Avni Bilalli: Emin Fazlija - pinjoll i një familje atdhetare që brez pas brezi ishte në mbrojtje të Shqipërisë Etnike
| E Marte, 24.07.2012, 06:02 PM |

EMIN FAZLIJA - PINJOLL I  NJE FAMILJE ATDHETARE QE BREZ PAS BREZI ISHTE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE

Nga Avni I. Bilalli

Të shkruhet apo të flitet për veprimtarinë mbi pesëdhjetëvjeçare, atdhetare të përsonaliteteve të shquara, që me bëmat e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në faqet e lavdishme të Historisë sonë Kombëtare në periudhat më të vështira nëpër të cilat po kalonte pjesa e kombit, që pa të drejtë e me dhunë u aneksua nga Serbia e Jugosllavia titiste pas viti 1945, jo vetëm që është nder, por është njëkohësisht edhe punë me përgjejgësi të lartë, jo vetëm para individit apo familjes për të cilin shkruhet apo flitet, por edhe para publikut të gjërë dhe para vet historisë. Duke dashur që me vetëdije t'i shmangem një praktike të gjertanishme, të cilën e aplikojnë pjesa dërmuese e autorëve dhe studijuesëve të ndryshëm d.m.th. "që të shkruhet apo që të mbahen fjalime për jetën dhe veprimtarinë e një personaliteti të caktuar, vetëm  pas shkuarjes së atij apo asaj në botën e amshueshme ", unë kam zgjedhur një formë disi tjetër, pra ta studioj dhe të shkruaj për veprimtarinë patriotike të një luftëtari të dalluar të Shqipërisë Etnike, i cili fatbardhësisht është në mesin tonë.

Qëllimi im i të vepruarit në këtë mënyrë, është që ai dhe bashkëveprimtarët e tij, të kanë mundësinë që për të gjallë të tyre, t'i miratojnë apo kontestojnë ato që shkruhen, thuhen apo komentohen për punën dhe angazhimin atdhetar. Fjalën e kam për një burrë të Shalës së Bajgorës, i quajtur Emin Fazlija alias Emil Kastrioti, cili si edhe i gjithë trungu i tij familjar, brez pas brezi u vunë në shërbim dhe Mbrojtje të Shqipërisë Etnike dhe ribashkimit të Tokave Arbërore, të ndara e te okupuara nga fqinjët serb, malazez,maqedon e grek.

Emin Haradin Fazlija alias Emil Kastrioti u lind më 24. 09.1937 në fshatin Vidishiq të Shalës së Bajgorës. Prindërit Haradini dhe Mihanja e lindur Murtezi nga Lushta e Mitrovicës, përveç Eminit lindën edhe Selmanin. Ata nuk patën jetë të gjatë bashkëshortore, ngase Haradini ishte luftëtar aktiv në çdo cep të atdheut të robëruar, që nga Bihori, Sjenica, Tregu i Ri, Kolashini, Llapi, Gollaku, Karadaku, Drenica, Dukagjini etj. gjer në momentin kur në shkurt të vitit 1947, shpirtshituri një bashkëfshatar i Vidishiqit, të cilit i premtohet një vendpune nëse do të tregonte se ku po strehohej Haradini e zbulon vendstrehimin e tij duke iu thënë organeve të OZN-ës se : " I vëllai i vogël i Haradinit, Bislimi ka shkuar përherë në tregun e Mitrovicës, ndërsa kohëve të fundit po shkon në Vushtërri, ku unë dyshoj, se ai mban kontakte me të vëllain, i cili besoj se strehohet te miqtë e tyre në Novosellë të Begut afër Vushtërrisë, ku e kanë fejuar motrën, sepse ata janë edhe ekonomikisht shumë të fortë, pra te Rizah, Rifat e Ferat Jetullah Bunjaku - Krasniqi ". Organet e OZN-ës dhe UDB-es e rrethojnë shtëpinë e Bunjakëve dhe kërkojnë dorëzimin e Haradinit, sepse kishin informacione të sigurta nga një bashkëfshatar i tij (duke ua thënë me emër e mbiemër). Pasi që Rizah Bunjakut me vëllzër nuk i mbetet asnjë shtegdalje, ofrohet te gypi që e kishin vendosur për frymëmarrje në Bunkerin e rregulluar nën dhomën, ku do vinte nuse e motra e Haradinit, i tregon se janë të rrethuar dhe i shpjegon se si kishte ardhur gjerë tek zbulimi i vendstrehimit të tij dhe i shprehin gatishmëri për ta bërë vdekjen bashkë, nëse ai nuk do të dorëzohet dhe e sigurojnë se ata nuk kishin treguar te organet e OZN-ës asgjë për të. Mirëpo Haradini iu thotë miqëve se . "ai nuk do ta vë në rrezik këtë familje bujare e fisnike për asnjë çmim dhe se është i gatshëm të vetdorëzohet me të vetmin kusht ,,që t'mos e rrahin para anëtarëve të kësaj familje të ndershme". Udhëheqësi i operacionit ia jep fjalën se nuk do t'i ndodh një gjë e tillë nëse vetdorëzohet. Por fatkeqësisht ata nuk e mbajnë fjalën dhe menjëherë pasi Haradini i dorëzon armët, ata e lidhin mbi një trinë të vendosur në një sajë, e cila tërhiqej nga kuajt e një serbi të një fshati aty afër. Pas arrestimit pa mbajtur gjyq fare e ekzekutojnë dhe trupin e tij e masakrojnë në mënyrën ma barbare.

Emini në moshën dhjetë vjeçare mbetet  pa të atin e nën përkujdesjen e së ëmës Mihanes, gjyshit Kahrimanit, axhallarëve dhe farefisit të tij, të cilët mundoheshin që ai me të vëllain mos ta ndjenin mungesën e babait. Megjithatë kur Haradini ishte pranë familjes, ishte i dashur për të gjithë, përveç detyrave atdhetare, me tërë qenien përkujdesej për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tij të cilët i donte shumë.

Shtëpia e tyre ishte çerdhe e nacionalistëve dhe derë e hapur e shumë luftëtarëve nga të gjitha viset Etnike Shqiptare. Aty bisedohej për të gjitha çështjet politiko-ushtarake që kishin të bënin me Kombin tonë që gjakosej nga armiqtë shekullor serbo-sllav. Në këtë frymë atdhetare edukohej edhe i riu Emin Fazlija. Ai ishte djalë i shëndoshë, i zgjuar, i dashur, i sinqertë, i shkathët dhe kurreshtar i madh për të mësuar shumë gjëra të reja. Duke i vërejtur këto virtyte të larta tek ai, gjyshi Kahrimani e axhallarët e mbanin afër edhe kur në Odën e tyre vinin patirotë që luftonin e kishin luftuar së bashku me babain e tij. Kështu Emini rritej dhe burrërohej në mesin e atdhetarëve që përpiqeshin të riorganizoheshin për çlirimin dhe ribashkimin e Kombit Shqiptar në një shtet të lirë e demokratik.

Dëshirë e flaktë e këtij të riu ishte që të shkollohej për të zënë sa më shumë dituri. Shkollën fillore e kreu në Bare. Gjimnazin e Ultë në Mitrovicë, ndërsa Shkollën e Gazetarisë në Sarajevë në vitin 1955. Akademinë Tregtare (dy vite) e mbaroi në Dubrovnik. Pas vuajtjes së denimit (1966) vazhdoi studimet me korrospodencë në Univerzitetin e Zagrebit në Fakultetin Juridik, ku me sukses e përfundon Shkallën e parë. Emin Fazlija është i martuar dhe baba i dy fëmijëve Dritës dhe Agronit. I vëllai Selmani ka 2 vajza dhe 3 djemë.

Veprimtaria patriotike e politike e Emin Fazliut

           -alias Zekë Kosovës (1952 - 26.08.1960)

           -alias Arben Kosovës (1970 - 1977)

           -alias Emil Kastriotit (1970 - 1999)

Të gjithë ata që i lexojnë këto pseudonime të Emin Fazliut, iu lind pashmangshëm pyetja:  "Çfarë e shtyri këtë njeri që të kishte gjithë këto pseudonime?! "

Përgjigja më e thjeshtë dhe kuptimplote do të ishte: "Po zonja dhe zotërinj, pikërisht aktiviteti luftarak e politik i kësaj familje të nderuar të Shalës së Bajgorës, e cila u bë gurrë e pashterrëshme  e luftëtarëve trima që brez pas brezi, sakrifikonin çdo gjë për liri dhe ribashkim, ishte një arsye më shumë për Eminin për të vepruar i "maskuar" pas pseudonimeve të sipërshenuara.

Pra edhe veprimtarinë atdhetare të tij mund ta klasifikojmë në tri peridhat kohore kur edhe janë shfrytëzuar këta emra të trilluar për të mos i rënë në gjurmë aktivitetit antikomunist të Zekë Kosovës.

Emin Fazlija alias Zekë Kosova e kishte kuptuar, se lufta e armatosur frontale apo guerile kundër regjimit serbo-jugosllav të instaluar me dhunë dhe shtetrrethim në vitin 1945, me represalje e vrasje kundër popullit shqiptar, jashtë kufinjëve të Shqipërisë londineze ishte e pamundur. Ai e dinte se duheshin përzgjedhur metoda tjera veprimi. Kështu që krahas shkollimit, ai filloi aktivitetin politik kundër propagandës komuniste që mundohej me demagogji ta reklamonte vëllazërim-bashkimin e bararazinë e popujve jugosllav dhe të justifikohej për riokupimin e shqiptarëve dhe tokave të tyre, si alternativën e vetme. Duke ua mohuar këtyre të fundit të drejtën për vetëvendosje dhe bashkimin me shtetin amë Shqipërinë.

Veprimtarinë atdhetare ilegale Zekë Kosova e filloi qysh në moshën e hershme të rinisë. Ajo është e bujshme e gjithanshme dhe e pastër si kristalet e Trepçës, por gjithnjë në shërbim të çlirimit dhe të ribashkimit të popullit shqiptar në Shqipërinë e Lirë, Demokratike e të Përparuar në bazë të Principeve të Demokracisë Properëndimore. Meqenëse kishte fituar njohuri të shumta  për të gjitha krimet dhe gjenocidin serbo-jugosllav kundër shqiptarëve në Shalë të Bajgorës në Mitrovicë dhe në të gjitha territoret shqiptare  në periudhat e ndryshme historike,ai kishte mjaft fakte e dëshmi mbi dhunën që ky regjim kishte ushtruar edhe në familjen e tij. Masakrimin e babait dhe shumë të afërmëve, Zeka Kosova e kishte përjetuar shumë rëndë në thellësinë të shpirtit të dëlirë e të padjallëzuar. Pas varrosjes së Haradinit në familjen e Kahrimanit vjen për ngushëllime edhe një bashkëfshatar i tyre Murseli, i cili edhe pse ishte prezent në Odë Emini, dëshironte të dinte diç më shumë për mëmyrën e vdekjes së të ndjerit. Por Kahrimini i jep shenjë duke u kollitur dhe ai menjëherë e ndëpret pyetjen. Kahrimani i derjtohet nipit me këto fjalë : „Shko te nëna jäte, se ndoshta ka nevojë për ndihmën tënde,,. Emini vepron siç i tha gjyshi del përjashtë, por ndalet te dera për të përgjuar bisedën që pro zhvillohej në Odë në mes të Kahrimanit dhe Murselit. Pasi e kupton për vrasjen makabre të Haradinit, ai shkon te e ëma, e cila ishte duke i pjekur bukët në oxhak dhe tregon bisendën që kishte përgjuar te dera dhe tenton të bie në zjarr, duke thënë se : „nuk donte më  të jetonte pa të atin“. Mirëpo e ëma e tij që e dinte për vdejkjen e burrit e ndalon Eminin dhe e ngushëllon duke e këshilluar se ai duhej të rritej e të bëhej atdhetar më i zoti se babai i vet dhe t‘i luftonte gjakpirësit okupator. Në këtë moment Emin Fazlija bindet nga e ëma se „vetëm i gjallë mund t’i shërbente popullit dhe t‘u  kundërvihej  pushtuesëve.

Prandaj nuk mund të rrinte duarkryq e të pajtohej me këtë pushtues gjakpirës që i kamufluar me parollat e lirisë, barazisë e vëllazërim-bashkimit, terrorizonte shqiptarët: që nga inskenimi i ngatërresave ndëretnike, rrahjet, plagosjet, montime të proceseve gjyqësore politike e gjerë tek vrasjet mistike të kohës, ku viktimave iu humbeshin edhe eshtrat e nuk u dihej vendvarrimi. Kriminelët serbo-malazez të sjellur si kolon nga regjimet e  më parshme jugosllave i kishin duart e lira t'i keqtrajtonin shqiptarët pa kurrfarë shkasi, pa dallim moshe a gjinie, gjendje fizike a psikike, në çdo kohë, në çdo vend dhe me çfarëdo mjetesh, duke filluar nga ato psikike e gjër tek likuidimet fizike. Për këto veprime kriminelët shpërbleheshin nga shteti serbo-jugosllav. Aleksandër Rankoviqi, kryeshef i Sigurimit Sekret Shterëror i Armatës (në serb. shkurt. OZNA) dhe i Administratës e Sigurimit të Mbrendshëm Shtetëror (e njohur në serb. shkurt. UDBA) dhe Ministër Federativ i Punëve të Mbrëndshme të RSFJ -ës, ishte urdhërdhënësi, ndihmësi dhe përkrahësi më besnik i politikës për shkatërrimin e qenies shqiptare, ishte gjakpirës i pangopshëm, shovenist i pashpirt që zbatonte në praktikë planet famëkeqe të një gjenocidi të organizuar nga organet e shtetit "socialit". Ishte një antishqiptar i përbetuar dhe përpiqej në çdo moment kur i ipej rasti t'i zbatonte idetë e Garashaninit, Çubrilloviqit, Andriçit dhe të secilit grupim kriminal- paramilitarë, çetniko-partizan që ishte i gatshëm  t'i keqtrajtonte e deportonte shqiptarët nga trojet e tyre autoktone; t'i shpërngulte me dhunë për në Turqi dhe vende tjera; t'ua rrëmbente pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe në to në emër të reformave agrare të vendoste kolon të rinjë serbo-malazez nga vise të ndryshme të monstrumit "Jugosllavi", për të ndërruar strukturën etnike shqiptare. Organizoheshin aksione me pretekst se: "shqiptarët posedonin armë, të cilat paraqitnin rrezik që ata të organizoheshin  në kryengritje të armatosur për t'u shkëputur nga Serbia- Jugosllavia". Ose aksioni për "Mbledhjen e të dhjetave apo tepricave", ku shqiptarëve u mirreshin me dhunë pa kurrfarë kompenzimi material (financiar) çdo kokërr drithi, mielli, bymeti, kafshët, veshmbathjet, shtresat e shtratit, paja e nusërisë e gjësende me vlerë dhe iu ipeshin serbo -malazezëve ose dërgoheshin për në Serbi. Veprime të ngjajshme të pushtetit vazhdonin në pjesë të ndryshme nëpër  vendbanimet shqiptare. Këto krime gjenocidale e çnjerërore, nxitën dhe zgjuan kurreshtjen e Zekë Kosovës për të ndërmarrë diç çfarë ishte në mundësinë e tij, për ta ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme për të demaskuar dhe luftuar këtë përbindshësh të tmerrshëm dhe bashkëpuntorët shqipfolës, të cilët të verbuar pas posteve e gradave u vunë kundër interesave të Shenjta Kombëtare.

Emin Fazlija, ishte inciatori e themelusi kryesor i Organizatës së parë ilegale antikomuniste së bashku me Gjon Maletën dhe disa moshatarë, jo vetem nga farefisi dhe fshati i tij Vidishiq, por edhe nga fshatrat tjera të Shalës së Bajgorës. Organizatën e parë të rinisë antikomuniste e themeluan më 6 gusht 1952 në vendin e quajtur " Kisha e Murit " në Vidishiq dhe e pagëzuan me emrin: "VOTRA KOSOVARE NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE“- VKNDSH. Themeluesit e kësaj Organizate politike të rinisë antikomuniste e hartuan një "Program politik", "Parimet themelore" dhe disa "Urdhëra" apo detyra me shkrim, të gjitha të bazuara dhe huazuara nga Programi i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare si dhe Parimet Themelore të "Besës Kombëtare" të themeluar në shtator 1943 në Pejë, nga luftëtari dhe patrioti Prof. Ymer Berisha (shih, Emin Fazlija "E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike fq. 235-236). Kryetar u zgjodh Zekë Kosova, Nënkryetar Gjon Maleta dhe arkëtar Murtolli. Strukturimin e anëtarëve e bën në treshe, për të mos rënë në sy të agjentëve jugosllav, pastaj në Nëndegë dhe Degë, duke synuar që ta shëndërronin në Lëvizje mbarëkombëtare. Aktivitetin e filluan me shtypjen e pamfletëve, parullave ( KOSOVA ASHT SHQIPNI ! RRNOFT BASHKIMI I KOMBIT! POSHT JUGOSLLAVIJA ! POSHT SERBIJA! RRNOFT FLAMURI I KUQ E ZI  ME SHQIPONJEN DYKRENARE NË MES), kremtimin e Ditës së Flamurit 28 Nëntorit (që ishte e ndaluar gjerë në vitin 1974). Për ata shqipfolës që kishin informacione të sigurta se ishin bashkëpuntorë të fshehtë të regjimit sllavokomunist (informator) për t'i demaskuar para opinionit publik i shkruanin në muret e shtëpisë këtë parullë : "Shpallje - E shes shtëpinë dhe pasuninë, sepse po shkoj përgjithmonë me rrnue (për të jetuar v. e aut.) në Serbi mbasi këtu nuk më ka mbet vend se u zbulova si bashkëpuntor i UDB-ës ", ( UDB në shqip d.m .th. Sigurimi i Brenshëm Shtetëror).

Ndër aksionet më të rëndsishëme mund ta përmendim ate të vendosjes së Flamurit Kombëtar në vagonin e trenit që qarkullonte në relacionin Shkup - Beograd. Kjo ndodhi në mes të datave 23/24 SHTATOR 1953, kur Emin Fazlija - Zekë Kosova, Ragip S. Sadiku - Gjon Maleta dhe Muharrem Hyseni -Hamalli, të cilët e vendosin Flamurin Kombëtar Shqiptar në vagonin e fundit duke e lidhur shtizën me tel të fortë. Më 24. shtator në mëgjes treni arrin në Stacionin kryesor të Beogradit me Flamurin Kuq e Zi. Ndësa shtypi i Serbisë shkruante ndër të tjera, se: " kjo është vepër e ballistëve të Enver Hoxhës... ", ndërsa UDB -a u tmerrua fare nga një veprim i tillë, sepse nuk kishte kurrfarë informacioni për autorët e mundshëm. Anëtarët e Votrës Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare fitonin përditë e më shumë besim në vetvete dhe motivim më të madh për ta zgjëruar aktivitein dhe rrejtin e anëtarëve.

Meqenëse Podguri - Istogu me rrethinë ishin dëshmuar për luftëra të pakompromis kundër okupatorëve serbo-malazez dhe çerdhe e ngrohtë për atdhetarët e kauzës kombëtare, Bislim Fazliu pas peripetive të shumta dhe keqtrajtimit nga organet e UDB-ës, vendoset atje dhe shumë shpejt bie në kontakt me pinjollët e famijeve nacionaliste dhe vendosin që bashkarisht ta vazhdojnë aktivitetin për çlirim e Ribashkim Kombëtar të të gjitha Viseve Etnike që kishin mbetur jashtë kufinjëve të mëmës Shqipëri. Kështuqë më 22.05. 1954 në Bellopojë të Istogut u themelua Dega e "Votrës" ku merrnin pjesë Zekë Kosova, Bislim Fazliu (axha i Zekës), Ibrahim Metaj, Malë Bardheci, Osman, Niman, e Xheladin Igrishtaj, Ramë Bareli dhe Musa Fejzaj. Ata u informauan me aktivitetin e gjëratëhershëm me Programin, Parimet themelore dhe Detyrat e Votrës Kosovare. Aty u zgjodh kryesia si vijon : 1. Kryetar - Ibrahim Metaj, 2. Nënkryetar- Bislim Fazliu dhe 3. Arkëtar- Niman Igrishtaj.

Falë angazhimit të madh dhe sakrificave të anëtarëve "Votra", për një kohë të shkurtër shtriu aktivitein e saj në Prishtinë, Prizeren, Gjilan, Kaçanik, Shkup, Tetovë e gjerë në Zagreb.

UDB-ja jugosllave me ndihmën e shqipfolësve shpirtshitur në Qershor të vitit 1960 arrinë ta zbuloi aktivitein ilegal të 47 veprimtarëve, prej të cilëve 4 gjatë kryerjes së shëbimit të detyruar ushtarak në Zagreb. Shërbimi Sekret i Ushtarisë jugosllave i quajtur KOS, i bie në gjurmë aktivitetit të anëtarëve të "Votrës" dhe i arreston : Emin Fazliun alias Zekë Kosovën, të cilin Gjykata Ushtarake e Zagrebit e shpall fajtor dhe e denoi duke u bazuar në Nenin 117 alineja 1 e LPJ e lidhur me Nenet 100 e 101 alinea 1, të cilësuar si "veprimtari armiqësore kundër popullit e shtetit jugosllav...", me Aktvendimin nr. IK 21/1960 të datës  25.02.1961, me 8 vjet burg të rëndë. Bashkëveprimtarët e tij, Baki Dullovin nga Biçeci i Kaçanikut, me 2 vjet e 6 muaj; Mehmet Rrahim Trepçën "Xexeli" nga Vidishiqi (kushëriri i afërm i Eminit) me 2 vjet dhe Ilmi Ajvazin nga Kopërnica e Dardanës, me 9 muaj.

Ndërsa në proçeset gjyqësore që u mbajtën në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, Gjilanit, Prizerenit e Shkupit anëtarët e "Votrës" u denuan me 170 vite burgim të rëndë.

Emini e vuajti denimin 6 vite burg të rëndë në burgun famëkeq të Lepogllavës. Nga vuajtja e mëtejme e denimit  prej 2 vitesh u lirua më 13 korrik 1966 në bazë të Ligjit për amnisti, që e bëri J.B. Tito, pas rënies së A. Rankoviqit nga pushteti, këtij gjakpirësi antishqiptar.

Emin Fazlija pas vujatjes së denimit kthehet në vendlindje, ku përpiqet të gjej punë. Për shkak se kishte vuajtur denimin për veprimtari politike "kundër rregullimit shtetëror socialist dhe bashkim-vëllazërimit", atij nuk i ipej asnjë vend pune edhe nga ato më të rëndat. Kështu, ai u detyrua zemërthyer të largohej nga familja, vendlindja, farefisi dhe Kosova për të gjetur një punë për të fituar dhe mbijetuar.

Arben Kosova - ishte pseudonimi i dytë, i Eminit gjatë zhvillimit të veprimtarisë politike atdhetare, pas largimit siç u cek më sipër, pa dëshirën e tij nga Kosova në vitin 1967 dhe vendosjen në qytete të ndryshme të Kroacisë si, në: Zagreb ku punonte dhe studionte Drejtësinë; në Dubrovnik, ku studijoi Akademinë Tregtare e në qytete tjera. Pseudonimin Zekë Kosova nuk mund ta përdorte më tutje,  ngase ishte zbuluar kur u denua. Atje bie në kontakt e njihet me luftëtarin dhe patriotin e LNDSH Hamid Emini- Brunçaj, e më pas edhe me shumë atdhetarë tjerë në Itali e Gjermani, të cilët për shkaqe të ngjajshme ishin detyruar të kërkonin "strehë e shpëtim" në shtete të ndryshme të perëndimit. Megjithate kontaktet ishin të vazhdueshme edhe me aktivistët e "Votrës"  në Mitrovicë dhe aty ku ishin themeluar Degët e saj.

Pasi që u muar vesh se ishin themleuar edhe organizata tjera me parime dhe qëllime te njejta ose te ngjashme, pra ribërjen e Shqipërisë Etnike, duke u bazuar në Parimin " Bashkimi bën fuqinë ", pëfaqësuesit e tyre pajtohen që të shkrihen në në Lëvizje gjithshqiptare për t’i arritur më lehtë synimet e veta.  Në Kanunoren e "Votres" në Nenin 9 të Parimeve Themelore ndër të tjera parashihet që : " Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri " dhe " Pa Shqipëri nu ka as Kosovë as Çamëri !", kjo ishte edhe motoja e të gjitha organizatave ilegale politike që vepronin në territoret e pushtuara shqiptare, andaj erdhi gjerë tek pajtimi i të gjitha organizatave për të vepruar bashkarisht për realizimin e synimeve të përbashkëta.

Për këtë arsye paralajmëruan pjesëmarrjen në Kuvend:

1.         Organizata Nacional Demokratike Shqiptare - ONDSH (4 përfaqësues);

2.         Votra Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare - VKNDSH ( 3 përfaqësues );

3.         Grupi Demokratik Shqiptar i Kosovës - GSHDK ( 4 përfaqësues );

4.         Grupi Shqiptar Kombëtar i Maqedonisë-GSHKM (3 përfaqësues );

5.         Grupi Demokrat Indipendent Kosovar - GDIK ( 2 përfaqësues );

6.         Grupi Veteranët e Luftës Shqiptare  dhe Rezistencës Malësore - GVLSHRM ( 2 përfaqësues );

7.         Shoqnia Demokratike Shqiptare " Ismail Qemaili " - SHDSHIM (2 përfaqsues ),

të cilat më 16 gusht 1972 në Vushtërri organizuan Kuvendin e Bashkimit nga ku edhe u lind " BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE - B.K.D.SH.  Sipas Proçesverbalit në Kuvend ishin prezent 120 të deleguar.

"Votrën" në këtë Kuvend historik e përfaqësonte Muharrem Hyseni "Hamalli", ku në aktin e themelimit figuron edhe nënshkrimi i tij. Emin Fazlija alias Arben Kosova u zgjodh Përfaqësues Fuqiplotë për Mërgatë, pasi që tani më ishte i vendosur në Gjermani. Ai kishte marrë për detyrë të kontaktonte të gjithë patriotët shqiptarë që kishin si moto të veten parullën : "Atdheu mbi të gjitha" dhe i kishin mbetur besnik duke vepruar në pjesë të ndryshme të rruzullit tokësor, për ta shporrur njëherë e përgjithmonë diktaturën komuniste nga Trojet Shqiptare. Këtë detyrë Eimini  e kreu me përkushtim të madh ku arriti edhe suksese të lakmueshme. Kontaktoi personalitetet më besnike nacionaliste, të cilët pakursyer asgjë nga vehtja e tyre, përpiqeshin ta demaskonin regjimin etatist diktatorial të Enver Hoxhës i ndërtuar në bazë të diktateve serbo-ruso-sllave, si dhe të demaskonin parullat  e vëllazërim - bashkimit e barazisë nacionale të popujve jugosllav pas të cilave fshiheshin nacional-shovinizmi serbomadh, i cili shqiptarët i trajtonte si irridenitist, seperatist dhe element destabilizues dhe armiqë të sistemit shtetëror socialist të Jugosllavisë. Mbajti letërkëmbim me shumë revista shqiptare në shumë shtete të botës.

Në Kuvenidin e Vushtrrisë pas diskutimeve të shumta e të gjithanshme u arrit pajtimi që të aprovohet Programi politko-strategjik i veprimit  me emrin "KANUNORJA". Në të janë përfshirë: një historik i shkurtër i themelimit të Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare- BKDSH, Parimet Themelore të Lëvizjes (14 Nene); Programi i BKDSH (18 Nene) ku janë përfshirë dhe strukturuar çështjet politike, ekonomike, të edukimit e arsimimit, politika sociale, mbrojtja e ambientit dhe rrethit shoqëror, Programi i rregullores së mbrëndshme dhe Dispozitat përfundimtare. Ky Program u ndryshua u plotësua dhe u aprovua në formën e prerë dhe hyri në fuqi në Kongresin e 7- të që mbajt më 3 e 4 mars 1994 në Tiranë. Kanunorja përmban Statutin e Lëvizjes BKDSH me gjithsejt 31 Nene, në të cilat në mëyrë të kjartë shihet srtuktura e fushëveprimit dhe obligimet që i marrin përsipër anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare. Në Kanunore gjejmë edhe një vështrim të autorit Emin Fazlija mbi jetën dhe veprimtarinë politike e luftarake të Prof. Ymer Berishës dhe bashkëveprimtarëve të tij besnik që ideal e kishin çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe ribashkimin në një shtet në Shqiprinë Etnike e  Demokratike.

Emin Fazlija alias Arben Kosova, gjatë vuajtjes së denimit në Lepogllavë u njoh dhe krijoi miqësi me disa  peronalitete të shquara krote që edhe ata ishin të denuar politikisht. Ajo miqësi i ndihmoi Eminit  për t'iu shpëtuar "kthetrave" të udbashëve, të cilët e përcillnin pandërprerë dhe hap pas hapi veprimtarinë e tij politike edhe pas vuajtjes së denimit.

Një mik kroat pasi takohet me Eminin dhe bisedojnë shkurtimisht për gjërat e përditshme në liri, ata i bien në sy një Spiuni të Sigurimit Sekret Republikan të Kroacisë (si duket ai kishte qenë në përcjellje të Eminit, v. e aut.). Pasi që ata dy ndahen, spiuni e ndalë atë kroatin, të cilin e njihte dhe e pyet se, "çka të lidh ty me atë idiotin që fole pak më parë (me Eminin v. ime A. B.) ? ". Ai i tregon se kanë qenë në vuajtje të denimit bashkë në burgun e Lepogllavës dhe e di se,: "është njeri i ndershëm dhe shumë i mirë dhe nuk ka të bëjë  asgjë me kurrfarë kriminaliteti, pra nuk ka vrarë njeri, nuk është vjedhës, por punon, studion dhe angazhohet për çështjen e vet kombëtare ". Kur bindet punëtori i sigurimit se miku i Emin Fazliut, vërtetë ka përshtypje të mirë dhe e çmon lartë mikun e tij shqiptar, i drejtohet me këto fjalë : " Po e shoh se me të vërtetë po e don atë njeri për të cilin ne kemi dosje edhe më të trasha se sa ato në bazë të të cilave është denuar dhe jemi vetëm duke pritur urdhërin nga Beogradi për ta arrestuar, e se a do të mbijetoj është një pikëpyetje e madhe! Andaj nëse ma jep fjalën se nuk më zbuloni mua për këtë që ua them, do ta zbuloi një fshehtësi shtetërore. Pasi ai sigurohet se kjo do mbetet një bisedë në mes tyre, ai i tregon atij që „ ai shqiptari duhet sa ma parë të ikë nga Kroacia, se është në rrezik të madh ".  Miku i Eminit me të dëgjuar ato nga spiuni i sigurimit, kthehet shpejt te ai ( Emini ), dhe i tregon gjithë ate që kishte dëgjuar për të. Pra Emin Fazlija alias Arben Kosova, duhej patjetër ta siguronte një pasaportë udhëtimi që të shëptonte nga arrestimi i cili mund t'i ndodhte në çdo moment dhe pasojat  do të ishin të paparashikueshme.

Mirëpo për një pasaportë falso kroate me emër dhe mbiemër shqiptari, duhej të paguheshin 100. 000 dinarë të atëhershëm. Kjo ishte një shumë e madhe për Eminin, sepse ai fitonte me punën që bënte në një Shtypshkronjë afër 68. 000 dinarë në muaj. Familja shumë e nderuar Kaçinari, që kishte katër byrektore, dy në Çernomerc (Zagreb), një në Karllovc dhe një në Mynih të Gjermanisë, ishte shpetimtarja e  Eminit, i cili pasi ua tregon rastin Kaçinarëve, ata ia dhënë shumën e nevojshme, dhe ai e paguan pasaportën dhe në vend të emrit të vërtetë e jep emrin : Emil Kastrioti. Më 8 mars 1970 largohet nga Zagrebi duke mos u diktuar nga organet e UDB-ës. Që nga ajo kohë e gjer në vitin 1978 kur del publikisht me pseudonimin Emil Kastrioti, ai e përdorë edhe pseudonimin Arben Kosova. Organet e UDB-ës jugosllave e kërkonin gjithëandej ku mendonin se mund ta gjenin, por fatbardhësisht nuk mund t'i binin në gjurmë, sepse Emin Fazlija alias Zekë Kosova ishte "zhdukur"në drejtim të panjohur. Pasi që Emini arrin në Gjermani, ku edhe e bashkëshortja e tij kishte gjetur punë, ia kthen borxhin familjes Kaçinari, të cilës i është shumë mirënjohës për mundësinë që ia dhanë për t'u larguar nga Kroacia dhe për të shpetuar nga burgosja e sërishme. Kjo familje e nderuar shqiptare u ka ndihmuar sidomos studentëve shqiptarë që kanë studijuar në Zagreb.

UDB-ja jugosllave nëpërmjet bashkëpunëtorëve të vet informohej se në Gjermani ishin të " njohur "dy antijugosllavë që organizonin tubime, protesta e demonstrata, i shkruanin peticione OKB-ës, Organizatave për mbrojtjen e Lirive të njeriut (AI), burrështetasve në Europë e SHBA, por asnjëri prej tyre nuk ishte Emin Fazlija apo Zekë Kosova, këta ishin pa dosje në UDB.

Emin Fazlija me bashkëveprimtarët e tij kërkonin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, duke e demaskuar politikën titiste, e cila organizonte procese politike kundër intelektualëve shqiptarë, i izolonte dhe burgoste me shumë vite bugrim, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë e plotë, të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë Shqipërinë. Njëkohesisht, Arben Kosova kritikonte bashkë me të mërguarit tjerë shqiptarë që ishin të detyruar të lëshonin Shqipërinë sepse nuk pajtoheshin me idetë komuniste dhe regjimin e Enver Hoxhës i cili pa gjyqe vriste intelektualët më të shquar, të cilët kishin mbaruar Univerzitetet në Perëndim dhe të gjithë ata që kërkonin të bashkoheshin me Kosovë e Çamëri. Regjmi diktatorial i Enver Hoxhës internonte familjet e intelektualëve të cilët i kishte burgosur për "veprimtari kundër shtetit dhe popullit ...", demaskonte me fakte të vërtetuara bashkëpunimin e ngushtë të Sigurimit Shtetëror Shqiptar dhe UDB-es jugosllave për atentatet që ata bënin kundër veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët punonin për Bashkim Kombëtar.

Emin Fazlija alias Arben Kosova, pas largimit të „detyruyr“ nga Kroacia, tani u detyrua të bëhet edhe alias Emil Kastrioti. Për një kohë relativisht të shkurtër të qëndrimit në Gjermani vuri kontakte me bashkëatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare, që jetonin, punonin dhe vepronin, jo vetëm në Gjermani por edhe në Belgjikë (me Vehbi Ibrahimin ), në Norvegji e më pas në Suedi (me Hysen  Çamin - Mega Sulin), në Suedi ( me Ibrahim Metajn ), në Turqi,  në Austri, në SHBA,  në Australi e gjetkë, por  që punonin kundër regjimeve diktatoriale në Shqipëri dhe në Jugosllavi.

Kontakte me personatiltete të rëndësishme dhe korrespondenca me revista të ndryshme në Mërgatë

Gjatë vuajtjes së denimit, por edhe më pas, Emin Fazlija merret aktivisht me krijimtari letrare në fusha të ndryshme duke shkruar poezi, novela, satira, pjesë teatrale e romane „në gjuhën ezopiane„ thot Emin Fazlija. Në fillim shkruan në gjuhën kroate, për shkak të rrethanave të burgut, ndërsa pas lirimit nga burgu shkroi në gjuhën shqipe e gjermane. Ka shkruar romanin „Agroni“, përmbledhje poezishë të titulluar „ Në vend të  përmendores“, dy poema „Dolores“ dhe „Për një grusht oriz“. Ka botuar " Kanunoren e Lëvizjes Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare " në vitin 2008 në Prishtinë dhe monografinë "Hamid Emin- Brunçaj - Doktori i Maleve të Lira të Drenicës Dardane" në vitin 2009 në Prishtinë. Është shumë me rëndësi të thuhet me këtë rast se, Emini ka mbi 30 vepra të shkruara në gjini të ndryshme letrare si: poezi, novela, romane, monografi e drama, por akoma të pa botuara e që ruhen në Arkivin e BKDSH. Në Arkivin personal dhe të Bëslidhjes Kombëtare gjenden me mijëra dokumente e letërkëmbime me peronalitetet më të shquara të kohës, siç janë: Abaz Ermenji, Prof. Luan Gashi, Prof. Dr. Isuf Luzaj, Dr. Halim Begeja, Prof. Ernest Koliqi, Dr. Athanas Gegaj, Ndue Pjetër Gjonmarkaj, Nikollë Gjonmarkaj, Dr. Nuri Dino, Dr. Rakip Frashëri, Dr. Selhaudin Velaj, Dr. Pjetër…, Dr. Fuad Miftia, Dr. Rexhep Mitrovica, Lec Shllaku, Isa Elez Ndreu, Prof. Prenk Gruda, Bilall Xhaferi, Bardhok Doda, Mark Caraj, Vehbi Ibrahimi, Rasim Zenelaj, Hysen Tërpeza, Mons. Zef Proshi, Idriz Lamaj, Hajredin Bytyqi e shumë të tjerë.

Arben Kosova ishte në kontakt të vazhdueshëm me Redaksi të ndryshme të Mërgatës dhe bashkëpunoi ngusht me : "Diellin",  Federatën Panshqiptare "Vatra" në SHBA, "Shejzat" e Prof. Koliqit, "Koha jonë" e Lec Shllakut dhe Isa Elez Ndreut," "Flamuri" te Partisë Agrare "Balli Kombëtar", "Qindresa Shqiptare" të Komitetit Kombëtar "Shqipnija e Lirë", "Besa"- Organ i Grupit Demokrat të Qazim Prodanit nga Stambolli, "Mbrojtja Kombëtare"- botim i Organizatës "Balli Kombëtar" - frakcioni i Prof. Dr. Isuf Luzaj-t, "Lidhja e Prizerenit" - Organ i Organizatës "Lidhja e Prizerenit në Mërgim", "Shqiptari i Lirë" - Organ i Komitetit Shqipëria e Lirë e Dr. Rexhep Krasniqit, "Përpjekja Kosovare", "Krahu i Shqiponjës" - Organ i Lidhjes Çame në Mërgim, "Ushtima e Mërgimtarit" të Hysen Çamit nga Suedia, "Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim" të botuar në Australi nga Bujar Risilia si dhe me Redaksitë e shtypit të Arbëreshëve të Italisë, "Zajrri", "Zgjimi", "Katundi ynë", "Lidhja" etj. Të gjitha këto kontakte me personalitete eminente të shkencës, të kulturës, të politikës që jetonin në shumë shtete dhe disa kontinente, që ishin ndesh me kultura e tradita të ndryshme, dhe kishin përfituar nga to, por edhe kishin afirmuar me krenari kulturën tonë atje ku jetonin dhe vepronin, i kishin ndihmuar Emil Kastriotit të formohej si peronalitet i gjithanshëm. Karakteri i tij i fort, syçeltësia, vendosmëria, drejtësia, humaniteti dhe trimëria i ndihmuan që të organizonte dhe udhëhiqte së bashku me bashkëveprimtarët e tij më besnik mbi 50 demonstrata antijugosllave, në gjithë Europën. Të organizonte dhe udhëhiqte mbi 30 mbledhje vjetore të BKDSH. Më 17 qershor 1977 u arrit Marrëveshja në Bruksel për bashkimin e katër Organizatave që vepronin në shtetet perëndimore. Për shkak të ndikimit të agjenturave të Beogradit e Shkupit dhe ndikimit që ato kishin në aktivitetin e „Lidhjes së Vardarit“ dhe Degës së „Lidhjes së Prizerenit“ në Francë, dështoi  Marrëveshtja e Brukselit. Besnik kësaj Marrëveshjeje i mbeti Vehbi Ibrahimi Kryetar dhe anëtarësia e Shoqënisë Demokratike Shqiptare „Ismail Qemali“ dhe Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare të cilat bashkëvepruan ngusht në afirmimin e çështjes kombëtare në Gjermani, Belgjikë, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Francë etj. Orgnizojnë krijimin e Frontit për Ribashkimin e Shqiperisë Etnike duke e pagëzuar me emrin  „Mbrojtja e Shqipërisë Etnike ".

Më 26 e 27 Nëntor 1977, Emin Fazlija me Vehbi Ibrahimi dhe shumë veprimtarë tjerë organizojnë mbajtjen e Kongresit të Parë të Organizatës Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare - O.K.R.N.D.SH. i cili i zhvilloi punimet në Donzdorf të Gjermanisë me sukses të plotë sipas parashikimeve. Por as UDB-ëja nuk qëndronte duarkryq, bile kishin arritur që edhe në mesin e aktivistve të O.K.R.N.D.SH. të futnin bashkëpuntorët e tyre shqiptarë. Kështuqë pasi që tërhoqën „Lidhja e Vardarit“ dhe Dega e „Lidhjes së Prizrenit“ në Francë, u mor vendim i përbashkët i Shoqnisë Demokratike dhe Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare të vazhdohet aktiviteti kombëtar me emrin e Besëlidhja Kombëtar Demokratike Shqiptare, Kryetar u zgjodh njëzëri Emin Fazlija e Nënkryetar Vehbi Ibrahimi, BKDSH e kishte edhe organin e vet ku botoi mbi 54 numra të „Besa Shqiptare“ dhe 6 numra të revistës „Shqipnija Etnike“, ndërsa u përjashtuan nga radhët e saj të gjithë anëtarët që me qëndrimet e tyre përpiqeshin ta përçanin anëtarësinë dhe u dëshmua se ata për intersa të tyre pësonale punonin për UDB-ën dhe Sigurimitn Shqiptar. Ndër detyrat kryesore të këtyre shpirtshiturve ishin që të shpifnin kundër nacionalistëve të dëshmuar shqiptarë; të paraqiteshin si patriot të flakt kundër regjimit jugosllav për të fituar besimin e pjesës dërmuse të aktivistve shqiptarë; të përcillnin sa më shumë informata te urdhërdhënsësit e vetë; të pranonin insrtuksionet e reja prej tyre, nacionalistët e vërtetë të çështjes kombëtare t'i shpallnin për bashkëpuntorë të UDB-ës, me qëllim që t'i përçanin ata në mes veti; të futnin pasiguri dhe të mbanin situaten e tensionuar, por gjithnjë në dobi të "punës" së tyre. Spiunët e UDB-ës dhe Sigurimit Shqiptar bashkëpunonin edhe në organizimin e atentateve kundër aktivistëve të Organizatave patriotike Shqiptare siç janë:  Rasim Zenelaj shqiptar, me gjak të pastër shqiptari, veprimtar i palodhshëm i cili  u plagos në një atentat të organizuar më 14. 05.1981 në Frankfurt të Gjermanisë, pra,  kundër tij dhe gjithë forcave nacionaliste shqiptare. Ky  atentat u krye nga UDB-ëja dhe bashkëpunëtorët e saj shqiptarë. Në atentatin e ngjajshëm në Bruksel të Belgjikës, më 10. 10.1981 vritet bashkëpunëtori  më besnik dhe Nënkryetari i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare Vehbi Ibrahimi. Megjithate Besëlidhja qëndroi e fortë dhe shtoheshin radhët e saj me ushtarë të Shqipërisë Etnike që ishin të gatshëm për çdo sakrificë gjer në flijim për Bashkim Kombëtar.

Viktima të atentateve janë edhe tre martirët që u vranë me 17.01.1982 Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Disa të vetquajtur „ lider“ të ideologjisë marksiste-leniniste e shfrytëzuan shumë keq vrasjen e tyre për interesa përsonale, ndërsa Besëlidhja ka vlerësuar vrasjen e tyre në mënyrë të drejtë dhe pa falsifikime. Pra, ata ishin dhe mbeten martirë të kombit shqiptar si Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri etj.

Emin Fazlija alias Emil Kastrioti ka qenë anëtar i rregullt i shoqatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut – International Gesellschaft für Menschenrrechte, me seli në Frankfurt të Gjermanisë si dhe anëtar i kryesisë së “Europeische Konferenz für Menschenrrechte und Selbstbestimmung – Konferenca Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Vetëvendosje“.

Pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Kryetari i Komitetit Qendrot i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, bëri kërkesën me shkrim në Ministrisinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për ta regjistruar BKDSH si parti politike. Kërkesa u pranua dhe me Dekretin nr. 4/1 të datës 4 mars 1992 regjistrohet dhe fillon aktivitetin e saj duke themeluar për një kohë të shkurtër 18 Degë. Emin Fazlija e organizoi dhe udhëhoqi Kongresin e shtatë të BKDSH që u mbajt më 3 dhe 4 mars 1994. Në Kongres u themelua Komiteti Kombëtar i cili përfshinte tri komitete drejtuese: Komitetin e Shqipërisë, Komitetin e Kosovës dhe Komitetin e Mërgatës. Secili nga këto komitete kishte deleguar nga 35 anëtarë. Kryetar i Komitetit Kombëtar u zgjodh njëzëri dhe pa asnjë votë kundër Emin Fazlija alias Emil Kastrioti. Mandati i të cilit u vazhdua edhe nga Asambleja e BKDSH. Besëlidja aktivitein mëtë dendur e ka zhvilluar në Gjermani ku kishte 15 nëndegë dhe 75 Aktiva.

Tentimet e UDB-ës për likudimin fizik të Emil Kastriotit

UDB-ja jugosllave pas shtatë vitesh të qëndrimit dhe veprimtarisë politike të Emin Fazliut alias Emil Kastriotit në Gjermani arrin që me ndihmën e disa shqiptarëve të mjerë të zbuloi se „Emin Fazlija alias Zekë Kosova ishte Arben Kosova dhe Emil Kastrioti. Kjo ndodhë në një demonstratë të organizuar nga Besëlidhja Kombëtare në Shtutgart më 10 qershor 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizerenit ku konferncieri e prezanton Emin Fazliun me ermin e trilluar Emil Kastrioti. Në këtë demonstratë Emili mban një fjalim të gjatë ku dhe kritikon politikën e dhunës që ushtrohej mbi inteketualët, studentë e puntorë shqiptarë, si në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën regjimin jugosllav.

Pasi që UDB-ëja e zbuloi identitetin e Emin Fazliut angazhoi njerëzit e vet që me çdo kusht ta likuidonin fizikisht këtë armik të përbetuar të sistemit socialist dhe ideologjisë komuniste. Misnistri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë Lluka Banoviq i bën kërkesë Organeve përgjejgëse gjermane per ekstradimin e Emil Kastriotit, sepse ai ishte një „terrorist e irredentist i rrezikshëm që po punonte për rrëzimin e sistemit socialist e prishjen e vëllazërim-bashkimit në mes popujve jugosllavë…“. Mirëpo gjermanët kishin njohuri të mjaftueshme se „ patriotët kroatë vriteshin nga UDB-eja…“ dhe tanimë ishte e sigurt se një gjë e tillë mund t’iu ndodhte edhe shqiptarëve. Pas kërkesës për ekstradim Emin Fazlija paraqet kërkesë për strehim politik, të cilën organet gjermane ia pranojnë dhe i sigurojnë mbrojtje të afërt fizike ngase ishin shumë mirë të njohur me veprimtarinë e tij politike dhe rrezikun që i kanosej nga UDB-ëja dhe bashkëpuntorët e saj.

Në Kongresin e parë të O.K.R.N.D.SH. të mbajtur më 27 nëntor 1977 një agjent serb i UDB-ës tenton të bëjë atentat në Emil Kastriotin, por fatbardhësisht e zbulojnë dy bashkëveprimtarë trima të ciklët vehen në ndjekje të tij dhe ai iu shpëton duke ikur me shpejtësi nga vendi ingjarjes.

Tentimatentati i dytë ndodh më 26 mars 1978 në Bruksel të Belgjikës.

Gjithashtu në një demonstratë që e organizuan më 23 maj 1981, në mbështetje të studentëve të Univerzitetit të Prishtinës dhe kundër dhunës jugosllave që ushtrohej mbi studentët dhe popullatën shqiptare që kërkonte status dhe të drejta të barabarta me kombet tjera të Jugosllavisë, një serb tenton ta vrasë nga  kati i katërt i një ndërtese, por policia gjermane e hesht rastin sikundër edhe më 19 shtator 1998, kur një komandos special me origjinë serbe gjendet i „vdekur“. Në rrobat e tij policia gjermane gjen një bllok me emrat e mbiemrat, adrersat e 120 veprimtarëve politikë të organizatave shqiptare, të gjitha të dhënat e Emin Fazlisë me fëmijë dhe bashkëshorten, hartat orientuese dhe një revole me shurdhues dhe municion të bollshëm.

Përpjekjet e UDB-ës dhe bashkëpuntorëve të saj në mesin e të cilëve kishte fatkeqësisht edhe shqiptarë, për likudimin fizik të Emil Kastriotit dhe bashkëvprimtarëve të tij ishin të vazhdueshme. Ai ia doli t’u shpëtoi atentateve kundër tij, falë zgjuarësisë, trimërisë dhe ndihmës së pakursyer të nacionalistëve tjerë që vepronin pa u trembur fare nga rreziqet me të cilat ballafaqoheshin, sepse ishin të bindur se puna që po bënin për lirinë dhe ribashkimin e kombit  dhe territoreve shqiptare ishte e shenjtë.

Udbashët shqiptarë të cilët zbulohen nga bashkëpuntorja e tyre serbe e cila kreu atentat kundër atdhetarit të pamposhtur Rasim Zenelajt, Zorica Aleksiq, e cila u arrestua nga policia sekrete gjermane në aeroplanin e JAT-it. U arrestua gjithashtu Isa Dautovski nga Batinci i Shkupit, ndërsa Enver Gashi dhe Salih Salihu kishin arritur të iknin në Francë. Isa Dautovski u përpoq ta tradhëtoi dhe t’i bëjë kurthën Emil Kastriotit por fatbardhësisht nuk ia arriti qëllimit.

UDB-ëja kishte zgjedhur dy bashkëpuntorët e saj, Musa Batallin dhe Faruk Mehmetin për ta vrarë Emil Kastriotin. Por ata në momentin e fundit pendohen die nuk e kryejnë vrasjen por paraqiten në policinë gjermane dhe tregojnë se me çfarë detyre dhe nga kush ishin dërguar në Gjermani.

Përkrahja dhe ndihma dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Emin Fazlija është angazhuar së bashku me anëtarësinë e gjërë të BKDSH-ës që të japin gjithë atë që kërkon atdheu për ta fituar Lirinë dhe Pavarësinë e gjersa të arrihet Bashkimi i mirëfilltë kombëtar. Më 25 gusht 1995 është përfshirë në Këshillin Ushtarak të Republikës së Kosovës me seli në Gjermani. Aty ka kryer detyrën e Kryetarit të Shërbimit Informativ Ushtarak të Këshillit Kombëtar të Republikës së Kosovës në mënyrë intensive gjer më 16 maj 1998, ndërsa u tërhoq përshkak të përçarjeve të brëndshme. Ky Këshill udhëhiqej nga Prof. Dr. Mujë Rugova dhe gjenerali i UÇK-ës Sali Veseli.

BKDSH ka ndihmuar UÇK-ën me mjete materiale, financiare dhe ushtarë e kuadro komanduese. Për të gjitha këto ekzistojnë dokumentet origjinale më Arkivin e BKDSH-ës. Anëtarët e Besëlidhjes kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak për liri në të tri ushtritë tona˸ UÇK, Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe UÇPMB. Në altarin e lirisë kanë rënë gjeneral Agim Çelaj, Afrim Krasniqi, (sekretar i degës së BKDSH), Safet Peci – Komandant “Tigri“ nga dega e Gjermanisë, gjeneral Tahir Sinani etj.

Pothuaj se të gjitha procesverbalet e Mbledhjeve, Kongreseve, Protestave, Demonstratave, Peticionet, Letërkëmbimet, Dokumentet e Financave dhe Dokumente tjera të ndryshme, në të cilat pasqyrohet aktiviteti politik, ushtarak e humanitar i BKDSH, janë të sistemuara dhe të arkivuara me përpikëri, në Arkivin që Emin Fazlija e ka sjellur nga Gjermania në Kosovë.

Emin Fazlija alias Emil Kastrioti pas çlirimit të Kosovës u kthye në Kosovë ku jeton si pensionist. Tërë veprimtarinë e tij politike e kombëtare prej vitit 1952 e gjer në vitin 2010 tani është duke e përmbledhur në Memoaret e tij të cilat është duke i shkruar.

Unë jam i vetëdijshëm se nuk kam arritur që tërësi të shkruaj për aktivitetin patriotik e kombëtar të këtij burri të Shalës së Bajgorës, por mbetem me shpresë se sadopak kam arritur të zgjoi interesimin te studijuesit tjerë që të hulumtojnë në Arkivin e BKDSH-ës, ku do të gjejnë material interesant dhe të bollshëm për ushtarët trima e të palodhshëm që punan pandalshëm e pakursyer asgjë nga vehtja e tyre, për bërjen e Shqipërisë Etnike.

Emin Fazliut i uroj shëndet e jetë të gjatë dhe ta përjetojmë bashkarisht bërjen realitet të kësaj dëshire të madhe të çdo shqiptari në të gjitha trojet shqiptare dhe atyre në Mërgatë.

Nacionalistet e Shqiperis Etnike Hajriz Demaku e Emin Fazlija

Nga e Djathta Fadil Geci, Avni Bilalli, Ali Daci, Emin Fazlija, Mark Avdyli, Besim Morina dhe Nue Oroshi në njërin nga dhjet Sesionet Shkencore të së Djathtes Shqiptare.

Nue Oroshi dhe Emin Fazlija para pllakave përkujtimore te Profesor Ymer Berishës dhe Marie Shllakut si dhe dëshmorve të Dobërdolit dalur ne Dobërdol te Klines.



(Vota: 229 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: