Elvi Sidheri: Përrallat me Erdogan dhe lum kush u beson!
| E Diel, 13.05.2012, 09:58 AM |

Përrallat me Erdoğan dhe lum kush u beson!

Nga Elvi Sidheri

Doli në dritë nja një javë më parë, aty mes lajmeve për kampionate Europiane që po mbaronin dhe “bëmash” të Reality Show-t më origjinalisht të panevojshëm që historia televizive ka krijuar, pra Vëllait të Madh, diku aty mbiu edhe ky lajmi për të cilin po flas.

Në FaceBook-un shqip dhe shumë faqe të tjera interneti nëpër botën ndërshqipfolëse, u hodh si një bombë dore me shpërthim të menjëhershëm, lajmi prepotent që na bënte të ditur një të “vertetë” rrënqethëse!

Mishi na u bë kokërr, siç do thoshin gjyshërit tanë në një shqipe pak të dalë mode tashmë, pasi lexuam se burri i botës nga Azia e Vogël, kryeministri i Turqisë të cilën e shpallim herë motër, herë nënë largqoftë, ky njeri na paska thënë se për “vëllezërit” shqiptarë do tundte qiell e tokë!

Hapu o dhé e bëhu gropë e thellë ku të futet ky vend e pastaj të vijnë turqit që pikërisht mbi atë tokë të porsamihur, të vënë ndonjë lule, ato Lale-Tulipanët e tyre mundësisht!

Ku i dihet që ndonjë ditë ai dheu ynë edhe do hapet dhe do e gëlltisi këtë rracë tonën, për shkak të aq budallallëqeve me të cilat po e ngopim ditë për ditë, një nga më të spikaturat e të cilave ishte edhe kjo e fundit.

Duke u kthyer tek tema jonë, atë pasdite kur u përhap lajmi, më erdhi papritmas në mendje edhe një këngë në mos gabohem gjirokastrite e kohës së Partisë.

“Atë ditë që erdh haberi, dilni se erdhi Enveri” (Kumandari siç i thonë në jug apo Merhumi siç i kemi thënë në Tiranë)!

Dhe “haberi”, apo edhe sihariqi siç do i thuhej nga partizanët e gjysmaturqisht të folurës në shqip, erdhi me të vërtetë.

“Kumandari” për dhe nga i cili vinte haber-lajmi, s’ishte më Shoku sekretar i parë i Byrosë Politke të Komitetit Qëndror të Partisë, por “vëllai-kardeş” Erdoĝan.

Kështu i madh e i vogël, në shpurën e filoturqizmës, kërcyen përpjetë nga entuziazmi dhe sot e kësaj dite s’kanë pushuar së foluri për këtë gjë.

S’do mend, se nga legjenda e fundit me turq shpëtimtarë, kanë kaluar jo pak por plot 15 vjet të gjata dhe akoma komentet për Turqinë që na “shpëtoi” në 97-ën s’kanë mbaruar.

E ka edhe komente më të vjetra se po kjo Turqia zemërmadhe dhe “veçanërisht” e dhembshur përkundrejt shqiptarëve, na ka mbajtur jo në pëllëmbë të dorës, por ku i dihet edhe kalaqafë dhe rrjedhimisht pa dyshim na ka shpëtuar identitetin tonë kombëtar etj.

Çdokush ka liri mendimi dhe po aq kushdo mund të gjykojë historinë si t’ia ketë qejfi për çdo çështje, ndaj dhe kush ndan këtë mendim është i lirë të vazhdojë të besojë çfarë t’ia ketë ënda.

97-ën e nëmur të gjithë e mbajmë mend dhe po aq edhe dëshirojmë t’a fshijmë nga memorja jonë e traumatizuar, si një nga kapitujt më të errët në absolut të historisë së Shqipërisë moderne, në të njëjtën shkallë me Kryengritjen HaxhiQamiliste të 1914-ës, apo shitjen e Shkodrës tek Malazezët në 1913-ën, si dhe marrjen me dhunë vëllavrasëse të pushtetit nga komunistët filo-jugosllavë në 1944-ën.

Pse punët shkuan ashtu para 15 viteve, janë analiza të shumta që e tregojnë këtë gjë.

Grekët e stimuluar nga paaftësia jonë shqiptare për t’a mbajtur shtetin tonë në këmbë dhe jo vetëm aq, por edhe nga dëshira jonë e pandalshme për t’a djegur rregullisht nga themelet shtetin që vetë me shumë mund kemi ngritur, ata sigurisht që në 97-ën patën rolin e tyre.

Rol që kulmoi më një vizitë jashtë çdo rregulli ndërkombëtar të një ministri të tyre, pa lejen e autoriteteve qoftë edhe të përmbysura shqiptare, në shtabin e Komiteteve të Shpëtimit në jug të vendit.

Se sa shërbime sekrete të huaja kanë bërë “pallë” në kuptimin e vërtetë të fjalës, në Shqipëri gjatë ngjarjeve të atij viti të mbrapshtë, as që mund të llogaritet!

Helenët kishin pjesën e tyre në atë situatë të ndërlikuar, po aq edhe neve që e çuam vetveten në atë gjendje që të tjerët të harbonin lirshëm në territorin tone, kishim përgjegjsinë kryesore për mëkatet tona.

Por në gjithë këtë kënetë thashethemesh për 97-ën, sidoqoftë spikat dukshëm, pretendimi se Turqia e kryeministruar nga një femër në atë kohë (Tansu Çiller), ndërhyri me forcë diplomatikisht duke na mbrojtur neve integritetin tonë territorial nga agresioni i fqinjëve.

Kjo këngë është kënduar prej vitesh dhe me siguri do vazhdojë me po kaq prepotencë të mbahet si një iso e e kalbur edhe për shumë kohë të tjera.

Derisa një ditë, ku i dihet të marrë edhe trajtat e ndonjë eposi kreshnikësh, e bashkuar dhe e përzjerë mirë me bëmat e mëparshme në të mirën e shqiptarëve (apo Arnautëve, për t’a thënë troç siç i ka hije turqisht?) të Perandorisë Osmane dhe veprat e vyera të mëtejshme të burrit të madh të shtetit dhe mikut tonë të “madh”, kardeş Erdoĝan-it.

Kështu s’do habitur po qe se një ditë, në vend të trimërive të Mujit, Halilit apo Gjergj Elez Alisë, të dëgjojmë për veprat heroike të Kardeş Başbakan Kryeministrit turk, ashtu si edhe për dashurinë e madhe ndaj nesh të kryeministres turke që na paska shpëtuar në 97-ën, po aq sa edhe për përkujdesjen e veçantë që historikisht na kanë dedikuar të gjithë Sulltanët e Madhërishëm turko-osmanë.

Në 97-ën vendi ynë rrezikoi kolapsin institucional dhe financiar, por aspak atë territorial!

Kjo me dëshirën apo jo të Helenëve, Serbëve apo edhe Turqve.

Nuk rrezikoi territorialisht sepse këtë territor e ka merituar me gjak kur dikur tashmë 100 vite më parë, shpalli përkundër të gjithëve dhe gjithçkaje pavarësinë e saj.

Nuk rrezkoi në 97-ën e vonë terrtorin e vet sepse çdo kënd të tij kishte ditur t’a mbronte dhe t’a dëshmonte si shqiptar.

Sepse në 1912-ëm që Shkodra të mbetej shqiptare, përreth atij qyteti, lanë kockat më shumë se 16.000 serbë e malazezë.

Sepse vetëm në krahinën e Lumës serbët lanë edhe nja 12 mijë deri në 14 mijë ushtarë të tjerë të vrarë në fushën e betejës dhe u mundën aty me turp.

Sepse tokat shqiptare deri në bregdetin e Durrësit, sot e kësaj dite janë mbushur me varre të humbura mijëra ushtarësh serbë që u asgjësuan me një forcë mbinjerëzore nga rezistenca e pamposhtur e shqiptarëve.

Po ashtu sepse më në jug, helenët e hedhur me egërsi drejt thellësisë së tokave shqiptare, u bllokuan heroikisht në Janinë dhe më pas me sukses në Korçë nga Grëmenji e Grameno me shokë gjatë Republikës Shqiptare të Korçës.

Dhe sepse në fund pas tentativës së fundit pët rindarjen e asaj që mbetej nga ambienti natyral etnik shqiptar, në 1919-ën, shqiptarët gjetën një mik të madh tek amerikanët dhe presidenti Wilson dhe vetë përzunë në det edhe batalionet e fundit Italiane nga Vlora!

Shqipëria po ashtu nuk rrezikoi aspak territorialisht në 97-ën, sepse kufinjtë e saj ishin sqaruar njëherë e mirë që në 1924-ën, me shkëmbimin e Shën Naumit të pabanuar, me Vermoshin e banuar nga mijëra malësorë shqiptarë, i cili u shpëtua kështu nga kthetrat e malazezëve të pangopur.

Dhe gjithashtu sepse në Shqipëri nuk ka minoritete të vërteta, të paktën jo më tepër se ç’ka në Francë, Itali a Gjermani, në përqindje tejet të papërfillshme.

Ndërkohë që vendi ynë rrethohet nga territore shqiptare nga të gjitha anët dhe degët e gjuhës së tij zgjaten deri larg në Ishujt Grekë e Peloponez.

Një vend i tillë nuk rrezikon dot dhe si vajtën gjërat pak më vonë, në të kundërt territoret e lira apo afërsisht të tilla shqiptare, u zgjeruan edhe me Kosovën dhe në njëfarë stadi edhe me zonat shqiptare në Maqedoni.

Kështu që pallavrat për një rrezik territorial të Shqipërisë në 97-ën bien që në fillim dhe po aq edhe shpikjet për një ndërhyrje shpëtuese të Turqisë në këtë aspekt, në atë vit.

Dhe kryesisht, rendi botëror, për fat të madh, nuk drejtohet as periferikisht nga Turqia, siç po tregojnë edhe ngjarjet e fundit në Siri, të inspiruara qartësisht nga gjeopolitike aktuale turke, e cila ndodhet totalisht e pafuqishme ndërkohë që të mbështesë hapur kryengritësit anti-Assad, të cilët regjimi i atij vendi i shtyp qetësisht ditën për diell pa marrë fare parasysh reagimin turk.

Turqit ishin fare pa ndikim edhe në Libi, ku Gedafi u përmbys pa shumë mund nga Francezët e Amerikanët.

Po aq turqit, janë me ndikim të kufizuar edhe në Irak ku më shumë kanë rëndësi kurdët, si normalisht Amerikanët apo edhe Irani tek Shiitët vendas.

Republikat turkofone ish-Sovjetike, janë të humbura prej kohësh prej turqve, qoftë edhe mbas pavarësisë së tyre formale nga BRSS-ja, pasi aty ende ligjin “de facto” politik, gjuhësor dhe kulturor, vazhdon t’a bëjnë Rusët.

Prej ca vitesh, turqit i kanë hyrë me zell të madh edhe çështjes përjetësisht të pazgjidhur palestineze, por edhe aty pak kanë qullosur.

Maksimumi që kanë fituar pas futjes së hundëve në mozaikun e ngatërruar të Lindjes së Mesme, janë disa kredenciale të ftohta morale, por njëkohësisht asnjë rol të vërtetë në terren, ku ende siç është normale që të jetë, dominojnë Amrikanët, Izraelitët, vetë palestinezët dhe fraksionet e tyre dhe deri diku edhe Irani me milicitë që i armatos dhe të cilat i mbajnë krahun.

Të mos flasim pastaj edhe për mitin e rradhës lidhur me turqit dhe fuqinë e tyre të presupozuar ushtarake.

Pa u futur në detaje që më mirë i dinë specialistët e kësaj fushe, ajo që sidoqoftë mund të provohet pa frikë, është se me përjashtim të luftës çlirimtare të forcave Qemaliste në vitet 1920-të kundër grekëve, përveç një pushtimi të çerekut të ishullit të Qipros, ku për kundërshtar “Ushtria e Hekurt Turke” kishte vetëm ca greqër qipriotë që dyshoj se e dinin nga binte me origjinë pushka apo automatiku, asnjë rast a konflikt tjetër s’e ka provuar fuqinë reale ushtarake të shtetit turk gjatë rreth 90 vjetëve.

Ndërkohë edhe në një përballje ushtarake, ku vetë turqit nuk ndërhynë drejtpërdrejtë, por ku mbajtën anën e një pale ndërluftuese turkofone, atë Azerbajxhan-Armeni për rajonin e kontestuar të Naghorni Karabakut, aty po ashtu pala që ata mbështetën humbi e edhe në ditët e sotme, rajoni në fjalë i banuar me armenë si dhe 20% e territorit azerbajxhanas është nën kontrollin e Armenëve.

Kështu turqve të cilëve oborrin e shtëpisë (Lindjen e Mesme dhe Republikat Turkofone të Azisë Qëndrore), ua ka marrë si zonë influence tjetërkush, tani prej ca vitesh i janë hedhur Ballkanit me mjete të ndryshme.

Strategji që përfshin investimet e mirëmenduara financiare, kulturore por edhe që synojnë ringjalljen e ndjenjave filoturke, që për të thënë të drejtën kurrë s’janë zhdukur komplet.

Suksesi i tyre më i madh dhe i dukshëm në këtë strategji, më rezulton të jenë serialet e tyre televizive, që vërtetë përfshijnë gjithë gadishullin, si as vetë perandoria e tyre osmane s’pati bërë dot asnjëherë.

Më pas, filoturqit kryesisht në anën Boshnjake të Bosnje-Hercegovinës apo në Sanxhak, kanë kohë që veten e shohin më tepër si një lloj turqish serbishtfolës, sesa si një popullsi më vete.

Problemi i tyre absolutisht ky, i cili neve si shqiptarë as që do të duhej të na interesonte!

Por sido që të jetë, evoluimi i tyre është i rëndësishëm për të parë rrezikun që paraqet këmba e gjatë dhe hija e zezë turke në rajonin tonë.

Boshnjakët, pa u rënë mendja se janë sllavë me fe të ndryshme nga serbët a kroatët, apo edhe thjeshtë se vijnë nga bogomilët e dikurshëm të persekutuar nga të dyja versionet e krishtërimit, Katolik e Ortodoks, tani si edhe gjatë luftës së atyshme kur desh u shfarosën fare, vetveten dhe etnicitetin e tyre e njëhësojnë me fenë e tyre dhe rrjedhimisht në një hap të mëtejshëm janë një strehë perfekte e rifutjes turke në Ballkan.

Si njerëz pa identitet apo edhe me identitet të dyzuar, Boshnjakët si edhe Maqedono-sllavët aktualë, janë përherë në dilemë se kujt i përkasin dhe kështu janë edhe të manipulueshëm nga kushdo të mundet, në rastin tonë sa i përket Bosnjes, nga turqit dhe jo vetëm ata.

Kështu e kanë pësuar shumë shqiptarë në Mal të Zi, që tani për shkak të humbjes identitare dalin si boshnjakë në regjistrime e jetë të përditshme, apo të tjerë në FYROM nga Resnja, në Gostivar, Dibër të Madhe e më tej, që humbin natyrën shqiptare e mbesin turq e torbeshë.

Po në këtë mënyrë pjesa filoturke apo e turqizuar, me pretendimet se turku na ka shpëtuar nga asimilimi duke na turqizuar fetarisht dhe kulturalisht një pjesë të trungut tonë kombëtar, është njëkohësisht edhe mbështetësja më e flaktë e tezave se shqiptarët sipas ndarjes fetare janë grekë, turq apo katolikë (të cilëve s’u kanë gjetur dot akoma ndonjë kombësi për t’i shkrirë).

Për fat gjërat në të vërtetë janë shumë të ndryshme nga çfarë kjo propagandë disfatiste e qëllimshme, prej shekujsh tenton të shpallë e përhapë.

Shqiptarët janë një, mbi diferencat e tyre rajonale e fetare.

Katoliku shqiptar e di që gjuha e tij është shqipja e lashtë dhe feja e tij nuk e njëhëson me këdo katolik tjetër (dhe s’e bën as Kroat e as Italian), por vetëm e afron me ta, ndërsa ai mbetet përherë po aq shqiptar sa të gjithë bashkëkombasit e tij, ndërkohë që atë fe të tijën e ka marrë prej shumë shekujsh, që nga profetët e parë të krishtërimit.

Myslimani shqiptar e di që gjuha e tij është shqipja, që gjaku i tij i rrjedh shqiptar nëpër vena dhe ai e di po ashtu mirë se feja e tij e afron atë me shumë banorë myslimanë të tjerë të botës, por vëllai i tij përherë do të mbetet shqiptari, i cilësdo feje ai të jetë.

Po aq Bektashiu shqiptar është krenar për fenë e tij, për Kryegjyshatën Botërore hijerëndë në Tiranë, për Malin e Tomorrit e për traditën e fesë së tij, por ai vëlla ka shqiptarin e jo shiitin e Irakut a Iranit!

Dhe pa dyshim që pa kaq shqiptari Orthodhoks (sipas shqiptimit të së folurës origjinale të kohës së shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Shqiptare rreth 80-90 vite më parë), vëlla ka vetëm shqiptarin dhe gjuhë shqipen tonë të mrekullueshme, gjuhën e Kostandinit të Madh, Perandorit Ilir nga Nishi i lashtë që hodhi themelet e Fesë aktuale të Krishterë Ortodokse.

Me kohën dhe përçarjet e shumta, si dhe shtypjen e madhe të mirëkoordinuar Turko-Heleno-Serbe, shumë pjesë të trungut shqiptar, nga myslimanët e Sanxhakut e Pazarit të Ri (tashmë boshnjakë totalisht), tek të tjerë malësorë katolikë të Malit të Zi, tek shumë myslimanë e ortodoksë të FYROM-it e të tjerë të krishterë shqiptarë të Helladhës, janë fshirë e asimiluar nga fqinjët.

Por ka po kaq të tjerë më të shumtë, si Ortodoksë, Myslimanë, Katolikë apo Bektashinj, ende të gjallë e të cilët jetojnë e frymojnë si shqiptarë.

Nga Arbëreshët e krishterë të Italisë, tek qindra-mijërat shqiptarë ortodoksë të Greqisë ku akoma gjuha jonë mbetet e folura e tyre amtare, deri tek të tjerë shqiptarë myslimanë e edhe ndonjë i krishterë që po ringjallen nga zhdukja dhe asimilimi në FYROM.

Pashko Vasa dinte ç’thoshte dikur, e fjalët e tij për të mos parë Kisha e Xhamija, por fenë e shqiptarit që është mbi të gjitha SHQIPTARIA, mbeten përherë kumbuese dhe të forta.

Përrallat  me Erdoĝan si ajo e para ca ditëve, shfaqen herë pas here dhe qëllon që ka edhe se kush t’u besojë.

Edhe kjo punë zgjedhjeje të lirë është në fund të fundit.

Edhe që një lajmi të tillë, sado i gënjeshtërt të jetë, të ketë kush t’i gëzohet, edhe kjo çështje lirie mendimi mbetet.

Për fat të mirë, me çfarë u vu re kur bomba informative në fjalë u hodh në eterin mediatik shqiptar, gati asnjë media serioze nuk e mori atë për të mirëqenë dhe nuk denjoi t’a publikonte.

Por me siguri sot, pas kaq ditësh nga dalja e këtij lajmi, ka faqe të shumta diskutimesh në internet që ende tentojnë t’a riparaqesin si të një vërtetë këtë fallsitet të madh.

Gjysëm ore pas publikimit të një lajmi të tillë, që fliste për qëndrimet “burrërore” të başbakanit turk në mbështetje qoftë edhe ushtarake të kardeş-vëllezërve shqiptarë-arnautë dhe të drejtës së tyre për bashkim kombëtar me bekimin e Turqisë, pas kaq pak kohe pra, kushdo me mend në kokë e mori vesh se bëhej fjalë për një spekullim pa as edhe një element vërtetësie që ishte hedhur në internet.

Lëre pastaj që Turqia herën e fundit që ka pasur trupa ushtarake në Ballkan dhe kur si rastësisht janë përzënë me një kapitullim total nga ky rajon, ka qenë para 100 vjetësh kur quhej akoma Perandori Osmane dhe për krerë shteti kishte akoma Sulltanër të cilët shihnin me siguri të njëjtat ëndërra me sy hapur për madhështi turke, si edhe zoti.Başbakan-kryeministër që kanë tani.

Të flitej për atë temë, pas disa orësh nga publikimi i lajmit dhe do të konsiderohej si një marrëzi, pasi u duk qartë se s’kishte asnjë të vërtetë në atë njoftim.

Por të diskutohet akoma për këtë gjë pas kaq ditësh, është me të vërtetë për rekordin Guinness.

Tani edhe vetë Erdoğani të dalë e t’u deklarojë se as që i ka shkuar në mend t’i thotë ato fjalë, prapë kjo s’do të mjaftojë!

Kështu krijohen mitet e legjendat urbane!

Që başbakani turk ka dhënë atë deklaratë, është po aq e vërtetë sa edhe që në kanalet e ujërave të zeza dhe pusetat e Tiranës, ka krokodilë që notojnë aty të qetë.

Apo që fluturon gomari a ku di unë!

Por sidoqoftë, kushdo t’a ketë hedhur atë lajm në hapsirën e pamatë mediatike dhe të internetit, deri diku ja ka arritur qëllimit të tij.

Ka lëshuar edhe një përrallë tjetër për vëllain e madh turk.

Dhe nga ata që flenë më mirë duke u përkundur me përralla të tilla jo më me mbret siç thoshim ne kur ishim të vegjël, por tashmë me Erdoğan e Davutoğlu a ndonjë turk tjetër, ka shumë.

Por për fat prandaj jetojmë në një rajon të lirë, që secili të besojë atë që të dojë.

Edhe përralla të tilla!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: