Jahë Sadrija: Kostandin Kristoforidhi (1827-1895)- Jeta dhe vepra
| E Shtune, 21.07.2012, 09:55 AM |

Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) - Jeta dhe vepra e tij për të rritur dhe fëmijë, perkëthyes i Veprave Ungjillore; “Dhjata e Vjetër” dhe “Dhjata e Re”.

Kontributi letrar i Kristoforidhit në periudhën e Rilindjes Kombëtare

Nga Jahë Sadrija

Letërsia për fëmijë është një degë e vaçantë e letërsisë së përgjithshme artistike të një kombi, që krijohet posaqërisht për të vegjëlit dhe të rinjtë, me qëllim që të ndihmojë në edukimin e tyre. Duke pasur normat, tematikën, rendësin si dhe lexuesit e pasionuar, letërsia për fëmijë tashmë është bërë realitet, ndaj të cilit shumë kush hesht, por askush nuk mund ta mohoj.  Vitrinat e librarive dhe bibliotekave si në qytet, ashtu edhe në fshat janë përplot libra, që botuesit ua kushtojnë fëmijëve.  Dritë po shohin  edhe revista të ndryshme për fëmijë, të cilat madje, diferencohen sipas moshës së fëmijëve.

Radiostacionet  dhe studiot televizive çdo ditë e më shumë rezervojnë për emisionet kushtuar të vegjëlve. Shumë shkrimtarë sot merren posaçerisht  me shkrime për fëmijë,  duke u bërë të njohur si poetë, tregimtarë, novelistë apo romansier për fëmijë.

Që nga shekujt e kaluar, një interesim i tillë nuk ka munguar, qoftë me shkrime apo edhe përkthime me të vetmin qëllim, që të vegjëlit ta kenë sa më afër thesarin e diturisë.  Një punë të rendësishme e serioze në këtë drejtim, që heret e bëri Rilindasi i shquar dhe i dashur për të rinjë e të rritur, e posaqerisht për të vegjëlit i madhi, Kostandin Kristoforidhi.

Letërsia artistike shqipe për fëmijë zë fillme përkthimet nga fabulat klasike.  Këto përkthime qenë bërë me qëllim që t’i shërbenin përdorimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla.

Të këtij karakteri kanë qenë : Përkthimi në shqip i disa fabulave të Ezopit, të shkruara me alfabetin e Todrit, ose ndonjërit nga nxënësit e tij, aty nga fundi i shekullit XVIII.  Më vonë në shekullin e XIX me këtë punë u muar edhe Anton Santori (1819-1894), i cili përktheu e përshtati  112 fabula të Ezopit dhe të fabulistëve të tjerë.  Pikërisht për këtë kontribut edhe Santori, duhet të quhet dhe të njihet si një nga lëvruesit e pare të letërsisë shqipe për fëmijë.  Për fat të keq, ky punim mbeti dorëshkrim dhe i panjohur për të vegjëlit deri në vitet (1924-1943).  Disa fibula të Santorit u botuan vetëm pas çlirimit në gazetën “Pionieri” nga viti 1955.

Pavarësisht nga kjo, letërsia origjinale artistike shqipe për fëmijë me sa unë di gjer tani, e në bazë të botimeve të njohura, fillon me veprën e Kristoforidhit.  Kostandin Kristoforidhi është një nga themeluesit e kësaj letërsie.  Vepra e tij për fëmijë, e shkruar gati para një shekulli e dy decenje, ka qenë e përhapur gjerësisht në leximin e të vegjëlve.

Kostandin Kristoforidhi- Jeta dhe vepra

U lind në Elbasan në vitin 1827, ani pse disa shenime të mëhershme si vit të lindjes e japin vitin 1830.  Ishte i biri i Anastas Nelkos, një tregtari nga Elbasani.  Mësimet e para i mori në shkollën e qytetit dhe i përfundi kur ishte 14 vjeç.  Më pas, i ati e dërgoi në gjimnazin e famshëm të Janinës, këtu ndërtoi miqësi me shumë atdhetarë, me të cilët punoi tërë jetën e tij për qështjen shqiptare, si në Stamboll ashtu edhe kur u kthye në Shqipëri.  Në Mars të këtij viti u mbushën 117 vjet, që kur ndërroi jetë Kostandin Kristoforidhi, lëvruesi dhe punëtori i pare i Gjuhës shqipe.  Pas vdekjes, me nderime të mëdha, e sa të mundshme, është varrosur në oborrin e shkollës, ku ai u kishte mësuar për shumë vite me radhë fshehurazi shkronjat e shqipes, të vegjëlve e të mëdhenjëve, pleqëve dhe të rinjëve.

Në Janinë u-takua me konsullin e Austro-Hungarisë, Von Hahn i cili merresh me studimin e gjuhës shqipe dhe, për një kohë të gjatë, mori mësime të gjuhës s'onë nga Kristoforidhi.

Pasi kreu gjimnazin e Janinës shkoi e i plotësoi mësimet në Maltë dhe u-kthye në Shqipëri si mësonjës në shkollën fillore greqishte të Tiranës. Studimin e gjuhës Shqipe që e kish filluar kur ish nxënës në Janinë, e thelloi edhe më tepër në atdhe duke i u-vënë me zell e zgjuarësi.

Pas disa vjetësh si mësonjës, shkoi për studime të larta në Londër, më 1856 dhe atje pati takimet e para të një marrëveshjeje me Shoqërinë Ungjillore Britanike për të përkthyer shqip Dhiatën e Vjetër dhe të Re. Kaloi katër vjet në Londër dhe  në Tunis si mësonjës i greqishtes dhe i italishtes. Atje u martua dhe qëndroj deri më 1864, kur e mori Shoqërija Ungjillore si përkthyes të Libravet të Shenjta.

Për dy vjet me radhë e studjoi imtë gjuhën shqipe duke shëtitur nëpër Shqipëri dhe sidomos në krahinat e Elbasanit, të Beratit dhe të Shkodrës. Më 1866 shkoi në Stamboll, dhe filloi punën e përkthimevet. Përktheu dhe botoi veprën e tij pjesë pjesë gjatë 20 vjetëve, dhe më 1884 u kthye në Shqipëri, në Elbasan, ku punoi prap si mësues i shkollës së qytetit në greqishte dhe, më vonë, si anëtar gjygji, deri sa vdiq.

Kostandin Kristoforidhi ka ishte një nga punëtorët kryesorë të Rilindjes sonë Kombëtare , në Stamboll ka bashkëpunuar me vëllëzërit Frashëri, me Vaso Pashën, Jani Vreton, Hoxha Tahsinin e të tjerë, në të gjitha lëvizjet e atëherëshme për zgjimin e Kombit tonë. Puna e këtyre burrave për t'a bërë gati Vendin tonë për një të nesërme të sigurtë dhe të pavarur ka qenë e rëndë dhe e shumanëshme,  Kristoforidhit i ra, sipas prirjes që kishte, barra e punimit të gjuhës. Kësaj detyre ai i ishte vënë me zjarr që në djalëri dhe nuk e la asnjëherëe mënjanë. Si pumë të mundimeve të tija të gjata, na ka lënë dy kryevepra, njërën më me rëndësi se tjetrën ; Përkthimin e Biblës dhe Fjalorin Shqip-Greqisht.

Në veprën e parë shohim dhe shijojmë gjuhën e gjallë, marrë nga goja e popullit me tërë pasurinë dhe bukurinë e saj, jo vetëm të fjalëve por edhe të mynyrave të të folurit që janë krejt shqipe. Në të dytën kemi thesarin e gjuhës sonë të radhitur e të rregulluar ashtu si duhet.,” Dhiata e Vjetër dhe e Reja”, të përkthyera në toskërisht dhe gegërisht.

Fjalori ka qënë puna e tërë jetës së tij, por nuk mundi ta botojë sa ish gjallë. U botua më vonë në Athinë, dhe jo aqë i plotë sa besohet të ketë qënë dorëshkrimi. Megjithëkëtë  është i vetmi fjalor i mirë i shqipes qe kemi dhe një thesar i vërtetë për gjuhën e Kristoforidhit..

Dy vepra të tjera me rëndësi të shkrimtarit  janë,” Gramatika e Gjuhës shqipe” dhe “Abetarja.”.

Kristoforidhi ka shkruar gjithnjë prozë dhe shumë rrallë ndonjë  vjershe, aty këtu, sikur

"Yll' i vogël nalt ndë qiel,

Duket porsi zjarr në pyll ",

në të cilën ai me” Yllin” përsonifikonte Atdhenë, dhe u thoshte atyre që u  mësonte se "Ylli asht Shqipnija, vendi i ynë ku kemi lemë".

Zotësija e tij e madhe në tregimin e ngjarjeve të kaluara shihet në tregimin "Gjaja e Malësorëvet", I njohur si “Gjahu I malësorëve”,në të cilën përshkruan shumë bukur dhe gjallë ,se si gjuajnë malësorët në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Lexuesit i duket sikur po i sheh me sy dhe po i ndëgjon me veshë, gjahtarët dhe qentë, nëpër shkëmbinj e pyje.

Veç këtyre janë edhe letrat e shumta që Kristoforidhi u ka shkruar shokëve të tij. Në këto letra dalin mirë në shesh cilësitë e rralla të tij si njeri dhe si shkrimtar.

Kristoforidhi ka shkruar në të dy dialektet edhe dallohet zotësija e tij si në njërin ashtu edhe në tjerin dialekt. Proza e tij është si të folurit e një plaku që e mat mirë atë që do të thotë,” E thotë shumë   thjeshtë, si e tillë” Zë vënd mirë aty ku bije”. Gjuha shqipe e Kristoforidhit rrjedh vetë dhe është e kulluar dhe e pastër, e qëruar nga fjalët e huaja. Për këtë arsye, gjuha e tij duhet të jetë kurdoherë themel e shembull për shkrimtarët tonë. Kjo është rëndësija që ka Kristoforidhi në punën e gjuhës sonë.

I nisur nga këto pikëpamje , ai solli kontribut në lëmin e krijimit të librave shkollore për fëmijë.  Kishte besim të madh te brezi I ri.  Ky  besim duket qartë në letrën që I dërgonte patriotit Nikolla Naço, në vitin 1888, ku midis të tjerave I shkruante:”Në u shkoftë gjuha e shqipesë ndë këto kohë që gjendemi sot dhe të futetë ndëpër skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të na njohën për komb…e do të kemi pjesë e vend në rrethet e shoqëritë e kombeve të tjera, që gjenden në Evropë”.

Zhvillimet e shpejta të ekonomisë kapitaliste  ndër disa vende të Evropës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër prapambetja e shoqërisë shqiptare nën Turqinë feudale, ushtruan  ndikim të madh për rritjen e lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e cila mori emrin ,”Rilindje”.

Shkrimet për fëmijë- I nisur nga pikëpamjet e lartëcekura, Kristoforidhi solli kontribut në lëmin e krijimit të librave shqip për shkollarët e vegjël.  Veprat më të njohura për të vegjlit janë:  përkthimi I dy librave për mësimin e fesë, “Alfavitar shqip”, gegërisht, botuar më 1866 dhe 1872, “Alfavitar shqip”, toskërisht, botuar më 1872, “Systema diellore” dhe “Jetëshkronja e njerëzvet të ndriçim”, shkruar më 1885.

Të gjitha këto vepra, përveç të parave me karakter fetar, u shkruan për shkollat.  “Alfavitari shqip” është vepra e pare origjinale e Kristoforidhit për fëmijë.  Përveç pjesës së abetares, aty përfshihen edhe copa këndimi me karakter letrar, tregime fetare të ilustruara me skica dhe këshilla për të vegjlit.  Kjo vepër I kalon kufijt e librit shkollor.  Që këtu Kristoforidhi na shfaqet si prozator për fëmijë.  Edhe tregimi I pare në prozën shqipe për fëmijë, “Gjahu I malësorëve “, I shkruar në dy dialektet , është një vepër karakteristike për fëmijë, si në pikëpamje të formës dhe stilit, ashtu edhe në pikëpamje të përmbajtjes.  Karakteri dinamik I dialogut e bën veprën interesante për të vegjlit.


Ponoshec, 21. 07, 2012

(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: