Frank Shkreli: Ndërroi jetë Majk Ualles - gazetar amerikan me famë botërore
| E Enjte, 12.04.2012, 07:57 PM |

NDËRROI JETË MAJK UALLES – GAZETAR AMERIKAN ME FAMË BOTËRORE

 

Nga Frank Shkreli

 

Majk Ualles (Mike Wallace), gazetari veteran dhe njëri prej korrespondentëve më të dalluar gjatë disa dekadave në Shtetet e Bashkuara, ndërroi jetë të Djelën në moshën 93 vjeçare. Pjesën më të madhe të karjerës së tij ai e kaloi në rrjetin e televizionit amerikan CBS, si korrespondenti dhe intervistuesi kryesor i programit të famshëm "60 Minuta'', i cili edhe sot mbetet programi më popullor lajmesh në television. Gjatë një karjere prej pothuaj shtatë dekadash, Majk Ualles intervistoi me qindra përsonalitete të shquara botërore dhe amerikane, përfshirë presidentë e kryeministra, mbretër, gjeneralë, shkrimtarë e artista, yje të fushave të ndryshme, përfshirë edhe Holivudin. Por ai nuk linte pas dore as njerëz më pak të famshëm, por të dyshimtë për veprimtaritë e tyre dhe për mënyrën e grumbullimit të pasurisë. Për të gjithë ata që kishin diçka për të fshehur nga publiku, pa marrë parasyshë së çfarë pozite kishin në administratën qeveritare e shtetërore ose në shoqëri në përgjthësi, fjalët më të tmershme që mund të dëgjonin ishin, ''Ka ardhur Majk Uales për tu intervistuar.''

Rrjeti televiziv CBS për të cilin punoi aq gjatë, në njoftimin me rastin e vdekjes se tij, tha se gazetari Ualles kishte dhënë një ndihmesë të jashtzakonshme për gazetarinë dhe e cilësoi atë si ''një forcë me ndikim të industrisë televizive''.  Si korrespondenti kryesor i programit popullor televiziv ''60 Minuta'', Majk Ualles admirohej për stilin dhe teknikën e tij por edhe ia kishin frikën ata të cilët i intervistonte për stilin e tij të ashpër e të pamëshirshëm prej prokurori, si të thuash.  Kryetari i rrjetit televiziv CBS, Zoti Xhef Fejger në pronocimine tij me rastin e vdekjes së të ndjerit Ualles, tha se pa Majk Ualles nuk do të ekzistonte programi ''60 Minuta'', duke shtuar se ''thjeshtë nuk kishte ndonjë korrespondent tjetër televizioni me aq shumë talente.  Pothuajse nuk ishte i rëndësishëm subjekti që mbulonte ai, ajo që kishte rëndësi ishte fakti se çfarë pyetjesh bënte ai'', personave që intervistonte.

 

Historiani i televizionit Ran Sajmon komentoi për gazetën Uashington Post se Majk Ualles, ''hapi rrugën e mënyrës se si duhet të bëhet gazetaria investigative në televizion duke gjurmuar për fakte dhe duke bindur, në këtë mënyrë, shikuesit dhe dëgjuesit të cilët idnetifikoheshin me të dhe i besonin atij, se ai ishte një njëri që përfaqësonte interesat e tyre.''

Ai admirohej , por edhe kritikohej për stilin e tij të ashpër të intervistuarit, stil i cili mund të trondiste dhe frikësonte figurat  politike e publike dhe të sfidonte diktatorët më të fuqishëm, anë e mbanë botës.  Kolegu i tij në programin ‘’60 Minuta’’, Stiv Kroft  i tha agjencisë së lajmeve Asociejted Pres se Majk Ualles ishte intervistuesi më i mirë në televizion… dhe se përveç Eduard Murrov  (një ikonë tjetër e gazetarisë amerikane) nuk besoj ka njeri tjetër që të ketë patur influencë më të madhe në përcaktimin e gazetarisë televizive.’’ 

Në një intervistë, Majk Uallese  e pat cilësuar mënyrën e tij të intervistuarit si një “vijë e zbehtë midis sadizmit dhe kuriozitetit intelektual’’.  Dhe se sekreti i suksesit të intervistave të tija ishte përgatitja më përpara. “Unë jam i armatosur me faktet kërkimore’’, thoshte ai.

Ndër figurat e shumëta botërore që intervistoi Majk Ualles ishte edhe Ajatolla Khomeini më 1979 gjatë krizës amerikano-iraniane, që ishte një intervistë konfrontuese gjatë së cilës ai e pyeti Khomeinin se ç’mendonte ai për deklaratën e presidentit egjiptian Sadat, që e kishte quajtur atë të çmendur.   Më vonë Ualles intervistoi presidentin rus Vladimir Putin duke e sfiduar atë me deklaratën se në Rusi nuk kishte demokraci të vërtetë.  Ai ishte gjithashtu i ashpër edhe ndaj sjelljeve private dhe publike të politikanëve amerikanë të të gjitha ngjyrave.  Gjatë skandalit Uotergejt në fillim të 1970-ave ai pat  intervistuar këshilltarin e lartë të presidentit Nikson dhe i lexoi atij një listë të gjatë akuzash për krime të ndryshme të administratës. Të gjitha këto, i tha ai këshilltarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, nga  administrata e Riçard Niksonit që pretendon të jetë zbatuese dhe mbrojtëse e ligjit.

Me një rast ai u pyetë se megjithëse kishte intervistuar me qindra personalitete botërore, a i kishte mbetur ndonjë personalitet që do të dëshironte ta kishte intervistuar.  Ai u përjgegj pa mëdyshje duke thënë se  i kishte mbetur merak të intervistonte Papa Gjon Palin e Dytë, pasi sipas tij, ai ‘’ishte një njeri i renesancës, atletë, dramaturg, akademik, një person me mendime kontraversiale mbi çështje shoqërore e shpirtërore, por nuk munda kurrë të siguroja një intervstë me të.’’

 Majk Ualles ishte i famshëm, siç ishin të famshëm edhe figurat dhe personalitetet botërore që ai intervistonte. Gjatë karjerës së tij të gjatë, ai fitoi çmimet më të larta të industrisë gazetareske e televizive dhe siguroi   reputacionin e një gazetari i cili kërkonte  të vërtetën e fshehtë dhe pasi e zbulonte, ua paraqiste  atë afër 40-milionë shikuesve çdo të Djelë mbrëma, për pothuaj një gjysëm shekulli.  Sipas Barbara Uolters, një tjetër intervistuese me famë dhe konkurrente në rrjetin televiziv ABC tha në një program kushtuar Majk Ualles se, ’’intrevistuesi më i mirë në televizion – në të kaluarën, tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen, është Majk Ualles.’’

I ndjeri Majk Ualles ishte unik në shumë pikpamje.  Në mbrojtje të parimeve të tija, ai luftonte edhe kolegët madje edhe punëdhënsin, pasi ai besonte me pasion se edhe entet mediatike dhe gazetarët në përgjithësi duhet të zbatojnë të njëjtat standarde të përgjegjësisë dhe të llogarisë civile, që ata kërkojnë nga politikanët e të tjerë, aktivititetin e të cilëve e mbulojnë rregullisht.  Ai kërkonte pra, përgjegjësi e kurajonga të gjithë, përfshirë edhe median, prandaj besohej për ato që thoshte dhe gëzonte reputacion të gjithanshëm.

Me gjithë kundërshtimet që shkaktonte nga hera në herë, si gazetar dhe komentator i televizionit dhe megjith agresivitetin e tij që shpesh  ai mund të frikësonte kolegët me të cilët punonte dhe  të gjithë personalitetet që ai i intervistonte,  gazetaria dhe bota në përgjithësi është në një gjëndje më të mirë për arsye të përpjekjeve të tija të pakursyeshme për të zbuluar të vërtetën për të mirën e publikut.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: