Fritz Radovani: Rozafa një vit pa Don Simon Jubanin
| E Merkure, 11.07.2012, 05:30 PM |

ROZAFA  NJË  VIT  PA  DON  SIMON  JUBANIN…

Nga Fritz RADOVANI

Me daten 12 Korrik 2011…mora lajmin e vdekjes së Heroit të Demokracisë së vitit 1990,

Trimit të pathyeshem me veladon, Martirit të Burgut të Burrelit, Shkodranit që i tha diktaturës komuniste “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”…Atë ditë, me 11 Nandor 1990, në Vorrezat e Rrëmajit, në oren 11.00, i rrethuem nga 30.000 bashkqytetarët e fshatarët e rrethinave, pa dallim Feje, Katolikë e Muslimanë, të gjithë me lot perfaqe, t’ etshem per Liri e Demokraci.

Don Simon Jubani asht modeli i persosun i Formules “Atdhé e Fé”!

Jeta e Tij asht sakrificë, vuejtje, vorfni, torturë, burgosje, perndjekje, uri, etje, e mbi të gjitha këto: Dashni e Nderim i Pakufishem per Atdhé e Fé.

Prangat e hekurtat e komunizmit gjakatarë për Don Simonin janë “vargojt’ e artë” prej të cilëve Ai mujti me shpetue nga ndryshku i zi i burgjeve të diktaturës terroriste enveriane.

“Biruca e Don Simonit” në Burgun e mnershem të Burrelit ishte strofulla e një Shqipes që kishte mbijetue nga Kështjellat Rozafat, Krujë, Berat, e pse jo të Gjinokastres së vjeter... prangue per vdekje, i lidhun kambë e dorë, pa ujë, pa bukë, i çveshun,  pa shtrojë e mbulojë, pa dritë...n’ errsinen e akullt e të pashpresë, që nuk iu nda Shqiptarëve të nderuem per 47 vjet nga ateizmi dhe fanatikët anadollakë, që i vriste Drita e Fesë. Besimtarët Shqiptarë Katolikë, Muslimanë dhe Ortodoksë, ishin anmiqtë ma të frikshem per tradhëtarët komunistë dhe robnuesit e huej të të gjitha kohëve!

Besimi në Idealin e Naltë të Lirisë së Atdheut të vet asht provë e një predhe dermuese per të gjithë internacionalistët proletarë e bolshevikë, asht shkatrrimi i perandorive pushtuese e skllavnuese që nuk na e u ndanë nder këto shekuj robnije të pafund, jo vetem në “copëzen” Nanë Shqipni, po as në Dardani, Hot, Grudë, Maqedoni, Çamëri e deri perballë Korfuzit plak, ku shkrryhen “tregtarët e Flamujve”, siç i ka cilsue të vjetrit dhe të “rijtë” Atdhetari Ernest Koliqi...

Maja e kompanjelit të Katedrales së Shkodres, ashtu si verboj malazezët në 1913... ashtu vazhdonte me kenë heshtë në gjokset e shovenistëve sllavë të viteve 1941 e 1944... Ai ishte per ta një “ferrë në sy”, që asnjëherë nuk do t’i hiqet qafet persa të vazhdojë me vlue nder Trojet Tona Gjaku i Shejtë dhe i Paster i Dedë Gjo’ Lulit dhe i Trimave të Maleve tona kreshnike!

Per Don Simonin veladoni i zi ishte mburoja e të Madhit Gjergj Kastrioti, që as heshtë, as top e as mortajë turku, sllavi, greku, italiani apo edhe i ardhun nga shkretinat e Siberisë, nuk mujten me depertue per me shporue Zemren e Shqiptarit të Betueme n’ Elterin Shejt, ku nder duert e Tij të Shugurueme, miqtë, shokët e dashamirët bashkvuejtës gjenin Besen dhe Forcen e qendresës Burrnore!

Fjala e Don Simonit ishte këshillë, mësim, rrëfim e pse jo, Shpresa e së ardhmes!

Gjaku i mija Martirëve i derdhun rrëkajë në Zallin e Kirit vazhdonte me qarkullue mu në një Zemer që ishte rritë e Burrnue pranë atyne gurëve si biluri..., dikur në një shtëpi të vorfen në Ballabanen e vjeter...E që pa Ju tutë syni këtij Burri mbasardhës do të vazhdonte rrugen e Tyne plot salvime e sakrifica per qellimin e naltë të Atdhedashunisë, që qarkullonte bashkë me Gjakun e Atyne Herojve në damarët e Don Simon Jubanit.

Vepra e heroike e Don Simonit tashma asht e njohun në gjithë Boten, e cila, sa Ai kje gjallë, nuk ka kursye as dafinat e as medaljet e dekoratat për gjoksin e paster të Heroit Don Simon Jubani. Ai asht i pari Shqiptar mbas vitit 1989 që asht thirrë në audiencë nga Toka e robnueme Shqiptare, nga vetë Papa Gjon Pali II në Vatikan, në Romë.

Në vitin 1991 Universiteti i San Franciscos në Kaliforni i akordoi Don Simonit diplomen "Doctor honoris causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist i një Epokës së Re në Shqipni". Shteti i Michiganit e nderoi me diplomën e posaçme me motivacion "Nismëtar i Lirisë së fjalës dhe i shtypit katolik në Shqipni”, që e ka zanafillen e vet në fletushken e 20 dhetorit 1990, në prag të Festës së Krishtlindjes; përshpejtues i të gjitha veprimtarive, qi u hapën Shqiptarëve dyert e Përendimit; ndertues i urave ndërmjet Tiranës dhe Europës...dhe Botës mbarë!

Dom Simon Jubani, me 11 Nandor 1990 Ju u ringjallët, po na ringjallët edhe né.

Don Simon Jubani, jam i sigurtë se Shpirti Yt asht pranë Krijuesit Tand... Ai të vuni në provë, dhe Ti jo vetem i përballove me nder, po edhe u bane një shembull qendrese dhe i Besniknisë ndaj Zotit dhe Atdheut, i cili gjithënjë ka me e kujtue Vepren Tande, Lirinë e Fesë në Shqipninë “ateiste”, pa të cilen nuk ka asnjë Liri tjetër në truellin e Paraardhësve Tuej, Gjergj Kastriotit, Nanë Terezës e Ibrahim Rrugovës, me të cilët Ju lidhi Gjaku, Atdheu, Feja dhe Ideali, simbol i të cilave edhe Ju do të jeni për shekuj të shekujve në Tokën Shqiptare!

Ju jeni një Gur’i daltuem me kulturen Europjane në Muret e Rozafës së Ilirëve...

Shkodra sot edhe pa Don Simonin asht e do t’ jetë Shkodra e Don Simon Jubanit!..

E do të vazhdojë me kenë per shekuj të shekujve...


Melbourne, Korrik 2012.

(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: