Ndue Ukaj: Nga mesha me 17 shkurt 2008 ne Zvicër
| E Merkure, 02.04.2008, 10:19 PM |

Nga mesha me 17 shkurt 2008 ne Zvicër

Përgatiti Ndue Ukaj
 
Me rastin e Pavarësisë së Kosovës në Will të Zvicrës, në organizim të Misionit Katolik Shqiptar më 17.02.2008, në ora 13 – u kremtua mesha e Shenjtë, nën drejtimin e Imzot Llucjan Avgustinit, në të cilën meshë morën pjesë shumë figura të njohura të kishës dhe politikës, por që e karakterizonte me një simbolik të veçantë dhe shumë domethënëse në vete, prania e zonjës Michelin Calmy-Rey, ministre e jashtme e Zvicrës, që për shqiptarët është bërë një simbol i rëndësishëm i ecjes drejt pavarësisë së Kosovës.
 
Kjo meshë, e cila u quajt falënderimi ndaj shtetit Zvicrën, u karakterizua, përveç me aspektin liturgjik të pasur dhe të përgatitur mirë, edhe me një aktivitet të shtuar, i cili i jepte përmasë të veçantë.  Në të vërtet, ishte e jashtëzakonshme dhe kulmore edhe paraqitja e dhuratave, ku të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare dhe zvicerane,  paraqitën dhuratat falënderimi në altar. Në këtë kontekst, vlen për të dalluar paraqitjen e dhuratave në formë të lutjes dhe simboleve. Pikësëpari u paraqit buka, kripa dhe zemra, simbole këto të lashta të mikpritjes shqiptare. Pastaj të rinjtë sjellën një shportë me dhe, në të cilën gjysma e dheut ishte nga Kosova, ndërkaq gjysma tjetër ishte nga Zvicra. Në këtë dhe ishin të ngulitur dhe dy flamuj: njëri ishte flamuri kombëtar i shqiptarëve ndërsa tjetri ishte flamuri Zviceran. Kjo shënjonte kulmin e një simbolike teje specifike, që la mbresë të thellë tek gjithë të pranishmit në meshë. Më tej, gjithë besimtarët së bashku u lutën që ku ka ndasi, aty të ketë bashkim të njerëzve. Ndërsa në fund të paraqitjes së dhuratave, u ndezë një qiri, i cili u vendos në altar, duke i përkujtuar të gjitha viktimat e pafajshme posaçërisht viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
 
Data 17 shkurt 2008, tanimë ka hyrë në historinë shqiptare,  veçanërisht të Kosovës si një datë e kthesës së madhe, datë e sendërtimit të aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi. Kjo datë e pritur me shekuj, me emocione të jashtëzakonshme, u shënjua kudo ku ka shqiptar në mënyra të ndryshme, me emocione e aktivitete të ndryshme. Ndërkaq, një moment me rëndësi në këtë ngjarje, padyshim shënjon aktiviteti i organizuar nga Misioni i Kishës Katolike në Zvicër, respektivisht nga misionari Don Marjan Marku, ku në një meshë falënderimi ndaj shtetit të Zvicrës për atë që ka bërë për shqiptarët, morri pjesë Ministrja e jashtme e Zvicrës Zonja Michelin Calmy-Rey. Në të vërtet, kjo ishte një ndër koincidencat më interesantë të kësaj date me rëndësi, një koincidencë që do të mbahet mend për shumë arsye. Në këtë meshë të komunitetit shqiptar katolik në Zvicër, merrnin pjesë politikan, klerik, qytetarë të shumtë të cilët ndanë së bashku gëzimet dhe falënderimit përveç tjerash edhe për Pavarësinë e Kosovës. Në meshë të pranishëm ishin këta meshtarët e shumtë si Imzot Llucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës; Josef Rosenast, Vikari gjeneral në St. Galen; Meinrad Gemperli, Famullitar në Will SG; Don Marjan Marku, Misionar në Zvicrën Lindor; Don Lush Sopi, famullitar në Novosellë; Daniel Bachmann, Dekan në Fischingen; Dr. Don Mikel Sopi, Misionar në Zvicrën Veriperëndimore; Don Anton Uka, Kapelan në Klinë; Leo Schenker, Famullitar në Tobel.
Përveç kësaj pjesëmarrje të madhe të klerit katolik shqiptar dhe atij Zviceran, kjo ngjarje u plotësua edhe me njerëz të jetës politike, të cilët përveç se pasuruan këtë meshë falënderimi ndaj shtetit Zviceran, i jepnin dimension më të fuqishëm emocioneve që shkaktonte shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ky akt kaq i pritur e për të cilën është sakrifikuar shumë ndër shqiptar. Nga bota e politikës ishin të pranishëm: Bundesrätin Michelin Calmy-Rey, ministresh e punëve të jashtme në Zvicër,  Zonja Kathrin Hilber, Kryetare e qeverisë në kantonin e St. Galen, Zonja Muriel Peneveyre, këshilltare diplomatike e zonjës Calmy-Rey, Ambasadori Christian Meuwly, Shef politik në ministrinë e punëve të jashtme të Zvicrës (EDA), Mehmet Elezi, Ambasador i Shqipërisë në Zvicër, Osman Osmani, Kantonsrat Bezirk Schafhausen, Dr. iur. Bruno Gähwiler, kryetari i komunës në Will, Peter Hungerbühler, Kryetar i kishës katolike në Thurgau, Josef Fässler, Kryetar i kishës katolike në Will.
Mesha u drejtua nga Llucjan Avgustini, i cili po ashtu mbajti fjalën e rastit, predikimin, në të cilin foli për mërgimin dhe rëndësinë që ka në Shkrimin Shenjtë në Bibël. Ai sintetizoj këtë ditë dhe meshë me ligjërimin biblik, duke ju referuar asaj që shkruhet në Bibël dhe që shprehte në esencë praninë e shqiptarëve të shumtë në Zvicër. Më fjalët e Hyji kur ju drejtua Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj” (Dal 12, 1) imzot Avgustini filloj predikimin. Në kontekst të kësaj ngjarje biblike, ai i dha një dimension tejet të veçantë pranisë së shqiptarëve në shtetin e Zvicrës, duke e shpjeguar me interpretimin biblik për popullin i Izraelit dhe vuajtjet e tij në robërinë e Egjiptit. Kjo ndërlidhje merrte një status të veçantë në këtë rast, ngase edhe shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar në forma të ndryshme ankthin e të jetuarit në dhe të huaj. Imzot Avgustini me tej shtoj se “provimi i rënd i mërgimit dhe ç’vendosja në historinë e shëlbimit të popullit të zgjedhur është si thelb në shikimin e shëlbimit të gjithë popujve. (krah. Is 42, 6-7; 49, 5). Në kontekst të shkrimit të shenjtë biblik, Imzot Avgustini me një semantik të qëlluar thekson faktin se”... vetë Jezu Krishtin lindi në një shpellë dhe iku në Egjipt si i huaj dhe në këtë mënyrë pranoi përjetimin thelbësor të popullit të tij (krah. Mt 2, 13) duke e përmbledh të tërin në vete. I lindur në dhe të huaj dhe me një prejardhje jashtë vendlindjes (krah. Lk 2, 4-7), banoi ndër ne (krah. Gjn 1, 11, 14) dhe e kaloi jetën e tij duke ecur nëpër qytete e fshatra (krah. Lk 13, 22; Mt 9, 35). Si i ngjallur iu paraqit dy nxënësve si i huaj dhe i panjohur në rrugë për në Emaus, të cilët e njohën në thyerjen e bukëve (Krah. Lk 24, 35). Kjo simbolika e ecjes ndërlidhte mjaft bukur këtë ngjarje me rëndësi”.
Kuptimësinë e mërgimit, Imzot Avgustini më tej e shpjegoj me fjalë të bukura: “Nëse e shohim historinë e Kishës, atëherë do ta shohim se ajo tek mërgimtarët përherë ka parë figurën e Krishtit i cili thoshte: “Isha shtegtarë e më përbujtët” (Mt 25, 35). Në vazhdim po sjellim disa pasus të predikimit të Imzot Avgustinit që shpjegonin jo vetëm domethënien e mërgimit, por mbi të gjitha vlerën kristiane që sublimon bashkimi i të krishterëve. “Kështu mërgimi duke sjell së bashku anëtarë të familjeve të shumta janë një element i ndërtimi të një trupi të ndryshëm shoqërorë, njëkohësisht si një bashkim i takimeve të popujve dhe rasave të cilët përmes dhuratave të Shpirtit Shenjt në ditën e Rrëshajëve u bë kishë vëllazërie.
Njeriu është një qenie sociale i cili vlerën e tij të brendshme e fiton atëherë kur është i barabartë me të tjerët. Nëse ndokush më thotë, çka më vlerëson për fuqinë dhe dobësinë time që e kam.  Vetëm përmes njerëzve të tjerë mund ta fitoi identitetin tim. Filozofi i madh  judenjë Martin Buber një herë kishte thënë: “Gjithë jeta e vërtetë është takimi”. Unë kisha për të shtuar: takimi me Hyjin dhe takimi me njerëzit. Takimi në mes kulturave dhe kombeve të ndryshme është një pasurim i madh për secilin prej nesh”.
Pas predikimit të thuktë të Imzot Llucjan Avgustinit, me një fjalim u paraqit Don Marjan Marku, më meritori për organizmin e kësaj ngjarje. Ai këtë fjalim e mbajti pas kungimit, që shënjon pjesën e fundit të meshës. Don Marjan Marku elaboroj peripecitë që ka përjetuar populli shqiptar përgjatë pesë shekujve në robëri, nën thundra armiqsh të shumtë, prej së cilëve që i detyruar shpeshherë të emigroj për të shpëtuar. Ndër të tjera ai theksoj “450 vjet ishte i shtyrë që të jetojë nën zgjedhën e mbretërisë osmane. Në vitin 1999 (populli shqiptar) e përjetojë një exodus, me ç’rast shumica prej tyre ishin të përndjekur dhe të vrarë. Kjo përndjekje mori fund me intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe kështu për Kosovën u hap një mundësi e re për të jetuar në paqe dhe liri”. Më tej Don Marjani përmendi rolin dhe qëndrimin tejet pozitiv të shtetit Zviceran karshi Kosovës dhe popullit të saj, duke i dal në ndihmë në gjitha aspektet, ndihmë kjo që zë një vend me rëndësi në historinë e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye ai shtoj: “ne sot dëshirojmë që ta shfrytëzojmë rastin dhe që të falënderojmë Zvicrën për ndihmën që ka dhënë: për pranimin e refugjatëve, për kontributin e caritasit këtu në Zvicër po ashtu dhe në Kosovë, për dërgimin e trupave paqësore Swisscoy etj. Në javën e kaluar kam lexuar një deklaratë nga ministria e punëve të jashtme të Zvicrës, se Zvicra prej vitit 1996 e deri më tani ka dhënë një miliard e gjysmë Franga për ndihma civile dhe ushtarake në Kosovë. Prandaj shumë faleminderit Zvicër!
Në këtë kontekst, Don Marjani shprehu me respekt e fjalë miradije e mirënjohje në emër të popullit të Kosovës për qëndrimin jashtëzakonisht pozitiv që ka luajtur dhe luan Zvicra në raport me çështjen e Kosovës. Duke përmendur me këtë rast qëndrimin e njohur të ministres Michelin Calmy-Rey. Me këtë rast Don Marjani përmendi faktin se pikërisht ajo ishte e para që ka deklaruar për një “pavarësi formale” për Kosovën. Ne jemi shumë të lumtur që përfundimisht është plotësuar dëshira shumëvjeçare e shqiptarëve. Por, ne shpresojmë se edhe në të ardhmen do të kemi përkrahjen tuaj- shtoj Don Marjani.
Më tej ai elaboroj me pika të shkurtra edhe për mërgimin e mërgimin e shqiptarëve në Zvicër. Më ketë rast dha disa informacione për arsyet e mërgimit si dhe të dhëna për shqiptarët në Zvicër.
“Gjeneratat e pare të shqiptarëve kanë ardhur në Zvicër në vitet e gjashtëdhjeta. Shumica prej tyre kanë ardhur për të punuar për disa vite dhe më vonë kanë menduar që të kthehen tek familjet e tyre dhe me parat e fituara të ndërtojnë një ekzistencë. Pasi që gjendja ekonomike dhe politike në Kosovë përherë e më tepër është keqësuar, shumica prej tyre i kanë marr familjet e tyre me vete, kështu që në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta vazhdimisht është rritur numri i shqiptarëve në Zvicër. Sot në Zvicër jetojnë diku 200.000 shqiptar, 10% nga e gjithë popullata Kosovare. Prej tyre, janë 20.000, të cilët i përkasin kishës katolike. Çdo i treti katolik shqiptar nga Kosova jeton në Zvicër dhe ky realitet e arsyeton nevojën e tri misioneve katolike shqiptare në Zvicër. Tri misionet shqiptare janë të ndara në Zvicrën qendrore me seli në Littau, Zvicrën Veriperëndimore me seli në Aarau dhe në Zvicrën Lindore me seli në Sirnach. Kështu besimtarët kanë mundësin për përkujdesjen e tyre sipas vendeve ku jetojnë. Don Marjani më tej shpjegoj rëndësinë që kanë këto misione për shqiptarët, duke shtuar se “ne misionarët e shohim rrolin tonë si ndërtues të urave: ura në mes njerëzve besimtarë dhe Hyjit, për ta jetuar fenë e tyre; ura në mes shqiptarëve në mërgim dhe vendlindjes së tyre, për ta ruajtur kulturën dhe traditën e tyre; dhe ura në mes shqiptarëve dhe zviceranëve, për ta mundësuar një integrim sa më të mire”. Me tutje Don Marjani u fokusua tek përkrahja që gëzon Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër. Ai falënderoj gjithë ata të cilët na kanë përkrahur. Pikërisht në këtë përkrahje dhe në bashkëpunimin e ndërsjellë Don Marjan Marku sheh mundësinë për integrime, duke shtuar se falë kësaj përkrahje, shqiptarët kanë pasur mundësinë që të integrohen sa më mirë dhe shumica prej tyre kanë gjetur edhe një vendlindjen të dytë këtu në Zvicër”.
Në kontekst të temës së integrimit dhe vlerave që përbëjnë gjitha komunitet në vete, Don Marjan Marku dhe një shembull jashtëzakonisht domethënës dhe me një simbolik plotësuese:

“Me lejoni që ta bëjë një krahasim: Një mozaik është i përbërë prej gurëve të ngjyrave të ndryshme dhe këto ngjyra të ndryshme krijojnë një fotografi të bukur. Zvicra është një mozaik i tillë: një shtet me gjuhë, kombe dhe kultura të ndryshme. Ne jemi shumë të lumtur që si shqiptar të mund të jemi një pjesë e këtij mozaiku në bukur në Zvicër. Një Mozaik të tillë prej gjuhëve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme dëshirojmë që ta ndërtojmë edhe në Kosovë duke jetuar në paqe me njëri tjetrin: si shqiptar, serb, kroat, turq dhe popuj tjerë.
Dëshiroj që këtë fjalë falënderimi ta përfundoj me fjalët e Jezusit: “Isha shtegtar e më përbujtët” (Mt 25, 35). Nga thellësia e zemrës faleminderit zonja ministresh Michelin Calmy-Rey, faleminderit Zvicër. Pas fjalës së Don Marjan Markut kori i fëmijëve i Misionit Katolik Shqiptar në Zvicrën Lindore, të veshur në veshje kombëtare shqiptare dhe zvicerane e kënduan këngën “Danke” – Faleminderit, e të cilën e luajtën edhe me gjeste.
Pas këngës ishte fjalimi i zonjës Calmy-Rey, një fjalim që do të hyj në historinë më të re të Kosovës, sepse bëhet pikërisht në ditën e shpalljes së Pavarësisë së saj. Ajo filloj fjalimin duke theksuar rëndësinë e këtij takimi,  “në një kishë katolike, të bashkuar në një rast paqeje dhe lutje”.
Fjalimi i saj ishte kuptimplotë dhe barte një filozofi të bashkimit, të ndërtimit të urave të komunikimit, duke shprehur respekt për çdo njeri. Më poshtë po e japim fjalimin e saj, që përbën një sintezë domethënëse për Kosovën, për mëtimet e saj për të ndërtuar një shoqëri të hapur, të lirë, të bazuar në sistemin e vlerave evropiane. Ky fjalim është një përsiatje tejet interesante si mund të ndërtohet harmonia, bashkëjetesa duke flakur ndasitë. Më poshtë po e sjellim të tërin:
“Nëse sot e shikojmë botën, kjo nuk është e përditshme. Dhe fjala e vogël «ne» nuk është e vetëkuptueshme. Sepse ne të gjithë, si Zviceran apo Shqiptar, Kosovar apo Serb, gra apo burra, nga Gjeneva apo St. Galen, ne të gjithë jemi njerëz të ndryshëm, me histori të ndryshme jetësore, me vendlindje dhe gjuhë të ndryshme, me pasaporta të ndryshëm dhe me prejardhje të ndryshme. Disa jetojnë shumë gjatë në pjesën lindore të Zvicrës, ndërsa të tjerët ndoshta kanë ardhur para një kohë të shkurtër për të gjetur punë, apo historia e botës i ka bërë refugjat në vendlindjen e tyre, sepse ndoshta ata janë një pakicë e vogël religjioze, edhe pse përsëri – apo edhe tani – ashtu është, që njerëzit të mësojnë për të jetuar në një botë prej vlerave të ndryshme dhe përkatësive fetare”.
Zonja dhe zotërinj, çka na bashkon ne sot, në këtë të diele paqësore në Will? Ndoshta, sepse të gjithë jemi në një mënyrë ekspert në marrëdhënie me pakicat dhe shumicat. Shumica e Zviceranëve dhe Zviceraneve dëshirojnë që pakicat në Zvicër ta ndiejnë vetën mirë dhe që të janë të pranuar, që askush mos t’iu shtyj në skaj për shkak të përkatësisë dhe prejardhjes kulturore apo fetare. Zvicra është një shtet, i cili ka përvoja të lashta në marrëdhënie me pakicat. Dhe ndoshta kjo bënë – dhe jo pasaporta e kuqe – një pjesë të vetë kuptimit tonë: që të bisedojmë me njëri tjetrin dhe askush nuk ka drejtë prej lindjes që të jetë më i mirë apo të ketë të drejtë që t’i shtyj të tjerët në skaj. Dhe ndoshta, sidoqoftë çdo njeri – i shikuar në vete – është një pakicë, dhe së bashku me njerëzit e tjerë, në miqësi dhe në një ritëm të përbashkët, në realitet ai (apo ajo) mund të realizoj kuptimin e tij, për një jete të mbarë dhe në paqe.
Nëse kisha për ta formuluar një rregull të artë për jetën e përbashkët të njerëzve, kishte për të qenë kjo: një shumicë, a është ajo religjioze, politike apo ekonomike duhet të jetë e vetëdijshme për fuqinë e saj. Atë mund ta mbaj për një kohët të gjatë, nëse e mohon lirisht luajtjen e fuqisë së saj.
Zonja dhe zotëri shumica prej jush keni përjetuar me dhembje të plotë në jetën tuaj që të jeni pakicë. Juve që jeni këtu të pranishëm të cilët vini nga Kosova, dëshiroj që t’iu them siç vijon: shumica prej jush keni lënë shtëpitë tuaja, keni ndërpre biografinë tuaj për të filluar përsëri, për ta ndërtuar diku tjetër. Dhe ju keni ardhur këtu në Zvicër. Ju keni përjetuar raste tragjike, por ju keni gjetur edhe pranim dhe keni fituar mundësin për një fillim të ri. Në realitet kjo nuk është asgjë tjetër, veçse ajo çka lexojmë në Bibël. Ne mund të shohim, kudo të dëshirojmë, në Besëlidhjen e Vjetër apo të Renë: Përherë njerëzit janë në ikje, përherë është dikush duke e kërkuar tokën e premtuar. Dhe ndoshta, zonja dhe zotërinj, nuk është toka e premtuar atje ku jeton Hyji i vetëm dhe i vërtet, por atje ku njerëzit e ndryshëm mund të jetojnë së bashku në paqe. Nëse sot e shikojmë botën, atëherë njerëzve iu dëshirojmë të njëjtën gjë: që përfundimisht të jetojnë me njëri – tjetrin në dinjitet, në liri, pa luftë dhe përçarje; në Afrikë, në lindjen e mesme, në Ballkan, në Kosovë, në Shqipëri, në Berlin, në Parisë, në Cyrih, në St. Galen dhe në Will dhe natyrisht dhe në Bernë.

Posaçërisht ata të cilët ia kanë dal që të shpëtojnë prej konflikteve tragjike të historisë të sotshme botërore, jashtë gjitha përjetimeve të dhimbshme kanë një obligim dhe një përgjegjësi: që mos t’i harrojnë ata të cilët përjetojnë fatin e përndjekjeve, luftërave dhe brutaliteteve. Askush sot nuk mund të jetë i kënaqur se ai (apo ajo) është i shpëtuar; ne të gjithë kemi mundësinë dhe detyrën për të kontribuar për paqe dhe që mos ti lëmë të tjerët në fatin e tyre. Cilin Hyj përherë e lusim, në një të diele, një të shtunë apo në një të premte, nën qiellin e hapur, në një Sinagogë, në një Xhami apo në ndonjë Kishë: një shërbim i vërtet Hyjit i cili krijon një bashkësi, është një kontribut për një botë paqësore.
Ju zonja dhe zotëri ndaj njerëzve që kanë mbetur në Kosovë keni një detyrë të posaçme. Ju mund t’iu thoni atyre, sipas përvojës suaj në Zvicër, se jeta e përbashkët është e mundshme në mes religjioneve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ju mund tu thoni atyre se mbrojtja e pakicave gjuhësore dhe fetare mund të realizohet vetëm me funksionim të institucioneve të forta. Ne mund të dëshmojmë se pavarësia dhe toleranca, mbrojtja e sigurisë sonë dhe jetesës së përbashkët me bashkësitë e ndryshme është e mundshme nga marrëveshja (pajtueshmëria). Në shembullin e historisë sonë ne mund të tregojmë se pasurimi kulturor, gjuhësor dhe fetar është një burim i fuqisë dhe stabilitetit shtetëror. Për këtë nevojitet dëshira dhe përkrahja e njerëzve, apo së paku dashamirësia e fuqive të mëdha, deri sa të arrihet deri tek një komb i dëshiruar nga në një numër i grupeve të huaja.
Unë shumë shpresoj se zhvillime të tilla janë të mundshme në Evropë, dhe dëshiroj që të ju nxis për angazhim përmes lidhshmërive tuaja që keni me të afërmit dhe të njohurit e juaj në Evropën juglindore, që në atë pjesë të kontinentit tonë përsëri të lulëzoi shembulli i suksesshëm i jetës së përbashkët në mes personave, gjuhëve dhe religjioneve të ndryshme.
Ju zonja dhe zotërinj, familjet tuaja, fëmijët tuaj, miqtë tuaj bartin me vete nga e kaluara varr të pashme apo të papashme. Deri sa të shërohen këto varr duhet kaluar kohë dhe duhet pasur vullnet për të punuar për një ardhmëri sa më të mirë. Ju keni privilegj, por edhe një përgjegjësi për ta shfrytëzuar mundësinë, për ta bërë vendlindjen tuaj shembull për Evropën dhe botën. Ju dhe para së gjithash fëmijët dhe të rinjtë që janë të pranishëm këtu, së bashku me motrat dhe vëllezërit e tyre mund të bëhen ambasador të Kosovës, që mos të bëhet një shtet një kombëtar, por që pasurinë dhe mbrojtjen e pakicave ta mbajnë si një fuqi të vërtetë dhe të madhe.
Ju mund të shpresoni në përkrahjen time të plotë dhe të shtetit tonë.
Zonja dhe zotërinj, sot është një ditë jashtëzakonisht e bukur. Të gëzohemi së bashku”.

Pas fjalimit të zonjës ministresh, një djalë dhe një vajzë, ia dhuruan nga një buqetë lule zonjës Calmy-Rey dhe Zonjës Kathrin Hilber. Kjo ishte një dhuratë simbolike: dy buqetat simbolizonin muajin Shkurtë ndërsa numri i luleve 17 simbolizonte datën e 17shkurtit, pra datën kur institucionet e Kosovës shpallen Pavarësinë e Kosovës.
Don Marjan Marku, po ashtu zonjën Calmy-Rey dhe zonjën Kathrin Hilber, në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen e tyre në meshën shenjte, iu dhuroi nga një libër të së lumes Nënë Tereza. Me këtë rast ai tha se “e lumja Nënë Terezë ishte një ambasadore e dashurisë por dhe një ambasadore i shqiptarëve”.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: