Francë, vdes vrasësi i Tuluzës
| E Enjte, 22.03.2012, 08:23 PM |

 

Është vrarë atentatori i ushtarëve francezë dhe fëmijëve hebrej në Tuluzë të Francës, pasi forcat speciale franceze kanë bastisur apartamentin e tij.

 

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm francez Claude Gueant, i cili ka dhënë edhe detajet e operacionit.

 

Ministri ka saktësuar se nga brenda apartamentit nuk ka pasur reagime kur komandot shpërthyen derën dhe hynë brenda nga dritaret.

 

Sipas ministrit, në fillim nuk kishte asnjë shenjë të vrasësit, por kur komandot filluan të inspektonin banesën, ai doli nga tualeti dhe filloi të qëllonte në drejtim të tyre me një egërsi të paparë më parë.

 

Më tej, duke përshkruar momentet e fundit të përballjes, zoti Gueant tha se policët u përpoqën të mbroheshin nga Merah, i cili u hodh nga dritarja me armë në dorë, duke qëlluar, dhe më pas u gjet i shtrirë në tokë i vdekur.

 

Ministri ka shtuar se dy agjentë u plagosën gjatë operacionit, që nisi në orën 09:30 me orën lokale, dhe se një i tretë ndodhet në gjendje shoku.

 

Më herët Gueant tha se vrasësi kishte njoftuar se donte të vdiste "me armë në dorë" dhe saktësoi se gjatë natës nuk kishte pasur negociata me të.

 

Pak çaste para operacionit tre shpërthime u dëgjuan pranë shtëpisë së Mohamed Merah. Agjencia “France Info” tha se tre shpërthimet ishin “shumë të fuqishme” dhe bënë shumë zhurmë.

 

Sarkozy: Vrasja e Merah, e domosdoshme

 

Presidenti francez Nicholas Sarkozy ka reaguar pas operacionit që çoi në vdekjen e vrasësit me origjinë algjeriane, duke mbrojtur operacionin e bërë nga forcat e sigurisë.

 

“Vrasja e Mohammed Merah ishte e domosdoshme pasi boll të vdekur kemi pasur”, ka deklaruar Sarkozy, duke iu drejtuar kombit francez përmes një fjalimi nga pallati Elize, të transmetuar direkt në televizionet lokale.

 

Presidenti ka nënvizuar gjithashtu se qeveria do të veprojë për të ndëshkuar këdo që hyn në rrjetet e internetit dhe shpreh simpati për terroristët.

 

“Republika e Francës do t’i mbrojë gjithmonë vlerat e saj dhe njerëzit që udhëtojnë jashtë për t’u “indoktrinuar” nga grupet terroriste do të ndëshkohen”, ka deklaruar Sarkozy.

 

Sarkozy ka thënë më tej se ka urdhëruar një hetim për të verifikuar nëse në burgjet franceze po bëhet propagandë e ideologjisë islamike. “Burgjet tona nuk duhet të bëhen vatra për indoktrinimin terrorist”, ka shtuar Sarkozy.

 

Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Paris, Hugh Schofield thotë se mes politikanëve francezë do të ketë një lehtësim për përfundimin e operacionit të gjatë.

 

Ai thotë gjithashtu se do të ketë frustrime për faktin se ai nuk u kap i gjallë, por do të vlerësohet se ishte jetike të mos rrezikohej më dhe të veprohej me forcë.

 

Tuluz, banorët të dëshpëruar

 

Më herët, banorët në Tuluz u shprehën të dëshpëruar dhe të trishtuar nga vrasjet e fundit. Sarah, një banore e qytetit, shkruante në rrjetin social:

 

“Është një tragjedi ajo që u ka ndodhur atyre ushtarëve dhe atyre fëmijëve të pafajshëm. Për mua nuk ka rëndësi nëse Merah do të mbahet në apartamentin e tij për gjashtë orë më shumë apo 6 ditë më shumë, pasi përsa kohë ai qendron atje nuk mund të marrë më jetë. Ai do të dalë para drejtësisë, por ndërkohë rrugët në Tuluz janë pak më të sigurta”.

 

Ndërsa Guillaume, edhe ky banor i qytetit, tha: “Të gjithë në zyrën time kanë ndjekur lajmet që prej ditës së djeshme. Ne shohim një prani të madhe të policisë nëpër rrugë dhe dëgjojmë shumë sirena policie. Mendoj se forcat speciale nuk janë të sigurta nëse apartamenti i Mohammed është i sigurt apo jo. Ai mund të jetë i mbushur me eksploziv dhe zona është shumë e populluar, prandaj ka rrezik që të vriten civilët”.

 

Vrasësi: Do shoh vdekjen duke buzëqeshur

 

“Ose do të përfundoj në burg dhe kështu mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”. Kështu kishte thënë pas atentateve Merah, gjatë një bisede telefonike me një gazetare të televizionit “France 24”, Ebba Kalondo.

 

Telefonatën në fjalë hetuesit e morën shumë seriozisht, duke parë detajet e masakrave të referuara nga vrasësi për kryeredaktoren e transmetuesit francez.

 

“Gjatë bisedës ai ishte i qetë, fliste një frëngjishte të mirë dhe i shoqëronte frazat e tij me shprehje në arabisht”, tregoi gazetarja në faqen e internetit të “France 24”.

 

Sipas Kalondo, ai dha informacione që diheshin vetëm nga ai dhe nga policia, si për shembull numrin e plumbave të përdorur në Tuluz dhe Montauban, llojin e armëve të përdorura dhe disa elementë të braktisur në vendin e ngjarjes.

 

I dyshuari tha gjithashtu se ishte anëtar i Al Kaedës në Francë, duke paralajmëruar se: “ky është vetëm fillimi i një serie atentatesh të reja që do të kryhen së shpejti në Paris, Lion dhe Marsejë”.

 

“Ai tha se ishte kundër ligjit të burkës që në Francë është në fuqi prej vitit 2011 dhe se luftonte kundër operacioneve franceze në Afganistan”, tregoi më tej gazetarja.

 

“Hebrejtë kanë vrarë vëllezërit tanë dhe motrat tona në Palestinë”, citoi ajo vrasësin, i cili njoftoi publikimin e videove të masakrave në rrjet.

 

Pyetjes së gazetares se çfarë do të mund të ndalte vrasjet, ai iu përgjigj: “Ose do të shkoj në burg dhe kështu do të mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: