Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë
| E Marte, 10.04.2012, 05:59 PM |

ECURITË E ARSIMIT FILLOR SHQIP NË KËRÇOVE E RRETHINË

(1945-2010)

 

Nga Avzi Mustafa

 

Rrjedhat e zhvillimit të arsimit shqip në Kërçovë kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat kulturore, shoqërore dhe politike, herë-herë të penguara nga faktorët e ndryshëm. Para shkollës shqipe në Maqedoni, pra edhe ne Kërçovë, pas Luftës së dytë Botërore po paraqiteshin sfida të ndryshme që e pengonin zhvillimin normal të edukimit dhe arsimit të shqiptarëve në këtë republikë jugosllave.

Me krijimin e marrëdhënieve të reja shoqërore, të gjithë popujt e Ballkanit, pra edhe shqiptarët, prisnin barazi të plotë në gjitha sferat e jetës, por kjo shumë popuj i mashtroi, sepse parimet që proklamoheshin për një barazi të plotë asnjëherë nuk u realizuan, as që u ndërtuan ndonjëherë. Pabarazinë e shohim menjëherë, qëkur u hap diskutimi për kushtetutën e parë në Maqedoni, edhe pse në këtë kushtetutë në nenin 12 thuhej: “Pakicat kombëtare në Republikën Popullore të Maqedonisë i gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e zhvillimit të tyre kulturor dhe përdorimin e lirë të gjuhës së tyre”. Që këtu qartë shihet se fjala arsim në këtë kushtetutë mungon.

Duke vështruar nga perspektiva e të sotmes, sipas një dokumenti, mund të kuptohet  se ideologu i PKJ-së, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, menjëherë me vendosjen e sistemit të ri, i porositi udhëheqësit maqedonas, madje kërkonte nga komunistët maqedonas që në shumë vendbanime me shqiptarë të vendoset gjendje e jashtëzakonshme ushtarako-policore, se gjoja ende vepronin forcat reaksionare balliste. Sa i përket hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, ai kërkonte që të hapen vetëm në ato vende ku ishin instaluar poskomandat policore dhe jo në të gjitha vendet ku kishte nevojë dhe kushte normale për punë.

Ky autoritet komunist nuk u mjaftua me kaq, po ai i këshillonte komunistët maqedonas që të kenë kujdes dhe të mos lejojnë që në Maqedoninë Perëndimore të krijohet një “Kosovë e vogël”. Bashkë me ta ai i përcaktoi edhe metodat e format e ndryshme që ato në fillim dukeshin se janë forma të dhunës e jo të arsimit, duke e shfrytëzuar mirë edhe psikologjinë e shqiptarit që ky e njihte fare mirë. Deklaratat e këtilla shkonin preknin pra edhe më të shenjtën – arsimin, i cili në Maqedoni kufizohej dhe kontrollohej.

Megjithatë, meqë në Jugosllavinë e atëhershme jetonin edhe pakica të tjera kombëtare, për organizimin e shkollave të pakicave kujdesej e ashtuquajtura Pleqësi e përkohshme e Ministrisë së Arsimit në Jugosllavinë Demokratike. Ajo më 10 gusht të vitit 1945 e aprovoi edhe dokumentin “Drejtimet për punën e shkollave të pakicave kombëtare”. Në këtë dokument u dhanë kornizat dhe mundësitë e organizimit të shkollave të pakicave sipas orientimit jugosllav. Në këtë dokument thuhet:

1.       Të gjitha pakicat kombëtare mund të hapin shkollat e veta në ato vende ku ka më së paku 30 nxënës edhe nëse aty nuk ekziston shkollë. Ndërkaq, nëse ekziston shkollë në gjuhë tjetër, atëherë pranë asaj shkolle mund të hapen paralele – nëse ka 20 nxënës;

2.      Secila republikë popullore kujdeset për hapjen e shkollave fillore edhe të mesme;

3.      Mësimi në shkollat e pakicave zhvillohet në gjuhën e pakicës. Prej klasës së tretë me nga 3 orë në javë zhvillohet mësimi i gjuhës federale, respektivisht i gjuhës së republikës ku jeton pakica;

4.      Mësuesit në shkollat e pakicave duhet të jenë shtetas jugosllavë;

5.      Kujdesin për shkollat e pakicave e bëjnë instruktorët mësimorë, pjesëtarë të pakicave;

6.      Administrata në shkollat e pakicave behet brenda shkollës në gjuhën e pakicave. Të gjithë formularët dhe dokumentet zyrtare jepen në dy gjuhë.

7.      Librat dhe tekstet shkollore të botohen në vend..

 

Në bazë të këtij dokumenti filloi të organizohet edhe shkolla shqipe në Maqedoni, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër gjithsesi duhej të respektohej edhe ligji republikan i Maqedonisë, edhe pse sipas Kushtetutës së Maqedonisë, të aprovuar më 1946, ku Maqedonia proklamohej se është atdhe i maqedonasve, shqiptarëve, turqve dhe të gjithë duhet të kontribuojë për zhvillimin e saj në çdo pikëpamje. Mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua shkolla fillore shqipe, nga ajo që proklamohej dhe nga ajo që bëhej për shkollimin e fëmijëve shqiptarë, shohim se ajo u zhvillua me një plan të posaçëm. Sipas ndarjes territoriale në Maqedoni kemi formimin e rretheve dhe komunave. Kërçova së bashku me fshatrat në fillim ishte e paraparë bashkë me Dibrën të përfshihen në një rreth, por pa kaluar 3 muaj u bë ndryshimi dhe nuk e lanë që të ngrihet krahina Kërçovë-Dibër, por këto dy qytete me fshatrat do të hynë në rrethin e Ohrit.. Në gjendje të këtillë, Komuna e Kërçovës duhet të sigurojë kushte materiale për fillimin e arsimit, si dhe vendime të ndryshme për problemet e shkollave. Ashtu siç quhej asokohe – “pushteti i ri popullor” u ballafaqua me një numër të madh pengesash. Të gjitha pengesat ishin në lidhje me sigurimin e kushteve themelore për punën me shkolla, për sigurimin e kuadrit, mjeteve etj. Pushteti i ri nuk kishte ndonjë plan për ndërtimin e objekteve shkollore. Në çdo fshat ku banonin shqiptarët ndërtesa shkollore nuk kishte, madje edhe ato që kishin qenë më parë tashmë ishin shkatërruar, pa dritare, dyer e tavane, d.m.th. pa mjete elementare për punë mësimore. Të gjitha shkollat ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe ndërtoheshin apo rinovoheshin nga vetë fshatarët. Në shumicën e rasteve, për hapësirë shkolle u shfrytëzuan mejtepet, të cilat as për së afërmi nuk i plotësonin kushtet për mbarëvajtjen e mësimit. Një gjendje e këtillë solli aksionin e mobilizimit të vetë fshatareve për mbledhjen e inventarit të mbetur, si dhe organizimin e aksioneve vullnetare për adaptimin e ndërtesave shkollore. Për realizimin e punës së shkollave në gjuhën shqipe në Kërçovë dhe rrethinë rol të madh kanë luajtur mësuesit të cilët me entuziazëm dhe mund të madh, bashkë me popullin, nuk kursyen djersën e paranë e tyre për të realizuar ëndrrën e parealizuar gjatë shekujve.

Kështu, sipas statistikave, në periudhën e parë, që kap periudhën 1945-1950, në vendbanimet shqiptare në Kërçovë nuk kemi ndërtime të godinave. Sipas statistikave me të cilat disponojmë, në vitin 1945 nuk u ndërtuan, por vetëm u përshtatën, disa shkolla të ndërtuara gjatë pushtimit serb ose u adaptuan disa mjetepe dhe shtëpi private.

Në vitet 1944/45 punën mësimore e filluan këto shkolla, të ashtuquajtura shkolla “Shkolla fillore popullore”: në Zajaz me 54 nxënës, në Trapçindoll me 7 nxënës, në Cërvicë me 14 nxënës, në Jagol Dolencë me 19 nxënës, në Greshnice në një mësojtore me 35 nxënës dhe në fshatin Sërbicë më 20 shtator të vitit1945. Në vitin shkollor 1945/46 hapen shkolla fillore edhe në: Drogomisht të Poshtëm me 48 nxënës, në Dragomisht të Epërm hapen dy paralele me 75 nxënës, në Premkë me 24 nxënës, në Llapkindoll me 34 nxënës, në Kollarë me 74 nxënës me dy paralele të kombinuara, në Zhubrinë një paralele me 12 nxënës, në Prapadishtë 1 paralele, në Berikovë një paralele me 8 nxënës, në Prapadishtë një paralele me 13 nxënës, në Tuhin ishte hapur shkollë në gjuhen maqedonase, edhe pse fshati ishte etnikisht i pastër shqiptar. Kështu thuhet në Raportin e lëshuar nga referenti i shkollave, z. Telha Cela..Më pas, në vitin shkollor 1947/48 hapet një paralele në fshatin Berikovë me 8 nxënës, në fshatin Leshnicë me 21 nxënës, në fshatin Mahmute me 6 nxënës, në Novo Sellë me 7 nxënës dhe te Kaleshet një paralele me 9 nxënës .

Në etapën e parë të organizimit, arsimi shqip në Maqedoni zhvillohej sipas parimit të nacionaliteteve, ashtu që për çdo komb e pakicë hapeshin shkolla të veçanta me drejtori të veçanta. Me rritjen e numrit të nxënësve dhe me kërkesë të prindërve, pushteti atëhershëm i cili dukej se po e respekton vullnetin e popullit, hapi në vitin 1946/47 një shkollë me një paralele në fshatin Dërgovë, kurse në vitin shkollor 1947/1948 në shtëpinë private të Adem Jahollarit hapen dy paralele në Zajaz Teqe. Ndërsa nga viti 1949/50 këto paralele të Zajaz Teqës transferohen në medresenë xhamisë. Po në këtë vit shkollor hapet edhe shkolla fillore në fshatin Kolibar me 46 nxënës.. Në pesë vitet e para në Kërçovë e rrethinë në gjuhën shqipe fuksionojnë gjithsej 17 shkolla. .

Në vitin shkollor 1948/49 në rrjetin shkollor në rajonin e Kërçovës ka funksionuar vetëm një shkollë shtatëvjeçare dhe ajo ishte shkolla e fshatit Sërbicë, e cila e vazhdoi punën e saj si e vetmja shkollë që kishte funksionuar edhe viteve 1941/44, kur nxënësve ua pranuan dëftesat dhe kjo shkolle vazhdoi me klasat e larta. Kjo shkollë shtatëvjeçare ishte e vetmja shkollë që në gjirin e saj pranonte nxënës nga të gjitha fshatrat e Kërçovës dhe kjo shkollë si shkolle shtatëvjeçare ose, siç quhej, progjimnaz i vetëm në Kërçovë e rrethinë, e filloi punën me klasën V, të cilën e kanë ndjekur 16 nxënës. Kjo shkollë njihet edhe si shkolla e pare ne Maqedoni si shkollë që kalon në tetëvjeçare.

Në Plenumin e tretë të KQ të LKJ-së, në dhjetor të vitit 1949, u shqyrtua arsimi në përgjithësi, e veçanërisht arsimi dhe edukimi i pakicave ne shtetin Jugosllav. Në këtë plenum u kërkua që edukata e arsimi të orientohet kah ideologjia komuniste me orientim jugosllav. Këshilli për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, i Qeverisë së RPM-së në Shkup, ua dërgon për diskutim elaboratin të gjitha shkollave dhe me pjesëmarrje të detyruar mësuesve dhe prindërve. Nga një raport mund të shohim diskutime dhe propozime shumë interesante se gjoja shkollat katërvjeçare në fshat të ngelin edhe më tutje katërvjeçare, kurse shkollat e qyteteve të kalojnë në tetëvjeçare, e pastaj plan-programi mësimor të unifikohet dhe të hapen shkolla te përziera. Krejt qëllimi ishte se shkollat e pakicave për nga forma dhe përmbajtja të jenë lidhura me shtetin ku jetojnë. Në të njëjtën kohë u shtrua edhe nevoja për ndryshime të brendisë së punës në aspektin edukativ..

Periudha 1951/1960 ishte periudha kur shkollat me mësim në gjuhën shqipe po konsolidoheshin, edhe pse nuk posedonin aspak kushte për zhvillim të mësimit normal. Megjithatë, nga ana tjetër, kërkesat ishin të mëdha në përfshirjen e nxënësve. Në bazë të një raporti, si shkolla që nuk kishin kushte për mësim normal dhe në përfshirjen e nxënësve, na paraqitet shkolla e Trapçindollit dhe shkolla e Sërbicës.. Ndërkaq shkolla e Sërbicës ishte qendër e arsimit të të gjithë nxënësve shqiptar në Komunën e Kërçovës dhe rrethinës, e cila filloi të ndiqej edhe nga nxënës të fshatrave të rrethit të Zajazit e të Tuhinës.

Në vitet e ’50-ta organet ministrore, të përgatitura mirë në komitete partiake, filluan ta ndryshojnë kursin dhe shkollës t’i japin orientim e përmbajtje në plan-programet mësimore me orientim ideologjik dhe jugosllav. Prandaj në raporte del se inspektorët e arsimit vëzhgime bënin vetëm në lëndën e gjuhës amtare dhe të historisë. Në bazë të raporteve shohin se si deklarohen inspektorët e arsimit ndaj gjuhës amtare. Ata shkruajnë në raportet e tyre “se gjuha shqipe në shkollat me mësim në gjuhën shqipe nuk kanë asnjë dallim nga mësimi i nxënësve të Shqipërisë. Pastaj në raportet shkruhet se mësimi i gjuhës shqipe (shiptarski jazik) realizohet sipas programit të caktuar, ashtu që shumë mësues atyre u mësojë vjersha patriotike shqiptare. Sipas deklarimit të një drejtori, për t’u treguar se sa është ai komunist i vërtetë, ai kërkon ndryshime edhe më të mëdha  në drejtim të dhënies sa më tepër të karakter jugosllav, që të shtohet mësimi i shkrimtarëve jugosllavë. Ky ndryshim duhet të behet sa më shpejt, sepse ka rrezik që nxënësit të edukohen në frymën nacionaliste”..

Në të gjitha dokumentet e konsultuara, pra ligji i parë për administrimin shoqëror në lëmin e shkollimit fillor të vitit 1953, kërkesat programore të Kongresit të VI të LKJ-së, si dhe Kongresi i Parë i Pedagogëve të Jugosllavisë, kërkohet që të dalin në pah dy momentet kryesore, si: 1) Trajtimi autentik i pozitës dhe të drejtave mbi shkollën ose paralelet e pakicave në aspektin formal dhe 2) Statusi i shkollave të pakicave ose paraleleve të pakicave në përmbajtje.

Në Republikën e Maqedonisë si problem shumë të madh e paraqitnin edhe mosnjohjen e gjuhës maqedonase. Gati në të gjitha informatat që posedojmë e cekin këtë problem, që ishte edhe një kusht për të nisur organizimin e shkollimit sipas parimit nacional, me të cilin kërkohej që të kalohet në organizimin e shkollimit të ashtuquajtur të pakicave në bazë të parimit territorial. Kështu ata proklamonin se organizimi në bazë të këtij parimi do të bënte integrimin e pakicave nëpër republika. Sipas këtij parimi, duhej një shkollë me një udhëheqje të përbashkët, ku mësimi do të mbahej në paralele të ndara. Në shumë shkolla, edhe pse dominonte struktura nacionale e shqiptarëve, për udhëheqës zgjidhej joshqiptari. Këtë punë e rregullonte Ministria ose vetë ministri i Arsimit. Organizimi i shkollës, sipas këtij parimi, ishte që arsimtarët të shkëmbejnë përvoja me kolegët maqedonas, që nxënësit takohen në oborr dhe të mund komunikojnë, por edhe që aktivitetet e lira t’i organizojnë bashkërisht, duke besuar se kjo është mënyra më e mire për të forcuar frymën e patriotizmit jugosllav. Meqenëse ky ishte problem i të gjitha pakicave në shtetin jugosllav, ky problem nxiti që në shkollat e përziera të mësohej edhe në gjuhët e pakicave, megjithëse gjuha shqipe asnjëherë nuk u mësua, por mbeti vetëm një synim për rritjen e numrit të orëve “të gjuhës së republikës”..

Megjithatë, kërkesa për ndjekjen e shkollës në gjuhën amtare ishte e madhe. Por, asgjë nuk ndërmerrej për ndërtimin e shkollave, por ato më shumë ngelnin që me vetiniciativë të meremetoheshin ose të adaptoheshin, duke shtuar ndonjë mësonjëtore. Gjithashtu disa shkolla, si ajo Dërgovës në të cilën mësimi mbahej në gjuhën shqipe, do të mbyllet. Në bazë të raporteve, shohim  numrin e përfshirjes të nxënësve për vitin shkollor  1947/48  për Kërçovën me rrethinë  ishte paparaparë që ,të përfshihen: 1507 meshkuj dhe 839 femra. Mirëpo nga ky numër të paraparë në shkolla shkollimin e ndiqnin: 794 meshkuj dhe 457 femra, dhe ate në 18 shkolla katërvjeçare me 28 paralele dhe me 26 arsimtarë. Nëse shihet me përqindje, ajo është  50%. Kjo statistikë nuk është e saktë, sepse numri i femrave është i dhënë vetëm si evidencë për ato që duhet ta ndjekin klasën e parë dhe mandej po ky numër është dhënë edhe në fund të vitit shkollor .

Në vitet 1950-1960 në rrethin e Kërçovës nuk ndërtohet asnjë shkollë. Pos në Zajaz, ku në vitin shkollor 1951/52 formohet tetëvjeçarja me 4 paralele, që pastaj në vitin 1962/1963 kalon në shkollë qendrore, që do të përfshijë fshatrat e rrethit të Zajazit, si: Greshnicën, Leshnicën, Baçishtin, Drogomishtin e Epërm, Dragomishtin e Poshtëm, Kolibarët, Lllapkindollin e Trapçindollin. Në këtë kohë edhe disa shkolla, si ajo Jogoll-Dolencës dhe shkolla e Strellcës, kalojnë në shkolla tetëvjeçare. Po në vitin 1957/58 fillon puna me një paralele të kombinuar prej I-IV në qytetin e Kërçovës, kjo në shkollën fillore “Jane Sandaski” me mësues Rafman Fejzen dhe Rifat Kiskën, kurse në vitin 1966/67 kjo shkolle kalon në tetëvjeçare.

Nëse shikojmë se si qëndronte lëvizja e gjeneratave të nxënësve nga regjistrimi i klasës parë të shkollave fillore në vitin shkollor 1963/64 deri në përfundim të klasës së VIII në vitin shkollor 1970/71 në Kërçovë e rrethinë gjendja është me sa vijon: nga 227 nxënës të regjistruar në klasën e parë, në klasën e VIII ai numër arrinte në 81, që shprehur me përqindje, në gjeneratë për këto 8 vite ishte vetëm 35,68%.. Kjo përqindje kaq e vogël është për shkak se numri i vajzave të përfshira në shkollë në komunën e Kërçovës ishte shumë i vogël ose ato mësonin deri klasën e katërt e mandej e braktisnin shkollën. Shkollimi i vajzave ishte problem, sepse prindërit nuk kishin dëshirë që edhe ato t’i dërgojnë në klasat e larta, prandaj i dërgonin deri në klasë të katër, për t’i ikur kështu gjobës. Shumë prindër vepronin në mënyra të ndryshme. Duke gjurmuar në arkivin e shkollës tetëvjeçare të shkollës së Zajazit, aty gjenden disa certifikata të lëshuara nga mjekët se fëmijët e gjinisë femërore nuk janë të afta për shkollim të mëtejmë..

Prej vitit 1972, edhe pse shihet një transformim dhe liberalizim në sistemin edukativo mësimor, për sa i përket aspektit të organizimit nuk kemi ndryshime organizative në shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Tani në lëndën e gjuhës dhe letërsisë kemi heqjen e disa shkrimtarëve që kishin pak vlera letrare dhe zëvendësimin e tyre me shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në lëndën e historisë si specifikë tani janë pesë tema nga historia kombëtare, ku dy tema janë tema të përgjithshme, të cilat që mësoheshin në kuadër të historisë së popujve të Ballkanit. Sidoqoftë, prej vitit 1972 e deri në vitin 1981 kjo periudhë mund të karakterizohet si një periudhë kur shkolla shqipe merr një zhvillim të dukshëm në zgjerimin e rrjetit të shkollave, në hapjen e paraleleve në shkollat e mesme dhe në hapjen e disa programeve studimore në arsimin e lartë. Po në këtë periudhë shkapërderdhja e nxënësve u zvogëlua për tri herë në komunën e Kërçovës. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua vetëm një shkollë, në fshatin Greshnicë, edhe kjo me vetinicativë dhe kërkesë të pareshtur të greshnicasve.

Pas vitit 1981 vijon periudha me më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit. Pushteti maqedonas në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare, të cilën e ushtronin organet partiake me direktivën e shtetit, arsimin shqiptar filluan ta atakojnë nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik, që mbahej në gjuhën shqipe. Pushteti i atëhershëm në shënjestër kishte vënë mësuesit dhe kishte përgatitur dosjet famëkeqe që shkollën shqipe në Kërçove ta rikthejë në binarët e vjetër, duke u udhëhequr nga motoja e shovinistëve sllave “se shqiptari i pashkolluar është i dëgjueshëm ndaj shtetit”. Kështu u dënuan me burg Baftjar Rrushajn dhe Tefik Ramadani, kurse më vonë edhe Sulejman Elezi. Në vitin 1967 u burgosën edhe Fazli Veliu, Medin Emini dhe Qazim Rrushaj, pikërisht për arsye se ata angazhoheshin për arsimin shqip dhe për të drejtat universale të shqiptarëve në Kërçovë. Pas vitit 1981 pushteti i atëhershëm i ndau mësuesit në dy taborë, në të mire dhe të këqinj. Sipas një informate që kemi nga viti 1981, aty thuhet se “Duhet të fillojë pastrimi i literaturës nga bibliotekat shkollore, i librave, lektyrave e romaneve në gjuhën shqipe, po edhe fotografive e hartave gjeografike, si dhe të evidentohen rastet dhe faktet që do të vlerësohen si romantizën nacional shqiptar dhe të “formohen komisione të veçanta” për të filluar diferencimin, suspendimin dhe përjashtimin e kuadrit arsimor”.. Dhe, kështu në shtator të vitit 1981 sistemi i diferencoi dhe i largoi nga procesi mësimor mësuesit dhe arsimtarët: Imer Mehmeti, Baftjar Rrushaj, Sefedin Elezi, Shaziman Adili, Ramazan Bajrami, Feti Mustafa, Sabit Ramadani, Sami Ibrahimi, Ahmet Morreni, Olloman Sulejmani, Mersin Çupi, Veli Kasami, Islam Limani, Mustafa Pinjolli, Islam Adili, Bajram Kadriu, Nazif Selimi, Medin Emini, Etem Selimi, Tefik Ramadani, Zeqir Emini, Ilmi Veliu, Nexhbedin Saliu e Beqir Iseni.

Në vitin 1983 u kërkua që evidenca dhe dokumentacioni pedagogjik të mbahej në dy gjuhë, ndërsa në vitin 1989 sillen dy amendamente, 43 dhe 57, të Kushtetutës së Maqedonisë, me çka plotësisht gjuha shqipe u hoq nga përdorimi.

Në vitin 1985/86 si rast specifik duhet të përmendet rasti i fshatit Baçishtë kur satrapi i konvertuar maqedonas Nijazi Limanoski, për shkaqe politike, shkollën e Baçishtit e pavarësi si shkollë më vete dhe kjo shkollë u bë tetëvjeçare. Mirëpo, këta malësorë të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre, kurrën e kurrës nuk e pranuan ta humbin identitetin e tyre shqiptar. Ata, krahas presioneve të mëdha, kërkonin të mësojnë në gjuhën amtare, ashtu siç ishte deri në vitin 1949, kur atyre iu imponua të mësojnë në gjuhën maqedonase. Pas presioneve të vazhdueshme dhe mosbindjes së tyre, organet komunale ua mbyllën shkollën. Paskëtaj nxënësit e këtij fshati mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe nëpër shtëpi private, kjo deri në vitin 1991, kurse prej vitit 1993-1995 ata u transferuan në shkollën e Greshnicës. Pas këtij viti ata u pavarësuan dhe tash ndjekin mësimin prej foshnjores e deri në klasat e larta të tetëvjeçares, gjegjësisht të nëntëvjeçares.

Në vitin 1986/87 filloi kryqëzata e fundit kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist fillojnë të pushojnë nga puna arsimtarë, në shkollë u ndalua të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave dhe u mbyllen shkollat e mesme dhe të larta.

Tani arsimi i shqiptarëve filloi të organizohet sipas parimit të paraleleve të përziera, ku mësimi zhvilloj vetëm në gjuhën maqedonase, kurse gjuha shqipe mbetej vetëm si lëndë mësimore e kushtëzuar se cili shkrimtar dhe me çfarë vepre do të përfshihet,

Ky eksperiment i kuzhinës arsimore i Beogradit dëshironte së pari të testohej në Maqedoni, e mandej edhe ne viset e tjera ku jetonin shqiptarët. Po kështu në vitin 1983/84 ishte formuar një komision ndërrepublikan për të propozuar bërthamat e përbashkëta, të cilin përfaqësuesit e Kosovës e kishin bojkotuar dy herë, mirëpo më vonë u detyruan të marrin pjesë në diskutimin e versionit të pestë që u organizua në Beograd, ku u diskutua mbi bërthamat e përbashkëta programore të gjuhës amtare, të letërsisë, për edukimin e arsimin fillor dhe për bërthamat e shkollës së mesme. Sa i përket lëndës së historisë, atë e kishin zgjedhur me një hap, se “historia e kombësive është historia e atij kombi me të cilin jeton” –  ajo e Goce Dellecevit, Jane Sandaskit, Nikolla Karevit etj. Sa i përket lëndës së muzikës, aty pa asnjë diskutim u imponuan himnet sllave e këngët kishtare.

Në këtë mënyrë arsimi shqiptar kaloi një golgotë të paraparë. Gjithë kjo krijonte një pakënaqësi, si në masën e nxënësve, ashtu edhe të prindërve të tyre, të cilët nuk i shihnin me sy të mirë këto forma të organizimit, të cilat konsideroheshin si akte shoviniste e antishqiptare të organeve burokratike maqedonase.

Pas viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar në Kërçovë e rrethinë funksionojnë 23 shkolla në 134 paralele me gjithsej 2775 nxënës, prej  të cilëve 1286 femra dhe me 330 arsimtarë. Tani në Kërçovë e rrethine punojnë gjashtë (6) shkolla tetëvjeçare ose, siç quhen, të varura, si: në Sërbicë, ku përfshihen nxënësit e shkollave periferike të fshatrave Zhubrinë, Aranjell. dhe Novo Sellë; në Jagoll-Dollence: Kaleshet, Berikoveni, Parapadishti dhe Popojani. në Strellcë gravitojnë: Mahmudet, Shutova, Cervica dhe Premka; në tetëvjeçaren e Zajazit hyjnë: Zajazi Teqe e Xhuma, Drogomishti i Madh dhe Drogmishti i Vogël, Kollara; në tetëvjeçaren e Greshnicës, e cila në vitin 1998 u pavarësua, gravitojnë fshatrat: Trapçindoll, Kolibar, Llapkindoll, Leshnicë dhe Baçisht. dhe në tetëvjeçaren e Kërçovës, gjegjësisht në shkollën tetëvjeçare të pavarur “Jane Sandanski”, vazhdojnë shkollimin fillor të gjithë shqiptarët që jetojnë në qytetin e Kërçovës.

Në bazë të ndarjes territoriale, Kërçovën e ndajnë në 3 njësi administrative, në atë të Zajazit, Osllomesë dhe të Kërçovës. Në tria komunat pas viteve 2000 numri i shkollave është po ai, kurse numri paraleleve dhe i nxënësve po reduktohet ndjeshëm. Në bazë të statistikave, në Komunën e Zajazit nxënësit që mbarojnë tetëvjeçare është 125, në Osllome 91 dhe në Kërçovë 91, pra gjithsej 307 nënës. Sipas regjistrimit të vitit shkollor 2011/2012, numri i nxënësve në klasën e parë është: në Zajaz 65 nxënës, në Osllomej 42 dhe në Kërçovë 40  nxënës, pra gjithsej 147 në klasë të parë..

Sot brengos fakti se nuk kemi rritje të numrit të nxënësve, e as të paraleleve, por kemi pakësim të tyre. Nomadët ekonomikë na i boshatisin shkollat dhe kjo është më brengosësh. Dhe, jo se kërçovarët e dëshirojnë këtë, por halli i detyron të veprojnë kështu. Shteti për këta nxënës as që do t’ia dijë se a shkollohen dhe nuk mban fare llogari për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në diasporë.

Nga gjithë kjo, mund të themi se me shkollimin e shqiptare të trevës së Kërçovës, me të gjitha baticat e zbaticat, ne sot mund të krenohemi me të gjithë ata nxënës e mësues, sepse këtu është filluar nga zeroja, ndërsa nga kjo trevë ekonomikisht e pazhvilluar kanë dalë shumë nxënës që vunë bazën e mësimeve të mëtutjeshme dhe u krijua një plejadë intelektualësh të fushave të ndryshme që i kanë kaluar caqet e nevojave të Kërçovës dhe tanimë dituritë e tyre i aplikojnë në shumë universitete e në qendra të ndryshme shkencore. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre mësuesve e arsimtarëve të shkollave fillore që bartën barrën më të rende në punën e tyre të suksesshme. Ata sot nuk kanë dekorata e mirënjohje, sepse ato as që u duhen, por ata na kanë neve, nxënësve të profileve të ndryshme, që jemi fryti i tyre dhe që do t’i nderojmë e do t’i kujtojmë sa herë që do të përmendet fjala e bukur “arsim”, të cilën kërçovari, kudo që është ai, e di, e kupton dhe e nderon.



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: