Zeqir Lushaj: Artistë të mëdhenj të ''Kosovës së vogël''
| E Marte, 05.06.2012, 01:49 PM |

ARTISTË TË MËDHENJ TË “KOSOVËS SË VOGËL”

“ NËSE KËNDON PËR FYTYRË - NUK DO TË KESHË PARA, E NËSE KËNDON PËR PARA - NUK DO TË KESHË FYTYRË!" - Qamili i Vogël

Nga: Zeqir Lushaj

1. POETI, PA ASNJË KLASË SHKOLLË

Ma don mendja se do të jetë një kuriozitet botror. Pa asnjë klasë shkollë, plotësisht analfabet, analfabet dhe poet!! A mos është diçka paradoksale? Jo, hiç besa! Kjo është një realitet, bile shumë domethënës. Ai, është një Artist, një Njeri i nderuar i Tropojës, me emrin Sokol Arifi i Markajve. I pari anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve  nga Kosova e Vogël, siç e quante Dervish Shaqa Malësinë e Gjakovës,Tropojën tonë të dashur.

Aaah, Sokoli! Baçevani i kujdesshem i qytetit të vogël në zemër të Alpeve, njeriu i dashur i çdo tropojani. Sa e sa njerëz e merrnin rrugën per në Festen Lokale të rrethit, në një të diel, fund-gushti a fillim-shtatori, vetëm me një mendin:-Ta ndiejmë Sokol Arifin tuj recitue vjershat që i ndon vet dhe i ka të shkruara vetëm në zemër! Dhe, të themi të vërtetën, për dekada kohë, rapsodi popullor, fenomeni Sokol Arifi u dha identitet Festave dhe u ndoq më me interes se çdo i deleguar i ardhur nga Qendra!!

Ndonëse analfabet, Sokol Arifi, ka botuar tri libra: “Lum për ty, moj Tokë amtare” (1969), “Shkrepi rrezja mbi Shkëlzen” (1974), “Rapsodi popullore” (1986). Portretin e artistit të Markajve, vjershëtorit, rapsodit, folkloristit dhe këngëtarit popullor, Sokol Arifi, e ka bërë para disa muajsh në faqet e zsh, bashkpunëtori i nderuar nga Bajram Curri, poeti e shkrimtari Gjon Neçaj, ndaj unë sot, do të sjell vetem një detaj të vogël, një skicë të thjeshtë, pra diçka tjetër.

…Kam ndenjur jo rrallë me Sokol Arifin por kjo që do ndiqni me poshtë është një kujtim.  Dhe do ua sjell fjalë per fjalë, siç e kam shkruar e botuar at’herë me 24 nëntor të vitit 1989, në gazeten “Sporti popullor”. Ndiqeni, të  nderuar lexues të zsh-së.

* * *

Ç’FARË MA DON ZEMRA, E Ç’FARË ËSHTË E DREJTË

-Skicë-

Kish përfunduar Festivali i 6-të kombëtar i lojrave popullore. Ceremonia, në Kalanë e “Rozafës”, ishte e bukur.Tropojanët ishin të gëzuar, si fitues të vendit të parë, por disi edhe të merakosur! Pse nuk morën flamurin? Shfaqja e tyre ishte vertetë dinjitoze.

Na qëlloi të uleshim në darkë, në tavolinën pranë grupit të Tropojës, në restorantin e hotelit, në qendër të qytetit. Ishim disa shokë të jurisë së festivalit, ndaj menjëherë filloj diskutimi. Tropojanët, sidomos Ceni e Skënder Haklaj (vallëtar e koreograf cilesor i Tropojës), këmbëngulnin se, Tropoja mund të ishte nderuar me flamurin e festivalit. Mirepo, si në diskutime të tilla, nga dëshira e mirë, ndonjë edhe e kalonte masën e debatit. Kur ky diskutim ishte ndezur e gati po teprohej, (duke marrë parasyshë vendin ku ishim dhe pasjonin me të cilin po flitej), u afrua një burrë 70 vjeçar, rapsodi i mirënjohur i Tropojës, Sokol Arifi.

-A po leni mue këtë muhabet, edhe ju shokët e Tropojes, edhe ju, të jurisë,-tha Sokoli.

-Fol, Sokol Arifi se të ka hije fjala.

-Me thanë ç’ka ma don zemra, flamurin do ta merrte Tropoja, por,me thanë ç’ka asht e drejtë, flamuri i takon Shkodërs. Jo vetëm se Shkodra ishte përgatitur shumë mirë, por…,

me thanë të drejtën, i kishte hije kalasë së “Rozafës” ai flamur.

-Goja të lumtë, Sokol Arifi. E ndave dhe e mbylle si burrat këtë muhabet.

Askush, nuk mund t’ia prishte atij. Se, kish folur “hakun”, siç thotë populli.

------------------------------------

2. -JAM NJË ÇIKË NGA DRAGOBIA!

-Artistes së Merituar, Fatime Sokoli-

(“Shqiptarja e Re”,nr 7, 1987)

Çika e Dragobisë, Artistja e Merituar Fatime Sokoli, me çiftelinë e dashur:- “Vet e gdhënda, me një dru malit/,N’derë të Shpellës së Bacë Bajramit…”, me ndimesën e pakursyer për afro 30 vjet në skena koncertesh e festivalesh, në rudinat e bjeshkëve e mbi gurët e bardhë të Valbonës kristale, në oda burrash malësie edhe në disa skena nëpër Europë, qe’ kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, në një njeri të nderuar e të respektuar, si bijë e çdo vatre malësore.

Fatime Sokoli është çika e parë e Malësisë që kapi çiftelinë në dorë dhe plot guxim e vetëdije hyri në odat e burrave, që u vesh si burrë e u ul krah tyre, që këndoi si ata, duke u bërë kështu, jo vetëm një lajmëtare, por edhe protoganiste e një epoke të re në jetën dhe të ardhmen e çikave e grave të malësive të Veriut.

Eshtë kuptimplote fakti që kjo luftëtare e së resë dhe emancipimit vjen pikrisht nga grykat e ashpra të Dragobisë, nga vendi i Bajram Currit e Ramë Sadrisë, nga ajo trevë e shquar e traditave të vjetra e të reja atdhetare. Historia jonë shumëshekullore, me gjithë shtypjen e persekutimin e femrës, nuk arriti ta shuaj dot shpirtin e saj  artist e artdashës. Por, ligjet e kohëve të ndryshme, disa paragrafë poshtrues të Kanuneve të ndryshme, mundën ta kufizojnë pikrisht gjuhën e shpirtit, që është kënga. Kjo bie në sy më së miri, po t’i hedhim një vështrim traditës sonë të pasur folklorike. Këngët e gruas janë vetëm nina-nana (lexo:-koha e kishte destinuar vetëm për të lindur e për të rritur fëmij), këngët e dasmës e rrallë rrallë ato me motiv baritor, (këto vetëm për vajzat deri në moshën e pjekurisë). Parë me këtë sy, nuk ishte e lehtë, qoftë edhe para pak vjetësh që vajza malësore të këndonte me çifteli si burrat, e aq më shumë të këndonte këngë burrash, këngë trimërie.

Si e tillë, që e dha plot dinjitet e forcë këtë shëmbull, Fatime Sokoli ka nderin të jetë një këngëtare prinjëse për breza të tërë vajzash e nusesh malësore që sot, me krenari i shohim të mbushin skenat tona në qytet e në fshat, deri në zonat me të thella. Edhe kaq, nuk është pak, por Fatime Sokoli, nuk u pajtua vetëm me këtë shëmbull të nismëtares.

Jeta afro 30-vjeçare në fushën e gjërë të artit të këngës popullore, e rriti dhe e afirmoi atë. E veçanta e artistes malësore, është të qënit egzigjent ndaj vetvetes, lufta për të arritur edhe më lart në njohjen, krijimin dhe interpretimin e  traditës sonë të pasur folklorike. Në këtë rrugë ajo na shfaqet si krijuese, instrumentiste dhe interpretuese plot virtyozitet, pasion e origjinalitet duke lënë kështu një shkollë të re të këngës tropojane një pasuri të madhe me vlerë për sot e për të ardhmen. Fatime Sokoli, gjithnjë ka ditur të hulumtojë e të gjejë të bukurën, ta asimilojë e ta rikrijojë atë, duke i dhënë përmasa të vërteta artistike. Ajo u bë e dashur për masat e gjëra artdashëse, sepse diti aq mirë, si ajo, të thotë fjalën e shpirtit të popullit.

Jetimja e varfër, nga Dragobia e largët, arriti  të mbarojë shkollën e muzikës në kryeqytet, të bahet jo veç këngëtare por dhe mësuese e artiste e formuar, e gjithanshme.

Forca përgjithesuese e këngëve të Fatime Sokolit, i bën ato jetëgjata e të pavdekshme. Fatimja, ka ditur të shkrijë këngët në ato përmasa (si nga teksti edhe interpretimi), që të ruajnë forcën emocionale, të mos vjetrohen e harrohen, përkundrazi të tingellojnë gjithnjë me të afërta e të dashura, plotësisht të asimilueshme. Kujtojmë këngët; “Kërce, moj çikë”, plot emocion, festive, mobilizuese. ”Çikë e bukur del në shkallë”,etj etj. Secila më e bukur se tjetra.

Si rrallë  te ndonjë këngëtar tjetër, te repertori i Fatime Sokolit, janë shkrirë aq organikisht e kaluara e lavdishme, këngët e trimave e trimëreshave të Veriut e të tërë Shqipërisë me të sotmën, me punën e luftën për ndërtimin e vendit.

Çika e Dragobisë na evokoi përmes këngës së saj, periudha të tërë historike, heronjë e heroina, i solli ata plot frymëzim në sofrën e madhe e të pavdëkshme të këngës së popullit. Kur këndonte Fatime Sokoli, sikur e shohim të gjallë heroinën e Popullit Shotë Galica: “Veshë si burr, me kostum kombëtar/,Tirq, jelek, kapuç të bardhë/…”T’mbajti Shotë, Malësia e Gjakovës/, Kështjellë e pamposhtur e burrave të Kosovës…/.

Plot dramacitet, por me shumë realizëm, ajo na futë në botën e gjërë të heroizmave të figurave të mëdha të luftës për çlirim kombëtar e shoqror, siç ishin ato të Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit: “Tym të zi, po qet Europa/, Mic Sokoli përmbi topa/ Ali Ibra në vraç të zi/, Këtu i thonë, o shqiptari…/.

Ndihmesa e madhe e Fatime Sokolit në fushën e kulturës së popullit, të bën të thuash  me plot gojën se, ajo e jetoi jetën intensivisht. Nuk mund ta harrojë Malësia kurrë çiken e saj të dashur veprimtaren e dalluar, bashkëshorten shëmbullore, mësuesen e papërtuar, këngëtaren e parë të ansamblit të mirënjohur “Valbona”.

Krahas dashurisë e respektit, edhe disa vargje, ia kishim borxh:

…Kush na i ngriti zemrat peshë,

Kush e çoi zanin në bjeshkë,

Kush i këndoi punës e trimrisë,

Sikur çika e Dragobisë ?

Këngëtari nuk vdes. Edhe çika jonë e këngës, do të rrojë nëpër këngë.

----------------------

3. HIJE I PAT, NË DORË SHARKIA

 

N’oda burrash, me sharki n’dorë,

Dervish Shaqen, kujtojmë gjithmonë,

Shkamb Kosove, lind për kangë,

Kombit tonë, shumë i ka dhanë.

 

Kur ja ngucën Kosovë – Nanën,

Kur kan dashtë me ja vra kangën,

Lamtumirë, vëllazën e thmi,

Asht kthye zemra asht ba sharki.

 

Hajde t’këndojmë, si ka këndue Baca,

Shtylla e kangës, asht Dervish Shaqa,

60 vjetë sharkinë se lshoi,

Zemra digju e goja i këndoi,

Hije i pat, në dorë sharkia,

Në çdo perde, historia.

 

O kreshniku kosovar,

Shembull je për çdo këngëtar,

Si n’Shqipëri edhe n’Kosovë,

Baca këndon në zemrën tonë,

Do t’ia ruejmë kangën gjithmonë.

./.

(E shkruar në Tiranë, në Prill, 1985, dy javë mbas vdekjes së Dervishit)

---------------------------------------------

Shënim për lexuesit:

Këtë foto të tre artistëve të mëdhenj të “Kosovës së Vogël”, e gjeta në internet. Duke e parë foton, e duke menduar: -Për të tre këto figura, Unë kam shkruar që në atë kohë pra, më se një çerek shekulli më parë, në monizëm! Ndaj, skicën për Sokol Arifin, portretin për Fatime Sokolin dhe këngën për Dervish Shaqën, i bëra bashkë, (siç janë ata bashkë në këtë foto) dhe ua paraqita sot në këtë botim, më shumë përkujtimor, në kuadrin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar.

Tani, në demokraci, kur jemi të lirë të shkruajmë çka e si të duam (!), ndjej kënaqësi që edhe mbas kaq e kaq vitesh, nuk e pata të nevojëshme të bëj ndonjë ndryshim as redaktim!

 

Shënim +:

Dervish Shaqa është kosovar, nga Lluka e Epër e Dukagjinit, por gjatë më se tre dekadave jetë në Shqipëri, Tropojën e pati si shtëpinë e tij, ndaj, edhe e quante: -“Kosova e Vogël”.

----------------------------------------------------------------

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, qershor 2012)



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: