Sejdi Berisha: Heshtja që shndërrohet në zërin e arsyes dhe që di të flasë
| E Enjte, 22.03.2012, 08:58 PM |

HESHTJA QË SHNDËRROHET NË ZËRIN E ARSYES DHE QË DI TË FLASË

 

(Tahir Bezhani: “Mureve të heshtjes sime”- poezi , botoi  “LULU” – SHBA, 2011)

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Secili krijues e ka zërin e vetë, e ka vargun dhe mesazhin me të cilët kuvendon me njeriun, bisedon me kohën e për kohën, me dhembjen e me lumturinë, të cilat, së bashku ndërtojnë kullën e jetës dhe të përplasjeve nëpër te që dot nuk rrënohet. Këtë karakteristikë e hasim edhe tek krijuesi Tahir Bezhani, por pak më ndryshe e me etjen për t’i thënë të gjitha që i vlojnë përbrenda vetvetes, bile edhe ato gjëra të cilat asnjëherë nuk mund të këndohen tërësisht, sepse, qëndrojnë diku thellë nëpër labirintet e çuditshme të rrugëtimit, e  që sikur marrin gojë dhe i thonë apo e lusin poetin që mos t’i nxjerrë në formën e zjarrmisë dhe të hidhërimit, pasi që ato janë vetë plagët, por që mund të lindin edhe plagë tek lexuesi.

 

Trazimi i poetit si shoqërues i rrugëtimit dhe i dhembjes nëpër kohëra

 

Një veçanti të tillë, nëse i bëjmë analizë të mirëfilltë librit “Mureve të heshtjes sime”, na imponohet si çështje thelbësore e këndimit edhe atëherë kur vargu nuk shkruhet, por mbetët përbrenda etjes së autorit. Ky është edhe një provokim për ta analizuar akoma më mirë vargun dhe poezinë e T. Bezhanit, sepse, muret e heshtjes kanë, apo edhe imponojnë plagën e rëndë të njeriut pikërisht nëpër heshtjet, të cilat shndërrohen në zërin e arsyes, në këshillë por edhe në fjalë me thelbin human të kuptimit, në mënyrë që jetën për ta rrëfyer, për ta bërë atë sa më të lumtur dhe, me sa më pak damka... Duke u mbështetur në këtë, edhe libri merr dhe forcon moton e mirësisë dhe të shtruarjes të fjalës së heshtjes, e cila heshtje, shpeshherë di të flasë, të meditojë më shumë pa zë, se sa të shkruash apo edhe të bësh roman.

Për këtë, trazimi i poetit është shoqërues i përhershëm i tij për shumëçka e për gjithçka: “Brenda/Nëpër damarë/Më shprush vuajtja/E hiri im i fjetur/Rrudhave të ballit tim/Lodhjeve të kohës”. Në këtë rrugëtim, ai e plotëson dhe e bën çështje me kuptim filozofik ecjen nëpër periudha, gjatë të cilave është kënduar, është derdhur loti, e ku dhembja është shndërruar në krenari e në qëndresë. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet: “Edhe kur dehem në këngë/Dhembjet nuk e kanë ndërmend/Të pushojnë/As në shtratin e vdekjes”!

Për këtë arsye, loti, gjithmonë nuk e ka ngjyrën as flakën përcëlluese të zakonshme, por është një diçka, e çfarë, kurrë nuk mund të definohet plotësisht, diçka “...që shpon gurin, e çanë tokën, e që kjo përherë është në kërkim të çdo faqeje, të çdo rreshti e fjalie të historisë, kjo, gjithnjë për t’ia afruar sa më afër vetë poetit, që i ngjanë dallgëve dhe ushtimës së detit, por e tërë kjo i ngjanë edhe mureve të heshtjes, që e bën edhe më të fuqishëm vargun, mesazhin, por edhe kureshtjen për ta shprushur këngën e poetit, i cili, gjithnjë ka dëshirë të mos e gjejë mbarimin e saj, për çfarë edhe sikur nga shtatë palë tokë ia nxjerrë vargjet: “Ku e ka mbarimin/Kjo këngë e heshtur/Që shpirtin gërryen”!

 

Kënga e cila i ngjanë shpresës së pritjes...

 

Në këtë vepër, përpëlitet me shumë çështje e ndijime jo vetëm të karakterit individual. Ai, gjithnjë rri kujdestar i shumë gjërave të cilat imponojnë gjetjen e formulave për t’i këputur hallkat dhe zinxhirët e jetës, sepse, jo rrallë, ka jetuar së bashku me to, duke kërkuar përgjigje, e pas kësaj, edhe nëse është keq, bile kënaqet me kafshimin e jetës. Por, në këtë aspekt, gjithnjë ka ngelur pa përgjigje, për çfarë, pastaj kanë reshtur këngët, qofshin ato edhe pa titull mbase edhe me heshtje, e cila i ngjanë shpresës së pritjes për ta kënaqur poetin. Por, ai, asnjëherë nuk është i qetë pa ngritur zërin për gjithçka: “Shpesh udhëtuar kam/Rrathëve të Dantes/Për ta parë ferrin/Krah për krah me vdekjen”.

Në librin “Mureve të heshtjes sime”, përkundër këtyre që i theksova, autori, jo rrallë e ka në qejf heshtjen, sepse, atëherë vetmia e shqetëson dhe ia qull poret gjithnjë duke ia nxitur kuvendimin e eshtrave! Çështjet e tilla dëshmojnë se poezia nuk është vetëm vargëzim, apo vetëm këngë sa për tu kënduar, por ajo është si tharmi i arsyes, që ndez fitilin e kujtesës, dhe në të njëjtën kohë na imponohet diagnostifikimi i ngjarjeve historike dhe kujtimi për më të bukurën, të cilën gjë edhe njeriu i ynë e ka adhuruar, e ka respektuar dhe gjithmonë e ka kultivuar. Dhe, kështu, çdo gjë kuvendon me gjuhën e poetit, qoftë ajo edhe nëpër vite e shekuj.

Duke e pasur parasysh koloritin e jetës, dhe duke e ditur se ajo është e mbarësuar me shumë rrjedha që i ngjajnë edhe errësirës, edhe trembjes dhe dhembjes, ai, me plotë të drejtë e sheh të arsyeshme të vargëzoj edhe vetëm brenda vetvetes: “Prit këngë/Mos nxito/Jashtë është  mjegull/Errësirë!...”. Vargjet e tilla i ngjajnë asaj këshillës të mbrujtur me vlerën më të madhe njerëzore, por edhe me dashurinë ndaj atdheut dhe kombit.

Vargje dhe poezi të ngjashme, që e kanë peshën e zjarrit, që e kanë mallin e këngës së pakënduar deri në fund, e që këto, nganjëherë e sjellin frymëmarrjen e rënduar, e cila i ngjanë stinës së pranverës me pak behar e me këngë të rralla bilbili. Ngjit kësaj, në këtë libër, i cili përbrenda vetes ka kapërthyer poezitë më të zgjedhura nga veprat e mëparshme të botuara të poetit, na prezantohen vargje me vlera e karakteristika jo vetëm të veçanta por edhe shumë interesante, që na forcojnë bindjen për ndërtimin e qëlluar dhe gjithëpërfshirës të vargut poetik, për thellësinë dhe forcën e ndijimit, që e tërheqin zvarrë edhe lotin e dhembjes, si strukturë të paevitueshme mbase edhe të domosdoshme të poezisë: “... Por një ditë do të jesh/Pa lot në sy toka ime/... Dhe nuk di atëherë/A do të kenë forcë lumenjtë/Ta shpërlajnë shpirtin tim/Ta shuajnë etjen time”.

Të kësaj natyre janë shumë poezi, të cilat, librin “Mureve të heshtjes sime” e bëjnë të ngrohtë, e bëjnë më me peshë, më të dashur për lexuesin, i cili në këtë rast mund të jetë edhe interpretues por edhe bashkëpunëtor në komentimin e vlerave esteto-letrare, të mesazhit dhe të metaforës që i shtron poeti.

Heshtjen, autori, në këtë vepër sikur e përdor si karrem apo si arsye për ta intriguar opinionin  për këndimin e tij tipik rebel, andaj, edhe me qëllim bie ndesh me titullin e librit, duke ia madhështuar kuptimin shumëdimensional vargut, e në këtë rast shprehjes – heshtje: “Mos hesht poet/Kur fryjnë stuhitë/Brenda lëkurës sate”. Shih, kjo “brenda lëkurës sate”, sa e fuqizon refleksionin deskriptiv të mendimit në poezi, gjë e cila, ndonjëherë është barrë apo peshë e rëndë që e ngarkon por edhe e lëndon kuptimin pozitiv në ligjërimin poetik.

Nëse i referohemi rrugëtimit të kohës që ecën, atëherë, nuk është aspak e çuditshme që autori i kësaj vepre na sjell ndërmend një gjë të ditur, por që tash shërben si vërejtje për vërejtje: “Koha është reprizë/E shekujve me acar/E erërave me stuhi...”!

 

Dashuria e poetit dhe ledhatimi i këngëve të mbetura!

 

Poeti nuk mund t’i shmanget ndijimit për më të dashurit e vet, duke shkruar nganjëherë vargje përveç me mall e etje, edhe me ngarkesë pesimizmi, që, nga përkushtimi i madh, pa dëshirën e tij i rrëshqitën nga peshoja e vargëzimit: “Të gjithë poetët shkruajnë poezi/Nënë e dashur/E unë nuk mund të nxjerr asnjë fjalë/... Më prit/Mos u tret/Nuk e kam fare larg/Do jemi bashkë në atë jetë/... Nënë/Jeta ime e pa jetuar!...”.

Ndërsa, takimin me të birin në kurbet e përjeton si diçka në mes dy flakëve që përcëllojnë e nuk të djegin deri në fund. Ato janë dashuria prindërore dhe kurbeti: “... Plagë është kurbeti/Thikë e futur në gjak/... Vitet kaluan disi/Si era që valëvitet në qiell/Pa të parë, o bir!’.

Është karakteristike se, Tahir Bezhanin, në “Mureve të heshtjes sime”, e hasim gjithnjë me temperamentin dhe me zjarrminë e shpirtit për plagët, i cili, ato gjithnjë i ka parë dhe i ka konsideruar si sëmundje që nuk është shëruar as në vendlindjen e tij: “ Plagët e hapura/Në truallin tim kullojnë/Vrimave të pambyllura”. Pastaj, e takojmë në udhëtimet e rrugëve të gjata e me vuajtjet, të cilat i konsideron si barrë por edhe diçka më rëndë se barrë, si samar ngarkuar, që është paradoks kohe e si teatër ku për një çast duartrokitet, zgërdhihet e mbytet njeriu në vaje.

Shëtitja e autorit nëpër vetveten, në të gjitha poezitë sjell pasqyrën në të cilën shikohet, por përballë nuk e sheh veten ashtu si mendon. Por, përkundrazi,  sikur e vëren një figurë, e cila këngën e ka të varur në etjen e shikimit, sepse, ai, tërë atë që e bartë dhe e përcjell në varg, edhe pse nuk e thotë ndonjëherë deri në fund, e konsideron krenari, gëzim, mburrje, lumturi dhe përgjegjësi. Por, e tërë kjo, sikur dot nuk i del nga rrethi i zhgënjimit me ngjyrat që reflektojnë hidhërim dhe qortim, e që vështirë këtë di ta shpjegojë, apo, këtë edhe nuk e dëshiron ta bëjë dhe as ta thotë, por tërë këtë ngarkesë ia deponon dhe ia mbështet mureve të heshtjes, e cila gjë assesi nuk i ngjanë heshtjes. Dhe, në kuadër të vargëzimit, poeti, të gjitha përjetimet i mbështjell edhe me dashuri, e cila i shërben si mëlmesë për ta përkëdhelur kohën e cila ka kaluar, dhe kohën e cila tani duket se ecën më shpejtë dhe pa i ledhatuar këngët e mbetura: “Të kam dashur shumë/Tani nuk di sa të dua/... Tani vetëm sytë lotojnë/Më kapë zemërimi/Të dhashë zemër/Të dhashë shpirt”!

Këtë analizë libri do ta përfundoj me vargjet nga poezia “Atdheu”: Ti që më ndjek pas/Kudo!.../Ti i përngjanë furtunës/Që të përplasë shkëmbinjve/Ti je stuhi e mbërthyer hapësirës...”. Kujtoj se ky vargëzim rrumbullakon qartë zërin krijues të poetit, por rrumbullakon edhe mesazhin dhe metaforën për t’ia hapur zemrën murit të heshtjes, i cili hëpërhë i kërkon shkronjat, lapsin dhe letrën për ta përjetësuar fjalën e poetit dhe lumturinë e njeriut, duke shëruar kohën e cila lëngon dhe qan nga vetë njeriu.

Libri “Mureve të heshtjes sime” i Tahir Bezhanit është një vepër e cila dëshmon për peshën dhe seriozitetin krijues të autorit, dhe si e tillë begaton opusin dhe vlerat krijuese letrare tek ne.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: