Kalosh Çeliku: Gjelat e partive politike këndojnë si pulat
| E Enjte, 12.04.2012, 07:02 PM |

GJELAT E PARTIVE POLITIKE KUR KËNDOJNË SI PULA

Nga: KALOSH ÇELIKU

     Edhe, jo rastësisht sulmet më të ashpëra edhe sot e kësaj dite na vijnë nga Partia Politike Neokomuniste, që shqiptarëve ua ka pi dje, ua pinë sot, përpiqet t’ua pi edhe nesër gjakun. Fatkeqësia është, se disa shqiptarë melez ende u besojnë këtyre butakëve të kuq me yll në ball nëpër Bit-Pazar, nuk i hedhin nga samari. Shtyhen me bërryla në radhët partiake dhe tubimet e tyre antishqiptare duke na shitur shumë lirë, mos them pa pare te “vëllezërit”. Edhe atë ku, te yllkuqët që gjithë jetën popullit shqiptar i janë ngatërruar nëpër këmbë, i kanë punuar pas shpine.

      Turqinë, ne shqiptarët e përzumë nga Ballkani. Përderisa i jepnim agallarë, pashallarë, kryetarë shteti dhe ushtarë, ajo dalngadalë e pushtonte gjithë botën. Sami Frashëri u bëri gjuhë letrare. Ataturku i bëti shtet modern. Ali Pashë Tepelena i mësoi të bëjnë dashuri. Edhe Luftën e Dytë Botërore e nisëm dhe e bëmë ne shqiptarët. Im Atë, Emin Çeliku shpesh më thoshte: historikisht po na tradhtojnë “vëllezërit”. Ne shkuam shtëpi më shtëpi t’i nxjerrim në luftë, shkaku se, nuk donin të luftonin kundër Baba Dovletit, e më vonë fashizmit, edhe atë: na u bashkuan nga fundi i luftës. “Vëllezërit” nuk kanë luftuar kurrë kundër armikut të përbashkët, as  në kohën e Turqisë e as në kohën e fashizmit, e fituan luftën dhe pushtetin me gjakun dhe në emër të shqiptarëve. Përsëri, edhe në ditën e sotshme, ndodhë e njëjta histori: Përçudi, shqiptarët edhe sot përpiqen t’i bëjnë “vëllezërit” shtet në dëm të interesave të veta shekullore.

       Marrëveshjen gjatë Luftës së Dytë Botërore në mes të ballistëve dhe partizanëve për herë të parë e kam dëgjuar nga im Atë, Emin Çeliku e më vonë nga dokumentet historike të asaj kohe me të cilat bëj krahasimin e Luftës strategjike shqiptare për Liri. Brigadat Shqiptare Partizane nga Shqipëria me flamurin kombëtar shqiptar në ballë e kanë çliruar Kërçovën, Gostivarin, Tetovën dhe Shkupin. Luftë e paparë vëllavrasëse është zhvilluar në Kërçovë mes partizanëve dhe ballistëve. Berlini kur e humbi luftën në mes të Gjermanisë, Zajazi ende bënte luftë maleve, nuk i dorëzonte armët. Im atë, Emnin Çeliku shpeshëherë ma rrëfente atë luftë të përgjakshme historike: ne përderisa bërtitnim “me dorë” në mbrojtjen e Kërçovës, ata nga ana kundërtshtare (partizanët shqiptar), të Brigadave partizane shqiptare na përgjigjeshin “me dorë e me këmbë”. Ne, ballistëve nuk na vranë partizanët e kësaj ane, po partizanët e Birgadave shqiptare nga Shqipëria me ndihmën e “vëllezërëve”. Historikisht, shqiptari e ka vra shqiptarin: Dora shqiptare e ka vra Kalosh Zajazin, Bajram Currin, Luigj Guarakuqin, Hasan Prishtinën, Mefail Zajazin,  Xhemë Gostivarin, Nexhat Agollin, Xha Rexhën, Jusuf Gërvallën…

      Im Atë, Emin Çeliku më rrëfente edhe një histori interesante për luftëtarët e Zajazit. Fshat kaçakësh ky,  që gjatë Lufës së Dytë Botërore ka pasur në gji edhe partizanë edhe ballistë. Kurrë, më thoshte im Atë ata trima me mustaqet vesh më vesh e pushkën krahut nuk kanë luftuar njëri kundër tjetrit në luftë frontale. Gjithë natën luanin së bashku “filxhana”, partizanë e ballistë, i bënin planet e Luftës. Ditën e nesërme, i rrëbenin armët dhe dilnin në mal për liri. Komandantët e të dy anëve “kundërshtare luftarake”, para se të dilnim në mal, vetë na porositnin ne luftëtarëve: nuk duhet të luftojmë vëllai me vëlla, se pas përfundimit të luftës do të kemi edhe shumë punë për çlirimin e Atdheut. Tjetër punë është ajo, histori më vete se ne na tradhtoi e shiti te “vëllezërit” pjella jonë shqiptare.

      Edhe ashtu, një ditë doli parashikimi i atyre burrave të penës e pushkës. Partizanët jugosllav na tradhtuan: nuk e mbajtën fjalën e marrëveshjes “shqiptare-jugosllave” se, pas çlirimit nga fashizmi viset shqiptare të Maqedonisë, Kosovës me Preshevë, Bujanovc e Mal i Zi do t’i bashkohen Shqipërisë. Përmëtepër, ndodhi “Tradhtia e madhe”, pas shpine nga pusia filloi vrasja e ballistëve dhe partizanëve shqiptar, emrat e të cilëve sipas meritave luftarake ndodheshin dhe priteshte të emërohen pas lufte si udhëheqës në ballë të institucioneve komuniste: Mefailëve të Zajazit, Xha Rexhës, Xhemë Gostivarit, Mahmut Dumanit, Nexhat Agollit, Sadudin Gjurës etj. Brigadat Shqiptare i dërguan në Frontin e Sremit, ku ndodhi masakra e Tivarit dhe nga ai front i përgjakshëm u tradhtuan dhe u kthyen pak veta në shtëpi si invalidë lufte. Xha Rexhën, ballistët e kishin në katund, kur të donin mund ta vrisnin si partizan, po nuk e vranë gjatë luftës, u vra në një pusi pas lufte përderisa ktheheshte nga një takim partiak nga Shkupi. Përveç partizanëve, askushi nuk e dinte se ku ndodhej dhe kur do të kthehej xha Rexha në Zajaz. E vranë, shkaku se: askushi nuk kishte më shumë merita pas lufte si partizan se xha Rexha të udhëheq me Kërçovën. Rexhep Zajazin (këngëtarin e Trio Zajazi), një trim tjetër partizan pas lufte e kositën me automatik në pusi te Ura e Sateskës. Mezi shpëtoi gjallë nga plagët e marra për vdekje, edhe atë falë Nënës time që e strehoi dhe e mjekoi plot shtatë javë në shtëpi. Një numër i vogël i ballistëve arritën të ikin në Greqi, në Evropë e Amerikë me shpresë të organizimit atje dhe një ditë të kthehen si çlirimtarë, rrëzojnë komunizmin në Shqipëri. Barrën kryesore e mori mbi shpinë Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

       Vite pas lufte ato në mërgim, kur në krye të Operacioneve Shqiptare për OPC, Frank Wisner emëroi një oficer të ri James Macarger, i cili kishte gati një vit që punonte për çështjen shqiptare në Departamentin e Shtetit dhe i njihte shumicën e liderëve të Mërgatës Shqiptare. James Macarger për t’i dhënë një mbështetje politike operacioneve të planifikuara, propozoi krijimin e një Qeverie Shqiptare në Mërgim, megjithëse përpjekjet për një bashkim të fraksioneve shqiptare ishte një ëndërr e vështirë. Debate të shumta në gjirin e Mërgatës për lidershipin e kësaj organizate po krijonin vështirësi dhe pas presioneve të OPC, më në fund u vendos që kryesinë e kësaj Qeverie në Mërgim e njohur në atë kohë edhe si Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë ta merrte Mithat Frashëri. Mithat Frashëri i thirrur nga Turqia ku kishte emigruar pas largimit nga Shqipëria, arriti në Romë ku u njoh me planin e përpunuar nga OPC dhe propozimin e tij për të udhëhequr Qeverinë Shqiptare të Emigracionit. Frashëri pas një sërë takimesh me zyrtarët e CIA -s në Itali dhe Francë, udhëtoi për në Amerikë, i shoqëruar nga Koloneli i Shërbimit Sekret Amerikan Loe. Pasi mbërriti në Vashington ku u prit nga nënsekretari i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të OPC, Frashëri udhëtoi për në New York ku do të vendoseshin Zyrat Qendrore të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. I vendosur në Hotelin luksoz “Althorp”, Frashëri filloi takimet me një sërë shqiptarësh emigrantë të arratisur pas lufte nga Shqipëria. Optimist për një mundësi reale të kthimit në Shqipëri, Mithat Frashëri papritmas gjendet i vdekur në dhomën e tij. Vdekja e befasishme e Frashërit solli një përmbysje të shpejtë të situatës politike të ekuilibruar me aq vështirësi nga amerikanët. Gjithsesi Shërbimi Sekret Amerikan u mundua që vdekja e papritur e Frashërit të mbahej sa më larg syve kureshtarë të mediave duke mos krijuar publicitet të panevojshëm. Shkak ky, që asnjë hap nuk u ndërmor për të sqaruar vdekjen e papritur të Kryetarit të Qeverisë në Mergim. Thashetheme për vrasjen e Frashërit kanë qarkulluar në mesin e emigracionit shqiptar, megjithëse asnjëherë nuk pati një tentativë serioze për ta ndriçuar këtë vdekje të papritur, pikërisht në momentin kur përpjekjet politike për një Bashkim të Mërgatës Shqiptare ishin në kulmin e tyre. Vallë, mos agjentë të fshehtë sovjetikë në radhët e inteligjencës amerikane kishin njoftuar për rrezikun potencial që mund të sillte Mithat Frashëri në Operacionet Klandestine që priteshin të fillonin dhe si rrjedhim Sigurimi shqiptar dhe njerëzit e tyre mund ta kenë eliminuar atë? Shërbimi i Fshehtë Shqiptar i cili u krijua sipas modelit sovjetik megjithëse pa eksperiencë të gjatë në këtë fushë drejtohej nga të rinj ambiciozë të cilët kishin vendosur kontakte me një sërë të arratisurish shqiptarë në Perendim. Mos vallë njëri prej tyre ka qenë personi përgjegjës për vrasjen e Frashërit? Fatkeqësisht, amerikanët nuk kanë mbajtur në mbikqyrje shqiptarët me të cilët Frashëri kishte kaluar ditët e fundit të jetës së tij për të krijuar një ide mbi personat e mundshëm për një mision të tillë. Megjithatë, në dokumentin e vdekjes të Frashërit e gjendur në arkivin e CIA -s të deklasifikuar kohët e fundit ka një shënim mbi vdekjen e Frashërit, ku thuhet se ai ishte identifikuar nga mbesa e tij dhe i fejuari shqiptaro-amerikan Tom Stefani. Dhëndrri, Tom Stefani, një ish-oficer i OSS, pararendëses së CIA -s, kishte shërbyer në Shqipëri gjatë luftës dhe kishte qenë shumë afër me punë pranë shtabit partizan të udhëhequr nga Hoxha. Bashkëpunimi i tij me Harry Fultz, shefi i Zyrës për Shqipërinë kishin qenë normale gjatë luftës, por diçka kishte ndryshuar pasi Stefani kishte marshuar si fitimtar së bashku me liderët kryesorë komunistë në çlirimin e Tiranës. Megjithatë, Stefani pasi ishte kthyer në Amerikë me të fejuarën e tij shqiptare, mbesën e Mithat Frashërit e kishin larguar nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan. I mbetur pa punë dhe pa asnjë perspektivë për karrierë, Tom Stefani kishte probleme të mëdha me pijet alkoolike. Arsyeja e vërtetë se përse Tom Stefani u largua nga ky shërbim ende nuk dihet, por kolegë të tij të OSS kanë dëshmuar se Stefani dyshohej për bashkëpunim të afërt me liderët komunistë shqiptar.

        Abaz Ermenji për këtë ngjarje historike flet me ironi therëse: "Aleatët tanë donin të bënin eksperiment me Shqipërinë duke na trajnuar ne sikur të ishim minj laboratori, kavie, pa çarë kokën për humbjet njerëzore dhe në një sipërmarrje absurde që ishte e destinuar të dështonte. Ky dështim ishte pak a shumë i ngjashëm me atë që pësuan amerikanët me kubanët në mërgim në rastin e gjirit Pigs disa vjet më vonë".

        Operacioni i kurdisur luftarak ishte i përbashkët anglo-amerikan. Atëherë ishte formuar komiteti Shqipëria e Lirë, kryesisht me njerëz të Abaz Kupit dhe Abaz Ermenjit. Nga mesi i tyre do të dërgoheshin njerëz që do të testonin mundësinë e minimit të regjimit komunist të Hoxhës. Vullnetarët kishin veshur uniforma britanike. Kur koha e përshtatshme erdhi, i hipën në një anije peshkimi dhe i depërtuan në mes të Adriatikut, dhe përmes detit fshehtas ata hynë në Shqipëri. Ndërsa, amerikanët i hidhnin nga aeoroplani desantët në veri me parashuta. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e tyre u kapën posa dilnin ose binin në tokë. Përçudi, posa dilnin në breg, apo binin në tokë, përfundonin në pritë. I zenin të gjallë dhe pas “bisedave informative” i detyronin t’u paraqiten eprorëve se kanë arritur shëndosh e mirë, mund të dërgojnë për përfocime edhe të tjerë desantë. Shumica prej tyre u kapën, ndërsa disa të tjerë duke u hedhur gabimisht nga ana e pilotëve në pyll, mezi shpëtuan pasi u strehuan për disa ditë në Kërçovë, e pastaj kaluan në Greqi. Operacioni luftarak qe tradhtuar nga Kim Filbi, i cili bashkëpunonte me rusët, që i treguan gjithçka Enver Hoxhës.

       Momentin që Abaz Ermenji e kuptoi tradhtinë, që të gjithë po vriteshin kot si qeni në rrush, pa asnjë qëllim, bashkë me Abaz Kupin vendosën që t‘i tërheqin grupet e forcave të tyre dhe morën vendim të mos dërgojnë fare më desantë në Shqipëri. Përkundër asaj, që amerikanët kishin interes që kjo gjë të vazhdonte edhe ndonjë ditë ose javë. Sipas një deklarate të Mbretit Zog, thuhet se 300 shqiptarë janë vrarë në këto operacione.

        Dhe, rrëzimi i sistemit komunist nga Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, nuk ndodhi kurrë. Përsëri u tradhtuan ose u zbuluan nga spiuni i atëhershëm Kim Filbi. Autori i librit Nikolas Bethel te “Tradhtia e Madhe” e përshkruan shumë bukur në detale këtë ngjarje historike e interesante të dhimbshme shqiptare.

      Fatkeqësia e sotshme: zjarrit antishqiptar krah për krahu me deputetët e Partisë Politike Neokomuniste edhe sot i fryejnë deputetë të pavetëdijshëm shqiptar me “sqarime” në foltore të Kuvendit, se: 28 Nëntori është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, datë të cilën deputetët e partisë tjetër politike motër e “fshehin” me festën e Ditës së flamurit shqiptar. Historia po na përsëritet ne shqiptarëve. Marrëveshjen e Ohërit, mezi e mbajmë gjallë me gjysëm shpirti qe njëzetë vjet me radhë nëpër institucionet e  “përbashkëta demokratike”. Njëra Parti politike shqiptare e tërheq për koke e tjetra për këmbësh. “Vëllezërit” veç më e kanë shtruar mbi tavolinë për operacion, i rrinë gati me thikat mbi kokë. Edhe sot si dje, të përçarë nëpër parti politike. Përçudi, ende nuk mbushemi mend dhe mësojmë nga historia, po jemi nën nivelin e ideve dhe veprimeve të atyre burrave të penës dhe pushkës. Ende pa e fituar luftën përfundimtare çlirimtare, bëjmë luftë për pushtet kur nuk kemi pushtet e as shtet etnik shqiptar. Gjithë jetën u morëm me flamur kuqezi, gjuhë shqipe, shkolla shqipe dhe të drejta të barabarta kombëtare. Edhe atë, si: lypës te Ura e Gurit. E kurrë me rrëmbimin e pushtetit me penë e rrugë demokratike. Çelësit kryesor të Derës Madhe, që Brenda një dite i zgjidhë të gjitha problemet e grumbulluara shqiptare-sllave. Kërkesa minimale njerëzore që na ngatërrohen edhe sot nëpër këmbë që nga koha e Turqisë.

    Koha është, në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët kodoqofshin nëpër botë t’i bien mëndjes përmbrapa, rroken qafë për qafe me vëllain për Fitoren e Madhe të Shekullit. Nevoja po të jetë, kokës t’ bien edhe me grushta. Hudhin nga shpina samarin e gomarit me arna lëkure ogiçi. Oborrin e vet së pari ta pastrojnë nga bërlloku. E pastaj, të dalin edhe te pastrimi i lëmave të kojshive, “vëllezërve”. Gjelat e partive politike shqiptare që krekosen mbi pleh gjoja se e thirrin mëngjesin dhe këndojnë si pula, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare t’i shpërblejë sipas meritave me vota demokratike. Nëna ime, ndjesë pastë, shpesh thoshte: gjelat kur këndojnë si pula, ndjellin kob! Biro, gjelave të tillë duhet prerë kokën mbi cung. Natën e Madhe t’i shtrojmë për darkë si meze me raki rrushi për burrat e Atdheut që zbresin nga malet.

     Rrugë e vetme kjo, për të arritur një popull deri te Liria. Qëllimi historik: Bashkimi kombëtar. Fitorja e Madhe Shqiptare e pritur me shkuj, të bërit Shqipëri Etnike me të gjitha “nishanet” në jakën e gunës botërore…



(Vota: 314 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: