Gani Mehmetaj: Patriotët tagrambledhës pushtojnë Perëndimin
| E Diel, 15.04.2012, 12:04 PM |

Patriotët tagrambledhës pushtojnë Perëndimin

 

Nga Gani Mehmetaj

 

–Mezi e bëmë atdheun, duke kërkuar ndihmën e gjithë botës demokratike, e unë ta lë në baltë shtetin e posakrijuar? Kurrë! - më tregonte arsyet pse nuk do ta braktiste vendin kalorësja e arratisur e çështjes kombëtare, që ndiente zhgënjim kur nuk ia tumirnin idenë për bashkim. E vetëdijshme për mangësitë e bashkëvendësve, shpresonte ta fisnikëronte atdheun e vockël, ta bënte më të kamur, më demokratik, ku të gjithë do të bënin atë që e vlerësonin më të mirë e më të dobishme. Bashkëvendësit e saj duhej të ndryshonin mendësi, sepse me një palë mend në rini e në pleqëri, nuk bën, duhej të bëhen më mendjehapur, më modernë dhe më tolerantë ndaj mendimit ndryshe, shprehte ndjeshmërinë për të ardhmen e atdheut. Mendimet ndryshe s’para i pranonte as kalorësja jonë, por këtë gjë nuk e vërente.

 

- Më parë - më tregon ajo, e shqetësuar nga ato që ka ndeshur gjatë përvojës dhe që ka përsiatur netëve e vetmuar në dhomën vajzërore, - duhej të bindte shqiptarët se është në të mirën e tyre bashkimi i dy gjysmave të shtetit, pavarësisht çka thoshin mikeshat e saj tironse, kinse do t’u frikësoheshin në Evropë, apo si shpërvilnin buzët spitullaqet e Prishtinës, sikur përmendej diçka e tejkaluar e demode. Mbase do t’i prishej qejfi ndonjërit. Sepse bashkëkombës kontinentalë nuk donin t’i përmbysnin marrëdhëniet me fqinjët veriorë e perëndimorë, e ruanin biznesin e tyre të mos e merrte rrokullimën. Qeveritarët nuk donin të ishin të parët në katund...

 

–Jemi racë e çuditshme: indiferentë kur duhet të jemi energjikë e të organizuar, harrestarë, kur duhet të mbajmë në mend, inertë kur duhet të gjallërohemi, - rrëmonte nëpër mentalitetin e psikologjinë e bashkëkombësve. Më linte pa frymë me mprehtësinë e rrëmimeve psiko- analitike.

 

Por derisa m’i tregonte preokupimet, doli te lajmi që ma dha në fillim. Donte të merrte botën në sy për një vizitë turistike, më tha troç. Priste të takonte bashkëkombësit gjithandej Evropës Perëndimore, sepse në Lindje s’kishte ç’kërkonte. Nuk shkuan as të tjerët para saj.

 

- Ata e braktisen atdheun shumë kohë më parë, kur vendi qe nën thundrën e okupatorit. Bashkatdhetarët fatkeq, krenarë siç ishin, s’mund të jetonin nën okupim. Morën një trastë krahëve dhe u ndalën aty ku nuk kishte të okupuar dhe okupatorë. Kaluan shumë kohë nga atëherë. Lumenjtë rridhnin pa pushim nën urën e Temzës, Rones e Senes, deri te Danubi e Vëltava. Bashkëkombësit vetëm sa i fusnin rrënjët buzë qyteteve të këtyre lumenjve, e qyteteve të tjera pa lumenj.

 

Refugjatët e dikurshëm, filluan të stabilizoheshin, u mësuan me jetën në kurbet, jetë vetmitare, por u ëmbëlsohej cazë nga frangat e markat, dikur apo eurot më vonë. Qetësia e natës e paqja e ditës ishin shërim pas jetës së dikurshme nën krismat e armëve të okupatorit. Me t’u qetësuar gjendja në atdheun e tyre, ata u hutuan, s’mund ta gjenin rrugën e kthimit. Rrëmuja vazhdonte edhe pas ikjes së pushtuesve. Në kurbet fëmijët u rritën, burrat e gratë u mplakën, kështu gati s’kishin pse të ktheheshin, as ku të ktheheshin refugjatët e dikurshëm, banorë të përhershëm të vendeve perëndimore. Vinin ndonjëherë pushimeve vjetore më shumë në det se në vendlindje.

 

E kujtonte të kaluarën e shkurtër të refugjatëve tanë, gati të barabartë në numër me shtetasit e atdheut. Megjithatë nuk donte t’u shkonte në vizitë bashkatdhetarëve të diasporës për të bërë qejfe në kurriz të tyre, sikurse bënin dikur patriotët e çështjes kombëtare. Ata rrinin me muaj, duke mos u shkuar mendja për punëtorë që paratë i fitonin me mund. Ajo do të qëndronte në llogari të Kreshnikut, i cili po ashtu do të sorollatej në shpenzime të një projekti ndërkombëtar.

 

Lulisë i interesonte jetesa e tyre, standardi, por e mbyste kërshëria të merrte vesh e morën veten pas ndihmave që dhanë për çlirimin e atdheut. Flitej atëbotë, pëshpëritet ende sikur me ato para të dhëna kinse për çlirimin e vendit shumë njerëz u pasuruan. Pasurinë e shtuan gjatë sundimit të UNMIK-ut dhe, pas shpalljes së pavarësisë.

 

Brengosej çupa e Kodrës së Trimave për bashkëpatriotët në diasporë: - I harruam, sepse s’ua kemi më nevojën. Dikur nuk u shqiteshim, duke u kërkuara para për trepërqindëshin, ndihma për armatim, për mobilizim, për hotele qëndrim etj., - më shpjegonte të kaluarën euforike.

 

- Kur ua shtorëm xhepat kush nuk u kujtua për ta! Euforia ra. Në vend të mirënjohjes nuk u ofruam asgjë, nuk u dhamë as falënderim publik, - vazhdonte të përsiaste zëshëm.

 

E sigurt se po të publikoheshin shënimet për paratë e grumbulluara do të dilte që janë dhënë shumë, ndërsa as gjysma nuk janë deklaruar, rrudhte  supet. Tagrambledhësit patriotë sot janë bërë faktorë në shtetin e pavarur. Dhënësit mbetën ashtu si ishin, xhepshpuar. Kur kërkuan hisenë e atdheut të tyre, ua mohuam të drejtën e votës, një të drejtë elementare që i takon çdo qytetari. Kur u duhej dëshmia e përkatësisë së atdheut, i ngatërruam aq keq sa jo pak syresh hoqën dorë nga shtetësia e dëshminë e vendlindjes, sepse edhe për këtë u kërkonim një grumbull dokumentesh. Refugjatët e dikurshëm s’kishin kohë e energji të bridhnin nëpër dyert e administratës në kaos, meqë s’ donin ta humbnin punën. Nuk mjaftoi gjithë kjo burokraci, u kërkuam tarifë të veçantë, më të lartë se sa të tjerëve për pasaporta e për letërnjoftime, nëse i donin shpejt.

 

- Së fundi, më tregonte Lulia, - nuk i regjistruam në listën e qytetarëve të shtetit. Nuk  figurojnë në shtetin amë, ku kanë lindur, nuk figurojnë në shtetin ku jetojnë përkohësisht.

 

Qytetarë pa atdhe, e të parrënjë. Mbetën pa atdheun ku lindën, sepse ua morëm në kohën kur nuk ishin aty, siç i morën apartamentet e braktisura. Fatkëqijtë, bashkëkombësit tanë mbetën pa sigurinë e atdheut të ri-rezervë, sepse perëndimorët u thanë nuk mund të jetojnë hajdutçe, pra nuk ua pranojnë jetën ilegale, që i bie sot për nesër. E ku të kthehen?

 

- Kanë mbetur si zogjtë e qyqes. - Disa gjenden disi. Po të tjerët? Fatlumët krijuan ca para për ditë të zeza. Të tjerët s’bënë pasuri, s’kanë as familje, janë ndarë: burri në Gjermani, gruaja e fëmijët në Kosovë, apo e kundërta.

 

Kështu ia treguan gjendjen e njerëzve tanë jashtë atdheut demokratik e të pavarur. Ishte mirë ta kishte një informacion për ta, të mos shkonte si politikanët tanë të papërgatitur, sepse përtojnë të lexojnë materialet informative për shtetet ku shkojnë. Ndonjëherë nuk ua dinë as emrat kryetarëve të shteteve apo ministrave përkatës! Qeshte Lulia me nënkuptim për zyrtarët tanë përtacë e të paarsimuar.

 

Nuk dinte nga t’ia niste, nga Evropa Perëndimore, ku i thonë që janë rreth një milion bashkëkombës kontinentalë me dokumente të rregullta qëndrimi e jo pak edhe pa letra. Apo, - hamendej ajo, -  të shkonte në SHBA, ku mund ta prisnin me përzemërsi, është larg dhe njerëzit u shkojnë më rrallë. Dikur Amerika gëlonte nga patriotët shëtitës e tagrambledhësit nga vendi i saj. Si e kalonin Oqeanin Atlantik dhe si zbrisnin me avion në Nju-Jork, habiteshin. Pale kur kapërcenin edhe Oqeanin e Qetë dhe mbërrinin deri në Australi. Sot ky kontinent nuk përmendej në asnjë dokument të shtetit tonë të ri. E harruam fare Australinë e largët. Dikur çdo mbrëmje në radio e në televizion, në gazeta e fletushka patriotike jepnin lajme për mbështetjen e diasporës australiane. Kur u çliruam i harruam fare, më shprehte mllefin e saj.

 

- Euforia e pelegrinazhit patriotik të veprimtarëve tanë ra, sepse tashmë janë zënë me poste e pasuri në atdhe. Prandaj në Amerikë shkojnë të varfrit, ikin të rinjtë, e mbysnin mëdyshjet çupën e Kodrës së Trimave. - Dikur i patëm lodhur mërgimtarët, - më tregon ajo. - Një herë u kërkonin të jepnin për nënën, ndërsa nxirrnin pakot e mëdha të kartonit që i mbushnin me verdhushka pas ndonjë koncerti a tubimi patriotik. Më vonë iu kujtua dikujt të caktonte përqindjen për shtetin paralel; dolën të tretët dhe thanë duhej të jepnin për çlirimin e vendit tarifë tjetër, më të madhe sesa të parën. Nuk numëroheshin ato që kishin dhënë më parë. Dhe pjesa më e madhe dhanë sa mundën, u lodhen, e varfëruan buxhetin familjar, hoqën dorë nga luksi, besa jetuan keq. Bënë atë që u thanë se duhej ta bënin për atdheun e okupuar, - më sqaronte ajo kohën e patriotizmit euforik.

 

E armatosur me informacionin nga e kaluara, e përgatitur në rast nevoje t’ua mbante një fjalim të zjarrtë kombëtar për t’i lavdëruar për sakrificat, ajo nuk priste ta shpërblenin. Do t’ua paraqiste projektin për bashkimin kombëtar, por nuk do t’u kushtonte asnjë cent projekti i saj. Mjaftonte vullneti i mirë.

 

Duke i përsiatur gjithë këto, mësoi edhe se degë të partive politike nuk kishte më në diasporë. U shuan. Subjektet politike në atdhe filluan të merrnin buxhet nga shteti, s’kishin nevojë t’i milnin si dikur degët e nëndegët e diasporës, prandaj ua kthyen shpinën. Kjo qe një grusht i madh për Lulinë plot eufori. Kreshniku kishte qenë disa herë në Perëndim, e dinte gjendjen. Ai përpiqej t’ia ulte zjarrminë patriotike së dashurës, dhe t’i tregonte se bashkëkombësit nuk ishin ata të dikurshmit.

 

Me t’u kthyer nisi rrëfimin: - Nuk ndodhi asgjë sikurse e ëndërroja unë, - më tha e dëshpëruar. - Punët shkuan ndryshe. Ajo nuk arriti t’ua shpaloste projektin për bashkim kombëtar.

 

Simpoziumin për gjendjen e refugjatëve e kishin organizuar mirë. Pas takimit, nikoqirja e simpoziumit, u propozoi të vizitonin një azil refugjatësh. Lulia e pranoi, megjithëse më me dëshirë do të takonte bashkëkombësit nëpër apartamente, apo salla sportesh. Por edhe ideja për ballafaqimin me bashkëkombësit nëpër azile iu duk interesante. Shumë nga ta  kaluan nëpër këto baraka, para se të merrnin lejen e qëndrimit dhe shtetësinë...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: