Fotaq Andrea: Justin Godari - “Shqipëria më 1921”
| E Diel, 29.07.2012, 08:09 AM |

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë

Liria shqiptare – Recension për librin e Justin Godarit “Shqipëria më 1921”,

Nga Dr. George – Samné

Përktheu Fotaq Andrea

Dr. George-Samné (1877-1938) është një studiues orientalist francez, autor i disa librave dhe monografive. Në revistën e mirënjohur franceze “Correspondance d’Orient”, 15 janar 1922, nr. 277, ai bën një reçencë tepër vlerësuese dhe të mprehtë për librin e Justin Godarit “Shqipëria më 1921”, reçencë të cilën e pamë me vend ta përkthejmë të plotë, nisur nga objektiviteti i autorit në gjykimin e ngjarjeve ndërkombëtare pas Luftës së parë botërore, në kushtet mjaft delikate, politike e diplomatike, që po njihte Shqipëria si shtet i ri i pavarur, përpara lakmive e babëzive për copëtim nga ana e fqinjëve të saj ballkanikë e të përtej Adriatikut.

Me këtë rast, po botojmë edhe disa karikatura të veçanta nga koleksioni ynë, botuar kryesisht në revistën satirike londoneze “Punch Magazine” në periudhën para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për mënyrën se si e konceptonin çështjen shqiptare Fuqitë e Mëdha të kohës. Me lindjen e shtetit të ri shqiptar, mjaft autorë të huaj, të angazhuar politikisht, nuk mungonin të thërrisnin: “Shqipëria, vend i vogël - problem i madh”, duke mbrojtur në mjaft raste interesat e njërës apo tjetrës Fuqi, njërit apo tjetrit shtet fqinj të Shqipërisë. Në ato kushte, kombi shqiptar, me energji të pashtershme mbijetese shekullore, do ngrihej më në fund në piedestal të Historisë së tij moderne si shtet më vete, duke dëshmuar kësisoj për ndjenjën e fuqishme të lirisë e të pavarësisë që vazhdimisht ka ushqyer në luftërat për mëvetësi.

Duke lexuar reçencën e Dr. George-Samné-së për veprën e mrekullueshme të Justin Godarit “Shqipëria më 1921”, kuptojmë edhe një herë jo vetëm dramën që është luajtur historikisht në kurriz të Shqiptarëve që me Traktatin e Berlinit e më pas, por edhe tërë padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar, kur nëpërkëmbeshin interesat e asaj race shqiptare të cilësuar si “dekania e kombeve”; kuptojmë gjithashtu madhështinë e miqve të saj të vërtetë, francezë, anglezë, amerikanë, etj. që ngrinin fuqimisht zërin e tyre deri në Shoqërinë e Kombeve, paraardhësja e OKB-së, për mbrojtjen e të drejtave të kombit të lashtë shqiptar.

Reçenca ka, nga ana tjetër, vlera të mëdha aktuale, sidomos për shtetin e ri të Kosovës në rrugën e tij të përparimit e të fuqizimit, duke ngritur lart para së gjithash e mbi të gjitha,ndjenjën e fuqishme patriotike, mbi dasitë fetare.

F. A.

 

Dr. George Samné – Liria shqiptare

 

Z. Justin Godar, deputet, ish Ministër, ka bërë, në pranverën e vitit që shkoi, një udhëtim të gjatë në Shqipëri. Realizoi një studim të plotë e të thellë për këtë vend, të cilin e njihte tashmë, duke qenë se ka bërë pjesë që në prag të Luftës së madhe (Lufta e parë botërore) në misionin e drejtuar nga Z. D’Estournelles de Constant, i ngarkuar nga Fondacioni Carneige për të bërë hulumtime lidhur me disa aspekte të luftërave ballkanike. Më 1920, Fondacioni Carneige e pa të arsyeshme të plotësonte studimin e filluar më 1913 për Ballkanin, duke ngarkuar Z. Justin Godar të rimerrte çështjen në dorë dhe të realizonte hulumtimet që kishte bërë që para tetë vjetësh. Si rezultat, kemi udhëtimin e tij vitin e kaluar, nga na solli një vepër të bukur (Shqipëria më 1921 – me parathënie të D’Estournelles de Constant), për të cilën ia vlen të tërheqim vëmendjen në mënyrë të veçantë.

Që në faqet e para të këtij punimi të mrekullueshëm Z. Justin Godar jep përshtypjen e tij të thellë me këto fjalë: “Bukuri natyrore, qëndrueshmëri kolektive madhështore, të ushqyera nga një patriotizëm i papajtueshëm, mikpritje familjare me të vërtetë vëllazërore”.

Pasi bën një përshkrim piktoresk të vendit, Z. Justin Godar sjell të freskët historinë shqiptare që prej revolucionit turk – një kujtesë kjo e domosdoshme nëse duam të kuptojmë Shqipërinë, qëndrimin dhe aspiratat e saj.

Shqiptarët panë në revolucionin xhonturk një sinjal pavarësie, e pranuan atë me entuziazëm dhe nisën të organizojnë lëvizjen për lirinë e tyre. Sepse bëhej fjalë pikërisht për liri! Por edhe në këtë rast, sikurse në çështje të tjera, xhonturqit u treguan nxënës besnikë të Abdyl Hamitit dhe e trajtuan si kryengritës popullin e vogël, i cili u pat besuar premtimeve të tyre. Megjithatë, Shqiptarët arritën të fitojnë dhe të shpallin më në fund pavarësinë e tyre në fund të vitit 1912.

Më 1914, princ Vidi u caktua si kreu i shtetit; mbretërimi i tij qe i shkurtër, sepse u kthye në Gjermani me të filluar lufta, duke mos lënë prapa vetes kurrfarë keqardhjeje; ish subjektet e tij as e donin, as e përçmonin, dhe tashmë, ka kohë që e kanë harruar.

Gjatë katër vjetëve të Luftës, Shqipëria nuk mund të themi se pati ndonjë qeverisje. I vetmi përfaqësues i saj, Esat pasha, nuk kishte autoritet; luftënxitësit e kohës i binin vendit kryq e tërthor, pa e kursyer, duke e konsideruar pa të keq si një fushë beteje. Vetëm më 1918, u krijua nën kryesinë e Turhan Pashës një qeveri e përkohëshme që shumë shpejt u përmbys, tek u tregua që në fillim tepër e dobët në qëndresën e saj ndaj ambicieve italiane në Durazo. U krijua një parlament i rregullt dhe nga muaji prill 1921, Shqipëria gëzon më në fund një organizim të vërtetë politik, që premton për qëndrueshmëri. Shoqëria e Kombeve, duke pasur parasysh këtë gjendje të krijuar, e pranoi Shqipërinë në gjirin e saj që në muajin dhjetor 1920.

Shqiptarët, nga pikëpamja fetare, nuk krijojnë një bllok kompakt mysliman, sikurse mendohet më ndonjë rast. Nga 831.000 banorë, në fakt përllogariten 88.000 katolikë dhe 158.000 ortodoksë. Por as që ka mes tyre kurrfarë urrejtjeje e zënka - aq shumë karakteristike këto në vendet e tjera orientale -, për shkak të dasive fetare. Z. Justin Godar është çuditur për tolerancën e përgjithshme dhe mirëkuptimin që sundon gati përherë midis familjeve që i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Patriotizmi qëndron mbi të gjitha e para së gjithash, duke arritur të dalë mbi çdo ndjenjë tjetër. Fqinjët e Shqipërisë, që janë përpjekur të përdorin fenë si mjet propagande politike, në çdo rast kanë pësuar dështime therëse. Dhe pikërisht, krijimi i një kishe ortodokse shqiptare dëshmon më së miri për ndjenjat që ushqen krejt vendi.

Le të kalojmë në të dhënat e çmueshme që na jep Z. Justin Godar lidhur me organizimin administrativ të Shqipërisë, pasuritë e saj natyrore dhe veprimtarinë e saj ekonomike, - të dhëna që e bëjnë veprën një dokument të çmuar; dhe le të pyesim bashkë me të se si ka mundësi që Evropa të jetë treguar aq e verbër për ta konsideruar për një kohë aq të gjatë atë qoshk të vogël të gadishullit ballkanik si një vend pa zot, duke dashur të bëjë si t’i shkrepej për ta copëtuar, thjesht që llokmet e shkëputura nga trungu i saj të shërbenin si monedhë ndërkombëtare shpërblimi.

Shqipëria trajtohej si e prekur nga një anarki e pashërueshme. U ngrit më 1913 në principatë neutrale dhe e pavarur, por askush nuk besonte në zgjatjen e asaj pavarësie dhe më se njëqind herë u shtrua, gjatë luftës, pyetja se kujt do t’i përkiste territori i saj. Që më 1915, iu premtua zyrtarisht Italisë se ajo do të kishte aty një koloni të gjerë e të pasur. Por në Konferencën e Paqes, presidenti Uillson kundërshtoi hapur zbatimin e këtij premtimi, dhe ende nuk janë harruar mëritë italiane sidomos ndaj Francës, e cila për më tepër nuk kishte kurrfarë interesi në këtë çështje.

Veç më 2 gusht 1920, gjatë nënshkrimit të traktatit italo-shqiptar të Tiranës gjendja do qartësohej dhe Shqipëria do e shihte më në fund veten të siguruar ndaj çdo lakmie të huaj. Vetëm ishulli i Sasenos (Sazanit) ka mbetur i pushtuar, por edhe ky thjesht juridikisht, sepse faktikisht është pjesë përbërëse e territorit shqiptar. Po nëse ky shkëmb ishullor na qenka me të vërtetë i domosdoshëm për sigurinë italiane, siç pretendon Roma, Shqipëria atëherë veç të pranojë sakrificën nga ana e saj. Dhe kjo, gjoja për të mos paguar më shtrenjtë sigurinë që i njohën më në fund Fuqitë e mëdha – ndër të cilat Italia – dhe Shoqëria e Kombeve.

Serbët u treguan disi më të matur se Italianët ndaj Shqipërisë, dhe me siguri ngaqë i njohin mirë Shqiptarët, duke qenë tërë kohës fqinjët e tyre të drejtpërdrejtë. Megjithatë e provuan më 1920 të zhvendosnin në dobi të tyre kufirin verior shqiptar, dhe u desh ndërhyrja e menjëhershme e Fuqive të Mëdha dhe e Shoqërisë së Kombeve për të ndalur një konflikt që mund të ndizej rrezikshëm në rajon. Jugosllavia e madhe, ambiciet e së cilës u plotësuan së shumazi, nuk mund të harrojë nga ana tjetër mikpritjen bujare dhe ndihmën e përzemërt që njohu pranë Shqiptarëve Serbia e saj e vogël në çastet e errëta kur territori i saj ishte tërësisht i pushtuar, kur ushtritë iu shpartalluan dhe kur mbarë popullsisë së saj iu desh të bënte një eksod të dhimbshëm nëpërmjet territorit shqiptar. Po sikur Shqiptarët të ishin ngritur kundër Serbëve, kur në fakt ata u erdhën në ndihmë? Veç të shihnim atëherë të fshihej nga harta e Evropës gati një racë e tërë!

Z. Justin Godar na kujton nga ana tjetër ngatërresat e Shqipërisë me Greqinë, sepse edhe kjo e fundit kërkoi gjithashtu të shkelte me këmbë territorin shqiptar, dhe me gjithë ndërhyrjen evropiane, ajo ende nuk ka hequr dorë ndaj synimeve të saj mbi Korçën e Gjirokastrën.

Por do shkonim si tepër larg po të rrinim e të numëronim një për një tërë aspektet e mbrojtjes së Shqipërisë ndaj fqinjëve të saj tepër lakmitarë. Gjërat më në fund u rregulluan apo do të rregullohen edhe më mirë nga sa mund të shpresonte ai popull i vogël, tek i cili patriotizmi i zjarrtë dhe dashuria e tij e madhe për lirinë vlejnë më shumë se gjithçka tjetër.

Z. Justin Godar i ka bërë atij populli  një shërbim të çmuar duke e bërë të njohur në Francë, ku shpesh në publik, Shqipëria konsiderohet si një shprehje e thjeshtë gjeografike dhe Shqiptarët si barbarë, të prapambetur e të egër.

Sapo statusi i saj politik të vijë duke u fuqizuar, sapo ajo të gëzojë plotësisht një siguri të fituar aq shtrenjtë, Shqipëria do t’i kushtohet tërësisht shfrytëzimit të pasurive të veta bujqësore e minerale. Dhe do dijë, pamëdyshje, të tregohet po aq punëtore dhe po aq kokulur në veprat e paqes dhe të përparimit material, sa ç’është treguar përherë e vendosur dhe e papajtueshme kur ka qenë fjala për shpëtimin e saj kombëtar. Ajo zuri vend mirë në familjen evropiane dhe nuk i mbetet tjetër veç të ngrihet një shkallë më lart në këmbimet tregtare dhe të paraqitet e denjë në veprimtarinë ekonomike evropiane. Fuqitë e Mëdha kanë për detyrë ta ndihmojnë atë vëllazërisht, sepse nga përparimi i të gjithëve, nga rregulli më i madh, nga heqja dorë e interesave të ngushtë dhe nga puna këmbëngulëse do vijë bota paqësore e së nesërmes.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: