Tragjedia, Mjeku: 3 vajza rëndë, luftojnë me vdekjen. Homazhe dhe lamtumirë për viktimat
| E Hene, 21.05.2012, 09:32 PM |

Pak ore nga aksidenti tragjik që i mori jetën 13 personave dhe la të plagosur 20 të tjerë, nisen edhe hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Ekspertët janë fokusuar në dy drejtime për të hedhur dritë mbi shkakun e aksidentit fatal. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se shkaku më i mundshëm i ngjarjes së rëndë automobilistike është një defekt teknik i mjetit, në sistemin e drejtimit apo atë të frenimit, çka pritet të konfirmohet nga raporti i kontrollit auto-teknik. Nuk përjashtohet edhe mundësia e një gjendje infarkti që mund të ketë drejtuesi i autobusit, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën.

Nga ana tjetër, studentët e mbijetuar thanë se në momentet e fundit, shoferi Pëllumb Çela tërë ankth ka ulëritur “ikëm, nuk mund ta ndaloj dot”.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:15, ku autobusi me targa të Elbasanit që transportonte studentet e degës së Letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë të thellë 80 metra në qafën e Vishës në Himarë. Ata ishin nisur për një ekspeditë 1 ditore në Sarandë, por rruga iu pre në mes. Të parët që dhanë ndihmë për të shpëtuar studentet ishin udhëtarët e rastit, ndërsa pak minuta më vonë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë transportoi dy studente, e më pas edhe të tjera më rëndë u transportuan drejt Spitalit Ushtarak me 8 helikopterë, për shkak të terrenit të vështirë.

Me kërkesë të Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave shpalli ditën e sotme datën 22 maj, Ditë Zie Kombëtare, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në ku humbën jetën 12 studente. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se “Kryeministri Berisha në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.”

Sot në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.
Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre. Ministria e Brendshme ngarkohet të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.

MJEKU MADANI: 3 VAJZA RENDE
Ora 19:00-Mjeku kirurg Rasim Madani theksoi se 3 prej vajzave janë në gjendje më të rëndë.
“Nga 14 vajza të shtruara në Spitalin Ushtarak, 3 prej tyre janë në gjendjen me të rëndë. Janë kryer operacione, dolën me sukses, por do të jetë reagimi i pacientit që do përcaktojë nëse ato dalin nga gjendja e rrezikut. Presim të zgjohen nga gjumi dhe të shohim ecurinë e tyre”.
Mjeku kirurg Madani theksoi se 5 prej vajzave janë në gjendje më të mirë dhe marrin vetëm serume.
TvNews24 mëson se një prej vajzave, pasi tek Spitali Ushtarak ishin 15 vajza të shtruara, ka kaluar tek Spitali Amerikan ku u krye një ndërhyrje.


TIRANË, BERISHA: 2 VAJZA DO TRANFEROHEN JASHTË
Ora 17:30
Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot pasdite studentet e plagosura në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe bëri me dije se Ministri i Shëndetsisë, Petrit Vasili, ka vendosur lidhje me klinika të huaja dhe në momentin e parë që ato do të japin dritën jeshile, studentet do të nisen drejt tyre. "Urojmë që këto vajza që po trajtohen ta kapërcejnë me sukses të plotë situatën e krijuar, sikundër dy rastet që përballen me shumë vështirësira uroj që klinika të specializuara të vlerësojnë se mund të japin një ndihmë më tepër në mbështjetje të jetës së tyre", tha Berisha.

Kryeministri Berisha garantoi familjarët e studenteve të plagosura se qeveria do të bëjë gjithçka që mund të bëjë mjekësia për t'u dhënë atyre ndihmën më të specializuar

MINISTRI I MBROJTJES, IMAMI, VIZITOI TË PLAGOSURIT NË SPITALIN USHTARAK
ORA 18:00-
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjen/major Xhemal Gjunkshi, të sapo kthyer nga SHBA, ku morën pjesë në Samitin e Çikagos, vizituan sot pasdite në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar në Tiranë studentet e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e djeshme në afërsi të Himarës dhe që po trajtohen në këtë spital.

Ministri Imami u njoh me gjëndjen shëndetësore të të gjitha vajzave të plagosura dhe i vizitoi ato në të gjitha dhomat e pavioneve ku po i nështrohen prej disa orësh rresht terapisë intensive.
Me këtë rast ai falenderoi personelin mjeksor të këtij spitali për angazhimin dhe përkushtimin maksimal që kanë treguar për shpëtimin e jetës së studenteve të dëmtuara, si dhe dha porosi që të ky angazhim të vazhdojë edhe në orët dhe ditët në vijim, deri në shërimin e plotë të tyre.

Duke rinënvizuar edhe njëherë punën dhe kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak, ministri Imami theksoi se "gatishmëria nga mjekët e Spitalit Ushtarak dhe nga të gjitha instancat e resurset tona ishin dhe vazhdojnë të jenë në vëmëndjen maksimale. Mjekët janë të shkëlqyer dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë të jetë e mundur".

ELBASAN, PËRLOTËT BERISHA: ZOTI JU DHËNTË FORCË
Ora 16: 13
Kryeministri Berisha i përlotur, ka ngushëlluar familjarëve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi një ditë më parë në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur "Qafa e Vishës". Kryeministri Berisha e cilësoi dramë të madhe ngjarjen e djeshme, teksa kreu sot homazhe në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani”, ndërkohë garantoi se qeveria do të bëjë gjithcka për të plagosurit.

FABJOLA SHEHU PËRCILLET NË BANESËN E FUNDIT
Ora 16:44 Familja Shehu ka hapur sot dyert e mortit. Fabjola Shehu, studentja nga Bërculla do përcillet mes lotëve dhe dhimbjes pafund për në banesën e fundit. Ceremonia e lamtumirës nisi mesditën e sotme, ndërkohë që qindra njerëz janë mbledhur në familjen Shehu.

META HOMAZHE NË ELBASAN NË UNIVERSITETIN A.XHUVANI
ORA 15:45-Kreu i LSI, Ilir Meta kreu sot homazhe në ambientet e universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan në nderim të studenteve viktima të aksidentit në Himarë.

ELBASAN, TOPI HOMAZHE NË UNIVERSITETIT "ALEKSANDËR XHUVANI"
ORA 15:20 -Presidenti Bamir Topi zhvilloi mesditën e sotme homazhe në ambientet e Universitetit " Aleksandër Xhuvani", ku edhe janë vendosur 11 fotot e studenteve, viktima të aksidentit tragjik ndodhur një ditë më parë në një fshat në Himarë.
Pasi ka lënë edhe përshtypjet e tij në formë ngushëllimi në librin e përshtypjeve, presidenti Bamir Topi tha se, " jam shumë i pikëlluar për ngjarjen tragjike dhe për fatin tragjik të vajzave që humbën jetën".
"Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, shokët e shoqet e tyre, të cilët kaluan vitet e rinisë në këtë shkollë. Uroj që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Në situata të tilla vërehet edhe një solidaritet i madh, gjë që shikohet kudo", tha Presidenti Topi.
Gjatë homazheve, Presidenti Topi shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, rektori i universitetit Liman Varoshi dhe stafi pedagogjik.

MIHAJ: 2 VAJZA RËNDË PËR JETËN
Ora 15:15 Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj ka deklaruar se 2 nga 15 vajzat që po trajtohen në Spitalin Ushtark në Tiranë janë në gjëndje të rëndë shëndetësore për jetën. Ndërkohë, konstaton se gjendja e vajzave të tjera është më e stabilizuar.

PËRFUNDON OPERACIONI I STUDENTES FLORIE PECI
Ora 15:10
Në Spitalin Ushtarak ka përfunduar operacioni i një të plagosure nga aksidenti, e paraqitur me dëmtime të shtyllës kurrizore, me emrin Florije Peci. Kirurgu Fatos Olldashi tha pas operacionit se "operacioni konsiston në përpunimin e një plage të marrë gjatë aksidentit në shtyllën kurrizore. Gjatë dëmtimit kishin ndodhur dhe dëmtime të kockave dhe të një pjesë të nervave, shpresojmë të mos jenë të rrezikshme. Në të vërtetë dëmtimi do të konstatohet kur pacientja të zgjohet dhe të dalë nga gjendja e komës".

Olldashi tha se pacientja ndodhet në gjendje kome, pasi është një politraumë, ka dhe dëmtime të tjera në kokë dhe kryesisht në gjoks.
Kirurgu Olldashi u shpreh se dy paciente janë duke u mbajtur me frymëmarrje artificiale. "E përgjithshmja është mirë, të gjitha vajzat janë më mirë sesa kur u pranuan në spital, por nuk mund të themi që janë jashtë rrezikut për jetën", tha më tej ai

BASHA TEK FAMILJA E ERIOLA XHOIT NË ELBASAN
Ora 15.10-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vizitoi sot pasdite familjen e Eriola Xhoit, viktimë e aksidentit të Himarës. Basha theksoi se ngjarja ka qnë një ngarkesë e madhe për të gjithë familjarët e viktimave dhe se nga ana e tij shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi.

VLORË, 10 VAJZA TË AKSIDENTUARA
Ora 15:00
10 orë pas aksidentit, që ndodhi një ditë më parë në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur "Qafa e Vishës", studentet e plagosura, që janë duke u trajtuar në spitalin rajonal të Vlorës, janë ende në gjendje "shock"-u. Dy të studente të plagosura rrëfejnë tragjedinë e ndodhur, si e kanë përjetuar. Ndërkohë, edhe të afërm dhe mjeku i spitalit të Vlorës informojnë mbi gjendjen e të plagosurave.

E plagosura Ergita Opingari

“U ngrita me forcat e mia dhe pastaj erdhi një i moshuar dhe pastaj erdhën të gjithë që po na ndihmonin . Në fillim shkuam tek spitali i Himarës, pastaj na sollën në Vlorë”,- deklaroi Ergit Opingari.
Ka pasur dhe vajza të tjera?
“Ka pasur dhe vajza që ishin në gjendje të mirë dhe thërrisnim njëra-tjetrën dhe reagonim”
Njëra nga vajzat dje tha se shihte shoferiN që po nxitonte dhe ju kërkua të ulte shpejtësinë?
“Nuk e di taman se isha nga fundi. Por, përderisa kanë thënë gocat se ishte me shpejtësi. Se di”,- u shpreh Ergita.

Mamaja e Julianës: Vajza është mirë
“Nuk kujton vetëm pak sa u rrotullis autobusi. Unë jam mamaja e Julianës. Doktorët thonë se është mirë. Nuk ka fraktura në trup”,- tha mamaja Julianës.

Flet e plagosura
"Kam qënë në gjumë gjatë udhëtimit dhe vetëm u zgjova kur po rrëzohej autobusi se po bërtisnin shoqet e klasës. Kam qënë në mes të autobusit",-

Drejtori i Spitalit Vlorë, Shkëlqim Selami: 4 paciente në reanimacion
Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Shkëlqim Selami, thotë se aktualisht janë duke u trajtuar 10 vajza, 4 prej të cilave në reanimacion.

“Kemi 10 paciente në spitalin tonë, 4 prej tyre janë në reanimacion. Ato të katërta janë në gjendje më të mirë se dje. Mjekët të gjithë janë aty, kemi bërë konsultën me të gjithë. Gjendja është nënë kontroll dhe i shikojmë hap pas hapi. Për momentin do të rrinë të shtruar deri sa të ketë një moment të dytë që të dalim në një intervistë tjetër disa prej tyre ti tranportojmë në rrethet përkatëse”,- tha mjeku.

“Gjatë natës nuk kemi dërguar të plagosur në Tiranë përvec atyre të treve që u nisën me helikopter. Nuk kemi probleme se i kemi të gjitha të siguruara. Për momentin nuk e dimë se ca i ka ndodhur shoferit”, tha mjeku.

KRYEMINISTRI BERISHA MBËRRIN NË TIRANË
ORA 14:30 -
Kryeministri Berisha mbërriti rreth orës 14:30 nga Çikago në Aeroportin e Rinasit, pas një udhëtimi të gjatë, të nisur menjëherë pasi u informua për tragjedinë e ndodhur në Himarë. Shefi i qeverisë do të niset drejt Elbasanit për të marrë pjesë në homazhet që do të zhvillohen për nder të 13 viktimave të aksidentit tragjik.
Pas homazheve, kryeministri Berisha do të vizitojë vajzat e plagosura në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Kryeministri Berisha mori pjesë në Samitin e Nato-s në Çikago.

HAXHINASTO NGUSHËLLON FAMILJARËT E VIKTIMAVE
ORA 14:00 -
Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me hidhërim të thellë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të studentëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur ditën e djeshme në Himarë.
"Në këto momente të vështira, ai merr pjesë në dhimbjen e tyre dhe solidarizohet me familjet dhe të afërmit e tyre. Njëkohësisht, ai u uron shërim sa më të shpejtë personave të lënduar", thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Jashtme.

FLAMUJT E INSTITUCIONEVE NË GJYSMË SHTIZË
ORA 13:25
- Shqipëria mban sot zi për humbjen e 13 jetëve në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Himarë. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë.

SHOFERI I AUTOBUSIT TJETËR: TIMONI S’KA BURRËRI, TË TRADHTON
ORA 13:00
- Drejtuesi i autobusit tjetër që po transportonte grupin e dytë të studentëve drejt Sarandës rrëfeu momentet e para kur u informua për aksidentin tragjik, teksa ndodhej rreth 200 metra larg vendit të tragjedisë.
“Po udhëtoja drejt Sarandës. Në kilometrin e pestë një studente e plagosur lehtë mori në telefon shokët e vet e tregoi gjithçka. Nuk mund të ecja më tej. Sapo u informova për aksidentit kam gjetur një vendparkim përballë kalasë ne Palermo.”, -u shpreh Astrit Kurti.

Në fillim, vijon ai, dyshova se mos ishte ndonjë shenjtallëk rinor, por me pas frenova përballë kalasë së Palermos, ku ishte një bar-restorant dhe kishte një televizor të madh. Tragjedia kishte marrë udhë, ishte nje fatkeqesi e jashtezakonshme”, - tha Kurti.
Drejtuesi i autobusit theksoi se kolegu i tij, kishte përvojë në drejtim e autobusit. “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhton”, u shpreh Kurti.

TOPALLI: GJENDJA E VAJZAVE, E QËNDRUESHME
ORA 12:55 -
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vizitoi studentet e plagosura në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Kryeparlamentarja bëri të ditur se gjendja e vajzave paraqitet më e qëndrueshme se sa një ditë më parë.
"Udhëtimi i cili do të ishte por to ndoshta udhëtimi më i bukur i jetës së tyre përfundoi në një tragjedi. Kjo ishte një shokim për gjithë ne shqiptarët",- u shpreh ajo.
Topalli falenderoi mjekët, infiermierët dhe të gjithë që siç tha ajo, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetët e studentëve të plagosura.

POLICIA RRUGORE: AKSI KU NDODHI AKSIDENTI ME SINJALISTIKË TË RREGULLT
ORA 12:50-
“Aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalitikën e duhur paralajmëruese. Po kështu ishte i pajisur dhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje”, deklaroi për mediat ndër të tjera Drejtori i policisë së qarkullimit rrugor, Vullnet Topalli.

Sipas tij, “nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014. Ndërkohë që automjeti në fjalë ka rezultuar të ketë kryer kontrollin e fundit teknik me datë 26.04.2012”.

POLICIA: IDENTIFIKOHEN TË GJITHA VIKTIMAT E AKSIDENTIT TRAGJIK, JA EMRAT
ORA 12:50- Janë identifikuar të gjitha viktimat që gjenden në morgun e qytetit të Vlorës, më poshtë emrat e tyre:
1. Denisa Flamur Guzi, vjeç 21, banuese në fshatin Mashan, Komuna Kodovjat, Gramsh
2. Ermira Idriz Mana, vjeç 22, banuese në fshatin Shelcan, Elbasan
3. Aurora Artan Molla, vjeç 21, nga fshati Verdove i Pogradecit
4. Lindita Hekuran Kabashi, vjeç 21, banuese në fshatin Shtermen, Komuna Gostime, Elbasan
5. Joana Flamur Debinja, vjeç 22, nga fshati Çermë Sektor, Komuna Tërbuf, Lushnjë
6. Elsa Gëzim Daka, vjeç 22, nga Elbasani banuese në fshatin Kuqan,
7. Juliana Dilaver Tola, vjeç 21, banuese në fshatin Mirak, Librazhd,
8. Fabiola Mustafa Shehi, vjeç 22, nga Bërxulla Tiranë
9. Eriola Sajmir Xhoi, vjeç 28, nga Elbasani,
10. Eranda Kristaq Baloshi, vjeç 22, banuese në fshatin Katundi i Ri Bradashesh, Elbasan
11. Dorina Hasan Stafa, vjeç 21, nga Kruja
12. Armand Halilaga, vjeç 23, nga Kavaja
13. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
Po kurohen në Spitalin Ushtarak Tiranë:
1. Kaltra Pollozhani
2. Alma Deda
3. Eranda Bato
4. Antoneta Taçe
5. Doriana Kumria
6. Anisa Çobaj
7. Shegushe Haka
8. Elsa Shtylla
9. Ifsjana Karriqi
10. Mirsie Biba
11. Besjana Dani
12. Briselda Gubere
13. Florije Peci
14. Blerina Çereni
15. Griselda Zeneli
Po kurohen në Spitalin e Vlorës:
1. Elidona Gjinaj
2. Enkela Daja
3. Ticiana Hysa
4. Juliana Kuqi
5. Ergita Opingari
6. Adjola Musaka
7. Liri Hasa
8. Besjana Xheneti
9. Adisa Çela
10. Anisa Hysa
Studentja e dëmtuar që gjendej në spitalin e Himarës Arta Ballabani, pasi ka marrë ndihmën e nevojshme është larguar nga ambientet e spitalit.

VASILI: TRANSPORTIMI JASHTË VENDIT, I PAMUNDUR
Ora: 12:15
-
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi nga Spitali Ushtarak se dy prej tyre studenteve të plagosura janë në gjendje kritike për jetën. Ministri Vasili përjashtoi mundësinë që vajzat e plagosura të transportohen në spitale më të specializuara jashtë vendit, për shkak se lëvizja e tyre për momentin është e pamundur.
“Rastet paraqiten në një gjendje të qëndrueshme. Janë ruajtur të gjithë parametrat e arritur dje me shumë vështirësi dhe besoj që për një pjesë të tyre ka pasur një ecuri pozitive. Vazhdon të mbetet serioze gjendja e 2 vajzave, të cilat kanë pësuar trauma të gjëra. Të gjithë janë në terapi intensive dhe transporti i tyre në këtë moment është i pamundur sepse janë të lidhur me aparaturat që i mbajnë në jetë.”- deklaroi Vasili.

FAMILJARËT: AURORA NUK DONTE TË SHKONTE NË EKSPEDITË
ORA 12:00 -
Trupi i pajetë i studentes Aurora Molla ka mbërritur në shtëpinë e saj në Vërdovë të Pogradecit mesditën e sotme.
Tezja e vajzës Arta Abazllari deklaroi për NEWS24 se Aurora nuk donte të shkonte në ekspeditë, por u detyrua nga pedagogët, që sipas saj, e kishin kërcënuar me mosdhënien e provimeve.
“Në orën 2 u nisëm në mëngjes, në 5 arritëm në Vlorë. Atje gjetëm vetëm dy kufoma se nuk na tregonin në Tiranë, merrni Vlorën në telefon thoshin, nuk është në listë. Me vajzën u takuam në mëngjes. Kishte folur dhe me të fejuarin i kishte thënë gjallë a vdekur unë do vi për ditëlindjen tënde, se nesër ai ka ditëlindjen. Kërkuam shumë, merrnim Himarën në telefon. Na merrte një pedagoge na thoshte vajza është mirë vetëm krahun ka thyer. Fajtorë janë pedagogët se i detyrojnë u thonë po nuk erdhe nuk të japim diplomën. I detyrojnë se nuk e di nxjerrin para, nuk e di.”- deklaroi tezja e vajzës.

E PLAGOSURA: SHOFERI FRENOI NË KTHESË
ORA 11:20 -
Studentja e plagosur që po mjekohet në Spitalin Amerikan në Tiranë, Besiana Dani, rrëfeu për mediat momentet e aksidentit tragjik, të një dite më parë. Vajza shpjegoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte konsumuar alkool dhe nuk kishte shfaqur as shenja lodhjeje, apo shqetësime shëndetësore gjatë udhëtimit
“U nisem nga Elbasani, ndaluam në Apoloni dhe më pas do të ndalonim në Porto Palermo. Unë isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim në kthesë dhe automjeti iku jashtë kontrollit. Bëmë 2-3 rrotullime e më pas përfunduam në humnerë. Shoferi nuk ishte shume shpejt, por në kthesë duhet të kishte qenë më ngadalë mendoj. Nuk dëgjova që kishte probleme, shoferi ishte mirë.”- u shpreh studentja.

E mbijetuara shpjegoi se vajzat ishin trembur edhe njëherë tjetër gjatë udhëtimit, pasi autobusi kishte shmangur një ëprplasje me një tjetër automjet.
“U tembëm dhe njëherë gjatë rrugës se desh u përplasem me një makinë. Nuk ishte faji i shoferit tonë.”- theksoi ajo.
Besiana Dani i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Amerikan dhe mjekët shprehen të bindur se vajza do të bëjë një jetë normale, sapo thyerjet që ka pësuar në trup të shërohen.

AKSIDENTI, REKTORI: SHOQËRIA E UDHËTIMIT REZULTON MË SERIOZJA
ORA-11:00-
Pas aksidentit tragjik të ndodhur dje në Himarë, vjen edhe reagimi i Rektorit të Universitetit të Elbasanit. Sipas rektorit Liman Varoshi, “shoqëria e udhëtimit e kontraktuar nga universiteti rezulton më seriozja’. Ai shton se autobusët e kësaj shoqërie ishin të koaliduar, ndërsa drejtoheshin prej shoferëve me përvojë.
Rektori Varoshi shtoi më tej se sot do të ketë në Universitetin Aleksandër Xhuvani edhe një ceremoni përkujtomore. “Ceremonia zyrtare e homazheve do mbahet në orën 15:30. Do ketë një stendë me emrat dhe fotot e viktimave”.

VLORË, GJENDJA E TË PLAGOSURAVE DREJT PËRMIRËSIMIT
ORA 10:45 -
Gjendja shëndetësore e 10 vajzave të plagosura në aksidentin e së hënës në qafën e Vishës në Himarë, të cilat ndodhen për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës është drejt përmirësimit.
Drejtori i këtij institucioni , Shkëlqim Selami, tha se, "me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm". Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se 4 prej vajzave të plagosura ndodhen në reanimacion, konkretisht: Elidona Gjinaj, Ardiola Musaka, Besjana Xheneti dhe Anisa Hysa. Studentet e tjera, Enkela Daja, Ergita Opingari, Juliana Kuqi dhe Ticiana Hysa mbahen në kirurgji.
Drejtori Selami shtoi se të plagosurat do të mbahen në këtë spital dhe në varësi të situatës do të gjykohet nëse ato do të kenë nevojë për një mjekim më të specializuar apo do të mbahen në këtë institucion shëndetësor.

VLORË, PËRFUNDON DËRGIMI DREJT FAMILJEVE I 11 VIKTIMAVE TË AKSIDENTIT TË HIMARËS
ORA-10:13-
Sot rreth orës 06:00 të mëngjesit ka përfunduar dërgimi i 11 trupave të viktimave në aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.
Drejtori i spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, tha se, "gjatë gjithë natës u punua me intesitet dhe u ndoqën të gjitha procedurat për identifikimin e 11 viktimave, gjë që u realizua në bashkëpunim me familjarët e tyre.Të gjitha procedurat përfunduan rreth orës 06:00 të mëngjesit , kohë kur u nisën edhe dy trupat e fundit të viktimave, që humbën jetën në aksidentin tragjik".

Sipas tij, për dërgimin e trupave drejt familjes u angazhuan mjetet e shërbimeve shtetërore, funerale si dhe të spitalit, që së bashku me personelin përkatës shoqëruan familjarët. Trupat e pajetë të aksidentit të një dite më parë mbërritën në morgun e spitalit rajonal të Vlorës rreth orës 01:00 të mëngjesit nën shoqërimin e një personeli të specializuar mjekësor dhe policisë.

DREJTORI I SPITALIT: GJENDJA E VAJZAVE E STABILIZUAR
ORA 09: 40 -
Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja bëri të ditur se në spital janë të shtruara aktualisht 14 vajza, ndërsa një tjetër i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Sipas drejtorit Mihja 9 vajza janë në terapi intensive dhe 5 të tjera në kirurgji. Dy prej vajzave janë në gjendje më të rëndë, por përgjithësisht gjendja e të aksidentuarave konsiderohet e stabilizuar.
“Ne do tja dalim. Sot vajzat nuk do lëvizin do mbahen në reanimacion. I kemi nën kontroll. I kemi identifikuar të gjitha vajzat, kartelizuar dhe kemi kontakuar edhe me të afërmit e tyre”- deklaroi Mihja.
Dëmtimet e të gjitha rasteve, sipas tij, “janë serioze, por gjendja duket me opetimizëm dhe 2 raset që janë më të rënda janë me parametra të stabilizuar, janë vlerësuar pozitivisht nga ekipet e mjekëve dhe do të vazhdojë ndjekja e tyre pa ndërprerë duke u ribërë ekzaminimet e nevojshme”.
Mihaj tha se konkluzionet e ekipeve mjekësore janë të tilla që nuk do të ketë invaliditet.
Ndërkohë, sipas tij, pas apelit të bërë për dhurimin e gjakut, edhe me grup të rrallë A- dhe 0-, të Spitalit Ushtarak janë drejtuar shumë qytetarë dhe nuk ka pasur mungesa të rezervave të gjakut. Dhurimi i gjakut do të vazhdojë ditën e sotme.

BERISHA MBERRIN SOT NE TIRANE
ORA 02:00-
Kryeministri Sali Berisha njoftoi gjate nje interviste televizive nga Cikago se ka lene ne mes Samitin per tu kthyer ne Tirane. "Unë po nisem dhe arrij në Tiranë nesër paradite", tha kryeministri.
Kreu i Qeverise theksoi se ishte i pari qe mesoi lajmin e rende.Ai percolli dhe njehere ngushellimet per viktimat.
"Jam pothuaj ndër të parët që mësova lajmin. Më kanë informuar njëkohësisht disa burime nga Tirana dhe e kam ndjekur dhe jam lidhur me të gjitha agjencitë dhe ministritë përkatëse: Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, të Shëndetësisë, të Arsimit, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, me Kryetaren e Parlamentit dhe e kam ndjekur në mënyrën më konstante, në mënyrë të vazhdueshme si nëpërmjet lidhjeve me ta, por edhe nëpërmjet live stream të ABC News. Jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente sa më të shpejtë dhe sa më eficente. Besoj se ka pasur një mobilizim e angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik.Me këtë rast dua t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim më të mirë, për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur ministrin e Shëndetësisë të marrë çdo masë, në mënyrë që t’u jepet ndihma më eficente, për çdo ndihmë që do të kenë nevojë, brenda dhe jashtë vendit. Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet, solidaritetin tim më të lartë njerëzor, të familjes sime dhe qeverisë shqiptare, i lutem Zotit të gjejnë forcë, për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme, për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur. Uroj që shpirti i viktimave të këtij aksidenti kaq tragjik të gjejë paqen e merituar".

(LAJMI NE PERDITESIM)
(ma.ar/er.nu/d.b/el.me/BalkanWeb)

HIMARE -  Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e se henes, rreth orës 16:15, pranë qafës së Vishës, në Himarë, ku një autobus me 33 studentë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", dega Letërsi, që dyshohet se ishin të gjitha vajza, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë rreth 80 metra të thellë.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autobusi me studentë po udhëtonte nga Elbasani drejt Sarandës. Mësohet se autobusi ishte me targa të Elbasanit (El 2274 B) dhe drejtohej nga shoferi 55-vjecar, Pëllumb Çela. Në vendngjarje u mobilizuan autoambulanca, zjarrfikës dhe forca të shumta të policisë e forcat RENEA, disa minuta pas aksidentit. 8 helikopterë, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 6 të Ministrisë së Brendshme transportuan nga Himara drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, të plagosurit më rëndë.Ka qenë një autobus me turistë grekë ai që i ka dhënë ndihmën e parë, studenteve të përfshira në aksident.

Burime nga policia bëjnë të ditur se 13 persona kanë humbur jetën dhe 20 studente janë plagosur. Mes viktimave është edhe shoferi i autobusit.
Televizioni NEWS24 transmetoi pamjet e para nga vendngjarja, të autobusit të shkatërruar tërësisht dhe njerëz të shumtë rreth tij që përpiqeshin të jepnin ndihmën e parë.

Pak minuta pas ngjarjes, korespondenti i News 24 Andrea Kola bëri te ditur se autobusi me të cilin udhëtonin studentet është rrëzuar në aksin Sarandë-Himarë, mes fshatit Vuno e Himarës. Ai sqaron se studentet shkonin në Sarandë për pushime, ndërsa dëshmoi se terreni ku ka rënë autobusi është i vështirë dhe rruga tepër e ngushtë.

IDENTIFIKOHEN TË GJITHA VIKTIMAT E AKSIDENTIT TRAGJIK, JA EMRAT

ORA 02:00 - Janë identifikuar të gjitha viktimat që gjenden në morgun e qytetit të Vlorës, më poshtë sjellim emrat e tyre:

Juliana Tola, Elsa Daka, Denisa Guzi, Ermira Mano, Lindita Kabashi, Joana Debinja, Aurora Molla, Fabiola Shehi, Erjola Xhoi, Armand Aga. Mes viktimave gjendet edhe drejtuesi i autobusit 55 vjecari Pëllumb Cela.

Në morgun e Vlorës gjenden gjithsej 11 viktima.

Viktimat që janë identifikuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë janë:

Eranda Baloshi dhe Dorina Stafa.

Ora 02:00-BERISHA MBERRIN SOT PARADITE NE TIRANE

Kryeministri Sali Berisha njoftoi gjate nje interviste televizive nga Cikago se ka lene ne mes Samitin per tu kthyer ne Tirane. "Unë po nisem dhe arrij në Tiranë nesër paradite", tha kryeministri.
Kreu i Qeverise theksoi se ishte i pari qe mesoi lajmin e rende.Ai percolli dhe njehere ngushellimet per viktimat.
"Jam pothuaj ndër të parët që mësova lajmin. Më kanë informuar njëkohësisht disa burime nga Tirana dhe e kam ndjekur dhe jam lidhur me të gjitha agjencitë dhe ministritë përkatëse: Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, të Shëndetësisë, të Arsimit, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, me Kryetaren e Parlamentit dhe e kam ndjekur në mënyrën më konstante, në mënyrë të vazhdueshme si nëpërmjet lidhjeve me ta, por edhe nëpërmjet live stream të ABC News. Jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente sa më të shpejtë dhe sa më eficente. Besoj se ka pasur një mobilizim e angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik.Me këtë rast dua t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim më të mirë, për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur ministrin e Shëndetësisë të marrë çdo masë, në mënyrë që t’u jepet ndihma më eficente, për çdo ndihmë që do të kenë nevojë, brenda dhe jashtë vendit. Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet, solidaritetin tim më të lartë njerëzor, të familjes sime dhe qeverisë shqiptare, i lutem Zotit të gjejnë forcë, për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme, për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur. Uroj që shpirti i viktimave të këtij aksidenti kaq tragjik të gjejë paqen e merituar".



VDES NJË TJETËR STUDENTË, SHKON NË 13 NUMRI I VIKTIMAVE
ORA 22:38- Nga Spitali Ushtarak vjen lajmi i keq për vdekjen e një tjetër studenteje, që e con bilancin e viktimave në 13.

POLICA E SHTETIT: IDENTIFIKOHET VIKTIMA E PARË
ORA 22:37-
Zëdhënësja e policisë së Shtetit në një komunikim për mediat bëri publik emrin e viktimës së parë të këtij aksidenti tragjik. Ajo është vajza që u transportua me helikopter në Spitalin Ushtarak dhe quhet Eranda Baloshi.

AMBASADORI SEQUI MESAZH NGUSHËLLIMI 
ORA
22:35- Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. 
“Ambasadori Sequi dëshiron të shprehë ngushëllimet më të ndjera për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën ose u plagosën në aksidentin e sotëm tragjik në Himarë. Mendja e të gjithë kolegëve tanë të cilët punojnë me Shqipërinë, si në Delegacionin në Tiranë, ashtu edhe atyre në zyrat qëndrore në Bruksel, janë me ju në këtë moment kaq të trishtuar.”- thuhet në njoftimin e shpërndarë ëpr mediat nga zyra e BE-së në Tiranë. 
“Zoti u dhëntë paqe shpirtit të 
tyre dhe familjeve të tyre forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme. U urojmë nga zemra të plagosurve një shërim të shpejtë dhe të plotë.”- përfundon njoftimi. 

DËSHMITARJA: JA SI NDIHMOVA TË PLAGOSURIT
ORA 22:00- Në një komunikim me News 24, një vajzë himariote rrëfen momentet kur ajo ka shkuar në vendngjarje për t’ju ardhur në ndihmë studentëve që përfunduan në humnerë.
“Isha në ngjarjen që ndodhi në Himarë, dhashë ndihmën time të vogël me aq sa munda…U trondita nga ngjarja e rëndë që pashë, komunikova me disa prej të plagosurave, njëra prej tyre me la orën e saj si dhuratë në shenjë mirënjohje për ndihmën. Kaq më lejuan të qendroja brenda, më pas dola jashtë. Himariotët reaguan shumë mirë, dhanë ndihmën e tyre me aq sa mundën”, shprehet ajo.

KOMUNITETI MYSLIMAN: LUTEMI QË ZOTI T’I MËSHIROJË VIKTIMAT 
ORA:
21:40 - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave të aksidentit të ndodhur pasditen e së hënës në aksin Himarë-Sarandë. 
“Në këto çaste të vështira për familjarët dhe të afërmit, Komuniteti Mysliman merr pjesë në dhimbjen e tyre, duke bashkëndarë pikëllimin që sjell kjo humbje e pazëvendësueshme.Në këto momente hidhërimi për mbarë shqiptarët, lutemi që Zoti t’i mëshirojë viktimat dhe t’u japë forcë familjarëve për përballimin e kësaj humbjeje të pazëvendësueshme. Gjithashtu shpresojmë e lutemi për shërim të shpejtë të personave të plagosur në këtë aksident me pasoja të rënda.”- shkruhet në njoftimin e Komunitetit Mysliman. 

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë besimtarëve që të angazhohen për dhurim vullnetar të gjakut në ndihmë të plagosurve nga tragjedi.

EMRAT E TË PLAGOSURAVE NË SPITALIN USHTARAK DHE ATË TË VLORËS 
ORA 21:00- Në Spitalin e Vlorës ndodhen Ina Janulla, Entela Daja, Dorina Stafa, Adjola Musaku, Ergysa Opingari, Juljana Kuqi, Griselda Zeneli, Ticiana Hysa, Liri Hasa, Blerina Cereni. 

Në Spitalin Ushtarak janë Kaltra Pollozhani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Tace, Anisa Cobo, Doriana Kumrija, Besjana Dani është duke u transportuar nga Vlora në Spitalin Ushtarak Shegushe Taka, Elsa Shtylla, Mirsie Biba, Elfsiana Karriqi.

META: VLERËSOJMË SOLIDARITETIN NJERËZOR 
Ora:
20:55 - Kryetari i LSI-së, Ilir Meta vizitoi të hënën në mbrëmje të rinjtë e plagosur nga aksidenti tragjik që ndodhi pasditen e sotme në Himarë dhe që aktualisht po trajtohen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. 
Pas vizitës
Meta shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa i uroi shërim të shpejtë të lënduarve. 
"Vijmë këtu për të kontribuar, që nga dhurimi i gjakut dhe gjithçka tjetër që mundemi. Vlerësojmë këtë solidaritet të jashtëzakonshëm njerëzor, këtë angazhim dhe përgatitje të shkëlqyer të ekipit të Spitalit Ushtarak dhe strukturave të shëndetësisë", tha kreu I LSi-së.
"Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, e cila nuk mund të pranohet nga logjika, por është një fakt që duhet përballuar me kurajo dhe solidaritet, duke i qëndruar pranë të aksidentuarve të këtij aksidenti tragjik", tha
Meta. 
Ai vërejti se "kohët e fundit aksidentet po marrin jetën e shumë qytetarëve dhe është e domosdoshme të rrisim vëmendjen dhe prioritetin për minimizimin dhe parandalimin e tyre". 

AKSIDENTI NË HIMARË, TOPALLI: NGUSHËLLIME TË AFËRMVE 
ORA:20:50 -
 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu dhimbjen e thellë për pasojat e aksidentit tragjik ku humbën jetën 12 studente dhe 22 të tjera u plagosën. 
“Në këto momente tronditjeje, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor shkojnë pranë të afërmve, familjarëve të viktimave të kësaj fatkeqësie, me lutjen që Zoti t’u japë forcë të përballojnë dhimbjen e që shpirtrat e tyre të prehen në paqe”- thuhet në mesazhin e kryeparlamentares. 
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për personelin e shërbimit mjekësor, forcat e policisë e të ushtrisë, pushtetit lokal dhe banorëve të zonës, për ndihmën e menjëhershme dhënë të plagosurve. 

FORCAT E ARMATOSURA DHUROJNË GJAK 
ORA:
20:40 - Forcat e Armatosura dhuruan gjak për të plagosurit në aksidentin e rëndë në Himarë. Deri në orën 20:40 kanë dhuruar gjak mbi 60 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë, midis të cilëve edhe zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi. Ndërkaq mbi 200 ushtarakë të tjerë janë në pritje për të dhuruar gjak. 

PIPERO: NË SPITALIN USHTARAK 12 TË PLAGOSUR, 10 NË VLORË 
ORA
20:20- Drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero deklaroi se transportimi i të plagosurve nga Himara drejt Spitalit Ushtarak ka përfunduar. 

“Në Spitalin Ushtarak janë 12 të plagosur, 2 më rëndë. Në Spitalin rajonal të Vlorës janë 10 studentë, një më rëndë”, deklaroi ai. 
Pipero falenderoi më tej qytetarët që janë sensibilizuar duke dhuruar gjak. 

OLLDASHI: NGA TË DHËNAT PARAPRAKE KUSHTET E RRUGËS S’JANË SHKAK I AKSIDENTIT 
ORA: 20:30 -
 Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi bëri të ditur sot pasdite se, presim të dhënat që do të dalin nga hetimet që po kryhen nga ekspertë të policisë për shkaqet e aksidentit, por nga të dhënat paraprake mësohet se nuk kanë qenë kushtet e rrugës shkak i aksidentit. 
Olldashi konfirmoi se të gjitha strukturat e shtetit janë mobilizuar për të përballuar situatën, ndërsa konfirmoi se po bëhen përpjekje titanike për të shpëtuar çdo jetë. 
"Si përfaqësues i qeverisë gjendem pranë për dhënien e çdo asistence jo mjekësore për të bërë koordinimin e institucioneve që mund të japin ndihmë mjekësore", deklaroi Olldashi. Ai bëri të ditur se një grup të rinjsh i Forumit Rinor të PD-së po i drejtohen Spitalit Ushtarak për të dhuruar gjak. 
Duke iu kërkuar përfaqësuesve të medias të jenë të kujdesshëm në publikimin e çdo emri, Olldashi njoftoi se Ministria e Brendshme po bën verifikimin dhe identifikimin e plotë të atyre që kanë humbur jetën. 

QEVERIA: 22 MAJI, DITË ZIE KOMBËTARE 
ORA: 19:40 -
 Me kërkesë të Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave shpalli datën 22 maj, Ditë Zie Kombëtare, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në ku humbën jetën 12 studente. 
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se “Kryeministri Berisha në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.” 
Mësohet se Kryeministri po bën çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë nga Çikago drejt Tiranës, “për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë”. 

Të martën në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. 
Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre.Ministria e Brendshme ngarkohet të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave. 

MJEKU: NJË STUDENTE ERDHI E VDEKUR, 2 TË TJERA NË GJENDJE TË RËNDË 
ORA-19:47-
 Nga Spitali Ushtarak, drejtori Bedri Mihja deklaron se aty kanë mbërritur deri tani 11 të plagosura, 2 prej të cilave në gjendje të rëndë, ndërsa njëra mbërriti e vdekur me helikopterin e parë. Ai shton se pritet të vijnë edhe 4 të plagosura të tjera. 
“Gadishmëria jonë është absolute, të gjitha sallat të hapura, mbi 60 mjekë e 150 infermirë të gatshëm. Të plagosurave iu bë i gjithë shërbimi i nevojshëm, ekipet janë në kokën e të sëmurave”, tha ai. 

META: NDAJMË DHIMBJEN ME TË AFËRMIT E VIKTIMAVE 
ORA: 19:20 -
 Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, shprehu solidaritet me familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. “Ndajmë dhimbjen me të afërmit e viktimave. Përgëzoj forcat e policisë, zjarrfikësit dhe mjekët për gatishmërinë e plotë.”- deklaroi Meta. 
Kreu i LSI-së theksoi se të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe anëtarët e LSI-së në Vlorë janë të gatshëm të dhurojnë gjak nëse nevojitet. 
“Çdo energji të fokusohet për shpëtimin e jetëve të të plagosurve.”- nënvizoi Meta. 

RAMA APEL PËR TË DHURUAR GJAK 
ORA-19:10- Lideri i opozitës i ndodhur në spitalin Ushtarak, ku dhuroi gjak pas tragjedisë, lëshoi një apel për të gjithë qytetarët që të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë njerëzore. 
“Fjalët janë të tepërta, gjë e cmuar që sa më shumë njerëz, të reja e të rinj të vijnë në qendrën e dhurimit të gjakut, është shumë e nevojshme, pasi i gjithë personeli po bën të pamundurën. Të mbështesim ata që janë tani në operacione në spitale dhe në terren. Është një ngjarje e tmerrshme që duhet të shpëtohet gjithcka që mund të shpëtohet në frymë njerëzore dhe se am pake familje te vuajne kete dhimbje”, deklaroi Rama. 

TOPI NË SPITALIN USHTARAK: SHTETI ËSHTË NË KËMBË 
ORA: 19:05 - Presidenti Bamir Topi vizitoi në Spitalin Ushtarak katër vajzat që u transportuan me helikpoter nga Himara menjëherë pas aksidentit tragjik në qafën e Vishës. 
Në një prononcim për mediat Presidenti theksoi se në këto momente të vështira shteti është në këmbë ddhe po bëhet e pamundura për tu ardhur në ndihmë të lënduarve. “Ngushëllime familjeve të viktimave. Kam besim se i gjithë shërbimi i kualifikuar i traumatologjisë do të bëjë maksimumin e vet.”- deklaroi presidenti Topi. 

KRYQI I KUQ: QYTETARËT TË DHUROJNE GJAK 
ORA-19:00- Përfaqësuesja e Kryqit të Kuq Shqiptar në një komunikim me News 24 i bën apel qytetarëve shqiptarë për të dhuruar gjak. 
“Ndërgjegjësohuni me situatën, dhuroni gjak në bankat e gjakut pranë spitaleve dhe jashtë spitaleve”, thotë ajo. 

STUDENTJA: AUTOBUSI LËVIZTE ME SHPEJTËSI 
ORA 18:43-
 
Në një dëshmi për News 24, njëra prej studenteve që udhëtonte në autobusin e aksidentuar, e quajtur Ticiana Hysa, e cila ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën ka bërë edhe rrëfimin e parë, për të zbardhur shkakun e aksidentit. Sipas saj, autobusi udhëtonte me shpejtësi të madhe. Ajo shton se shkak për aksidentin është bërë pikërisht shpejtësia. “Nuk e mbaj mend sa veta ishim me saktësi, ndoshta 30, ndoshta më shumë. Ishte faji i shoferit se ikte me shpejtësi, ishte kthesë”, rrëfen ajo.

TOPALLI, VASILI E TAFAJ DREJT HIMARËS ME HELIKOPTER 
ORA-18:37-
 Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj janë nisur drejt Himarës me njërin prej helikopterëve që transportoi në Spitalin Ushtarak, studentët e plagosur rëndë. 

GORO: FAMILJARËT DO KENË NDIHMËN E NEVOJSHME 
ORA-18:40 -
 Në një lidhje telefonike për NEWS24, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro konfirmoi se 11 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit tragjik, të ndodhur pasditen e sotme në qafën e Vishës. 
Kryebashkiaku Goro shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe i siguroi ata se “do të kenë ndihmën e institucioneve lokale deri në momentin e fundit, për çdo nevojë që do të kenë.” 
“Ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur vitet e fundit në Himarë. Është bërë ç’është e mundur që tu jepej ndihmë sa më parë të lënduarve.”- u shpreh Goro. 

PRESIDENTI TOPI: NGUSHËLLIME TË SINQERTA FAMILJARËVE 
ORA: 18:25-
 Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot pasdite, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, që humbën jetën si pasojë e aksidentit rrugor pranë Urës së Vishës në Himarë. 
“Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe.”- theksohet në mesazhin e Presidentit Topi. 
“Duke ju siguruar që të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë, më lejoni t’ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional! Njëkohësisht u uroj shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur!”-përfundon mesazhi i kryetarit të shtetit. 

MBERRIJNE NE SPITALIN USHTARAK 4 TË PLAGOSUR RËNDË 
ORA-18:20- Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë mbërriti në Spitalin Ushtarak, për të sjellë 4 studente të plagosura rëndë, në aksidentin tragjik të ndodhur sot.  Në Spitalin Ushtarak, raportohet se ndodhen edhe ministrat e Shëndetësisë e Arsimit, përkatësisht Petrit Vasili e Myqerem Tafaj. 
Ndërkohë që po transportohen edhe 5 të dëmtuar të tjerë.

RAMA DHURON GJAK PËR TË PLAGOSURIT NË SPITALIN USHTARAK
 
ORA: 19:10
 - Rreth orës 18:00 në Spitalin Ushtarak në Tiranë ka mbërritur Kryetari i PS Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët socialistë Gramoz Ruci, valentina Leskaj, Taulant Balla dhe Shega Ligori. 
Kryesocialisti Rama i është drejtuar Qendrës së Dhurimit të Gjakut të këtë spital, ku ka dhuruar menjëherë gjak në ndihmë të të plagosurve të kësaj tragjedie të ndodhur në Himarë. Po ashtu, gjak kanë dhuruar edhe deputetët socialistë Taulant Balla dhe Shega Ligori. 
Edhe të rinjtë e të rejat e FRESSH-it i janë bashkuar thirrjes për të dhuruar gjak. Dhjetëra të rinj të Forumit Rinor i janë drejtuar Qendrës së Dhurimit të Gjakut pranë Spitalit Ushtarak për të dhuruar gjak, në ndihmë të të plagosurve që kanë nevojë.

RAMA: AKSIDENT TRAGJIK, SOLIDARITET KOMBËTAR 
ORA-18:00- Edhe lideri i opozitës, Edi Rama ka shprehur solidaritetin me ngjarjen e rëndë, ndërsa ka ftuar personelet shëndetësore të bëjnë të pamundurën për t’ju ardhur në ndihmë studentëve të përfshirë në aksident. 
“Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen”, deklaron Rama. 

BERISHA NGA CIKAGO: PIKELLIM PER NGJARJEN
ORA-17:55- Menjëherë pas aksidentit tragjik në Himarë, zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se “kryeministri Berisha u informua në Çikago për aksidentin me pasoja tragjike”. 
Sipas Kryeministrisë, “Berisha është në kontakte të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët kërkon të bëhet çdo gjë për të shpëtuar jetën e tyre”. 
Kryeministri Berisha shpreh “dhimbjen, pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe u shpreh ngushëllimet me të thella familjarëve të viktimave.” 

NGA ELBASANI U NISËN DY AUTOBUSË ME 75 STUDENTË 
ORA 17:30- Korespondenti i Elbasanit, Fatmir Popja, saktësoi se studentët i përkasin Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të degës Gjuhë-Letërsi. Ai shtoi se rreth mesditës studentët ishin nisur me 2 autobusë nga Elbasani për të kaluar 1 ditë pushimi në Sarandë. 
Sipas tij, njëri prej autobusave, ai me targë El 2274 është rrëzuar në humnerë. Gjithsej numri i studentëve është 75, të ndarë në dy autobusë, ndërsa shoqëroheshin nga 3 pedagogë. "Janë nisur dy autobusë me 75 studentë, do kalonin vetëm një natë në Sarandë, njëri me 40 studentë dhe tjetri me 35 studentë, shoqëruar nga 3 pedagogë". 

POLICIA: 11 TE VDEKUR 22 TE PLAGOSUR
ORA-17:21-  Rreth orës
16.15’ të ditës së sotme është marrë informacion se në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga. 
Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. 
Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës. 
Drejt vendngjarjes është nisur gjithashtu dhe Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt vendngjarjes janë dërguar helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. 
Po ashtu janë nisur dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vendngjarje janë dërguar dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe janë krijuar grupe të posaçme me ekipe mjekësh, ndërkohë që ambientet spitalore janë vënë në gatishmëri të plotë. 
Policia rrugore po punon për mbajtjen hapur të akseve rrugore për dhënien e ndihmës së shpejtë. Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Një ndihmë të madhe po japin dhe banorët e zonës. 
Deri në këto momente janë nxjerrë nga automjeti të dëmtuarit dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 33 studentë. Nga të dhënat paraprake rezultojnë 11 të vdekur dhe 22 të plagosur. 
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë. 
Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë. 
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: