Ndue Ukaj: Retorika që prodhon vdekje
| E Marte, 18.03.2008, 07:10 PM |

Retorika që prodhon vdekje

Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Përmasa e asaj që ndodhi dje në Mitrovicë tejkalon shumëfish pragun e një retorike nacionaliste, e cila na është bërë e zakonshme, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shtetet më relevante në botë. Ndaj gjitha tmerreve dhe tragjedive që kanë shkaktuar populli serb, ngjarjet e fundit dëshmojnë se ata, jo që nuk janë penduar, duke mos nxjerr as më të voglin mësim, përkundrazi, ata duken më të motivuar për të manifestuar iracionalitetin e tyre nacional, politik e qytetare me metodat më të ulëta. Në të vërtet, pamjet e serbëve të tërbuar kundër forcave të NATO-s dhe policisë, përveç se kanë një adresë të qartë, ato në masë të madhe duhet të interpretohen në kontekst me të shkuarën e tyre, me gjurmët e së keqes që kanë mbjell me dekada, gjurmë këto, të cilave iu shërben verbërsisht politika serbe me retorikën e mashtrimit, abuzimit, kamuflimit me realitetin. Beogradi dhe retorik politike e tij, tanimë që dy dekada prodhon vdekje në Ballkan dhe këtë kapitull nuk po e përmbyll dot, edhe pse tanimë de fakto e de jure ata e kanë humbur "zemrën  e tyre", Kosovën. Në vend që të rehabilitohen dhe të "kurojnë" varret e zemrës së "humbur", ata dalin në sulme dhe vërshojnë me epshin e tyre mbi rendin dhe ligjin, mbi sistemin demokratik dhe vlerat e paqes. Kësisoj, politika serbe e cila instrumentalizon ato turma po bllokon proceset demokratike brenda vet shoqërisë serbe. Pamjet e djeshme arsyetuan shqetësimet dhe vlerësimet e shumta të shfaqura kudo në perëndim se Serbia dhe populli serb, pas pavarësisë së Kosovës janë zhytur thellë në një krizë nacionale, krizë kjo që burimin ka nga gjurmët e së keqes, të cilën e kanë të "trasuar" nga akademikët e tyre, nga një kishë politike, e veçanërisht nga një platformë politike me synime shkatërrimi, vrasje e dominimi, që Ballkanit e Eruopës i shkaktuan katër luftëra të njëpasnjëshme, me pasoja tragjike. Kjo logjikë dhe filozofi që ka prodhuar një mit, duke e shumëzuar atë, ka mbjell në mendjet dhe zemrat e popullit një histori me iluzione. Kjo është ushqyer, mbi të gjitha nga bota akademike, kisha serbe edhe pas kaq vitesh po triumfon kundruall arsyes, kundruall përpjekjeve të botës së qytetëruar perëndimore për të paqësuar këtë rajon të trazuar dhe të mbushur me mite shkatërrimtare drejt një shoqëri te hapur, demokratike dhe të integruar në botën e përparuar perëndimore. Në të vërtet, ajo që ndodhi të hënën në Mitrovicë, sikundër edhe tërë retorika serbe karshi Kosovës, gjatë negociatave për të gjetur një zgjedhje për statusin e Kosovës, e intensifikuar sidomos në shkallë absurdi pas shpalljes së Pavarësisë, ka stimuluar këtë cikël të ri dhune, vrasjeve, djegie e shkatërrimit, duke u bërë kështu edhe njëherë qeveria e ashtuquajtur demokratike e Beogradit, burim i dhunës dhe vrasjeve në Europen stabile. Për gjitha këto, dihet përgjegjësia e cila është tejet e qartë, pa ekuivokë, ajo qëndron në majat e shtetit serb, në brendësi të së cilit shtet vlon mëkati i së shkuarës. 

Vrasja e një policie, djegiet dhe plagosjet e shumta  më së miri dëshmojnë mendimin se fjala vret dhe atë (fjalën) duhet përdorur me kujdes, ndaj saj duhet qenë i jashtëzakonisht i kujdesshëm. Retorika e Beogradit edhe pas kaq vitesh po prodhon vrasje, po prodhon destabilitet, po prodhon pasiguri, po prodhon e jo prosperim. Kundër kësaj filozofie primitive dhe destruktive, kundër këtij diskursi politik dhe symbyllësisë politike të Beogradit, faktorët relevantë demokratik duhet të reagojnë me gatishmëri maksimale për të sendërtuar aspiratat për Ballkan demokratik, të integruar në botën e qytetëruar perëndimore. Zaten, vetëm kjo rrugë do e shpjer këtë rajon drejtë portave të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies. Dhe njëherit do ta nxjerr popullin serb nga kriza nacionale që i ka shpjer në këtë gjendje traume. Akti i së hënës në Mitrovicë duke patur për fajtortë sigurt: qeverinë dhe politikën serbe, e cila nuk reflekton as minimumin e racionalitetit politik, por inspiron akte huligane, mbështet dhe suporton dhunë dhe vrasje, duhet të shërbej si argument i fuqishëm tek bota e civilizuar se Pavarësia e Kosovës duhet ndihmohet, sepse kështu lirohet edhe Serbia nga e kaluara.

E ashtuquajtura qeveri demokratike serbe, që në thelb i ngjason qeverive të kaluara, me retorikën nacionaliste jo vetëm që po mbyll portat e paqes dhe dialogut të fqinjësisë së mirë, por vetëdijshëm po bëhet promotorë e dhunës dhe jostabilitetit, duke dal hapur në pozicionin mbrojtës së koncepteve të luftës dhe jo të paqes në kohën e globalizmit dhe integrimeve të gjithanshme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: