Zeqir Lushaj: Me këtë njeri edhe mund të isha vrarë!
| E Shtune, 26.05.2012, 11:13 AM |

ME KËTË NJERI EDHE

MUND TË ISHA VRARË!

Nga: Zeqir Lushaj

-Rrëfim: -Unë, para 40 vjetësh, …dhe sot-

Këtë farë burri, trupmadh, të rëndë, me mustaqe, me një shikim tejet të dyshimtë e shpesh si provokues, që unë e kam përditë në krah, dhe punoj me të tash sa vjet, e quajnë, Xhoi. Është serb, bash nga Beogradi.

Mua, më quajnë Zeqir, dhe, jam shqiptar. Për një serb dhe për një shqiptar, të paktën, tash sa e sa shekuj, është gjeja më “normale” që, ata të ishin vrarë me njëri- tjetrin. Siç janë vrarë me mijëra e me mijëra. Këtë fat, mund ta kishim patur edhe une e kolegu im, Xhoi.

Bile, mundësia që ne, edhe mund të ishim vrarë, shtohet edhe nga fakti se, unë jam Tropojan. Pra, jam nga një rreth kufitar me ish kufirin (kufirin e dhunshëm), shtetror të Serbisë, ku furtunat historike të luftërave të paprera, djeg-jeve e plaçkitjeve, kan qenë aq të shpeshta. Lista e bashkvendasve të mij, të vrarë në këto luftëra është shumë e gjatë. E, sigurisht, edhe lista e bashkëvendasve të Xhoit…

Mbas këtyre dy mundësi të para, si shqiptar dhe si tropojan, është edhe mundësia e tretë, që, Mua dhe Xhoit, mund të na u kishte harruar tashma varri. (Nuk i dihet, mund të ishim bërë edhe Heronjë! Por, shyqyr që, nuk e provuam). Ama, edhe për herë të tretë, mund të ishim vrarë. Kjo, është ç’ka është. E treta, e vërteta. Po, si, - do thoni ju?

Me këtë njeri, edhe mund të isha vrarë! Mund të ishim vrarë, por, as në Serbi e, as në Shqipëri. Mund të ishim vrarë diku tjetër, larg, shumë larg! Mund të ishim vrarë, në Vjetnam! Po, po, në Vjetnam. Në Vjetnam, para 40 vjetësh, pikërisht, në vitin 1966!!

Po si dreqin, në Vjetnam, - mund të pyes tani, lexuesi, që po i ndjek ndoshta me vëmendje këto rrjeshta? Në Vjetnam se, Vjetnami, at’herë ishte “molla e sherri”, sidomos në mes dy kampeve kryesore politikë. Dihet lufta e gjatë e amerikanëve në atë vend “të mallkuar” që ju kushtoj më shumë se asnjë luftë tjetër e derisotme në histori. Rreth 60 mijë, djem nanash amerikane, u kthyen nga andej të vdekur, në arkivole! Me mijëra të tjerë mbeten të sakatuar, të gjymtuar, të traumatizuar…Një nga ata, është kolegu im, Xhoi! Ky, kolegu im, që po flas sot për Të, pra Xhoi, at’herë djalë i ri, ka qenë luftëtar amerikan në Vjetnam. Pati fatin të shpëtoi gjallë nga tmerret e luftës, por, i traumatizuar rëndë, trauma që, pasojat e tyre i vuan në mënyrë të parikthyeshme edhe sot. Për këtë fatkeqësi, si qindra e mijëra të tjerë, edhe Xhoi meriton keqardhje, por kur sheh shifrën e të vrarëve, thua : “Shyqyr që është gjallë”!

I joshur, si shumë e shumë të rinj, nga premtimet se: “mbas luftës do të gëzosh këtë e atë…”, pa kurrfarë ndjenje patriotizmi në shpirtin e tij, përveç interesave përfituese afatgjata, edhe Xhoi ishte shprehur: “Aj sue…”, (Unë betohem!), edhe e kishte marrë atë rrugë të luftës, në emrin e

shtetit më të fuqishëm të Botës… Dhe, Xhoi i varfër, e mbajti fjalën, e realizoi betimin, la aty shëndetin e Tij, dhe tash sa dekada është një gjysëmnjeri, si të thuash, një gjysëmxhoi…

Me pak fjalë, kjo është rruga e kolegut tim Xhoi, diziluzioni i fatit të Tij, deri sot që punojmë bashkë, përditë, në një supermarket të kompanisë së njohur, 150-vjeçare, A-P të NJ.

Mirë, puna e Xhoit u mor vesh, po Ti (pra, Unë), autori i këtij shkrimi, ç’lidhje kishe me Vjetnamin, me luftën atje para 40 vjetësh, - normalisht, mund të më pyes tani lexuesi?

Aaa, kjo është më e bukura! Dhe do tua tregoj me pikë e me presje, se tashmë, kjo nuk përbën ndonje sekret. Kjo që do ju dëftoj, edhe at’herë jo se përbente “sekret”, por sidoqofte nuk pati marrë shumë “erë”! E, në fund të fundit, edhe sikur sekret të ishte, ne, sot, jemi në demokraci dhe s’ka pse të frigemi. Aq më shumë që kjo punë ka plot 40 vjet. Gati e gjithë bota, mbas 40 vjetësh i hapë edhe arkivat e sigurimit e jo një gjë shumë të thjeshtë, si kjo që do rrëfej Unë, këtu më poshtë…

Viti 1966. Kam qenë, 17 vjeçarë, maturant në shkollën e mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Atë kohë, rezistenca heroike e popullit vjetnamez kundër imperializmit amerikan, ishte në qendër të punës propogandistike, të bisedave, informacioneve politike javore, të medias e kudo. Shqipëria jonë e dashur at’herë, ishte përkrah popullit vëlla vjetnamez dhe luftonte me të gjitha bateritë e saj (gojore), imperializmin amerikan, si agresor, pushtues, si xhandar ndërkombëtar. Kuptohet se, në një vend të vogël, të mbyllur, siç ishte Shqipëria në kohën e monizmit, edhe propaganda zinte më lehtë vend tek njerëzit e, sidomos tek të rinjtë.

Aq thellë ishim indoktrinue ne, sa, një ditë, një grup shokë e shoqe të klasës së-4-t, “A”, në biseda me njëri-tjetrin, të gjithë, në idenë se për popullin vjetnamez, duhet të jemi gati të luftojmë e të vdesim ashtu si për popullin shqiptar, arritëm në një mendin të përbashkët:

-More, a të dalim vullnetarë, të shkojmë e të luftojmë në Vjetnam?!

E pleqruam mes njëri- tjetrit dhe, ramë dakort, të marrim një iniciativë të tillë, qoftë edhe me njëfarë rreziku mbi vete. Këtu nuk ishte fjala për rrezikun nëse shkojmë në luftë apo jo, por për një rrezik tjetër! Ndonëse të rinj,e kuptonim se, kjo punë, ndoshta edhe nuk do të interpretohet mirë. Në debate me njëri- tjetrin arrinim deri aty sa, të thoshim: “More, a mos po bëjmë ndonjë gabim politik?A ka rrezik të na merret për keq kjo punë?” I dhamë fund, për të marrë një nisëm të tillë, një iniciative revolucionare, siç quhej at’herë. Dhe vendosëm njëzëri që, për të mos rrezikuar me të tjerët, “me të vegjlit”, për mirë apo për keq, t’i drejtohemi të Madhit fare, pra nr. 1, Enver Hoxhës.

Kemi qenë 5 maturantë, të një paraleli, (“A”), dhe, që tregimi të bëhet plotësisht bindës për ju lexues, më poshtë, po jap emrat si dhe, adresat, nga vinim at’herë këta iniciatorë:

1) Frrok Vukaj, nga Lekbibajt e Tropojës,

2) Gjergj Kola (Ndou) nga Mërturi i Gurit, Pukë,

3) Drita Kola, nga Burreli,

4) Drita Nikolla (Niçka), e ardhur në shkollë nga Burreli, por, në fakt, ishte nga Korça, dhe,

5) Unë, vet autori i këtyre radhëve, nga Tropoja.

Në konspiracion të plotë, e formuluam letrën, ku shprehnim dëshirën tonë për të shkuar e luftuar përkrah popullit vëlla vietnamez, dhe, e nisëm në postë, rekomande, për Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së, shokun Enver Hoxha, Tiranë.

…Ditët kalonim dhe për ne, emocionet veç rriteshin. A thua ia dhanë letrën shokut Enver? Si do ta presi Ai këtë punë? …Po, larg qoftë, sikur kjo gjë të na merret për keq? E të tjera e të tjera pikëpyetje e shqetësime, kalonin në mendjet tona rinore. Nga një herë, na dukej vetja si heronj, e nga një herë, me një fare ankthi, si njerëz të dyshimtë, si aventurierë, si të lojtur nga mendët e kokës…! Por, ishim të përgatitur për çdo përgjigje, dhe të lidhur besa-besë, për koshjencë të plotë për gjithçka që, edhe mund të ndodhte! Në fund të fundit, qëllimin e kishim të mirë. Dhe pikë!

…Një ditë prej ditesh, dikush, nga drejtoria, hyri në klasën e 4-t, A. Me një copë letër në dorë, lexoi pesë emrat e lartpërmendur.

- Dilni jashtë! Kemi një punë!, -tha ai, dhe, pak si jo natyrshëm, (apo, na u duk neve ashtu! ), menjëherë, u rrotullua e, mori rrugën për në korridor. Shokët e tjerë të klasës, shikuan si me habi. Por, asnjëri nga ata, nuk mund të kuptonte se ç’është kjo punë, dhe, ç’po ndodhte! Ne, të pestët, bënim të paditurin, ama, të gjithë e dinim se ku është fjala. E dinim se ku është fjala, por jo, se ç’farë fjale do të jetë ajo.

Në oborr, dikush guxoi të pyes: - “Ku po na çon, - profesor?...! “

- Ecni, - ju kërkojnë në Komitetin e Partisë së Rrethit, - ishte disi e prerë përgjigjja!!

Mbas dhjetë minuta rrugë, ishim të ulur në stolat përballë komitetit, (në lulishten e komitetit, siç i thoshin at’herë), përballë Turizmit që është sot. Nuk pritëm shumë, dhe një njeri i brendshëm i komitetit, doli, na u afrua, dhe tha:- Hajdeni ju, pedagogjikasit! U nisëm mbrapa Tij, dhe u ngjitëm në katin e dytë të godinës. U futëm në një zyrë të madhe, të mirë, ku, një burrë, nga tavolina kryesore e zyrës, u ngrit në kambë, na dha dorën me buzëqeshje dhe na tha që të uleshim.

-Unë, jam Xhemal Dini, - tha Ai. - Jam sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit…. Ju, para disa ditësh i keni çue një letër shokut Enver Hoxha ku, shprehni dëshiren …etj etj (Fjalët tona…)

-Partia dhe shoku Enver, ju falënderojnë për këtë iniciativë, por, përgjigjja zyrtare është kjo: -Tani për tani, Shqipëria nuk e konsideron të udhës, dërgimin e trupave në Vjetnam. Nëse, një ditë, kjo gjë, do të gjykohet e arsyshme, ju, do të jeni vullnetarët e parë për të shkuar e për të luftuar përkrah popullit vëlla vjetnamez!

U çliruam ngadalë, nga barra e rënd e emocionit. Dolëm, të pestë së bashku, dhe, disi, si të mpirë, ecnim drejtë shkollës! Nuk u bëmë heronj, por, me sa duket, as nuk rrëshqitëm në ndonjë gabim politik. Pra, në aventurën tonë, nuk fituam por, ama, as nuk dështuam…

Gjithë sa ju thashë, besnikrisht, siç ka ndodhur në atë pranverë të vitit ‘66, mbeti mes nesh, në një heshtje varri. Aq heshtje, sa rrezik, ndonjëri prej nesh, sot, në 40 vjetorin e kësaj heshtje, edhe mund ta ketë harruar fare këtë “heroizëm djaloshar”! E, ndoshta, edhe tek unë, pluhuri i kohës së gjatë, dhe intensiteti i jetës në vazhdim, do ta kish mbuluar fare këtë “incident heroik”, por, ja si erdhi puna: - Një nga ata njerëz pushtues amerikanë, kundër të cilëve do të luftonim at’herë, më del çdo ditë përballë. Dhe, si për dreq, edhe bosi im, manaxheri shembullor, John Anderson, kur e shef Xhoin, me ngacmon mua, me shaka:

- Shife, shife Xhoin! Kujton akoma se është në Vjetnam…! Flet vetmeveti…!

Këtë që po ju tregoj sot, nuk ja kam thënë asnjëherë, asnjeriu, pra as shefit tim. (E di se, Ai, do të më ngacmonte, me shaka, përdite:- Heeej, Zigi, …vullnetar i luftës në Vjetnam…!)

Pa dashur aspak ta politizoj rrëfimin tim, në një fare mënyre, unë, edhe sot, nuk e quaj të gabuar nismën tonë të vitit 1966. E shikoni si erdhi puna? Tani, djemtë shqiptarë janë përkrah forcave të tjera të shumë shteteve, në disa vatra lufte nëpër botë. Po në Luftën e Spanjës, si shkuan bijtë e shqipes?... Pamvarësisht veshjeve e interpretimeve politike, për çka ne shqiptarët duket se jemi më të prirur se shumkush tjetër, veprimi jonë, në themel, edhe at’herë, ishte po ai, në esencë, i njëjti: solidariteti, internacionalizmi, antiterrorizmi…, thuaja emrin si të duash.

… Kështu vjen jeta. Koha ban të sajën. At’herë, kam qenë djalë i ri, maturant. E kujtoj me nostalgji atë kohë rinore, kur shkonim me rrjesht nga konvikti “Safet Spahiu” deri te Pedagogjikja duke kënduar këngë si: Pedagogjikas emrin e kemi, / Mësuesit e ardhshëm të brezit t’ri, /Në front t’kulturës ushtarë ne jemi, /Për dritën tande o Nanë Shqipëri…/, si dhe

këngën e preferuar internacionaliste të kohës:…”Vjetnam- Vjetnam, /Lirinë ke në zemër vullkan?…”/

At’herë, pra, çunak, siç thonë, pa vënë brisk në faqe. Sot jam krejt i zbardhur! 40 vjet nuk janë pak, por edhe ndryshimet nuk janë të pakta. Me Atë që, at’herë ndoshta do të luftoja, ja, sot, jam krahpërkrah, në të njejtin shtet, në të njëjtën ndërmarrje, në të njëjtën punë! Mbas 40 vjetësh, në fakt, edhe Xhoi, për të cilin po tregoj por, edhe vet Unë, jemi të diziluzionuar. Ndryshe i kemi menduar gjërat e, ndryshe erdhën për të dy palët. Xhoi, me brezin e tij, humbën jo veç shumë jetë, por edhe shumë andrralla për të nesërmen. Dhe, nuk kanë qenë pak, por, “Një Shqipëri” e asaj kohe. Mes viteve 1964 – 1973, rreth 2 milonë e gjysëm ushtarë amerikanë luftuan në Vjetnam. Edhe ata që patën fatin të kthehen gjallë pranë familjeve të tyre, në një përqindje shumë të lartë, nuk arritën që t’i përshtaten jetës në shoqëri, për arsye të asaj që përkufizohet zyrtarisht si “çrregullime të stresit post-traumatik”, ose që, njihet e shkoqur thjeshte si: “sindroma e Vjetnamit”! Ajo që shkaktoi këtë shok post-traumatik, ishte para së gjithash mosmirënjohja që tregoi opinion publik amerikan, ndaj saktificave të tyre. Kjo, iu bashkangjit fuqishëm çrregullimeve e traumave të shkaktuara drejtëpërsëdrejti nga lufta…

(Përpara kësaj gjendje, këto vitet e fundit, autoritetet federale, kanë shtuar shumë numrin e strukturave të rehabilitimit). Sot, simbas shtypit, departamenti i veteranëve ka në dispozicion rreth 15 mijë shtretër për të pastrehët ish-luftëtarë si dhe shpenzon çdo vit 265 milionë dollarë për mbajtjen e këtyre strukturave, përveç 1. 5 miliard dollarëve, për asistencë mjeksore gratis, që u ofrohet atyre, pra, luftëtarëve veteranë!… Pa hyrë në të thella të kësaj analize, që, këtu, nuk është as vendi, as, nuk më përket ta bëj unë, gjendjen e shkurtpërmendur më lart, mua, ma ilustron përditë kolegu im, Xhoi, i cili, është jo vetëm “frymëzuesi”, që të shkruaj rreth kësaj teme, por, edhe personazhi kryesor i këtij shkrimi. Pra, 40 vjet pas atij “frymëzim-vullnetari”, e ka radhën… “frymëzim-shkrimtari”!

…Xhoji, me brezin e tij, rininë amerikane të atyre viteve, patën humbjet e zhgënjimet e tyre të thella, shpesh, deri katastrofale, të pariparueshme. Ndërsa Unë, në anën tjetër të botës, me brezin tim, disi të izoluar, më shumë, humbëm ëndrrën në idealin e pastër, të pastër deri në abstraksion, në çudi!! Në esencë, jemi të njejtë, të diziluzionuar, pra “breza të humbur”!

Veçse, Unë e brezi im, vërtetë jemi të humbur në shumë gjera, por, ndoshta jemi më pak, të shokuar e të traumatizuar!! Gjithsesi, në shikimin e përgjithshëm, ballor, të fatit njerëzor, deri ndërkontinental, në këtë këndvështrim, për mua, shumë gjëra, të vëna, jashtë politikës, në “kandarin farmacoutik” më çojnë në një përfundim se:

-E gjithë bota është: - NJËSOJ!

Tek shkruaj këtë rrëfim, në formë kujtimesh: Unë para 40 vjetësh …dhe sot, them: -Ç’dreqin mu kujtua kjo punë që zë fill këtu e katër dekada më parë?! Edhe një gjë tjetër, është disi interesant, disi e veçantë. Me shumë lloje ngarkesash është edhe vet kjo shifër, pra, numri 40! Se si më duket kjo, 40-ta! Kaq shumë gjera lidhen me këtë numër, gati-gati si një numër magjik! Ja, për shembull: Kur njeriu vdes, thonë se, mbas 40 ditësh, trupi bashkohet me tokën. Ndaj, dhe përkujtohet e nderohet e 40-ta.

Thonë, edhe për Ujin e ndotur se, kur i kalon 40 gurë, është bërë i pastër, i pishëm!

Në Amerikë, kur t’i plotësosh 40 kredite (pikë) pune, ke sigurue të drejtën e pensionit…

Në Itali, 40-tën e kanë si kufi moshe. Italianët, thonë, si me humor: - 40 e, …- Teerrt!

... Një burrë i mençëm më ka thanë, kohë më parë, një fjalë të urtë që, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë: - Një rrenë, (gënjeshtër) që duartrokitet 40 vjet, është bërë e vërtetë!!...

…Etj, etj…40-ta si këto.

Sot, kjo 40-ta ime, lidhet me kolegun tim, me Xhoin, me të cilin, pra, at’herë, para 40 vjetësh, edhe mund të isha vrarë!!

Le t’u shtohet dhe kjo, 40-ave të tjera. Ndoshta…, edhe kjo, flet për diçka!

./.

- USA, pranverë e vitit 2006 –

(Marrë nga libri “Dyqani i mendjes”, faqe 140)

-Kristalina KH,Tiranë 2009. ISBN:978-99956-43-08-9-

 

Më poshtë, kopertina e plotë e librit

 


(Për ZemraShqiptare, nga USA, maj 2012)

(Vota: 28 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: