Elvi Sidheri: Turq të vërtetë dhe të kamufluar!
| E Shtune, 14.07.2012, 01:22 PM |

Turq të vërtetë dhe të kamufluar!

Nga Elvi Sidheri

Ditët e fundit në shtyp dhe jo vetëm, janë vënë re formulime fantazmagorike të disa tezave të ndryshme lidhur me identitetin, rilindjen tonë kombëtare dhe elemente të tjera themelore të qënies sonë moderne shqiptare.

Ndoshta sot është edhe rasti i volitshëm që të merremi me to.

Këto pohime historike dhe bashkëkohore ngrihen dhe bëhen publike e më pas rrjedhimisht edhe i  serviren publikut të gjërë, nga njerëz të ndryshëm.

Njerëz të cilët jo domosdoshmërisht mund të përfshihen në gjirin e turqdashësve apo turq-romantikëve apo edhe thjesht turkomanëve jo të rrallë të cilët frymojnë “turkshëm” nëpër  hapësirat tona.

Por sido që të jetë, ri-parashtrimi ciklik i tezave të tyre, të jep jo vetëm habi, por edhe të fut ca më tej në mendime.

Përse ky zell kaq i madh për të shpalosur përherë të njëjtat ide?

Apo sepse siç dihet...”Përsëritja është nëna e dijes”...dhe për pasojë kjo përsëritje në pafundësi e po të njëjtave broçkulla filoturke dhe antikombëtare, kështu supozohet se do të lërë ndonjë shenjë në percepsionin shqiptar të realitetit?

Ose ndryshe kjo fushatë e verbër anti-shqiptare mes shqipfolësish, mund të përkufizohet edhe kështu:...”Shpif e shpif se diçka mbetet-gënje e gënje se diçka besohet”!

Asgjë e habitshme në këtë mes, asgjë e pakuptueshme në këtë fushë mbeturinash nga e cila origjinojnë të gjitha pallavrat e rastit lidhur me historinë tonë si shqiptarë.

Fushë plehërash e vënë në flakë nga shpirti turkomadh i krijuesve të këtyre tezave dhe nga e cila më pas hapen me anë të valëve të ndryshme ajrore të shtyra nga era, aromërat kutërbuese të hedhurinave të djegura, të cilat në këtë rast janë shpifjet e egra antishqiptare që shpërndahen anembanë dhe që na çajnë hundët të gjithëve me shijen e qelbur që ato sjellin me vete.

Metaforë kjo që si padashur përputhet jo pak edhe me realitetin tonë të përditshëm, ku të gjithë ndërkohë jemi dëshmitarë të një fenomeni të pandalshëm në 22 vjet demokraci dhe në një kohë ku vendi ynë mëton fort që të shëndrrohet  në një destinacion të preferuar turistik mesdhetar.

Fenomeni i “kazan-djegies”, apo edhe i “plehëra-djegies” si dhe po ashtu ai i “plehëra-mosmbledhjes”, i “plehëra-kapicëzimit”, i “plehëra-mbushjes” së gjithë shtrateve të lumenjve shqiptarë etj.

Punë plehërash domethënë kjo!

Me këtë ritëm ndonjë ditë largqoftë, idesë së udhëtimit drejt vendit tonë do i ngjitet edhe një titullim i ri i fenomenit turistik shqiptar, pra përveçse për turizëm malor, bregdetar, kulturor, historik e liqenor, s’do habiteshim po të shihnim edhe ndonjë tip “garbage tourism”.

Kështu të huajt e shumtë në kërkim të takimit me të panjohurën dhe ekzotizmin e një vendi ende të pazbuluar nga turizmi masiv dhe agjensitë e mëdha turistike, do të gjenin tek ne edhe një lloj të ri interesi, atë për pirgjet e kalbura të plehërave të cilët të urojnë mirëseardhjen cep më cep, në çdo kënd të vendit.

Por për t’u rikapur me idenë e shkrimit, teoria e plehërizimit të përgjithshëm, nuk përfshin vetëm anën turistike të përditshmërisë tonë.

Dikush do të çohej dhe me vendosmëri do të thoshte se ç’punë kanë të ngratët turq në këtë mes?

Mos edhe plehërat ata na i kanë lënë ne prapa si trashëgimi të tyren?

-Po ore, do i isha përgjigjur unë, pse jo?

Cili pushtues e ka lënë një popull të sunduar për një kohë të gjatë, kaq të prapambetur ekonomikisht-kulturalisht dhe mendërisht sa ç’ka bërë i “nderuari” turk me ne?

Cili popull pas një pushtimi shumë-shekullor ka mbetur me një ndjesi aq të huaj dhe armiqësore kundrejt shtetit, sa ç’jemi ende sot ne shqiptarët?

Cili popull vuan akoma kaq shumë nga mungesa e respektit të vërtetë ndaj ligjit dhe autoritetit të mirëbesuar shtetëror sa ç’vuajmë ne shqiptarët pas sundimit turk mbi ne?

Dikush sërish do të dilte në shesh (apo mejdan siç preferojnë burrat me mendësi të qëmoti osmaniste)...dhe do të hidhej të çirrej me britma në formë fjalësh të nervozuara dhe do të thoshte se jo vetëm ne kemi kaluar fazën turke të historisë sonë.

E vërtetë, një fazë të tillë e kanë kaluar edhe helenët, serbët, bullgarët (e Bullgarisë dhe FYROM-it), për ca kohë hungarezët, kroatët, boshnjakët, në njëfarë mënyre rumunët dhe një konglomerat i madh arabësh etj!

Duan të thonë se gjatë hapjes më të madhe të perandorisë së tyre, osmanët shkuan larg nga Afrika e deri në Persi, ndërsa miqtë dhe kushurinjtë  e tyre mongolë “Mogulët”, pasardhësit e Xhengiz Khanit kontrollonin edhe një pjesë të Indisë.

Taxh Mahali i njohur dhe i vlerësuar si një nga mrekullitë arkitekturore të botës, dihet tashmë se u projektua dhe realizua nga një arkitekt shqiptar i mbetur në anonimat për shumë kohë.

Ai quhej Mehmet Isaja dhe kishte origjinë nga Opari i Korçës, një zonë e thellë malore në atë rajon shqiptar.

Ai u nis për në Indinë e largët bashkë me disa bashkëatdhetarë të tij dhe për 20 vite me rradhë, nga 1630-a deri në 1650-ën drejtoi me mjeshtëri punimet e asaj vepre madhështore.

Ndërkohë sidoqoftë, sot në ditët tona efektet e post-osmanizmit ndihen ndryshe nëpër vendet e ish-pushtuara prej tyre.

Asnjë nga popujt europianë të ish-perandorisë së osmanëve nuk e ka të njëjtë ndjesinë e largësisë dhe shpesh armiqësisë ndaj shtetit dhe ligjeve të tij, që aq të fortë e kemi akoma ne shqiptarët.

Për arsye të ndryshme, që nisin me prezencën e princërve kryesisht gjermanë të cilët u imponuan nga fuqitë europiane në krye të atyre vendeve që në shekullin e XIX-të u shkëputën nga hija osmane, sistemi ligjor dhe ndjeshmëria ndaj fuqisë së shtetit, në ato vende do pranuar se akoma është më e prekshme se tek ne sot e kësaj dite.

Neve shqiptarëve për pjesë, në kohët e zjarrta dhe tejet të ngatërruara të pas-pavarësisë dhe ndarjes së mëpasshme të territorit tonë në sallonet londineze, ku fqinjëve tanë u ofroheshin toka shqiptare si të ishin pjesë nga trupi i ndonjë pule të majmur dhe të porsa-mirëpjekur, atëherë na ra një princush i ndrojtur dhe ndoshta i papërgatitur për detyrën që iu dha.

Princi Wilhelm Wied quhej ky njeri me origjinë fisnike.

Ai vinte nga Gjermania, kishte lindur në 1876-ën dhe princërimi i tij në Shqipërinë e porsaformuar zgjati pak, diku tek 6 muajt, nga 7 marsi deri në 3 shtatorin e 1914-ës.

Arsyet që çuan në largimin e tij nga vendi dhe po ashtu nga pushteti i brishtë shtetëror që ai ose funksionarët e tij kishin arritur të ndërtonin gjatë asaj pak kohe që qëndruan në Shqipëri, ato tashmë njihen dhe ishin siç duket një përzjerje shpërthyese armiqësish të brendshme, mospërshtatje kohore dhe moseksperience të vetë princit me pushtetin.

Armiqësitë e brendshme dhe kundërshtitë ndaj tij dhe asaj që ai princ perëndimor përfaqësonte (qoftë edhe jo aq denjësisht si person), ishin ato që u pasqyruan dukshëm tek ministri i brendshëm, i pamungueshmi Esat Pashë Toptani dhe shpura e tij katundaro-injoranto-fondamentaliste të cilët kurrësesi nuk mund të pranonin një princ jo-turk në krye të vendit.

Një princ i cili të mos rridhte nga gjaku sulltanor, gjaku turk dhe i cili të mos të qeveriste nën hijen e ndonjë flamuri të ngjashëm me atë të turqve dhe Turqisë.

Mospërshtatja kohore kishte të bënte me kohën në të cilën i ra të bëhej edhe vetë pavarësimi i Shqipërisë.

Një periudhë dekompozimesh të përgjithshme, me shtete që lindnin e perandori që gremiseshin në një shkërmoqje të pandalshme.

Kohë kur ndërsa rilindasve tanë, atyre që tani rëndom nëmen e përçmohen nga të paktën 1 në 2 “analistë” televizivë apo gazetorë, atyre dhe patriotëve të tjerë u duhej që jo vetëm të zgjonin vegjëlinë e fjetur shqiptare nga gjumi shekullor por edhe që njëkohësisht të nxirrnin nga koma një identitet të tërë nacional si ai i yni, i cili përhumbej prej shekujsh të shumtë nëpër skutat e errëta të historisë jo-bujare e cila si “dhuratë” të fundit ndër të shumtët pushtues, na pati sjellë edhe turqit!

Qershia e vërtetë mbi tortë këta!

Ajo që i mungonte një vendi dhe një populli të cilët patën provuar mbi lëkurën e tyre (të tonën pra), shkeljen nga dhjetëra pushtues të tjerë, përpara se të fundmit, këta mënxyrësjellësit turq të vendosnin që t’i hidheshin ethshëm edhe anëve tona, në rrugën e tyre të supozuar drejt perëndimit europian.

Moseksperienca e princit tonë gjerman, u faktua me largimin e tij të shpejtë dhe të papreçendenttë nga vendi i cili i ishte besuar atij nga fuqitë e mëdha.

Gjë kjo që nuk e bënë gjermanët e tjerë, kolegë dhe bashkëatdhetarë të tij, të cilët ishin shpërndarë mbretërive të reja të pavarura ballkanase.

Gjë pra që nuk e bënë as Otto i Greqisë dhe as Saksoburgët e Bullgarisë.

Sidomos Otto dhe bavarezët e tij të shumtë që i vajtën pas kur mori në dorëzim Helladhën e sapoçliruar nga zgjedha turke, i patën punët pisk si fillim në një vend të cilin e patën imagjinuar në ëndërrat e tyre romantike si shëmbëlltyrë të Greqisë së lashtë dhe kulturës e qytetërimit të saj antik.

Por ajo që ata gjetën në tokat e supozuara si të banuara nga këta pasardhës të helenëve të dikurshëm, ishte tashmë një vend ku edhe në Athinë flitej gati ekskluzivisht SHQIP!

Ashtu siç ndodhte edhe larg në Peloponez, Thesali e kudo.

Punë që komplikoheshin edhe më tepër për gjermanin e vendosur mbi këtë mbretëri rishtas të formuar, pasi ai vend banohej më tepër nga shqiptarë, turq, sllavë e hebrej se nga vetë grekët që Europa me në krye Britaninë filohelene, hamendësonte.

Si fillim duan të thonë se mbreti i ri gjerman i cili i ishte futur me zell të admirueshëm mësimit të gjuhës së filozofëve të lashtë, gjuhës helene pra, që në ditët e para të mbretërimit të tij në atë vend, vuri re se sidomos në kryeqytet, pakkush e kuptonte greqishten dhe shpotiti shoqëruesit e tij të cilët s’e kishin paralajmëruar për këtë gjë dhe që s’i kishin thënë të mësonte edhe shqipen.

Po si kolegu i tij gjerman i Helladhës edhe Saksoburgu i Bullgarisë, Ferdinandi I-rë, ishte ideatori dhe realizuesi i shumë reformave të cilat e tranzituan Bullgarinë nga një provincë e pluhurosur nga harresa në Perandorinë Osmane, vend ku turqit bënin ç’të donin dhe ishin vendosur në brigjet e Detit të Zi me mijëra dhe ku helenët ia kishin dalë të bënin ligjin fetarisht dhe kulturalisht mbi sllavët vendas, drejt bërjes së saj si një shtet totalisht i pavarur dhe një fuqi rajonale në Ballkan.

Wilhelm Wied-i jonë, hasi vërtetë në shumë vështirësi të paparashikuara, u përball me një gjendje amullie gati komplete, pa t’i ngriheshin shumë kurthe, t’a tradhëtonin jo vetëm shqiptarët të cilët duhet t’i ishin nënshtruar, por edhe vetë fuqitë europiane që e prunë në vendin tonë dhe të cilat mendohej se duhet të garantonin pushtetin e tij dhe kufijtë e shtetit të ri.

Përpara i dolën DumBabistët e Shqipërisë së mesme, andartët helenë të jugut dhe ushtritë pushtuese ballkanike bashkë me pashallarët e agallarët tradhëtarë vendas.

Por sërish, një princ prandaj edhe gëzon atë status, sepse supozohet se është i aftë të përballojë edhe sfidat që i dalin përpara vendit dhe pushtetit të tij personal.

Gjë kjo të cilin princi ynë gjerman s’diti t’a bënte aspak dhe kjo do pranuar.

Tani të ridalim sërish tek teoria e “plehërizimit”!

Jo s’e kam aspak në ndonjë kuptim nënçmues për “popullin vëlla turk”, siç jo rrallë deri sa të bëhet e përzishme kjo frazë, dëgjojmë prej vitesh të na thuhet.

Nënshtresat sociale, mediatike apo çfarëdo që të jenë, nga ku burojnë shpesh e më shpesh tezat, pohimet dhe gjithëçka tjetër që tenton të ndërhyjë me sëpatën moderne të atdheurrejtjes, mbi figurat tona historike, ngjarjet dhe protagonistët e zhvillimit të vendit tonë, ato bëjnë përherë të njëjtin veprim plehërues.

Plehërojnë çfarë, do lindte pyetja?

Po ja, po t’a marrim të mirëqenë idenë se nga toka mbijnë të gjitha qëniet që popullojnë këtë planetin tonë të dashur, atëherë domosdo që edhe krijesat njerëzore, kafshërore apo bimore që identifikohen me turkun, edhe ato të njëjtën origjinë kanë.

Dhe toka e tyre, arat ku lloji i tyre i veçantë mbillet, mbarështohet dhe ku në momentin e caktuar edhe mblidhet për t’u përpunuar më pas në fabrikën e stërmadhe të turkomanzimit, ajo është një tokë e cila padyshim që ka një nevojë organike për plehërim.

Dhe këtë plehërim të përmuajshëm e përvitshëm, e bëjnë vetë turqit në Turqi si dhe mbeturinat e shumta të prezencës së tyre të zgjatur në hapësirat tona.

Plehërim që vjen me anë të atyre valëve të ajrit të ndotur turk të cilat sillen bashkë me erën osmane drejt e nga Azia e Vogël, nga Pallatet Qeveritare të Ankarasë dhe nga ambientet osmaniste të “studiuesve” të rinj Neo-Otomanë të atyre anëve.

Po ashtu siç ndodh edhe me një fenomen të mirënjohur natyror, pra poleni fluturon bashkë me erën dhe me anë të tij kryhet edhe proçesi i pllenimit tek bimët.

Kështu edhe këto rryma të ndotura mbeturinash osmane vijnë vazhdimisht dhe pllenojnë mendjet e shumë indentitet-humburve tanë dhe u hapin gojën edhe mjaft krokodilëve të tjerë shqiptarë-urryes shqipfolës të cilët në këtë proçes natyror “turk-pllenues-plehërues” gjejnë edhe strehën e përshtatshme ku të vijojnë me sulmet e tyre të pareshtura ndaj shtetit dhe nacionalitetit të tyre.

Këto janë proçese natyrore pra, ashtu siç përveç plehërimit me pleh të freskët organik turkoman dhe pllenimit ajror të truve të tharë e shpëlarë nga dogmat e pafundme osmaniste, kështu kemi edhe një evoluim të vazhdueshëm të turqizmës dhe pasojave të saj mes nesh.

Fenomen evolutiv që vetë i madhi Charles Darwin do t’a kishte pasur me të vërtetë parasysh po t’i ishte vënë shkrimit të librit të tij “Origjina e specjeve” jo në 1859-ën por tani.

Sepse  jashtëzakonisht interesante jo vetëm për vdektarët normalë por edhe sigurisht për çdo studiues të denjë për këtë titull, do të ishte këqyrja me imtësi e hapave evolutivë të specjes turke në përgjithësi, përveçse në atdheun e tyre modern Turqi apo në stepat e Azisë Qendrore ku jetojnë turqit e vërtetë me trajta ende të qarta aziatiko-mongole, po aq edhe në Ballkan dhe në territoret tona.

Dhe këtu na shfaqet i qartë nën dritën e diellit edhe dallimi mes turqve të vërtetë dhe të shumtëve që gjallojnë si të tillë nën një kamuflim apo maskim të vazhdueshëm.

Për shembull, në viset e Dibrës së Madhe në FYROM, ka një rajon të banuar nga turq, të cilët vështirë se mund të mos jenë të tillë, pasi edhe faktet historike flasin për një prezencë të tyren të faktuar në atë zonë.

Vendi quhet Koxhaxhik dhe siç kam dëgjuar ka domethënien “betejë e madhe”.

Kjo ndoshta sepse ngahera është menduar se në atë rajon, diku në një nga ato maja malesh të asaj zone, ndodhen edhe rrënojat e kështjellës së rëndësishme të Sfetigradit, qytetit të shenjtë i cili u përball me rrethimin e gjatë osman dhe që ra më pas në duart e turqve.

Si provë për vendndodhjen aty të atij qyteti shërbejnë edhe shumë varre të gjetura në afërsi të atij vendi, të ndara në të krishtera dhe myslimane, të cilët mendohet të jenë të ushtarëve të të dyja palëve që kanë rënë në ato beteja.

Po ashtu dihet mirë se shumë beteja të Skënderbeut u patën zhvilluar pikërisht në atë rajon dhe më tej në Pollog.

Beteja që aty u zhvillua nga arbërit dhe turqit ishte ndoshta aq e madhe sa kujtimi i saj mbeti në emrin e vendit në turqisht, Koxhaxhik.

Po ashtu, siç bënë edhe tjetërkund pasi e pushtuan kështjellën dhe rajonin përreth, turqit vendosën aty turq të tjerë, të cilët rrjedhimisht i gjejmë edhe sot po në atë vend.

Të tillë turq prej vërteti, ka akoma edhe në anën lindore të FYROM-it, në rrethinat e Gjevgjelisë dhe brenda në Strumicë dhe s’përjashtohet që pasues realë të turqve të ketë edhe tjetërkund.

Po kështu turq të vërtetë janë edhe ca shumë qindmijë turqit e Bullgarisë, të cilët në atë vend përbëjnë minoritetin më të madh etnik bashkë me romët, me të cilët jo rrallë përzihen dhe bashkohen kur u nevojitet të shtojnë numrat për të hyrë në parlament apo në raste të tjera.

Por turq të vërtetë nuk del të jenë plotësisht ata të Greqisë në rajonin e Komotinit dhe të Ksanthit në Thrakë.

Kjo pasi mjaft prej tyre janë pomakë bullgarë, sllavë myslimanë që janë asimiluar me kalimin e kohës dhe janë bërë turq.

Këta myslimanë grekë, siç i njeh kushtetuta e shtetit helen, ishin dhe janë të vetmit minoritarë që ai vend njeh.

Ai minoritet shpëtoi “palagur” ndërsa shqiptarët u përzunë nga mundën, sa në shkëmbimin e popullsive me Turqinë (çamët myslimanë) dhe sa të tjerë u shtynë me dhunë në Shqipëri në 1945-ën (sërish çamët), apo sllavët e e egjeas të cilët u degdisën nëpër tërë Europën dhe deri në Australinë e largët pas 1949-ës e deri tek hebrenjtë e Selanikut të cilit përbënin të paktën 60 e ca përqind të popullsisë të atij qyteti para Luftës së Parë Botërore, kurse edhe ata e pësuan po njëlloj dhe sot nuk i gjen më askund në Helladhë.

Turq ndërkohë janë plotësisht Gagauzët e Moldavisë, fis turk që supozohet të ketë mërguar në Besarabinë e dikurshme nga Bullgaria e sotme dhe që ka si tipar unik, qënien popullsi turke e krishterë ortodokse.

Turq me siguri janë edhe Tartarët e Krimesë ata të Tatarstanit në Rusi e turq janë dhe Kazakët, Uzbekët, Turkmenët, Kirgizët, Ujgurët e Kinës, Azerët etj!

Turqit deri vonë pretendonin të shpallnin si turq edhe banorët gjeorgjianë të rajonit të Adzharës në Gjeorgji, për shkak të fesë së tyre dhe afërsisë relative me turqit dhe kufirin administrativ mes dy vendeve.

Para ca kohësh më ra të shihja pa dashje në TV, një reportazh të një kanali turk, në Batumi, qytet gjeorgjian në këtë rajon të lartpërmendur.

Gazetari turk fryhej si “kaposh” (gjel i majmë kryeneç në dialekt vlonjat), duke stisur përralla mbi prezencën turke në qytet dhe si faktim të pohimeve të tij gjente ndonjë plakush gjeorgjian që dinte të lidhte dy-tre fjalë në turqisht.

Më tej pasi bëra pak kërkim sipërfaqësor gjeta se në Adzhara dhe veçanërisht në Batumi, kishte edhe një minoritet të papërfillshëm Azerësh, të cilët janë edhe kushurinjtë më të afërt me turqit mes shumë fiseve turkomane.

Ja edhe shpjegimi pse në Batumi paskërsh pasur një “Türk mahallesi”!

Lëre pastaj se Adzhara është tokë gjeorgjiane dhe se aty banojnë gati ekskluzivisht vetëm gjeorgjianët, ndër të tjera mbi 60% e banorëve të rajonit s’janë as myslimanë por ortodoksë gjeorgjianë po ashtu.

Turkut tonë sidoqoftë aq i duhet për të ngritur pretendimet e tija famëkeqe.

Në bazë të këtyre teorive jo vetëm helenët përherë kanë pretenduar se çdo ortodoks thellë-thellë është helen por në të njëjtën masë e mos më keq edhe turqit secilin mysliman të Ballkanit apo të ndonjë vendi ku turqit ndonjëherë kanë shkelur, e shohin si një turk potencial.

Ndaj dhe siç kemi kujdes nga njëri, edhe më tepër duhet të kemi kujdes nga tjetri të paktën!

Këtu qëndron e shpalosur pa asnjë vello sekreti edhe arsyeja e shprehjeve idiote si “shteti vëlla turk” apo “kombi vëlla turk” e “historia jonë e përbashkët me turqit” e budallallëqe të ngjashme të këtij lloji bastard.

Të thotë njeriu se me këta birbot, paskemi qenë bashkë me pushime, kemi pirë kafe e jemi kredhur në det në ndonjë verë të nxehtë, në Antalja  a ndonjë plazh tjetër turk!

Edhe në të tillë rast, unë thjesht do t’i quaja “miq” e asgjë më tepër.

Po në të vërtetë kemi “bashkëjetuar” krahë për krahë me shtypjen e tyre të tmerrshme e kemi provuar egërsinë e kamzhikëve të tyre në trupin tonë të sfilitur shqiptar.

Kemi vuajtur errësirën aziatike që ata “përzemërsisht” na sollën me vete andej nga humbëtirat nga erdhën gjithë vërtik drejt Europës.

Këta “vëllezër” na kanë bërë gjëmën me “dashurinë” e tyre të pamatë ndaj nesh.

Ky “komb dhe shtet vëlla” siç duan t’a quajnë turkdashësit dhe turqit e shumtë të kamufluar, na ka nxjerrë për 5 shekuj ujin e zi dhe as sot s’po duan të na lenë të qetë në punën tonë, por akoma po fusin hundët papushim në çështjet tona duke mos na u hequr njëherë e mirë qafe përfundimisht!

Po lëre pastaj që duke ndjekur këtë vijë mendimi me vëllezër turq të shpikur e nëna imagjinare turke të fanitura nga bota e përtejme (ferri turk që s’di të na ndahet), neve do na binte që në këtë farefis me turqit të kishim kushurinj të parë Azerët, xhaxha e ungjër Kirgizët, teze (emta në shqip) do kishim Kazakët e motra Uzbekët.

Me Ujgurët do dilnim vetëm kunetër ndoshta, po pak rëndësi ka kjo gjë!

S’ke ç’i thua një familje e madhe dhe e “nderuar” gjithë kjo për të cilën sapo folëm dhe rezulton që mjaft turq të kamufluar në anët tona, e kanë ende mjaft zili këtë trung etnik mongolësh në origjinë dhe një degë të tij duan të na bëjnë edhe neve shqiptarët europianë.

Këtu hynë edhe shumë prej atyre që si turq e deklarojnë veten nëpër regjistrime etnike nëpër Ballkan, duke qenë mjaft prej tyre shqiptarë me origjinë.

Njerëz që mbiemrit mysliman shqiptar ia heqin zanoren finale dhe si për magji bëhen turq në regjistrat e shtetit.

Një Mustafa del Mustaf, nga Hasani-Hasan e nga Mehmeti-Mehmet.

Edhe një zanore e vogël nganjëherë bën diferencën, lëre çfarë mund të bëjnë detaje të tjera më të rëndësishme.

Kështu FYROM-i na del rregullisht me 3% e më tepër turq, përveç ndoca përqind edhe torbeshësh shpesh edhe ata ish-shqiptarë që mbiemrit i shtojnë “ski-në” karakteristike fyromase.

Por të tillë ka edhe më lart në Kosovë dhe dyshoj që jo të gjithë të jenë vërtetë “safi” turq, për t’a thënë siç do preferonin të vetëquheshin në turqisht.

Por të paktën këta si turq deklarohen dhe nuk mund të futen në rradhët e shumta të turqve “në tentativë” apo e thënë ndryshe, në turqit e kamufluar.

Të tillë në Ballkan janë denjësisht dhe me vetëdije të plotë Boshnjakët dhe Sanxhakasit (ata që dikush herën e kaluar insistonte se paskeshin “shpëtuar” nga asmilimi për shkak se janë myslimanë, ndërkohë që serbishten e kanë gjuhë nëne dhe shqipen s’e njohin as me adresë ku bie, por prapë i paskan shpëtuar asimilimit?Si?Ku?Janë vetëm boshnjako-turq me fe e kulturë dhe totalisht serbë me gjuhë!).

Ata janë turq të kamufluar serbishtfolës të cilët në Stamboll kanë lindjen e diellit dhe në Turqi e gjejnë përherë prehjen.

Por çështja është se mjaft të tillë ka edhe mes nesh!

Njerëz të të gjitha shtresave të cilët ditën shiten si shqiptarë e natën kthehen në shqipfolës turkomanë që bëjnë papushim propagandën dhe politikën e “baballarëve dhe mamallareve” të tyre turq.

Njerëz që çirren nëpër studio televizionesh, mbushin faqet e gazetave me pallavra nga më debilet që mund të imgjinojë truri njerëzor dhe trillojnë ditën për diell ëndërrat e tyre plot sulltanër të madhërishëm, hareme, çallma turke, shallvare që qelben erë osmane e gomarllëqe të ngjashme me shumicë e pakicë, fiks si një Pazar i vërtetë turk.

Njerëz që kamuflimi u bie përtokë kur jargët nisin t’u rrjedhin nga goja, sa herë vëllai turk Erdogan shfaqet në televizor, apo sapo fillon të transmetohet seriali i rradhës turk.

Njerëz që mungesës totale të fjalorit në gjuhën e tyre të supozuar amëtare shqipe, i kundërpërgjigjen me një mori turqizmash nga më të harruarat e panjohurat, të cilat me siguri as stërgjyshërit e tyre kur akoma turku shkelte si pushtues tokën tonë, s’i kishin njohur e përdorur.

Akoma (fjalë kjo për habi tejet e sulmuar këto kohë!-Vërtetë ndoshta me origjinë helene, si ca fjalë të tjera shqipe, por do kujtuar qe edhe fjala “Ende” ka origjinë latine, nga INDE, që domethënë “që atëherë”-“për këtë arsye”, nga buron edhe fjala portugeze me po të njëjtin kuptim “Ainda”-ende).....më keq bëjnë këta njerëz, me historinë e tyre dhe të vendit ku jetojnë.

Këto ditë dëgjova edhe për dikë, që analizën e tij ja kushtonte ca Lidhjes së Lezhës dhe ca Rilindjes sonë kombëtare.

“Lidhjen” burri i botës na e nxirrte shqiptaro-malazezo-sllave dhe ndërkohë Rilindjen e paraqiste si një lëvizje thelbësisht antifetare dhe asgjë më tepër, po aq edhe neve shqiptarët mëtonte të na paraqiste si popull shumëetnik.

Rilindasit paskan qenë ca mashtrues të cilët gjindjes së paditur na ia paskan servirur si idilike dhe perfekte historinë, duke i gënjyer kështu dhe duke i bërë të besojnë në të pavërteta.

Si pasojë llogjike e gjithë kësaj pune voluminoze rilindase antifetare për mashtrimin e masave të gjera shqiptare shumëetnike, Shqipëria dhe shqiptarët u larguan me siguri padrejtësisht nga gjiri i ngrohtë i babës turk!

Tani të më thotë dikush se cili analist i denjë turk prej vërteti do kishte arritur të fliste më mirë dhe më turkshëm se kaq?

Këta “edepsëza” rilindas, ndër të tjera antifetarë përveçse antiturq, por edhe “kaurrë” të dyshimtë etj, paskan gënjyer pa pikën e turpit të gjorët njerëz dhe ua kanë mbushur trutë me ide të gabuara për turkun e “dashur e shpirtmirë”.

Lëre pastaj tezën e shumëetnicitetit të kombit shqiptar.

Arsyeja e mbështetjes së kësaj teze?-Lidhjet e pashmangshme sa me fqinjët e sa me pushtuesit!

“EUREKA”-thonë se tha dikur Arkimedi në Sirakuzë kur zbuloi Levën e pasqyrat dhe reflektimin e dritës së diellit në to, me të cilat më pas dogji anijet romake që sulmonin qytetin e tij.

Edhe ky analist e lloji i vet, kështu do kenë bërtitur pas këtij “zbulimi” madhështor i cili do e bënte Arkimedin e sipërpërmendur të skuqej nga turpi e të vente të fshihej në ndonjë cep, për t’i lënë vendin gjenisë së mendimit të këtyre njerëzve.

Po mirë ore njerëz, ore Arkimedër modernë, ore Zhyl Vernër të shekullit të XXI-të, po francezët që rrjedhin nga konglomeratizimi me shtresa të ndryshme i keltëve, romakëve, frankëve, gjermanëve të Alsasës dhe Italianëve të Korsikës, ata çfarë janë?

Shumëetnikë gjë?

Të shkojë dikush t’i pyesi se t’a shpjegojnë thjeshtë dhe qartë se çfarë janë!

Po spanjollët, gjuhën e të cilëve e flasin 500 milionë njerëz anë e kënd globit ç’janë?

Ata rrjedhin nga iberët e lashtë, keltët e veriut të gadishullit iberik, kartagjenasit, grekët, romakët, visigotët gjermanikë, vandalët gjermanikë, suevët iranianë, arabët, hebrejtë iberikë etj!

Shumëetnikë të jenë gjë?

Nuk besoj aspak dhe kështu mendojnë edhe ata vetë.

Italianët që vijnë nga përzjerja e fiseve të lashta italike, etruskëve, mesapëve-japigëve ilirë të Puljas, romakëve, grekëve të qyteteve të Magna Grecia-s, kartagjenasve, keltëve të veriut të gadishullit, ostrogotëve gjermanikë, longobardëve po gjermanikë, arabëve të Siçilisë, normanëve nordiko-francezë, bizantinëve, arbëreshëve, spanjollëve etj, po ata çfarë janë?

Italianë të pastër dhe pikë!

Po ne atëherë?

Njerëz që kemi jetuar e jetojmë akoma në të njëjtin territor pa shkëputje prej mijëra vitesh, që kemi gjurmët tona kudo jo vetëm në rajonin tonë por edhe shumë më tej.

Që flasim ende po të njëjtën gjuhë dhe që ia kemi dalë t’a ruajmë atë megjithë prurjet e ndryshme kryesisht latine në të e më pas pak sllave e ca turke.

Që i kemi dhënë botës perandorë, komandantë, Papë e njerëz mitikë!

Që mbi të gjitha nuk ia kemi lënë vendin askujt në tokën tonë, të paktën në ato troje ku pas tërheqjeve të vazhdueshme u ngulitëm përfundimisht.

Që kur ne i bie të dalim popull i përbërë, shumëetnik?

Por të kamufluarit turkomanë, këto teza mbështesin dhe artikulojnë pafundësisht!-Kur s’jemi shumëetnikë apo joshqiptarë për këtë arsye, jemi sepse kemi disa fe dhe kjo hipotetikisht na bën edhe shumëetnikë, njëlloj siç do të na konsideronin edhe sllavët, turqit apo helenët.

Tani, kur njeriu ndihet shumëetnik në vetvete, askush s’ka pse t’a ndali që i tillë të jetë.

Në botën e qytetëruar liritë e njeriut janë të sanksionuara me ligje të posaçme.

Ka liri fjale, shtypi, vote, liri të shprehjes së pandrydhur të identitetit seksual, liri demonstrimi , liri tregtie, liri të shumta domethënë.

Po aq mund të ketë edhe liri shprehjeje të pandrydhur të identitetit të pakamufluar etnik apo shumëetnik, apo thjesht turk si në këto raste.

Por siç dihet, liria jote mbaron kur ti shkel lirinë time!

Dhe liria e tyre për t’u ndjerë shumëetnikë dhe jo shqiptarë, për të pasur majka srpska e baba türk, apo anne turke e tato fyromas e papas helen dhe vujko bullgar, kjo është zgjedhja e tyre e lirë.

Por kjo lejohet dhe është e tolerueshme deri në momentin kur delirimiet e tyre personale nuk ngatërrohen në punët dhe ndjeshmërinë e ca miliona të tjerëve që janë shqiptarë, ndihen të tillë 100% dhe të cilët shqip dinë të flasin pa u përhumbur në rrugica të verbëra serbishteje apo turqishteje pafund.-.....(vihet re po ashtu një sulm i madh shumë “nacionalist” ndaj fjalëve me origjinë latine në shqip, pa parë asnjëherë ndërkohë dikë që të kujtohet, apo edhe t’a ngrejë zërin për llumin e pafund të turqizmave dhe sllavizmave serbe kryesisht, gjuhët e dy popujve më të kobshëm në historinë tonë, që rëndom dhe me entuziazëm të rritur sa vete e zënë më shumë vend në fjalorin e përditshëm!)!

Ndër të tjera ka rëndësi të madhe të theksohet se prezenca e elementit latin në gjuhën tonë shqipe, historikisht është përdorur dhe përdoret akoma si një fakt i demostrueshëm shkencërisht për të mbështetur teorinë e autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre iliro-arbërore.

Dhe kjo për shkak të formës tejet arkaike të shumë fjalëve latine në gjuhën tonë, gjë që tregon futjen e tyre në gjrin e gjuhës shqipe, në kohë ende shumë të herëta, siç thoshte Jernej Kopitar në 1829-ën e largët...:”Fjalët latine në shqip tingëllonin si të kohës së Perandorit romak August”!

Ky Perandori August ndërkohë ka lindur në vitin 63 para Krishtit dhe ka vdekur në vitin 14 pas Krishtit.

Minimalisht atëherë kanë nisur të hynë një pjesë e latinizmave në shqipen tonë dhe kjo gjë na ndihmon neve t’u dalim ballëlartë përpara gjithë hipotezuesve keqdashës të mos-autoktonisë tonë në këtë tokë.

Pra që domethënë se ato fjalë kanë hyrë në gjuhën tonë gjatë pushtimit të gjatë rreth 7 shekullor romak dhe domosdoshmërisht dëshmojnë katërcipërisht prezencën tonë të pakundërshtueshme në këtë tokë, pasi janë përdorur si nga ilirët dikur e ende përdoren sot prej nesh.

Tani si qëndrojnë punët me fjalët turke apo sllave-serbe?

Çfarë dëshmojnë ato, për çfarë na ndihmojnë, përse na shërbejnë?

Njeriu megjithë përpjekjet mbinjerzore, nuk mund t’i eliminojë të gjitha, sadoqë me pak përpjekje mund t’ua pakësojmë përdorimin.

Por sërish do thënë me shkronja të mëdha po ashtu se janë pikërisht pronarët legjitimë të këtyre gjuhëve SLLAVËT dhe TURQIT që përbëjnë armiqtë dhe fatkeqësinë më të madhe jo-natyrore që u ka ndodhur ndonjëherë shqiptarëve dhe rrjedhimisht para se t’i sulemi me ëndje të madhe latinizmave qoftë edhe të tepruara.....të mos harrojmë se serbizmat, sllavizmat dhe turqizmat mbajnë me vete çdo dhunim e vuajtje që sllavët, serbët e turqit kanë sjellë tek ne nëpër shekuj.

Kush nuk ka dëshirë të jetë shqiptar, kjo është çështje dyzimi identitar e tija personale, por kur kjo gjë tentohet të shtrihet tek të tjerët që të tillë s’ndihen dhe që janë krenarë për etninë, nacionalitetin dhe gjuhën e tyre, atëherë puna bëhet problematike dhe këtu ka nisur tashmë shkelja e lirisë së të tjerëve!

Çështje të thella turqish dhe turqish të kamufluar këto, për të cilat më doli e përshtatshme një vjershë e Faik Konicës, një njeriu që turqve ua ndjente erën së largu dhe po ashtu ua tregonte rregullisht vendin.

 

Faik Konica:

 

ANADOLLAKU NË MËSALLË

 

Ka ndenjur si një ka

Po ha dhe po ha,

Shembet me pilaf,

Fryhet me hoshaf,

 

S’ka kohë të flasë

Hedh sa të pëlcasë,

Llop një bakllava,

Llop një hallva,

Llop një revani,

Llop muhalebi.

 

Thërret:-Hiç jemedum!

-O burra, bre dudum!

Kërkon një syltjaç,

Porosit një kulaç,

Rrëmben një bugaçe,

-Të rrëmbeç një kopaçe!

Të tërë për një darkë,

Të tëra në një barkë!

 

Kur lodhet sa nginjet,

Pushon e shtrihet

Shtrihet dudumi

Dhe na e zë gjumi.

 

Nesër kur të zgjohet

E , me “bismil-lah”,

Prapë pilaf

E prapë hoshaf.

“Qebap boll-boll

Koxha Anadoll!”

 

More dudum kokëkungull

Gojëbuall e barkrrumbull

Thuamë, të rëntë pika!

Ç’të duhet ty politika?

Hiq, more dudum dorë, hajde

Të të kllasem në një kade

Plot me mjalt’ e me reçel

Ha pi e kurrë mos del.


Shënim: Fotot dhe përshkrimi i tyre janë vendosur nga Redaksia

(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: