Nexhmije Mehmetaj: Seminari mbarë kombëtar për mësuesit e Gjuhës Shqipe
| E Hene, 07.05.2012, 10:48 AM |

Seminari mbarë kombëtar për mësuesit e Gjuhës Shqipe

Nga Nexhmije Mehmetaj

Më 30.07 deri më 02.08.2012 do të organizohet për të tetën herë Seminari mbarë kombëtar për mësuesit e shqipes jashtë atdheut. Ky eveniment që tash më zhvillohet me suksese të madh për gjithë arsimdashësit që prej tetë vitesh, në bashkë veprim të dy ministrive MASH e Shqipërisë dhe MASHT e Kosovës, mikpritës do të jetë qyteti i bukur i Korçës.

Mësimdhënësit e çmojnë këtë ndërmarrje si ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare. Kështu rritet kultura dhe bashkëpunimi me shkollat e vendeve tjera ku janë mësuesit dhe nxënësit. Në këtë mënyrë krijohen vlera të rëndësishme në praktikën pedagogjike shqiptare, duke i dhënë  një ndihmesë të veçantë ngritjes  dhe modernizimit të mësimdhënies së gjuhës shqipe në mjedise dy gjuheshe.

S’do mend se në mësimin plotësues të gjuhës shqipe punojnë mësues të kategorive të ndryshme, të cilët, njëherësh mbartin dhe përvoja e nivele aftësish profesionale të ndryshme.

Shkëputja prej vitesh nga mësimdhënia, mësues të pa kualifikuar e përballin mësuesin e shkollës shqipe me vështirësi që nuk kalohen me lehtësi kur dihet se puna bëhet me klasa  kolektive.

Nisur nga ky realitet që ekziston në shkollat e mësimit në diasporë, seminaret mbarëkombëtare kanë vlera të pamohueshme, se i shërbejnë riformimit të mësuesve që punojnë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Seminari i përvitshëm vazhdon të ketë rol shumëdimensional shkencor dhe kulturor. Kjo është një shenjë alarmi, një trokitje e fuqishme një përkujdesje institucionale që mësuesi shqiptar me qëndrim të përkohshëm në vend tjetër e pret nga Atdheu.

Seminari  është emërtuar si  Korça  2012, do të zhvillohet në frymën e veprimtarive të 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, shkon përpara si një mesazher i diturisë për të gjithë mësuesit që punojnë ditë e natë të mbajnë gjallë dashurinë për gjuhën, vendlindjen, Atdheun, identitetin Shqiptar tek fëmijët e mërgimtarëve që po rriten në vend të huaj.


Delemont, 7 maj 2012

(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: