Reshat Kripa: Kolaboracionist apo patriot …?
| E Merkure, 21.03.2012, 08:05 PM |

Kolaboracionist apo patriot …?

 

Nga Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë demokratë të Tiranës

 

Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Historianët e periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën e pushtuesve në radhën e kolaboracionistëve. Madje, për këtë shkak, shumë prej këtyre politikanëve, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku kishin gjetur një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi.

Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori pretendonte se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh.

Personalisht, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kam qënë mjaft i vogël për të kuptuar të vërtetën. Hera-herës dëgjoja, fshehurazi tim atë kur bisedonte me miqtë e tij të ngushtë, opinione mbi figurat kryesore të luftës. Vija re se opinionet e tim eti binin ndesh me ato që na mësonte historia që bënim në shkollë. Duke u mbështetur në këtë histori, imagjinata ime e përfytyronte çdo nacionalist siç e përshkrunte Shefqet Musaraj në “Epopea e Ballit Kombëtar” apo si Sali Protopapa i filmit “I teti në bronx” dhe ballistët e filmit ”Duke zbardhur një ditë”.

Në atë periudhë isha në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Së bashku me dy shokë të mi krijuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte kundër pushtetit nëpër rrugët e qytetit të Vlorës. Pata fatin që u arrestova dhe për një periudhë pesëvjeçare të endesha gërxheve dhe shkrepave të kampeve të punës së detyruar. Them pata fatin se, gjatë kësaj kohe, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë histori ma mësuan ata burra të rrallë që zor se mund t’i vijnë më këtij kombi. Ata ishin doktor Isuf Hysenbegasi, Avokatët Xhevdet Kapshtica, Fatosh Kokoshi dhe Haki Karapici, klerikët Padre Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, agronomët Meçan Hoxha dhe Sami Bitincka, mësuesit Tahir Hoxha dhe Matish Çefa dhe plot të tjerë që nuk po i përmend pasi do të duheshin faqe të tëra.

Këta burra më flisnin për ngjarjet dhe personazhet kryesorë që ishin ndeshur gjatë periudhës së luftës me njëri-tjetrin. Më flisnin për ata që kishin pranuar të merrnin pjesë në administratën e lartë të pushtuesit, për shkaqet pse kishin pranuar dhe nëse kishin vepruar drejt apo jo. Më flisnin edhe për aktivitetin e tyre në të kaluarën, për luftën e gjatë dhe përkushtimin e tyre në dobi të vendit. Në sytë e mi gjithmonë e më shumë lartësoheshin figurat e këtyre martirëve të shquar që u sakrifikuan për Shqipërinë. Kështu tek unë u formua një opinion i plotë mbi aktivitetin e zhvilluar prej tyre ndër vite.

Kohët e fundit, me zhvillimin e madh që ka marrë interneti, shfletoj faqet e tij dhe lexoj mbi këta burra. Çuditërisht ato përputhen me opinionin e krijuar prej meje qysh prej vitesh.

Le t’i analizojmë këta personazhe dhe aktivitetet e tyre:

 

1. Hasan Dosti:

1920, Kryesekretar i Përgjithshëm  i Prefekturës së Gjirokastrës. Prefekt Kol Tromara. Krijon Shoqatën për Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare.

Kryen Fakultetin e Drejtësisë në Francë dhe merr gradën “Doktor në Drejtësi”.

Luftëtar i parimeve republikane, merr pjesë në atë që u quajt “Lëvizja e Vlorës” në vitet 30-të. Arrestohet dhe kryen tre vjet burg.

Qysh në prill të vitit 1939 ndër inisiatorët e variantit të parë të Dekalogut që do të bëhej programi i krijimit të Organizatës së Ballit Kombëtar.Së bashku me Ahmet Gashin përpilon hartën e parë të Shqipërisë Etnike.

Janar 1942, Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës. Shkon në Kosovë për organizimin e gjykatave dhe aplikimin e një legjislacioni modern. Me nxitjen e tij shkojnë në Kosovë juristë të njohur si Kudret Kokoshi, Mitat Aranitasi, Abdulla Rami, Feti Selenica e të tjerë. Shpëton nga vdekja Hasan Reçin dhe Sinan Gjonin, dy komunistë të njohur. Kishte miqësi me Mustafa Gjinishin pamvarësisht bindjeve të ndryshme. Kur konstaton se nuk kishte mundësi për të penguar operacionet e fashistëve, jep dorëheqjen pa mbushur katër muaj në detyrë.

Gusht 1943, pjesmarrës i delegacionit të Ballit Kombëtar në konferencën historike të Mukjes ku zgjidhet Kryetar i Komitetit të Përbashkët “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Sekretar Mustafa Gjinishi.

1949, Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në SHBA, pas vdekjes së Mit-hat Frashërit.

Kur konstaton se punët e këtij komiteti nuk shkonin mirë, jep dorëheqjen dhe merret me studime mbi çështjen shqiptare dhe studime të ndryshme historike.

 

2. Ernest Koliqi:

1921, themelon revistën “Ora e Maleve” së bashku me Patër Anton Harapin dhe Nush Topallin.

1924, pjesmarrës i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit

1939-1941 Ministër i Arsimit në qeverinë e Shefqet Vërlacit. Puna e kryer gjatë kësaj periudhe:

Thirrja e Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare, 1940.

Themeloi dhe drejtoi të përkohshmen “Shkëndija”, 1940

Botimi i historisë së letërsisë shqipe në dy vëllime me titull “ Shkrimtarët shqiptarë” në vitin 1941.

Mbledhja e folklorit për veprën “Visaret e Kombit”.

Botimi i vëllimeve “Rreze Drite”, “Te pragu i jetës” Studime Estetike”.

Hapja masive e shkollave fillore  shqipe   Kosovë.  Hapja  e  një  shkollë  të mesme  

Prishtinë. Dërgimi i shumë studentëve kosovarë për studimet e larta në Itali dhe  Austri.  Dërgimi

i 400 arsimtarëve normalistë dhe të shkollës teknike të Harri Fulcit në Kosovë.

1942-1943, Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare.

Botimi i antologjisë “Bota Shqiptare”, 1943.

Nëntor 1944, Emigron në Itali ku vazhdon aktivitetin patriotik nëpërmjet botimeve të shumta  si: “Kangjellat e Rilindjes”, “Antologjia e Lirikës Shqiptare”, Simfonia e Shqipeve” e të tjera.

Vlerësimet:

Medalje Ari e shoqërisë “Dante Aligheri

Ylli i Artë për merita i shkollës

Akademik Ordinar i Akademisë Tiberiane

Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për shkencat

Anëtar i Akademisë së Abrucit për shkencat dhe artet.

Anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut

Anëtar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare.

Medalje e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë.

 

3. Xhevat Korça:    Pjesmarrës i çetave të Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Bellkamenit.

15 dhjetor 1918, bashkautor i letrës dërguar Presidentit Uillson, së bashku me Jani Bashon, Remzi Baçin, Nush Bushatin,  Raqi Budën,  Fuat Asllanin, Gjovalin  Gjadrin  dhe  Luigj Kakariqin, letër e cila mbyllet me fjalët:

Zotëri, ju lutemi në emën të djelmënisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen tuaj.

1922, ngre në Shkodër të parin gjimnaz

1925, largohet nga Shqipëria. Fillimisht në Jugosllavi, pastaj në Austri dhe së fundi në Itali. I kërkon ndeshjen në duel një avokati që kishte fyer Shqipërinë. Avokati i kërkon ndjesë.

Disa ditë para 7 prillit i kërkon mbretit Zog hapjen e kufijve për patriotët shqiptarë që donin të ktheheshin për të mbrojtur vendin nga pushtimi fashist.

1940, Pranon emërimin si anëtar i Këshillit të Shtetit së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuat Asllanin dhe Dhimitër Beratin. Kur ndihmës mëkëmbësi i mbretit Lorusso Attoma e pyet përse nuk shkruan për të mirat që po i sjell fashizmi Shqipërisë ai i përgjigjet:

Zoti Attoma, duhet ta dini se qysh më 7 pril 1939 penës sime i është thyer maja.

Pranoi postin e Ministrit të Arsimit, pas Ernest Koliqit me dy kushte:

1. Të hiqej si gjuhë e detyrueshme nga shkollat fillore në Shqipëri e Kosovë italishtja.

2. Të liroheshin nga kampi i Ventotenës  arsimtarët shqiptarë. Kështu liroi Abaz Ermenjin, Zef Palin, Vasil Andonin, Safet Butkën që i dërgoi në Kosovë.

Vrasja e Qazim Koculit e detyroi të jap dorëheqjen

1945, arrestohet dhe dërgohet para gjyqit special: I drejtohet Kryetarit Koçi Xoxe me fjalët:

Zoti kryetar, Gjemëni një fjali të shkruar ose një frazë të thënë pro fashizmit dhe atëhere dënomëni me vendimin maksimal.

I jep fund jetës në grevë urie në burgun e Burrelit.

 

4. Rexhep Mitrovica:

1908, mësuaes në shkollat e para të gjuhës shqipe.

23 qershor 1911, mbështetës i memorandumit të Gerçes. Nënshkrues i peticionit për autonomi drejtuar prefektit te Mitrovicës.

25 mars 1913, shpreh indinjatën për vendosjen e kufijve nga Konferenca e Londrës.

28 nëntor 1912, pjesmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë si delegat i Gjakovës, Pejës dhe Gucisë.

7 mars 1914, përshëndet ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri

1920, deputet i Pejës dhe Gjakovës në parlamentin shqiptar, për Partinë Popullore.

1922-1924 Ministër i arsimit.

1943, Kryetar i Organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” në Mitrovicë.

16 shtator 1943, nënkryetar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.

1944. Kryeministër i qeverisë shqiptare. Lidhur me këtë Bahri Omari, në gjyqin e zhvilluar kundër tij deklaron:

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku unë mora pjesë, kishte proklamuar indipendencën e Shqipërisë dhe neutralitetin shqiptar. Ne nuk kemi patur qëllim bashkëpunimin me gjermanët. Atëherë shpallja e pavarësisë nuk do të kishte asnjë vlerë. Qeveria që drejtonte Rexhep Mitrovica nuk i ka dhënë asnjë ndihmë gjermanëve.

Lidhur me sa më sipër Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste  Jugosllave  u  drejtohet  me

një letër komunistëve shqiptarë ku  shkruan:

Të ngresh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, do të thotë t’ju japësh dorën reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë dhe vetë armikun...Jugosllavia e re, që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe si rjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje  kombëtare  

pakicave shqiptare”. (Rexhinald Hilbert, “Fletorja e hidhur”,  faqe 12).

Gjatë qeverisjes së Rexhep Mitrovicës nuk ka patur parti naziste në Shqipëri, nuk është formuar asnjë formacion i rinisë shqiptare me tendenca naziste, nuk janë ekspozuar fotografi të udhëheqësve nazistë, ka valuar kudo flamuri kuq e zi shqiptar pa asnjë shenjë të huaj.

Maj 1944, jep dorëheqjen si kryeministër dhe kthehet në Kosovë

Nëntor 1944, emigron jashtë shtetit

Pas dorëheqjes së Hasan Dostit, drejton Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.

 

5. Ago Agaj:

1919, kryen studimet në Austri për Ekonomi Agrare

1920, pjesmarrës i luftës patriotike të Vlorës.

1924, pjesmarrës në lëvizjen Fanoliste

1927, Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje.

1932, 1933, pjesmarrës në Lëvizjen e Vlorës

1941, Prefekt në Mitrovicë. Organizon shqiptarizimin e administratës. Emëron Shefqet Shkupin Kryetar Gjykate, Kudret Kokoshin Prokuror,  Komandant xhandarmërie birin e Isa Boletinit, Bajazitin, mjek Ibrahim Dervishin e të tjerë. Me ndihmën e Xhafer Devës kryen dërgimin në Shqipëri të qindra hebrejve për t’i shpëtuar nga internimi në kampet e çfarrosjes.

1943, Merr pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit e ngritur për të ruajtur tërësinë tokësore të Shqipërisë me Kosovën.

1944, Ministër i Ekonomisë Agrare nën qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica.

Nëntor 1944, emigron fillimisht në Itali dhe më pas në Egjypt dhe SHBA. Shkruan në shtypin e emigracionit si “Shejzat” Romë dhe “Dielli” Boston. Boton librat “Lufta e Vlorës”, “Milloshi, heroi i Kosovës” dhe “Si e njoha Xhafer Devën”.

 

6. Patër Anton Harapi:

1921-1924, drejtues i revistës “Ora e Maleve”.

1924, përkrah opozitës shqiptare me në krye Nolin, Gurakuqin, Fishtën e të tjerë.

1920-1930, ideator i organizimit politik të demokristianve shqiptarë dhe përpjekjet për krijimin e një partie të këtyre parimeve

1930-1936, Drejtor i revistës “Hylli i Dritës”.

13 shtator 1943, anëtar i Këshillit të Lartë të regjencës. Pjesmarrës i marrëveshjes me komandën gjermane që i konsideronte hebrenjtë qytetarë shqiptarë, si rezultat i së cilës asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Lidhur me këtë ai i tha ushtarakut të lartë gjerman:

Marrëveshja është që trupat gjermane do ta përdorin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brendëshme shqiptare.

Më 1945 Arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Në sallën e gjyqit i deklaron gjykatësve:

E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.

Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!”

 

7. Lef Nosi:

1909, Kryetar i Klubit “Vllaznia Shkodër.

1909, Kryetar i shoqërisë “Afërdita” krijuar prej tij.

Tetor 1909, organizator i Kongresit Arsimor Kombëtar.

1 dhjetor 1909, organizator i çeljes së të parës shkollë normale në Elbasan.

1910, boton gazetën “Tomori”.

1912, Ministër i Postë- Telekomunikacioneve në qeverinë e Ismail Qemalit.

Pjesmarrës i Konferencës së Paqes në Paris.

1924, Kryetar Bashkie Elbasan.

1939, internohet në Itali.

1943, merr pjesë në Asamblenë Kushtetuese që shkëputi Shqipërinë nga Mbretëria Italiane dhe e shpalli të pavarur.

1945, arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Ekzekutohet në vitin 1946.

 

8. Kol Tromara:

1907, Sekretar i Shoqërisë “Besa Besë”.

1915. Sekretar i shoqërisë “Vatra” në SHBA.

1916. Kryetar i shoqërisë “Vatra” në SHBA.

1918, Letër drejtuar shqiptarve të Amerikës për të financuar delegacionin për Konferencën e Paqes në Paris. Në atë letër thuhej:

Cili shqiptar i mirë që dhëmbet për atdheun e mjeruar nuk e do çlirimin, zgjërimin dhe sigurimin e Shqipërisë? Cili shqiptar i mirë që dhëmbet për vllezërit e robëruar nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë? Cili shqiptar i mirë nuk jep jo vetëm qesen por edhe shpirtin e tij për qëllimin e shenjtë?

Pjesmarrës në Konferencën e Paqes në Paris si delegat e shqiptarve të Amerikës.

1920, delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjes

1925, largohet nga Shqipëria. Kthehet në vitin 1939.

1941-1943, në kryesinë e Organizatës së Ballit Kombëtar

1943, jep dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe merr pjesë si Ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës.

1945, Arrestohet, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet në vitin 1945.

Mund të vazhdoja më tej me plot emra të tjerë si Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Mihal Zallari, Bahri Omari, Xhafer Deva e plot të tjerë, madje edhe Mustafa Kruja, por mendoj se, për sot, mjafton me kaq. Po të dëshërojnë mund të vazhdoj edhe me të tjerë.

Duke patur parasysh këto të dhëna pyes:

- Si duhet të konsiderohen këta burra, kolaboracionist apo patriot?

Përgjigjen e kësaj na e jep njëri prej tyre, Ago Agaj, në librin e tij historik “Lufta e Vlorës”:

A duhet të humbasin emrat e këtyre prijsave, qoftë që edhe ndonjë prej tyre të ketë bërë në politikë ndonjë akt të quajtur “Gabim”, sepse nuk arriti të realizonte qëllimin e tij padyshim patriotik?

Historianët e majtë vazhdojnë t’i bien daulles me ritmin e sistemit të përmbysur. Shembullin e tyre e ndjekin edhe disa të tjerë që e quajnë veten të djathtë. Unë do të doja t’ju sillja vetëm një fakt. Çfarë u lanë pas vetes familjarëve të tyre këta “kolaboracionistë”? Se, natyrisht, në rast se do të ishin vënë në shërbim të pushtuesve do të kishin marrë edhe shpërblimin e tyre. Si qëndron e vërteta? Pas vetes së tyre ata lanë vetëm një copë shtëpi që iu rrëmbye nga grabitqarët komunistë.

Më lejoni tani t’ju sjell një shembull tjetër, kësaj here nga sfera e majtë.

Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.

Si duhet ta quajmë veprimin e këtij heroi, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Si shpjegohet që ky luftëtar, që kishte luftuar edhe kundër gjermanëve në Spanjë, tani bashkohet me ta? A mos duhet quajtur tradhëtar? Jo dhe jo. Atë e thirri zëri i atdheut.  Ishin pikërisht gjermanët që i sillnin lirinë e atdheut, që e shkëpusnin nga robëria shekullore e serbomëdhenjve.  Ai, së bashku me intelektualët shqiptarë që cituam më lart, luftonin për  Shqipërinë Etnike. Ishte pikërisht Gjermania që e kishte kthyer Shqipërinë në kufijtë e saj natyral, me përjashtim të krahinës së Çamërisë. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.

Shfletoj internetin dhe ndalem tek faqja për patriotin Vaso Pashë Shkodrani. Lexoj:

Administrator në Ederne në vitin1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883.

Qënia në këto detyra nuk e pengoi të mendonte dhe të punonte për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? A nuk i shërbeu edhe ai Turqisë? Atëhere, përse Vaso Pasha quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionista? Kjo pasi Vasho Pasha, duke i shërbyer Turqisë, mendonte pareshtur edhe për Shqipërinë.

Vazhdoj më poshtë me Ismail Qemalin:

Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912.

Atëhere përse Ismail Qemali quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionista? Pyetjet e tjera janë të njëjta si për rastin e Pashko Vasës.

Nëse do të vazhdojmë më tej do të shohim se edhe udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim.

Atëherë, përse të mos e quajmë të njëjtë edhe veprimin e këtyre intelektualëve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botëroire?

Do të doja të bëja edhe disa pyetje të tjera:

Lidhjen e komunistëve me armikun e përhershëm të vendit tonë, Jugosllavinë, si do ta konsideroni? A nuk ishin brigadat partizane, të udhëhequra nga diktatori Ramiz Alia dhe të tjerë lakej që shkuan në jugosllavi për t’ua dorëzuar atyre Kosovën martire? A nuk ishin komunistët shqiptarë që u bënë bashkëpuntorë të jugosllavëve në masakrën e tmerrshme të Tivarit? Bashkimi Sovjetik komunist, me fillimin e Luftës së Dytë Botëroire, filloi të pushtojë vendet balltike dhe Poloninë, njësoj si okupatori gjerman dhe më vonë, në fundin e luftës u shtri në të gjithë lindjen. Atëhere, përse aleanca me  Bashkimin   Sovjetik  qenka  patriotike?  Sa  persona  u

arrestuan dhe u vranë gjatë gjithë periudhës së luftës? Bëni krahasimin me ata që pushteti komunist arrestoi dhe vrau vetëm në tre vitet e para të ekzistëncës së tij dhe do të shihni fytyrën e

vërtetë të komunizmit shqiptar.

Do të vazhdoja edhe më tej  por, për sot po mjaftohem me kaq. Theksova më lart faktin se  disa    e  quajnë  veten    djathtë  ndjekin  shembullin  e  të majtëve. Dëgjojmë këto ditë se do të përjashtohen nga përfitimi i dëmshpërblimit financiar, ish kolaboracionistët. Kush janë ish kolaboracionist? Mos vallë intelektualët tanë? Shfletoj ligjin nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë nga regjimi komunist” ndryshuar me ligjin nr. 10111 datë 02.04.2009 dhe në asnjë nen të tij nuk shoh ndonjë klauzolë që të përjashtojë ndokënd. Ka qënë dikur, kur ligji ishte ende në projekt, një nen që parashikonte personat që përjashtoheshin nga dëmshpërblimi. Në këtë nen parashikohej se përjashtoheshin nga dëmshpërblimi jo vetëm kolaboracionistët por edhe anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike apo Komitetit Qëndror të Partisë së Punes, punonjësit drejtues të Ministrisë së Brendëshme, organeve të sigurimit të shtetit,  bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit, anëtarët e komisioneve të internim-dëbimeve dhe të tjerë të kësaj natyre. Por parlamenti i atëhershëm, me një të rënë të lapsit, mendoi ta hiqte krejtësisht këtë nen.

Kështu nga ligji i dëmshpërblimit përfituan të bardhë dhe të zinj, viktima dhe vrasës, të pafajshëm dhe fajtorë. Shembujt janë të shumtë. Krahas të dënuarve me të vërtetë politikë, përfituan dëmshpërblim edhe persekutorët e tyre të tipit Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Kadri Hazbiu, Fiçor Shehu e të tjerë. Janë vënë në një plan ujqërit me delet. Kurse tani kërkohet të ndëshkohen vetëm delet dhe ato janë të ashtuquajturit kolaboracionistë. Madje ndonjëri prej tyre është dekoruar edhe nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Nderi i Kombit”. Mbi ç’bazë ligjore bëhet një veprim i tillë? Ne nuk e dimë. Le të na i shpjegojnë ideatorët e tij.

Një miku im më thoshte një ditë:

Serbët baltën e bëjunë njeri, kurse shqiptarët njeriun e kthejnë në baltë.

Nuk doja t’i besoja sentencës së mikut tim, por ngjarjet e kohëve të fundit e vënë në dyshim ndërgjegjen time. E lë në ndërgjegjen tuaj, të nderuar lexues, të gjykoni mbi drejtësinë e mendimeve të mia të shprehur në këtë shkrim. Do të mirëprisja çdo mendim, madje edhe ato kundra, që do të më paraqiteshin hapur dhe pa prapaskena. Unë jam në pritje.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: