Zeqir Lushaj: Shtëpia e Zotit
| E Hene, 13.08.2012, 08:21 PM |

SHTËPIA E  ZOTIT

- Skicë -

-Çdo 7 Gusht, në Shkëlzen, mblidhen me mijëra besimtarë, nga Malsia e Gjakovës, rrethe të tjera dhe…, nga Kosova- (Tiranë, Gusht, 1991)

Nga: Zeqir Lushaj

Mali i Shkëlzenit. I mrekullueshëm! Ndër më të lartët në Alpet tona, ndër më të pastërtit, ndoshta, të krejt Botës.

Thonë se, edhe vet emri Shkëlzen, vjen nga Shkëlqen (pra, ban dritë).

Dhë vërtetë, Ai mal, shkëlqen. Shkëlqen, në verë nga dielli që e zë “në pikë të sabahit”, dhe e ledhaton në darkë, bashkë me muzgun. Edhe në dimër, Ai mal është shtëpia e parë dhe e fundit e borës së bardhë, ndaj shkëlqen edhe ma shumë se në verë.

Gjithmonë e gjithnjë, ai mal, dimër e verë, sabah e aksham, vetëm shkëlqen. Ndaj është i besueshëm spjegimi për sinonimin e tij: -Shkëlzen=Shkëlqen! Shtëpia e Zotit ban dritë!

E, përveç shkëlqimit natyror, e ka edhe një shkëlqim tjetër, ndoshta edhe më të madh, edhe ma me namë. Shkëlzeni, nëpër shekuj është mbajtur nga disa legjenda, si djep zanash e dragojsh, vendi i orëve e zanave të malit. Nuk janë thjeshtë hipoteza, ide as tregime.

Jo, jo! Për Shkëlzenin, flitet konkretisht, edhe për shkëlqimin e tij. Po pse (?), mund të thotë lexuesi, që ndoshta as ka degjuar, as e ka parë kurrë, atë mal të magjishëm e zëmadh!?

… Jemi në trevën e bëmave të kreshnikëve. Vet mali i Shkëlzenit, është një pikë e rëndësishme e jetës dhe veprës së tyre. Thonë se, Gjeto Basho Muja, mbas vdekjes, këtu, në malin e shenjtë është mbyllur. Po kështu edhe i vëllai Halili. Ata, janë aty, dhe një ditë do të dalin, për të ju thanë “jo” balozëve të detit. Edhe djali i kreshnikut legjendar, Omeri i 7-të,  këtu e ka varrin. Çdo gur i Shkëlzenint, është i lagur nga lotët e pashterrura të Nënës-Ajkunë, në kërkim të të birit.

…E, ndoshta, dikuj-dikuj, koha e kreshnikeve i duket e largët. Por, edhe për varret e mira të Shkëlzenit, ka tregime e legjenda edhe shumë kohë pas Eposit të Kreshnikëve.

Varret, janë pak pa dalë në majë të Shkëlzenit. Në një lëndinë të vogël, në një pozicion që e kundrojnë diellin gjatë mëngjezit e deri në mbrëmje. Gurët e varreve janë të dukshëm e shumbindës. Aty, tubohen çdo 7 Gusht me mijëra e mijëra njerëz besimtarë nga Malsia e Gjakovës, rretheve të tjera të vendit, e nga Kosova.

Pelegrinazhi në Shkëlzen, është festë, festa e Besimit. E, festat e besimit, jane ndoshta, festat më të bukura në botë. Janë festa të shpirtiti njerëzor. Aty, njerëzit shkojnë vetëm me diktatin e ndërgjegjes së tyre të lirë. Pa orjentim nga lart, pa shkresa, pa rrjesht as detyrim kohor, pra janë të vetorganizuar, vetëm me një komande, at’ shpirtërore. Në atë rrugë i shtynë vetëm besimi,  besimi tek Njeriu i Mirë, tek Varri i Mirë.

Edhe njeriu me ateist, e pranon se në këtë botë ka njerëz të  mirë, pra,  edhe varret e tyre, janë varre të mira, rrjedhimisht, vende besimi e peligrinazhi. Janë të shënjëta!

E pra,të tilla janë edhe varret në Shkëlzen.

…Me të drejtë, njeriu i thjeshtë, besimtar apo jo, cilido, edhe lexuesi i këtyre rrjeshtave ka të drejtë të pyes diçka më shume: -More, po ç’janë këto varre? Të kujt janë? Të ç’farë kohe? Pra, ka jo vetem kutriozitet por edhe të drejtë të pyes e të dije diçka më shumë:-Kush?...Kur?...Si?...Qysh?...Tek?...! Në fund:-Pse Shkëlzeni, shihet si shtëpia e Zotit?

Unë, i ”ngacmuar” nga  kjo datë e shënjtë për Tropojën, në këtë fillim gushti, edhe i nxitur nga kohë e re e këtij fillimi të pluralizmit politik në Shqipëri, po e shkruaj këtë skicë, ma shumë si përshëndetje për ata bashkvëndës të mi, që sot, e çdo gusht tjetër ngjiten pa ndonjë pengesë, frigë as paragjykim politik në malin Shkëlzen.

…A ke degjuar, Ti, i dashur lexuesi i shkrimit tim, për malin e Shenjtë të Krujës, dhe për Sari Salltik Babën? Krutanët e kanë njësuar emrin e malit me emrin e njeriut të shenjtë. Ata, kurrë nuk thonë se po shkojmë në mal, por, në Sari Salltik.  Edhe atje çdo vit bëhet festë, pak para festës së Shkëlzenit. Ka një lidhje të madhe mes këtyre dy festave, për të mos thënë se, është, ndoshta-ndoshta e njëjta festë dhe bëhet fjalë për të njëjtin Njeri të Shenjtë.

…I dashuri i Perendise, Njeriu i Mirë, Sari Salltik Baba, është vrarë në malin e Tomorrit të Beratit. Ashtu, me disa plagë në trup, duke kulluar gjak, ka fluturuar dhe, mbi malin e Krujës ka bërë vetëm një pushim të shkurtër…Ka fluturuar prap, dhe ka mund të arrijë deri në Shkëlzen, aty ku ka varrin e behet festa tash e mijëra vjet. Aty, ka dhanë shpirt, dhe është varrosur. (Ndoshta, po shtoj Unë, me fjalet e mia: -i thirruar nga vet Muji e Halili…).

Flitet edhe për të tjerë njerëz e varre të mira në Alpet tona, e veçanërisht në Shkelzen. Disa nga ato edhe dihen ose të paktën përmenden. Shumë të moshuar në Tropojë (aq sa me ka qëlluar, dhe sa me është lejuar mua që të pyes, në kohën që e  lam pas) , kur betohen thonë tekstalisht kështu: -Pasha vorrin  e Mehmet Sheh Shkëlzenit!

…Kjo është një temë shumë e gjërë dhe me shumë interes. Duhen studime e punë serioze në këtë fushë  ku ka të dhëna mijëra vjeçare, paçka se, të lëna në harresë tash 3-4 dekada. Ndoshta shoqatat e historianëve, në bashkpunim me klerikët e të gjitha besimeve, mund të bëjë diçka më konkrete e më shumë në këtë fushë hulumtimi, krejt origjinale. Kjo don përkushtim, don kohë, don edhe fonde, por kurrë nuk nuk mund të jetë pa interes as nuk e zhvleftëson ndonjëherë koha!

Jemi mesuar që gjërat e vjetra t’i kalojmë me një fjalë-Legjendë! Legjendë-legjendë, por, as legjenda nuk lind në truall bosh, nuk vjen nga hiçi…Nuk po shkoj më tej, se, nuk e shoh veten kompetent, më tej cakut publiçistik…, por fusha e hulumtimit është e pafund.

Si sot, e çdo vit, në Shkëlzen dalin me mijëra njerëz, adikatlinj, besimtarë. Janë të

moshave, besimeve e krahinave të ndryshme. Por, në fund të fundit, të gjithë janë të të njëjtit besim: -Besimit tek Njeriu i Mirë.

T’u besojmë Njerëzve të Mirë, baballareve, siç i quan populli. T’u besojmë vendeve të shenjëta! T’u besojmë varreve të mira! Pra, të besojmë TË MIRËN.

Gjithkujt i duhet besimi. Besimi edukon, frenon në të këqijat dhe mobilizon për të  mirë në jetë. Mjer ai që, nuk beson kurrë, e në kurrgjë…Askënd, mos e lëshoftë besimi!

Në fund të fundit, besimi është shpresë, e, shpresa, duhet të humbi e mbramja në këtë botë…Në këtë botë virane, me jo pak trubullime.


NJ, USA, gusht 2012

(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: