e popullit ashtu sikur edhe ishin.

Po cilat ishin karakteristikat e përbashkëta të Mehmet Cenën më këta dy burra të mençur të Drenicës, të cilët kaluan përmasat e një krahine dhe u shndërruan në simbole të mençurisë e të humanizmit gjithëkombëtar?

Kur jemi këtu, atëherë duhet të ndalemi të karakteristikat që e veçonin Xhemajl Abrinë për të bërë krahasime dhe për të gjetur disa veçori të pëbashkëta të Mehmet Cenës me këtë pleqnar. Sipas asaj që thuhet në librin e Xhemajl Bajramit, “Xhemajl Abria-pleqnar i Kosovës”, i cili përpos që e thotë vet, i referohet edhe studiueseve të tjerë të krijimtarisë dhe veprimtarisë së këtij pleqnari, del se disa nga karakteristikat që e veçonin Xhemajl Abrinë janë:

-          Aftësia për të ndjekur rrjedhat historike;

-          Prirja e jashtëzakonshme për të pleqëruar raste enigmatike;

-          Drejtësia e palëkundur

-          Humanizmi

-          Guximi

-          Thjeshtësia dhe thellësia e mendimit etj.

Por edhe karakteristika dhe veçori të tjera, të cilat në

këtë rast nuk po i përmend. I shënova këto, ngase edhe Mehmet Cenën e karakterizonin të gjitha këto veçori. Mehmet Cena (ndonëse i pashkollë, ashtu sikurse edhe Xhemajl Abria) ishte një personalitet që diti të krijojë dhe të ruajë personalitetin e tij prej mendari dhe humanisti të patejkalueshëm.

Ku fshihen këto virtyte të këtij burri?

Fshihen pikërisht në aftësitë e tij, që edhe i kishte të lindura, por edhe të përsosura gjatë tërë jetës së tij të bujshme. Mehmet Cena më shumë vëmendje kishte arritur të përcjellë rrjedhat historike dhe ishte në gjendje të të fliste me orë të tëra për ngjarje të caktuara historike e me theks të veçantë për ato kombëtare që kishin ndodhur shekuj me radhë. Në këtë pikë ai ua tejkalonte edhe atyre që kishin studiuar në këtë lëmi.

Prirja tjetër, për të pleqëruar raste enigmatike dhe me një drëjtësi të palëkundur e Mehmet Cenës koinçidon me atë të Xhemajl Abrisë, jo se ky ishte i ndikuar nga Xhemajl Abria, por se natyra e tij, e karakterit të tij njerëzor dhe familjar ishte e tillë. Kur kishte filluar të pleqërojë, ai ishte betuar se nuk do të bënte asnjë punë që do të ishte jashtë karakterit të tij, jashtë natyrës së tij, jashtë bindjes së tij. Pajtimet i bënte “Për Riza të Zotit” që ishte edhe moto e punës së tij, sepse këtu ai gjente mbështetjen shpirtërore, morale e njerëzore. Rastet që i pleqëronte Mehmet Cena zinin vend dhe kurrë nuk kishte ndodhur që të përsëriteshin. Kjo kishte ndodhur edhe me Xhemjal Abrinë. Pra, edhe në këtë pikë kemi pikëtakime interesante, ashtu sikurse kemi edhe te veçantitë tjera si ajo e humanitetit, e thjeshtësisë dhe e thellësisë së mendimit.

Thuhet se Xhemajl Abria shpesh rrinte më fëmijë dhe bënte si ata. Këtë nuk e bënte se ai ishte i krisur, mirëpo e bënte që të hyrte dhe depërtonte sa më thellë në shpirtin dhe mentalitetin e tyre. I këshillonte dhe luante me ta. Një karakteristikë të tillë e gjejmë edhe te Mehmet Cena. “Mehmet Cena kur rrinte me burra ishte burrë, kur rrinte me të rinj, bëhej i ri dhe kur rrinte me fëmijë bënte si ata”, thonë të gjithë ata që e njohën. Mehmet Cena i përshtatej moshave, sepse kishte këtë dhunti, gjë që tregonte për shpirtmadhësinë e tij, për virtytet e larta të tij njerëzore e humane. Virtyti i thjeshtësisë është virtyt i njerëzve të mëdhenj që nuk kanë nevojë të duken të mëdhenj, ngase të tillë janë vetvetiu. I tillë ishte edhe Mehmet Cena që sot ka mbetur edhe në kujtesën e pleqëve të sotëm, që dikur ishin burra të pjekur në moshë, të burrave të sotëm, që në kohën e Mehmet Cenës ishin të rinj dhe të të rinjve të sotëm që në kohën e Mehmet Cenës ishin fëmijë fare të vegjël.

Përqasime e pika përafruese në mes Mehmet Cenës dhe Xhemajl Abrisë hasim edhe në shumë aspekte të tjera, si aspektin e gjeturisë dhe menaxhimit të situatave, të cilave u përgjigjen përmes anekdotave të ndryshme, përmes bejteve e fjalëve me “rrotulla”, siç janë të njohura në popull, po ashtu edhe  në aspektin e thënieve, sentencave apo të porosive të ndryshme të tipit “Xhemajl Abria apo Mehmet Cena ka thënë”. Të tilla ka mjaft, të cilat në vetvete ngërthejnë tërë kompleksitetin e mençurisë dhe përvojave të tyre jetësore. P.sh sentencat e Mehmet Cenës Ta majmë veten se nuk na man kush. Sepse vetëm të bashkum mundemi me e ruejt atë që kemi dhe më mbërri atë që e duam...”, apo “Kurrë besë shkaut mos i zë, sepse shkau për atdhe e për interesa të veta asht në gjendje me djegë e me masakrue edhe fëminë e vet, po vendin e vet nuk e shet” koinçidon me atë të Xhemajl Abrisë që thotë se: “Armiku më i madh i shqiptarëve është hasmëria” dhe të shumë të tjerave që kanë të njejtat mesazhe.

Që të gjitha thëniet, qoftë të Mehmet Cenës, qoftë të Xhemajl Abrisë kanë një porosi të qartë, të cilat janë të barabarta me porosinë: Të ruhemi nga armiku që na ka përçarë e na ka shtyrë të vritemi në mes veti. Sepse armiku kur dëshiron të të pushtojë dhe të të sundojë, së pari të përçanë e pastaj e realizon pa mund të madh qëllimin e tij. Maksimën  “përçaj e sundo” e kanë pasur si pikë të parë të gjithë sunduesit e vendit tonë, ngase e kanë njohur shumë mirë mentalitetin tonë e duke njohur mentalitetin e këtij populli ata e kanë ditë edhe pikën e dobët të shqiptarëve- përçarjen. Dhe kjo ka jo rrallë në historinë e shqiptarëve, si në atë të vjetrën ashtu edhe në të renë, që na u ka hakmarrë vazhdimisht e vazhdon të na hakmerret ende edhe në ditët e sotme. Prandaj, si Mehmet Cena, si Xhemajl Abria dhe si të gjithë pleqnarët dhe mendtarët tjerë të Kosovës, e kanë ditë mirë vendin e dhimbjes së popullit tonë, që ishte një plagë e vjetër, prandaj dëshironin që ta shëronin njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që të ecej përpara. Ata shpesh merrnin aksione të pajtimit të gjaqeve në mënyrë vullnetare edhe pa i porositur askush. Organizonin tubime, kuvende pajtimesh të gjaqeve, në mënyrë që të mundnin këtë të keqe. Dhe kjo ndodhte sa herë që duhej të hyhej në luftë për liri. Edhe njëri, edhe tjetri shpesh ishin në krye të pajtimit të gjaqeve.

Kur është fjala te kontributi i  Xhemajl Abrisë që shprehet përmes harmonizimit të normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Sheriatit, që ishte shndërruar në fenomen për zgjidhje të shpejta e të drejta, duke futur risi të domosdoshme, këtë mund ta themi edhe për Mehmet Cenën, me të cilin kemi pothuajse të njejtën situatë”.

Në një rast mund të hasim një vlerësim të profesor Anton Çettës në lidhje me figurën e Xhemajl Abrisë përmes gojës së popullit të Drenicës që thonë: “Sa për Drenicë, burrë mendar, t’nershëm e t’pahile n’mezhliz, si Xhemajl Abrinë s’kemi pasë!” Të njejtat fjalë e vlerësime hasim në Has për Mehmet Cenën. Ja disa nga opinionet dhe cilësimet e hasjanëve që i bëjnë këtij pleqnari e burri të mençur të kohës: “Mehmet Cena ishte plak i së drejtës”, “Njeri i mençur, i urtë dhe i drejtë”, “Njeri i meçëm dhe bujar”, “Fjalët e tij kanë çue peshë dhe janë pranuar”, “Mehmet Cenën nuk ka pasë agë, as bajraktar, as filozof e as fetar me mujt me fjalë e me men”, “I afërt me të gjithë”, “Njeri që ka ditë me amëlzue njerin e jo me qitë n’mal”, “Njeri që i kishte hije me nejt n’ballë t’oxhakut”, ” Njeri me të cilin njerëzit kishin dëshirë me e ndie kah fliste”, “ Njeri që me hi nër nimijë burra i ka pas hije”, “Ku ka shkue e ka ba ka ni shpi”, “Njeri që nuk i ka lanë punët me vegëza”, “Njeri i ndershëm që ka ditë me i respektue të tjerët”, “Njeri që dijen e kishte vu në shërbim të çështjeve të rëndësishme për kombin”, “Njeri që nuk nënçmojke askënd”, “Njeri që e kërkonte vendi dhe kuvendi”, “ Edhe i  mençur, edhe guximtar”, “Njreri që njeriun e çmonte njeriun për kah takati i dijes e jo i pares” si edhe shumë e shumë mendime e thënie të tjera, përmes të cilave shihet qartë publiciteti i tij në popull.

Shumë flitet për Mehmet Cenën e pak ka mbetur nga opusi i tij, ngase ata që kanë ndenjur me të dhe që kanë ndërruar fjalë e muhabete me të kanë vdekur. Janë edhe të tjerë që e kanë njohur, por përveç fjalëve të mira për të, shumë pak anekdota dhe fjalë të Mehmet Cenës dinë t’i tregojnë. Shumica thonë se Mehmet Cena ka qenë njohës i mirë i Kanunit të Lekë Dukagjinit, nga i cili mësoi të pleqëronte raste të rënda dhe enigmatike. Moto e tij gjatë pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave të ndryshme, sidomos të atyre më të rëndave, ishte “Për Riza të Zotit”. Kjo ishte karakteristika e veçantë e tij gjatë pajtimeve, që nuk i linte asnjë hapësirë për t’u korruptuar dhe ta ndante drejtësinë pa hile. Në bazë të kësaj motoje dhe kërkese në formë të lutjes që kishte Zotin në mes, pajtimet e tij, të të gjitha llojeve, kanë zënë vend dhe nuk ka pasur kurrë nevojë të ndërhyhej përsëri. Kur shohim rrugëtimin e tij jetësor e humanitar, vlerësimi na shpie te kontstatimi se Mehmet Cena ishte njeri që kishte një rrem gjinie. Mbante mend shumë dhe dinte t’i interpretonte në mënyrë perfekte. Ishte edhe artist i lindur.

Te Mehmet Cena, ashtu sikurse edhe te Xhemajl Abria, në zgjidhjen e problemeve jo vetëm të atyre të pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave të ndryshme, por edhe të kontesteve të ndryshme familjare gjejmë të gërshetuara mençurinë me praktikën.

Mehmet Cena dinte për mrekulli të menaxhonte situatat në oda, në tubime dhe në ndeja të ndryshme. Ishte orator dhe fjalët e tij pëlqeheshin nga masa. Kështu ishte edhe me Xhemajl Abrinë dhe “natë konak ku ka shkue Xhemajl Abria, asni mashkull s’ka punue, edhe n’koft kanë pika e verës, po janë tubue, m’e e ngue kah flet e me marrë m’sim pej fjalëve t’tij[1]”. Raste dhe thënie të tilla gjejmë edhe për Mehmet Cenën, ndërkaq shembulli më i mirë janë shprehjet që thonë se: “Mehmet Cenës i ka pas hije me nejt n’ballë t’oxhakut”, apo ”Njerëzit kishin dëshirë me e ndie kah fliste Mehmet Cena”.

Për shkak të krijimit të besimit dhe të respektit në popull, në shumë raste të pajtimeve, veçanërisht në raste më të rënda, nuk bëhej pajtimi pa qenë prezent edhe Mehmet Cena. Raste të tilla kemi mjaft, mirëpo një është më i veçantë. Është fjala për rastin e Landovicës ku duhej të pajtoheshin dy familje që kishin në mes vete disa gjaqe e disa plagë. “ Qajo punë nuk po kryhet pa kanë ti”, kujton sot njëri nga dëshmitarët[2] e atij momenti të ketë dëgjuar t’i thonin Mehmet Cenës disa burra që kishin ardhur herët në mengjës ta merrnin e ta dërgonin në atë pajtim. Raste të tilla kishte ende që i kishin ndodhur Mehmet Cenës, por edhe Xhemajl Abrisë vite e vite më parë. Këtë e dëshmon edhe thënia “U shty pleqnia, se nuk erdh Xhemajl Abria.”

Fjalët e burrave të mençur kishin domethënie të mëdha dhe ishte vështirë të zbërtheheshin nga njerëz që nuk kishin dije paraprake e përvoja të duhura të muhabeteve të odave, që i karakterizonte të folurit alegorik e metaforik shumë i pasur dhe i veçantë. Kishte raste që shumë veta në odë nuk i merrnin vesh, prandaj shkonin ditë të tëra dhe diskutoheshin se cili ishte kuptimi i tyre i vërtetë. Kështu kishte ndodhur edhe me Xhemajl Abrinë, por edhe me Mehmet Cenën: “N’i javë jam përmeqatë me ni fjalë t’Xhemajl Abrisë, me dijtë se çka tha, po s’mujta”, ishte një thënie e një drenicasi pas dëgjimit të fjalëve që Xhemajl Abria kishte folur në një odë. Kështu kishte ndodhur edhe me Mehmet Cenën, fjalët e të cilit kishin domethënie të mëdha. Këtë e hasim te rrëfimet e Dan Temajt me titull “Me tri fjalë u morën vesh”, apo rasti i Kolës së Mirditës që “vdiq i ri” duke u munduar t’i merrte qershi të kuqe nuses që e donte shumë, etj,. etj.

Mehmet Cena dhe Dervish Goxhuli

Një tjetër personalitet i mençurisë dhe i dijes është edhe Dervish Goxhuli nga Makërmali i Drenicës, fjalët plot humor të të cilit dëgjoheshin dhe kënaqnin masën.  ”Dimrit ndër ndeje apo dasma, njëqind burra të ishin në odë, zëri i Dervishit dëgjohej më së shumti dhe, kur fliste ai, plaste gazi. Gjithmonë ai ishte shpirti i ndejës dhe i mbledhjes. Me hokat e tij dinte t’i japë akordin, dinte t’i japë një frymë gazmore çdo tubimi burrash[3].

Njerëz të tillë janë të rrallë dhe lindin në kohë të caktuara të historisë. Njerëz që dinë të argëtojnë masën, që dinë të shuajnë problemet edhe përmes humorit, kanë shpirt të pastër prej artisti të lindur. I tillë ishte edhe Mehmet Cena, që përveç oratorisë shumë të zhvilluar, të mençurisë së lindur e të kultivuar, ai kishte dhunti edhe humorin, që e bënte atë edhe më të veçantë, edhe më të dashur, edhe më kërkuar. “Mehmet Cena dasmën e ka hijeshue e dekën e ka lehtue”, shprehet njëri nga të intervistuarit tanë në lidhje me ndërtimin e figurës së Mehmet Cenës. Nëse Dervish Goxhuli ishte edhe këngëtar, edhe humorist, por edhe mendar, këto veti i kishte edhe Mehmet Cena, i cili edhe pse nuk njihet si këngëtar ai dinte të këndonte dhe të luante me çifteli, mirëpo ka ditur të vallëzoje për mrekulli, por edhe të bëjë humor. Humori i tij ka qenë i lehtë dhe është përdorur në forma të ndryshme, që masën e ka argëtuar, apo siç e thotë edhe Marjan Gjon Markaj, e ka hijeshue dasmën. Ky hijeshim është bërë qoftë me fjalë humori, qoftë me fjalë të tjera që kanë qenë me interes për kohën kur janë thënë. Anekdotat e Mehmet Cenës: “N’tri fletë më shkoi në bark pasuli”, “Kosi i Ymer Sufës”, “Tek asht rrëknye vekshi prej Pushtrigut e paska gjetë kapakunn n’Demjan”, “Tri sene s’po ma lanë vendin me ardhë n’Rogovë”, etj. etj., janë anekdota plot sharm humoristik, të cilat koinçidojnë me disa anekdota të Dervish Goxhulit, të cilit ashtu si Mehmet Cenës i kishte hije kur i tregonte apo edhe kur i sajonte aty për aty, sepse i përdornin atëherë kur duhej dhe nuk iu hidhërohej askush. Nuk iu hidhërohej, sepse edhe i thonin “hishëm”, por edhe vetëm për të bërë humor e jo për të ngacmuar apo rënduar dikënd.

Prandaj, duke parë këto dy krahasime, por edhe të tjerat si dhe duke lexuar anekdotat e Mehmet Cenës që trajtojnë probleme të ndryshme, por edhe duke lexuar rrëfimet e bashkëkohësve të tij, mund të vijmë deri të konstatimi se Mehmet Cena, përveç ndikimeve që kishte nga pleqnarë dhe mendtarë me zë të kohës së tij dhe para tij, ai ishte edhe një njeri që kishte dhe dha shumë nga vetvetja, sepse nga mendja e tij e ndritur dhe e përkryer dolën shumë mendime, që po të zbërthehen sot me vëmendje, shohim se ato ngërthejnë në vete tërë kompleksitetin e një dijetari të lindur. Mehmet Cena, qoftë si pleqnar, qoftë si pajtimtar, qoftë si orator e qoftë si prind e kryefamiljar ishte i përkryer.

Duke u shikuar, qoftë nga prizmi i kujtimeve të bashkëkohësve, qoftë të analistëve, etnologëve dhe njerëzve të tjerë kompetentë të këtyre çështjeve, Mehmet Cena pa dyshim që hyn në mesin e njerëzve të shquar të pleqnarisë e të mençurisë shqiptare, të njerëzve të cilët  në mungesë të institucioneve shtetërore e kombëtare, me aq sa mundën dhe ditën, dhanë kontributin e tyre shumë në zgjidhjen e problemve të ndryshme të kohës të paraqitura brenda përbrenda arealit familjar, por që kishin edhe konotacione dhe peshë të madhe e  të cilat në momente të caktuara u reflektuan drejtpërdrejtë edhe në ngjarje madhore kombëtare.

Prandaj, njerëz si Mehmet Cena dhe të tjerët që mbeten një visar i çmuar i kulturës sonë shpirtërore, janë të rrallë dhe, si të tillë, doemos se me plotë meritë mbeten në kujtesën e pavdekshmërisë së popullit.


 

[1] Xh. Bajrami, libri i cituar, f....

[2] Rasim Fejzë Beqaj, arsimtar dhe rapsod popullor nga Ramaja e Hasit.

[3] Anton Çetta “Dërvish Goxhuli, humorist dhe këngëtar popullor i Drenicës”, “Kërkime folklorike”, “Rilindja”, Prishtinë, 1981, f.83.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: