Hazir Mehmeti: Korça, ky qytet frymëzimi
| E Diel, 12.08.2012, 08:41 AM |

Korça, ky qytet frymëzimi

Fan Noli: ''Shqipëria nuk është vetëm vendi i luftëtarëve  të mëdhenj, por edhe atdheu i artistëve të mëdhenj''

Nga Hazir MEHMETI,  Vjenë

Në qytetin e Korçës qëndruam bashkë me mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë. Korça e bukur historike hapi zemrën e saj bujare ndaj pishtarëve të  mësimit të shkronjave shqipe nga i gjithë kontinenti. Njerëzit e saj, dje e sot, ishin heronjtë e kultivimit të gjuhës, shkronjave e fjalëve të ëmbёla shqipe.

,,Vrameni po mblidhmani gjakun se do t’u duhet nipërve për të shkruar gjuhën shqipe”- porositi Mësuesi Dëshmor. Dhe, gjaku rrodhi damarëve e mendjeve të ndritura të kombit. Edhe sot. Qindra mësues e veprimtarë të frymëzuar nga vepra e pararendësve, themelojnë mësonjëtore për fëmijët mërgimtarë për ta mësuar origjinën, gjuhën e gjeografinë e Shqipërisë Natyrale ashtu si u krijua me shekuj në Gadishullin Ilirik.

Ja, hapat e rënduar e të matur kalldrëmit të lashtë në zemër të qytetit, të Fluturës nga Greqia, të Melonashit nga Italia, Aides nga Anglia, Nexhmijes nga Zvicra, Miradijes nga Austria, Rizёs nga Suedia, Agimit nga Belgjika, Miftarit nga Finlanda, Dritonit nga Gjermania e shumë mësuesve veprimtarë tjerë nga shumë vende, sikur bartin amanetin e  fundit të mësuesit dëshmor. Porosi që çdo shqiptar e bënë të ndihet borxhli ndaj gjuhës si njeri i të njëjtit gjak.

''Vrameni po mblidhmani gjakun se do t’u duhet nipërve për të shkruar gjuhën shqipe''

Secili prej nesh sikur ngutej ta ,,zbulonte” Mësonjëtoren e parë të Korçës, bankat e saj shekullore, t’i prek e ndien forcën e tyre. Tani ato nuk janë vetëm një copë dërrase e thjesht, por  më shumë. Ato tani kanë shpirt. Ato  flasin e tregojnë për një të kaluar, për një përpjekje madhështore në natën e errët aziatike. Tani ato ndriçojnë kur njeriu i shikon me dashamirësi, duke treguar gjurmë jete të mësuesve të parë që dhuruan gjakun për bojë shkrimi të alfabetit shqip, të nxënëseve e nxënësve që do shkriheshin sikur qiriri i Bilbilit të Gjuhës Shqipe për ta ndriçuar mendjen shqiptare gjithandej Shqipërisë. Porosia e tyre nuk mungoi asnjëherë dhe nder mend të vjen i madhi Hasan Prishtina, i cili ngriti shkolla në zemra, në fshatra e qytete, në tërë shqiptarinë. Në testament shkroi: ,,Tërë pasurinë time e falë për arsimin kombëtar”. Ja një rreze e ndritur e kurrë e pashuar nga historia jonë!

Shtëpi e histori, ashtu siç ishte jeta e jonë në kohë. Edhe Korça. Aty pranë Mësonjëtores, një hap tutje, gjendet me artin e tij madhështor, Muzeu i Artit Mesjetar Shqiptar i Korçës. Ciceronia, një vashë e bukur korçare, e filloi rrëfimin e  pritur. Kureshtjen tonë sikur e ngacmonin kërcitjet e shkallëve të drunjta nën këmbët e vizitorëve të shumtë. ,,Këtu, në këtë hapësirë të kufizuar, do shihni të ekspozuara rreth dyqind ikona dhe pesëdhjetë objekte arti prej druri të punuara me mjeshtri”.

Para nesh shfaqet hapësira dykatёshe me shkallë druri në të katër qoshet. Arti post Bizantin ikonografik shquhet me emra artistësh shqiptarë, për të cilët shumica prej nesh vetëm kishim lexuar. Onufri, një legjendë në ikonografi, do jetë frymëzuesi i brezave të artistëve në shekuj. Piktori gjenial shqiptar, David Selenica, vëllezërit Konstandin e Athanas Zografi, Konstandin Shpataraku e shumë të tjerë, e ngritën artin dhe lanë gjurmë jo vetëm në artin religjioz por edhe në atë kombëtar. ,,Shën Gjon Valentini”, pikturë nga Konstandn Shpataraku sjell përzierje elementesh nga veshja, etnografia kombëtare, mbi të gjitha për herë të parë figurën e princit shqiptar, Karl Topisë, të shekullit të katërmbëdhjetë. Kjo që sheh syri ynë e  plotëson thënien e Fan Nolit se:,,Shqipëria nuk është vetëm vendi i luftëtarëve  të mëdhenj, por edhe atdheu i artistëve të mëdhenj”. Mbresat nga pamjet madhështore të artistëve shqiptarë  nga mesjeta janë të natyrshme.

Pasditë e bukur gushti. Në rrugën gjarpërore për në Voskopojë hapeshin horizonte magjepse që flisnin vetё. Kudo gjurmë kohe, dje e sot. Vijëzimet bregoreve deri në lartësi  tregonin një kohë, një dështim trishtues të natës së kuqe. Tani ato sikur kërkonin ndihmën e dorës së njeriut. Erozioni tregonte lojën e tij me buzëqeshjen ironike të dhëmbëve të gurtë. Vapë. Autobusi ngjitej rrugës  me mundim. Dera e hapur ishte ventilator shpëtimi nga zagushia mbytёse. Derisa shikonim fotografitë  e njëri- tjetrit me miken time, mësuesen elbasanase, Besmira, kënga mori gjallëri. Nganjëherë dukej sikur vapa ngulfate këngën tonë. Ndihma e pedagogut të ri nga Gjermania, Dritonit, plotë energji e mbante gjallë ison tonë të molisur. Lutja jonë për freski si duket u pranua. Pikat e shiut filluan të rrëshqasin xhamave të autobusit të ,,plagosur” nga koha. Bubullima dhe rrebeshi u bashkuan me jehonën e Luginës së Korçës, duke u mbytur në Lotin Magjik brigjeve të Liqenit të Pogradecit. Vapa u mbyt në shiun e dendur që na përcolli zigzakeve deri tek Kisha e Shёn Kollit.

Voskopoja, aq sa historike dhe piktoreske, pikonte nga shiu aq i pritur. Aroma e dheut që shuante etje mbaroi nё vrullet e ujit, rropullitë  kalldrëmit të vjetër në ecjen e tij të përjetshme. Kjo sikur trimëroi trishtila e trumcakë që lëshonin zëra gëzimi nga shpëlarja e flatrave të tyre.  Derisa natyra luante lojën e saj të vjetër, ne mësuesit mërgimtarë kërkonim zbulimin e çdo imtësie të magjisë së saj. Na duhej. E ndienim tonën. Voskopoja. Dje, vetëm në ndjenja leximi, sot e preknim atë. Rikujtimet nga librat tani ishin më të afërta. Të prekshme. Rosalba, udhëdrejtuesja, e merakosur nga papërgatitja e jonë për udhëtim në këmbë, kur shiu nuk pushonte, sugjeroi marshimin tonë me tutje sipas agjendёs. Tani zigzakëja  na përcillte teposhtë drejt Luginës. Ylberi shumëngjyrësh mbi Fushën e Korçës kishte zgjatur harkun përtej kodrave dhe dukej sikur e preknim atë në shkëlqimin e pikave të shiut që shkëlqenin para nesh.

Shëtitjen tonë imagjinatave në bukuritë e atdheut do na dhuron koncerti nga nxënës e pedagogё të Liceut Artistik ,,Tefta Tashko Koço”. Krenaria e Korçës. Pritja vëllazërore filloi qё nga hyrja e shkollës. Freskinë në vapën e lartë e sollën tingujt e ëmbël të pianos në lojën e nxënësve të talentuar. Zëri i ëmbël i sopranos na solli në botën e imagjinatës, aty dallohej Tefta Tasho Koço, një zonjë e përjetësuar kudo, portreteve, tingujve, këngëve. Dukej ringjallja e Lasgushit me ,,Kroi i fshatit tonë”  përmes zërit mahnitës të Teftës si relikt në kujtesën melodike të çdo shqiptari.

Sa bukur. Pedagog e nxënës, një harmoni, më shumë se  një mrekulli qyteti e vendi. Në Vjenë kisha parë koncerte të muzikës klasike, por kjo më dukej më e afërt, më prekëse. ,,Talentet korçarë do duhej ta shijojnë kënaqësinë e skenës së djepit të klasikes siç është Vjena”- më thoshte mendja. Edhe Ardita Statovci, kishte vetëm katërmbëdhjetë vite kur erdhi në Austri, kurse tani është në rangun botëror të pianisteve. Kultura i ofron popujt. Ne kemi çka të ofrojmë.

Rrënjët tona janë nga tradita e shkëlqyer në shekuj. Fleminderit ,,Tefta Tashko Koço”! Ne do marrim tingujt e ëmbël porosi në hapin tonë  gjithandej ku jemi si vlerë prezantuese para kulturave të popujve tjerë.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: