Jahë Sadrija: Zef Serembe - Poeti me fatin më tragjik në letërsinë arbëreshe
| E Diel, 10.06.2012, 01:05 PM |

Zef Serembe - Poeti me fatin më tragjik në letërsinë arbëreshe

(1844-1901)

Jeta dhe  vepra

Nga Jahë Sadrija

Zef Serembe është liriku më i shquar i romantizmit arbëresh. Ai lindi më 6 Mars 1844 në fshatin arbëresh Kozmo Albaneze, ose Strigari siç i thoshin vendësit, sipas qytezës Strugë, prej nga vinin të parët e tij, në krahinën e Kozencës.  Fshati i tij shtrihej mbi një kodrinë të bukur përballë detit Jon.  Babaj i tij Mikelanxhelo, mori pjesë në revolcionin e vitit 1848, kundër dinastisë së Burbonëve.  Kur u shua kryengritja ai mbeti i arratisur maleve, ndërsa familja e tij varfërohej pamasë.  Në fund kur kishte rënë shumë nga shëndeti, ia fallen jetën.  Zef Serembe, fëmijërinë e kaloj në një skamje të madhe.  Mësimet e para i bëri në Shën Adrian, ku pati mësues De Radën, me të cilin  pastaj u bë mik.  De Rada ndikoi te djaloshi me talent për themelimin e ndjenjës së atdhedashurisë, të cilën e kishte trashëguar edhe nga familja.  Në kolegj i shfaqet një sëmundje e rëndë, e cila ia dëmtoi edhe sistemin nervor.  I shtrënguar nga sëmundja dhe nga varfëria e braktis kolegjin dhe kthehet në fshat.  Më vonë më 1860 i vazhdon mësimet e ndërprera në Roosano dhe në Kariliano –Kalabro.  Më 1869 Serembe do të punojë si sekretar i Bashkisë së Strigarit.  Ai ishte i një natyre të shqetësuar.  Me një temperament të vacantë prej njeriu dhe krijuesi.  Shpirtin e tij të revoltuar prej poeti, e tronditi edhe më shumë dashuria e pafat që pati me një vajzë të varfër arbëreshe.  Vajza për shkaqe ekonomike, mërgohet me prindër në Brazil dhe atje vdes.

Serembe, kah viti 1875, shkon që ta vizitojë, por e gjen vetem varrin e saj.  Me një rekomandim të Dora D’ Istrias, me të cilën kishte miqësi, pranohet te perandori i Brazilit, Dom Pedro.  Por duke pare luksin dhe mjerimin e atjeshëm largohet prej andej. Duke u kthyer me anije në vendlindje, afër bregdetit ajo shkatërrohet.  Serembe zbret në Kadiks të Spanjës, dhe pastaj në këmbë  dhe i sfilitur  shpirtërisht kthehet nëpër Spanjë, Francë dhe Itali, ku dhe i humben një pjesë e madhe e dorëshkrimeve në rrethana, që shpjegohen në disa variante.  Sërish kthehet në Strigari.  Duke e pare gjendjen e rendë të fshatit, e cila nuk kishte ndryshuar fare, niset prap për në Brazil. Dhe atje, në San Paolo, vdes më 1901.

Zef  Serembe ishte një poet i madh lirik.  Ai shkroi poezi, poema dhe drama.  Plot poezi të cilat i krijonte edhe i humbiste. Shumë prej tyre janë ruajtur nga miqtë e tij.  Veprat e tij më të njohura janë:  Poezi italishte dhe këngë origjinale,  Ushtari i kthyer, baladë lirike, Sonete të ndryshme etj.  Poezitë e tij për here të pare i mblodhi dhe i botoi nipi i tij Kozmo Serembe, në Milano më 1926, me titullin, “Vjershe”.

Në poezinë e tij Serembe trajtoi motive të ndryshme.  Shquajnë, sidomos, motivi patriotik, erotik, mediativ etj.

Motivi patriotik

Ky motiv zë një vend të rendësishem në poezinë e Serembes.  Dheu i humbur i të parëve ishte bërë obsesion për shkrimtarët arbëreshë.  Një temë e tillë ishte trajtuar edhe nga i madhi De Radë, Santori etj.  Vjersha e pare me motiv patriotic e Serembes, titullohet “Për lirinë e Venetisë”, e shkruar në moshen 16 vjeçare.  Pastaj vend të rendësishem zënë edhe poezitë e motivit të njejtë: vjersha “Vrull”, vjersha kushtuar “Zonjës Elena Gjika”, poezia, “Ali Tepelenasit” etj.

Motivi erotik

Serembe si dhe romanticët tjerë, në vepren e tij e trajtoj motivin erotik.  Dashuria e këtij poeti ishte e vacantë dhe përsonale.  Ajo niset nga një bazë reale e të përjetuarit nga vetë poeti, për t’i dhënë pastaj përmasa të një ndjenje të thellë njerëzore.  Vjersha “ Kënga e mallit të pare” është shkruar në kohën kur poeti ishte 14 vjeçar.  Pastaj vjersha, “Kujtim”, e cila figuron me një varg pyetjesh drejtuar për të dashuren e tij. Pasojnë vjershat : “Kujtimet”, “Elegji”etj.

Motivi mediativ

Motivin mediativ Serembe e trajton edhe në llojet tjera të lirikës së tij.  Ai konsiderohet si poetët e pare arbëresh, që e kultivoj këtë motiv.  Vjersha, “ Një ditë është jeta”, që është një tingëllimë meditative, simbolizon figurativisht tri fazat e jetës.  Pastaj vjershat, “Natë”, “Feja”, “Errësira” etj.

Zef  Serembe është një romantik i vacantë arbëresh.  Poezija e tij ka një karakter të thellë lirik dhe subjetiv.  Ajo me një force shprehëse artistike, portretizon botën e thellë shpirtërore të poetit.  Spontaniteti krijues është një veçori e Serembes, i cili është frymëzuar vazhdimisht nga jeta.  Vargjet i thurte atypëraty me lehtësi krijuse, i këndonte dhe i modelonte ato me një frymë gjallëruese.  Ndër figurat stilistike të artit të Serembes ishin: kontrasti, antiteza, epiteti, metafora, krahasimi, përsonifikimi, simboli etj…që janë përdorur me një mjeshtri të madhe poetike.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: