Surroi: Marrëveshjet e fundit e kthejnë Kosovën prapa
| E Diel, 25.03.2012, 12:40 PM |

Prishtinë, 22 mars - Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme (KPJ) ka folur për zhvillimet e fundit politike në një ligjëratë të organizuar nga Shkolla Politike e Prishtinës. Publicisti Veton Surroi ka alarmuar për situatën politike nëpër të cilën po kalon shteti i ri, ku, sipas tij, që pas shpalljes së pavarësisë ende janë të pranishme disa deficite.

 

“E para, pamundësia për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e vendit; e dyta, mungesa e legjitimitetit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës; e treta, përpjekja e shtetit të ri dhe të pavarur për ta dëshmuar veten në procesin e monitorimit nga EULEX-i apo ti jepet fuqi ekzekutive, si dhe, e fundit, mungesa e kapacitetit qeverisës dhe funksional të pushtetit në Kosovë”, ka thënë Surroi, duke shtuar se qeveria ka demonstruar deficit demokratik në vazhdimësi.

 

Më tej, ai ka thënë se ‘gjendja e sipërpërmendur është rënduar edhe më tej pas shpalljes së pavarësisë me marrëveshjet e arritura me Serbinë, duke e kthyer Kosovën një hap prapa’.

 

“Në këta muajt e fundit, dhe pas marrëveshjeve për fusnotën, është përsëritur se Kosova ka bërë një hap përpara në rrugën drejt BE-së. Duhet të jesh shumë krijues të thuash kështu. Substancialisht, Kosova nuk ka bërë hap përpara në raport me BE-në. Hapa përpara ka bërë Serbia, duke fituar statusin e kandidatit dhe ka ndryshuar marrëdhëniet me BE-në. Marrëdhënia Kosovë - BE nuk është vendosur por vetëm ka pas premtime”, ka thënë Surroi, sipas të cilit serbët kanë arritur që çështjen e procesit negociator, tani edhe për veriun ta mbajnë në stadin e një status quo.

 

“Duke hyrë në proces negociator është problematizuar çështja nga vet Kosova”, ka shtuar publicisti Surroi.

 

Më tej ai është ndalur edhe në qeverisjen aktuale, duke kritikuar për mos punën e bërë në raport me forcimin e shtetit dhe sundimit të ligjit. “EULEX-i nuk e ka ndryshuar situatën në aspekt të zbatimit të ligjit qysh me vitin e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shteti nuk ka treguar kapacitet më të madh”, ka deklaruar ai.

 

Surroi më tej është përgjigjur në interesimin e pjesëmarrësve të Shkollës Politike, që përfaqësojnë partitë politike, institucionet, shoqërinë civile dhe mediat. Shkolla Politike është programi i Institutit të Prishtinës për Studime Politike, PIPS.


Koha Ditore - Për ZSH: Tahir Shabani

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: