Elvi Sidheri: Gjenocidi turk mbi armenët dhe ai ndaj shqiptarëve, dy paralele historike!
| E Hene, 27.04.2015, 12:21 AM |

Genocidi turk mbi armenët dhe ai ndaj shqiptarëve,  dy paralele historike!

Nga Elvi Sidheri

Në vitet a para të shekullit të kaluar, në territorin e asaj që ende quhej Perandoria Osmane, XhonTurqit vunë në jetë planin e parë të saktë dhe të mirëstudiuar të një “Genocidi” autentik mbi një popull.

Ai popull i ngratë që pati këtë “fat” të kobshëm dhe të cilit i ra kjo mënxyrë e padëgjuar në kurriz, ata ishin armenët.

Perandoria ku atyre u pati rënë të jetonin, ishte ajo osmane dhe ligjin aty e bënin turqit.

Në ditët e sotme, si shfajësim historik për prapësirat e pashoqe dhe të pafundme që kanë ndodhur për faj ekskluzivisht të tyre në atë shtet, turqit modernë gjithmonë gjejnë arsyetimin se ata s’ishin popullsia e vetme që banonte aty, por atë hapësirë jetësore e patën ndarë me dhjetëra etni të tjera fatkëqija.

Çështja thelbësore është që po qe se do të niseshim nga një arsyetim i tillë, faji historik asnjëherë nuk do t’i jepej përgjegjësve të vërtetë dhe rrjedhimisht krimet e tmerrshme që kanë goditur botën tonë, përherë do të mbeteshin pa autorë.

Por siç Gjermania naziste u dënua edhe kolektivisht për shkak të krimeve të saja dhe gjakut me të cilin shpëlau gjithë Europën, po aq kjo peshore e balancuar e drejtësisë do të duhej të aplikohej edhe me gjithë të tjerët, turqit sigurisht të përfshirë në këtë arsyetim.

Në momentin e hapjes më të madhe territoriale të Rajhut të Tretë, gjermanët patën pushtuar gati gjithë Europën kontinentale dhe nën administrimin e tyre të dhunshëm ndodheshin shumë popuj të ndryshëm.

Por pa asnjë dyshim, përgjegjësinë ligjore para drejtësisë për krimet, deportimet dhe shfarosjen e dhjetëra-miliona njerëzve të pafajshëm anembanë Europës, atë e morën dhe për të u dënuan vetëm hierarkët e lartë nazistë dhe si dënim përveçse ata u varën në litar, territoret gjermanishtfolëse u rrudhën, humbën më shumë se gjysmën e tokave ku banonin gjermanë para lufte dhe në fund ai vend për 45 vjet u nda edhe në dy pjesë, derisa në 1989-ën, dy Gjermanitë u falën dhe u lejuan të ribashkoheshin në një shtet të përbashkët demokratik.

Kjo ndodh kur ligjet zbatohen dhe drejtësia vihet në vend.

Por me turqit dhe të tjerë të llojit të tyre gjakatar, gjërat kanë vajtur ndryshe e shumë sy janë mbyllur qëllimisht përpara krimeve të tyre dhe kjo i lejon ata që sot e kësaj dite të rrinë ballëlartë para botës sikur asgjë të mos kenë bërë, në vend që të gjenin ndonjë skutë turpi ku të fshiheshin dhe të përpiqeshin ndopak të lanin mëkatet e tyre.

Për t’u kthyer tek ajo me të cilën e nisa shkrimin, armenët në vitet e fundit të ekzistencës së Perandorisë Osmane, përbënin një popullsi shumë të gjallë e cila numëronte mbi 2 milionë njerëz.

Ata ngahera kanë qenë të njohur si tregtarë të zotët dhe zonat me banorë armenë gjenden akoma edhe në ditët tona deri në Lindjen e Mesme (kështu quhet në shqip, ashtu siç i thonë edhe në Perëndim, Middle East apo Medio Oriente, jo “Lindje e Afërt” si përkthim direkt i serbishtes apo maqedonishtes Bliskiot Istok-БЛИСКИОТ ИСТОК).

Zona armene ka në Beirut të Libanit dhe një lagje armene ndodhet akoma në Jeruzalem, kryeqytetin botëror të të treja feve monoteiste, Hebraizmit, Krishtërimit dhe Myslimanëve.

Armenët janë një etni shumë e lashtë me origjinë të provuar indo-europiane ashtu siç jemi edhe ne shqiptarët.

Gjuha e tyre është po ashtu e dokumentuar si e degës indo-europiane dhe ka mjaft gjuhëtarë që armenishten, shqipen dhe greqishten e lashtë i konsiderojnë si të të njëjtit nëngrup të kësaj familje të madhe dhe të nderuar gjuhësore.

Një mërgatë e vogël armene është gjendur prej shumë kohësh dhe ka bashkëjetuar në harmoni të plotë mes nesh edhe në Shqipëri. Ajo është përbërë nga njerëz të nderuar, profesionistë në punët e tyre, profesorë e aktorë të njohur si për shembull  Anisa Markarian, aktorja e shumë filmave shqiptarë të viteve 80-të, profesori i respektuar i kimisë në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, Xhovasar Çakmaxhian apo edhe kompozitori shumë i njohur durrsak Hajg Zaharian.

Por në fundin e shekullit të 19-të, ndërsa rrokopuja e osmanëve kishte nisur pakthyeshmërisht, më parë sulltan Abdyl Hamitit II dhe më pas XhonTurqve, u lindi ideja që mbi popujt kryeneçë të perandorisë të aplikonin sistemin e “zgjidhjes finale”.

Armenëve atëherë u pati ardhur rradha pasi këtë gjë, rreth 4 shekuj më parë të tjerë sulltanër turq-osmanë e patën kryer me egërsi të padëgjuar mbi paraardhësit tanë Arbër.

Sidomos përgjatë periudhës mes rrethimit të Dytë dhe të Tretë të Krujës, politika osmane u transformua me vendosmëri, nga një mësymje pushtuese, në një sulm shtazarak shfarosës, i cili synonte që qëndresën e paepur Kastriotase, t’a shtypte me anë të shkatërrimit total nga rrënjët të gjithçkaje që mbinte në tokat arbërore.

Kështu hordhitë osmane që ishin lënë përreth kështjellës kryelartë dhe të paarritshme të Krujës, njëkohësisht ishin të udhëzuara specifikisht që të vandalizonin dhe të fshinin njëherë e mirë nga faqja e dheut gjithë popullsinë arbërore që gjendej e pambrojtur jashtë mureve të kështjellave që s’kishin rënë në duart e përgjakura të turqve.

Siç citohet të kenë thënë burime të ndryshme të kohës, në Arbëri s’kishte mbetur:”as dhelpër e as ujk, pa rënë në kthetrat e pushtuesve të botës (siç vetëkonsideroheshin turqit)”!

Për njerëzit as që po bëj fjalë, që ndërkohë ishin dhunuar, skllavëruar, djegur, vrarë e shkretuar ashtu si edhe vendi i tyre.

Por dëshmitarët e atyre ngjarjeve, e gjenin kështu më të përshtatshme që të përdornin këto fjalë alegorike për të ilustruar sa më mirë katastrofën që po ndodhte prej dorës së turkut, në trojet tona arbërore.

Shumë qindravjeçarë kanë kaluar tashmë dhe të dhënat janë mbuluar shpesh nga pluhuri i kohës por edhe nga balta që vetë njerëzit i kanë hedhur këtyre fakteve historike.

Si pasojë, në të kundërt të armenëve, neve shqiptarët, nipërit e atyre arbërve trima, të cilët me vetëmohimin e tyre legjendar ditën të sigurojnë trashëgiminë heroike të gjakut tonë Iliro-Arbër-Shqiptar dhe në të njëjtën kohë i bënë vend me shpatë në dorë, vetes së tyre dhe llojit tonë shqiptar nëpër librat e historisë duke ua thyer sistematikisht hundët mongolo-osmano-turqve, neve pra nuk i disponojmë numrat e viktimave, apo faktet që bëjnë që armenët sot botës t’i demostrojnë “gjëmën” që u pati ndodhur prej turqve.

Armenët kanë ndërtuar e financuar muze të ndryshëm, fondacione për përkujtimin e atij holokausti të vërtetë për popullin e tyre të vuajtur.

Në shumë vende të botës, mërgata armene ka bërë më shumë se të pamundurën, me qëllim që tragjedia e paparë që u ka ndodhur, të njihet, studiohet dhe po aq edhe fajtorët që e shkaktuan, të marrin ndëshkimin e merituar.

Sepse asnjëherë nuk është vonë për të vënë në vend drejtësinë!

Sepse asnjë popull që harron historinë dhe i cili fsheh plagët e tij, nuk do të ketë një të ardhme.

Po të mos t’i ishin rebeluar fatit të tyre të zi, armenët sot nuk do të kishin një shtet të tyrin të lirë dhe me po aq siguri, fara e tyre do të ishte zhdukur prej kohësh dhe kujtimi i rracës së tyre do të ishte transformuar vetëm në një nocion të thjeshtë historik.

Por që mbas fundit të genocidit ndaj tyre, në 1915-1916-ën, ata kujtesën e asaj që u pati ndodhur, e treguan brez pas brezi mes njëri-tjetrit dhe më pas edhe tek audienca ndërkombëtare, të cilës sot e kësaj dite, pasardhësit e atyre armenëve të masakruar nga bajonetat e thikat turke, i flasin me pikëllim por edhe krenari lidhur me ato që dinë dhe kanë dëgjuar nga prindërit e gjyshërit e tyre, duke akuzuar kështu vit pas viti, atë shtet (Turqinë) që ende paturpësisht mohon një krim të tillë.

Sepse të vuajturit, të mbijetuarit nuk duhet asnjëherë të qëndrojnë kokëulur, por gjithmonë kryelartë!

Dhe ashtu, me ballin e ngritur dhe dhimbje, duhet të tregojnë për çfarë u ka ndodhur.

Ashtu kanë bërë dhe bëjnë armenët, duke vënë gishtin mbi plagët e tyre akoma të pambyllura dhe duke treguar nga turqit, të cilët njëherë tentuan t’i vrasin e therin në atë masë sa të mos mbetej më armen mbi faqen e tokës dhe më pas kundërshtuan e po vazhdojnë të mos pranojnë me forcë këtë vepër monstruoze të tyre.

Të dhënat e pakundërshtueshme historike, na thonë po ashtu se, për shkak të rrethanave të kohës (Luftës së Parë Botërore dhe aleancës Turko-Gjermane), bashkë me turqit, në ato deportime dhe vrasje masive të armenëve, kanë qenë prezentë edhe shumë oficerë gjermanë.

Ata mbikqyrnin “bëmat” gjakatare të turqve ndaj armenëve dhe ndoshta, siç edhe u verifikua më vonë, aty nxorrën leksione të rëndësishme, mbi deportimet e mëpasshme që vetë gjermanët do të bënin ndaj hebrenjve.

Rreth 1 milion e dyqind mijë armenë u nisën në “Marshimet e vdekjes”, gjatë të cilave qindra-mijëra vetë vdiqën nga torturat (si për shembull ngulja e patkonjëve në këmbët e të deportuarve të cilët ecnin zbathur nëpër djerrinat e përcëlluara nga dielli të perandorisë), nga sfilitja, uria apo sëmundjet e shumta.

Mijëra armenë të tjerë u vranë me urdhër të autoriteteve XhonTurke, nga dora e milicive kurde (të cilët banonin në të njëjtat rajone si dhe armenët dhe prandaj u përdorën nga osmanët të cilët i vunë dy etnitë kundër njëra-tjetrës) dhe nga ushtria e rregullt turke.

Edhe më herët, në vitet 1894-1896 disa kryengritje të tyre ndaj shtypjes kurde dhe taksave turke, ishin shtypur në gjak dhe shumë fshatra të djegura, si dhe me të paktën 50 mijë armenë të vrarë pas një përpjekjeje për t’a bërë publike ndërkombëtarisht çështjen e këtij populli nga disa revolucionarë armenë.

Ne jetojmë në 2012-ën dhe nga genocidi i dytë ndaj armenëve, kanë kaluar 97 vjet, që nga 23-24 prilli i 1915-ës kur nisi plani turk për eliminimin e asaj rrace, me arrestimin e pjestarëve të elitës armene në Stamboll.

Intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, poetë dhe deputetë armenë të parlamentit turk, u deportuan drejt humbëtirave të Anadollit  dhe u masakruan gjatë udhës së tyre drejt kësaj vdekjeje brutale.

Të gjitha këto gjëra, këto tmerre, aspak rastësisht (pasi e kam thënë dhe jam mëse i bindur, se kur ke të bësh me turqit, rastësia s’ka vend të merret në konsideratë)...ngjajnë jashtëzakonisht me ato çfarë ka hequr rraca jonë po nga turqit.

Genocidi turk mbi neve shqiptarët ka nisur shumë më përpara sesa ai ndaj armenëve.

Por trajtat e tij kanë qenë po të njëjtat, dhe për fatin tonë të keq, genocidi ndaj nesh ka qenë i vazhdueshëm në kohë dhe i nisur diku 600 vjet më parë, në njëfarë mënyre lëshon rrezatimin e tij katastrofik për ne shqiptarët, edhe në ditët e sotme.

Një genocid që ka filluar siç shkruaja më sipër, me strategjinë osmane gjatë rrethimeve të fundit të Krujës, kohë kur Mehmeti i II-të, dështimet e njëpasnjëshme dhe figurën rregullisht të menderosur që bënte para mureve të kryeqytetit arbëror, kishte vendosur t’a lante në gjakun stërgjyshërve tanë.

Turqit kishin pasur qëllime të larta në vërshimin e llumit të tyre aziatik drejt Europës së qytetëruar!

Roma papale dhe e krishterë, ashtu si Vjena perandorake e Habsburgëve dhe më tej gjithë Perëndimi, ishin synimi kryesor i turqve.

Në këtë rrugëtim triumfal të tyre drejt Europës, nga trojet e tyre të origjinës diku në Mongoli, ata nuk ishin ndalur as nga persët, sllavët e ndryshëm, venedikasit apo bizantinët e trembur.

Arbërit kishin qenë të vetmit në Ballkan, që turqve përveçse vasalitetin e ndonjë princi, u kishin treguar atyre edhe forcën e shpatës.

Kamat arbërore ishin nxjerrë nga milli (jo “këllëfi” turqisht), ishin bashkuar nën drejtimin e asaj shpate hijerëndë të Gjergjit nga Kastriotët që sot gjendet në një muze vjenez dhe me vendosmëri, trimëri e forcë ishin ngulur në mishërat e pushtuesve turko-mongolë.

Për turqit, kjo pengesë e pakalueshme që patën qenë arbërit e pabindur, kishte rezultuar komplet e paparashikuar në përparimin e tyre drejt krahut tjetër të detit.

E kombinuar me luftën e hungarezëve dhe përpjekjet e rumunëve në veri të rajonit, me rezistencën e kalorësve të ishullit to Rodit dhe ndonjë betejë detare të Republikës së Venedikut, lufta jonë ndaj turqve, bëri që avancimi i tyre në thellësi të Europës të mbetej në tentativë, të ngadalësohej dhe në fund të merrte dërrmën përfundimtare në rrethimin e dështuar turk të Vienës në 1683-shin.

Për koinçidencë, gjithmonë kësaj Europe shpesh mosmirënjohëse ndaj popujve si i joni, shpëtimi i ka ardhur pikërisht nga lindja.

Viena siç dihet u shpëtua nga kërcënimi vdekjeprurës turk, kryesisht prej ndihmës së mbretit polak Jan Sobieski, apo edhe më parë hordhite mongole të Xhengiz Khanit (kushurinj “të denjë” të turqve) ishin ndalur po nga qëndresa e polakëve dhe e lindorëve në përgjithësi.

Ndaj turqve luftuan me mish e me shpirt paraardhësit tanë arbër dhe për shumë vitë ngadalësuan turravrapin turk drejt Italisë.

Në këtë mënyrë, edhe ne shqiptarët, ashtu si polakët, biznatinët (rrethimi i Kostandinopojës i vitit 717 nga kalifati dhe humbja e arabëve që avanconin për në Europë) dhe frankët e Karlit të Madh (të cilët frenuan arabët që vinin drejt zemrës së Europës nga Spanja e pushtuar), edhe neve në këtë mënyrë kemi meritën që në një fazë të caktuar historike, kemi mbrojtur kontinentin tonë ”djep të civilizimit, dijes dhe kulturës”, nga mbetjet “toksike”  mongole etj, që i janë sulur asaj në një kohë të caktuar.

Por në të njëjtën kohë, kjo vepër e jona, në këndvështrimin turk të gjërave, është, ka qenë dhe do të jetë “e pafalshme”!

Dhe si kundërmasë, turqit e nervozuar vunë në zbatim një genocid ndaj nesh, që ende nuk ka të ndalur.

Para vdekjes së Skënderbeut, mes njërit rrethim dhe tjetrit të Krujës, zhgënjimeve të betejave të humbura dhe prestigjit të perandorisë së tyre dallkauke që nëpërkëmbej nga përballja ku rregullisht dilnin fitues arbërit, turqit iu përgjigjeshin flakë për flakë me një asgjësim sistematik të çdo gjurme të gjakut arbëror që takonin rrugës së tyre.

Gjendja bëhej tmerrësisht e vajtueshme dhe Mehmeti i II-të bashkë me mizërinë e ushtarëve të tij mongolë (dhe ca tradhtarë të pamungueshëm shqiptarë), me kafshërirat e tyre, e kishin shkatërruar në mënyrë të pashërueshme vendin tonë.

Rinia arbërore ishte pakësuar e shfarosur në luftërat e pafundme me turqit, ndërsa bashkë me ushtrinë e Skënderbeut luftonte me shpirt ndër dhëmbë për të mbrojtur vendin.

Disfatat e rradhës të turqve dhe të lakejve të tyre si tipi i Ballaban Pashës (njërit prej heronjve të filoturqve të sotëm), sulltani hakmarrës i përgjigjej me fushata të reja kundër trojeve tona.

Dhe rrugës ushtria e tij, vidhte e digjte ç’të gjente, të vendosur siç ishin, për të çrrënjosur çerdhen e rezistencës arbërore, e cila ishte bërë simbol i qëndresës europiane ndaj pushtuesve turq.

Duke përsëritur në pafundësi masakrat mbi popullsinë e pambrojtur dhe duke mbajtur Krujën të rrethuar, turqit sulmuan nga të tëra anët.

Siç shënon kronisti Kritobul:”turqve asgjë dhe askush nuk u shpëtoi dhe asgjë nuk u mbeti dot e fshehur nga gjithë ato që s’mund të arriheshin, që ishin të largëta, të egëra dhe të fshehura”!

“Brenda 15 ditëve gjatë të cilave Mehmeti i II-të qëndroi në tokat tona, hordhitë e shumta turke u përpoqën të shfarosnin pa mëshirë të gjithë popullsinë e vendit (ARBËRISË)”

Çfarë nevojitet më shumë se këto fjalë e fakte, për të kuptuar se si qëndrojnë gjërat?

Kjo gjë, ky genocid i faktuar katërcipërisht nga të gjitha burimet e besueshme të asaj kohe, ka ndodhur në vitin e largët 1467, pra plot 448 vjet para se të kryhej po nga turqit genocidi mbi popullin e vuajtur armen.

Turqit nuk ia dolën totalisht në qëllimin e tyre fatal për fatet e popullit tonë, për shkak të luftës vetëflijuese me heroizëm të arbërve dhe më pas të shqiptarëve modernë.

Por neve këtë rezistencë dhe sfidë për mbijetesë, e paguam shumë shtrenjtë.

Turqit mbi ne ndejtën për shekuj të tërë dhe si zogj kërrmangrënës u ushqyen me mishin tonë për një kohë mjaft të gjatë.

Njëkohësisht prezenca ogurzezë e turqve në trojet tona, lejoi dhe bëri të mundur që korbat e zinj fqinjë, sllavër e helenër, të gjenin mundësinë që sa herë u jepej rasti të suleshin edhe ata për të shqyer ndonjë gjymtyrë të trungut tonë etnik.

Ndërsa genocidi i tyre ndaj nesh vazhdonte dhe turqit rrëmbenin gratë tona nëpër haremet e tyre, skllavëronin fëmijët tanë dhe nisnin “nizamë” në toka të humbura të shkretëtirave arabe meshkujt tanë, po aq edhe fqinjët tanë bënin të qetë jetën e Rum Miletit, që njihte si Zot Portën e Lartë dhe s’i ngatërroheshin aspak osmanëve nëpër këmbë, derisa një ditë e ndjenë erën putrifikuese që kishte nisur të vinte nga kufoma e dekompozuar e Perandorisë dhe atëherë u hodhën për të çjerrur ndonjë tokë tonën shqiptare.

Pas rënies së rezistencës arbërore dhe pushtimit të kështjellave tona, turqit u kujdesën, që nga të mundeshin të sillnin oficerë e ushtarë të tyrët, të cilët t’i vendosnin në tokat tona.

Për shëmbull (pa pasur personalisht parimisht gjë kundër kësaj shtrese të varfër por njëkohësisht mjaft të hareshme, të paktën në Shqipëri), në Shkodrën aktuale, shumë burime tregojnë, se pas fundit të rrethimit të qytetit, aty turqit prunë një numër të madh njerëzish të cilët ishin të specializuar për shërbime kuajsh.

Këta njerëz ishin marrë nga Anadolli dhe u vendosën aty pas shpërnguljes së popullsisë vendase shqiptare dhe sot ata janë romët ose siç i quajnë shkodranët, Magjypët që banojnë poshtë kështjellës së Rozafës.

Por genocidi i tyre vazhdoi edhe me asgjësimin masiv po ashtu të trashëgimisë kulturore dhe qytetare të tonën dhe ikjen masive të shqiptarëve drejt Italisë nga të gjitha qytetet e mëdha të Arbërisë dhe Moreja e ishujt e Greqisë që banoheshin nga arvanitasit.

Genocid që u krye ndaj lidhjes sonë të gjakut me njëri-tjetrin, kur turqit futën mes nesh përçarjen fetare të mëtejshme duke na sjellë edhe dy fe të tjera veç atyre që kishim.

Genocid që u ndoq me ashpërsi të jashtëzakonshme ndaj traditave tona të lashta, dokeve dhe historisë sonë.

Genocid që në bashkëpunim të hapur të turqve me helenë e sllavë goditi me të gjithë forcën gjuhën tonë duke ndaluar me çdo mjet që ajo të shkruhej, mësohej e lexohej nga shqiptarët dhe duke dënuar e vrarë lëvruesit e mësuesit e parë të saj si Naum Veqilharxhin, Dhaskal Todrin e Petro Nini Luarasin me shokë.

Genocid që goditi rëndë memorien tonë historike, duke bërë që shumë shqiptarë për shkak të shtypjes apo shpëlarjes totale të truve, të ktheheshin përfundimisht, sa në turq, sa në sllavë e sa në helenë.

Genocid që goditi gati për vdekje zhvillimin tonë ekonomik e kulturor dhe që na la në agimin e shekullit të Njëzetë, 5 shekuj me vonesë në krahasim më pjesën tjetër të kontinentit tonë mëmë, Europës.

Genocidi i turqve ndaj nesh ishte i gjithëanshëm dhe për fat të keq, zgjatimet e pasojave dhe efekteve të tij, vijnë si tentakula deri në ditët e sotme.

Sepse turqit, me pushtimin e tyre jo vetëm të pamëshirshëm por edhe tejet prapanik për nga efektet kulturore që la pas, kanë dëmtuar seriozisht sistemin nervor të popullit tonë.

Ndër të tjera prandaj shqiptarët sot jetojnë në kaq shumë shtete (Shqipëri-Kosovë-FYROM-Mal të Zi-Greqi-Serbi-Itali).

Sepse turqit me pushtimin dhe masakrat e tyre, ndalën akoma në hapat e saj të para, rilindjen dhe bashkimin mesjetar të arbërve.

Në atë kohë, principatat shqiptare të Kastriotëve, Balshajve, Aranit Komnenëve, Gropajve, Muzakajve, Shpatajve, Zahariajve, Topiajve etj, ishin në zenitin e tyre dhe ndërkohë Principata apo shteti i Arbërit nga 1190-a deri në 1255-ën, nën dinastinë e Progonëve, Gjinit dhe Dhimitrit, pati qenë organizimi i parë shtetëror shqipëtar pas mbretërive ilire dhe shumë më parë se pavarësia e e 1912-ës.

Territoret e drejtuara nga princërit shqiptarë, hapeshin nga Mali i Zi aktual, në Ohrin e poseduar nga fisnikët shqiptarë të Gropajve e deri në gjirin e Artës të Gjin Bue Shpatës.

Vendi gëlonte nga kultura dhe artet më të zhvilluara europiane lëvroheshin edhe në oborret princërore arbërore!

Por me ardhjen e turqve gjithë ky zhvillim ndali dhe retë e zeza të sundimit osman zunë qiejt shqiptarë dhe rrebeshi i qelbur turk nisi e duket se ende s’ka të pushuar.

Ky genocid sot mund të ndihet jo vetëm në pasojat territoriale që kanë pësuar trojet tona, apo kthinën e zymtë kulturore ku akoma gjendemi krahasuar me popuj të tjerë, por ai dallohet qartë edhe në sjelljet jo vetëm të Turqisë moderne, por mbi të gjitha të turkomanëve të shumtë, të cilët gjallojnë si bretkosa të etura për llucë nëpër kënetën erëkeqe filoturke.

Njerëz nga ata që jetojnë e mbushin ditët e tyre të zbrazura nga çfarëdolloj veprimtarie tjetër, me sharje, mallkime e mashtrime për Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi.

Njerëz të cilëve u vret sytë dhe u duket si thikë që u është ngulur në kraharor, çdo përparim i Shqipërisë dhe çdo hap që atë e largon nga orienti i errët osmano-turk.

Njerëz që janë në një rivalitet të hapur me të gjithë armiqtë e tjerë të betuar të Shqipërisë.

Duke tejkaluar kështu edhe sllavë e helenë e turq, me urrejtjen e tyre patologjike dhe të lindur që këta njerëz kanë ndaj Shqipërisë, gjuhës shqipe që kurrë s’kanë dhe s’do të dinë t’a flasin dhe historisë joturke të vendit e popullit tonë e kulturës sonë perëndimore.

Njerëz të cilët genocidi turk i ka kthyer në kukuvajka të turqizmës, apo edhe ithtarë të çdo fqinji antishqiptar dhe të cilëve u rëndon si guri i Prometeut pavarësia e 1912-ës, kur idhujt e tyre u shporrën nga trojet tona të lira.

Njerëz që dërrmohen shpirtërisht përballë secilit kongres apo lidhje të madhe shqiptare, qoftë ajo e Lezhës dikur në 1444-ën, e Prizrenit në 1878-ën, apo kongresi i Lushnjes në 1920-ën, po aq sa e kanë si plumb dhimbjen nga alfabeti i bukur shqiptar, i shkruar as në arabisht e as në greqisht a cirilikisht.

Po këta njerëz shembuj të gjallë të pasojave të genocidit turk mbi ne, përpëliten e zhgërryhen në tokë si t’i ketë zënë epilepsija osmane, kur mendojnë për bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

Bashkëjetesë e lidhur pazgjidhshmërisht me ndërgjegjësimin tonë se nacionaliteti ynë vjen para gjithçkaje tjetër, pra edhe feve tona të ndryshme.

Bashkëjetesë që është ngjizur nëpër lidhjet dhe martesat e pafundme dhe të lira, mes shqiptarëve të çdo komuniteti fetar në Shqipëri dhe dikur nga lufta e përbashkët e shqiptarëve nga secila zonë dhe fe, për të ruajtur dhe krijuar shtetin tonë shqiptar.

Janë këta trutharë osmandashës, helenëdashës apo edhe sllavëdashës, që s’jetojnë dot pa sulmuar sa herë t’u jepet mundësia, çdo gjë shqiptare që u del para syve.

Për këta tipa, neve jemi siç mendonte edhe ai zagari gjerman dikur (kancelari antishqiptar Bismark), një nocion historik a gjeografik.

Por për fat punët qëndrojnë shumë më ndryshe nga çfarë tipat e tillë, apo turqit e të tjerët, do donin të ishin.

Prandaj në të vërtetë, sa më shumë që ata gërthasin nëpër gazeta a TV dhe përpiqen të baltosin Shqipërinë dhe ne shqiptarët, aq më shumë duhet vënë re se nervozizmi i tyre e ka një shkak dhe ai është që gjërat shkojnë totalisht në të kundërtën e dëshirave të tyre filoturke.

Kështu del edhe që genocidi turk mbi neve, ashtu si edhe ai ndaj armenëve, nuk ka pasur plotësisht sukses dhe s’ia ka arritur qëllimit.

Zemra Shqiptare, 09.06.2012


Shënim: Fotot dhe përshkrimi i tyre jane vendosur nga Redaksia.

(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: