Aleksandër Meksi: Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë
| E Premte, 20.07.2012, 04:00 PM |

Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të  Pavarësisë

Nga Aleksandër Meksi

Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve  por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e krijimit të shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti Shpalljes së Pavarësisë.

Jashtë çdo dyshimi; janë kryer studime dhe publikime të shumta për këto ditë historike,  Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Beratti dhe ribotimin pas tij nga Lef  Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u muarrën me Shpalljen e Pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarje madhore për historinë e popullit shqiptar. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” në vitin 2002, ku jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet  e pjesëmarrësve si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Kuptohet që ajo ngjarje ka zënë vend përherë në studimet me temë historinë e asaj periudhe, Po kështu, duhet përmendur nisma për hulumtimin dhe botimin e dokumentacionit historik që ndodhet në arkivat e huaja. Kjo do të ndihmojë për të kuptuar më mirë dhe me saktësi ato ndodhi, në aspektet e tyre politike e sociale.

Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë, si pasojë e paragjykimeve politike. Po kështu, ka dhe botime të plota të listave të firmëtarëve me foto dhe jetëshkrime të shkurtra nga Niko Kotherja dhe Admirina Peçi, si dhe shpjegime për ngjarjen.

I përfshirë në një punim kolektiv, që lidhet dhe me këtë ndodhi, menduam ta shohim me vëmendje gjithë dokumentacionin e ruajtur për Kuvendin, punimet e tij, pjesëmarrësit,  Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe firmëtarët e tij si dhe vendimet e marra, të nisur nga dëshira për të qenë të saktë. Ishte e nevojshme që mbi materialin dokumentar dhe kujtimet e pjesëmarrësve e bashkëkohësve, të studiohet në mënyrë të plotë ky akt historik, tepër i rëndësishëm për këdo që është krenar se është shqiptar, dhe 100 vjetori është një rast i tillë.

Nëntori i viti 1912 i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga Veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e  ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e bashkë me ta dhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën t’u bënin ballë. Në Jug në territoret e prefekturës së Janinës po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgare. Në kurriz të shqiptarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve.

Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duar kryq  e të bënin sehir por u lidhën me njeri-tjetrin, kudo që ishin dhe vendosën t’i dilnin zot atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive  të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ai tregon, se duke parë veprimet e “Turqve të Rinj” shqiptarët u ngritën në këmbë në Kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç vëren Ismail Qemali, “që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë”. Ai nuk pranoi propozimin që të bënte pjesë  në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen hë Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë. Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vienë e Budapest ku pati takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme  të Austro-Hungarisë Berthtold dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur.

Ismail Qemali nga Viena më datë 9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri “me të parin vapor”. Ai bën të qartë se “E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt”.

Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram  nga Ismail Qemali i cili ju thotë se ”përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësien e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.” Ky njoftim, me një telegram të firmosur “ N’emër të gjithëve  nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani, ju dërgohet : Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Kruës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit.

Në atë njoftim ata ju thonë ”....Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë....”.

Në botimin e Lef Nosit jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për  emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lartë, nga një telegram i firmosur prej Midhat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime  dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.

Në vëllimin me dokumente historike ka telegrame të shumtë që paraqesin luftimet e pushtimet nga të huajt, gjendjen e trazuar e të pasigurt të vendit, peripecitë e udhëtimeve të delegatëve për në Vlorë, zëvendësimin në rast pamundësie me të tjerë, por në çdo rast, ishte parësia që me letra apo telegrame e vërtetonte këtë.

Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi ju nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës  ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e Atdheut, por pasi nuk pati një pritjen e duhut u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë  1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet ata mbrrijtën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani,  që të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuqe zi ma shkabën dy krenare, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës.

Mbledhja e parë e Kuvendit u hap më 28 nëntor 1912 në ora 4 pasdreke në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit.

Mbledhjen e hapi Ismail Qemali si “nisjator “ i saj duke treguar rëndësinë e Kuvendit.

Më tej “siç e kërkon rregulla e zakoni” u bë kontrolli i përfaqësimit për secilin delegat. Ne po i japim më poshtë emrat duke shtuar  në kllapa mbiemrat ose emrat me të cilat edhe njihen.

Berati: Iljas Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani,  Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Sami Bej Vrioni, që mungonte.

Dibra: Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),

Durrësi: Abas Efendiu (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu). Jahja Efendiu (Ballhysa) që pritej të vinte, si dhe Dom Nikoll Kaçorri si “i dërguar i Arqipeshkopit për gjithë shqiptarët katolik që ndodhen nën urdhrin e tij”.

Elbasani: Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani dhe Midhat Be’ Frashëri.

Gjirokastra: Aziz Efendiu (Gjirokastra). Veli Efendiu (Harçi) , Elmas Efendiu (Boce).

Ipeku (Peja): Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Midhat Frashëri, këta delegatë janë dhe të Gjakovës, Plavës e Gusinjës.

Kruja: Abdi Be’ Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja).

Lushnja: Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa.

Ohri dhe Struga: Zyhdi Beu (Ohri), Dr Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojliu.

Sh’jaku (Shijaku): Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Delallisi), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini).

Tirana: Abdi Be’ Toptani, Murad Be’ Toptani.

Vlona: Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu (Kanina,Mustafarai), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, , Ekrem beu (Vlora).

Shqiptarët e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil),Dhimitër Beratti, Dhimitër Ilua që pritet të vij.  Më tej Salih Xhuka  kërkon që të quhen delegat të Korçës së rrethuar: Pandeli Cale, Athanas Floqi,  Spiro Ilua që u pranua. Po kështu, Mustafa Asim Efendiu kërkoj për të njëjtën arsye, që Luis Gurakuqi të njihet si delegat i Shkodrës çka u pranua.

Një telegram nga Përmeti thotë se në se nuk ka ardhur aty Veli Bej Këlcyra ta zërë vendin e tij Surja bej Vlora e Midhat Bej Frashëri. Po kështu njoftohet se nga Ohri e Struga vijnë Mustafa Barotçiu e Hamdi Beu (Ohri).

Me përfundim të kësaj procedure Rexhep Mitrovica kërkoi që Kryetar i Kuvendit të jetë Ismail Kemal Beu e si shkronjës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë Shefqet Daiu, çka u pranua me duartrokitje.

Pas këtyre procedurave Ismail Qemali mbajti një fjalë për gjendjen e Shqipërisë dhe çka duhej bërë. Kuvendi “...pasi pëlqeu fjalët e Z. Së Tij Ismail Kemal Beut vendosi që : Shqipëria të bëhet që sot më vethe e lirë dhe e mosvarme nën një qeveri të përkohëshme”.

Delegatët pastaj zgjodhën Kryetar të Qeverisë së përkohëshme Ismail Kemal Beun dhe nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin.

Pas kësaj delegatët “dualën jashtë të përshëndesin flamurin që u ngrit në orën 5 e gjysëm pasdreke”.

Mbledhja e dytë u bë më datë 30 nëntor. Delegatët dëgjuan procesverbalin që e miratuan. Luis Gurakuqi tha se ata që do vinë më vonë do t’i firmosin në fund këto shkresa përkujtimore, gjë që nuk ndodhi.

Këtë ditë erdhën si delegatë të rinj nga Kosova Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku, Sami Be’ Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu) e Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini.

Me propozim të Aziz Efendi Gjirokastrës u njoh si delegat i Tepelenës Kristo Meksi, ndërsa me kërkesë të Lef Nosit, Sherif Efendi (Langu) si delegat i Dibrës. Pasi Ismail Qemali ishte zgjedh Kryetar i Qeverisë ai u tërhoq nga detyra e Kryetarit të Kuvendit dhe me propozim të Luis Gurakuqit u zgjodh në këtë post Myfti Vehbi Efendiu si dhe Lef Nosi nënkryetar.

Mbledhja e tretë u mbajt më datë 1 dhjetor nën kryesinë e Myfti Vehbi Efendiut. U caktuan dhe dy shkronjës të tjerë  Mustafa Kruja dhe Dhimitër Beratti. U bë mbi bazën e propozimeve një votim për numrin e anëtarëve të Pleqësisë dhe pati debate për këtë votim dmth të votonte nga një për çdo kaza apo gjithsecili. Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë  dhe Pleqnisë u la kur të vinë dhe delegatët e tjerë.

Mbledhja e katërt u thirr në datë 3 dhjetor. Nga Gjirokastra me telegram u caktuan delegatë Myfit Bej Gjirokastra (Libohova) dhe Fehmi Efendiu (Mezhgorani) e Kristo Meksi me Aristidh Rucin. Edhe Kavaja kërkon të përfaqësohet nga Abdi Bej Toptani. Delegatë të tjerë që erdhën ishin nga Gjirokastra  Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha) si dhe Veli Bej Klisura. Me propozim të Myfit Bej Gjirokastrës (Libohova), u quajtën delegatë të Çamërisë Veli Gërra Reshadija, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete) dhe Rexhep Demi nga Filati. Si delegat i Ipekut u pranua Qerim beg (Begolli).

Në këtë mbledhje Ismail Qemali foli për konditat që duhet të plotësojë një ministër që të kënaqet dhe Evropa dhe Stambolli: duhet të jenë emra të njohura brenda e jashtë Shqipërisë. Ai propozoi këtë listë: Mehmet Pashë Tetovën, Myfit Bej Gjirokastrën (Libohova), Aziz Pashën Vehbi Efendiun, Abdi Be’ Toptanin dhe Midhat Frashërin. Këtë e kundërshtoi Dud Karbunara me pretendimin se nuk ishte asnjë i krishterë në listë, mendim që e  mbështetën Pandeli Cale, Dhimitër Beratti e Qemal Be’ Elbasani (Karaosmani). Kështu votimi u la për të nesërmen.

Mbledhja e pestë u bë më datë 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve (mungonin 6). Në të Ismail Qemali ja la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave, Kuvendit, me propozimin,që të jenë 4 të krishterë dhe 4 musulmanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja ju la votimit. Me votat që u morrin fituan fillimisht 5 veta:Luis Gurakuqi me 54vota, Mufit Be’ Gjirokastra (Libohova) 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Be’ Toptani 34,  Midhat Bej Frashëri 35. Këta u zgjodhën sepse fituan më shumë se gjysmën e votave. Prandaj u bë dhe një votim i dytë, me një listë ku ishin 12 emrat që kishim marrë  vota, nga e  cila  u zgjodhën fitues Petraq Poga me 40 vota, Pandeli Cale me 39 dhe Lef Nosi me 37.

Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Berattit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Be’ Vrioni me 55vota,  Sami Be’ Vrioni 54,Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem Be’ Vlora 40,  Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be Elbasani 29 dhe Ajdin Be’ Draga 27. Shënojmë se procesverbali jep edhe si u ndanë votat e tjera për ministrat, ndërsa  për Pleqësinë për të gjithë ata që morën mbi 10 vota.

Mbledhja e gjashtë u mbajt më 6 dhjetor. Në këtë mbledhje vendoset që Qeveria ka si barrë të saj mbrojtjen e çështjes shqiptare përpara Evropës. Ismail beu thotë se qeveria ka ndërmend të jap një falje. U fol për çështje të tjera procedurale dhe u tha se me qenë se tashti Qeveria filloi punën Kuvendi të zgjas dhe dy ditë.

Mbledhja e shtatë u mbajt më 7 dhjetor. Në fillim të saj u lajmërua se nga Mati kanë ardhur delegatët zotërinjtë Ahmet Muhtar Beu (Zogolli), Riza Beu dhe Kurt Agai si dhe Mustafa Efendiu (Barotçiu) nga Starova dhe Hamdi Beu (Ohri) nga Ohri, ndërsa priten të vinë edhe Dervish Hima i Ohrit dhe Hajdar Blloshmi i Starovës, të cilët me sa duket nuk arritën të paraqiten. Mbledhja diskutoi disa çështje procedurale të marrëdhënieve të Pleqësisë me Qeverinë.

Mbas kësaj Kuvendi i mbylli punimet.

Qeveria e formuar në  Vlorë kishte këtë përbërje:

Kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme Ismail Kemal Beu;

Nënkryetar i Qeverisë Dom Nikollë Kaçorri;

Ministër i Arsimit Luis Gurakuqi;

Ministër i Punëve të Brendshme Myfit Bej Gjirokastra (Libohova);

Ministër i Financave Abdi Bej Toptani;

Ministër i Luftës Mehmet Pashë Dëralla (Tetova);

Ministër i Drejtësisë Petraq Poga;

Ministër i Punëve Botore Midhat Frashëri;

Ministër i Bujqësisë Pandeli Cale;

Ministër i Postë-Telegrafëve Lef Nosi

Qysh nga ato ditë historike ka kaluar një shekull dhe ne, të gjithë shqiptarët që jetojmë sot në trojet tona e kudo në botë, kemi fatin ta festojmë këtë përvjetor, duke kujtuar të gjithë ata burra që në shekuj u përpoqën për një Shqipëri të lirë e të shqiptarëve dhe që më në fund ja arritën edhe pse kjo pavarësi qe e mangët. Para 13 vitesh fitoi pavarësinë edhe Kosova ndërsa vitet e ardhshme sigurisht do ketë ndodhi të tjera që varen jo vetëm prej nesh por dhe prej nesh.

***

Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës nga 28 nëntor më 7 dhjetor 1912.

Ne po i rendisim sipas ardhjes në punimet e Kuvendit, por , duke bërë dy sqarime : ditën e parë ishin të pranishëm dhe dy delegatë që nuk kanë firmosur Aktin, me sa duket janë larguar ndërkohë që të tjerët firmosnin; gjithashtu na rezultojnë katër delegatë të shpallur gjatë mbledhjeve të Kuvendit si të tillë nuk kanë mundur të mbërrijnë para se punimet të mbyllen më datë 7 dhjetor, shtojmë se ka dhe  raste që ka delegatë (dy),  që përmenden me emër kur ata mungojnë ose kur ata kanë marrë vota si në rastin Pleqësisë, por,  që nuk është shpallur ardhja e tyre. Pra, mund të ketë ndonjë rezervë par saktësinë e procesverbaleve. Ne nga ana jonë e quajmë të rregullt atë procesverbal.

Firmëtarët :

Ismail Kemal Beu, Ilias Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka),   Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani,  Myfti Vehbi Efendiu (Agolli), Abas Efendi (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu), Dom Nikoll Kaçorri, Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi,  Qemal Beu (Karaosmani), Midhat Be’ Frashëri, , Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Abdi Be’Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa(Lushja), Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojli, Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Deliallisi), Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua, Luis Gurakuqi.

Pjesëmarrësit e tjerë, sipas datës së paraqitjes në Kuvend:

Aziz Efendiu (Gjirokastra), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), këta të dy ishin të pranishëm qysh më datë 28 por nuk firmosën; Mustafa Agai (Hanxhiu),  Jahja Efendiu (Ballhysa),  Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Begolli), Surrja Be’ Vlora, Sami Be Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Kristo Meksi, Sherif Efendiu (Langu), Myfit Bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete), Rexhep Demi, Qerim Beg (Begolli),Avni Bej Delvina, Hamdi Be’ Ohri, Mustafa Efendiu (Barotçiu),  Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu, Kurt Agai, Zenel Be Ipeku (Begolli), Riza Beg Gjakova.

Delegatë që nuk mbërritën në kohë :

Ekrem Be’ Vlora, Dervish Hima,  Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo.

Nga të dhënat që na japin proces verbalet, duke plotësuar emrat me të dhënat e Bardhosh Gaçes dhe studiuesve të tjerë, e sidomos kujtimeve të bashkëkohësve mendojmë se kemi një tablo të plotë të punimeve dhe pjesëmarrësve të Kuvendit Historik të Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kemi pra 40 firmëtarë të Aktit, 42  pjesëmarrës të tjerë dhe 4 delegatë që nuk erdhën në kohë, gjithsej 76 emra burrash, që historia duhet t’i përmendi e nderojë. Siç tha në një nga seancat Luigj Gurakuqi procesverbali dhe akti do të firmoheshin në fund duket kjo nuk u bë, mbase ata nuk i jepnin atë rëndësi që ka për ne sot. Mendimi ynë është se të gjithë këta burra të shquar janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë, e ngritjen e Flamurit Kuq e Zi dhe njësoj duhen nderuar. Ata erdhën për të bërë Aktin zyrtar në emër të popullit që i zgjodhi ta përfaqësojë, se vendimin e kishin marrë me kohë, madje disa nga qytetet e lira e  kishin ngritur flamurin e festuar pavarësinë.

***

Së fundi duam të trajtojmë dhe pamjen e vërtetë që kishte Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Ne e njihnin deri pak kohe sipas fotos tradicionale të botuar nga Lef Nosi ku shihen të gjitha firmat. Para do kohe  studiuesi i pasionuar i historisë dhe i fotografive të vjetra Niko Kotherja botoi atë Akt në pamjen në të cilën qe ekspozuar në vitin 1937 në 25 vjetët e Pavarësisë. Ajo foto i takon mjeshtrit të shquar Kel Marubi, i cili e pat fotografuar me atë rast. Fotografia ka një rëndësi të veçantë për të  krijuar pamjen e vërtetë deri sa një ditë të dali në shesh origjinali.

Sipas saj është e qartë se në anën e  përparme të fletës ishin vetëm Deklarata e Pavarësisë dhe 34 firma, ndërsa në anën e prapme të fletës 6 firmat e fundit. Këtë na e tregon vetë fotografia e fletës së ekspozuar në shpjegimin e së cilës thuhet se “Në faqen e tjetër ndodhen dhe këto nënshkrime:  Mustafa Asim Kruja- Ferid Vokopola - Ymer (Deliallisi) - Xhemal Bej (Deliallisi) - Nebi Sefa Lushja – Zuhdi Ohria”.

Falënderojmë Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër që na mundësoi ta kemi  këtë fotografi. Duke pasur atë si bazë, rindërtuam pamjen e faqes së prapme,  duke e kthyer atë, pra kemi ruajtur dëmtimet e palosjet në vendet e tyre, kemi vendosur ashtu siç janë bashkërisht të gjashtë firmat e fundit, ato për të cilat diçitura dhe foto tregojnë se janë në anën e prapme të fletës së ekspozuar. Në një shikim të vëmendshëm të fotos duken dhe vizat që ka fleta si në fletoret shkollore. Me sa duket Lef Nosi ka montuar në një foto të vetme të gjitha firmat, duke shtuar poshtë ato që ishin në anën e prapme, për të pasur një vizion të plotë të dokumentit. Mendojmë se ai duhet të zëvendësohet nga ky rindërtim i tij, që është më pranë të vërtetës.


Tiranë më 12 korrik 2012

(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: