Fitim Rifati: Traktati i Shën Stefanit dhe reagimet e shqiptarëve
| E Premte, 23.03.2012, 08:05 PM |

TRAKTATI I SHËN STEFANIT DHE REAGIMET E SHQIPTARËVE

 

“Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me mbarë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur të që të mbajmë atë që është e jona. T`u lihen  shqiptarëve tokat shqiptare!”. (Komiteti i Stambollit, 30 maj 1878)

 

Nga MA. Fitim RIFATI

 

Ndryshimi i ekuilibrit të forcave në Evropë u shkaktua si pasojë e Krizës Lindore (1875-1878), e cila përfshinte përmbysjen e sundimit osman në Rumeli (pjesën evropiane të Perandorisë Osmane), si në Bosnjë e Hercegovinë, në Bullgari, në Kretë në Shqipëri, por edhe pavarësimin e plotë të principatave autonome ballkanike. Fuqitë kryesore në luftën politike e diplomatike gjatë kësaj krize ishin: Rusia, Anglia dhe Austro-Hungaria, duke mos përjashtuar edhe rolin dytësor që luajtën fuqitë e tjera (Franca, Gjermania e Italia) dhe principatat ballkanike (Mali i Zi, Serbia e Rumania) e Mbretëria e Greqisë.

Gadishulli i Ballkanit vazhdoi të mbetet në qendër të vëmendjes së Fuqive të Mëdha edhe pas përfundimit të Luftës së Krimesë, e cila mori fund me nënshkrimin e Traktatit Ndërkombëtar të Parisit (1856). Politika e jashtme e fuqive perëndimore (Anglisë dhe të Francës), synonte fuqizimin e Perandorisë Osmane, duke i dhënë asaj kredi për të nxitur një sërë ndryshimesh të brendshme administrative dhe financiare, me qëllim që të arrihej në një shkrirje të të krishterëve me myslimanët, duke formuar një lloj kombësie turke, që në këtë mënyrë shteti osman të shpëtonte nga ndërhyrjet e jashtme.[1]

Kryengritja e cila shpërtheu në verë të vitit 1875 në Bosnjë e Hercegovinë u shua po atë vit nga Porta e Lartë.[2] Gjithashtu, edhe kryengritja bullgare e prillit të vitit 1876, pas një muaji, u shua në mënyrë të përgjakshme nga ushtria osmane.[3] Në anën tjetër, duke konsideruar në dobësimin e brendshëm të Perandorisë Osmane dhe në shpërqendrimin e ushtrisë së saj në gjithë territorin osman, po në verë të vitit 1876, Principata e Serbisë dhe Principata e Malit të Zi i shpallën luftë asaj. Pavarësisht trazirave të brendshme, në fund të shtatorit të vitit 1876, ushtria osmane u shkaktoi disfata të rënda principatave sllave. Principata e Serbisë ishte në prag të kapitullimit, por me ndërhyrjen e Perandorisë së Rusisë, më 31 tetor 1876, palët ndërluftuese (Porta e Lartë dhe Serbia) nënshkruan armëpushim në nëntor të atij viti, ndërsa Mali i Zi e vazhdoi luftën pa ndonjë sukses të rëndësishëm.[4]

Pozita ndërkombëtare e disfavorshme për Perandorinë e Rusisë, që erdhi si rrjedhojë e Traktatit Ndërkombëtar të Parisit (1856), i cili pengoi qëllimet imperialiste që ajo kishte drejt Perandorisë Osmane, i pamundësoi daljen në Detin e Zi e lumin Danub dhe nga pretendimet për të mbrojtur të krishterët e Ballkanit që jetonin në territorin e Perandorisë Osmane, gjë që rezultoi me dobësimin e saj politik dhe ekonomik. Si pasojë e humbjes së baraspeshës së forcave, rolit kushtëzues në skenën politike ndërkombëtare dhe interesave të saj gjeopolitike dhe ekonomike, Rusisë i shërbente çdo problem më i vogël i të krishterëve, veçanërisht ortodoksëve, në Ballkan, që në këtë mënyrë ajo të përfshihej në çështje të brendshme të Portës së Lartë, të cilat do të çonin drejt dobësimit dhe shkatërrimit të Perandorisë Osmane.[5] Mirëpo, këto synime të saj pengoheshin nga Anglia dhe Franca, të cilat përkrahnin procesin e reformave në pjesën evropiane të perandorisë së sulltanit dhe fuqizimin e saj të brendshëm. Për këtë qëllim, ato organizuan një konferencë ndërkombëtare në Stamboll, por më 23 dhjetor 1876, ditën kur filloi punimet Konferenca e Stambollit, për herë të parë në historinë osmane sulltani shpalli një kushtetutë, e cila të gjithë popujve përbërës të perandorisë, pavarësisht diversitetit kombëtarë e fetarë, iu dha të drejta të barabarta. Sipas kushtetutës, u krijua parlamenti i përbërë nga dy dhoma; ajo e deputetëve dhe ajo e aristokratëve. Zyrtarisht, parlamenti i filloi punimet më 20 mars të vitit 1877.[6]

Me një situatë të tillë, e cila zgjaste modifikimin e status quosë në Ballkan, nuk pajtoheshin fuqitë konservatore si Rusia, e cila nën trysninë e pansllavizmit shprehte gatishmëri t`i mbështeste me çdo mjet lëvizjet politike në Ballkan dhe Austro-Hungaria, e cila duke vlerësuar ndikimin e Rusisë, mëtonte t`i realizonte interesat e saj imperialiste në Ballkan përmes metodave të kompromisit dhe zgjidhjes diplomatike.[7] Të përafruara në këtë pikë të përbashkët, shuarjes së sundimit osman në Ballkan dhe ndarjes së territorit të tij sipas interesave që kishin, më 8 korrik të vitit 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria nënshkruan një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat të Bohemisë (Republika e sotme e Çekisë), e cila do të përcaktonte ndarjen e zonave të ndikimit për të dyja palët. Sipas kësaj marrëveshje, përveç të tjerash, parashikohej edhe formimi i Shqipërisë autonome nën protektoratin e Austro-Hungarisë, pikë kjo e cila u kundërshtua dhe mohua nga ana e Rusisë.[8]

Meqenëse Rusia nuk mund të pajtohej me situatën e brendshme dhe të jashtme, e cila ishte në kundërshtim me interesat e saj, ajo po bënte të gjitha përgatitjet për të filluar luftën kundër Perandorisë Osmane. Mirëpo, për të siguruar neutralitetin e Austro-Hungarisë, përmes një marrëveshje të fshehtë të realizuar në Budapest, më 15 janar 1877, Rusia dhe Austro-Hungaria ranë dakord me sa vijon: Austro-Hungaria merrte Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa Besarabia Jugore bashkohej me Rusinë. Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria bëheshin autonome, kurse Kreta, Thesalia dhe pjesërisht Epiri, bashkoheshin me Greqinë. Kjo marrëveshje u plotësua me një aneks që u nënshkrua më 18 mars 1877.[9]

Marrëveshjet e fshehta të Rajshtatit dhe Budapestit, të firmosura nga këto dy perandori, në historiografinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare konsiderohen ndër aktet e para diplomatike që brenda tyre trajtuan edhe çështjen e formimit të një shteti shqiptar, ide kjo e cila buroi nga iniciativa e Austro-Hungarisë.

Ishte e nevojshme që ushtria ruse të kalonte nëpër tokat rumune, korridor ky i cili i mundësonte asaj për të arritur në Danub (frontin e Ballkanit). Për këtë arsye, Rusia hyri në bisedime me Principatën e Rumanisë, të cilat rezultuan me nënshkrimin e një marrëveshje ndërmjet dy palëve, më 16 prill 1877, sipas të cilës trupat ruse kalonin lirshëm nëpër territorin rumun.[10] Në këtë mënyrë, Rusia përfundoi të gjitha përgatitjet dhe fitoi sigurinë që më 24 prill të vitit 1877 t`i shpall luftë Perandorisë Osmane.[11]

Lufta ruse-osmane u zhvillua në dy fronte: në Ballkan dhe në Kaukaz. Me këtë rast, principatat ballkanike, duke shfrytëzuar koniunkturat në favor të interesave të tyre politike, u futën në luftë përkrah Rusisë. Ushtria osmane ishte e shpërndarë në tërë territorin e perandorisë dhe duke qenë e dobësuar nga brenda, nuk bëri ndonjë rezistencë të fortë, përveç asaj në fortesën e Plevnës (Bullgari), e cila u rrethua në verë të vitit 1877 me ç`rast ushtria ruse fillimisht pësoi disfatë. Mirëpo, me ndihmën e forcave rumune, ajo shpërtheu portat e fortesës, morri atë më 10 dhjetor 1877 dhe mposhti qëndresën e ushtrisë osmane, e cila më nuk kishte fuqi t`i bënte rezistencë marshimit të ushtrisë ruse, që deri në janar të vitit 1878 iu afrua Stambollit.[12]

Në anën tjetër, shpërtheu sërish kryengritja në Bosnjë[13], ndërsa Principata e Malit të Zi kishte arritur të pushtonte viset shqiptare të Anamalit, Hotit e  Krajës me qytetet Ulqin e Tivar. Principata e Serbisë kishte bërë përparim drejt jugut duke okupuar sanxhakun e Nishit, Pirotin, Vranjën, Leskovcin dhe kishte arritur deri në Gjilan.[14] Është dëshmuar se këto treva kanë qenë të banuara me popullsi shqiptare myslimane, e cila për shkak të masakrimeve, vrasjeve, torturave, djegies së shtëpive ishte detyruar t`i braktiste vatrat e saj për t`u shpërngulur në vilajetin e Kosovës, vilajetin e Manastirit e gjetiu në territor më të sigurt të Perandorisë Osmane.[15] Në ndërkohë, duke shfrytëzuar përparimin rus dhe rënien e ushtrisë osmane, Mbretëria e Greqisë, më 21 shkurt të vitit 1878, urdhëroi ushtrinë e saj të futej në territorin osman, por nga presioni i Anglisë dhe Francës, pas nëntë ditësh, ajo u detyrua t`i largojë trupat e saj të rregullta nga zotërimet osmane. Mirëpo, me qëllim përfitimi e zgjerimi territorial në kurriz të Perandorisë Osmane, ajo vazhdoi financimin e bandave greke për të kryer akte guerile në Epir (Shqipërinë e Jugut), Thesali e Kretë.[16]

Njëkohësisht, Fuqitë e Mëdha (Anglia, Franca e Austro-Hungaria), meqë mbajtën neutralitet derisa zhvillohej lufta ruse-osmane, me të vërejtur kapitullimin e ushtrisë osmane dhe afrimit të ushtrisë ruse para portave të Stambollit, ato nuk mund të pajtoheshin me përparimin rus, i cili rrezikonte seriozisht interesat e tyre, që me disfatën e sulltanit mund të çonte në humbjen e kredive që ato i kishin huazuar atij. E para ishte Anglia e cila në fillim të janarit 1878 reagoi duke futur flotën detare në Dardanele, që nënkuptonte gatishmërinë e saj për ta mbrojtur Stambollin. Në ndërkohë, Austro-Hungaria, përmes ministrit të Jashtëm, Andrashi (Andrassy), i kërkonte Rusisë që të ishte e vëmendshme për të mos kushtëzuar Portën e Lartë me një paqe, dispozitat e së cilës do të nxirreshin sipas diktimit të saj, sepse në të kundërtën fuqitë evropiane do të reagonin sipas rrjedhave që do të zhvilloheshin.[17]

Në rrethana të tilla, Rusia u detyrua të nënshkruante armëpushimin me Portën e Lartë, më 31 janar të vitit 1878 në Adrianopojë (Edrene), për të filluar negociatat, të cilat do të përfundonin me firmosjen e një traktati paqeje ndërmjet dy palëve. Për të përqendruar vëmendjen vetëm në bisedimet me Rusinë, sulltan Abdyl Hamiti II, sipas pushtetit që i siguronte kushtetuta, më 14 shkurt 1878 shpërndau të dy dhomat e parlamentit për një afat të pacaktuar, por për tri dekada, parlamenti nuk u mblodh më.[18]

Kështu, bisedimet për paqe u zhvilluan në Shën Stefan, një lagje në perëndim të Stambollit, nga Nikolla Ignjatiev e Aleksandër Nelidov, përfaqësues të Rusisë dhe ministrit të Jashtëm Safet Pasha e ambasadori në Gjermani Sadullah Beu, përfaqësues të Perandorisë Osmane. Ky delegacion, më 3 mars të vitit 1878, në emër të të dy perandorive, firmosi një marrëveshje paqeje, e cila njihet si Traktati i Shën Stefanit. Sipas kësaj marrëveshje, Porta e Lartë e njihte pavarësinë e Malit të Zi dhe i kalonte atij tokat nga Nikshiqi, Podgorica, Zhabjaku, si dhe tokat shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Plavës, Gucisë dhe Rugovës.[19] Në këtë mënyrë, sipërfaqja e tij trefishohej nga 4.700 km² në 15.700 km².[20] - (Neni 1-2). Principata e Serbisë fitonte pavarësinë nga Porta e Lartë dhe zgjerohej në jugperëndim duke përfshirë sanxhakun e Novi Pazarit, të Nishit me Leskovcin, si dhe pjesën veriore e verilindore të Kosovës[21], me ç`rast territori i saj zgjerohej nga 37.700 km² në 52.700 km².[22] - (Neni 3). Bullgaria do të bëhej një principatë autonome dhe tributare e sulltanit. Në krye të saj do të qëndronte një vali i krishterë dhe kufijtë e saj do t`i siguronte një milici kombëtare. Kufijtë e kësaj principate do të shtriheshin në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në Detin Egje, në veri deri te lumi Danub dhe në perëndim do të shkonin deri në malet e Voskopojës. Brenda këtyre kufijve do të përfshiheshin edhe vise shqiptare si: Korça, Bilishti, Pogradeci, Ohri, Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova, Kaçaniku etj.[23] Kështu, formohej një “Bullgari e Madhe”, e cila do të administronte një territor prej 172.500 km².[24] - (Neni 6). Në Kaukaz, Rusisë i kalonin krahinat e Karsit, Ardahanit, Bajazidit e Batumit, si dhe krahina e Besarabisë, të cilën ia shkëputi Rumanisë në kompensim të Dobruxhës Veriore.[25]

Me Traktatin e Shën Stefanit, Rusia nuk respektoi marrëveshjet e saj të fshehta me Austro-Hungarinë, nuk mori parasysh shumëllojshmërinë kombëtare që ekzistonte në Ballkan, veçanërisht shqiptarët, dhe në përputhje me interesat e saj pansllaviste e të dominimit politik e ekonomik në Mesdhe, diktoi edhe klauzolat e traktatit të paqes, ndaj të cilave sulltani nuk kishte fuqi kundërshtimi. Nga cedimet e këtij traktati, zotërimet osmane në Evropë pothuajse privoheshin tërësisht. Shtetet sllave të jugut zgjeroheshin në kurriz të tokave të banuara nga shqiptarët në veri e në lindje të tre vilajeteve; të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit.

Në kohën kur dispozitat e përgjithshme të Traktatit të Shën Stefanit u shpallën publikisht dhe kur u bënë të njohura nenet e tij që kishin të bënin me viset shqiptare, atëherë shqiptarët ndërruan kursin e lëvizjeve të tyre, të cilat tashmë morën karakter kombëtar. Reagimet e shqiptarëve kundër vendimeve të kësaj paqeje erdhën nga intelektualët shqiptarë që jetonin në Stamboll (Komiteti i Stambollit), por edhe nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare që jetonin në trevat shqiptare. Ato ishin të shpejta dhe u intensifikuan me kalimin e kohës përmes protestave të cilat manifestoheshin me tubime popullore, memorandume, telegrame e peticione drejtuar ambasadave dhe konsullatave të Fuqive të Mëdha (Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë e Italisë), me të cilat shprehnin zemërimin mbi mohimin e qenësisë kombëtare dhe territoriale të tyre dhe njëzëri kundërshtonin çdo aneksim të tokave shqiptare që parashihej të bëhej sipas këtij konfiguracioni të ri politik. Ata deklaronin se ishin të gatshëm për mbrojtjen në çdo mënyrë të të drejtave të tyre të pacenueshme.

Sipas raporteve të konsujve austro-hungarez në Shqipëri, se zgjerimi i kufijve të Malit të Zi në kurriz të tokave shqiptare të veriut, ishte në kundërshtim me gjendjen territoriale-administrative të Perandorisë Osmane, me elementin etnik e fetar, tregon edhe fakti që përcillet me protesta e lutje nga ana e përfaqësuesve shpirtërorë katolik të Shqipërisë së Veriut. Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Lipih (Lippich), i raporton, më 11 mars të vitit 1878, një protestë dhe lutje ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Andrashi (Andrassy), e hartuar nga kryepeshkopi i Tivarit dhe Shkodrës, njëkohësisht dhe mitropolit i Shqipërisë, Karl Poten (Karlo Pooten), i cili kundërshtonte marrjen nga ana e Malit të Zi të krahinave katolike që u përkisnin dioqezave të Tivarit dhe Shkodrës. Ai, duke konsideruar se qeveria austro-hungareze ishte protektore e kultit katolik, kërkonte që ajo të ruante popullsinë malësore dhe të pengonte kalimin e tokave të tyre nën pushtetin e Malit të Zi ortodoks. Duke përshkruar vrasjet, djegiet, plaçkitjet dhe vuajtjet që ushtria malazeze kishte shkaktuar në lokalitetet shqiptare, kryepeshkopi lutej që Austro-Hungaria “...të kujdeset që qeveria malazeze të tërheqi trupat nga vendbanimi i okupuar, që banorët malësorë të mos vuajnë nën zgjedhën e shkjave...” dhe të mos përjetojnë mëtej vuajtje si ato nën sundimin turk.[26]

Duke u mbështetur në dokumente të publikuara angleze, të cilat përkitazi pasqyrojnë zhvillimet e brendshme në Perandorinë Osmane, dëshmuar përmes raporteve të ambasadorëve, konsujve të përgjithshëm dhe nënkonsujve anglezë, paraqesim këtu disa peticione, telegrame, protesta e memorandume, që shqiptarët i dërguan këtij organi diplomatik dhe ambasadave të tjera të Fuqive të Mëdha, të cilat njëzëri kundërshtojnë me vendosmëri vendimet e Traktatit të Paqes në Shën Stefan, që ishin në dëm të tokave shqiptare.

Në një peticion të banorëve të sanxhakut të Shkupit, i hartuar më datën 14 mars të vitit 1878 nga paria e myslimanëve (shqiptarët dhe turqit), ortodoksëve (grekët, maqedonasit, serbët e shqiptarët) dhe hebrenjve, fillimisht theksohet keqardhja me rastin e njoftimit mbi vendimet e Traktatit të Shën Stefanit dhe dispozitave të tij se sanxhaku i Shkupit do të përfshihej brenda kufijve të Bullgarisë. Duke vënë në dukje pajtueshmërinë me regjimin e sulltanit në njërën anë dhe numrin e banorëve, përkatësinë fetare, ku më se gjysma e tyre që përbënin sanxhakun e Shkupit ishin myslimanë (shqiptarë e turq), harmoninë e bashkëjetesën e shkëlqyeshme që kishte mbretëruar ndër shekuj mes tyre, pa dallim bindjeje fetare, përkatësie kombëtare, gjuhësore a krahinore nga ana tjetër, ata shpreheshin njëzëri se aneksimi i tokave të tyre ishte në kundërshtim me çdo të drejtë dhe protestonin me gatishmëri, duke thënë: “...më parë do të flijohemi se sa të bijmë nën robërinë e sundimit të egër, barbar dhe gjakatar të bullgarëve”.[27]

Ndërkaq, në një memorandum të cilin në emër të shqiptarëve e ka përgatitur Komiteti i Stambollit, që përmes anëtarit të këtij komiteti, Pashko Vasës, ia paraqet ambasadës britanike në Stamboll (1 prill 1878), reflektohet situata e ndërlikuar si pasojë e planit për krijimin e Principatës së Bullgarisë, të zgjerimit të kufijve të Serbisë e Malit të Zi në dëm të tokave shqiptare, e cila për rrjedhojë do të ndikonte në shfaqjen e një krize të re për kohën, asaj të Shqipërisë. Në vështrim retrospektiv mbi kujtesën historike dhe në pasqyrim e përputhje me realitetin e kohës, në memorandum paraqiten argumente historike, etnografike, gjuhësore, fetare, zakonore etj., të cilat provojnë historikisht qenien e shqiptarëve që banonin viset e tyre nga kohërat më të lashta, e që tani ishin objekt aneksimi sipas klauzolave të Traktatit të Shën Stefanit. Në këtë memorandum thuhet: “...Shqiptarët, qoftë të besimit mysliman apo të besimit katolik, nuk do t`i nënshtrohen sundimit të ndonjë shteti sllav...”.[28] Aty, ndër të tjerash, theksohej pozicioni në rrezik dhe gjendja tepër e vështirë për popullin shqiptar, ku kërkohej që të vihej në konsideratë fuqia dhe kapaciteti i brendshëm shoqëror, ushtarak dhe gjitha pasuritë e tjera të shqiptarëve, që mbi mbështetjen e tyre trojet shqiptare të kalonin në një qeverisje autonome, duke theksuar si arsyetim administrimin e dobët, mospërputhjen e ligjeve publike me zakonet e popullsisë vendëse, korrupsionin dhe injorancën e gjykatësve e punonjësve administrativ të pushtetit osman.[29]

Në përputhje me platformën politike në interesin kombëtar të shqiptarëve, por njëkohësisht duke respektuar të drejtën dhe dëshirën nacionale të popujve fqinjë ballkanikë, në memorandumin e Komitetit të Stambollit, thuhej: “Po që se, pra, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina do të shkëputen, pak a shumë, nga Perandoria, dhe do të vetëqeverisen si të dëshirojnë përsa u përket interesave të tyre nacionale, nuk ka arsye t`i detyrojnë shqiptarët që të heqin dorë nga përparësitë e një qeverisjeje autonome...”. Për më tepër, në memorandum shprehet vullneti i shqiptarëve të cilët ”...kërkojnë një qeveri të ndarë, e cila do të jetë më shumë në harmoni me kërkesat dhe traditat e tyre...”, që në këtë mënyrë do të futeshin në gjirin e familjes së madhe evropiane, e drejtë kjo që ata e kërkonin përmes tij.[30] Përkitazi me aspiratën e shqiptarëve për të vetëqeverisur viset e tyre dhe për të qenë të mbrojtur nga çdo copëtim i tokave të tyre në dobi të principatave fqinje ballkanike e në kundërshtim të plotë me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, në memorandum theksohet se “...shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë t`i nënshtrohen ndonjë shteti sllav që Rusia mund të orvatet t`ua imponojë...[31], sepse në këtë aspekt nuk ekzistonte asnjë përputhje e karakterit historik, etnografik, gjuhësor, zakonorë etj. Prandaj, duke vlerësuar rolin themelor dhe qëndrimin e Fuqive të Mëdha perëndimore, të cilat diktonin zhvillimet e përgjithshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, në ndikimin që ato ushtronin mbi Portën e Lartë, në fuqinë e brendshme luftarake të shqiptarëve dhe në evitimin e rrezikut që i kanosej përmes copëtimit të trojeve të tyre, memorandumi përfundonte: “Në qoftë se shqiptarët nuk do ta fitojnë autonominë, por kanë për të zgjedhur në mes të nënshtrimit një shteti të vogël sllav, apo aneksimit nga një shtet i madh evropian, ata unanimisht nuk do të ngurrojnë për t`u deklaruar në të mirë të alternativës së dytë”.[32]

Në relacionin e datës 7 prill 1878, që konsulli Lipih (Lippich) i dërgon ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Andrashi (Andrassy), përveç që dëshmon për situatën mjaft të rënduar në viset e okupuara nga Mali i Zi, ndër të tjerash, raporton edhe për zemërimin dhe kundërshtimin e plotë të shqiptarëve në Prizren mbi përcaktimet e paqes ruse-osmane. Ai konstaton se “atje i nxejnë gjakrat sidomos cedimi i Vranjës, Gjilanit, Shkupit dhe i Tetovës ndaj Bullgarisë” -dhe përfundon- “koncesionet e bëra nga Porta ndonëse ajo është e pafuqishme, i quajnë tradhti ndaj shqiptarëve”.[33]

Lëvizja shqiptare kishte filluar të shkonte drejt organizimit dhe fuqizimit, që si rrjedhojë ngërthente në vete masa të gjera popullore, duke i bashkuar drejt kundërshtimit të vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit. Më 30 prill të vitit 1878, konsulli austro-hungarez në Prizren, Jelinek (Jelinek), njoftonte se në Gjakovë ishte zhvilluar një mbledhje me qëllim të merren në konsideratë kundërshtimet dhe peticionet që shqiptarët i drejtonin ambasadave të Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë e të Italisë në Stamboll, protesta këto që vinin në theks rrezikun e padrejtë që i kanosej atyre nga dispozitat e paqes ruse-osmane.[34]

Reagimet dhe protestat e shqiptarëve kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit u shtuan sidomos gjatë muajit maj të vitit 1878. Në një raport që konsulli i përgjithshëm britanik në Shkodër, Kirbi Grin (Kirby Green), i dërgon, më 3 maj të vitit 1878, sekretarit shtetëror të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sallsbërit (Salisburit), ndër të tjerash konstatohet se shqiptarët e veriut po “...përgatiten për ta rezistuar çdo përpjekje të ndryshimit të kufijve që kanë të bëjnë me ta”.[35]

Siç theksuam edhe më herët, brenda kufijve të Principatës së Bullgarisë, e cila parashikohej të formohej sipas klauzolave të Traktatit të Shën Stefanit, vihej në dukje edhe aneksimi e përfshirja në të e rrethit të Dibrës. Me t`u informuar për këtë vendim, dibranët protestuan bashkërisht dhe, më 4 maj 1878, i dërguan telegram organit konsullor të Britanisë së Madhe, me ç`rast kërkohej mbështetje miqësore që ata, duke shfrytëzuar dhe vënë në funksion autoritetin në raportet diplomatike ndërkombëtare, të pengonin realizimin në praktikë të këtij plani, dispozitat e të cilit ishin në kundërshtim me realitetin e përgjithshëm dhe të drejtën njerëzore. “Dibra nuk ka asnjë gjë të ngjashme që mund të përkoj me vendin që quhet Bullgari. Ajo i takon Shqipërisë” – thuhet në këtë telegram proteste.[36]

Në protestën e popullsisë së rretheve të Shkodrës, Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Ulqinit, Grudës, Kelmendit, Hotit e Kastratit drejtuar, më 8 maj të vitit 1878, ambasadës franceze në Stamboll, kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Mali i Zi, u paraqitën argumente për pasigurinë që përjetonin nga e kaluara prej fqinjëve të tyre malazez, dhe duke provuar se pjesa absolute e popullsisë së këtyre trevave ishte shqiptare, protestonin “...para Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të vendit... nga Mali i Zi”. Ata përfundonin protestën e tyre të vendosur se do të vepronin në çdo mënyrë projektin e aneksimit të tokave të tyre brenda administrimit të Malit të Zi. Më parë “...pëlqejmë të asgjësohemi sot duke mbrojtur nderin dhe lirinë tonë...” se sa “...të biem nën skllavërinë e Malit të Zi” – thuhej në peticion.[37]

Meqenëse gjatë muajit maj në Vilajetin e Kosovës ishte përhapur lajmi jo i saktë se edhe pjesët perëndimore të tij do t`i kalonin Bullgarisë, njëkohësisht, në protestën që banorët e rajoneve të Pejës, Gjakovës dhe Gucisë i adresuan po kësaj ambasade (ambasadës franceze), më 10 maj të vitit 1878, thuhej: “Vendi ku banojmë qysh në kohët e lashta quhet vendi i shqiptarëve dhe për deri sa të gjithë jemi shqiptarë, ndonse tek ne vetëm një e dhjeta e banorëve është e krishterë, përse duhet... t`i nënshtrohemi administratës së egër të bullgarëve ose më mirë të themi skllavërisë ruse? Cila ndërgjegje do ta pranonte këtë? Në emër të cilës drejtësi do të urdhërohej kjo?”.[38]

Sipas konsullit austro-hungarez në Shkodër, Lipih, më 11 maj të vitit 1878, protesta dhe reagime të shqiptarëve pati në rrethin e Matit, Gjakovës, Pejës, Gucisë, Beranës, Rozhajës, Bjellopoljes dhe Senicës. Ai konstatonte se në këto anë kishte shpërthyer një lëvizje e thellë kundër cedimeve bullgare-serbe-malazeze, të caktuara në Traktatin e Shën Stefanit. Udhëheqësi kryesor më me influencë në këto anë, i cili kryesonte këtë lëvizje, ishte Ali pashë Gucia, një çifligar i madh. Me sa duket, ky aktivitet kishte grumbulluar këto rrethe për të përgatitur një kryengritje të zgjeruar shqiptare, që fillimisht do të sulmonte ushtrinë serbe për ta dëbuar atë nga viset shqiptare që kishte pushtuar gjatë luftës ruse-osmane. Mirëpo, meqë akoma nuk ishte arritur në një unifikim të brendshëm për të filluar një aksion të tillë ushtarak e nuk ishte arritur të bindeshin krerët e Prizrenit për të marrë pjesë në lëvizje, të cilët ishin deklaruar se u mungonin pushkët, nevojat ushqimore e mjetet materiale, ky aksion u ndërpre. Megjithëkëtë, sipas konsullit austro-hungarez, “...në qarqet shqiptare prej Ohri deri në kufi të Serbisë mbretëronte një eksitim i ethshëm...[39], që provon shqetësimin e shqiptarëve ndaj marrëveshjes ruse-osmane dhe gatishmërinë për të mbrojtur tokat e tyre.

Se përfshirja e shqiptarëve dhe viseve të tyre në kufijtë dhe qeverisjen e Malit të Zi, Serbisë e Bullgarisë, ishte në disharmoni me çdo të drejtë humane, historike, kombëtare, gjuhësore a zakonore, paraqitet e argumentohet bindshëm edhe në telegramin që banorët e Prizrenit i dërgojnë ambasadave të Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë dhe të Italisë në Stamboll, më 12 maj të vitit 1878. Përmes këtij telegrami, shqiptarët e Prizrenit shpreheshin: “Serbët dhe bullgarët, të cilët i kanë okupuar disa kaza të vilajetit tonë,  i kanë dhunuar familjet tona, e kanë cenuar nderin dhe pasurinë tonë. Faltoret dhe varrezat tona janë poshtëruar dhe rrënuar; varrezat e të parëve tanë janë çnjerëzuar në mënyrë jo të denjë...”.[40] Prandaj, duke qenë të vendosur njëzëri se do të kundërshtonin në çdo formë përfshirjen e tokave të tyre nën një pushtet të tillë, ata ishin të gatshëm që të sakrifikonin çdo gjë, madje edhe jetën, vetëm për të mbrojtur të drejtat e tyre të pacenueshme. Po në këtë kontekst, ata paralajmëronin situata lufte, por “...me qëllim që të pengohet gjakderdhja”, deklaronin:  “...na e ngrisim zërin duke kërkuar ndihmë dhe përkrahje...” nga Fuqitë e Mëdha, të cilat mund të parandalonin çdo përfshirje të tyre nën një administrim të ri, përcaktim ky si rrjedhojë e një harte të re politike për Evropën Juglindore, që ishte skicuar me marrëveshjen e Shën Stefanit.[41]

Protesta të ngjashme nga popullsia e Prizrenit iu dërguan ambasadës së Francës në Stamboll sërish më 24 e 26 maj të vitit 1878, përmes të cilave kërkonin nga qeveria franceze të pengojë realizimin e dispozitave të kësaj marrëveshje e cila copëtonte viset shqiptare.[42] Po në adresë të kësaj ambasade u dërgua një protestë e popullsisë shqiptare të Senicës, Novipazarit e Novivaroshit, më 29 maj, përmes të cilës kundërshtonin vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit për copëtimin e tokave shqiptare.[43]

Lëvizje e organizime të shqiptarëve tashmë ishte pajtuar të lejonte edhe Porta e Lartë dhe autoritetet e saj lokale. Madje, ajo kërkonte edhe nga deputetët shqiptarë në Stamboll, që vinin nga vise të rrezikuara, që përmes ndikimit të tyre të këshillonin e nxitnin popullin shqiptar të paraqiste sa më shumë lutje e protesta kundër çdo aneksimi të tokave të tyre nga harta e re politike, që pretendohej të realizohej. Shqiptarët duhet të këmbëngulnin se pranonin Portën e Lartë si sundues të vetëm në tokat e tyre. Në ndërkohë, nuk mungonte gatishmëria dhe interesimi i popullsisë shqiptare katolike në Shqipërinë e Veriut, të cilët dëshironin “...haptas aneksimin e vendit prej Austro-Hungarisë”, raportonte Lipih më 18 maj.[44]

Më 22 maj të vitit 1878, kundër aneksimit bullgar që parashihej në Traktatin e Shën Stefanit, protestuan edhe banorët e Tetovës. Përveç të tjerash, ata provonin se janë “...më shumë se 30.000 burra myslimanë (shqiptarë, F. R.), ndërsa të krishterët nuk janë më shumë se një e katërta. Pra myslimanët përbëjnë shumicën si numër, por e lemë mënjanë këtë, sepse si shqiptarë ne jemi të gjithë degë të dalë nga i njëjti trung, nuk kemi mosmarrëveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar” – thuhej në protestën e tyre, duke mos pranuar asnjëherë përfshirjen e tyre në Bullgarinë. Ata shpreheshin të gatshëm për të bërë “...të gjitha sakrificat për të mbrojtur atdheun...”.[45]

Shqiptarët e vilajetit të Kosovës ishin të gatshëm për aksion të armatosur eventual dhe tek ata, tani zotëronte një lëvizje tepër e gjallë, e cila për çdo moment ishte në gjendje lufte. Sipas konsullit austro-hungarez në Prizren, Jelinek, “...prej Prishtine, Gjakove e Dibre më 24 k.m. (24 të këtij muaji, maj 1878-F R-) edhe prej Prizreni ju dërguan protesta telegrafike Fuqive të Mëdha: Austro-Hungarisë, Anglisë, Francës dhe Italisë, kundër shtrirjes së projektuar në vendimet paraprake të Shën Stefanit të kufijve serbë, malazezë dhe bullgarë në territorin shqiptar dhe u kërkua mbrojtja e këtyre Fuqive të Mëdha”.[46]

Më 27 maj të vitit 1878 popullata myslimane në Serres i drejtoi një peticion ministrit të jashtëm anglez, Sallsbëri (Salisbury) dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, në të cilin luteshin “...që provinca e Serres-it të mos përfshihej në principatën e Bullgarisë...”, raportonte konsulli austro-hungarez në Selnaik, Chiari, më 29 maj.[47]

Në artikujt frëngjisht, që rilindësi i shquar kombëtar shqiptar, Abdyl Frashëri (kryetar i Komitetit të Stambollit), botonte pa emrin e tij në revistën e përjavshme austriake “Messager de Vienne” (Lajmëtari i Vjenës) gjatë muajve prill-maj 1878, vlerësonte se Traktati i Shën Stefanit rrezikonte interesat jetike jo vetëm të popujve të Lindjes, por edhe të gjithë Evropës. Duke konsideruar se dëmtimi më i madh nga cedimet e këtij traktati, i binte sidomos popullit shqiptar, të cilin jo vetëm Perandoria Osmane, por edhe Fuqitë e Mëdha e shtetet fqinje ballkanike, nuk e njihnin për komb të vetëm, as si entitet politik e as si grup etnografik. Prandaj, ai i kushtoi vëmendje të posaçme këtij problemi, duke argumentuar për opinionin publik ndërkombëtar se kombi shqiptar përbëhej nga një popullsi me të gjitha tiparet historike, gjuhësore, kulturore e territoriale, dëshmi këto që e bënin të dallohet nga popujt fqinjë ballkanikë. Mirëpo, mosrespektimi i parimit kombëtar diskriminonte shqiptarët dhe identifikonte qenësinë e tyre në skenën politike ndërkombëtare me përkatësinë fetare, që nënkupton se ata i nxirrte për turq, gjykuar nga pjesa më e madhe e tyre që ishin myslimanë. Prandaj, ai vlerësonte se asnjë fuqi e jashtme apo e brendshme nuk mund t`i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga e drejta e tyre për kompaktësi territoriale, nga çfarëdo vendimi që cenonte atë tërësi.[48]

Duke ndjekur platformën e tij politike, e krijuar nga rrethanat ndërkombëtare që dolën si pasojë e dispozitave të Traktatit të Shën Stefanit, Komiteti i Stambollit u bënte thirrje shqiptarëve për mobilizim të përgjithshëm, duke kundërshtuar çdo akt të Fuqive të Mëdha, apo edhe të Perandorisë Osmane, i cili në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë dëmtonte bashkësinë territoriale të Shqipërisë dhe kërkonte unifikimin juridik e politik të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm me tipare autonome, i cili politikisht, gjeografikisht e etnikisht, do të përcaktonte kufijtë e viseve shqiptare dhe kështu ato do të shërbente si bazament me elemente konkrete për opinionin publik, politik e diplomatik ndërkombëtar.

Mirëpo, duke konsideruar nevojën që populli shqiptar të zhvillonte marrëdhënie miqësore me popujt fqinjë ballkanikë, më 30 maj të vitit 1878, Komiteti i Stambollit shpalli një proklamatë drejtuar popullit shqiptar dhe opinionit ndërkombëtar, në të cilën, ndër të tjerash, deklaronte: “Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me mbarë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur të që të mbajmë atë që është e jona. T`u lihen  shqiptarëve tokat shqiptare!”.[49]

Siç duket për këtë periudhë, protestat dhe reagimet e shqiptarëve u përfillën nga fuqitë kundërshtuese, kur dihet fakti se ky traktat hasi në rezistencë të fortë nga Anglia dhe Austro-Hungaria, të cilat nuk mund të pajtoheshin me krijimin e kësaj harte të re politike për Ballkanin, e cila, duke zvogëluar rolin e tyre të dominimit në Mesdhe dhe në Lindje, i shërbente interesave të Rusisë. Prandaj, ato kërkuan rishikimin e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit në një kongres të përgjithshëm. Meqë nuk hasi në mbështetjen e Gjermanisë, përmes të cilës kërkonte që Austro-Hungaria të zbuste qëndrimin e saj, Rusia u bllokua në pikëpamje diplomatike dhe në gjendje të vështirë ekonomike u detyrua të pranonte kërkesën e një kongresi ndërkombëtar, me të cilin do të rishikoheshin dispozitat e kësaj marrëveshje, e cila rrezikonte ekuilibrin e forcave në Evropë. Ky kongres u caktua të zhvillonte punimet nga 13 qershori i vitit 1878, në Berlin të Gjermanisë.[50] Ndërkaq, shqiptarët po përgatiteshin që të mbanin një mbledhje gjithëkombëtare në Prizren (10 qershor 1878), e cila do të rezultonte me formimin e një organi qendror të njohur me emrin Lidhja e Prizrenit, që do të mbronte viset e rrezikuara nga copëtimi i huaj dhe do të përfaqësonte vullnetin politik e kombëtar të shqiptarëve.

 

Ass. Fitim RIFATI

 

R e z y m e

 

TRAKTATI I SHËN STEFANIT DHE REAGIMET E SHQIPTARËVE

Kriza Lindore e viteve 1875-1878 u përcoll më kryengritje e luftëra të cilat rezultuan edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve për paqe, ku dëmtoheshin qenësisht popujt e pambrojtur. Lufta ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Osmane, që filloi më 24 prill të vitit 1877, përfundoi me humbjen e sulltanit dhe nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit, më 3 mars të vitit 1878. Përmbajtja e dispozitave të këtij Traktati u përcaktua si rezultat i apetiteve ruse, duke shfaqur prerazi synimin pansllavist të dominimit në Mesdhe dhe më gjerë. Objekt i zgjerimit dhe formimit të shteteve sllave, sipas neneve të këtij Traktati, ishin edhe vise të banuara me shqiptarë, të cilat tani do të copëtoheshin dhe administroheshin nga Perandoria Osmane, Bullgaria, Serbia e Mali i Zi. Reagimet e shqiptarëve kundër vendimeve të kësaj paqe erdhën nga intelektualët shqiptarë që jetonin në Stamboll (Komiteti i Stambollit), por edhe nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare që jetonin në Shqipëri. Ato ishin të shpejta dhe u intensifikuan me kalimin e kohës përmes protestave të cilat manifestoheshin me tubime popullore, memorandume, telegrame e peticione drejtuar ambasadave dhe konsullatave të Fuqive të Mëdha (Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë e Italisë), me të cilat shprehnin zemërimin mbi mohimin e qenësisë kombëtare e territoriale të tyre dhe njëzëri kundërshtonin çdo aneksim të tokave shqiptare që parashihej të bëhej sipas këtij konfiguracioni të ri politik. Shqiptarët deklaruan se ishin të gatshëm për mbrojtjen në çdo mënyrë të të drejtave të tyre të pacenueshme. Kjo marrëveshje rrezikonte ekuilibrin e forcave në Evropë, prandaj me rezistencën e Anglisë dhe të Austro-Hungarisë, u vendos që klauzolat e Traktatit të Shën Stefanit të rishikoheshin në një kongres të përgjithshëm, i cili do të mbahej në Berlin të Gjermanisë.



[1] Petrit Nathanaili, Marrëdhëniet ndërkombëtare nga origjina deri më sot, Vëllimi i parë (Deri në fund të shek. XIX), FILARA, Tiranë, 2009, f. 403.

[2] Ferdinand Schevill, Ballkani – historia dhe qytetërimi, EUGEN, Tiranë, 2002, f. 321.

[3] Castellan, Georges, Histori e Ballkanit (shekulli XVI-XX), ÇABEJ, Tiranë, 1991, f. 338.

[4] Abaz Mullai, Historia e Ballkanit shek. XIX-1918, SHBLU, Tiranë, 2008, f. 164-166.

[5] Petrit Nathanaili, Marrëdhëniet ndërkombëtare nga origjina deri më sot, f. 404.

[6] Bernard Lewis, Lindja e Turqisë moderne, Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2004, f. 193.

[7] P. Nathanaili, vep.cit., f. 406.

[8] Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar II (Rilindja Kombëtare Shqiptare – vitet 30` të shek. XIX-1912), Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë), TOENA, Tiranë, 2002, f. 133-134.

[9] Po aty, f. 137.

[10] Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit (Shekulli i tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë), Volumi I, PËRPJEKJA, Tiranë, 1999, f. 330.

[11] Misha Gelnny, Historia e Ballkanit (1804-1999), TOENA, Tiranë, 2007, f. 133.

[12] Abaz Mullai, Historia e Ballkanit shek. XIX-1918, f. 169.

[13] Po aty.

[14] Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar II (Rilindja Kombëtare Shqiptare – vitet 30` të shek. XIX-1912), f. 144.

[15] Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit dhe vendosja e tyre në Kosovë (1877/1878-1912), Libri I dhe II, VALTON, Prishtinë, 1994, f. 9-29.

[16] George Gawrych, Gysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizmi dhe shqiptarët (1874-1913), BOTA SHQIPTARE, Tiranë, 2007, f. 63.

[17] P. Nathanaili, vep.cit., f. 407.

[18] Robert Mantrani, Historia e Perandorisë Osmane, DITURIA, Tiranë, 2004, f. 481-482.

[19] Arkivi i Kosovës – Prishtinë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze (1878-1881), përgatitur nga Skënder Rizaj, Prishtinë, 1978, f. 51.

[20] Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), TOENA, Tiranë, 1997, f. 58.

[21] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze (1878-1881), f. 52.

[22] Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), f. 58.

[23] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze..., f. 53.

[24] K. Frashëri, vep.cit., f. 58.

[25] Robert Mantrani, Historia e Perandorisë Osmane, f. 482.

[26] Beqir Meta, Ferit Duka & Marenglen Verli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze (1878), Vëllimi I, ALBANICA, Tiranë-Prishtinë, 2008, f. 36-38.

[27] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze..., f. 54.

[28] Po aty, f. 56.

[29] Po aty, f. 57.

[30] Po aty.

[31] Po aty, f. 58.

[32] Po aty.

[33] Beqir Meta, F. Duka & M. Verli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze (1878), f. 54-55.

[34] Po aty, f. 82.

[35] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze..., f. 58.

[36] Po aty, f. 60.

[37] Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë (Instituti i Historisë), Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1878-1912), përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, 1978, f. 12-13.

[38] Po aty, f. 14.

[39] B. Meta, F. Duka & M. Verli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze..., f. 75-77.

[40] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze..., f. 60.

[41] Po aty, f. 61.

[42] Stefanaq Pollo dhe S. Pulaha, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1878-1912), f. 16-17.

[43] Po aty.

[44] B. Meta, F. Duka & M. Verli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze..., f. 80-83.

[45] S. Pollo dhe S. Pulaha, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare..., f. 15.

[46] B. Meta, F. Duka & M. Verli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze..., f. 95.

[47] Po aty, f. 97.

[48] K. Frashëri, vep.cit., f. 70-75.

[49] S. Pollo dhe S. Pulaha, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare..., f. 19.

[50] P. Nathanaili, vep.cit., f. 409-410.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: