Donika Mustafaj: Filmat e mi, i fundit që i sheh, është Besniku
| E Diel, 03.06.2012, 01:26 PM |

Flet regjisorja dhe skenaristja e filmave dokumentarë, Donika Mustafaj

Filmat e mi, i fundit që i sheh, është Besniku

Nga Albert ZHOLI

Mësuesit të armatosur më të drejtën e notës, e mbështesin të gjithë autoritetin e tyre te kjo mundësi për t’ju imponuar nxënësve, gjë që ka sjellë në të vërtetë një bjerrje të thellë të autoritetit të mësuesit jo vetëm në mjedisin e gjerë të shoqërisë, por edhe brenda vetë shkollës. Mësuesit janë kthyer më së shpeshti në “teknicienë të thjeshtë, që shpjegojnë vetëm sa ka të shkruar në tekstet dhe madje, edhe këtë nuk e bëjnë gjithmonë. Nxënësi, në emër të interesit të notës ka rast të prishë edhe karakterin, ku më dendur përdor servilizmin, thotë ndër të tjera në intervistën e saj Donika Mustafaj, duke vazhduar:

Pse e titulluat “Shkolla...pse duhet” filmin tuaj të fundit dokumentar?

Sepse shkolla ë është në këtë gjendje të sëmurë, pasi shkolla është një trup gjigand që duhet të shërohet  dhe pse ne operojmë të gjithë duke filluar nga unë e para që përdor fjalën duhet. Sipas Profesor Zyhdi Dervishit, pjesa më e madhe e studentëve që vijnë në universitet ju mungon mendimi kritik dhe krijues e cila duhet t’u kultivohet në vijimësi në shkollat tona. Për mua është shumë e rëndësishme që  duhet që të argumentojmë problemet e ndryshme dhe diçka të bëjmë për sistemin arsimor  dhe jo të përdoret fjala duhet.  Siç e patë dhe në këtë dokumentar, kjo fjalë nuk duhet të gjej përdorim në përditshmërinë tonë në shkolla.

Atëherë më çfarë fjale duhet të zëvendësohet?

Siç e thashë fjala duhet të zëvendësohet me fjalën argument. Pra ne duhet të argumentojmë çdo problem dhe çdo nismë në tërë sistemin tonë arsimor. Çdo gjë të niset nga argumenti dhe ju nga pasioni ashtu sikundër në çdo analizë nuk duhet të triumfojë pasioni mbi argumentin.

Ju keni ngritur shumë probleme në këtë film, mos vallë është një nismë e vështirë?

Kjo është një nismë e vështirë. Gjithmonë, unë jam për qasje të temave të vështira. Unë i bëj pyetje vetes si çdo qytetar shqiptar pse jemi një shoqëri e tillë problematike, pasi kemi dhe një shkollë problematike. Po ti krahasojmë shkollat tona me shkollat apo me qytetërime të tjera kur dalim jashtë atdheut, diferencimi duket qartë që nga hedhja e mbeturinave apo pështytjes në tokë... Për mendimin tim, kjo është ajo që më shtyu të ndërmarr këtë temë dhe pjesa më e madhe dhe e përgjigjeve jo vetëm të miave, por për këdo duhet të jenë tek shkolla dhe për shkollën. Tek shkolla fillojnë dhe kultivohen të gjitha problemet që po diskutojmë.

Atëherë ju i keni pasqyruar në film, por lexuesi do të dijë më konkretisht problemet e shkollës sot?

E para është se shkolla po i shtyn fëmijët jashtë mureve të saj. Kjo duke u nisur që nga metodat e mësimdhënies pasi ato janë shumë lineare, janë pa emocion, pa njohuri të reja, nuk kanë debate, argumente dhe kundër argumente. Nxënësit sot kanë një hapësirë të cunguar për të shprehur prirjet e tyre, ndërsa mungon autoriteti i mësuesit. Dikur mësuesi kishte më shumë autoritet, personalitet, ku sot ky prioritet ka rënë  për arsyet e mësipërme. Për këtë autoritet duhet shumë kohë që të flasim. Dhe s’na mjaftojnë këto rreshta. Një problem tjetër ku unë në film i kam kushtuar dhe një këngë që fëmijët ta kuptojnë jetën shkollore, respektin, dashurinë, ndihmën, studimin, pasi fëmijët tanë por rriten me vetëdijen e pajtimit me të keqen e cila nuk duhet të ndodhë kurrë. Fëmijët tanë dëgjojnë shumë gjëra shohin veprime të ndryshme dhe problemi është se atyre nuk u bëjnë shumë përshtypje veprimet e pa pëlqyera, përkundrazi qeshin. Ne kur kemi qenë fëmijë nuk qeshnim me veprime jo të hijshme.

Po tekstet mësimore a janë të përshtatshme?

Tekstet, siç  e thonë aktorët, mësuesit ata që japin mësim, kanë probleme ku fëmijët dialogojnë me tekstet, janë të mbingarkuara me informacione. Ju e patë dhe në film që fëmijët kanë frikë ta thonë fjalën e tyre. Nuk thonë atë që mendojnë bëjnë pak aktivitete që janë shumë të rëndësishme  për edukimin dhe lirinë e veprimit dhe të fjalës. Kur s’ka demokraci në shkolla në sistemin arsimor atëherë çfarë demokracie do të kemi në të ardhmen. Çdo gjë nis nga shkolla. Me sa pashë në terren, me sa dëgjova. Me sa zhbirova, sistemi ynë arsimor ka nevojë të shërohet. Një nga vështrimet e mia ishte që ta aktualizoja problematikën ën shkolla, këtë botë të vogël po shumë të rëndësishme për të ardhmen e një vendi.  

 Cili është mesazhi juaj i drejtpërdrejt në këtë film?

Mesazhi i drejtpërdrejt është, mendoni për shkollën. Të doni shkollën, bëni diçka për shkollën që shkolla të lëvizi. Por në radhë të parë duhet të lëvizi shoqëria. Përdoruesit e shkollës që janë fëmijët, mësuesit gjithë shoqëria duke pasur parasysh rëndësinë që ka sot shkolla, aty ku prodhohet e ardhmja e vendit tonë, aty ku prodhohet demokracia duhet të mendojmë shumë sot.

E ke diskutuar apo të ka dhënë ndonjë mendim për këtë film burri juaj, Besnik Mustafaj?

Ne nuk ndërhyjmë në punët e njeri -tjetrit. Aq më tepër kur flitet për një temë kaq të vështirë që duhet të dalësh në terren, ku Besniku nuk ka qenë në asnjë lëvizje timen. Jam me parimin që kur jam e bindur në atë që them, që bëj (dhe këtë e them kur e kam plotësisht të argumentuar) aq sa jam unë brenda asaj që bëj, nuk mund të jetë asnjë tjetër. Çdo ndërhyrje nuk sjell përmirësim. Unë në film kam vënë veten time deri në fund. Besniku e vlerësoi filmin dhe besoj jo për të më bërë qejfin.

Kush është Donika Mustafaj

Donika Mustafaj është tashmë një nga emrat më të spikatur të filmit tonë të sotëm dokumentar. “Shkolla ...pse duhet” është vepra e saj e gjashtë  në këtë gjini. Ajo i rikthehet sërish një teme të mprehtë shoqërore, ku në qendër të problematikës është fëmija. Në “Kohë pezull” ajo trajtonte dramën komplekse  që shoqëron fëmijët e mbyllur për shkak të gjakmarrjes, në “Fëmijëria peng” vështrimi i kineastes hidhet te fëmijët e familjeve të sotme të kamura ekonomikisht, të cilat investojnë pa kursim për fëmijët e tyre. Pyetja që shtron në këtë rast Donika Mustafaj është: a investojnë këta prindër në mënyrë të përshtatshme për t’i përgatitur fëmijët  e tyre të përballen me të ardhmen e tyre? Kësaj here në qendër të vëmendjes së saj është shkolla, parë në trekëndëshin mbi të cilin mbështetet shkolla: fëmija-mësuesi-prindi, për të arritur në përfundimin se, ndryshe nga vendet e familjes perëndimore, ku shkolla i paraprin shoqërisë, në Shqipërinë e sotme shoqëria është më e përparuar se shkolla. Kjo prapambetje e shkollës sigurisht nuk është krijuar në tri apo katër vjetët e fundit, por kjo nuk e pakëson dëmin që i bëhet të ardhmes së shoqërisë. Është hera e parë që kjo temë rroket në gjerësinë e vet në një film dokumentar. Nëpërmjet filmimeve në mjediset e mësimit, të intervistave me nxënës, mësues e prindër, Donika Mustafaj i bën një skanierizim të plotë gjendjes së shkollës, me pikësynimin për të nxjerrë në pah problemet dhe të rrisë ndjeshmërinë e shoqërisë ndaj këtyre problemeve. Siç e pohojnë vetë fëmijët dhe adoleshentët para kameras, ata janë nën presionin e vetëm, atë të notës, dhe nuk edukohen me dashurinë për dijen në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Rrjedhimisht, përgjegjësia del e shumëfishtë. Sipas fjalëve të vetë nxënësve, tekstet  shumë shpesh paraqiten të varfra në dije, nuk nxisin arsyetim, janë të rënduara me përfundime të përgjithshme dhe abstrakte, të përshtatshme vetëm për përsëritjen mekanike qoftë nga mësuesi e qoftë nga nxënësi.

2

Ne kemi një shoqëri problematike, por kemi dhe një shkollë problematike

Shkolla po i  shtyn fëmijët jashtë mureve të saj

Vihet re se sot më shumë se kurrë në historinë e arsimit shqiptar, shkolla konsiderohet kryesisht “si mbretëri” e mësuesve. Fjala është për rolin që pritet të kenë prindërit në procesin ekonomik të brezit të ri. Vihet re se prindërit, në emër të një pragmatizmi jo të shëndetshëm e që reduktohet te nota e mirë për fëmijën, pranojnë një rol periferik dhe konformist. Komunikimi prind-mësues-nxënës është pa një thelb të vërtetë, formal dhe më shumë i rastësishëm se sa i strukturuar. Prindërit pranojnë ta shohin frekuentimin e shkollës nga fëmija i tyre vetëm si mundësi për t’u pajisur me një listë notash të mira, të cilat do e çojnë të riun në universitet. Fëmijët, të gjendur në një farë rrethi vicioz, i përshtaten situatës. Pasoja më e rëndë mbi ta është një ngulitje e vetëdijes së pajtimit me të keqen. Ata, megjithëse janë të kthjellët për t’i identifikuar problemet, siç edhe del nga intervistat me ta, nuk ngrenë zërin, të bindur se ose rrezikojnë të ndëshkohen, ose është e kotë pasi nuk dëgjohen. Kjo vetëdije e pajtimit me të keqen te qytetarët e ardhshëm të Republikës së Shqipërisë është dëmi më i madh që i bëhet të nesërmes

3

Besniku, jashtë politikës, në limanin e qetë të krijimtarisë

Tani them që jam shumë më e lumtur. Problemet janë më të pakta. Tani  po shijojmë më shumë familjen. Fëmijët e ndjejnë më shumë ngrohtësinë e tij. Besniku tani është kthyer më shumë botës letrare, asaj bote që mua më ka pëlqyer më shumë për të. Për mua ai tashmë ka ardhur në limanin që i përket, pasi bën atë që i pëlqen dhe tashmë është shumë më i qetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: