Gani Mehmetaj: Trimat partizanë dhe armiqtë frikacakë
| E Hene, 16.07.2012, 05:59 PM |

Inserte nga lufta “nacionalçlirimtare”

Trimat partizanë dhe armiqtë frikacakë

Rrëfimi për tre ushtarë gjermanë me një motoçikletë trerrotëshe që i ranë trup e tërthor Ballkanit pa shkrep asnjë plumb.

Nga Gani MEHMETAJ

Kur hynë trupat naziste në Jugosllavi, u prinin tre ushtarë me një motoçikletë tre rrotëshe. Nga Maribori i Sllovenisë deri në Gjevgjeli të Maqedonisë nuk hasën asnjë rezistencë. Motoçikleta gjermane me tre ushtarët e Fuhrerit, u end nëpër gjithë Jugosllavinë pa i dal kush në rrugë. Dëshmitarët thonë se e njëjta motoçikletë, madje edhe të njëjtët ushtarë u panë nëpër qytetet e Kosovës. Komunistët jugosllav aso kohe ishin fshehur në vrimë të miut, sepse të kruheshin me gjermanë, s’ua mbante: nuk ishin aq budallenj sa mendonin të tjerët. Në Kosovë s’kishte komunistë shqiptar, më vonë erdhën nga Tirana e Elbasani.

Ushtria jugosllave u shpartallua nga gjermanët si kështjellë kartuçi pa shkrep asnjë plumb dhe pa asnjë rezistencë.

Të vetmen rezistencë ndaj gjermanëve e bënë shqiptarët e Llapit, në kufi me Serbinë, duke e hutuar pararojën dhe duke e detyruar ushtrinë gjermane të zhvillonte një betejë të ashpër kundër fshatarëve llapjanë. Vetëm disa orë më vonë u mor vesh se lufta bëhej gabimisht: llapjanët nga frika mos erdhën serbët të bëjnë masakra në Llap bënë luftë të ashpër, ndërsa gjermanët menduan se këtu e kishin përqendruar rezistencën ushtarët jugosllavë, meqë ecën njëmijë kilometra dhe nuk hasën asnjë kundërvënie. Disi u morën vesh për këtë luftë të gabuar, megjithëse thonë se delegacioni i llapjanëve e fajësonte ushtrinë gjermane pse hyri në kufi me Kosovën pa paralajmërim. “Menduam që jeni shki, prandaj ua kthyem pushkët,  se, për gjermanë, urdhëroni si në shtëpinë tuaj”, u paska thënë përfaqësuesi llapjanë që dinte gjermanisht.

Tre ushtarët proverbial gjermanë, për t’ua kënaqur zemrën shqiptarëve të Kosovës kishin vënë para mbi njëmijë ushtarë jugosllavë dhe u grahnin si barinjtë lopëve. Ajo që i habiste katundarët nuk qe disfata jugosllave, sepse gjermanit atëbotë s’i rezistonte askush, por aftësia e këtyre ushtarëve t’u grahnin gjithë asaj ushtrie jugosllave pa asnjë vështirësi. Lopçarët vendës s’mund t’u grahnin njëqind lopëve me tre veta, ndërsa gjermanët e kishin vënë para kopenë e pafund të ushtarëve jugosllavë dhe i drejtonin si të donin, pa asnjë shmangie nga xhadeja. “Ju lumtë, po të zot janë”, habiteshin katundarët me aftësitë për t’i grahur kopesë së ushtarëve jugosllavë.

Tre ushtarët me “trerrotëshin”  pasi kapitulloi Italia fashiste, hynë në Shqipërinë londineze, duke bredhur si nëpër Jugosllavi, nga Qafë Prushi deri në Konispol. Dhe prapë nuk hasën në rezistencë, pos nëse u doli aksidentalisht ndonjë grup cubash t’ua merrnin gomat e kamionëve për opinga!

Kjo është kaptina e parë e luftës së trimave partizanë kundër  frikacakëve gjerman në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Besoj se gjendja s’ishte ndryshe as në Greqi. Në vazhdim situata ndryshoi. Grupimet partizane, të cytura dhe të dirigjuara nga instruktorët jugosllavë- serbë, filluan të nxjerrin kokën nga nëntoka si urithi. Një herë e hoqën qafe njëri-tjetrin, pra luftë brenda llojit, pastaj filluan të bëjnë atentate kundër bashkëkombësve të tyre kundërshtarë politik, e tepër rrallë të kruhen më ndonjë nëpunës gjerman. Nëpër fshatra të Toskërisë vepronin më ndryshe: atje e shkrepnin ndonjë plumb sa për të cytur mllefin e ushtrisë naziste, sepse qëllimi nuk ishte të luftonin kundër gjermanëve: miu kundër luanit s’mund të luftonte, por për të nxitur masakra. Se a vriten dhjetë, njëqind apo njëmijë të pafajshëm, trimave partizanë aq u bënte. Të vrarit ishin shqiptarë, ndërsa punëdhënësit e tyre serb atë qëllim kishin, të vriten në mes veti sa më shumë shqiptarë.

Trimat partizanë edhe në vazhdim u shquan për “tërheqje taktike”.

“Gati na doli shpirti, duke ikur gjithë kohën. Mbathja ditën, mbathja natën, kurrë nuk ngulëm këmbë diku”, tregojnë ushtarët e gjorë partizanë shumë vjet më vonë. Trimat partizanë nuk paraqitën asnjë rrezik për tre ushtarët gjermanë, që thuhet se vazhdonin të bridhnin gjithandej nëpër Gadishull pa iu trembur syri. Nuk frikësoheshin as nga trimat partizan të Mugoshes e Miladinit maleve shqiptare.

Historianët e dinë fare mirë këtë gjë, e dinë edhe ata që u bënë copa të dëshmojnë se partizanët zhvilluan beteja, lufta, hapen fronte, ofensiva etj. Por betejat u bënë shumë më vonë: në filmat partizanë, në ditarët e stisur të luftës, në kujtime, në dokumentarët e porositur, ku komisarët e komandantët rrëfenin bëma që as në ëndërr s’i kishin pa. Kush do t’u thoshte se gënjejnë?

Trimat partizanë në Shqipëri, Jugosllavi e Greqi nuk zhvilluan asnjë betejë, që mund ta shënonte historia, me gjithë simpatinë që gëzojnë “nacionalçlirimtarët” në korpusin e historianëve shqiptarë andej dhe këndej kufirit. Asnjë përpjekje, asnjë nishan dhe asnjë rezistencë nuk e bënë gjatë gjithë kohës sa qëndruan trupat naziste në Ballkan. Historianët përpiqen të na bindin se kishte më mijëra partizanë nëpër male, por kur binte bora zbrisnin nëpër shtëpitë e tyre, apo u binin në qafë fshatarëve dhe zhdëpeshin me mish të terur e fasule të ngrohtë. Prapë kur dilte pranvera dilnin si cubat nëpër male dhe e ndiqnin armikun si dhelpra dashin nga distanca, duke mos e provokuar asnjëherë.

Merita e dëbimit të trupave naziste ishte e aleatëve, sa për partizanët shqiptarë, jugosllavë e grek, gjermanët do të rrinin për jetë e mot nëpër këto vende.

Në fund te luftës, kur trimat partizanë panë se armiku është duke u tërhequr, atëherë mobilizuan dhunshëm më mijëra fshatarë dhe iu qepen prapa. Të mobilizuarit në çetat partizane tregojnë se as në atë gjendje të disfatës naziste, partizanët s’patën forcën dhe guximin të zhvillonin ndonjë betejë. “U shkonim prapa, më frikë se mos na ktheheshin dhe na bëjnë fërtele. Por ata vazhdonin tutje. Vetëm kur ne e zvogëlonim distancën, atëherë gjermanët na ktheheshin me një breshëri artilerie, apo me një sulm të shpejt sa na bënin pikë e pesë. Na përvëlonin, prandaj nuk e njihte qeni të zonë. Gjysma e partizanëve nuk ktheheshin më, merrnin arratinë. Dhe nazistët gjerman sërish vazhdonin rrugëtimin e tyre. Ata nxitonin të shkonin në vendin e tyre, ne shpresonim t’ua merrnim armët, kur t’i fërfëllonin nga dëshpërimi”, më ka treguar një i afërm, ish partizan.

“Me gjermanin kurrë nuk jemi ndeshur ballazi, kurrë nuk kemi zhvilluar ndonjë betejë një vjet e gjysmë sa isha në Brigadën e tretë. Ndonjëherë u dilnim në pritë furnizimeve, por ushtarëve të mirëfilltë asnjëherë. I sertë ishte gjermani”, rrëfente trimëritë e bashkëluftëtarëve të vet, bashkëvendësi tjetër imi.

Po lufta e trimave partizanë, kundër nazistëve frikacakë që e shohim nëpër filmat jugosllavë e shqiptarë, si i thuhet? Ishte pjellë e kineastëve gënjeshtarë, sepse vetëm në filmat e budallenjve një partizanë mund të vrasë dhjetë gjermanë, apo të shpartallojë ushtrinë gjermane.

Partizanët kurrë nuk ishin as trima dhe as të fisëm, më tregon tjetri që po ashtu ishte në ushtrinë e tyre mbi një vjet. Vinin nga fshati të rekrutuar dhunshëm, pa asnjë ideal, apo iknin nga qyteti, ku s’bënin asnjë punë, pos kishin jetuar në kurriz të familjes. Partizanët vuanin nga morrat, pisllëku, sëmundjet venerike, ishin të vrazhdë, fshatarë të pagdhendur, apo qytetarë të pa fisëm e të pa nivel arsimimi, punëtorë përtac, finok si hajdutë pulash. E pushkatonin njëri-tjetrin për një fjalë goje, i frikësoheshin komisarëve sikur ne oficerëve të shkive në ish-Jugosllavi, e spiunonte secili secilin dhe s’dihej kujt i besonin e në ke dyshonin. Nga një ushtri e tillë laragane pa asnjë ideal,  pa asnjë disiplinë apo fisnikëri ushtarake, s’kishe s’i prisje më shumë.

Masakra e trimave partizanë (jugosllav e shqiptar) kundër popullatës shqiptare në Kosovë e Shqipëri dhe në territor etnike shqiptare është kaptinë e veçantë, tepët tragjike që të harrohet apo t’u falet kriminelëve e nipërve të tyre...

*

... Motoçikleta tre rroteshe gjermane, që hyri në kufirin e ish-Jugosllavisë (Maribor) me 13 prill 1941, u kthye sërish në Gjermani nëpër të njëjtën rrugë pa asnjë gërvishtje, kur kapitulloi Gjermania naziste nga presioni i aleatëve. Por mungonin dy ushtar, të cilët i kishin dërguar në frontin e Lindjes.

Trimat partizanë e shihnin nga monopatet motoçikletën trerroteshe dhe s’kishin guxim ta sulmonin as tash kur ishin dy ushtar më pak...



(Vota: 39 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: