Frank Shkreli: Domethënja e 4 Korrikut - Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara
| E Marte, 03.07.2012, 06:56 PM |

DOMETHËNJA E VËRTETË E KATËR KORRIKUT - PAVARËSISË  SË SHTETEVE TË BASHKUARA

Nga Frank Shkreli

Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë.  Sivjet, 4 Korriku shënon 236-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.  Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet - ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë - që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushteti,  dhe si të tilla ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të qeverisë, ose mbretit, pasi, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.  Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë,  duke  shpallur se të drejtat,  personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi.   Në frazën ndoshta më të famëshme tani të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se , ''Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.''

Mesazhi kryesor i kësaj dite si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi në historinë e njerëzimit - se Perëndia dhe natyra, dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti - jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzëve kudo, u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme.  Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është  për t'i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të qytetarëve.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 236 vjetë më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.  Por ç'prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para më shumë se dy shekujsh, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapseparapë ekziston vetdija se mbetet shumë për t'u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.

Liria, këjo e drejtë e pamohueshme e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme më 4 Korrik 1776.  Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ''qytetëruar'', madje edhe sot Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës, nga diktatorë e regjime shtypëse, të cilat mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që ata i rregullojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet.  Ata i urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të dalur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776 se është e drejta e popullit kudo e në çdo vend të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër që do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës.

Për të siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane  miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit , si edhe shtesa të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme nga ana e shtetit dhe qeverisë.  Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të Pavarësisë Amerikane, ka thënë se "Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe ajo do të dominojë jetën dhe të drejtat tona''.

Është me vend që këto vlera e të drejta të pamohueshme të njeriut të festohen sot në në këtë përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, por është gjtihashtu e arsyeshme që këjo ngjarje të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.   Le të jetë pra 4 Korriku një festim i garancisë së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan, por të kujtohet gjithashtu edhe nga mbarë bota, e cila nga këjo ditë e shënuar patriotike amerikane mund të mësojë se sipas Mark Twain, ''Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton''.

Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë që shprehen nga koha në koha - edhe 236 vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë,  Amerika mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës dhe Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: