Fatmire Duraku: Poezia e këputur
| E Marte, 01.05.2012, 10:00 AM |

Poezia e këputur

Nga Fatmire Duraku

Yllka Domi qe një çupë plot jetë. Me buzëqeshje të ngrohtë, të ngjashme me çeljen e lules në pranverë. Një çupë e talentuar, plot ëndrra për jetën, për të ardhmen. Shkruante vargje, mbante ditar. Vonë-në vjeshtën e jetës së vet, t`i rilexonte, të kujtonte udhët nga eci, t`i kujtonte ngjarjet dramatike nëpër të cilat kalonte ajo dhe populli i vet – i gatshëm të vdiste për lirinë dhe tokën e vet të lashtë.

Mbante ditar... shënonte aty data, ngjarje, që i përjetonte, copëza jete nga e përditshmja e ashpër, plot ndjekje dhe vrasje.

Shkruante vargje... për yjet dhe fluturat, për ëndrrat, për lulet dhe fluturimet e dallëndyshes, e cila do të thur folenë e vet nën strehën e shtëpisë së saj, pak mbi dritaren, në të cilën do të derdhej agu i mëngjesit të lirisë.

Priste agun, me të gjithë ne, bashkë me popullin e vet të etshëm për këngë, priste çeljen e lules së parë të kuqe nga gjaku, priste farfuritjen e yllit  agon në pranverën e madhe të lirisë. Priste ... kështu, t`i realizonte ëndrrat, që kaq herë i thuri në vargje. Priste të jetonte pa brenga fëmijërinë e vet, të merrte në dorë nga kopshti magjik i jetës lulen e rinisë së vet, të dëgjonte e lumtur këngën e zogut, të shikonte me kënaqësi fluturimin e dallëndyshes... Priste dhe të botonte ditarin e vet ndoshta dhe librin e parë me poezi me vjersha “Fluturimi me dallëndyshet”. Shumëçka u shemb, ra, veçse liria nuk ra, nuk ra as Yllka Domi, as vjershat e saj për lirinë dhe dashurinë për jetën, nuk ra as libri, i cili pas  vrasjes mizore nga forcat serbe do t`i botohet, ta përjetojmë dhe të jetojmë  me vargjet që i thuri. Asgjë nuk ra, vetëm mori formë tjetër – formë të kujtimit të përjetshëm, formë të përmendores, të përgjërohen aty brezat për lirinë dhe atdheun e vet, për të cilin nuk kurseu gjakun ata që nuk janë më mes nesh.

Ndiejmë dhembje  dhe krenari për ta, amshueshëm!

Ajo qe plot etje për jetë, e gjithanshme, e vyeshme;  nxënëse e shkëlqyeshme, valltare me invencion, aktore me perspektivë të ndritshme, ndërsa shquhej sidomos në shkrimin e poezisë. Në këtë sferë e dallonte një çasje mjaft e re, karakteristike, me ngjyrim të thellë shpirtëror, një lidhje e papërsëritshme me tokën dhe lirinë, me besën e lashtë, me tiktakun e zemrës së vet dhe të fjalës - poezinë, zërin e së cilës kaq kumbueshëm e dëgjojmë gjithherë-sa herë ta lexojmë, e ndiejmë ndër vargjet që na i la në trashëgimi.

Është e çuditshme dhe ndoshta e pabesueshme, veçse ka diçka nëpër vargjet e saj që parashikojnë se çfarë do të ngjajë, ka diçka të brendshme – ndoshta në ngjyrë, në ton, në rrjedhë, që nuk mund t`i kapërcesh aspak i qetë, që me zymtësinë dhe ritmin e rëndë të bindin,  ta rrisin ndjenjën,  se ajo e ndiente fundin e vet, vdekjen. Ja, ta zëmë, sa rëndë përjetohen vargjet e poezisë “Kënga e pranverës”,

“Nuk do të jemi bashkë,

Jetërave tona po u afrohet fundi...”!

Ose

“Amanet  ju lë...

Përmendore nuk dua!”...

Megjithatë, ajo me atë që shkroi, me atë që na la ta lexojmë dhe ta përjetojmë tash dhe në të ardhmen, mbeti të jetojë, mbeti përmendore e gjallë e fjalës dhe e një kohe të rëndë, plot tym dhe erë gjaku!

Me tone të rënda, të zymta dhe plot dhembje tingëllojnë vargjet e poezisë “Dashuria e amshuar”, nga e cila buron hamendja se ajo nuk do të shihet më me atë që e do,

“Mund të ndodh një ditë,

Pas një dite të thinjur,

Pas tymnajave e kundërmimeve të gjakut,

Shumë-shumë më vonë se kjo ditë,

Që unë të të mos shoh më –

Se kohë lufte është...”!

Disa nga poezitë e Yllka Domit mund të radhiten në dëshmi të njëmenda të vorbullës së luftës, të gjendjes shpirtërore në një stuhi të egër, te një kohe në të cilën çastet përjetohen rëndë, me shpirt. Këto copëza, vargje, e flasin gjithherë shpirtin, ëndrrën, dëshirën. Ja ta zëmë cila qe në ato orë tymi dhe gjaku, siç thotë me një rast, dëshira që e pushton poeten e re,

“Unë dua të këndoj,

Dikush më përgjon.

Unë dua të jetoj,

Dikush nuk më lejon”.

Në shumë poezi, me vargje të qarta dhe të forta ajo – sado në kohë të zjarrit dhe të hekurit, të luftës së ndyrë dhe të egër, shfaq dashurinë, shfaq guximin,

“Mos u shqetëso kur bubullon

Është gjaku yt i fryrë...”

Ka besim gjithherë, megjithatë, se do të agojë liria. Dhe, as bubullimat, as vetëtimat, asgjë nuk do të mund t`ia këpusin udhën, që të vijë dhe t`i ngrohë shpirtrat në vatrat dhe malet e tyre të lashta.

“Tërë jetën

Toka e Kosovës

Qau për shi.

Shiu do të vijë

Një ditë me liri”.

*

Yllka Domi u lind më 18 gusht 1982, në Gjakovë, ndërsa u vra në pranverën e luftës së madhe për lirinë e Kosovës, më 7 maj 1999. Pas kryerjes së shkollës fillore, u regjistrua në gjimnaz. Klasën e tretë të gjimnazit nuk arriti ta përfundonte. Emri i Yllkës filloi të bëhet i njohur që nga mosha 12-vjeçare me vjershat e botuara në “Gjimnazist”, në “ Zog mëngjesi”, “Mollëkuqja”,  pastaj në revistën “Pionieri”. Ishte nxënëse e shkëlqyeshme. Kishte prirje për poezi, por i pëlqente edhe arti pamor, muzika, vallëzimi dhe aktrimi. Shkëlqeu dhe mbeti e paharrueshme (me rastin e festës së shkollës) me vallen “Shota”, e cila u prezentua disa herë edhe në shkollat e tjera. Taleti i saj prej aktorje i ra menjëherë në sy aktorit Sylejman Lokaj, i cili e angazhoi në shfaqjen “ Romeo dhe Gjulieta ”, e cila për shkak të luftës mbeti pa u shfaqur. Dallohej edhe në deklamimin e poezisë. Në bazë të shënimeve të profesorit Blerim Valla, me rastin e festës së Flamurit me 28 Nëntor 1998,  Yllka fitoi çmimin e dytë me poezinë “ Ti fluturon me dallëndyshet ”, ndërsa me poezinë “ Lotët ”,  në orën letrare  “Pranvera e poezisë”,  fitoi shpërblimin e dytë. Me një shpërblim u nderua edhe  më 2 prill 1997, pastaj me rastin e fillimit të vitit shkollor më 13 tetor1997 po ashtu u shpërblye për poezinë “ Çfarë dëshiroj ”. Kjo poezi është zhdukur, apo është djegur, bashkë me përmbledhjen me poezi që e kishte në dorëshkrim. I mbetën vetëm dy fletore të vogla, që i mbante në xhep kudo që ikte nga zjarri dhe nga plumbat e armikut. Shkrimet në këto dy fletore, thonë prindërit, i kishte  bukëm dhe ujë, i kishte ajër, i ruante si sytë e ballit, i mbante me vete kudo, që me t`u çliruar t’i publikonte. Njëra ishte me poezi, ndërsa tjetra ishte një ditar, përmbante shkrime për tmerrin, nëpër të cilin po kalonte gjithë populli dhe ajo vetë. Për fat të keq, edhe ato u zhduken bashkë me trupin e saj të njomë.

Gazetari i njohur Chris Stephen në gazetën The New York Times, pasi kishte vizituar personalisht Gjakovën, menjëherë pas luftës, bashkë me shkrimin për vrasjen e saj kishte botuar dhe poezinë e Yllkës  “Kënga e pranverës”.

Qe tronditës lajmi se  trupi  i 17-vjeçares së vrarë nga forcat fashiste serbe, pas gati katër vitesh,në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë është zhvarrosur dhe identifikuar.” Mbetjet mortore u kthyen në vendlindje, në Gjakovë, bashkë me dhjetë martirë dhe më 23 dhjetor 2003, në kodrën e Cabratit u varrosën, që të mbeten përjetshëm një pjesë e përmendores së lirisë së Kosovës, përkrye të vërtetës se  vetë poetja e re në një varg të vetin porosit “Nuk dua përmendore”. Përmendore janë edhe kujtimet, edhe vjershat, edhe pikat e gjakut, edhe ëndrrat... Përmendore nuk është vetëm copëza e mermerit me emrat e atyre që e bënë këtë tokë të lashtë dhe këta njerëz të marrin frymë të lirë, pa prangat e robërisë së gjatë, që verboi vitet dhe sytë e kaq pranverash në këtë pjesë të botës.

*

Ditari i luftës së Yllka Domit u dogj, bashkë me shumë poezi. Megjithatë, nuk ra gjithçka. Ajo që mbeti, pjesa më e madhe e  botuar nëpër revista letrare dhe ndonjë në dorëshkrim, me angazhim të  Agim Bycit, poet dhe përkthyes, u mblodhën  pozitë e saj nga shoqet,  shokët, mësimdhënësit dhe të afërmit e Yllkës dhe u botuan. Libri “Ti fluturon me dallëndyshet”, u botua më 2001 nga “Lidhja e Gruas Shqiptare të Kosovës”. Ky libër me titull tjetër -“Fluturimi i fundit me dallëndyshet”, është përkthyer në anglisht dhe në gjermanisht nga Agim Byci, por ende - në mungesë të përkrahjes materiale,  nuk është botuar. Më 2002, klubi letrar "Gjon   Nikollë Kazazi" botoi librin tjetër kushtuar Yllka Domit, "Një yll i pashuar", i cili përmban mbresa, kujtime e krijime letrare kushtuar asaj nga miqtë dhe të njohurit, si dhe disa poezi të pabotuara deri atëherë të Yllkës, të gjitha të mbledhura nga shoqja e saj, Zana Bakalli.

Në shenjë nderimi për poeteshën e re e shumë të talentuar, bota letrare në Gjakovë themeloi çmimin letrar me emrin “Yllka Domi”,i cili  jepet për çdo vit krijueseve të reja për krijimtarinë e tyre poetike.

*

... e vranë një vajzë të mitur,    thotë arsimtari i saj Blerim Valla, te i cili ajo rendte në moshën 10-12 vjeçare me secilën vjershë të re që ai t`ia lexonte dhe t`i jepte mendim për të... - E vranë, por - nuk mundën ta vrasin kurrë shpirtin dhe poezinë e saj për dashurinë, lirinë, rininë, atdheun, jetën, vdekjen... Po, edhe për vdekjen, sepse disi ajo e kishte parandie fatin, e kishte parandie se do të vdesë, e kjo më së miri del në poezinë e fundit, "Ti fluturon me dallëndyshet"... Kështu, Yllka iku, por me shumëçka megjithatë është e do të mbetet mes nesh,  me vlerat e vërteta prej njeriu dhe prej poeteje. Dhe, në Çabrat, tek varri i nxënëses së vet, Valla me pietet ia rikujton vargjet e fundit, "Nuk dua përmendore", për të shkruar një varg tjetër për  Yllkën e etur për jetë, për Yllkën e amshuar - “Ti Yllka, me veprën tënde, e ngrite përmendoren e lirisë”.



(Vota: 130 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: