Hazir Mehmeti: Vjena, vendqëndrimi e veprimi i Hasan Prishtinës
| E Hene, 16.07.2012, 05:00 PM |

100 vjet pavarësi

Vjena, vendqëndrimi e veprimi i Hasan Prishtinës

Hasan Prishtina, Njeriu  që dha gjithçka për shtetin e vet, shtet që e vrau tradhtisht. ...tribun kombëtar... truri i lëvizjes kombëtare... apostull i shenjtë në shkollimin kombëtar,  njeriu më i ndaluar e anatemuar nga regjimet pushtuese, diktatoriale, njeriu ndaj të cilit kemi detyrim në vënien e figurës së tij aty ku duhet- në vendin e heronjve të historisë së ndritshme kombëtare.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Pa dyshim, njëra nga figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është Hasan Prishtina. Njëkohësisht njëra nga figurat më të anatemuara,  krahas At Gjergj Fishtës, si nga regjimi komunist në Shqipëri, po ashtu  në territoret etnike shqiptare të  pushtuara nga sllavët e grekët. Derisa pushtuesit ia kishin frikën idealeve të tij për liri e bashkim kombëtar, komunistët në Shqipëri nuk donin të dëgjonin për ide të bashkimit dhe lirisë për çka kishte punuar deri në vdekje Hasan Prishtina.

Në Kosovë, në vitet 70- ta, filloi një fazë shprehje e trimëruar pas disa ndërrimeve në aparatin e shtetit pushtues, kjo u reflektua edhe  në rikujtimin e figurave patriotike shqiptare edhe pse vazhdonte  gjenocidi e shtypja e egër nga regjimi  sllav mbi popullin shqiptar. Filloi të shkruhej më guximshëm nga disa intelektualë të kohës, edhe pse ata shpesh e paguanin me burgime të rënda, deri në burgun mё famëkeq tё quajtur Goli-Otok, një ishull ky në det, i zotëruar vetëm nga gjarpërinjtë e nga hije figura njerëzish.

Ndërkaq, në shtetin amë, Hasan Prishtina, ideatori, luftëtari e organizatori i kryengritjes për liri e pavarësi vazhdon akoma të  trajtohet nga fryma e vjetër komuniste e antishkencore. Aq më keq, tani kur do tё shënojmë 100- vjetorin e Pavarësisë, për çka Hasan Prishtina ishte njeriu më meritor. Akoma në tekstet, rrethet kulturore, shkencore, historike nuk u shkrua dhe dënua ashtu si duhet akti tradhtar i vrasjes së tij, i dënimit të tij me vdekje nga shteti amë i asaj kohe,  për të cilin Hasani dha çdo gjë. Derisa shtetet: Bullgaria, Serbia e Turqia e dënuan me vdekje kolosin e lëvizjes kombëtare, shteti shqiptar e dënoi disa herë me vdekje dhe tradhtisht e vrau, pas shpine, ashtu qysh nuk vret shqiptari. Kjo tradhti kombëtare ishte tragjike për kombin ndërsa fitore e madhe e qarqeve armike sllavo-greke.

Historia e jonë e fillim shekullit të njëzet ndryshe do të dukej pa Hasan Prishtinën, trurin e lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës. Ai ishte largpamës me veprimet e tij. Kryengritjen politike e  ideore e filloi në parlamentin turk, duke u kacafytur haptas me deputetët armiq, guximshëm tregoi hapur se: ,,Do ngjitem në Drenicë dhe do mbathë opingat”  e luftës deri në lirinë dhe bashkimin e trevave shqiptare. Çka edhe do të ndodhë. Nga presioni i Hasan Prishtinës, në Parlamentin Turk, si deputet që ishte, për  lirinë e përdorimit të alfabetit shqip, me 2 gusht 1911 do të detyrohet Parlamenti Turk ta njoh përdorimin e alfabetit shqip në shkollat private në Shqipëri. Nga ky hap do vije hapi tjetër, po në të njëjtin vit, i deklarimit të vet qytetarëve shqiptarë, se në cilin alfabet dëshironin të mësonin. Hasan Prishtina, krahas përgatitjes për kryengritjen gjithëkombëtare për Pavarësinë e Shqipërisë mori iniciativën në Stamboll, të themelohet komisioni në Klubin Qendror  për mbledhjen e kontributeve të duhura për mbajtjen e Normales së Elbasanit. Ky Tempull i Diturisë ishte më i dashuri dhe i shenjtë për Hasan Prishtinën, për mirëvajtjen e tij shkriu tërë pasurinë e vet, filloi punën tek në mars të vitit 1912.

Vjena,  veprimtaria e  Hasan Prishtinës

Vjena, qendër jo vetëm në kuptimin gjeografik e Europës por edhe politike e ushtarake do tё jetë vendi ku Hasan Prishtina do qëndroi herë pas herë me ndërprerje, duke filluar nga prilli i vitit 1913, kur lirohet nga burgu i Kalemegdanit në Beograd.  Ai e donte jetën aktive në shërbim të çështjes kombëtare, për çka territori i Austro-Hungarisë ishte më i volitshëm se sa vendlindja e pushtuar nga ushtritë armike serbe, bullgare e malazeze. Vjena ishte në atë kohë qendër e refugjatëve  politik shqiptarë,  të cilët  kishin themeluar  grupin politik në Vjenë me emrin ,,Indipendent”, me të cilët Hasan Prishtina do të takohet.

Disa nga vendarët që e njohën Hasanin, ishin të mrekulluar me virtytet e tij prej burri dhe patrioti. Ishte këmbëngulës dhe i  pathyeshëm kur është në pyetje interesi i bashkimit kombëtar. Në kontaktet me Hasan Prishtinën u shqua familja e ushtarakut të lartë Modestus Urban dhe gruaja e tij Marie Urban, me të cilën kishin në pronësi ëmbëltoren në Vjenë, ku ajo punonte.

Vjena është vendi ku Hasan Prishtin përjetoj shumë kundërthënie e peripeci  të vazhdueshme. Jeta e tij nuk ishte aspak e lehtë. Kundërshtarët politik të tij tani ishin kundërshtarë  armiq dhe me çdo kusht donin vrasjen e tij. Për këtë qëllim u dërguan në Vjenë pesë atentatorë njëri pas tjetrit. Falë fatit dhe trimërisë së Hasan Prishtinës dhe  gruas së tij, Igballe Prishtina, Vjena nuk u bë varri i Hasanit nga pesë atentatorët e dërguar nga Ahmet Zogu dhe qarqet tradhtare të frymëzuara nga Esat Pashë Toptani. Për këtë do të shkruan gazeta shqiptare ,,Ora e Shqipnisë” dhe gazeta vjeneze ,,Neue Feie Presse” në vitin 1928. Atentatorët e dërguar në Vjenë: Pjetër Kallmati, Ibahim Lika- Lisi, Kruja, Hasan Sedi, Ibrahim Tabaku, si duket edhe i gjashti Hasan Kosova. Të gjithë këta brenda (nëntor 1927 deri në prill 1928)  një viti.

Hasan Prishtina, apostull i shkollimin kombëtar

Largpamësia e Hasan Prishtinës u pa me qëndrimin e tij ,,Arsimi është shpirti i një kombi”.

Duke e ditur gjendjen e mjerueshme të popullit analfabet ai u angazhua me të gjitha forcat në themelimin e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve kudo që ndodhën. Dhe, ishte i veçantë në fushën e arsimit kombëtar. ”Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund të gjendet krahasim, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve tjerë” (M. Pirraku, historian).

Ai, me këmbëngulësinë, oratorinë dhe pastërtinë si deputet i Prishtinës në Parlamentin Turk, bëri që të aktualizohet arsimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Me financimin e tij privat ai hap shumë shkolla, i ndihmoj shumë nga ato që ishin themeluar më parë. Duke e ditur se Vjena ishte qendër e kulturës, vendfillimi i albanologjisë, mbajti lidhje të vazhdueshme me intelektualё që vepronin aty. Në përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe, Hasan Prishtina do shprehej: ,,arsimi është shpirti i kombit”, andaj e ndihmoi gjithkund ku ishte nevoja. Shembuj të tillë janë pjesë e përditshmërisë së tij.  Pasi vetё e  themeloi orkestrën frymore në Vushtrri, me mjetet e tij materiale, ai dërgoi në Vjenë për të blerë instrumentet muzikore Izet Badivukun, Latif Agë Fonden dhe Abit Novolanin.

Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena  sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private.

,,Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik, duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”.

,,Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit.  Në Parlamentin Turk, rreth formës së alfabetit,  do përgjigjet: ,,Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut...Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko- arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. Nga ana tjetër Hasan Prishtina nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e Hasan Prishtinës njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qё nga Amerika e largët. Ndërkaq, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare ,,Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin ,,për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Hasani Prishtina në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës ,,Djalëria”. Ai kishte gjetur në Vjenë, një grup studentësh shqiptarë, të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale. U ndihmon atyre, duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi”. Akti i tij i shkrimit të Testamentit të fundit, kur ishte i rrethuar nga tradhtarët e kombit të dërguar nga Zogu, me të cilën tërë pasurinë e tij qё disponoi, qё nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lёnte shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare.

Hasan Prishtina kudo që shkoi shndriti me punën e tij, qëndrimin e tij prej burri e patrioti. Kёshtu ngjau edhe në Vjenë. Tani me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, veprimtaria e Hasanit na bëhet më e afërt, më frymëzuese.  Nga kjo lind pyetja se: Populli që i vret njerëzit e vet, ashtu siç ishte Hasan Prishtina, a do ketë prosperitet?  Faktet, mjerisht, janë zhgënjyese. Katrahura e përjetuar e trevave etnike shqiptare, rrethanat e hapave tanë tani, nuk na lenë të jemi të qetë.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: