Bedri Tahiri: Njё manifestim i qёlluar, por qё la pёr t’u dёshiruar
| E Merkure, 04.07.2012, 04:05 PM |

Shkrim me shkas: Kujtesё e zvetёnuar  historike

Njё manifestim i qёlluar, por qё la pёr t’u dёshiruar

Nga Bedri TAHIRI

Kishte ditё qё njё lajm i mirё qarkullonte kumbueshёm anё e kёnd vendit: Mё 30 qershor 2012, nё Shalё tё Bajgorёs do tё pёrkujtohen dy ngjarje tё mёdha historike: 100- vjetori i Kuvendit tё Kurillovёs dhe 100- vjetori i ngritjes sё Flamurit nё Vesekofc!

Oh, sa mirё, mrekullia vetё!- thanё tё gjithё, dhe mezi e prisnin atё ditё. U lumtё tri komunave qё lidhen pёrreth kёtij strumbullari ndjellamirё: Vushtrrisё, Mitrovicёs dhe Besianёs. Nё fakt, Kurillova dhe Vesekofci janё pjesё e Vushtrrisё, por ani, çdo gjё e pёrbashkёt, del mё e fuqishme.

Dhe, dita e shumёpritur erdhi. Kureshtja pёr tё mёsuar diç mё shumё pёr ato ngjarje tё rёndёsishme historike, qё realisht, nё literaturёn e shkruar fare pak figuronin, ndёrkaq  nё gojёn e popullit elaboroheshin shpesh deri nё hollёsi, madje ekzistonin edhe kёngё me njё vёrtetёsi mahnitёse, i shtyri njerёzit qё ta marrin atё rrugё tё gjatё e nёpёr atё vapё pёrcёlluese.

Nё nderim tё heroit Mehё Uka

Edhe grupi ynё: Bedri Shyti, Selatin Imeri, Galip Avdiu dhe unё (Bedri Tahiri) pati tё njёjtёn ndjenjё. Madje, ne u nisёm edhe mё herёt, sepse patёm dёshirё tё merrnim pjesё  edhe nё zbulimin e bustit tё heroit Mehё Uka, emrin e tё cilit e mban me krenari shkolla e Bajgorёs. Makina e Selatinit nxitonte vetёtimthi atyre zigzakeve malore. Ngasёsit tё saj i takonte njё gjё e tillё, ishte djalё i Kovaçicёs, kishte qenё shok i Mehё Ukёs dhe njё kohё kishte punuar nё atё shkollё.

Sakaq arritёm nё oborrin e shkollёs “Mehё Uka”.  Njё atmosferё festive, por jo aso çfarё meritonte ky burrё i madh i kombit. Ca karrige pёrballё binёs sё improvizuar mbusheshin hezitueshёm me mysafirёt qё vinin tek-tuk. Edhe numri i familjarёve e banorёve vendёs nuk na e mbushte syrin. Barrёn kryesore, si pёrherё e bartnin nxёnёsit e padjallёzuar dhe mёsimdhёnёsit e palodhur. Mysafirёt nga Tirana, Marenglen Verli e Fatmire Musaj, dhe ata nga Prishtina, Osman Zhitia, babai i dёshmorit Afrim Zhitia, e Nysret Pllana etj.i dhanё gjallёri kёtij ceremoniali. Programi i pёrgatitur nga nxёnёxit qe i mrekullueshёm. Mirёpo, pika mё kulmore ishte  zbulimi i bustit tё Mehё Ukёs, i cili ditё mё parё edhe ishte dekoruar nga presidentja Atifete Jahjaga me urdhrin Hero i Kosovёs, vepёr e njё skulptori tё ri tё kёsaj ane, Miftar Istrefi, e cila sado qё shihej se ishte punuar mirё, nuk u shpёtonte vёrejtjeve tё atyre qё e njihnin me rrёnjё birin e tyre...

Drejt Kodёrflamurit

Ende pa pёrfunduar programi artistik u detyruam tё nisemi pёr nё Kodёrflamur. Sapo lёshuam rrugёn e asfaltuar u rrasem nё pluhurin e dendur qё nuk na linte t’i çelnim sytё. Rruga e hapur rishtas nga KK i Mitrovicёs, meqё nuk ka pasur pengesa pronёsore nuk di pse nuk e kanё zgjeruar sa duhet, kur takoheshim me dikё qё lёvizte nё tё kundёrtёn, mezi kalonim, tё shumtёn e pashtruar me zhavor, gicte ashpёr virgjёrinё e atyre pyjeve e kodrave me lloj- lloj lulesh erёmira qё edhe tё vdekurin e bёnin tё marrё frymё.

Nuk nguteshim shumё, ngase ishim herёt dhe dёshironim t’i shijonim ato bukuri tё rralla tё mёmёs natyrё. Tej, nё njё kodёr pёrplot fier e ahishta lёkurlёmuara, ndaluam dhe ia hodhem njё sy truallit tё trimit tё paepur tё kёsaj ane, Ukshin Kovaçiçёs, themelet e kullёs sё tij ende gjallinin nё anёn karshi nesh...

Kur mbёrritёm nё vend, kishte pak njerёz. Ende ёshtё herёt,- e ngushёlluam veten dhe zumё tё shikonim rreth e rrotull. Sa pikё strategjike. Çdo gjё dukej si nё pёllembё tё dorёs, e gjithё ana e Llapit dhe i tёrё Rrafshi i Kosovёs. Nё anёn tjetёr Fushat e Kurillovёs ku ishte mbajtur Kuvendi i Besёs mё 30 qershor 1912...

Dielli po i afrohej zenitit e vapa na digjte si saç i skuqur nё prush. Tё tjerё nuk po vinin mё. Pjesёmarrje jo e kёnaqshme. Çudi, o Zot! Numri ynё nuk po e kalonte numrin e pjesёmarrёsve tё Kuvendit historik tё mbajtur kёtu e njёqind vjet mё parё. Hjade mendje, hajde. Atёbotё, mё shumё kёmbё se me kuaj, nё rreziqe e nё pamundёsi informimi dhe ishin mbledhur mbi dymijё burra tё pushkёs e tё besёs...

Dorёn nё zemёr, pёrgatitjet teknike ishin nё nivel. Bina e mirё me njё foto tё madhe nё ballё, ku shihej prijёsi Isa Boletini me bashkёluftёtarё, i jepnin pamje madhёshtore  manifestimit. Edhe motoja e shkruar nё ballё tё saj ishte e qartё dhe domethёnёse: 100- Vjetori i Kuvendit tё Kurillovёs dhe ngritjes sё Flamurit nё Vesekofc!

Mё shumё pёr fshisa se sa pёr lisa

Hapja e manifestimit u bё me ngritjen e Flamurit tё Isa Boletinit nga pjesёtarёt e nderit tё FSK-sё. Si zakonisht, pjesa e parё pati fjalime politike e pёrshёndetёse, qё kёsaj radhe qenё pёr lakmi. Kryetari i Mitrovicёs, z. Avni Kastrati, simboli i rezitencёs sonё kombёtare, z. Adem Demaçi dhe pёrfaqёsuesi i familjes sё Isa Boletinit, z. Gazmend Boletini shpejt ua lёshuan vendin atyre qё pritej ta thonin fjalёn kryesore pёr kёtё eveniment me peshё historike.

Dhe, kur moderatori,  Resul Sinani, pёrnjёherёsh i paraqiti katёr referuesit e pjesёs shkencore: Fehmi Pushkollin, Marenglen Verlin, Fatmire Musajn dhe Haki Kosumin, tё gjithё u shndёrruan nё sy e vesh. Pёr kёtё kishn ardhur dhe nё pikё tё diellit po prisnin tё mёsonin pёr Kuvendin historik tё Kurillovёs dhe pёr ngritjen e flamurit nё kёtё kodёr (dikur Kodёrbajrak e sot Kodёrflamur- njё toponim i shkёlqyer) kёtu e njёqind vjet mё parё.

Mirёpo, dalёngadalё sikur po zhgёnjeheshin tё gjithё. Larg qoftё, pa mohuar punёn dhe pёrgatitjet e tyre shkencore, tё gjithё ishin specialistё tё historisё, me tituj e grada tё larta shkencore, ata nuk iu kishin rrekur temёs konkrete. Punimet e tyre (pёrjashto pjesёn pёrmbyllёse tё referuesit tё fundit) i kushtoheshin Isa Boletinit dhe verpimtarisё sё tij atdhetare, por jo edhe Kuvendit tё Kurillovёs dhe ngritjes sё Flamurit nё Vesekofc. Me fjalё tё tjera kishin dalё nga tema, siç  thuhet nё praktikёn shkollore. Ne erdhёm pёr lisa e kёta po na flasin pёr fshisa- u shpreh njё plak i kёsaj ane, i cili nga rrёfimet e tё parёve e dinte ngjarjen nё gishta e ndryshe nga se thuhej aty. Edhe Guri i Sokolit, pak tutje nesh, ku trimi i madh Hys Popova pёr muaj tё tёrё e kishte ngrehur dhe mbrojtur Flamurin kuqezi, dёrguar nga Hoxhё Kadri Prishtina pёrmes Xhemail agё Berishёs, sikur tё kishte gojё do tё dilte nё foltore e do tё na thoshte ca fjalё petake...

Pas programit tё larmishёm artistik, pёrgatitur nga ansambli artistik i valleve dhe kёngёve nga Mitrovica, u bё zbulimi i Pllakёs pёrkujtimore, kushtuar kёtyre ngjarjeve me peshё tё madhe historike, financuar nga KK i Vushtrrisё. Zbulimin e bёnё kryetarёt e tri komunave dhe baca Adem Demaçi.

Sidoqoftё, tubimi ёshtё pёr t’u tumirё. Organizatorёt duhet pёrgёzuar pёr pёrkujdesje ndaj kёsaj pjese tё historisё, qё e begatojnё jubileun e sivjemё kombёtar: 100- vjetorin e Pavarёsisё sё Shqipёrisё! Tashmё, tё gjithё studjuesit pajtohen se Kryengritjet e Pёrgjithshme tё shqiptarёve nё Kosovё, tё ideuara e tё udhёhequra nga i madhi Hasan Prishtina  dhe tribunёt Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Bajram Daklani etj. qё nё muajin gusht arritёn ta çlirojnё edhe Shkupin, pёrgatitёn dhe mundёsuan shpalljen e Pavarёsisё sё Shqipёrisё nё Vlorё, mё 28 Nёntor 1912.

Fare nё fund, nёse edhe tё tjerёt, veçan organizatorёt, kёtё ngjarje kulturore- historike e kanё parё me syrin tonё, kёsaj i thonё: Mendё pёr tjera  herё! Pёrndryshe, mos tё pёrpiqemi kot tё fluturojmё drejt diellit me krahёt prej dylli, sepse rrezet e tij do na i shkrijnё dhe paskёtaj dihet ku mbesim e si pёrfundojmё! Tё vёrtetёn mund ta gjejmё vetёm tek tё thjeshtёt, tek pёrjetuesit, tek POPULLI!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: