Demir Krasniqi: Këngë fejese nga Malësia e Gollakut
| E Hene, 16.07.2012, 06:20 PM |

Nga folklori ynë burimor:

 

KËNGË FEJESE NGA MALËSIA E GOLLAKUT

 

Mblodhi : Demir KRASNIQI

 

30. SUTO, SUTO DIL TU LISI

            (Prizren)

 

Suto, Suto, e moj dil tu lisi,

O, dil tu lisi-o!

Bjerma çevrën, e moj ta qëndisi,

O, ta qëndisi-o!

 

Ta qëndisi, jalla, hem ta shkruj-e,

O, hem ta shkruj-e,o!

Ta ndaj vadën, jalla, sod ni muj-e,

O, sod ni muj-e, o!

 

Sod ni muj-e, jalla, sod tri dit-e,

O, sod tri dit-e, o!

T’ i nxjerr teshat, jalla, me shirit-e,

O, me shirit-e, o!

 

Me shirit-e, jalla, s’ po mi kana,

O, s’ po mi kana-o!

Pa shirit-e, jalla, s’ po m’ len nana,

O, s’ po m’ len nana-o!

Prishtinë, 1971

 

31. A DALË LULA N’KODËR

            (Gëmicë-Gollak)

 

A dalë Lula, n’ kodër e po vetë –

Sa koshiqe i kini me bletë?

 

Na i kemi nizet’ e tetë,

Nizet’ e tetë, nizet’ e shtatë...

 

Kurrë se hajna bukën thatë!

Her’ me pite, her’ me mjaltë!

Tugjec, më 01. 11. 1970

 

32 . A E KE PA VLLAUN TEM NAJHERË

            (Feriçevë-Gollak)

 

Oj, Luli, ballin me tel,

A e ke pa vllaun tem najherë?

 

-E kam pa n’ bashqe, lula tuj vaditë;

Ai ma zgati dorën – unë e ungja kry’t!

 

-E kam pa ni dita, tuj shkue te shkolla;

Ai më tha”Mirdita!”, e unë nuk i fola!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

33. ASHT UNGJË LULA TE QURRSHIJA

            (Llabjan- Prishtinë)

 

O, asht ungjë Lula, te qurrshija –

E poj ngon urimet, qi poj knon radija!

 

Shoqet tua, Lulo, jesin pa punue –

Urimet e tua përditë tuj t’ i ngue!

 

Shoqet tua, Lulo, po jesin pa gjumë –

Se urimet tua, po vinë shumë e shumë!

Llabjan, 1979

 

34. NË LLABJAN PO HECUM ME DRAMA

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Në Llabjan, po hecum me drama-

Ma i mier Llabjani, se Tirana!

 

Në Llabjan, po hecum me maqina –

Ma i mier Llabjani, se Prishtina!

 

Në Llabjan, po hecum me tren –

Ma mier n’ Llabjan, se n’ Prizren!

Llabjan, 1979

 

35. GJERMANISHTE, GJERMANISHTE

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Gjermanishte, gjermanishte,

Oj Lulije, oj artiste!

 

Shkojnë e vesin nanën, babën –

A ta marr unë, Fadil agën?

 

-Merre, merre, mos u plas ,

E jetoni të dy bashkë!

 

Boll qëndisa, boll punova –

Me Fadilin u fejova!

Llabjan, 1979

 

36. ADEM AGA, MORE PLLUM

            (Prishtinë)

 

Adem-aga, more pllum,

A ke nxanë nuse naj kun?

 

I kam nxanë, he, i lumi unë,

Nja n’ sheher, nja n’ katun!

 

E katunit – miqët me i pritë,

Ajo e shehrit – me u shetitë!

 

E katunit – për takam,

Ajo e shehrit – për jerdam!

Prishtinë, 1974

 

37. AGAJ BABA KA BA BE

            (Meshinë-Gollak)

 

Agaj baba, ka ba be –

Kur ta marr ma t’ parën re,

Kijet e zjellës kam me i pre!

 

Kam mej pre, kam mej shkurtue,

Shtat’ tupana kam mej bumllue,

Shtat’ katune kam mej trazue!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

38. ANI ORI NANË, MOJ HANA E RE

            (Llabjan-Prishtinë)

 

Ani, ori nanë ,moj hana e re,

Lumja ti, për t’ parën re!

 

Lumja ti, për ditë që prite,

Lumja ti, për djalë që rrite!

                                    Llabjan, 1979

 

39. PO THOTË LULA LUMJA UNË

            ( Llabjan – Prishtinë )

 

Po thotë Lula - lumja unë e lumja,

T’diellum- t’ dielle, vjen çanta me kumlla!

 

Vjen çanta me kumlla, vjen çanta me rrush,

Lumja unë, e lumja, e kam burrin msues!

       Llabjan, 1979

 

40. OJ LULIJE OJ KOKONË

            ( Llabjan – Prishtinë )

 

Oj Lulije, oj kokonë,

Kceje rekën e dil n’ kit anë!

 

Kceje rekën e shkile barin,

Eja merre, vllaun tonë-arsimtarin!

Llabjan, 1979

 

41. NI FIJE BARI E DY FILIZ

            ( Llabjan – Prishtinë )

 

Ni fije bari e dy fije filiz,

Ku e pe vllaun tem, qi tu begenis?

 

-Unë e pashë te dera e stanit –

Tu ja dhanë kmishën e mitanin!

 

Unë e pashë te dera e banesës –

Tu ja dhanë unazën e fejesës!

Llabjan, 1979

 

42. BOJSILEGU I BUTË TE BUNARI

            ( Llabjan – Prishtinë )

 

Bojsilegu i butë, te bunari,

Me pas deshtë vllau i jonë –

Ish fejue ma i pari!

 

Ish fejue ma i pari, po s’po don,

Tej ta merr veturën me tasjan!

 

Vllau i jonë, kur ta merr veturën –

Qatëherë do t’ ja nxana edhe Lulën!

Llabjan, 1979

 

43. ARSIM EFENDIJA

            (Grashticë-Prishtinë)

 

O, Arsim, Arsim efendija,

Teshat tua s’po t’i manë baskija!

 

As baskija, as ekseri –

Pej najllani e pej “kangeri”!

 

O, Arsim, palltën me pika,

N’ Selanik, t’ hupi dita!

 

N’ Selanik, t’ hupi dita –

Tu e lypë Lulen, me muzika!

 

-Unë e lypa edhe e gjeta,

Baballakun e zateta!

 

As s’i fola, as s’e luta,

Ia mora çikën – hiç s’ju tuta!

Prishtinë, 1974

 

44. BINI MOLLA RRETH NI DRINI

            (Prishtinë)

 

Bini molla, rreth ni Drini,

Qiti rrema flytyrymi.

 

Qata rrema qi po i qet –

I mledh djali me dor’ t’ vet!

 

I mledh djali me dorë t’ vet –

Po ja ruen syzezës s’ vet!

Prishtinë,  1974

 

45. BUKURI – PAPUÇET E VERDHA

            (Kalaticë-Llap)

 

Bukuri, moj,  papuçet e verdha,

Fanol – vllavi, n’ Normale te Peja!

 

N’ Normale te Peja, çka po ban?

Ka marrë gjuhën shqipe pe studjon!

Prishtinë, 1974

 

46. ÇKA KA VLLAVI I JEM QI PO RRIN N’ SOKAK

            (Llabjan-Prishtinë)

           

Çka ka vllavi i jem,

Qi po rrin  n’ sokak,

Vajza e Prishtinës,

Ju ka ba marak!

 

Ju ka ba marak,

E do  t’ ja lypim;

Ani, mos na e dhashtë,

Na do  t’ ja ikim!

 

Ani, do  t’ ja ikim,

Kur  t’ nukin duhan;

Ani, kur  t’ vjen nana –

Çikën ku e kam?!

Llabjan, 1979

 

 

47. U HYPË VLLAVI I JEM NË KAT T’ EPËR

            (Llabjan – Prishtinë)

 

U hypë vllavi i jem në kat  t’ epër –

Po ja shkruen gjyshës ni letër!

 

Po shkruen ni letër,

E po i banë  selam –

Bane gjyshe, çikën gati,

Se po vi me e marrë!

 

N’ desh me dramë, oj gjyshe,

E n’ desh me bollan!

 

Bollana ushton,

Bollana ushton,

Çikën ta tranon, oj gjyshe,

Çikën ta tranon!

Llabjan, 1979

 

48. OJ LULIJE, TI NA FIKE

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Oj Lulije, ti na fike,

Kalin me shalë, ti na e shite!

 

-O, unë ja u shita e ja u pagova,

Ni qylym, unë, nanës ja marova!

Llabjan, 1979

 

49. DEFI I JONË SHQIPONJËN N’ MJEDIS

            (Batllavë-Llap)

 

Defi i jonë – shqiponjën n’ mjedis,

Vllavi i jem asht artist.

 

Defi i jonë ,ty t’ raftë funi,

Veç t’um niejnë krejt katuni!

 

Defit tonë i raftë xhamparja,

Veç t’ na niejnë krejt mahalla!

Prishtinë, 1974

 

50. DEGËT E DRANDAFILIT

            (Milec-Llap)

 

Degët e drandafilit,

Kan dalë në sokak;

Shokt e Jakup-agës,

Tan janë ba merak!

 

Tan janë ba merak –

Veç po kajnë;

Ku po i merr kto çevre,

Jakupi, qi po i banë?!

 

Her po i merr n’katun,

Her po i merr n’qytet:

Ja ka pru bakshisht,

E dashura e vet!

Prishtinë, 1974

 

51. DORË MAS DORE

            (Llabjan-Prishtinë)

           

Dorë mas dore, gisht mas gishti,

Mahrama me tel;

Vet e pe, e vet e zgjodhe,

Vllavin tem frajer!

Llabjan, 1979

 

52. OJ LULIJE FLOKËT DUJË – DUJË

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Oj Lulije, flokt dujë-dujë,

Çka i dole përpara djalit t’ hujë?

 

-Unë i dola e i thash: “Mirëdita”,

Ai mi mushi duert me kikirika!

 

 

Unë i dola, e i thash:”Mirëmrama”,

Ai mi mushi duert me bombana!

 

Unë i dola, e i thash:”Mirëmjesa”,

Ai mi mushi duert me karramela!

Llabjan, 1979

 

53. DY BYLBYLA NË PENXHERE T’ ODËS

            (Tugjec-Gollak)

 

Dy bylbyla – n’ penxhere t’ odës,

Zhdirgju vllavi jem, qasaj kodrës!

 

Qasaj kodrës, nëpër qata lisa,

Vetë e pashë Lulijën, vet e begenisa!

 

Vet e begenisa – nuk ma kish kërkush,

Vetllat si gajtan – sytë e zi si rrush!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

 

54. DY BYLBYLA NË PREZORE T’ODËS

            (Meshinë-Gollak)

 

Flutruen dy bylbyla, në prezore t’ odës,

Ngjitu Dylber aga, ngjitu qasaj kodrës!

 

Ngjitu qasaj kodrës, t’i thojna dy fjalë,

Kur po thu, oj Rrushe, ty me ardhë me t’ marrë?

 

Hajde Dylber-aga, të diellën, të diellën,

Lulat e pranverës  qatëherë na çilën!

Tugjec, më 26. 10. 1970

 

55. E KEM GJUE PRISHTINËN ME LIRA

            (Lluzhan-Llap)

 

E kem gjue Prishtinën me lira –

E kem zgjedhë çikën, ku ishte ma e mira!

 

E kem gjue Prishtinën me pare –

E kem zgjedhë çikën, ku ishte ma e madhe!

 

E kem gjue Prishtinën me flutra –

E kem zgjedhë çikën, ku ishte ma e bukra!

Prishtinë, 1974

 

56. E KEM NXANË NI NUSE NËR POTUR MAHALLË

            (Meshinë-Gollak)

 

E kem nxanë ni nuse, nër Potur-mahallë,

Nuk kishin xhami, se ku me u falë!

 

Merri Dylber-aga, ni tubë pare –

Çojav ta marojnë xhaminë me minare!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

57. E KEM NXANË NI NUSE

            (Prishtinë)

 

E kem nxanë ni nuse,

I ka buzt e kuqe.

Ajman, Ajmane,

Ajman, shumë e mirë e bukur je!

 

E kem nxanë ni nuse,

Flokët kaçurrela.

Ajman, Ajmane,

Ajman, shumë e mirë e bukur je!

 

E kem nxanë ni nuse,

Me dy sytë e zi-e.

Ajman, Ajmane,

Ajman, shumë e mirë e bukur je!

 

E kem nxanë ni nuse,

Me vetulla të holla.

Ajman, Ajmane,

Ajaman, shumë e mirë e bukur je!

Prishtinë, 1974

 

58. FEHMI AGA MORE PLLUM

            (Metergoc-Llap)

 

Fehmi-aga, more pllum,

A ke nxanë naj nuse kun?

 

-I kam nxanë,he, i lumi un’ –

Nja n’ sheher, nja n’ katun!

 

-E katunit – ma mjel  lopën,

Ajo e shehrit – ma fshinë sobën!

 

-E katunit – veshë najllan,

Ajo e shehrit – veshë fustan!

Prishtinë, 1974

 

59. FETAH AGA N’ QAT  DUGAJË

            (Prishtinë)

 

Fetah-aga, n’ qat  dugajë,

Tek po ngjitet ni zojë e ranë!

 

Zojë e ranë, çarrshisë përpjetë,

Fetah-agën  n’ darkë pe thrret!

 

Fetah-aga, n’ darkë ka shkue,

Me Lulijen, asht fejue!

Prishtinë, 1974

 

60. FLUTUR, FLUTUR NË TËRRSHANË

            (Llukar-Prishtinë)

 

Flutur, flutur në tërrshanë,

Si Ismajlin, dhandërr  s’ gjanë!

 

As  s’ gjanë dhandërr, as  s’ gjanë mik,

Si Shabanin, shpijanik!

 

Shpijanik e shumë bujarë –

N’ krejt katunin, shpi e parë!

Prishtinë, 1974

 

61. FLUTUROJ DALLDYSHA

            (Cfircë-Gollak)

 

Fluturoj dalldysha,

E na ra në kinla;

S’e din Lula, venin,

Se ku rrina!

 

Veni ynë, oj Luli,

Dihet shumë  kallaj;

Para dyerve t’ shpisë –

Dugajë e saraj!

Tugjec, 17. 11. 1973

 

62. FLUTUROJ DALLDYSHJA

            (Gmicë-Gollak)

 

Fluturoj dalldyshja,

E na ra nër tela,

Ore, vllavi i jem-o,

U shit Sarajeva!

 

U shit Sarajeva,

Ani, për ni natë,

Me pare t’ rana,

Edhe me dukat!

 

Ani, me dukat

E me pare t’ rana,

Bahet Sarajeva,

Ani, krejt e jona!

 

Me u ba Sarajeva,

O, e jona krejt;

Po na e kan inati

E na çesin porez!

 

Ma s’ nalti porezin,

Ani, na s’e dojna,

Kena shkollovana

E s’i durojna !

         Tugjec, më 21. 10. 1970

 

63. FLUTUROJ NI FLUTUR

            (Vranidoll-Prishtinë)

 

Fluturoj ni flutur –

Na ra n’ ara t’grunit;

Pse ma begenise, Luli,

Djalin e katunit?

 

-Nuk jav begenisa

Djalin e katunit,

 

Po jav begenisa

Hamaret e grunit!

 

Hamaret e grunit,

Kur naj ke pa?

-Kur jam kan e vogël,

Qasajde i kam ra!

Prishtinë, 1974

 

64. FRYNI ERA E PRIZRENIT

            (Prishtinë)

           

Fryni era -

Era e Prizrenit,

Çiti n’ tokë, oj,

Dushkun e bagremit![1])

 

Mlidhi vlla-o,

Me gishtat e dorës,

Qysh e more ,

O, vajzën e shkollës?!

Prishtinë, 1974

 

65. HYP O VLLAVI I JEM QATJE N’ KREVET

            (Prishtinë)

 

Hyp, o  vllavi i jem,

Qatje në krevet –

Çkrepe djalo, çkrepe,

Çkrepe  ni fyshek!

 

Çkrepe djalo, çkrepe,

Çkrepe  ni fyshek –

T’ binë e baba-derrit,

Banma Zo’, kismet!

 

Banma Zo’, kismet,

E  t’ shkoj ta lypi;

Mos ma dhashtë  me çef –

Do t’ ia grabiti!

Prishtinë, 1974

 

66. GJETA ISMET AGËN TUJ SHKRU ME MAQINË

            (Tugjec-Gollak)

 

E musha bakallin,

E lash n’ tavolinë,

Gjeta Ismet-agën,

Tuj shkru me maqinë!

 

Me maqinë e gjeta,

Me maqinë e lash,

Ma muer Zoti, gojën –

Mirëdita, s’i thash!

 

Mirëdita, s’i thash

Se u hutova,

Ish kan djalë i huej

E nuk guxova!

Tugjec, më 11. 11. 1970

 

67. HAJ LUMI UNË

            (Tugjec-Gollak)

 

Haj, lumi unë, moj,

Haj, lumi unë -

Motra pak

E vllazën shumë!

 

Vllazën shumë -

Për me i fejue!

Motra pak -

Për me i këndue!

Tugjec, më 16. 10. 1970

 

68. HAJDE DALUM E KNOJMË ME DEF

            (Prishtinë)

 

Hajde dalum e knojmë me def –

Na e kan  dhanë Lulen, për çef!

 

Hajde  knojna për sevda –

Na e kan  dhanë t’ mirën për vlla!

 

Hajde knojna për shyhret –

Na e kan dhanë Lulën, syret!

 

Hajde knojna n’ mekam t’ gatë –

Veç qi e kem t’ mirën kunatë!

Prishtinë, 1974

 

69. HAJDE DALUM KNOJNA N’ HAJAT

            (Lluzhan-Llap)

 

Hajde dalum, knojna n’ hajat –

Le t’ na nien Lulija, se asht ngat!

 

Hajde knojna e vallzojna,

Veç qi u ba Lulija e jona!

 

Oj, Luli, a ke punue?

Autobusat i kem pague!

 

Oj, Luli, ore dukat –

Vimë e t’ marrum me “Fiat”!

Prishtinë, 1974

 

70. HAJDE LUJNA  ME BOLLANA

            (Cfircë-Gollak)

 

Hajde lujna me bollana,

Çfarëdo nusje, na nuk nxana!

 

Çfarëdo nusje- bosharet;

Qafëgastare, e kem zgjedhë vet!

Tugjec, më 23. 10. 1970

 

71. HAJDE LULA JONË A PO VJEN

            (Gmicë-Gollak)

 

Hajde Lula jonë, a po vjen?

Çevret me tetë,a po na i bjen?

 

Çevret me tetë, nuk i dojna!

Jena puntorë vet e i punojna!

 

Ani, kti punëtorit i ka hije,

I ban pun’ t  e del nër hije!

Tugjec, më 21. 10. 1970

 

 

 

72. HAJDE LULA JONE E SHIHE VEREN

            (Tugjec-Gollak)

 

Hajde Lula jonë, e shihe verën,

Rrushi i bardhë, ne, na e ka nxanë derën!

 

Rrushi i bardhë, e rrushi i zi,

S’po na lanë mrena me hi!

Tugjec, më 16 .10. 1970

 

73. HAJDE LULA JONË KQYRE VERËN

            (Gëmicë-Gollak)

 

Hajde, Lula jonë, e kqyre verën,

Rrushi i bardhë, na e ka nxanë derën.

 

Rrushi i bardhë e rrushi i zi,

S’po na lanë mrena me hi!

 

Rrushi i zi kur zenë me dushkue,

Edhe jeta vjen ty u shtue!

 

Rrushi i bardhë, kur zenë me u pjekë,

Edhe jeta bahet xhenet!

Tugjec, më 22. 10. 1970

 

74. HAJDI MOTRA TA LEXOJMË GAZETËN

            (Dabishec-Gollak)

 

Hajdi motra, ta lexojmë gazetën –

T’ia urojma vllavit tonë fejesën!

 

S’ia urojna veç na t’ dyja,

Ja  urojna krejt shoqnija!

Prishtinë, 1974

 

75. HAJDI VAJZA TA LEXOJMË GAZETËN

            (Cfircë-Gollak)

 

Hajdi vajza, ta lexojmë gazetën,

T’ia urojna vllavit tonë fejesën!

 

S’ia urojna veç na t’ dyja,

Ja urojnë krejt shqiptaria!

 

Bini vajza të rrehum shuplakë,

E bija e presnjakut, ish kan me nafakë!

 

E bija e presnjakut, e presnjakisë,

Erdh e muer djalin e zotnisë!

Tugjec, më 21. 10. 1970

 

76. HASAN VLLAVI TALLAZIN MI SY

            (Vranidoll-Prishtinë)

           

Kush na i ra dritares karrshi?

Hasan-vllavi, tallazin mi sy!

 

Hiqe vlla, tallazin se u çorrove –

Çikat e Gilanit, na i tranove!

 

Na i tranove edhe e muerën bregun –

Lum kush e merr Hasan-begun!

 

Lum kush e merr e kush e ka –

T’ lumet motrat,  qi e thrrasin vlla!

 

Lumja  ajo nanë, qi e ka ba,

I lumi baba, djalë, qi e ka!

Prishtinë, 1974

 

77. HASAN VLLAVI SLLUZHBENIKI

            (Vranidoll- Prishtinë)

 

Hasan-vllavi, Hasan-slluzhbeniki[2]

Teshat tua, ma drejt se shiriti!

 

Ma drejt se shiriti, t’i manë peglla,[3]

Mirë po t’i pegllatë kjo uçitelka[4]

 

T’i pegllatë, t’i bjen ujti –

Hajde e veshi, o gjakovali!

Prishtinë, 1974

 

78. MALIQJO, LULA JARGOVAN

            (Vranidoll- Prishtinë)

 

Maliqjo, lula jargovan,

Hasan-aga, i pari shkollovan!

 

Shkollovani, nëpër ara,

Vet përmas e bollicat përpara!

Prishtinë, 1974

 

79. NJI LULE – DY LULE

            (Vranidoll- Prishtinë)

 

Nji lule – dy lule,

Une i qinisa;

 

Oj Lulije, oj kunatë,

Për vlla t’ begenisa!

 

Nji lule – dy lule,

Une i punova;

Për vlla temin, oj Luli,

Une të pranova!

Prishtinë, 1974

 

80. S’ PASKA GJA MA HIJESHI

            (Vranidoll – Prishtinë)

 

S’paska gja ma hijeshi,

Se me pasë motra e shumë vllazni!

 

S’paska gja ma sevda,

Se me thirrë motra – ore vlla!

Prishtinë, 1974

 

81. ISMAJL AGA ME PATIKE

            (Lupç i Ulët-Llap)

 

Ismajl-aga, me patike,

E ka krye shkollën teknike!

 

Ismajl-aga, n’ xhamper t’letë,

Asht tuj shkue n’ fakulltet!

 

Ismajl-aga, me sandalle,

E ka krye shkollën normale!

Prishtinë, 1974

 

82. ISMET AGA KMISHËN ME NI PIKË

            (Kalaticë-Llap)

 

Ismet-aga, kmishën me ni pikë,

Arsimtari, qi na jepë fizikë!

 

Ismet-aga, kmishën me ni lulë,

Arsimtari, qi jepë fiskullturë!

Prishtinë, 1974

 

83. ISMET AGA KMISHEN ME VARAK

            (Llabjan-Prishtinë)

 

Ismet-aga, kmishën me varak,

Shumë e vajzav ju ke metë marak!

 

Ju ke metë marak me u martue,

Thojke Ismet-aga, nuk i due!

 

Qysh nuk i don, o rremi i dukatit?

-Nuk du me u fejue para vaktit!

Prishtinë, 1974

 

84. OJ LULI, SHISHA ME MALINË

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Oj Luli, shisha me malinë,

Je e mirë, oj me diciplinë!

 

Diciplinën, oj kush ta ka m’ sue?

Ismet-aga, në shkollë tuj shkue!

Llabajn , 1979

 

85. JALLAJ DUEL XHEVATI

            (Magure-Kamenicë)

 

Jallaj, duel Xhevati, aman, aman,

Jallaj, te murrizi, aman, aman,

Jallaj, te murrizi, aman-e!

 

Jallaj, vet Lulijen, aman, aman,

Jallaj, begenisi, aman, aman,

Jallaj, begenisi, aman-e!

 

Çka ma begenise, aman, aman,

Djalin e fshatarit, aman, aman,

Djalin e fshatarit, aman-e?

 

Unë ja begenisa, aman, aman,

Frizurën e ballit, aman, aman,

Frizurën e ballit-aman-e!

 

Çka ma begenise, aman, aman,

Djalin e qytetit, aman, aman,

Djalin e qytetit, aman-e?

 

Unë ja begenisa, aman, aman,

Mindilin e xhepit, aman, aman,

Mindilin e xhepit, aman-e!

Kamenicë, 09. 04. 1972

 

 

86. JELEKI JESHIL

            (Cfircë-Gollak)

 

Jeleki jeshil, o djalë,

Sa t’ paska hjeshue!

A i ke ra kalem, o djalë,

A e ke vizatue?!

 

-E kam vizatu’, oj çikë,

Une me bojica;

Ma ka dhanë yrrnekin, çikë,

Qajo drugarica!

 

Qajo drugarica, çikë,

Çka po shkon në shkollë;

Mathun i ka çizmet,

Çantën në ni dorë!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

 

87. KA ÇELË GJYLI I BUTË TE BUNARI

            (Besi-Prishtinë)

 

Ka çeklë gjyli i butë te bunari,

Vllavi i jem i merr erë ma i pari.

 

Te bunari përskaj dere,

Hajde vllavi i jem e merri erë!

 

Merri erë e kputja lulën,

Vjen Lulija e hijeshon kullën!

Prishtinë, 1974

 

88. NA KA BI NI PEMË NË LIVADH

            (Besi – Prishtinë)

 

Na ka bi ni pemë në livadh,

Gjysa mollë, gjysa portokall.

 

Portokallit kush ia nukë ni rrem?

Kjo Lulija me vllaun tem!

Prishtinë, 1974

 

89. OJ LULI, PANAMA E QINIST

            (Besi – Prishtinë)

 

Oj Luli, panama e qinist,

Me vllaun tem, ku u begenist?

 

-Unë e begenisa te reka tuj la tesha,

Ai më foli, e une ju kesha!

Prishtinë, 1974

 

90. LULA JONË DIMIJAT ME TEL

            (Besi – Prishtinë)

 

Lula jonë, dimijat me tel,

T’i biem kerret sikur n’ hotel!

 

Lula e jonë, dimijat “velluri”

T’i biem kerret sikur para “Bozhuri”!

Prishtinë, 1974

 

91. LULA E JONË OJ E MIRË SHIQER

            (Besi – Prishtinë)

 

Lula e jonë, oj e mirë, shiqer,

Çka i lakmove vllavit tem n’ kerr?

 

-I lakmova, kur e pashë tu i grahë,

Dhe e mora veç për sevda!

 

Për sevda e për ahiret,

Ish kan si dylber, i mirë si syret!

Prishtinë, 197.

 

92. HAJDE LULË TE NA E MERRMA D0RËN

            (Besi – Prishitinë)

 

Hajde Lulë, te na e merrma dorën,

Ta fali hallhallën e dorës.

 

Hajde Lulë, trego qysh je,

Ma jepë dorën, e kujna je?

 

A je e bukur si sahat,

Ta fali njanin dukat!

Prishtinë, 1974

 

93. KA ÇELË LULA GJYLI PARA DERËS

            (Cfircë-Gollak)

 

Ka çelë lula, gjyli para derës,

Afrou vllavi i jem e merri erë!

 

Afrou merri erë e kputja lulën,

Mirë e din, oj Lulija, kulturën!

Prishtinë, 1974

 

94. KAPËRCEVA JAZIN

            (Batllavë-Llap)

 

Kapërceva jazin –

M’ ra mindili n’ ujë;

Oj Lulija jonë,

Synin mos ma lujë!

 

Synin mos ma lujë,

Edhe mos u tremë;

Vllavi i jem i ka

Treqin copa dhenë!

Prishtinë, 1974

 

95. KEMI LYPË TEJ MATAN SHYPNIJE

            (Rimanishtë-Prishtinë)

 

Kemi lypë tej matan Shypnije –

Tej e gjetum ni lulë saksije!

 

Kemi lypë tej matan Tirane-

Tej e gjetum ni lulë kane!

 

Kemi lypë tej n ’Elbasan –

Tej e gjetum ni lulë bostan!

 

Kemi lypë tej matan deti –

Tej e gjetum ni lule xheneti!

Prishtinë, 1974

 

96. KNOMNI, KNOMNI OJ MOTRAT E MIJA

            (Tugjec-Gollak)

 

Knomni, knomni,

Oj motrat e mija,

Çilni xhamat –

Le t’ju niejn kojshija!

 

Le t’ju niejnë kojshija,

Le t’ju niejnë mahalla –

Se sod po fejohet,

Ani Mehmet-aga!

Tugjec, më 11. 11. 1970

 

97. KREJT KATUNI KAN KUJTUE

            (Llabjan-Prishtinë)

 

Krejt katuni kan kujtue,

Qi jet vllavi i jem pa martue!

 

Vllavin tonë, s’e fejojna vet,

Teri sa t’i kryen shkollë e fakulltet!

 

Vllavit tonë, nuk i vnojmë myhyrë,

Teri sa t’vendoset me rrogë në detyrë!

Llabjan, 1979

 

98. OJ LULIJA JONË FISTANIN ME TEL

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Oj Lulija jonë,

Fistanin me tel;

Si t’ ma dishë marakun –

Dalum në hotel!

 

Dalum në hotel,

Dalum kah çarrshija;

Aty gjindet ulun,

Vllavi i jem-zotnija!

 

Vllavi i jem sikush,

E nderojnë shoqnija,

Neve na blenë rrush,

E hajna leblebija!

Llabjan, 1979

 

99. KRISI PUSHKA TE KAPIXHIKU

            (Orllan-Llap)

 

Krisi pushka te kapixhiku –

U fejue Arsim-slluzhbeniku!

 

Lula e jonë, oj lulë në taz –

Vllavi i jem, asht gjykatës .

 

Lula jonë, oj lula n’saksi –

Vllavi i jem asht zotni!

Prishtinë, 1974

 

 

100. KU E KA ISMAJLI SHPINË

            (Lupç i Ulët-Llap)

 

Ku e ka Ismajli, shpinë?

Nër ni kulm me Ali Shukrinë!

 

Ku e ka Ismajl-aga, sobën?

Nër ni kulm me Fadil Hoxhën!

 

Ku e ka Ismajl-aga, stanin?

Nër ni kulm me Sinan Hasanin!

 

Ku e ka Ismajl-aga, ostallin?

Ballë për ballë me Mahmut Bakallin!

Prishtinë, 1974

 

101. KU KE LULË KUR TU DHA DORA

            (Cfircë-Gollak)

 

Ku ke Lulë, kur tu dha dora?

Kesh te vllavi jem e fort u gzova!

 

Fort u gzova qi e pata kysmet,

Allahi ja dhasht’ o nanës s’ vet!

 

Hajde lulë, te na se jena mirë,

Na ka ba Allahi, si n’ Misir!

 

Si n’ Misir, jena ba dërrzhavë,

Rekën në oborr e livadhet otavë!

Tugjec, më 21. 10. 1970

 

102. KU MA RRITE SHTATIN O NAJLLAN

            (Kalaticë-Llap)

 

Ku ma rrite shtatin, o najllan?

-Në Lluzhan, n’ koliba me sanë!

 

Me vllazni,me babë, me nanë –

Tana t’ mirat, Zoti, mi ka dhanë!

Prishtinë, 1974

 

103. KU PE ÇESIN DY BOLLANA TIMIN

            (Gëmicë-Gollak)

 

Ku pe qesin dy bollana  timin-o,

Dylbero, mashalla,

Dy bollana timin-o?

 

Sefer aga asht ty ba talimin-o,

Dylbero, mashalla,

Asht ty ba talimin-o!

 

Ban talimin, rrethit t’ detit-o,

Dylbero, mashalla,

Rrethit t’detit-o!

 

I ka hupë mindili i xhepit-o,

Dylbero, mashalla,

Mindili i xhepit, o!

Prishtinë, 1974

 

104. KU PO RREHË KUMONA

            (Prishtinë)

 

Ku po rrehë kumona,

Te stanet e tona;

Nusën e vllaut tem,

E marrum me bollana!

 

E marrum me bollana –

Qi shkojnë për hava;

Nusën e vllaut tem,

Na vet e kemi pa!

 

Vet e kemi pa,

E sun na e keshë kërkush;

I ka vetllat t’ holla,

Sytë e zi si rrush!

Prishtinë, 1974

 

105. KU PO RREHË TUPANI

            (Meshinë-Gollak)

 

Ku po rrehë tupani,

Dil e lujë Dylber,

Po t’i maron hanmja,

Çerapat me tel!

 

Çerapat me tel,

Ruej për Bajram;

Dil te xhamija –

Plase ni dushman!

 

Dushmanin e plasa

E s’e dita,

Të tanë shokt e mi,

Unë i habita!

 

I habita,

I bana me plasë,

Çerapa si une,

Asnja nuk kish pasë!

                 Tugjec, më 23. 10. 1970

 

106. KU PO SHKON RAMUSH SUDIJA

            (Cfircë-Gollak)

 

Ku po shkon Ramush-sudija?[5]

-Në Gilan, oj motrat e mija!

 

Çka po blenë, o Ramush-sudija?

-Nameshtaj, oj motrat e mija!

Ta urojmë, vlla, na të trija!

 

Ku po shkon, o Ramush-sudija?

-Në Prishtinë, oj motrat e mija!

 

Çka po blenë, o Ramush-sudija?

-Ni maqinë, oj motrat e mija!

Ta urojmë, vlla, krejt shqonija!

Tugjec, 17 . 11. 1973

 

107. KULAÇI PO SITET

         (Grashticë-Prishtinë)

 

Kulaçi po sitet, po sitet,

Vllavi i jem po rritet, po rritet.

 

Kulaçi po t’ hollohet, po t’ hollohet,

Vllavi i jem po shtohet, po shtohet!

Prishtinë, 1974

 

108. PO SHKOJNË KRUSHQIT PËR KALLDREM

                        (Grashticë- Prishtinë)

 

Po shkojnë krushqit për kalldrem,

Qe dy molla në ni rrem!

 

Pritën, pritën tej u poçën –

Tan e gjuen, asnja s’ un e rrokën!

 

Vllavi i jem, e shtini n’ xhep –

Po ja ruen Suzanës s’ vet!

Prishtinë, 1974

 

109. KUSH NA I RA DRITARES KARRSHI

            (Orllan-Llap)

 

Kush na i ra dritarës karrshi?

Vllavi i jem, duhan tuj pi!

 

Ky duhani, na i dha erë ,

Thujmi Lulës – dil në derë!

 

Thujmi Lulës – dil në derë,

Ta kam ble ni shallë të verdhë!

 

Shallë të verdhë – skajet bojxhake,

Ta çet ftyrën rrumbullake!

Prishtinë, 1974

 

110. KUSH PO DOKET N’ PREZORE T’ PATISKIT

            (Dabishec-Gollak)

 

Kush po doket n’ prezore t’ patickit?

Vllavi i jem tuj grahë vilispicit!

 

Vllavi i jem, ore i vogël,

Qitnaj plumat kodrum-kodër!

 

Kodrum-kodër, arum-arë,

Kujtojnë Mareci, qi janë farë!

 

Mos kujtoni se janë farë elbit,

Po janë plumat e Sabit-begit!

Prishtinë, 1974

 

111. KUSH PO SHKON RRETH XHAMIT

            (Tugjec-Gollak)

 

Kush po shkon rreth xhamit?

Islam-aga, me kufer t’ alltanit!

 

Kuferi i alltanit, kollaj çilet –

Djali i Tugjecit, kollaj s’ mirret!

 

Djali i Tugjecit, mirret shumë kollaj,

Tri her’ n’ ditjet don ruski-çaj!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

112. KUSH PO SHKON SOKAKIT

            (Tugejc-Gollak)

 

Kush po shkon sokakit ty menue?

Islam-aga, radinë e ka lshue!

 

Moj radi, ty, tu djegt benxini,

Mirë po t’ lshojka Islam-gospodini![6]

 

Moj radi, ty, tu kputt teli,

Mirë po t’ lshojka Islam-inxhinjeri!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

113. KUSH PO SHKON NËPËR KALLAMOQ

            (Tugjec-Gollak)

 

Kush po shkon nëpër kallamoq?

Vllavi i jem me ni shoq!

 

Me ni shoq, në tesha t’ bardha,

Po i lakmojnë krejt mahalla!

 

N’ tesha t’ bardha, hypë n’ matorr,

Kujtojnë hallki qi asht doktorr!

 

S’ asht doktorr çka jepë nekcija –

Çkepë pozifat[7] nëpër shpija!

Tugjec, më 27 .10. 1970

 

114. KUSH PO SHKON SOKAKUT NËPËR BORË

 

            (Kalaticë-Llap)

 

Kush po shkon sokakut, nëpër borë?

Vllavi i jem, me çantë në dorë!

 

Me çantë n’ dorë, libra e fletore –

Me dhanë msim në shkollë fillore!

 

Vllavi jem, flokun tallaz –

Profesori në gjimnaz!

 

Vllavi jem nuk ka havale,

Profesor në shkollë normale!

Prishtinë, 1974

 

115. KUSH PO SHKON SOKAKUT  PËR RRETH ZIDIT

            (Cfircë-Gollak)

 

Kush po shkon sokakut, për rreth zidit?

Ramish-aga, tallazin rreth synit!

 

Çoje vlla, tallazin, se u çorrove;

Çikat e Shahiqit, na i tranove!

 

Na i tranove – e muerën zabelin;

Kurr nuk kemi pa na, qisi djal’ dylberi!

Tugjec, 17. 11 .1973

 

 

116. KUSH PO SHKON SOKAKUT TEPOSHTË

            (Keçekollë-Gollak)

 

Kush po shkon sokakut teposhtë?

Ismet-aga, me ni tashnje n’ dorë!

 

E kish pasë tashnjën me molla –

Tri ma t’ mirat, unë ja zgodha!

 

Unë ja zgodha për amanet –

A po vjen me m’ marrë sivjet?!

Prishtinë, 1974

 

117. KUSH PO ZHDIRGJET QASAJ ARE

            (Tugjec-Gollak)

 

Kush po zhdirgjet qasaj are?

Babgjysh-baba, po çon pare!

 

Po çon pare me sandak –

Po i thotë miku:”Tek janë pak!”

 

Nuk janë pak, me sandak,

Nuk janë pak, more presnjak!

 

Nuk janë pak, po janë shumë’,

Sa me e veshë ni katun!

Tugjec, më 01. 11. 1970

 

118. KUSH PO ZHDIRGJET QATI BREGUT

            (Marec-Gollak)

 

Kush po zhdirgjet qati bregut?

-Myzhdexhitë e Hetem-begut!

 

Myzhdexhi, mirë se jini ardhë,

Me pru dorë e me pru fjalë!

Prishtinë, 1974

 

119. KUSH PO ZHDIRGJET QATI SHPATI

            (Meshinë-Gollak)

 

Kush po zhdirgjet qati shpati?

Dylber-aga, vet i shtati!

 

Dylber-aga, vet i shtati –

Poj vizllon pushka e sahati!

 

Vet i shtati, vet i teti –

Kujtojnë hallki qi asht mreti!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

120. KUSH T’ I  RA LULË PËR RRETH XHAMIT

            (Baçevishtë-Llabjan)

 

Kush t’i ra Lulë, për rreth xhamit?

-Vllavi i jem me kufer t’ rrxhanit!

 

Kuferi i rrxhanit – çilet e mshilet,

Djali i hazdretit, kallaj s’ mirret!

 

Mirret, oj Lulë, mirret me zahmet,

Djali i hazdretit, don hyzmet!

Llabjan, 1979

 

121. KY MINDILI I MOLLËS

            (Beçevishtë – Llabjan)

 

Ky mindili, fletë e mollës,

Hej, aman!

Kah po vinë kto vajza t’ shkollës,

Hej, aman?

 

Vajza t’ shkollës, renë me renë,

Hej, aman!

Po i shkruejnë letrat me kalem,

Hej, aman!

 

Po ja çojnë krejt vllavit tem,

Hej, aman!

Po i shkruejn letrat me vizore,

Hej, aman!

Ja çojnë vllavit, për prezorje,

Hej, aman!

Llabjan, 1979

 

122. HAJDE LULË TE NA SE JENA MIRË

            (Baçevishtë – Llabjan)

 

Hajde Lulë, te na se jena mirë,

Vetëm nana, asht e shtirë!

 

-N’ koftë e shtirë, e baj t’ urtë,

Çohna heret e ja bajë puntë!

 

Ja bajë puntë e ja tuni tpinin,

Se për mue e ka rritë trimin!

 

Çohet nana, tue lutë Zotin –

Ishalla me t’ mier e çojmë motin!

Llabjan, 1979

 

123. LUJË MOJ VAJZË E RE

            (Llabjan-Prishtinë)

 

Lujë moj vajzë, vajzë e re –

Rueje orën se po t’ bje!

 

-Une orën e kam shtrëngue,

Agim-aga, m’ ka fejue!

Lujë moj vajzë, vajzë e re –

Ruj papuçet se po i the!

 

-Unë papuçet i kam shtrëngue –

Me Agim-agën, jam fejue!

 

Lujë moj vajzë, lujë ma mirë,

Se papuçet janë ra lirë!

Llabjan, 1979

 

124. LUM E LUM NA KENA BOLL

            (Keçekollë-Gollak)

 

Lum e lum, na kena boll,

Tre ekterr i kena oborr.

 

Dy ekterr – molla e kumlla,

Ni ekterr – kopshtin me lula.

Prishtinë, 1974

 

125. LUM E LUM PËR VERËN E SIVJETIT

            (Batllavë-Llap)

 

Lum e lum për verën e sivjetit,

E martojna djalin e hazdretit!

 

Nuk asht i hazdretit – i katërti vlla,

I lumi baba, i lumi qi e ka!

Prishtinë, 1974

 

126. LUM E LUM PËR VERËN QI VJEN

            (Krilevë-Gollak)

           

Lum e lum, për verën qi vjen,

E veshi kunatën në najllan krem!

 

Lum e lum për vjeshtën qi asht ardhë,

E veshi kunatën, me najllan të bardhë!

Prishtinë, 1974

 

127. PO THOTË ISMET AGA - S’KA ÇKA M’ VYEN     RADIJA

            (Krilevë – Gollak)

 

Ore, Ismet aga, o zotni,

Dil n’ oborr e lshonaj qat radi!

 

Dil n’ oborr e lshonaj Radijen,

T’ i tranojna krejt kojshijen!

 

Krejt kojshinë e krejt mahallen,

Le ta dinë qi kemi darsëm!

 

Po thotë Ismet aga - s’ka çka m’ vyen radija;

Boll mier po knojnë kto motrat e mia!

Prishtinë, 1974

 

 

128. KUSH PO DOKET N’ XHADE

            (Krilevë – Gollak)

 

Kush po doket n’ xhade orginall?

Vllavi i jem, tuj kuven me kral!

 

Kuven vlla, se t’ ka ardhë nata –

E ki tanën, kah e rrokë brigada!

 

Kuven vlla, se t’ ka ardhë dita –

E ki tanën, kah e sunon Tita!

Prishtinë, 1974

 

129. LYPUM, LYPUM TEJ MATAN DETIT

            (Batllavë-Llap)

 

Lypum, lypum tej matan detit,

Tej e gjetum lulën e xhenetit!

 

Ku po rrehë tupani e çallgija?

Ka nisë darsum, baba i jem – zotnija!

 

Oj, Lulije, jumaku sharena –

S’ke lanë shoqe n’ at anë Shkupi e knena!

Prishtinë, 1974

 

130. LYPUM, LYPUM TERI N’ KAÇANIK

            (Prishtinë)

 

Lypum, lypum teri n’ Kaçanik,

Tej e gjetum mikun shpijanik!

 

Lypum, lypum teri n’ Manastir,

Tej e gjetum ni t’ madhe e t’mirë!

 

Lypum, lypum teri në Tetovë,

Tej e gjetum ni syzezë-belhollë!

Prishtinë, 1974

 

131. MEHMET AGA KU E KIE SHPIJEN

            (Tugjec-Gollak)

 

Ani, Mehmet-aga,

Ku e kie shpijen?

Ani, me ni streh-o,

Me Ali Shukrijen!

 

Ani, Mehmet-aga,

Ku e kie sobën?

Ani, me ni streh-o,

Bashk me Fadil Hoxhën!

Tugjec, më 11. 11. 1970

 

132. MERR SELAMET E SHTINI N’ GJI

            (Grashticë-Prishtinë)

 

Udha e marë, o msiti i ri,

Merr selamet e shtini n’ gji!

 

Shtini n’ gji e shtini n’ xhep,

Selam bani babës s’ vet!

 

Bane çikën gati për sivjet,

Vimë e marrum për shyhret!

Prishtinë, 1974

 

133. MINDILI ME BOJË

            (Kalaticë-Llap)

 

Mindili me bojë,

Mindili me bojë,

Pse s’po m’ flet me gojë,

Moj vetullhollë?

 

Mindili me t’ bardhë,

Mindili me t’ bardhë,

Nuk e la pa t’ marrë, moj,

Nuk e la pa t’ marrë!

Prishtinë, 1974

 

134. M’ KA MARRË MALLI ME SHKUE N’ PRISHTINË

            (Koliq-Prishtinë)

 

M’ ka marrë malli, me shkue n’ Prishtinë,

Me e pa Ismet-agën, tuj shkrue me maqinë!

 

S’ kish pse del vllavi i jem n’ çarrshi;

Tu i thanë vajzat- unë po vi me ty!

 

Marrum Lulen,  me dramë pej telit –

Për inati t’ muhaxherit!

 

Marrum Lulën,  me dramë t’ llastikut –

Për inati  t’ munafikut!

Prishtinë, 1974

 

135. MOS SHKOFTË DITA – MOS SHKOFTË JAVA

            (Prishtinë)

 

Mos shkoftë dita,

As mos shkoftë java –

Për Jahirin, ne,

Na ardhtë fjala!

 

Mos shkoftë java,

Mos shkoftë muji –

Për Jahirin,

U ngrehtë flamuri!

 

Mos shkoftë muji,

Mos shkoftë vjeti –

Për Jahirin,

U baftë daveti!

Prishtinë, 1974

 

136. NA KA ARDHË NI DORË HIQ PA DIJE

            (Llabjan-Prishtinë)

           

U ungjë agaj-baba, nër ni hije,

Na ka ardhë ni dorë, hiq pa dije!

 

Ani, hiq pa dije, pa ba menë,

Po thotë agaj-baba, s’kam çka i jepë!

 

Epe, ago, epe ni lirë t’ kuqe,

Thojshe me ta, po i nxa djalit nuse!

Llabjan, 1979

 

137. E MORI LULIJE, PLLUMI I BUTË

            (Llabjan – Prishtinë)

 

E mori Lulije, pllumi i butë,

O, vetë baba i yt, o na ka lutë!

 

E moj, na ka lut-o dit’ e nat’ –

E moj, veni i mirë – gjinja rahat!

Llabjan, 1979

 

138. JENA MIER BARABAR ME TITËN

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Jena mier – barabar me Titën,

Me çef na e ka dhanë, o baba – çikën!

 

Jena mier – barabar me botën,

Me çef na e ka dhanë, ovllau – motrën!

Llabjan, 1979

 

139. JENA MOTRAT E KAVALERIT

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Jena motrat e kavalerit,

I bajna lulat n’ fun t’ xhamperit!

 

O, kto lula, për çka i kena?

O, për me u ditë, motra t’ kujna jena!

Llabjan, 1979

 

140. OJ LULI, OJ TUBA E TELIT

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Oj Luli, oj tuba e telit –

Erdhe e more, djalin e hotelit!

 

Djali i hotelit – çka punon?

Ai e lshon radijen – ti e ngon!

Llabjan, 1979

 

141. HAJDE OJ LULIJE KADAL DALE

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Hajde, oj Lulije, kadal dale,

Për nuse t’ qitashit, mos ki gajle!

 

Ani, mos ki gajle, moj kunatë,

Se dyzenit, nuk ja kan  zanatë!

 

Ani, as s’e kishin, as s’pe dishin,

Hajde, lum Lulija – hiqjau ndryshkin!

 

Ani, ndryshku i jonë i hequn a kan,

Me atë ditë Lulijën, qi e kem nxanë!

Llabjan, 1979

 

142. NA KA ARDHË NI DORË

            (Tugjec-Gollak)

 

Na ka ardhë ni dor-e,

Ni dorë,

Na ka ardhë kallaj –

Si me kputë ni mollë!

 

Na ka ardhë ni fjal-e,

Ni fjalë,

Na ka ardhë kallaj –

Si me kputë ni dardhë!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

143. NA KA ARDHË NI MYZHDE

            (Kalaticë-Llap)

 

Na ka ardhë ni myzhde –

Na ka ardhë ni fjalë,

Na ka ardhë kallaj –

Si me e kputë ni dardhë!

 

Na ka ardhë ni myzhde,

Na ka ardhë ni dorë,

Na ka ardhë kallaj –

Si me e kputë ni mollë!

Prishtinë, 1974

 

144. OJ HANUM KURDEL

            (Gëmicë-Gollak)

 

Oj hanum, kurdel, e, o,

Oj hanum kurdel,

T’ ka mashtrue Sefer-aga,

Me pesë gurë shiqer!

 

Me pesë gurë shiqer,

Kur teleiset,

Qashtu Sefer-aga

Kur të vishet!

Prishtinë, 1974

 

145. QITI ÇIKA KRYET N’ PREZORE

            (Kishna Pole – Gjilan)

 

Qiti çika, kryet n’ prezore,

Cilin djalë, moj, ti e more?

 

Cilin djalë, moj, ti e more?

Agim-agën, n’ shokë lahore!

 

Cillin djalë, e zgjodhe vet?

Agim-agën me fakulltet!

Prishtinë, 1974

 

146. SHAQIRI  E BEQIRI OMLLADINA

            (Mramuer-Prishtinë)

 

Shaqiri e Beqiri – omlladina[8];

Do t’ ja u marrum nuset- kusherina!

 

Kusherina – në ni shpi,

Soll për çef e për hijeshi!

 

Peshku n’ deti –nër ni rrasë,

Kush ja u ka inati- zemrën me ja u plasë!

 

Zemrën me ja u plasë- zemrën me ja u gri;

O, porsi duhani qi rrin në kuti!

        Prishtinë, 1974

 

147. SA MIRË DITI NANA E NUSËS

            (Surdull-Llap)

 

Sa mirë diti,

Nana e nusës-bija;

E dha çikën,

Ku fishllon radija!

 

Sa mirë diti,

Nana e nusës-hanmja;

E dha çikën,

Ku hecin me drama!

 

Vllazninë tonë,

Po i lypë kysmeti;

Ju shkon shkolla,

Ju shkon fakullteti!

Prishtinë, 1974

 

148. SOBAT TONA T’ LYEME  N’ BOJNA

            (Prishtinë)

 

Sobat tona t’ lyeme  n’ bojna,

Dy herë msitin nuk e çojna!

 

Veç ni herë e kem adet,

S’ dyti herë, fjala, na vjen vet!

Prishtinë, 1974

 

149. U DALË LULA  N’ ARË                  

            (Cfircë-Gollak)

 

U dalë Lula  n’ arë, me punue,

Kur u ardhë tu shpija – ka ni qi a fejue!

 

Lum Lulija jonë, a  t’ erdh keq?

Mosi te Ramushi, pata qef!

Tugjec, 17 .11. 1973

 

150. U DALË LULA NË ULICË

            (Keçekollë-Gollak)

 

U dalë Lula, në ulicë –

Po qinisë dupllo[9] kanavacë.[10]

 

Çka po ban, lum kunata?

Po i qinisi çevret e gata!

 

Po i qinisi çevret e gata,

Për me i çue te Islam-aga!

Prishtinë, 1974.

 

151. U DALË LULA  N’ KODËR

            (Gëmicë-Gollak)

 

U dalë Lula, n’ kodër

E po ngon -

Lum nana, lum nana,

Kush po knon?

 

Pe knojnë motrat,

Vëllaun e vet;

Qi e kan rritë,

Veç për hazdret!

Tugjec, më 27. 10. 1970

 

152. U DALË SUZANA  N’ OBORR PO NGON

            (Kalaticë-Llap)

 

U dalë Suzana,  n’ oborr  po ngon –

Mori nanë, do çika po knojnë!

 

-Ik, hi mrena, more nalet,

Ato e knojnë vllaun e vet!

 

Ik, hi mrena, mori Suzanë,

Ato e knojnë burrin tan!

Prishtinë, 1974

 

153. U HYPË JAKUP AGA NË KAT  T’ EPËR

            (Gëmicë-Gollak)

 

U hypë Jakup-aga, në kat  t’ epër,

Mikit  t’vet ja çojke ni letër!

 

Ja çojke ni letër, i bajke selam –

Banma çikën gati, t’ vi, ta marr!

 

T’ vi, ta marr me dramë pej telit,

Për inati  t’ muhaxherit!

 

Muhaxheri ka kujtue –

Qi jet Jakup-aga, pa martue!

 

Pa martue s’do ta lana,

Hanum-nusen, do ta zana!

Tugjec, më 26. 10. 1970

 

154. U HYPË REXHEP AGA N’ KAT TË EPËR

            (Orllan-Llap)

 

U hypë Rexhep aga ,

N’ kat të epër,

Gjyshës  s’ vet,

Po ja çon ni letër!

 

Po ja çon ni letër,

Po ja çon ni fjalë -

Bane gjyshe, çikën gati,

Se po vi me e marrë!

 

Se po vi me e marrë,

Adet qysh a kan;

N’ dash me maqinë,

Oj gjyshe, n’ dash me bollan!

Me ardhë me maqinë –

Maqina kërset;

Shoqet e Hadijes,

Tutna po i pëlset!

 

Me ardhë me bollan, oj gjyshe,

Bollani kërset;

Shoqet e Hadijes ,

Tutna po i pëlset!

Prishtinë, 1974

 

155. U UNGJË LULA NË KREVET

            (Kishna Pole-Gjilan)

 

U ungjë Lule, në krevet,

Loti-lotin s’po ja pret!

 

-Pse bre babë, u m’ dhe sivjet,

Jam e re, s’di me ba hyzmet!

 

S’di me ba hyzmet, e nuk jam msue,

E nuk di krevetat me i palue!

 

 

Krevetat e tonë, Lulo, kallaj shtrohen,

Me çevre t’ qindista krejt rrethohen!

Prishtinë, 1974

 

156. VALLJA E JONË

            (Marec-Novo Bërdë)

 

Vallja e jonë e parë, oj,

Me mindil me pika;

Oh, sa e bukur vallja –

Vallja veç me çika!

 

Vallja e jonë e dytë, oj,

Me mindil me vija;

Oh, sa e bukur vallja –

Vallja veç me bija!

 

Vallja e jonë e tretë, oj,

Me mindil bojë pembe:

Oh, sa e bukur vallja,

Vallja bashkë me djemë!

Novo Bërdë, 1979

 

157. VET LULIJEN E BEGENISA

            (Cfircë-Gollak)

 

Dy bylbyla në prezore t’ odës,

Sillu Ramush-aga, qasaj kodrës!

 

Qasaj kodrës, nëpër dy-tre lisa,

Vet e pashë Lulijen, vet e begenisa!

 

Vet e begenisa, s’ mun ma keshë kërkushi,

Vetullat e holla e sytë sikur rrushi!

Tugjec, 17. 11. 1973

 

158. VJEN FIATI XHADËS  S’ GATË

            (Vranidoll-Prishtinë)

Vjen “Fiati”, xhadës  s’ gatë,

Lumja unë po marr kunatë!

Nal “Fiat”, se po hypi,

N’ Podujevë, unë do t’ zhdrypi!

 

Unë po zhdrypi, se u vanova,

Kollanin Lulijës, ja marova.

 

Ja marova, e vorra  n’ ni lis,

Fryni era e lisit e ja qiti  n’ mjedis!

Prishtinë, 1974

 

159. NA KAN ÇELË DY LULA N’ ARË

            (Vranidoll – Prishtinë)

Na kan çelë dy lula n’ arë,

Njana e kuqe, njana e bardhë.

 

Na ka shkue ni vlla ushtar,

Na e ka çue ni letër t’ bardhë.

 

Na e ka çue ni letër t’ shkrueme –

Thujmi nanës, kam nxanë nuse!

 

Kam nxanë nuse – vajzë shqiptare,

M’i ka flokët tej mas qafe!

 

M’i ka flokët dredha-dredha,

N’ mjedis ballit-kaçurrela!

Prishtinë, 1974

 

160. VLLAVI I JEM DRIDHE MINDILIN

            (Vranidoll – Prishtinë)

 

Vllavi i jem, dridhe mindilin,

Shokve tu, jav kpute ymrin!

 

Jav kpute ymrin, po dojnë me plasë,

Ku poj merr çerapat qi poj mathë?!

 

Ku poj merr çorapat qi poj mathë?!

-Po mi çon Lulija, nër unazë![11]

 

Ku poj merr, ore gospodin? [12]

-Po mi çon Lulija, për kujtim!

Prishtinë, 1974

 

161. PEJ SI HINI PARTIZANI

            (Vranidoll – Prishtinë)

 

Pej si hini partizani[13]

Qiso “Fjale” kush nuk bani!

 

Qiso “Fjale”, me shumë shyhret,

Kem thirrë “UDB-ën” [14] me komandë t’ vet!

 

Kem thirrë UDB-ën e na ka ardhë,

Kemi thirrë tri parë kangatarë![15]

 

162. HAJDE OJ LULI E HAJANA GRUNË

            (Llabjan – Prishtinë)

 

Hajde, oj Luli, e hajna grunë,

Tanë katuni ngajshin me prishë punë!

 

Ngajshin tanë katuni e kojshija,

S’ i ngoj baba yt, oj lum Lulija!

Llabjan, 1979

 

163. VLLAVI I JEM KUNDRAT ORGINALL

            (Grashticë- Gollak)

 

Vllavi i jem – kundrat orginall [16]

U dalë n’ xhade e po kuven me kral!

 

Kuven, more vlla, sa t’ jenë dita –

Ta kem zgedhë ma t’ mirën nër çika!

 

O, Afrim – çerapat tej n’ gu,

Para shokve t’ kena feju!

 

Vllavi i jem – në kali t’ zi,

Lakuriq nëpër çarrshi!

Prishtinë, 1974

 

164. PO SHKON VLLAVI JONË RRETH QYTETIT

            (Baçevishtë – Llabjan)

 

Po shkon vllavi  jonë rreth qytetit,

I ka ra mindili pej xhepit!

 

Kush e gjeti mindilin e xhepit?

-E ka gjetë vajza e hasretit!

 

E ka gjetë e s’ po ja jepë,

-Pe majë për kujtim, o dylber, vet!

Llabjan, 1979

 

165. TE DERA E OBORRIT SARDANAT KAN ÇELË

            (Baçevishtë – Llabjan)

 

Te dera e oborrit, sardanat kan çelë,

Afrov vllavi i jem e merrju erë!

 

Merrju erë e kputi nja dy,

Kur të vjen Lulija – ngjitja n’ kry!

Llabjan, 1979

 

166. VLLAVI I JEM VETLLAT SI DRAPËN

            (Prishtinë)

 

Vllavi i jem, vetllat si drapën,

Kujton Lula, qi je gjarpën!

 

Nuk asht gjarpën për me t’ zanë,

Asht Avdija, qi t’ kan thanë!

 

Vllavi i jem, qerpikët me rrema,

Kujton Lula, qi janë therra!

 

Nuk janë therra të murrizit,

Asht Avdija, i pari i fisit!

Prishtinë, 1979

 

*****

Demir Krasniqi : “Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, më 2008.

 


                [1] Bagrem, fj.  serbe -akacje, ragoavecë

                [2] Slluzhbenik, fj. serbe- person zyrtar

                [3] Peglla, fj. serbe - ujtia

                [4] Uqitelka, fj. serbe - mësuesja

                 [5] Sudija, fja. serbe - gjyqëtar

[6] Gospodin, fj. serbe - zotëri

                [7] Pozifat, f. serbe - thirrjet

                [8] Omlladina, fj. serbe - rinia

[9] Dupllo, fj.  serbe - dopio (e dyfishtë)

[10] Kanavicë – lloj penjësh të mëndafshit për qëndisje

[11] Nër unazë – Në malësinë e Gollakut, periudha e kohës sa rrinë vajzat e fejuara, quhet “Vajza nër unazë”.

                [12] Gospodin, fj. serbe – zotëri

                [13] Partizan, - luftarë i Partisë Komuniste

                [14] UDB – serb.(Unutrashnji Dërrzhavni Bezbednost) - Sigurimi i                 Brenshëm Shtetror.

[15] Kënga e shënuar më lartë, më së miri e pasqyron shtypjen dhe

frikën e pushtetit serbo-jugosllav. Frikë kjo, që shumë shqiptarë (pa dëshirën e tyre) i detyronte që t’ i thërras organet e sigurimit shtetëror, madje edhe nëpër dasmat dhe ahengjet familjare, vetëm e vetëm, që të ndihen më të sigurtë nga përndjekjet dhe shpifjet e mëvonshme, nga të cilat do të prishej dasma, apo ahengu familjar dhe do të pasonin ndëshkime ndër më të dhimbshmet.

Mirëpo, këtu nuk përjashtohen edhe rastet e disa familjeve shqiptare, që tradicionalisht ishin në lojalitet me pushtetin dhe pushtetarët serbë, ku edhe në këtë mënyrë do të tregonin lojalitetin dhe simpatinë ndaj tyre!

 

[16] Orginal, fj. serbe - Origjinal



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: