Nuhi Ismajli: Poetin e mbron vepra e tij
| E Diel, 12.08.2012, 06:46 PM |

POETIN E MBRON VEPRA E TIJ

Nga Nuhi Ismajli

Në jetën tonë të sotme, shpesh, po ndodhin disa ndodhi, të cilat, për nga natyra, ua kalojnë edhe absurditeteve të dramave të absurdit.

Tani, një nga këto ndodhi absurde, të këtyre ditëve, janë edhe llomotitjet tejet të ulëta të kurrkushëve e të askushëve më të çuditshëm, të cilat po vazhdojnë për poetin e eseistin e shquar, Ali Podrimja, në rastin e vdekjes së tij biologjike.

Dukuria e përmendur, për nga natyra e saj, është shumë absurde, tejet e ulët, e panjohur dhe e dënueshme për traditën shqiptare. Kur vdes njeriu, është e ditur, sipas traditës shqiptare, nuk gëzohet kush (në qe njeri!) edhe sikur të ishte fjala për vdekjen e ndonjë armiku. Vdekja e dikujt e bën tjetrin të ulet të shikojë mëkatin e vet, ta ndjejë tjetrin, fatin dhe anën e mirë të tij, ta shohë më me gjakftohtësi tjetrin dhe vetveten. Po, të ndjejë gëzim, në rastin kur vdes dikush?! O, jo, assesi! Vdekja e dikujt, sipas traditës shqiptare, nuk gëzon tjetrin. Ajo është një shpirtngushtësi që nuk ka të bëjë asgjë me cilësitë njerëzore.

Prandaj, të lëshosh gojën dhe të flasësh keq për dikë, në momentin që ai vdes, është një gjë tejet e ulët, e shëmtuar, që të lë gojëhapur me shëmtinë e saj!

Por, këtyre ditëve, në kundërshtim me traditën shqiptare dhe natyrën njerëzore, ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte.

Ndodhi që, në rastin e vdekjes biologjike të poetit e eseistit tonë të njohur, sipas asaj që patëm rast të lexojmë, të frymëzohen “poetët” e ta akuzojnë poetin e eseistin për disa të meta e borxhe “të mëdha”!

Lexuam p.sh. se ankuesit poeti nuk i paska përfillur, se i paska larguar me arrogancën e tij të sjelljes. Domethënë, sipas kësaj, poeti nuk ka pasur të drejtë të zgjedhë shokët dhe shoqërinë e tij, se ka qenë i detyruar të jetë shok me të gjithë ne, pra edhe me ata që nuk e ka lidhur puna, as jeta; të pranojë në shoqërinë e tij edhe të tillë të vetëquajtur “poetë”. Domethënë, poeti nuk paska pasur të drejtë të sillet sipas karakterit e dëshirës së tij, si gjithë njerëzit tjerë?!

(Vlera e një krijuesi nuk varet nga ajo na qas a s’na qas në shoqërinë e tij. E rëndësishme për krijuesin është që sjelljet dhe veprimet e tij të mos kenë pasoja për individin dhe shoqërinë).

Lexuam po ashtu se ankuesve, në cilësinë e redaktorit për poezi, në redaksinë e botimeve “Rilindja”, poeti nuk ua ka botuar pozitë.

Poeti, si redaktor i poezisë shqipe, ka pasur përpara konkurrencën e vlerave të poezisë shqipe të Kosovës, e cila, siç dihet, ka qenë shumë e lartë. Ai ka meritën se ka parë e respektuar atë konkurrencë vlerash poetike dhe nuk ka lejuar prishjen e atij niveli të lartë vlerash të njohura përmes botimit të pseudovrave. Jemi plotësisht të bindur se nuk ka krijues të madh që poeti e ka penguar të botojë dhe nuk ka vepër të madhe poetike të cilën e ka censuruar.

Në rast se një vepër e akëcilit autor nuk është botuar, për shkak të rrethanave të njohura politike, sërish nuk duhet fajësuar poeti, për shkak se nuk ka mundur të bëjë të pamundurën. Në atë realitet të ashpër politik për shqiptarët, poeti ka bërë atë që ka qenë e mundshme të bëhet: ka mbrojtur veten dhe krijuesin.

Lexuam gjithashtu, se akëcilit “poet”, poeti i paskësh vjedhur vargjet, idetë, figurat…

Pse nuk u tha një gjë e tillë më parë?!

Ku ishin ankuesit e tillë, që nuk u ankuan më parë, po pritën vdejen biologjike të poetit e eseistit?!

Së paku, qe njëzet e sa vjet botimi ka qenë i lirë dhe secili që konsiderohet krijues ka pasur mundësi t’i thoshte ato që kishte pasur për t’i thënë. Secili do të kishte pasur mundësi t’i krahasonte publikisht vargjet e poetit me ato të tijat dhe të shihnim se ç’vargje, ç’ide e ç’figura, poeti i vodhi, në rast se i vodhi, nga të tjerët. Po nuk e bëri kush këtë punë. Pse të thuhet tani kjo gjë?!

E dimë se poeti dhe eseisti krijoi një vepër origjinale. Ai ka vargun e tij të veçantë, një përceptim të veçantë të botës e të jetës, idetë e tij të thella e të rëndësishme, figurat e tij karakteristike dhe nuk kishte pse t’i huazonte prej atyre që as vlenin t’i botonte.

Lexuam se ankuesit e kritikuan për ndonjë poezi, si për atë për Titon. E, pse bëhet tani një reagim i tillë për poetin dhe eseistin e shquar, kur pikërisht tani, madje me shumë mburrje, publikisht flitet e veprohet për përtëritjen e frymës së bashkim vëllazërimit të dikurshëm jugosllav! Pse nuk flitet tani për këtë, po flitet për një poezi të poetit, e cila do kuptuar drejt në kontekstin e krijimit dhe të botimit të saj?

E të tjera. E të tjera. (Filozofi – thuhet- dallohet kur të gjithë budallenjtë grumbullohen kundër tij).

Por, për botën intelektuale dhe krijuesit sadopak të formuar, e lëre më për krijuesit elitë, sa janë neveritëse fjalët çnjerëzore, jokulturore të injorantëve e të pseudokrijuesve kundër poetit e esesistit të shquar, po aq neveritëse për të mbrojtur atë janë edhe fjalët e përpjekjet e mjera të anonimusve, dërdëllitjet e askushëve e kurrkushëve.

Del, si shihet, ai anonimusi, ai askushi dhe injoranti i shkallëë së parë në fushën e letërsisë, i cili nuk i di as gjinitë e llojet letrare të cilat i ka krijuar krijuesi për të cilin flet, ndërsa mundohet t’i tregojë publikut sesa i rëndësishëm qe e mbetet ai.

Nëse kihet parasysh niveli i botës sonë intelektuale dhe krijuese, vërehet se bota jonë intektuale dhe krijuese nuk ka kurrfarë nevoje për fjalët e anonimusve kokëshkretë, të cilët veç sa trondisin keq me injorancën e tyre.

Për botën tonë intelektuale dhe krijuese çdo gjë është e qartë dhe, para saj, poeti dhe eseisti i shquar, as që ka nevojë të mbrohet nga shpifjet dhe akuzat banale. Bota jonë intelektuale dhe krijuese di t’i peshojë sjelljet, veprimet jetësore të poetit e veprat e tij dhe s’është fare e nevojshme që, ai, kurrkushi dhe injoranti i pashoq, të na tregojë se cilat janë vlerat e poetit dhe eseistit të shquar. Çfarë vlere kanë dërdëllitjet në këtë mes ? Kujt i hyjnë në punë ato?!

A ka nevojë të mbrohet poeti nga askushët e kurrkushët? A mund të mbrohet dhe a ka nevojë të mbrohet poeti dhe eseisti i shquar nga ata të stilit: “Poeti, prozatori, shkrimtari…”!? A mund të mbrohet poeti nga llomotitjet përmes llomotitjeve?!

Poeti nuk është engjëll. Është njeri, po me prirjen për të krijuar. Ka vlerat, po mund të ketë edhe të metat e personalitetit dhe të veprës së tij. Por, vlerësimi i vlerave, si edhe i të metave e do momentin, arsyen, urtinë e dijen e nevojshme. Këtë e dinë dhe e bëjnë krijuesit e vërtetë, krijuesit elitë dhe jo askushët e kurrkushët, përmes dërdëllitjeve të tyre të neveritshme.

Poeti, në fund të fundit, nuk ka pse të mbrohet nga askush.

Poeti ka nevojë për qetësi (dhe urtinë tonë!). Nëse ka nevojë për mbrojtjen e dikujt, poetin, në radhë të parë, e mbron arti i veprës së tij, ai që ishte misioni dhe realizimi i tij i pamohueshëm.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: