Kalosh Çeliku: Askushët edhe para syve nuk e shohin lirinë
| E Premte, 27.04.2012, 05:44 PM |

ASKUSHËT EDHE PARA SYVE

NUK E SHOHIN LIRINË

Nga: KALOSH ÇELIKU 

- O plak, pendohu për të gjitha ato që i fole në xhami!

- Kush je ti tani, që më urdhëron natën?! Përgjumshëm e thirr Shejtanin në minare. Edhe në Ditën e sotshme ma përmend autobusin, do të më përzësh në Turqi?!

- Unë?

- Po, ti.

- Unë jam Lugati i Koçajve. Bindu dhe lutu përpara këmishës së bardhë me oja deri në fund të këmbëve!

- Jo, or Lugat i Koçajve! Jo. Kam frikë mos më rrahin me dru kur të delë drita!

- Mos u tremb, o plak! Unë dal edhe ditën. Thuaj, atë ditë isha i marrë kur fola marrëzira në xhami!

- Ti thua që del edhe ditën, por ditën del pa këmishë. Lugatin ditën pa këmishë të bardhë deri në fund të këmbëve, nuk e kanë frikë njerëzit.

- O plak! Unë aq sa jam i rrezikshëm natën, jam edhe ditën.

- Të besoj, por kam frikë… Frikë… Ditën nuk ke këmishë të bardhë, por çallmë e Kur’an në vend të kësulës së bardhë të Bajram Currit.

- Plak, ti duhet të më kesh frikë mua, të kap për fyti, ta nxjerr shpirtin me thonj.

- Jo, or Lugat i Koçajve! Të marrët asnjëherë nuk frikohen nga ata më të rrezikshmit! E, as nga Bajlozët e Zi që dalin nga deti, po nga të urtët…

- Plak, do të pendohesh një ditë. Mos u përzi në punë të kojshive!...

- Kurrë! Eci pas një ylli.

- Ai yll të çon në varr.

- Plak, hiq dorë nga zbulimi i mëkateve! Mendohu edhe një ditë! Nesër, do të vij të bisedoj prapë një natë. Edhe të tjerët janë njerëz.

- Mos eja kurrë! Të mëshoj me shkop aty ku lidhet Sagjini, në lule të ballit. Vështirë e ke të më hipësh mua në autobus për në Turqi. Edhe, kush: Bërlloku shqiptar, që harron se unë vij nga Katundi i xha Derallës. Katundi, që vjet për vjet u ka ra stacioneve të policisë serbe e fashsite me armë në dorë. Mjafton të përmendim mësuesin e ardhur nga Shqipëria Llaqi Prenqi, që me nxënësit e katundit tim dhe flamurin kuqezi kombëtar në ballë e sulmoi stacionin e karabinierve në fshatin Shutovë të Kërçovës (1944). Flamur, që edhe sot e kësaj dite ruhet me xhelozi si kujtim në një familje të fshatit Cërvicë.  Përmëtepër, vij nga Katundi i xha Dulit i Riu, që krah për krahu me shokë edhe në kohën e egër komuniste me lodra e muzika veshur me tirqi, xhamadan e kësula të bardha i kanë rënë me këngë e valle përmidisi Çarshisë Kërçovës. Edhe atë, kohë kur ti je deklaruar si sllav e je regjistruar turk “ehamdurila”, unë me poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare përmidisi i kam rënë Çarshisë Shkupit nën Rrap me poezi. Të gjithë nuk jemi njerëz!...

Vështirë është të të bindin se si duhet të ecësh, kur ti ecën me vite e vite. Lirinë e sheh edhe pas maleve. Askushët nuk e shohin në mes të Ditës Madhe, as edhe para syve. Rrugës ke thyer këmbë… Duar… Kurrizin… Qafën… Ke ecur para… Përmbrapa… Lart… Poshtë… Nëpër bar… Ferra… Apo, cilin ta duash… Ta urrejsh… Vrasësh… Të gjitha i ke mësuar një nga një. I ke futur në gji. U ke rënë me këmbë. Ose, cili është i mirë. Cili i keq. Të gjitha i di ti. Të gjitha. Mu për këtë nuk dua të të rri mbi kokë me këshilla. Se, ti di vetë ta ndajsh bykun nga gruri në mes të Lëmës. Ec rrugës! Ec! Vetëm kjo rrugë të shpjer në Baba Tomor. Të gjithë nuk kemi merituar t’u marrim erë luleve. Dikush do të shtrihet në bajga… Kalbësira… Plehëra… S’i kemi hapur të gjithë sytë cilës rruge ecim nëpër errësirë. Na janë përzirë rrugët… Na janë bërë lëmsh… Disa nga ne fare s’e kanë kërkuar rrugën. Kanë hyrë kanaleve. Këtë e kanë bërë pse s’kanë ditur apo me dëshirë, është krejtë njësoj. Vonë, vonë kanë parë se një ecje e tillë symëshelë i ka qitur në gjiriz. I kanë rënë atij deti të zi me krimba kryemëshehtas, për t’u larë. Por, në vend që të lahen, janë çuditur kur kanë parë se si fytyrës u kanë ecur krimbat. Xhepat u janë mbushur me mut. Teshave teposhtë nga këmbët u ka rrjedhë ujë i zi…

- Tungjatjeta, plak-o! Tungjatjeta!

- O ti qenke, zoti Shkrimtar! Tungjatjeta!

- Plak, sot më duket, si herët ia ke nisur të flasësh rrugëve?

- Herët sot, zoti Shkrimtar, ka lindur Dielli…

- Po, ç’është plak, Ditë apo Natë?

- Ditë, zoti Shkrimtar… Ditë… Dritë…

- Plak, ec të të lexoj diçka nga gazeta!

- Zoti Shkrimtar, mos ka pjellë Bushtra këlyshë?!

- Po, plak! Përmëtepër, edhe qorra me katër sy. Dëgjoje deri në fund rrëfimin!

HOXHË EFENDIU - MJEK PA DIPLOMË

- Skandali para xhematit në xhami.

- Organet e sigurimit e arrestuan Hoxhë Efendiun.

- Kontrollimi në shtëpi. Te ai janë gjetur dy qerre me ilaçe, mjete më moderne të mjeksisë bashkëkohore dhe pesdhjetë thika për operime!!!...

- Kujdes i madh për “shërimin” e fëmijëve.

- Krimineli sipas veprës së kryer duhet të dënohet më së paku me dhjetë vjet burg.

Pas skandalit që ndodhi në xhaminë e Kryeqytetit, në mes të Plakut me Abetare dhe Hoxhë Efendiut, organet e sigurimit e arrestuan hoxhën. Në shtëpinë e tij pas një kontrollimi që bënë, gjetën dy qerre me ilaçe dhe mjetet më moderne të mjeksisë bashkëkohore. Në kontrollim e sipër gjetën edhe pesëdhjetë thika për operim!...

Gazetari i së përditshmes sonë që para një dite e vizitoi Hoxhë Efendiun në shtëpi, ku bëri edhe një intervistë me të për gazetë, solli edhe këtë informatë: Hoxhë Efendiu, pasi ka arritur suksese në shërimin e sëmundjeve të ndryshme në popull, ka shkuar të regjistrohet në Fakultetin e mjeksisë. Por, siç thotë ai vetë, për shkak të moshës nuk e kanë pranuar në Universitet. Edhe pas këtij mossuksesi Hoxhë Efendiu vazhdon të ushtroj në popull profesionin e mjekut dhe të hoxhës. Gjatë disa viteve pune të palodhur ai u solli vdekje të sigurtë dhjetëra fëmijëve, tre pleq i la pa sy e këmbë. Dhe, më se njëqind nuseve të reja u mundua t’ua shtojë bereqetin. Është interesant se, Hoxhë Efendiu më shumë kujdes u ka kushtuar fëmijëve shqiptar???!!!...

Në bisedë e sipër që patëm, inspektori i sigurimit publik tha: për zbulimin e këtij krimineli të rrezikshëm, ne i falemnderohemi Plakut me Abetare. Hoxhë Efendiu për këtë vepër penale mund të dënohet edhe me dhjetë vjet burg.

Hetimet vazhdojnë.

A. DERALLA 

- Zoti Shkrimtar, te ne populli thotë: Hu më hu, huni në bythë…

- Ore, lere gjithë e gjithë, po ai i paska pasur edhe thikat e operimit. Mirë që u zbulua me kohë, se do të na bënte të gjithëve një popull sallatë… Burra… Gra… Fëmijë…

- Budallai. Nuk i kanë mjaftuar hajmalitë, tabletat,  injeksionet, por ka dashur t’i përdorë edhe thikat.

- Plak, paskemi qenë ditëgjatë. Shpëtuam edhe kësaj radhe nga thikat.

- Zoti Shkrimtar, edhe nga thikat edhe nga hajmalitë…

Është kënaqësi e madhe të ecësh i lirë. T’i fusësh duart në xhepa dhe të dalësh në rrugë. Por, jo të ecësh me frikë. Të shikosh kush të vjen prapa… Anësh… Para… Ose, t’i trembesh çdo ferre… Lisi… Guri… Se, të jetosh gjithë jetën me frikë, është njësoj sikur nuk jeton fare. Po, a mundemi të çlirohemi nga frika? Jo. Nuk mundemi, se edhe frika është një lloj trimërie më vete… Vrapoj rrugëve të gjata herë me njërën këmbë, herë me të dyja këmbët. U turrem rrezeve të diellit si xhenazja varrit. Shkopin e kam ngritur lart në dor. Ndaleni! Heu, ndaleni! Juve ju bërtas, më kuptoni?! Dua të ju them dy fjalë në vesh! Afrohuni mos na dëgjojnë plakat! (…). Ë, ju dridhen këmbët? Keni frikë! Mos e lëshoj si lopa bajgën në mes të Lëmës. Jo. Hiqni nga koka ato marrëzira! Unë u tregoj si ecet rrugëve. Nga sa shkallë t’i kapërceni përnjëherë. Në cilën torbë e keni çelësin… O Zot, si më plakët para kohe. Po deri kur unë do të vrapoj para jush me kokën në torbë? Mos mendoni se nuk më duhet koka? Gabim. Dikushi kokën e ka si veksh. Po, ç’të duhet një kokë e tillë në qafë? Aq e trashë, aq e varfër. Aq e mjerë. Ikni! Ikni nga kokat e tilla, o njerëz! Mirrni nga sytë këmbët! Rrezik është të të turret një kokë e tillë rrugëve të Qytetit. Rrezik!... Po, ç’duhet bërë, e pyes veten në mes të këtyre mendimeve? Duhet të ecni rrugës me mend në kokë. T’i shihni gropat… Kodrat… Egërsirat… Mos e lakoni rrugën! Vazhdoni! Ecni! Vazhdimi është fitore. Në fund do të bindeni edhe vetë, se ditët e lumtura fitohen me luftë. Edhe Liria, që nuk e shohin Askushët. Dhe, asgjë nuk kanë bërë në jetën e tyre për Lirinë, por i ngatërrohen nëpër këmbë. Mjerë ai që është shtrirë të cofë në mes të udhës si qen me zgjebe…

- Plak, a të thash se Hoxhë Efendiu do ta gjejë nga Allahu?

- Po, zoti Shkrimtar. Vetëm se, edhe unë i ndihmova Allahut.

- Plak, mos m’i nxirr edhe këto pak mend që më kanë mbetur në kokë! Si i ndihmove ti Allahut?!

- Zoti Shkrimtar, Hoxhë Efendiut ia ngrita këmbët nga minaraja e xhamisë…

- Mos u huto, plak!

- Vetëm i ndihmova Allahut, zoti  Shkrimtar.

- Po, Rrufjani si dual në hekururdhë para trenit?!

- Allahu, zoti Shkrimtar.

- Allahu, po kush i ndihmoi, plak?

- Ai e lidhi veten me litarë për qafe dhe e tërhoqi si qen në hekurudhë, para trenit…

Tani, më në fund mundeni të më bindni edhe mua plakun se jetoni mirë nëpër shtëpi… Ecni rrugës pa frikë… U këndoni ditëve të reja… E doni Lirinë… Keni bukë… Ujë… Por, kurrë nuk jeni aq të sigurt për vdekjen e përbindshave… Kuçedrave… Qikllopëve me një sy… Bajlozëve të Zi që herë pas here dalin nga deti… Ata vërtet vdiqën ose cofën, thuaj si të të vij ty më së miri. Po, ku ta dijmë ne? Ndonjëri ndodh ka mbetur ende gjallë. Apo ngrihet lugat. Ose, lind. Më shkurt, nuk jemi gjithmonë të sigurt këtyre vrapimeve maratonike për në Baba Tomor. Me rëndësi është të ecet përpara. S’do të thotë gjë nëse ndonjëherë biem poshtë, shtrihemi përdhe. Armët nuk duhet lëshuar nga dora. Përsëri duhet të ngrihemi më këmbë. Të ecim përpara… Përpara… Përpara…

- Mirë thua, o plak! Përpara! Vetëm përpara! Po. ç’bën aty në përrua?

- I varros sorrat…

HOXHË EFENDIU - LUGATI I KOÇAJVE

Lindi në vitin kaq e kaq.

Njeri.

Vdiq në vitin kaq e kaq.

Lugat.

- Po, ky tjetri o plak?

- Edhe ai zoti Shkrimtar, ka emër dhe mbiemër mbi varr.

RRUFJAN RRUFJANI

Lindi në vitin kaq e kaq.

Cofi në vitin kaq e kaq.

Qen me zgjebe…

Dhe, ja o Askushët e askushëve ua plotësova dëshirën, po qesh pas varrimit të sorrave. Shkaku, se: E shoh Lirinë edhe prapa maleve… Krushqit e sjellin Nuse në koçi me këngën popullore: Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës

Askushë, a jeni tashti të lumtur?! Duarve binu shuplakë! Hi-hii-hiii…



(Vota: 171 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: