Elvi Sidheri: Pse FYROM-i dhe Vojvoda i ri gjejnë guximin t’i shpallin shqiptarët si vrasës në 2012-ën?
| E Shtune, 05.05.2012, 10:20 AM |

Pse FYROM-i dhe Vojvoda i ri gjejnë guximin t’i shpallin shqiptarët si vrasës në 2012-ën?

Nga Elvi Sidheri

Me këtë nofkë njihet gjerësisht në FYROM-land, kryeministri i gjithpushtetshëm i asaj republike, e cila dikur ishte edhe pjesë federative e ish-Jugosllavisë që patkonjtë nga dielli i ktheu nja 20 vite më parë.

Bëj fjalë sigurisht për Vojvodën e ri, një njeri të zgjedhur 3 copë herë si kryeministër i vendit të tij.

Ylli i tij i veçantë, nisi të ndritte me forcë, ditëve të errëta kur në të njëjtën kohë po fillonte të eklipsohej gjithmonë e më tepër një tjetër figurë “epike” e VMRO-së moderne, ajo e Ljupço “Vojvoda” Georgievski-t!

Ky djalë që dikur bërtiste “Solun e nash”, pra Selaniku është i yni, duke nënkuptuar kështu se qyteti më i bukur i Helladhës aktuale (i banuar historikisht nga shqiptarë, hebrej, grekë e bullgarë), ishte zonë e padyshimtë Maqedonofone, si edhe sllave.

Ky njeri pra, më vonë kishte arritur t’a ngrinte VMRO-në e zhdukur nga faqja e dheut në epokën e gjatë Jugosllave, në rangun e një partie që jo vetëm konkurronte denjësisht me ish-komunistët për pushtet, por edhe dinte që zgjedhjet t’i fitonte më në fund!

Si pasojë logjike, vetë Vojvoda Ljupço, kryeministër u bë dhe ia nisi që FYROM-landit të tij t’i thoshte që kokën t’a mbante sa më lart!

Gjë kjo që ilustrohej perfektësisht edhe në slloganet e fushatave elektorale të partisë së tij që përherë kulmonin tek fjalët magjike për bashkëqytetarët sllavë të vendit “gllavata gore”, gjithmonë dhe vetëm kokën lart o popull!

Por për fatin e tij jo edhe aq të mirë, Ljupçua jonë, s’vuri re se në ndërkohë në atdheun e tij, pati ndodhur një kryengritje e shqiptarëve të urryer, të cilët tanimë s’ja varnin kërcënimeve për shfarosje në dhoma gazi, as edhe apartejdit të tejzgjatur në ish-Republikën Jugosllave, të nisur që në 1912-ën nën bajonetat serbe dhe të vazhduar rregullisht me zell edhe më të fuqishëm, pas 1945-ës nga Maqedonasit e rinj.

Vojvoda si dhe miku i tij i shtrenjtë në armë dhe ide, Brat Lube (Boshkovski), ndërsa të dy verbërisht ecnin sipas parimit “Gllavata gore”, me kokën lart, humbën kontaktin me realitetin, duke mos parë më se ku shkelnin dhe në njëfarë pike shkuan e u gremisën shkëmbinjve, ashtu siç përfundoi edhe pushteti i tyre dhe i VMRO-së, bashkë me FYROM-landin, që rrezikoi seriozisht të dezintegrohej në 2001-shin.

Por teksa Vojvoda Ljupço duan të thonë se zdërhallej i pushtuar nga deliri i tij nëpër kryeministrinë ndënë Vardarit, diku ca kilometra larg Shkupit, në Haraçinë kryengritësit shqiptarë për ditë me rradhë arrinin t’i rezistonin me një forcë të pallogaritur tërbimit të sllavëve.

Ata s’pyesnin as për përqëndrimin në sulmin ndaj atij fshati të të gjithë fuqisë luftarake të FYROM-landit, të pasuruar edhe me ca palo tanke të ndryshkur bullgarë, dhe të helikopterëve ukrainas apo avioneve ushtarakë serbë.

Por ndërsa Brat Lube lëshonte rrufe të vakëta nga goja, duke premtuar shuarjen e kryengritjes dhe maksimumi që arrinte ishte masakra mbi civilët në Luboten, shqiptarët që kishin marrë armët, i shtronin rrugët a vendit me kamionë ushtarësh sllavo-FYROM-as, të hedhur në erë dhe kështu domosdoshmërisht lufta do të përfundonte me një fitore të plotë të shqiptarëve.

Triumf që do pranuar se u ndal ndoshta para kohe, pa e arritur komplet qëllimin e tij.

Sepse rrallë ka ndodhur që në një vend shumetnik, sidomos pasi njera etni (ardhacake) të këtë shkelur sistematikisht të drejtat e etnisë tjetër, të ketë pasur një konflikt të armatosur, që të ketë përfunduar me një arsyetim si luftë për të drejta civile!

Por qartësisht, as përtej Atlantikut tek dashamirësit tanë Amerikanë e aq më pak në BE, tek ata që në Perëndim ende duan të na shohin si “të njerkës” neve shqiptarëve, nga të dyja anët nuk del të jetë dëshiruar që FYROM-landi t’i mbyllte ditët e ekzistencës që në 2001-shin.

Gjë kjo, nga e cila sllavët e vendit, sërish gjetën rastin që të përfitojnë.

Sepse kjo për ta qartësisht përbënte një shans të dytë, për më tepër të pashpresuar gjatë sidomos verës së 2001-shit, kur ushtria e tyre shpartallohej rregullisht në çdo përballje me kryengritësit shqiptarë.

Marrëveshja e nënshkruar buzë liqenit të bukur, në ambientet komode të Vilës Titiste të Biljanës, sllavët i paraqiste jo si HUMBËS, siç edhe patën qenë gjatë konfliktit të armatosur, por si një palë ndërluftuese që në fund as kishte humbur e as fituar.

Po në këtë pozicion të gënjeshtërt shfaqeshin për habi në krahun e kundërt pas një përmbysje të pamerituar të roleve edhe shqiptarët, të cilët në terren patën fituar me forcat e tyre dhe në tavolinë duhet të nënshkruanin si të ishin të barabartë me të mundurit (sllavët) në fushën e betejës.

Që këtu filloi të dilte në pah edhe ylli personal i sipërpërmendur i Vojvodës se ri.

Katër vitet pas luftës, në pushtet panë të ngjitej partia majtiste post-komuniste dhe ish-kryengritësit shqiptarë që fuqinë e tyre luftarake e kishin transformuar në organizim politik, i cili që në atë kohë e deri akoma sot, vazhdon të dominojë skenën shqiptare të FYROM-landit.

Por sllavët e trembur deri në palcë nga lufta e 2001-shit, siç dëshmon me kokëfortësi historia me sllavët në përgjithësi, e kanë memorien historike të shkurtër dhe mbi të gjitha selektive!

Ata gjithmonë zgjedhin sipas preferencës se çfarë duan të mbajnë mend dhe kështu fshijnë si me gomë të thjeshtë shkollore, gjithë ngjarjet që s’u rezultojnë të favorshme ndaj tyre.

Dhe për të ndjekur këtë tendencë të versionit të tyre të kujtesës, kush më mirë se një Vojvodë i ri, do i ndihmonte që vendin e tyre t’a rilindnin edhe njëherë nga e para dhe mbi të gjitha këtë rilindje siç tradita e tyre sllave mëson, t’a bënin në kurriz të shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, por duke përfituar edhe nga abandonimi që Vojvoda i vjetër Ljupço i bëri VMRO-së nacionaliste, Vojvoda i ri ia doli të merrte si dhuratë partinë dhe iu vërsul pushtetit si një luan i vërtetë maqedonas, por më dhëmbë keci a qingji gjithmonë (jo rastësisht me luan të tillë e ka edhe stemën partia e tij).

Fitoi zgjedhjet që treguan se vitet e fshirjes së kujtesës për humbjen sllave të turpshme të 2001-shit, kishin kaluar dhe ja nisi punës së zellshme për rivendosjen e sistemit të preferuar të sllavëve, atë që shqiptarët përherë i sheh si demonër të këqinj dhe si njerëz për t’u trajtuar pa problem si të dorës së dytë.

Për t’a zbatuar planin e tij, nuk munguan si edhe gjithmonë nuk do mungojnë, mjaft shqiptarë që të tillë e shohin vetveten, si njerëz me kompleksin e vjetër sa vetë historia jonë e gjatë, atë të inferioritetit ndaj çfarëdo dhe kujtdo.

Këtë kompleks të rrënjosur thellë tek shumë shqiptarë, si serbët, turqit e helenët, e kanë shfrytëzuar sa herë iu ka ardhur rasti.

Vojvoda kryeministër dhe paraardhësit e tij sllavo-FYROM-as, kështu kanë pasur një shkollë të mirë ku të nxjerrin përfundimet e duhura për mënyrën se si të sillen me shqiptarët.

Filloi gjithçka me një “Prerodba”, rilindje e përcaktuar të bëhej edhe me hapa të ndryshëm, e cila sidoqoftë mund të sintetizohet pa shumë mundim me pak fjalë...Rilindje me 100 hapa, 80 nga të cilat janë hapa të shpejta prej vjedhësi të regjur, që ja mbath me të katërta pasi ka hyrë pa leje në shtëpitë e fqinjëve (shqiptarë, bullgarë, grekë) dhe aty ka ndukur ç’ka mundur, histori, heronj e mite dhe me to po ritenton sërish të mbushë historinë e tij të zbrazur nga çdo fije vërtetësie.

20 hapat e tjera, janë fshirje e opozitës brenda vendit, armiqësim sistematik me nënshtetasit shqiptarë, rrënim i ekonomisë së shtetit dhe i jetës së banorëve të tij pa përjashtim etnie dhe ngritje në nivel zyrtar të çmendurisë personale të Vojvodës kryeministër dhe i bashkëmenduesve si ai, që shoqërohet me një dëndje me monumente nga më të lajthiturit dhe të pakuptimtët që ka parë ndonjëherë syri i njeriut, i shesheve të FYROM-landit!

Ja edhe 100 hapat që na sjellin me vrap deri në ditët e sotme të 2012-ës.

Gati 11 vjet të plota nga konflikti i 2001-shit dhe Vojvoda kryeministër ia ka dalë, sipas mendimit të tij, t’a kthejë vendin edhe më mbrapa se ç’ishte në prag të asaj lufte.

Pasi me shumë pak përjashtime (2007 apo edhe Gostivar së fundmi), s’ka pasur se si t’ia dalë që të vrasi ndonjë shqiptar zyrtarisht, etjes për shpagim ndaj shqiptarëve që kanë gjithmonë sllavët të tij, i është përgjigjur me një kriminalizim “në tentativë” të tyre!

Këtë e ka bërë me një operacion bombastik, të stilit që vetëm sllavët dinë t’a vënë në skenë.

Jo rastësisht, në gjuhën tonë të bukur Shqipe, kemi një fjalë me origjinë frënge, Mizanskenë, që vjen nga “Mise en scène”!

I tillë  ishte teatri i fundit i absurdit që u luajt dhe po vazhdon të luhet fshatrave të Shkupit dhe Ministrive në po atë qytet.

Ndryshimi me shfaqje të turpshme të këtij tipi që janë luajtur në të kaluarën jo aq të largët, është se Vojvoda i ri dhe shteti i tij, lojën vrasëse, s’e luajtën më në kurrizin dhe gjakun e shqiptarëve apo edhe të ndonjë pakistanezi fatkeq si në 2002-shin, por u ranë në qafë për vdekje ca peshkatarëve të panjohur sllavë.

Peshkatarë që në vend të ndonjë peshku liqenthi me shije balte, kapën vetëm ca plumba të panjohur dhe të cilët aty mbetën si viktima të një krimi, i cili do të kujtohet në kohë dhe dyshoj se pikëpyetje do të ngrejë gjithmonë.

Sepse edhe 10 vite më parë, Brat Lube, ministër i brendshëm FYROM-as i kohës, u përpoq të luante të njëjtën lojë.

Ideja ishte identike, vetëm se Lubes i dhembi mesa duket shpirti, që të gjente si viktima të sakrifikueshme dhe të hiqte qafe, njerëzit e etnicitetit të tij sllav.

Ai e gjeti më të lehtë të bënte shoshë me plumba, ca pakistanezë të gjorë, të cilët fatalisht kishin gjetur t’i kalonin mespërmes pikërisht FYROM-landit, në rrugën e tyre drejt perëndimit.

Fabula e atij krimi shtetëror (pasi pakkush mund të besojë se zotëria e tij Lube, veproi në kokë të vet pa mbështetje shtetërore), ishte se “terroristët” e vrarë në betejë “heroike” me luanët maqedonas, ishin muxhahidinë të ardhur për të ndihmuar kryengritjen shqiptare dhe që do të sulmonin ambasadat perëndimore në Shkup.

Ambasada që në realitet, verën e 2001-shit ishin sulmuar egërsisht nga vetë sllavët e FYROM-it.

Askush s’e mori mundimin t’i besonte kësaj idiotësie në qarqet perëndimore dhe vetë sllavët FYROM-as, pas pak kohe e demaskuan ngjarjen si një tentativë e dështuar për të nxjerrë përfitime politike nga VMRO-ja dhe sigurisht për t’u hedhur një dorë faji shqiptarëve dhe luftës së tyre në 2001-shin.

Përpjekje të tilla nga sllavët e çdo lloji, janë bërë e do bëhen, s’ka njeriu ç’të habitet nga kjo gjë.

Serbët sot e kësaj dite përrallisin për ndihma muxhahidinësh fantomatikë për luftëtarët shqiptarë gjatë luftës së Kosovës.

Apo po ashtu janë serbët që këndojnë (kur në të vërtetë duhet të shkulnin flokët nga dhimbja) për beteja të humbura që nga 1389-a e deri në 1999-ën, duke i kremtuar me pompozitet humbjet e njëpasnjëshme, si të ishin fitore të mëdhaja.

Vetëm për luftën e 1999-ës në Kosovë, ka 1001 përralla serbe, që variojnë, që nga përballja e pakompromis me gjithë botën, ku sigurisht serbët dolën triumfatorë, sadoqë edhe vetë mund t’a kenë vënë re se vetëm nga jugu u mungojnë nja 10.000 km katrorë, që po t’u shtohen edhe territoreve të humbura ish-Jugosllave të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes, Malit të Errët, dalim edhe njëherë tek pashallëku i Beogradit i para 200 vjetëve.

Por kjo s’i pengon, që për të dhënë vetëm një shembull, Betejën e Koshares, t’a paraqesin si sukses madhështor të tyrin.

Kjo megjithëse në terren humbën pikën e rëndësishme kufitare, lanë aty sa të duash të vrarë, pësuan një kapitullim taktik etj.

Në versionin e tyre, që për më tepër edhe e besojnë seriozisht, UÇK-ja aty, sulmoi e mbështetur nga tërë artleria e Ushtrisë Shqiptare dhe forca ajrore e NATO-s.

Kjo jo me qëllimin për të marrë postën kufitare, por për të nisur një pushtim tokësor të Kosovës nga NATO.

Dhe e qartë që serbët “trima”, ja dolën të bllokojnë njëkohësisht UÇK, Ushtri Shqiptare dhe NATO në Koshare dhe mos t’i linin të vazhdonin më tej.

S’po flas këtu që Amerikanët s’kishin asnjë dëshirë lufte tokësore dhe me serbët denjuan të luftojnë vetëm nga ajri.

Se po të donin të hynin nga toka, siç Iraku na mëson, brenda natës ishin jo në Prishtinë, por edhe në Beograd, padyshim edhe në Dedinje ku Sllobo ëndërronte ende për hegjemoni serbe.

Sa për artilerinë e Ushtrisë Shqiptare, maji i 1999-ës në fshatrat e Kukësit (i mirëdokumentuar me pamje TV), tregon se ç’ishte në gjendje t’u bënte trupave komando serbe, të infiltruara brenda kufirit shqiptar, të cilët ato ditë panë ç’ishte të luftoje me grykat e topit e të tankeve, pasi deri atëherë ishin përballur vetëm me kundërshtarë trima, por të pajisur me armë të lehta.

Sllavët FYROM-as, s’kanë se si të mos këndojnë të njëjtën këngë debile të kushurinjve veriorë serbë.

Në luftrat e ish-Jugosllavisë, ka pasur deri diku infiltrim arabësh, gjatë konfliktit të Bosnjes, por ajo është një çështje tjetër.

Që vinte si rrjedhojë e izolimit të boshnjakëve, të cilët të gjendur pa mbështetje vendesh amë, siç kishin kroatët e serbët dhe pasi çmendurisht e shpallën vetveten jo si kombësi por si përkatësi fetare, atëherë pritën edhe ndihma njerëzore nga bota arabe dhe jo vetëm.

Pas lufte ato celula, u bënë problematike dhe si ka vijuar çështja dihet.

Por boshnjakët që të tillë nisën të quhen pas konfliktit, duke korrigjuar në këtë mënyrë gabimin trashanik që patën bërë më parë, sido që të jetë, në fund s’i shpëtuan nga shfarosja, ndihmësit arabë, por avionët dhe bombat Amerikane që u hodhën mbi kokat e serbëve, siç më pas ndodhi edhe në Kosovë.-Këto janë punët e tyre sidoqoftë.

Vojvoda i ri dhe sistemi i tij i maqedonizmës antike, ka bërë hopin cilësor, tashmë për t’ia arritur qëllimeve të tij, sakrifikon edhe bashkëkombasit sllavë.

Të ndodhi kjo sepse s’është më aq e lehtë në FYROM-land, të vrasësh shqiptarë, apo sepse kështu mendon ai se i arrin objektivat e tij, kjo pak ka rëndësi.

Ajo që ka vlerë të dihet, është se që njerëz si Vojvoda i ri apo kushdo tjetër në krye të VMRO-së, në mënyrë që të rrijnë në pushtet në atë vend, ata duhet të nxisin konflikt me shqiptarët direkt dhe indirekt apo tërthorazi me çdo fqinj tjetër.

Ky është një fakt me të cilin ne dhe sidomos shqiptarët e FYROM-landit, nevojitet të mësohen njëherë e mirë.

Bëma të tilla me terroristë, vrasje makabre etj, duhen pritur domosdoshmërisht të ndodhin dhe inskenohen apo montohen në të ardhmen, siç ndodhi edhe prillin e kaluar në Smilkovc.

Vojvodës së ri, për të mbetur në pushtet i nevojitet një konflikt i vazhdueshëm i brendshëm, i cili jo rrallë do të dalë përtej përplasjeve të vogla etnike nëpër gjimnaze dhe autobuza urbanë.

Ky lloj konflikti e mban atë dhe partinë e tij në paqe me votuesit e tij nacionalistë, të cilëve shija e hidhur e humbjes në 2001-shit, kurrë s’do u largohet dhe të cilët po ashtu çdokënd që lufton me shqiptarët , e shohin si udhëheqës apo Vojvodë të vërtetë.

Vojvoda i ri dhe pushteti i tij “so doverba i nadezh”, pra me besim dhe shpresë, siç ai vetë deklamonte patetikisht vite më parë, s’janë duke shkuar askund në drejtimin integrues.

Ndaj dhe konfliktit të vazhdueshëm të brendshëm, i shtohet një tjetër konflikt i jashtëm, herë i ngrirë e herë jo.

Konflikt me Greqinë për emrin, Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin dhe Serbinë për kishën.

Se çfarë pala sllave do të bëjë për t’a zgjidhur këtë problem i cili rrezikon seriozisht vetë themelet e brishta të shtetit FYROM, kjo është punë ekskluzive e tyre.

Sllavët ende përbëjnë njëfarë shumice numerike aty (të ngritur sidoqoftë mbi asimilime bullgarësh, shqiptarësh të krishterë e myslimanë, vllehësh e deri diku edhe serbësh kolonë), por edhe ajo për ta s’është më shumë e sigurtë në një këndvështrim largpamës.

Shqiptarët nga ana e tyre, nevojitet të jenë të pregatitur për çdo eventualitet.

Dhe kryesisht duhet të dinë kur është momenti dhe koha që të ngrenë zërin dhe të tregojnë fuqinë e tyre edhe në kohë të tilla të një paqeje relative.

Politkisht në FYROM-land, s’mund të ketë qeveri pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe në krahun shqiptar.

Me si kanë ardhur gjërat dhe me ndarjen e thellë që po ndodh edhe në kampin sllav, partitë shqiptare janë vendimtare edhe numerikisht në parlament, për të vendosur se kush do të qeverisë shtetin.

Ky pozicion i favorshëm dhe fitorja e 2001-shit, duheshin dhe duhen shfrytëzuar zgjuarësisht, siç deri tani rrallë ka ndodhur.

Prandaj deri më sot, edhe kaq vjet pas luftës, sllavët vazhdojnë të gëzojnë privilegje të pamerituara dhe të luajnë ende me fatin e shqiptarëve në FYROM, si pa gjë të keqe.

Sllavëve u duhet bërë e qartë se pa shqiptarët, nuk do të mund të ketë as shtet, as qeveri e as edhe Maqedoni, siç njihet sot të paktën.

Por këtë provë force, shqiptarët nevojitet të dinë t’a japin kur të jetë nevoja dhe jo rregullisht të flirtojnë me pushtetin që u lihet nga sllavët, më tepër se të mbështesin njëri-tjetrin.

Sllavëve u duhet lënë ajo që është e tyrja, apo edhe ajo ç’u kanë vjedhur të tjerëve, por jo ajo që është e jona!

Kështu do ishin shmangur jo vetëm pallavrat nëpër enciklopeditë e tyre, por edhe monumentet e shqiptarëve si vetë Aleksandri i Madh në mes të Shkupit, si Justiniani yni Ilir, apo edhe shtëpia bastarde e Nënë Terezës, që si pa të keqe është lejuar t’a ndërtojnë sllavët dhe ku sado të përpiqesh, s’mund të lexosh qoftë edhe një të dhënë të vetme se ajo është Shqiptare!

Por, për sa kohë ka shumë nga ata që kanë të tjera gjëra për të menduar, në vend që të merren më ruajtjen e kulturës dhe identitetit të tyre Shqiptar, atëherë edhe Vojvoda i ri dhe shokët e tij, do vazhdojnë me punën e tyre për kriminalizimin dhe dëmtimin e shqiptarëve.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: